Author: faik
•11:03 m.d.
Ditë më parë, saktësisisht prej datës 6-8 gusht, me ftesë të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Myftiut të saj Naim ef.Tërnava, në vizitë treditore në Kosovë ishte Reis-ul Ulema i Bosnjës dhe Hercegovinës Dr.Mustafa ef. Ceriç me bashkëpunëtorët e tij. Në përbërje të delegacionit të tij, ishin përveq Reisit dhe bashkëshortes së tij, edhe Ed-hem Biçakçiç kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të BeH, myftiu i Sanxhakut Muamer ef.Zukorliç, rektori i Uneiversitetit internacional të Novi Pazarit dr.Mevlud Dudiç, Aziz ef.Hasanoviç ndihmës myftiu i Bashkësisë Islame të Kroacisë, Mirza Shabiç përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kroacisë, Muhamed Salkiç sekretari gjeneral i Kryesisë së Bashkësisë Islame të BeH si dhe Aziz Kadribegoviç kryeredaktor i gazetës informative islame’’Preporod’’ .
Ditën e parë të vizitës zyrtare në Kosovë, Reisi e kaloi në Prishtinë, ku pas takimit zyrtar me nikoqirin e tij Myftiun e Kosovës Naim ef.Tërnava, pati takim zyrtar edhe me presidentin e Kosovës zotëri Fatmir Sejdiu. Në takimin e ngrohtë që pati me presidentin plot një orë, tek presidenti Reisi “pa një personalitet të përafërt sikurse të ishim takuar shumë herë, kam përjetuar një ëmbësirë të veqantë në fjalët të tij dhe respektin e plot të treguar ndaj meje. Takimin me presidenetin e vlerësoj si simbol të miqësisë dhe bashkëpunimit në mes shqiptarëve dhe boshnjakëve në Ballkan’’. Ditën e parë të vizitës Reisi me delegacionin e tij dhe nikoqirët vizituan edhe kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz si dhe Tyrben e Sulltan Muratit në Mazgit.
Ditën e dytë të vizitës, Reisi erdhi në Prizren, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, dhe u prit nga kryetari i Bashkësisë islame të Prizrenit Lutfi ef. Ballëku. Pas pritjes zyrtare Reisi me bashkëpunëtorë dhe nikoqirin e tij Myftiun e Kosovës Naim ef. Tërnava vizituan xhaminë e Bajraklisë( në të cilin u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit) si dhe xhaminë e Sinan Pashës e cila është në fazën e restaurimit dhe konzervimit të saj. Në qendër të Prizrenit, Shadërvan, piu ujë në çeshmen e mirënjohur të Shadërvanit, si dhe një kafe përball Shadërvanit. Pas kësaj bëri një shetitje të shkurtër duke kaluar mbi urën e vjetër të gurit, vazhdoi kah qendra, duke ecur pranë minares Arasta, përball hamamit të Gazi Mehmed pashës, gjer te selia eVakfit të Prizrenit. Enkas për të pritur Reisin, erdhi nga Gjakova poeti, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur MexhidYvejsi. Pas kësaj suita e Reisit vazhdoi për në fshatin Lubinje e epërm ku u pregadit një pritje madhështore nga vendasit si dhe fshatërave përreth si dhe qytatarëve enkas të ardhur nga Prizreni. Pritja i u bë në oborrin e shkollës së fshatit, ku mbajti një fjalim të rastit, në të cilin përveq tjersh tha:
” Ne në fund të shekullit të kaluar(XX) së bashku me shqiptarët, kuptuam se për neve nuk ka më shpërngulje (hixhret), nuk ka më largim nga Ballkani, këtu është atdheu ynë dhe se neve do të mbesim këtu ku jemi dhe do të luftojmë për të drejtat tona si çdo popull tjetër në Ballkan. Atë çfarë neve mbajmë në mend është se u paraqit një njeri që doli në ball të boshnjakëve, dhe porositi tërë botës, se nuk shkojmë nga pragu ynë shekullor, dhe se do të luftojmë për atdheun dhe lirinë tonë, e ky ishte Alia Izetbegoviçi. Nuk kërkojmë kurgjë tjetër më tepër se çdo popull në Ballkan që ka, por as nuk kërkojmë as më pak.Këtë duhet të kuptojnë ata si në Stamboll, Bruksel e Vashington.Këtë planetë Allahu e ka krijuar, askush nuk e ka pru e askush nuk mundet me e que askund.Ne e kemi lirinë të cilin Allahu na ka dhënë.Dhe duhet kuptuar se askush nuk të jep.Nuk ka adresë në botë i cili ta jep lirinë, edhe në rast se të jep, ta jep në lugë të vogël. Liria fitohet, mirret , ajo nuk ipet, dhe se neve duhet grabit prej atyre të cilët nuk ta japin lirinë.Robër nuk do të jemi më, përveq Allahut. Këtë po e kuptojnë edhe xhelatët të cilët kanë kryer gjenocidin në Srebrenicë, dhe kanë kryer maskra mbi popullin shqiptar në Kosovë. Boshnjakët e Kosovës duhet të kuptojnë se shqiptarët i kanë miqë dhe aleatët natyror.Porosia jonë është që të jeni bashkë dhe të bashkojmë forcat për qëllimin tonë final që është që në Ballkan të gjejmë vendin edhe neve në nënqiellin e hapur të Ballkanit. Qëllimi ynë është që më kurrë, kurrë, asnjë boshnjakut, asnjë shqiptarit, asnjë njeriu, të mos gjejë padrejtësi dhe të keqe,sepse të gjithë njerëzit janë krijesat e Zotit.Edhe atyre që nuk na duan, të mos i ndodh gjenocidi dhe se të mos vriten asesi pse i përkasin një feje, apo populli tjetër. Ky është qëllimi ynë’’. Tubimin e përshëndeti edhe Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava i cili përveq tjerash tha: “Shqiptarët dhe boshnjakët kurrë nuk do ta harrojnë Srebrenicën dhe Reqakun, dhe se kanë kaluar nëpër sprova të njejta në fund të shekullit të kaluar.Ne jemi shembull se si neve si musliman mund të jetojmë në këto hapësira.Më tepër se 600 vjet prej neve nuk kanë gjetë gjë të keqe.Të gjitha të këqijat tjerët na kanë imponue, dhe se kurrë nuk kemi insistuar në luftëra, por ato neve na janë imponuar.Besojmë që neve në Kosovë, por edhe vëllezër dhe motra në BeH, me kontributin e tyre, do tëjenë pjesë integruese në Evropë, Dhe se neve sikur që jemi, do të integrohemi në Evropë, do të integrohemi me fenë tonë që e kemi, duke respektuar fetë tjera prezente, katolike dhe ortodokese”. Pas përfundimit të takimit në xhaminë e fshatit u falë namazi javor i xhumasë të cilin e udhëhoqi Reisi Dr.Mustafa Ceriçi. Pas përfundimit të faljes së xhumasë Reisi së bashku me delegacionin vazhdoi vizitën pas ditore për në fshatrat e Gorës.
Ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë Reisi e kaloi në Prishtinë, me ç’rast nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit në mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të BeH për bashkëpunimin e ndërsjell në nivelet e ndryshme të dy bashkësive fetare.Poashtu në seminarin e organizuar nga Forumi i Boshnjakëve të Kosovës me titull”Bashkëpunimi rajonal i boshnjakëve dhe Kosova” mbajti një ligjeratë akademike të nivelit më të lartë që lirisht mund të them se ishte e nivelit të ligjeratave të mbajtura në Harvard, Kembrixh, Oksford. Në ligjeratën e tij të mbajtur Reisi përveq tjerash tha: ” Edhe pse 11 korriku u shpall dita e kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë nga Parlamenti Evropian, Brukseli zyrtar prap bënë gabim duke rënë në lojrat e Serbisë, me ç’rast ia mundësoi Serbisë së bashku me Malin e Zi e Maqedoninë, lehtësimin e qarkullimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në rastin e Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës ia pamundëson qarkullimin e lirë në vendet e Bashkimit Evropian, merreni me mend e shpërblen agresorin, ndërsa e dënon viktimën. Falenderoj Allahun e madhëruar që na dërgoi Alia Izetbegoviçin, i cili asesi nuk ka pranuar që neve boshnjakët të shpërngulemi sikurse që ka ndodhur me Andaluzinë e dikurshme, por të mbesim në trevat tona shekullore dhe të luftojmë për lirinë dhe barazinë e plot të popullit tonë boshnjak dhe për pavarësinë e Bosnjësdhe Herecegovinës.Poashtu nuk mund të mos e përmendi edhe ish presidentin turk Turgut Ozal për ndihmën e pakursyer të dhënë, i cili më pat thënë se juve boshnjakëve që prej Kongresit të Berlinit vetëm keni qenë të detyruar të shpërngulemi, por tani ka ardhur koha që juve të mbeteni në Ballkan, të lirë në shtetin e juaj të pavarur të BeH. Ne i takojmë civilizimit evropian, jetojmë në Europë dhe së bashku me popullin shqiptar jemi autokton në Ballkan, e neve duhet në rradhë të presim edhe nga dy ditë për një vizë për të udhëtuar në Evropë, e ky është shpërbimi i Evropës për neve. Evropë marre të qoftë, turp të qoftë, por mos mendoni neve që jemi budallenj, por neve edhe më tutje do të luftojmë për drejtat tona të barabarta dhe njerëzore e civilizuese. Duhet të jemi më serioz në punën dhe angazhimin tonë të mëtejmë që muslimanët në Ballkan duhet të kenë të drejtat e veta sikurse edhe gjithë të tjerët.Liria fitohet, e asesi nuk dhurohet, duhet ta dini njëherë e përgjithëmon.Në skenën globale boshnjakët kanë vlerat e veçanta individuale me të cilin kontribojnë anemban botës. Më quajnë turkofil, turk, e pse të mos mburrem me një shtet si është Turqia me 80 milion banorë, e cila është një fuqi në rritje në çdo aspekt dhe se ka një pozitë dhe ndikim gjeostrategik në botë, e të mos harrojmë edhe historinë e saj njëmijëvjeqare si njëra prej perandorive më të mëdha gjat kohës së vet të ekzistimit.Më quajnë albanofil, por unë i falenderohem Allahut që më mundësoi që për këto 3 ditë vizite në Kosovë të zgjerojë edhe më tutje miqësinë time me shqiptarët.Pas Srebrenicës ne nuk kemi më se çfarë të rrëfehemi as Vashingtonit, Brukselit, Moskës, Beogradit e Zagrebit.Fatin tonë të mëtejmë neve asnjëherë më nuk do t’ia dorëzojmë popullit tjetër i cili e mohon gjenocidin dhe është i gatshëm po të ipej mundësia prap të kryej gjenocid. Në përfundim ju bëjë amanet të ruani dhe zhvilloni miqësinë e mëtejmë me shqiptarët dhe së bashku me shqiptarët të ndërtojmë një ardhmëri më të mirë në Ballkan në përgjithësi”.
Populli boshnjak i cili ka pas një lider politik sikur ishte presidenti Alia Izetbegiviçi si dhe ka një lider fetar Reisin Mustafa ef. Ceriçin, është garant se do të mund të jetojë dhe të zhvillohet i lirshëm sikur çdo popull tjetër në Ballkan, i integruar në Evropë, me vlerat ve veta kombëtare, fetare dhe kulturore.
Do të përmbyll këtë përshkrim të vizitës së Reisit të Bosnjës e Hercegovinës dr. Mustafa ef.Ceriçit me thënjen e tij paharuar e cila do të mbetet përherë e shenuar:
” Muslimanët të cilët nuk merren me politikë janë budallenj”.

12.8.2009
Faik MIFTARI
Author: faik
•8:49 m.d.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Shqipëri me 28 qershor 2009 akoma vazhdon odisejada e numërimit të votave në disa kuti të ashtuquajtura “të nxehta”. Edhe pse rezultati i dalë nga këto kuti nuk do të mund të ndryshojë diç të madhe ne rezultatin që tani është veq i ditur, Shqipëria është bipolare, meqenëse elektorati i saj u përcaktua për të majtën dhe të djathtën në mënyrë të barabartë”fifti-fifti”.
Për këtë rezultat të prodhuar, pikësëpari e ka fajin PS-ja, por edhe PD-ja, që janë pajtuar dhe bashkë e kanë harmonizuar Kodin e ri zgjedhor, me sistem proporcional rajonal në 12 qarqet e Shqipërisë.Kjo ka qenë “shpatë me dy teha” të cilin e ka parapa PS-ja, por akoma nuk e kam të qartë se si e “gëlltiti” edhe PD-ja. Qëllimi parësor i këtij Kodi të ri zgjedhor ka qenë pikësëpari eliminimi i LSI-së të Ilir Metës si dhe të subjekteve tjera politike në Shqipëri, të ashtuquajtura parti të vogla. Me të vërtetë si brenda PS-së, ashtu edhe PD-së, shifet qartë mungesa e futurologëve partiak për një analizë të mirëfilltë të sistemeve zgjedhore dhe kodeve të ndryshme zgjedhore, apo ka qenë në pyetje vetëm diktati politik i liderëve, si të Edi Ramës ashtu edhe të Sali Berishës.
Shkurtëpamësia politike e Edi Ramës, por edhe shpirtngushtsia e tij, se ai ka qenë i sigurtë në fitoren e tij, dhe se hisen e fitores së tij të mos e ndaj me askend nga partnerët tjerë të së majtës në Shqipëri, i ka kushtuar shtrejtë, me humbje të zgjedhjeve. Edhe pse vetëm po të kishte pas pak strategji politike dhe të ishte dorëshlirë, të kishte hyrë në koalicion me LSI-në, fitoren do të kishte të sigurtë, dhe ate jo me 71mandate, por minimum 75 mandate e maksimum 80 mandate të fituara. Por, është ajo thënje e urtë popullore, “kur të pregadisish gropën kundërshtarit, prite që të bien vetë në grop”. Ashtu edhe ndodhi.
Ky sistem proporcional rajonal me Kodin e ri zgjedhor, solli një rezultat të barabartë, që nuk e kanë pritur as PD-ja e as PS-ja, apo si e djathta ashtu edhe e majta.
Edhe pse lirisht mund të thuhet se PD-ja nuk arriti fitore, apo arriti fitoren e “Piros”, ajo me siguri do të formojë qeverinë, pasi që doli e para me mandate edhe si parti, por edhe si koalicion i së djathtës, dhe se në koalicion eventual me LSI-në do të jetë e mjaftueshme për një qeveri. Me këtë Kod të ri zgjedhor dëm më i madh është bërë LSI-së, merreni me mend, me mbi 80.000 vota të fituara do të ketë vetëm 4 manadate, që në përpjestim matematikor do të thotë 21.000 vota për një mandat. Komenti është i tepërt. Por këto 4 mandate të fituara të LSI-së janë të arta, pasi që në momentin e duhur çojnë peshë më tepër se 14 mandatet e fituara me Kodin e vjetër zgjedhor.Është në duart e saja formimi i qeverisë, apo bllokimi i saj, dhe se ky rast i vjen një subjekti politik një herë në 100 vjet. Edhe pse do të ishte e natyrshme që ajo të hyjë në koalicion me PS-në , pasi edhe vet i takon të majtës shqiptare, por edhe po të hyjë nuk do të sjellte kurfarë dobie, por se vetëm bllokadë qeveritare, por pikërisht është PS-ja, e jo PD-ja që e ka sjell në këtë pozitë, dhe se fare nuk është politike e as logjike, se etike asesi, pasi që në politikë nuk ka fare moral,që të orientohet kah PS-ja e cila është munduar me mish e shpirt ta eliminojë nga skena poltike shqiptare.Poashtu pozicioni i saj në formimin e qeverisë eventuale do të jetë shumë i fortë, dhe se pjesëmarja e saj në koalicion do të jetë edukshme, e jo sa për sy e faqe.
Votimi në Shqipëri 2009, sipas Kodit të ri zgjedhor solli një barometër politik të barabartë, të ashtuquajtur”pat pozicion”, pasi trupi elektoral u nda në mënyrë të përafërt në dysh, në të djathtën dhe të majtën shqiptare.Është indikative se e djathta ka një avanatazh në Shqipërinë veriore(qarqet Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Durrës), e majta ka një avantazh në Shqipërinë e Jugut(qarqet Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier përveq qarkut të Korqës ku rezultati është i përafërt), në Shqipërinë e mesme kemi një rezultat të barabartë(qarku Tiranë dhe Elbasan) në të cilin është i përqëndruar edhe numri më i madh i trupit votues. Por shtrirja apo pjesëmarra e votuesëve e PD-së dhe e PS-së është pothuajse e njejtë në tërë Shqipërinë, gjersa në Shkodër fituese doli PD-ja me 7 mandate, PS-ja mori 4 mandate, ashtu edhe në Vlorë, fituese doli PS-ja me 6 mandate, por edhe PD-ja mori 4 mandate.Është indikative se edhe përqindja fetare e elektoratit shqiptar nuk ka luajtur ndonjë rol të madh, gjersa në Shqipërinë veriore ku është i përqëndruar një numër më i madh i katolikëve, krahas shumicës muslimane, kemi një epërsi të PD-së, dhe se në Shqipërinë Jugore ku është përqëndruar një numër më i madh i ortodokësve, krahasas muslimanëve në shumicë, kemi një epërsi të PS-së, në Shqipërinë e mesme ku është i përqëndruar një numër më i madh i muslimanëve, krahas katolikëve dhe ortodokësve, kemi një rezultat të përafërt në mes PD-së dhe PS-së.Nga kjo shifet qartë se përqindja fetare e elektoratit fare nuk ka diktuar rezultatin e votimeve, dhe se i tërë trupi elektoral votues është përcaktuar në mënyrë të barabartë në mes të majtës dhe të djathtës shqiptare nëpërgjithësi.
Edhe pse dita e mbajtjes së votimeve në Shqipëri me 28 qershor2009, ka kaluar në mënyr të shkëlqyer që nuk mbahet në mend që nga viti 1991 kur për herë të parë në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para të lira shumëpartiake, në ditët në vijim procedura e numërimit të votave , apo më mirë të themi odisejada e stërzgjatjes pa nevojë e numërimit, e sidomos të vetëm disa kutive “diskutabile” në qarkun e Lezhës dhe Fierit, e bënë që këtë standart të arritur në ditën e votimit, dalëngadalë të zbehej apo edhe të humb, që është një kthim prapa drejt përmbushjes së standardeve europiane për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

4.7.2009
Faik MIFTARI
Author: faik
•4:04 m.d.
Gjendemi në prag të vendimit të kryetarit të Kosovës, z. Fatmir Sejdiu për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilët do të mbahen në vjeshtë të vitit 2009.
Në këtë qasje do të përshkruaj skenën aktuale momentale politike prizrenase.
Me ligjin e ri për vetëqeverisjen lokale të miratuar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës është ndarë në mënyrë të qartë legjislativi nga ekzekutivi. Organet më të larta komunale janë kuvendi komunal dhe kryetari i komunës të cilët burojnë nga populli dhe se zgjidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga votuesit në zgjedhjet lokale, ndërsa të gjitha organet tjera ekzekutive komunale përcaktohen nga numri i ulësve të fituara në kuvendet komunale.Me ligjin e ri për vetëqeverisjen lokale kryetarit i janë dhënë kompetenca të shtuara, roli i tij është ekzekutiv në udhëheqjen komunale, dhe se lirisht mund të thuhet se ai që e ka kryetarin e komunës e ka edhe pushtetin de fakto.
Pas zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2007 dhe rezultateve që kanë dalë nga to, konfiguracioni politik i Kuvendit Komunal të Prizrenit është i përbërë nga 10 subjekte politike të përfaqësuara: PDK-ja 12 ulëse, LDK-ja 10 ulëse, AKR-ja 4ulëse, AAK-ja 3 ulëse, KDTP-ja 3 ulëse, VAKATI 3 ulëse, LDD-ja 2 ulëse, ORA 2 ulëse, PD-ja 1 ulëse dhe SDA-ja 1 ulëse që në total përbëjnë 41 ulëse në Kuvendin Komunal të Prizrenit.
PDK-ja si subjekt politik fitues i zgjedhjeve lokale të vitit 2007 me kryetarin aktual z. Ramadan Muja janë gjetur para një sprove të madhe për të udhëhequr me Prizrenin pas 7 viteve të kaluara në opozitë.Edhe pse në vend që të përcaktojnë një strategji të duhur politike me një vizion të qartë për të përfituar më tutje edhe mandatin e dytë qeverisës katërvjeçar, pasi ky ekzistues është vetëm dyvjeçar, që në fillim në rradhët e tyre janë ndeshur dy koncepte të vizionit qeverisës. Koncepti i bazuar në meritokraci, vlerat e luftës, centralizëm dhe ndëgjueshmëri partiake dhe koncepti i bazuar në vlerat intelektuale , profesionale, dhe demokraci partiake.Si rezultat i këtyre koncepteve ndodhën përplasje brenda PDK-së që sollën diferenecime, largime, dorëhjeqje të disa këshilltarëve dhe anëtarëve të merituar të kryesisë së degës së PDK-së në Prizren të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar që nga themelimi i degës së PDK-së. Edhe pse PDK-ja formoi një koalicion të gjerë qeverisës në Prizren së bashku me AKR-në, KDTP-në dhe VAKAT-in, për shkak të përplasjeve të brendshme që ndodhën në PDK, herëpas here sipas nevojës qe e detyruar të merr ndihmën edhe të subjekteve tjerë të opozitës dhe të veprojë si koalicion më i zgjeruar për të miratuar vendimet e saja. Si rezultat i përplasjeve brenda PDK-së në mënyrë indirekte ndikoi edhe në partnetin e vet AKR në çrregullimet dhe prishje të balansimit të brendshëm partiak.PDK-ja intencën e vet qeverisëse të qeverisjes lokale e ka konceptuar në atë mënyrë që vetë të qeverisë, kinse i ka 21ulëse, ndërsa partnerëve të vet të koalicionit qeverisës i ka dhënë disa drejtori, dhe se këshilltarët e tyre të përdori vetëm si makineri të votimit, fare duke u mos konsultuar për një qeverisje sa më efikase në të mirë të qytetarëve, edhe pse me pas vepruar sipas marrëveshjes së bërë me AKR-ja vetëm do të i ndihmonte me të madhe dhe se me siguri nuk do të bënte gabimet kardinale herëpashere gjatë qeverisjes aktuale.
Edhe një mungesë e demokracisë së brendshme është prezente brenda PDK-së, kanë kaluar plot 4 vjet nga Kuvendi i fundit zgjedhor të mbajtur të PDK-së në Prizren, edhe pse sipas rregullave dhe procedurave demokratike janë të parapara që të mbahen çdo dy vjet.
Me këtë gjendje në të cilin ndodhet PDK-ja shumë vështirë do të ketë për të fituar edhe një mandat katërvjeçar qeverises komunal, pasi që këto mosmarrëveshje dhe koncepte jo që janë eliminuar por janë zgjeruar dhe se shumëvështir do të ketë për t’u këndellur, dhe se tani nuk do të ketë më edhe votat e Mamushës, pasi që ajo është bërë komunë. Poashtu edhe gara për nominimin e kandidatit për kryetar të komunës nga rradhët e PDK-së do të jetë e fortë, pasi që në kuloaret flitet për disa sosh sikur që janë ZafirBerisha, Nijazi Kryeziu, Hysni Hoxha, Hasan Hasani, Azem Ramadani, Agim Zogaj. Por cili do prej këtyre kandiadatëve që do të jetë apo ndoshta ndonjë kandidat tjetër i mundshëm do të dal,do të vendos Këshilli Drejtues i PDK-së si dhe kryetari i saj z.Hashim Thaqi. Por se një është e sigurtë që kryetari i tanishëm aktual z. Ramadan Muja fare nuk përflitet si kandidat i mundshëm për mandatin e dytë qeverisës në Prizren.
Mund të përmbyll lirisht se sa i përket PDK-së, ajo ende nuk ka qenë e pregaditur për të qeverisur me Prizrenin, dhe se atë e ka gjet të befasuar me fitimin e zgjedhjeve, pasi që shumë ma konstruktiv dhe më të suksesshëm kanë qenë sa kanë qenë në opozitë 7 vjet.
LDK-ja pas shtatë vitesh udhëheqje me Prizrenin, i humbi zgjedhjet në Prizren në vitin 2007, edhe pse epërsia ka qenë minimale si për listën e këshilltarëve ashtu edhe për kryetarin, vetëm 2000 vota diferencë.Por, pasi kaloi në opozitë, edhe pse ka mund të jetë një opozitë shumë e fortë dhe konstruktive, duke i parë dobësitë e PDK-së, ajo kaloi në vetëkënaqsi, apo edhe atë e gjeti të papregaditur për rolin në opozitë, dhe se nuk kanë besuar se pas një qeverisjeje komunale shtatëvjeçare mund të pësojnë disfatë. Sikur PDK-ja në pushtet ashtu edhe LDK-ja në opozitë e ka konsideruar veten se kinse ajo i ka 20 ulëse në kuvend dhe se është e vetmja oponentë opozitare. Bile bile, mund të them lirisht se kanë qenë, o fort të sinqertë, o fortë naive në politikë si opozitë. Në vend se ajo si forcë kryesore opozitare të ndërmer dhe të bashkëkordinon me subjektet tjera opozitare, dhe se në të shumtën e rasteve edhe të bllokoj apo të parandaloj votimet e rregulloreve të caktuara, ajo ka qenë e kënaqur vetëm me kritikë, dhe se edhe pse subjektet më të vogla kanë ndërmar iniciativa të ndryshme, ata prap nga “sinqeriteti” apo “naiviteti” i tyre politik, nuk kanë kuptuar dhe se herë herë edhe kanë dështuar. Edhe pse në shikim të parë dukej se janë unik dhe homogjen, por edhe aty ka këndvështrime dhe mendime të ndryshme, por nuk ka qarje apo divergjenca publike në mesin e tyre. Njashtu edhe te ata, dhe pse ky vit ka qenë i paraparë të mbahen zgjedhjet brendapartiake të rregullta, ata janë prolonguar për pranverën e vitit 2010 që është një shenjë e mohimit të demokracisë brendapartaike në rradhët e LDK-së. Nga kuloaret brenda LDK-së përflitet për disa nga emra që mund të jenë kandidatë të mundshëm për kryetar sikurse janë Sylë Hoxha, Fadil Kryeziu, Mybera Mustafa, Hanefi Muharemi, Haziz Hodaj, por Këshilli Drejtues i LDK-së është ai që do të përcaktojë kandidatin e mundshëm. Por nuk përjashtohet mundësia, që në momentin e fundit, prap të kandidohet z.Eqrem Kryeziu, ish kryetari i Prizrenit në dy mandatet e kaluara, por pritet sipas të gjitha gjasave që të kumtohet kandidati i mundshëm për kryetar të Prizrenit nga rradhët e PDK-së.
AKR-ja si subjekt i ri politik në skenën politike prizrenase shenoi një sukses të konsideruar duke u rradhitur e treta sipas rezultateve të fituara në zgjedhjet lokale 2007.
Edhe pse e re, por me një vullnet dhe dëshirë të flaktë arriti të korr një sukses të duhur.
Por që në start të veprimit të saj politik beri një gabim trashanik politik duke hyrë në koalicion me PDK-në, që ishte “shpatë me dy teha”, pasi që pa përvoj politike hyri në koalicion me PDK-në gjithashtu pa përvojë qeverisjeje në Prizren. Por kryesia dhe ish kryetari i saj nuk patën vizion dhe largpamsi politike të duhur, pasi që shumë më mirë do të ishte sikurse të kishte vepruar si opozitë, pasi që edhe mandati i saj ishte dyvjeçar. Edhe marrëveshjen e nënshkruar që e pati me PDK-në, edhe pse ajo mbeti besnik, përkundër neglizhencës të partnerit të vet, i cili jo që nuk iu përmbajt marrëveshjes, po arriti t’ja merr dy këshilltar dhe tre drejtorët e saj . Por kjo i ndihmoi AKR-së, që të ndahet shapi prej sheqerit. Në AKR si subjekt të ri, janë anëtarsuar shumë anëtar të pakënaqur nga subjektet tjera, por edhe pse ishin me trup në AKR, me mend ishin në PDK, LDK,AAK, apo ndonjë subjekt tjetër, dhe se vetëm përmes subjektit të ti ishin të interesuar të përfitojnë ndonjë post apo pozitë eventuale. Të ndikuar nga përçarjet mbrenda PDK-së, të cilët u reflektuan edhe në AKR, ashtu që pati dorëhjeqje të shumta, duke u nisur nga ish kryetari i degës, anëtarëve të kryesisë, këshilltarëve të saj komunal e gjer në drejtorët e ekzekutivit aktual të qeverisë Muja të cilët për të ruajtur pozitat e tyre udhëheqëse kaluan në partnerin e tyre në PDK. Tani pas kuvendit të mbajtur dhe udhëheqjes së re, AKR-ja shumë vështir do ta kete të arrij suksesin që e ka pas, bile bile, do të jetë sukses i madh nëse arrin të fitojë gjysmën e votave nga zgjedhjet e vitit 2007. Sa i përket kandidatit për kryetar, përveq kandidatit të PDK-së, LDK-së, AAK-së, nga kuloaret që përfliten në Prizren janë bisedat e sipër që të gjitha partit tjera në Prizren, në bllok të dalin me një kandidat të përbashkët i cili do të kishte mundur që të jetë konkurent i denjë dhe të sfidojë kandidatët e PDK-së dheLDK-së për kryetar. Bisedat janë në zhvillim të sipër, por për momentin kandidati i mundshëm për kryetar akoma nuk është përcaktuar.
AAK-ja doli si subjekti katërt në Prizren, edhe pse pati një rritje të votave, ajo në Prizren fare nuk ka mundur të afrohej apo të bëhej konkurencë e denjë për qeverisje.
Por edhe brenda AAK ka pas mospajtime , ashtu që brenda një kohe të shkurtër u mbajtën dy kuvende, prapseprap ka pas pakënaqesi, edhe pse kryetari i ri idegës edhe pse është konstruktiv, do të jetë pikëpyetje e madhe sa do të dijë të menagjojë me sukses degën për të parandaluar çarjet apo mosmarrëveshjet e mundshme.AAK për momentin është i vetmi subjekt i cili e ka shpallur publikisht kandidatin e mundshëm për kryetar të Prizrenit,z Bislim Zurapi, ish epror dhe komandant i UÇK-së, se sa është e qëlluar dhe me vend ky kandidim do të shihet nga rezultatet që do të dalin në zgjedhjet lokale 2009.
KDTP, e cila përfaqëson komunitetin turk të Prizrenit, ka një elektorat dhe votues standard, por që sivjet për krahasim nga viti 2007 do të ketë ulje të numrit të votuesve, për shkak që Mamusha tanido të dal vet në votime ndaras, pasi u bë komunë në vehte.Edhe pse është në koalicion me PDK-në, e tërë veprimtaria e saj politike ka qenë e përqëndruar në mbrojtjen e drejtave të komunitetit turk, edhe pse do të kishte mund të luaj një rol shumë më aktiv, pasi që çelsi i zgjedhjes së kryetarit të Prizrenit është në duart e komuniteteve turke dhe boshnjake, pasi që janë gjithsejt 8000 votues potencial të komuniteteve që mund të përcaktojnë në balotazh se cilin prej dy kandidatëve do ta zgjedhin. Edhe në kuadër të KDTP-janë të pranishëm dy koncepte, apo më mirë të thuash brezi i vjetërdhe brezi i ri, i cili po sjell edhe fërkime brenda partiake, por që në publik është i heshtur .Edhe një gabim tjetër që kanë bërë me zgjedhjet e kaluara,më merr mendja që nuk do të përsërisin, që të kandidojnë kandidatin e vet për kryetar, i cili nuk ka as gjasa teorike për të fituar.
VAKAT-i është një koalicion i përbër që përfaqëson komunitetin boshnjak dhe asiston edhe në koalicionin qeverisës të Prizrenit së bashku me PDK-në dhe KDTP-në, nuk ka treguar ndonjë përpjekje apo aktivitet të duhur politik, përveç përpjekjes dhe pozicionit politik për logonë e kuvendit, edhe pse po të ishte më i zëshëm aty ku duhet dhe që do të mund edhe politikisht të përfitojë, ndoshta njëri prej shkaqeve është edhe kuadri i njejt udheheqes me vite brenda strukturave patiake.Edhe VAKAT-i nuk do të duhej të përsërit gabimin evet nga zgjedhjet e kaluara, pasi që fare nuk ka gjasa që kandidati i saj i mundshëm që të zgjedhej në krye të Prizrenit.
LDD-ja njashtu si parti e re në skenën politike prizrenase, pas ndarjes apo daljes së saj nga LDK-ja, tregoi një rezultat të konsideruar, bile bile, është njeri prej subjekteve politike që ka ndikuar në humbjen e LDK-së dhe ish kryetarit të saj z.Eqrem Kryeziu në Prizren. Ka mundur të luaj rol më aktiv si parti opozitare,por edhe brenda saj ka pas koncepte dhe këndvështrime të ndryshme që e kanë amorizuar apo parandaluar këtë rol .
Se sa do të jetë e suksesshme dhe se a do të avancojë rejtingun e saj politik në Prizren do të mvaret nga pregaditja e saj edhe organizative edhe programore në zgjedhjet që do të mbahen, e që do të jetë edhe barometër i forcës aktuale politike të saj.
ORA në Prizren, përkundër dështimit tësaj në qendër në zgjedhjet e vitit 2007, arriti të renditet dhe të përfaqësohet në kuvendin komunal të Prizrenit.Por roli i saj në punimet e kuvendit valëvitej herë nga opozita e më tepër nga pozita, edhe pse nuk është pjesë zyrtare e koalicionit qeverisës në Prizren, ajo përfaqësohet nga një drejtor në ekzekutivin qeverisës komunal, që e bëri të mos ketë një profilizim apo renditje më të qartë në skenën politike prizrenase. Edhe brenda saj ka përplasje mendimesh e vështrimesh,e ka mbajtur kuvendin e saj të rregulltë zgjedhor partiak, se sa do të jetë e suksesshme dhe a do të mund të mbaj këtë rezultat do të tregojnë rezultatet në zgjedhje.
PD-ja në Prizren, prej formimit të saj e gjer në ditët e sotshme, ka një numër votash të përafërt, por edhe brenda saj ndodhën përplasje në koncepte, pasi që motoja e saj “Në emër të Zotit me drejtësi”tani nuk qëndron, dhe se është profilizuar me një kënvështrim dhe perfomans të re, i vetmi këshilltar dhe ish kryetari i saj i degës ka dhënë dorëhjeqje, dhe se ajo fare nuk përfaqësohet në Kuvendin Komunal për momentin. Është një mobilizim dhe ristrukurim i dukshëm brenda saj, e ka mbajtur kuvendin zgjedhor të rregulltë dhe se është duke u pregaditur për zgjedhjet lokale, se a do të mbetet si forcë politike në suaza në të cilin gjendej që nga themelimi i saj, apo do të shenon rritje pritet që të shohim se çfarë rezultat do të korr në zgjedhje lokale.
SDA-ja si subjet i dytë më i vogël që e përfaqëson komunitetin boshnjak është prezente në skenën politike të Prizrenit që nga themelimi i saj. Edhe pse jo me peshë aq të madhe, por me të vërtetë ajo ka qenë opozitë e fortë ndaj VAKAT-it si bashkë pjesëmarrës në koalicionin qeverisës komunal dh e tërë veprimtaria e saj politike në kuvend ka qenë e përqëndruar në kritikat e punës së VAKAT-it në Prizren. Por edhe brenda saj ndodhën qarjet dhe mosmarrveshje si në kuadër të degës, poashtu edhe në raport ndaj qendrës, ashtu që këshilltari i vetëm i saj nuk e përfaqëson më interesat e saj në kuvendin komunal.
Në përfundim të kësaj qasjeje mund të konkludoj se si rezultat i qarjeve, koncepteve, këndvështrimeve të ndryshme brendapartiake, momentalisht janë 4 (katër) kuvendar (anëtar) të pavarur brenda kuvendit komunal nga gjithsejt 41 anëtar, dhe se për momentin paraqesin forcën e tretë politike me peshë në kuvend, me tendencë rritjeje, ashtu që nuk është çudi dhe befasi që gjer në përfundim të mandatit që ky numër edhe të dyfishohet .

14.6.2009
Faik MIFTARI




Author: faik
•6:00 m.d.
Sot është një ditë historike për popullin shqiptar në përgjithësi, shenimi i momentit të hapjes zyrtare të tunelit Kalimash- Rëshen dhe çasti i takimit të dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës në tunel z. Sali Berishës dhe z.Hashim Thaqi, me të vërtet është një ngjarje historike për popullin shqiptar. Pas gati një shekull ndarjeje, dita e sotshme do të jetë ditë me të cilin nis epoka e re e afrimit ndërshqiptar, pasi që vetëm për tre orë do të mund të udhëtojmë komod dhe me një shpejtësi të duhur në Tiranë e në Durrës, e prej aty në veri në Shkodër e Shëngjin, në jug Vlorë e Gjirokastër dhe në qendër në Berat e Elbasan.
Me të vërtet qarkullimi i lirë dhe i shpejtë i shqiptarëve si dhe transporti i mallërave për një kohë të shkurtër do të dyfishohet,trefishohet e shumëfishohet. Gjersa për krahasim nga viti i kaluar të ardhurat nga turizmi, vetëm për një vit, mendoj se do të shenojnë rritje nga 1 miliard euro në 2 miliard euro. Shqiptarët në ish Jugosllavi për të kaluar pushimet verore ia mësynin rrugëve të gjata dhe të mundimshme, 12 orë për të shkuar në Ulqin, apo edhe 24 orë për të shkuar në Turqi, e tani vetëm për 3-5 orë do të jenë në bregdetin shqiptar për të kaluar dhe këndellur me pushimet në Shqipëri. Poashtu do të përshpejtohet shkëmbimi i mallrave dhe me këtë do të ketë një zhvillim më të shpejtuar ekonomik të Shqipërisë, ndërsa për Kosovën një rrugë me rëndsi të posaqshme dhe një arterie e re, për vazhdimin e rrugës për në Perëndim. Njashtu me këtë do të shtohen dhe zhvillohen takimet e ndryshme kulturore, sportive, muzikore ndërshqiptare. Tani e tutje, nuk do të ngurojmë që një ditë Bajrami, ditë Flamuri, apo ditë festive tjera të kalojmë me gjith dëshirë në Shqipëri dhe të festojmë së bashku me vëllezërit tonë shqiptar. Çoftë i lartësuar Zoti që gjeneratave të sotshme dhe të ardhshme ju mundësoi këtë begati dhe se për nder të hapjes së tunelit kemi bërë hajër dua(lutje) në namazin e drekës në xhamin e Bajraklisë(xhaminë në tëcilin u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit).
Në një bashkëbisedim me vlonjatët para një muaji me rastin e vizitës sonë Vlorës pas një udhëtimi 12 orësh të gjatë, të mundimshëm dhe të rraskapitur, lidhur me rëndësin e ndërtimit të autostradës Durrës-Morinë,na thanë, juve kosovarët me të vërtet të gjithë kishit votuar Sali Berishën në votimet e 28 qershorit 2009. Ne ju përgigjëm se minimum që e meriton në rast se kurgjë tjetër, është fitimi edhe i një mandati katërvjeçar qeverisjeje vetëm për kontributin dhe meritën e tij për përshpejtimin dhe ndërtimin e autostradës Durrës- Morinë gjatë mandatit aktual të qeverisjes Berisha 2005-2009.
Do të shtoja po të organizohej një referendum në ditët e sotshme lidhur me ardhmërin e popullit shqiptar, me pyetjen a do të ishit që të vazhdoni të jetoni të ndarë në dy shtete shqiptare Shqipëri e Kosovë, apo në një shtet të përbashkët shqiptar, me siguri që në Kosovë do të dominojë një shumicë e madhe votash për një shtet të përbashkët shqiptar.
Tani, me pangurim do të presim hapjen solemne të autostradës Durrës- Morinë me 25 qershor, kryejen e votimeve me sukses në Shqipëri me 28 qershor, e prej datës 1 korrik 2009 vrap e turr drejt Shqipëris, dikush për bregdetin e bukur, dikush për tregëti,dikush për ekonomi, dikush për shërim, dikush tranzit,dikush për vizitë familjare, dikush për vizitë shoqërisë e jaranisë, dikush për studime, dikush për njoftime, dikush për martesë, por sido që të jetë na mirrëpretsh me gëzim e hare nënë Shqipëri.

31.5.2009
Faik MIFTARI
Author: faik
•2:35 m.d.
Kaluan gati plot 15 muaj nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe se me njohjen e saj nga Arabia Saudite u bënë 58 shtete që e njohën gjer tani pavarësinë e Kosovës nga gjithsejt 192 shtete anëtare fuqiplotë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Janë dy faktorë kryesor që po ndikojnë në vonesat për njohjen e pavarësisë së Kosovës, faktori i jashtëm si dhe faktori i brendshëm.
Faktori i jashtëm i cili ndikon në vonesën e njohjes së pavarësisë së Kosovës përfshin shtetet që kanë ndikim kryesor politik vendimarrës në arenën ndërkombëtare sikurse janë SH.B.A.-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina, të cilët me të madhe në mënyrë direkte apo indirekte ndikojnë në vonësën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.Këtë kur po them, e kam parasysh pikësëpari në qëndrimin e SH.B.A-ve të cilët kanë ndikim kryesor sidomos në një varg shtetesh në Amerikën Qendrore, Azi si dhe shteteve arabe-islamike, dhe se kur në momentin e caktuar shtypin butonin pason njohja me rradhë e pavarësisë së Kosovës, siç ishte rasti i fundit me njohjen nga Arabia Saudite pas takimit të emisarit të posaqshëm amerikan me mbretin saudit Abdullah.Kjo argumentohet me frikën e SH.B.A-ve nga depërtimi i “terorizmit”nga qarqet e caktuara arabe-islamike, dhe se më parë duhet kaluar një periudhë kohore gjersa të konsolidohen insitucionet shtetërore të Kosovës dhe të vehen nën kontrollë të plotë amerikan, për të “parandaluar” ndonjë kërcënim eventual për sigurinë amerikane apo edhe europiane. Pas shtypjes së butonave nga amerikanët, tani e tutje me siguri do të pasojnë edhe njohjet tjera nga shtetet arabe-islame, që janë aleat apo partner të ngushtë amerikan siç janë: Jordania, Kuvajti, Omani, Bahreini, Pakistani, Egjypti e kështu me rrallë.Britania e Madhe e cila akoma ka ndikim të madh politik në shtetet që kanë qenë ish kolonitë e saja, i njohur si Komonvelti Britanik, me shtypjen e butonave të saja mund të lëviz dhe të përshpejtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Njashtu mund të veprojë edhe Franca me ndikim të saj të fortë në Afrikë në shtetet e ashtuquajtura frankofone sikurse që janë Tunisi, Algjeria, Maroko, Mauritania, Çadi, Kameruni, Kongoja e kështu me rradhë.Në anën tjetër Rusia si kundërshtare e fortë e pavarësisë së Kosovës me të madhe po ndikon në parandalimin e njohjeve, e cila ka ndikim të madh në ish shtetet përbërse të ish federatës sovjetike, sikurse që janë:Azerbejxhani, Kazakistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Kirgistani, Taxhikistani, Bellorusia, Armenia, Gjorgjia, Moldavia e Ukraina, të cilët nuk guxojnë të rrezikojnë interesat e veta nacionale pasi që janë ende nën influencë dhe ndikim të drejtpërdrejte rus.Edhe Kina për shkak të interesave nacionale, pikësëparri duke pasur të pazgjidhura akoma politikisht Tibetin, Tajvanin, Sinkjanin, kundërshton dhe po ndikon në shtetet ku ka influencë, sidomos në Azi sikurse që janë: Koreja Veriore, Laosi, Kamboxha, Vijetnami, Nepali e kështu me rrallë.
Serbia duke marrë parasysh trashëgiminë e diplomacisë dhe lidhjeve të forta nga koha e ish Jugosllavisë dhe Titës, si themeluese e Konferencës së shteteve të painkuadruara së bashku me Indinë dhe Egjiptin, po ka akoma ndikim të caktuar në shtetet e botës së tretë, dhe se në saje të “shatëll diplomacisë” fluturuese të ministrit të punëve të jashtme Vuk Jeremiç po lobon me të madhe kundër pavarësisë së Kosovës e cila me të madhe po ndikon në vonesën e njohjes së Kosovës. Vuk Jeremiçi bile bile në takimet me diplomatët e shteteve islamike fare nuk po nguron të theksojë se rrjedh nga gjyshja e vet muslimane dhe se është nip i vëllezërve të Hamdija dhe Haki Pozdercit, udhëheqës të lartë boshnjak gjatë periudhës komuniste të ish Jugosllavisë së dikurshme.
Këtu nuk duhet haruar pa e cek edhe rolin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hag e cila pritet që gjatë vitit 2010 të shpall verdiktin përfundimtar lidhur me ankesën e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, i cili verdikt edhe pse jo obligues do të ketë ndikim në përshpejtimin apo vonësën e mëtejm të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Faktori i brendshëm i cili po ndikon në vonesën e njohjes së pavarësisë së Kosovës përfshin krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës, kryetari, kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme, të cilët nuk po tregojnë pjekuri diplomatike dhe nuk po kan sens diplomatik për mënyrën e arritjes së njohjeve dhe vendosjes së plotë të marrëdhënjeve ndërshtetërore.Gjersa ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç kohën më të madhe e kalon në aeroplan duke fluturuar prej një këndi në këndin tjetër të globit duke lobuar kundër pavarësisës së Kosovës, kolegu i tij kosovar SkenderHyseni preferon që kohën më të madhe të kalojë në zyren e vet në Prishtinë. Punën e ministrit të punëve të jashtme në njohje është duke kryer lideri i AKR-së z.Behgjet Pacolli i cili falë kontakteve dhe raporteve në botën e biznesit duke vizituar shtetet e ndryshme anekënd botës po jep kontribut të çmuar edhe në lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se në vend që të përshëndetet kjo inicijativë e tij, ajo anashkalohet duke marrë parasysh se shoqëria shqiptare akoma po vuan nga sindromi i “bajraktarizmit” të trashëguar nga e kaluara e saj.
Kryeministri Hashim Thaqi ka treguar papjekuri diplomatike me deklaratat e tia të pamatura “rreth njohjeve kualitative dhe kuantitative” apo”jemi më shumë të interesuar të kemi marrëdhënje me Izraelin, sesa me vendet ebotës arabe” të cilët kanë sjell dëme të mëdha diplomacisë kosovare .Në vend se të përdorin realietin aktual të përbërjes fetare muslimane absolute të Kosovës me mbi 90% si shtesë në bashkëbisedime me shtetet arabe-islame, ata më tepër ngurojnë të theksojnë përkatësinë e tyre fetare , edhe pse nuk mund të ikin nga realiteti me të cilin përballen. Për dallim nga parardhësi i tij,ish kryetari i ndjerë Ibrahim Rugova i cili tërë filozofin e tij politike e ka bazuar në afërsi dhe marrëdhënje meVatikanin, kryeministri i tanishëm Hashim Thaqi filozofinë e tij politike e bazon në afërsi dhe marrëdhënje me Izraelin, por është indikative se për momentin as Vatikani e as Izraeli nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, bile bile nuk e kanë as në agjendë një gjë të tillë.
Në një analizë të shkruar dy vite mëparë pata theksuar se për Kosovën do të jetë me rëndësi çdo votë dhe çdo njohje nga shtetet e ndryshme për pranim në OKB, dhe se vota si e Katarit apo e Gjermanisë do të kenë peshë të njejtë, dhe se para nesh do të jetë rrugë e gjatë me plot zikzake për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizmat e ndryshme ndërkombëtare dhe se neve duhet përdor të gjitha mekanizmat e mundshëm për të përshpejtuar njohjen sa më gjithëpërfshirëse të pavarësisë së Kosovës, bile bile, pse jo, edhe nga shtetet që janë cilësuar të ashtuquajtura “boshti i së keqes”siç janë:Irani, Iraku, Siria, Libani, Libia etj, të cilët do të paraqesin një hap më tutje drejt shtimit të numrit sa më të madh të njohjeve kuantitative, e jo vetëm atyre kualitative, pasi që në këtë rast, për pranimin e Kosovës në OKB- rol kyq ka sasia e jo cilësia e shteteve anëtare të OKB-së.
Do ta përfundoj këtë këndvështrim politik me thënjen e njohur të shkrimtarit dhe diplomatit të shquar Faik bej Konica” Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës”

02.5.2009
Faik MIFTARI