Author: Visal
•1:07 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht më 25 tetor 2007 nisi fushata parazgjedhore për tri palë zgjedhjet që do të mbahen me 17 nëntor 2007. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara të pasluftës, këto janë zgjedhjet e pesta me radhë që do të mbahen në Kosovë, por njëkohësisht në të njëjtën ditë do të votohet edhe për kandidatët për deputet të Parlamentit të Kosovës, për këshilltarët në Asambletë Komunale si dhe për kryetarët e komunave të Kosovës.
Një risi e theksuar në këto zgjedhje, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, është se votimi do të bëhet me lista të hapura, dhe se votuesi ka drejtë që përveç partisë që e preferon të zgjedh edhe kandidatin e duhur të cilit do të ja jep votëbesimin e tij, si dhe ka mundësi që vet në mënyrë të drejtpërdrejtë të zgjedh kryetarin e komunës së vet nga nominimi i partisë së caktuar. Kjo do të thotë një hap përpara në zgjerimin e demokracisë në Kosovë, dhe se në këto zgjedhje qytetari është ai që e përcakton kandidatin e preferuar për zgjidhje direkt, e jo si gjer tani, partitë të zgjedhin kandidatët nga lista e nominuar. Me siguri që kjo mënyrë e votimit do të sjell freski dhe risi te qytetari apo votuesi të ketë më shumë hapësirë dhe mundësi për tu përcaktuar në ditën e votimeve për zgjedhjen e kandidatit të preferuar apo kryetarit të komunës së vet. Kjo i mundëson që edhe në rast se kandidati në listë është i renditur i fundit i 110 në listë në fletën e votimit për deputet, apo i 45 në fletën e votimit për këshilltar komunal, të fitojë vota më tepër nga kandidati i nominuar me numër rendor 5 apo 10. Kjo nga një aspekt është hap pozitiv për shtresën e votuesve që janë në dijeni të mënyrës së votimit, por për një shtresë jo të vogël të votuesve do të sjell edhe huti, të cilët nuk janë në dijeni të mënyrës së votimit, a do të votojë vetëm për partinë dhe renditjen sipas listës. Edhe pse kjo mënyrë e re e votimit në Kosovë aplikohet për herë të parë, do të ketë mangësi , për shkak të trefishimit të votimit, në të njëjtin ditë dhe kohë, përkundruall atyre votimeve të kaluara më parë. Unë pata shkruar edhe kohë më parë, në një editorial, se me 17 nëntor do të kishte qenë mirë të organizoheshin vetëm zgjedhjet komunale dhe për kryetar komunash, pasi që i ka kaluar legjimiteti i tyre, dhe janë prolonguar edhe për një vit të tërë nga skadimi i mandatit të tyre nga përfaqësuesi special i misionit të Kombeve të Bashkuara, edhe pse këto votime pa kurrfarë problemi kanë mundur të organizohen në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet parlamentare do të duhej mbajtur fill pas përcaktimit të statusit të Kosovës, edhe ashtu pas përcaktimit dhe definimit të statusit të Kosovës do të duhej që prapë të organizohen zgjedhjet e reja parlamentare pas aprovimit të Kushtetutës jo më larg se 6 muaj. Zgjedhjet lokale që do të mbaheshin, nuk do të paraqitnin kurrfarë sfidë eventuale në përcaktimin e statusit të Kosovës, dhe do ishte një provë e mirë që të testohej kjo mënyrë e re votimi me lista e hapura. E kështu jam pak skeptik, që në të njëjtën ditë, votuesit do të mund që të njëjtën moment të votojnë me korrektësi, dhe se me siguri do të ketë edhe gabime gjatë votimeve dhe shkelje të procedurave të votimeve, për shkak të trefishimit të votimeve . Edhe pse kjo mënyrë e votimeve është shumë më transparente dhe ia mundëson votuesit të zgjedh gjer në 10 kandidatë të preferuar si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, por për një shtresë kjo mënyrë e votimit do jetë e komplikuar për shkak të trefishimit të votimeve për dallim nga zgjedhjet e kaluara, pasi që votuesi do të jetë i detyruar të plotësojë 3 fletëvotime dhe t’i hodhi në 3 kutia të votimit.
Në këtë aspekt përveç Komisionit Qendror Zgjedhor, mediave elektronike dhe të shkruara, edhe subjektet politike gjatë fushatës parazgjedhore, duhet të bëjnë njoftime, trajnime për vetëdijesimin e elektoratit të tyre për mënyrën e votimeve, që të ketë sa më pak gabime dhe lëshime gjatë votimeve, të cilët mund të shkojnë edhe në dëm të vet subjektit politik.
Duke marr parasysh që nga votimet e para të mbajtura në Kosovë në vitin 2000 kur kanë dalë në votime 79% të elektoratit të regjistruar, e gjer në vitin 2004 ku kanë dalë në votime vetëm 49,52% të elektoratit të regjistruar, numri i votuesve që kanë dalë në votime është në zvogëlim të sipër. Saktësisht me 17 nëntor 2007 do të shohim a do të vazhdojë ky rend i rrënjës së daljes në votime të elektoratit, duke marr parasysh se ka thirrje edhe për bojkot të votimeve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizatat e tjera, e cila është e drejtë e tyre në sistemin demokratik, edhe për mos dalje në votime, sikurse edhe ai atyre që dalin në votime, apo do të kemi rritje të numrit të votuesve për shkak të risive në votime me aplikimin e listave të hapura, pritet të shohim.
Por një është e sigurt, se pas votimeve strukturat e raja udhëheqëse politike në Kosovë, të dala nga këto vota si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal do të jenë legale, por sa do të jenë legjitime do të varet nga përqindja e elektoratit me drejtë vote që do të dal në votime.



Faik MIFTARI
31.10.2007
Author: Visal
•11:21 e pasdites

Faik MIFTARI

Për nderë të natës së madhe të Kadrit, natën e 27 të muajit të shenjtë të Ramazanit, të vitit 2007, në xhaminë e Emin Pashës në Prizren, u organizua një program madhështor i cili filloi që nga ora 24 apo 00 të natës dhe zgjati gjer në ora 5 të mëngjesit. E tërë hapësira e brendshme e xhamisë dhe sipërfaqja e jashtme e oborrit ishte plot e përplot me qindra burra e gra, shumica e të cilëve ishin të rinj e të rejat. Ishte me të vërtet një natë impresive dhe e paharrueshme për qytetin e lashtë të Prizrenit, djep i kulturës dhe civilizimit islam në Kosovë. I tërë ky program ishte organizuar në shenjë të natës së 27 të muajit të bekuar të Ramazanit, natë në të cilin ka zbritur Kur’ani Famëlartë, natë e cila është me e vlefshme se 1000 muaj tjerë apo 83 vjet. Programi i natës filloi me faljen e 2 reqateve namaz të natës të cilin e udhëhoqi imami i xhamisë së Emin Pashës Hafiz Daud Lezi. Namazi i natës që disa vjet me radhë është bërë tradicional në Prizren dhe falet në 10 netët e fundit të Ramazanit, namazi i natës karakterizohet me faljen e dy nga dy reqateve të namazit i cili dallon prej namazeve tjerë, me ç’rast në kijam këndohen sure më të gjata të Kur’anit Famëlartë si dhe qëndrimi në ruku dhe sexhde është më i gjatë se prej namazeve të zakonshme ditore, javore, mujore apo vjetore. Pas kësaj imami i xhamisë Hafiz Daud Lezi mbajti një ligjëratë të shkurtër rreth rëndësisë së natës së madhe të Kadrit, i cili përveç tjerash ceku se në këtë natë në tërë rruzullin e kësaj bote me qindra, mijëra dhe miliona njerëz anembanë globit e shënojnë këtë natë të mrekullueshme me namaz nate, ligjërata, këndim të Kur’anit, ilahii, kaside, dua dhe lutjet të cilët në këtë natë të veçantë janë të pranueshme tek Allahu i Madhëruar inshallah. Më tutje vazhdoi programi me faljen edhe dy reqateve namaz nate të cilin i udhëhoqi Hafiz Hysamedin Çesko, më tej programi vazhdoi me këndimin e ilahive dhe salavateve nga mujezini Fetah Aqifi, Bashkim Çabrati, Fadil Shala e mysafirëve tjerë prezent. Më tej pasoi me këndimin e ashereve nga Kur’ani Famëlartë, vazhdoi me ligjërata edhe nga Idriz Bilibani, ilahi, dua dhe lutje për nder të kësaj nate të veçuar të lejletul Kadrit. Programi i natës vazhdoi gjer në ora 3.30 me lutjen e përbashkët nga imami i xhamisë Hafiz Daud Lezi për pranimin e agjërimit, ibadetit, shëndetit, begatisë si dhe pavarësisë së Kosovës nga Allahu i Madhëruar , me ç’rast pas përfundimit të këtij programi për të gjithë të pranishmit u përgatitë syfyri i përbashkët. Është karakteristike se iftaret e përbashkëta e tani edhe syfyre të përbashkëta, e ka të veçantë qyteti i Prizrenit i cili çmohet me traditë dhe përvojë shumëvjeçare, për të cilin vetëm një natë më parë në iftarin e përbashkët të organizuar me rreth 600 vetë, në të cilin morëm pjesë shumë mysafir nga anembanë Kosovës, na shtrënguan duart dhe na falënderuan për mikpritje madhështore dhe se vetëm qyteti i Prizrenit mund të organizojë këtë në mënyrë më të mirë, sepse posedon kulturë, traditë të lashtë të qytetërimit dhe civilizimit islam, për të cilin ne të tjerët, vetëm mund të ëndërrojmë. Me të vërtet kam shëtitur shumë qytete si Sarajevën, Jeni Pazarin, Shkodrën, Shkupin, Stambollin, por netët e Ramazanit si në Prizren nuk ka gjeti. Dikush do të më akuzojë se jam tepër lokalist, por nuk është kjo nga lokalizmi për qytetin tim të Prizrenit, por me të vërtet realiteti është i tillë .Falë këshillit të xhamisë dhe grupit entuziast të palodhshëm në krye me Salajdin Dorambari e Fatih Kroqi, Ismajlhaki Kazazi, Edis Vata, Agron Rekathati, Erhan Mujollari, Mexhit Ibrahimi, Muhamer Shiliku, Xhevdet Kabashi, Tyran Xhejlani, Mergim Berisha, dhe donatorëve tjerë të xhamisë, si dhe sponsorëve Benaf dhe Abi u shtua një syfyr i përbashkët me specialitete tipike të Prizrenit si topliat të cilit enkas në mënyrë të posaçshme në Prizren përgatiten, djathë Sharri, ulli, hurma, ëmbëlsira, lëngje dhe ajran.
Programi përfundoi me faljen e përbashkët të namazit të sabahut me shpresë dhe dëshirë që Allahu i madhëruar të ketë pranuar këtë program të mrekullueshëm enkas të përgatitur për natën e Lejletul Kadrit si dhe agjërimin dhe ibadetin e kryer gjatë muajit të Ramazanit.
Edhe unë si pjesëmarrës i kësaj nate të mrekullueshme në të cilin morra pjesë, bëra dua, lutje për të gjithë shokët dhe vëllezërit tonë si në Kosovë, nënë Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë, Turqi si dhe në të gjitha trojet islame anembanë botës me dëshirë dhe lutje që Allahu t’ju përforcojë besimin, t’ju shtojë dijen, t’ju begaton me pasuri, t’ju stolis me gjithë të mirat e kësaj dynjaje, paralelisht duke kontribuar dhe qëndruar krenar dhe stoik në përkatësin e tyre fetare islame.
Do të përfundoj këtë përshkrim të kësaj nate të mrekullueshme dhe të paharrueshme të natës së madhe të Kadrit, me lutjen të cilën e ka bërë Sulltan Murati, një natë para betejës së Kosovës në vitin 1389, të cilin shpresoj dhe besoj që Allahu i madhëruar me të vërtet ia ka pranuar:” ja Allah, të lusë që në këtë fushë të bukur të Kosovës, të bijë shehid(dëshmor) në fushëmejdan, por që Islami të ngadhënjejë dhe nuri(drita) e tij të mos fiket gjer në ditën e Kijametit , në këtë fushë të bukur të Kosovës”.
Author: Visal
•10:40 e pasdites

Shkruar nga : Faik MIFTARI

Më 29 shtator 2007, ditë e shtunë, në ora 17 në Rahovec u mbajt Kuvendi i Punës i Forumit Musliman të Kosovës. Kryesia e punës në përbërje Halil Ibrahimi, Fuad Ramiqi dhe Qeram Telqiu propozoi rendin e ditës me pikat:
Raporti i punës 1 vjeçare të Forumit Musliman të Kosovës;
Vizioni i punës së Forumit Musliman të Kosovës për kohën e ardhshme;
Zgjerimi i Kryesisë së Forumit Musliman të Kosovës.
Pjesëmarrësit në Kuvend njëzëri e aprovuan këtë rend të ditës.
Raportin e punës 1 vjeçare të FMK-së e paraqiti sekretari i degës Halil Ibrahimi i cili përveç tjerash ceku:”Para një viti, saktësisht në muajin e bekuar të Ramazanit, me iniciativën e një grupi të intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptar mysliman në Kosovë u formua Forumi Musliman i Kosovës. Edhe pse i nisur nga asgjëja, Forumi Musliman i Kosovës, me ato pak mundësi që ka pasur gjatë vitit që lamë pas ka bërë të pamundurën që të paktën opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar t’i bëhet me dije se shqiptarët mysliman në Kosovë janë të aftë që të organizohen për t’i dalë në mbrojtje të drejtave të tyre kombëtare, fetare dhe kulturore. Në kohën kur statusi i Kosovës ka qenë dhe është strumbullar i veprimtarive tona të tërësishme, Forumi Musliman i Kosovës ka qenë ndër organizatat e pakta të jetës civile në Kosovë që kanë reaguar ndaj diskriminimit kombëtar, fetar dhe institucional që i bëhet Kosovës duke ia propozuar në formë imponimi Planin e Ahtisarit. Në kohën kur institucionet tona zyrtare fetare kanë heshtur në vazhdimësi ndaj t’huajsimit fetar që i bëhet Prishtinës nëpërmjet ndërtimit të Katedrales Politike Katolike, dhe mos lejimit nga qeveritarët tanë të ndërtimit të një xhamie qendrore në kryeqytet, Forumi Musliman i Kosovës ka reaguar ashpër kundër dhunimit flagrant që i bëhet në këtë mënyrë të drejtave fetare të shumicës shqiptare myslimane në kryeqendrën e Kosovës. Forumi Musliman i Kosovës gjithashtu ka ngritur zërin në rastet e përjashtimit nga shkolla të nxënëseve myslimane me shami, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri”.
Pas prezantimit të raportit të punës, Faik Miftari i përcolli përshëndetjet e shumta të anëtarëve të Forumit nga anët e ndryshme të globit, të cilët për shkak të distancës së largët nuk qenë në gjendje të marrin pjesë, por që i dëshiruan sukses dhe punë të mbarë Kuvendit, që nga Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Malajzia, Singapori, Gjermania, Suedia, Danimarka e kështu me rrallë. Në telegramin përshëndetës dërguar nga Kumanova Hamdi Nuhiju përveç tjerash porosit:”nuk guxoj që të mos potencojë ftesën tuaj për pjesëmarrjen time në këtë Kuvend Madhështor. Kërkoj ndjesë që për shkaqe objektive nuk do kem mundësi të jem pjesë e këtij evenimenti kaq madhështor. Por, zemra dhe mendja ime, adrenalina dhe rruzat e kuqe të gjakut rrotullohen drejt Prishtinës dhe Forumit Musliman të Kosovës. Në proceset demokratike të përcaktimit të statusit final të Kosovës Forumi Musliman i Kosovës bart mbi supe barrën e rënd të ngjyrimit mysliman në hartën gjeografike të botës. E pranoj se për të vepruar në Kosovë duhet një trimëri, mençuri dhe kurajo e rrallë të cilin ky forum besoj e posedon”.
Kryetari i Forumit Musliman të Kosovës Fuad Ramiqi në fjalimin e tij, përveç tjerash ceku se” në rrethanat në të cilin gjendemi në situatën aktuale politike të Kosovës në mungesë të mjeteve financiar jemi duke vepruar me mundësit tona që na lejojnë të veprojmë. E di, që pengesa kryesore që e kemi, është se për shkaqe financiare, nuk kemi mundur akoma as një zyre të Forumit të hapim, ku kishim organizua veprimtarin tonë dhe kishim qenë të hapur për të gjitha segmentet e shkeljeve të drejtave njerëzore, fetare e kulturore të besimtarëve mysliman të Kosovës, ku kishin mundur të raportojnë dhe të paraqesin të gjitha shkeljet e lirive dhe të drejtave njerëzore e fetare. Por ne do të veprojmë dhe do të punojmë komfor gjendjes momentale materiale në të cilin jemi, dhe për asnjë moment nuk do të heshtim, do të reagojmë, do të prononcojmë, do të prezantojmë opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar të gjitha shkeljet e të drejtave elementarëve të besimtarëve mysliman të Kosovës. Edhe për rastin më të ri, të përjashtimit të tre nxënëseve nga shkollat e mesme në Skenderaj, dhe të moslejimit të pranimit në punë të 2 mësueseve në Prizren, vetëm për shkaqet e mbajtjes së shamisë, ne do kërkojmë një takim urgjent me Ombuspersonin e Kosovës, me Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave Njerëzore si dhe me shtyllën e UNMIK-ut lidhur me problemin në fjalë. Sadat Musa potencoi që të shkohet edhe me peticion si formë me e butë e presionit apo qoftë nevoja edhe me protesta për shkelje të vazhdueshme të drejtave elementare njerëzore të besimtarëve mysliman, e sidomos pas rastit të paraqitur në fjalë. Naim Berisha potencoi hapjen e një zyre të Forumit pa të cilin vështirë është të zhvillohet ndonjë aktivitet të mirëfilltë dhe më frytdhënës. Poashtu ceku se duhet të vendosen kontakte edhe me organizatat e mirënjohura botërore si Human Rights, Amnesty Internatinal e kështu me rallë që do të kishin mundur të ndihmojnë në këtë aspekt të shkeljes së të drejtave themelore njerëzore. Qeram Telqiu i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, ai përveç tjerash ceku mosinteresim të institucioneve dhe organizatave tjera, në rend të parë të Bashkësisë Islame të Kosovës, lidhur me problemet dhe çështjet në fjalë. Ndërsa intelektualët tanë ende hezitojnë dhe janë në hamendje të plotë duke mos treguar fare interesim as për ndjenja kombëtare e lere ma ato fetare. Njashtu potencoi edhe prezencën e smirës apo zilis mes besimtarëve mysliman të Kosovës si një problem akut i cili i frenon dhe stagnon veprimtarit e ndryshme në këtë drejtim. Faik Miftari vuri se pasi që jemi duke ndodhur para fushatës së zgjedhjeve që do të mbahen me 17 nëntor, si dhe para përcaktimit të statusit të Kosovës të paraparë gjer më 10 dhjetor, në momentin aktual kohor shtrohet pyetja a do të ishin të produktive apo kontraproduktive aksionet e shpërmendura, si dhe mosprezenca apo edhe mospjesëmarrja e të gjithë faktorëve tjerë relevant që merren dhe angazhohen me shkeljet e të drejtave themelore fetare.
Pas këtyre diskutimeve Fuad Ramiqi bëri një rekapitulim duke theksuar se fillimi i formimit të Forumit Musliman të Kosovës ka qenë shumë i vështirë, por tani e tutje do jetë më lehtë, se si i tillë vepron dhe ekziston, dhe se dita më ditë do të jetë edhe më i fortë, më përfshirës dhe me largpamës. Por një ju sigurojë, se ne si Forum nuk do të heshtim dhe do të ngrisim zërin tonë për të gjitha shkeljet elementarëve të myslimanëve në Kosovë, pasi që si të tillë të vetmit besimtarët mysliman janë të diskriminuar, të etiketuar, të sulmuar, të apostrofuar nga qarqe të caktuara.
Pas kësaj kryesuesi i Kuvendit Halil Ibrahimi potencoi edhe nevojën e zgjerimit të Kryesisë së Forumit, dhe se pas propozimeve nga të pranishmit, në mënyrë unanime u zgjodhën në Kryesinë e Forumit Musliman të Kosovës, edhe Visar Korenica, Naim Berisha, Sadat Musa dhe Qefsere Fazliu .Pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Kryesinë e Forumit Musliman të Kosovës, sekretari i Forumit Musliman të Kosovës Halil Ibrahimi bëri kërkesë që ta lirohet nga posti i sekretarit pasi që një kohë të gjatë do të jetë jashtë Kosovës, me qëllim të kryerjes së doktoraturës, po normal duke vazhduar të jetë anëtar i kryesisë, dhe do të vazhdon me punën dhe kontributin e tij edhe në periudhën e ardhshme të veprimit të Forumit Musliman të Kosovës.
Kryesia e Forumit Musliman të Kosovës e pranoi kërkesën e tij, dhe në vend të tij, për pozitën e sekretarit të Forumit zgjodhi Sadat Musën .
Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit Forumi Musliman i Kosovës për të gjithë të pranishmit shtroi iftarin e përbashkët për nder të muajit të bekuar të Ramazanit.