Author: Visal
•1:49 e pasdites

Para ca ditësh lexova me vëmendje vështrimin e Pirro Mishës me titull ”Neo – otomanizmi dhe Shqipëria”, në të cilin autori e analizon fjalimin e ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoğlu të mbajtur në Sarajevë në konferencën me titull: ” Trashëgimia osmane dhe bashkësitë myslimane në Ballkan sot” kohë më parë, saktësisht në fund të vitit 2009. Është e drejtë e Pirro Mishës të komentoj dhe të analizojë fjalimin e tillë, për të cilin kam respekt si dhe çmoj lirinë e shprehjes së lirë të tij, por nuk mund të qëndroj indiferent ndaj disa tezave të gabuara apo të shtrembëruara në vështrimin në fjalë.Që në fillim të vështrimit autori shkruan ”s’ka dyshim se teza si ato të Davutoğlusë përbëjnë një sfidë, e cila bëhet edhe më e madhe nëse vërtet pas tyre qëndron një shtet i fuqishëm siç është Turqia”. Nuk mund të kuptojë se si nuk e ka të kjartë Pirro Misha, që fjalimi i tij i mbajtur në Sarajevë të shpreh pikëpamjet apo bindjet e tij personale, pasi atje nuk ka shkuar në cilësinë e një studiuesi, por në cilësinë e ministrit të punëve të jashtme të Turqisë, dhe se ai prezanton qëndrimet e diplomacisë së jashtme turke, nuk e di që gjer tani administrata shtetërore turke të jetë distancuar nga fjalimi i tij. Lirisht mund të them se Ahmet Davutoglu është “truri” i diplomacisë turke dhe si të tillë Turqia nuk e ka pas që nga themelimi i Republikës së Turqisë në vitin 1923 e gjer më sot, dhe se mund të krahasohet lirisht me ish sekretarin shtetëror të punëve të jashtme të SHBA-së Kisinxher, apo ish shefin e diplomacisë ruse Gromiko. Më tutje e fajëson Turqinë si shkaktare e dëbimit të shqiptarëve, turqëve dhe boshnjakëve nga hapësirat e ish Jugosllavisë dhe Greqisë, me lidhjen e marrëveshjeve me palën jugosllave dhe greke, e vërteta është se ajo i ka pranuar shqiptarët, turqit dhe boshnjakët që ishin detyruar me dhunë dhe të ekspozuar me presion për t’u larguar nga trojet e tyre etnike shekullore, të programuara dhe të inspiruar nga programet e Naçertanise serbe dhe Megalidesë greke dhe të zbatuara në praktikë nga qarqet e caktuara shtetërore shoviniste serbe dhe greke. Ia përkujtoj Pirro Mishës nga historia e largët kur Perandoria Osmane i ka pranuar në gjirin e vet arabët(myslimanët) dhe çifutët( hebrejët) të dëbuar me dhunë nga Spanja nga mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Izabella pas rënies së Granadës në vitin 1492.

Një tezë tjetër e shtrembëruar e Pirro Mishës është edhe kjo: ”në ndonjë rast ajo i përdori këto marrëveshje për të nxjerr edhe përfitime të tjera, siç qe zëvendësimi i gjuhës shqipe me turqishten në Kosovë”, nuk e kam të qartë, ku aludon dhe në cilën kohë këtë tezë, që fare nuk qëndron për Kosovë, zëvendësimi i gjuhës shqipe me gjuhën turke në Kosovë, nuk ka mundur fare të zëvendësohet, pasi që gjatë gjithë kohës në Kosovë ka pas 1-2% turq, që kanë jetuar apo që jetojnë në Kosovës, dhe se si e tillë nuk ka pas gjasa as teorike e lere me praktike të ndodh diç të tillë në . Më tutje nuk e kuptojë se çfarë rreziku sheh nga forcimi i Turqisë, dhe se afrimi ynë me te do të thotë largimi nga Perëndimi. Duhet të ketë e qartë Pirro Misha se neve jetojmë dhe gjendemi në Evropë, dhe herët e vonë do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të NATO – së, me kulturat që i përkasim, si me shumicë islame ashtu edhe pakicë krishtere, e duhet të ia përkujtojë Pirro Mishës se Turqia është anëtare e NATO-së mbi 50 vjet, dhe se është kandidati potencial për hyrje në Bashkimin Evropian që një kohë të gjatë. Le të dijë Pirro Misha se krahas faktorit amerikan(SHBA-së), që është faktor ndikues kryesor për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e paqes në Ballkan, e sidomos të mbijetesës së popullit shqiptar, boshnjak dhe turk në Ballkan, faktori turk(Turqia) në bashkë koordinim dhe bashkëveprim me faktorin amerikan(SHBA-ve) dita më ditë po merr rolin e një shteti të fuqishëm dhe me rritje të hovshme si në fushën ekonomike, politike, ushtarake dhe strategjike në Ballkan, dhe se nuk është për çudi që në një të ardhme të afërt të merr primatin në Ballkan në bashkëveprim me faktorin amerikan, si faktor garantues të qëndrueshmërisë dhe mbijetesës së popullit turk në Bullgari, Greqi, Maqedoni, Kosovë, të popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe popullit boshnjak në Bosnjë, (Sanxhak) Serbi, Mal Zi. Pajtohem me Pirro Mishën lidhur me atë se në Perandorinë Osmane të gjithë myslimanët pamarre parasysh prejardhjen e tyre kanë qenë pjesë e miletit osman(jo turk), të gjithë ortodoksët pjesë e miletit rum( jo rom) si dhe çifutët pjesë e miletit hebre. Kjo ka qenë gjer në vitin 1908, kur dolën në skenë “genç türkler” (xhon turqit apo turqit e rinj) dhe hodhën idenë pan turke dhe e zmbrapsën nga froni Sulltan Hamidin e Dytë, mikun e madh të shqiptarëve, të cilën në vlugun e kryengritjes shqiptare të vitit 1912 të Hasan Prishtinës, Riza Kryeziu e Isa Boletini thurnin plane për ta shpëtuar Sulltan Hamidin e dytë që ishte i burgosën në atë kohë në Selanik prej xhonturqve, e të cilin e përmend edhe Rexhep Qosja në kujtimet e tij “Tronditja e shekullit I-II” ” Sulltan Hamidi që Kosovën e quante xhevahiri më i çmuar në gjerdanin e Perandorisë së tij”. Revolucioni xhonturk i vitit 1908 ishte fillimi i shkatërrimit të Perandorisë Osmane, e që e vulosi Mustafa Kemal Ataturku me krijimin e Republikës së Turqisë në vitin 1923. Tezën e Ahmet Davutoglusë “përbëjnë epokën e artë të Ballkanit” në ditët e tanishme studiuesit dhe hulumtuesit e historisë theksojnë se Perandoria Osmane dhe Perandoria Austrohungareze kanë qenë dy perandori “per exellenc” për modelin dhe mënyrën e jetesës shekuj me rrallë të popujve të ndryshëm me kultura të ndryshme që kanë mundur një kohë të gjatë të jetojnë në harmoni të plotë. Sa për shkrimin e Arbër Xhaferit “Pasojat e akraballëkut”që e përmend autori, nuk dua të ndalem më tepër, pasi i jam përgjigjur atij në kohën në të cilin ka shkruar, dhe se i tillë mund të gjendet në internet. Por dua t’i përkujtojë Pirro Mishës disa detaje të reja të cilat ndoshta nuk i ka të njohur, me rastin e vizitës së aktorit turk Nexhati Shashmaz(Polat Alemdar) të serialit turk më të shikuar të të gjitha kohërave ” Lugina e ujqërve” të cilën tani edhe KTV- në Kosovë e shfaq prej të hënës gjer të enjtes në terminin e orës 21.oo, është pritur me ovacione dhe me pjesëmarrje masive të fansave të tij në Shkup e Prizren, dhe se aktori tjetër turk i serialit turk”Jetë e hidhur” e shfaqur në RTV 21 në Kosovë, në Prishtinë i është organizuar një pritje madhështore dhe e paparë në Prishtinë nga fansat e tij, Mehmed Kosovarit. Kulminacion i tezës së shtrembëruar të Pirro Mishës është kur theksoi” Duhet shtuar se ky lloj ligjërimi më së shumti paraqitet nën një petk nacionalist, ku një vend të rëndësishëm e zë amplifikimi i stereotipave dhe dyshimeve ekzistuese ndaj fqinjëve tanë të krishterë, si armiqtë tanë historik, nga kërcënimi i të cilëve na paska mbrojtur historikisht pikërisht Turqia dhe besimi ynë mysliman”. Dua t’ia përkujtojë Pirro Mishës, ai e di shumë mirë, por nuk do të pranojë një realitet të tillë, dëshmitar i së cilës edhe vet ka qenë, dhe atë jo para qindra vitesh, por para 10 e ca vitesh, saktësisht viteve 1997 dhe 1999, pikërisht ka qenë Turqia mbrojtëse historike e shqiptarëve, nga fqinjët krishterë, pikërisht të Greqisë dhe Serbisë. Me rastin e rebelimit dhe rrëzimit të qeverisë shqiptare në vitin 1997 me ç’rast ishte në rrezik edhe integriteti dhe sovraniteti i Shqipërisë, pikërisht ka qenë Turqia, dhe ish kryeministrja e saj Tansu Çiler që e ka siguruar kryetarin e atëhershëm Sali Berisha se Turqia është garantë e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Shqipërisë.

Vetëm dy vjet më vonë, në vitin 1999, me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-së në Kosovës, ushtria serbe hyri në territorin shqiptar në thellësi gjer në 10 km, pikërisht ishte Pandeli Majko, ish kryeministri shqiptar që shpresat i kishte kthyer plotësisht nga Turqia, dhe atë pikërisht e urdhëron atasheun ushtarak me 29 mars 1999 në ambasadën shqiptare në Ankara me fjalët:
”Zotni kolonel, realizoni një takim urgjent me kryeministrin Exhevit dhe mbasi t’ia shpjegoni situatën në veri të Shqipërisë, ku forcat e ushtrisë serbe kanë bombarduar disa herë me artileri dhe nënrepartet ushtarake të saj vazhdojnë të hyjnë në thellësi të territorit tonë. I kërkoni atij të shpreh qartësisht mbështetjen reale të shtetit dhe forcave të armatosura të Turqisë në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë...Në takim me atasheun ushtarak shqiptar në Ankara, në ditën e Bajramit, kryeministri i atëhershëm turk i ndjerë Bylent Exhevit, i tha:”Shteti dhe forcat e armatosura të Turqisë janë në krah të popullit vëlla shqiptar dhe nuk do të lejojmë askënd të prek kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Në rast nevoje Turqia do të mbrojë së bashku me Shqipërinë sovranitetin dhe pavarësinë e popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë”. E shtypi butonin e kuq dhe menjëherë u lajmërua komandanti i forcave të armatosura dhe shef i shtatmadhorisë turke gjeneral armate Hüsein Kıvrıkoğlu. Të nesërmen nga aeroporti ushtarak i Ankarasë u nisën drejt Shqipërisë avionët ushtarak... Ishte i vetmi vend që në atë kohë debatesh dhe diskutimesh për ndërhyrjen ose mosndërhyrjen ushtarake të NATO-së në Kosovës, që garantoi Shqipërinë se do ta mbështet direkt me forca ushtarake dhe armatime për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. I vetmi vend aleat që iu përgjigj pozitivisht kryeministrit Majko për ta mbështet një luftë të tillë ishte Turqia”.E sa për rolin e Turqisë lidhur me Kosovën, do të ceki vetëm një detaj, edhe pse e kam paramanduar dhe besuar se Turqia realisht ka qenë e para që zyrtarisht e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, por për shkaqe të njohura, herë qarkullonin lajmet se e para e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, herë Afganistani, herë SHBA-ja, herë Shqipëria e kështu me rradhë. Për herë të parë haptas e ka pranuar gjatë fjalimit të tij në lagjen e Kurillës në Prizren gjatë fushatës zgjedhore për kryetar të Prizrenit, ministri i transportit dhe telekomunikacionit të Kosovës Fatmir Lima se Turqia ishte e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, e që më vonë e konfirmoi edhe kryeministri aktual i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një debati televiziv në Kosovë, të cilin e parafrazoj se” në momentin e mbajtjes së seancës së parlamentit të Kosovës, është mbajtur edhe seanca e parlamentit turk, me ç’rast e kanë përcjellur ”live” çastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe menjëherë pas kësaj e kanë pranuar zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, dhe se me kryeministrin e Turqisë Rexheb Tajib Erdoğanin kam qenë në kontakt 24 orësh para dhe gjatë ditës së shpalljes së pavarësisë lidhur me ecurinë e mbarëvajtjes së procesit”. Njashtu do të ndalem edhe në një detaj, atë të Lëvizjes Gülen të cilin e cek Pirro Mishoja. Gjatë vitit 2009 Qendra Edukativo Arsimore Gülistan(pjesë e Lëvizjes Gülen) shtroi kërkesën pranë Kuvendit Komunal të Prizrenin për ndarjen e një trualli prej 5 hektarësh për ndërtimin e kolegjit turk të Mehmet Akif Ersoyit. Duke ditur paraprakisht se në mesin e kuvendarëve ishte një numër i konsiderueshëm i këshilltarëve kundër lejimit të ndarjes së truallit për kolegj, mora fjalën dhe dola në foltoren e Kuvendit të Prizrenit në të cilën përveç tjerash thashë:

“Kërkesa e Qendrës Edukativo Arsimore “Gülistan” për lejimin apo ndarjen e 5 hektarëve për ndërtimin e një kompleksi shkollor, duhet përshëndetur dhe aprovuar prej të gjithë neve kuvendarëve, pasi që si e tillë vetëm se do të begatojë dhe avancojë sistemin arsimor jopublik, duke marrë parasysh se është edhe anëtare e komitetit evropian të shkollave ndërkombtare dhe se e ka vargun zingjiror të kolexheve në mbi 100 shtete të botës dhe se është e njohur për rezultatet shumë të mira që nxënësit kanë treguar gjatë vijimit të procesit edukativo arsimor. Në një mes apo shoqëri me diversitet kulturor, veçanërisht në Prizren, që njihet si i tillë, ku është normale dhe njerëzore që të ndiesh krenar me kulturën që i përket dhe të tregosh respekt për kultura tjerë, por të tregosh respekt të plotë për kulturën që nuk i përket, ndërsa të anashkalosh kulturën që i përket me të vërtet nuk është aspak njerëzore, morale dhe logjike. Duke marrë parasysh rolin e Turqisë dhe popullit të saj që gjatë këtyre 10 viteve ka dhënë një kontribut të çmuar për Kosovën si në aspektin ushtarak, politik, ekonomik, arsimor, shëndetësor, kulturor, fetar e humanitar, dhe shembull konkret që shteti ynë shqiptar ka ndërmarr një veprim këtyre ditëve, me ç’rast Shqipëria ka vu në dispozicion tërë hapësirën e vet ajrore për kontroll dhe mbrojtjen e saj eventuale Turqisë, gjegjësisht komandës së aviacionit luftarak të Izmirit, merreni me mend, nuk ja ka vu në dispozicion as grekut me të cilin kufizohet me sipërfaqe tokësore, as italianit me të cilin kufizohet me sipërfaqe detare, por turkut që kufizohet vetëm nëpërmjet korridorit mesdhetar ajror me sipërfaqen ajrore të saj, e neve këtu në Kuvend akoma jemi në hamendje a ta lejojmë apo jo vetëm 5 hektar tokë për ndërtimin e kolegjit”.

Pas këtij fjalimi prej 41 kuvendarëve të Prizrenit, vetëm një kuvendare ka qenë kundër, 5-6 kanë abstenuar, ndërsa shumica absolute votuan për lejimin e truallit për ndërtimin e kolegjit turk në Prizren. Si përfundim i kësaj, lexuesi shqiptar do të dijë të vlerësoj se cili është interesi i tij kombëtar, dhe se nuk ka çka të humb por vetëm do përfitojë me një Turqi e fortë e cila është një garant shtesë për qëndrimin, zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve që gjenden në trojet e tyre etnike në Ballkan.

Faik Miftari
23/02/2010
Author: Visal
•10:58 e pasdites
Pas fitores së PDK-së dhe humbjes së LDK-së në garën për kryetarin e Prizrenit në rundin e tretë (ribalotazh), të mbajtur me 31 janar 2010, nga disa qytetarë të Prizrenit u përcoll me refrenin”Merhaba PDK, Elveda LDK”, që do të thotë”Mirëse erdhe PDK, lamtumirë LDK”.

Shkaqet e humbjes së LDK-së në Prizren datojnë qysh më herët që nga viti 2007, pas shtatë vitesh udhëheqjeje të LDK-së, gjegjësisht dy mandate të njëpasnjëshme të fituara, në zgjedhjet komunale të mbajtura në vitin 2007, edhe pse në rundin e parë kandidati i LDK-së z.Eqrem Kryeziu ishte në një epërsi prej 1000 votash ndaj rivalit të tij të PDK-së z.Ramadan Muja, në rundin e dytë humbi në balotazh me një epërsi prej 2000 votash, falë neglizhencës apo mospërfilljes, apo ndoshta edhe “ lodhjes” së kryetarit të atëhershëm z. Eqrem Kryeziu pas udhëheqjeje shtatëvjeçare, edhe pse komuniteti turk ishte i gatshëm ta mbështet atë edhe për një mandat, lidershipi aktual i LDK-së në Prizren, e mospërfilli dhe nuk tregoi interesim për një marrëveshje të tillë, e cila i u kthye si bumerang pasi që komuniteti turk ishte ai që e përcaktoi fituesin në zgjedhjet komunale të vitit 2007, dhe atë pikërisht në Mamushë ku PDK-ja fitoi rreth 2000 vota që ishte e mjaftueshme për fitoren e PDK-së në Prizren.

Edhe pse gjatë mandatit dyvjeçar udhëheqës të PDK-së në Prizren, PDK-ja nuk tregoi shkathtësi në udhëheqjeje, edhe pse i mbështetur fortë nga qendra, nga kryeministri aktual i Kosovës z.Hashim Thaqi, u zhyt që në fillim në përplasjet e brendshme të taborëve brenda PDK-së, të asaj të ashtuquajtur të “meritokracisë” dhe asaj të profesionalizmit, e cila vazhdoi gjatë gjithë mandatit udhëheqës dyvjeçar të PDK-së në Prizren. Përkundër kësajLDK-ja në opozitë nuk e shfrytëzoi në maksimum rolin e saj opozitar, ndoshta edhe nga mos përvoja e të qenit në opozitë, pas shtatë vjet udhëheqjeje dhe qëndrimi në pozitë, sidomos nuk bashkëpunoi sa duhet me subjektet tjera opozitare, që herë herë ishin më të zëshëm se vet LDK-ja, edhe pse ishin në numër shumë më të paktë se LDK-ja si forcë kryesore opozitare në Prizren.

Në vend se të shfrytëzojë këtë dobësi të PDK-së në Prizren, LDK-ja që në start bëri gabim me zgjedhjen e kandidatit Hanefi Muharemin, edhe pse dorën në zemër,ai ka fituar maksimumin e votave në Prizren dhe ka pas një mbështetje të fortë të elektoratit prizrenas, pasi që diferencën prej 1500 votash në dobi të rivalit të tij z.Ramadan Muja në rundin e parë, në balotazh arriti ta barazoj në “fifti – fifti”.

Edhe pse pat zëra brenda degës së LDK-së kundër kandidimit të z.Hanefi Muharemit, këto zëra u amortizuan me mjaft sukses pa ndonjë përplasje të madhe brenda LDK-së. Sipas mendimit tim gabimi kardinal i LDK-së në Prizren ishte moskandidimi i lidrshipit aktual të degës së LDK-së në Prizren z.Eqrem Kryeziut, i cili ka pas dashtë që pikësëpari për interesat partiake të sakrifikojë interesat vetanake, pasi që njohësit e aktualitetit politik prizrenas ishin të gjithë të mendimit se z.Eqrem Kryeziu do të ishte fitues i sigurt në Prizren në garën për kryetar, por ka pas edhe asi zëra, por shumë më pak, që po të kandidohej Eqrem Kryeziu do të kishte fituar më pak vota se Hanefi Muharemi.

Gabimi i dytë kardinal i LDK-së në Prizren ka qenë, pas balotazhit kur rezultati ishte i barabartë”fifti-fifti”, me akuza të të dyja palëve rivale për fitore të njërës apo tjetrës palë, në vend se LDK-ja të kërkojë, të qëndrojë dhe të angazhohej maksimalisht me të gjitha mekanizmat e saj për rinumërimin e votave në qendër të numërimit në Prishtinë, sikurse që ndodhi në Gjilan, ku pas rinumërimit u konkludua se epërsia ishte rreth 1000 vota më tepër në favor të Qemajl Mustafës të PDK-së. Po të rinumëroheshin votat në qendrën e numërimit, epërsia do të ishte minimale në favor të LDK-së në Prizren. LDK-ja u vetëkënaq me shpalljen apo daljen në votime për herë të tretë, edhe pse pas kësaj ka qenë e ditur prej njohësve të mirë të rrethanave politike në Prizren, do të ketë humbjen e sigurt, për shkak të distancës së gjatë kohore prej 45 ditësh në raport me rundin e dytë, dhe se rivali i saj PDK-ja do të përdori të gjitha mekanizmat e saja për të arritur fitoren, gjë që ndodhi, dhe atë me një epërsi të konsiderueshme prej afro 4000 vota epërsi.

Gabimi i tretë i LDK-së ishte mosangazhimi i saj sa duhet lidhur me komunitetet në Prizren, e sidomos të atij turk. Edhe pse komunitetet në Prizren, kanë hyrë në koalicion me PDK-në, pasi kanë qenë vendimet e strukturave partiake të tyre në qendër në Prishtinë, dhe trusnisë së partnerit të tyre PDK-së, fare pa u konsultuar me bazën e tyre, ashtu që ka pas mjaft hapësirë për të vepruar shumë më tepër në bazën e komuniteteve për të përfituar votat e tyre, këtë si shembull mund të ilustrojë me lagjen e Kurillës, ku është bastioni i elektoratit turk, edhe pse kandidati i LDK-së z.Hanefi Muharemi pati një epërsi mbi 1000 vota ndaj rivalit të tij z.Ramadan Muja, në ribalotazh pas punës së pandërprerë 24 orësh dhe trusnisë së ushtruar të KDTP-së dhe PDK-së, bile në kuluare politike flitet se edhe kanë fjetur në lagjen e Kurrillës, në ribalotazh apo rundin e tretë arritën ta amortizojnë dhe të kthejnë rreth 900 vota në favor të kandidatit të PDK-së z.Ramadan Muja.

Gabimi i katërt i LDK-së ishte edhe mospërfillja e kandidatit për kryetar të komunës së Prizrenit z.Ruzhdi Rexha, i cili në rundin e parë doli i treti në votime me një sukses mjaft solid të elektoratit të fituar, dhe pas kësaj dalja e tij në krah të PDK-së, ka pas një konotacion të duhur politik në përcaktimin e votuesve të tij që e përkrahën në rundin e parë dhe e përfillën atë edhe në balotazh.

Gabimi i pestë i LDK-së ishte që gjatë rundi të tretë apo ribalotazhit në garën për kryetarin e Prizrenit, LDK-ja në teren ka punuar më tepër me elektoratin votues që kanë votuar në balotazh, për t’i sensibilizuar ata të dalin prapë në votime, dhe aty këtu edhe në ndonjë votues që nuk ka dalë në votime, PDK-ja përkundrazi në teren ka punuar më tepër për të evidencuar dhe për të angazhuar ata votues që nuk kanë dalë fare në votime në balotazh, duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat për të joshur ata për të dalë në votime, dhe se për mendimin tim këtu qëndron edhe suksesi i fitores së PDK-së në Prizren, pasi që pjesëmarrja në votime në rundin e tretë ka qenë më tepër, rreth 5000 votues, prej të cilëve rreth 4000 votues kanë votuar pro PDK-së më tepër dhe vetëm rreth 1000 votues pro LDK-së më tepër, në krahasim me rundin e dytë apo në balotazh të votimeve. Është indikativ se numri i votuesve dhe rezultatet në zonat rurale(fshatrat) ka qenë përafërsisht i njëjtë sikurse në rundin e dytë, aty këtu diku ka pas një rritje apo zvogëlim minimal të votave për njërën apo tjetrën palë, numri i votuesve në qytet ka shënuar një rritje të konsiderueshme, i cili edhe e përcaktoi fituesin, e sidomos kyç ishte përcaktimi i votuesve të lagjes Kurrilla i cili e vulosi fitoren e PDK-së në Prizren. Këtu në thelb qëndron edhe esenca e strategjisë së fitores së PDK-së në Prizren ndaj LDK-së.

Gabimi i gjashtë i LDK-së në Prizren ishte edhe mos gjetja e formulës së amortizimit të projekteve kapitale qendrore që PDK-ja me mjeshtëri i proklamoi gjatë gjithë fushatës zgjedhore në Prizren e që ishin: Autostrada Vërmicë- Merdar, Universiteti i Prizrenit dhe Hidrocentrali i Zhurit, edhe pse të tria këto projekte ishin në kompetencat e realizimit të nivelit qendror dhe i takojnë kompetencave qendrore të qeverisë, që nuk kanë të bëjnë fare me administratën komunale, e as që ka mundësi teorike të financojnë, të realizojnë apo të mbikëqyrin këto tri projekte kapitale të parapara me rëndësi vitale për Kosovën, normal që edhe Prizreni do të përfitojë me këto projekte si në aspektin e zhvillimit ekonomik, energjetik dhe arsimor, tek një pjesë të elektoratit prizrenas është pjek fakti, se nëçoftëse PDK-ja në Prizren humb, atëherë edhe kryeministri Hashim Thaqi do të ngre duart nga këto tre investime kapitale, dhe se në rast se për kurrgjë tjetër atëherë medoemos duhet të votohet për PDK-në për këtë qëllim, elektoratit e ”gëlltiti” këtë “karem”që e lansoi me plot sukses PDK-ja e për të cilin LDK-ja nuk kishte përgjigje.

Gabimi i shtatë me rrallë i LDK-së në Prizren ishte gjuha që e përdori LDK-ja në Prizren gjatë fushatës zgjedhore, ishte e tillë që nuk korrespondon me kulturën e qytetarit prizrenas i cili çmohet për urtësi, butësi e maturi. Edhe pse kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së z.Hanefi Muharremi në fjalimet e t’ia ka qenë mjaft i matur, i balancuar dhe i kujdesshëm, dhe se vetëm në debate direkte me rivalin, edhe atëherë kur është provokuar ka reaguar në momente me një tonë më të ashpër, por gjuha që e përdori z.Eqrem Kryeziu lidhur me Universitetin, e z sidomos z.Lutfi Haziri lidhur me komunitetet, kanë sjell kundër efekt te një pjesë e caktuar të elektoratit prizrenas. Edhe pse nuk ishte fare e përafërt me gjuhën që e përdori z.Astrit Salihu kandidati i PDK-së në gara për kryetarin e Prishtinës, por në disa nuanca të theksuar i u është afruar apo përngjarë fjalorit të tij në Prishtinë. Përkundrazi PDK-ja për habi të gjithëve, përdori një gjuhë relaksuese, të balancuar dhe mbi të gjitha joshëse, që e ka dalluar prej zgjedhjeve të mëparshme kur ka përdorë gjuhë të nivelit të ultë, fyese,denoncuese e kështu me rrallë. Nuk mund të anashkalojë e të mos përmend fjalimin e Fatmir Limës në lagjen e Kurrillës, për të cilën do të bëjë një vështrim të posaqshëm për të , i cili ka bërë jehonë të madhe në mesin e qytetarëve prizrenas, e sidomos të lagjes së Kurrillës, dhe se si i tillë ka pas ndikim të drejtpërdrejt në një pjesë të caktuar të elektoratit prizrenas.

Kulminacioni i gabimeve të LDK-së ishte java e fundit, apo 5 ditët e fushatës zgjedhore, të rundit të tretë apo të ribalotazhit, me ç’rast PDK-ja i ka aktivizuar të gjitha kapacitetet e veta strukturale partiake që nga anëtari në nëndegë e gjer në strukturat më të larta partiake e qeveritare, duke përfshirë në fushatë gati të gjithë ministrat aktual, zëvendësministrin dhe kryeministrin z.Hashim Thaqi. Përkundër kësaj kryesia qendrore e LDK-së dhe ministrat aktual të LDK-së e lanë në mëshirë pothuajse kryesinë e degës së LDK-së në Prizren, që e dha maksimumin e vet në garë për kryetarin e Prizrenit, dhe se plotësisht qëndron thënia e z.Haziz Hodës ” se ne jemi në garë për kryetarin e Prizrenit, jo me z. Ramadan Mujën, por me qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës,z.Hashim Thaqi”, që me të vërtet ishte në vend. Në vend se, nëse Prizreni ishte shpallur “Jerusalem” për PDK-në për rëndësinë që e ka, atëherë për LDK-në ka pas dashtë të jetë Prizreni”Mekke” e të gjithë shqiptarëve për rëndësinë që e ka Lidhja e Prizrenit. Edhe pse nuk do të besoja, por në kuluaret politike përflitej se ky ishte një “Pazar” politik, i marrëveshjes së arritur në mes lidershipit aktual të PDK-së dhe lidershipit aktual të LDK-së që PDK-ja të merr Prizrenin e Lipjanin, ndërsa LDK-ja të merr Gjilanin, ditët apo javët në vijim do të tregojnë, a ka pasur “Pazar”apo jo.

Pas gjithë kësaj do të përfundojë se pas humbjes së LDK-së në Prizren, LDK-ja është dobësuar dhe në krizë, dhe se tani 4 vitet janë të gjata të qëndruarit në opozitë, dhe se më tej mund të dobësohet, në rast se prej tashti nuk i përfillen punës, duke u nisur nga një analizë e gjithanshme të punës së saj 10 vjeçare prej vitit 1999 e gjer më 2009, në të cilin do të përcaktojnë shkaqet e rrënjës dhe humbjes së saj në Prizren, që më pas të përcaktojnë programin e tyre afatmesëm, për ripërtëritjen e saj eventuale për periudhën e ardhshme që do të pasojë në Prizren.

Faik Miftari
15 Shkurt 2010
Author: Visal
•8:54 e paradites
Këto ditë është aktuale dhe shumë e përfolur si në mediet elektronike ashtu edhe të shkruara autostrada Vërmicë – Merdar si një projekt i një rëndësie të veçantë strategjike, ekonomike, rajonale, ballkanike për Kosovën.

Por sipas mendimit tim, duhet të kthjellemi pakëz, dhe të analizojmë këtë projekt kapital në disa aspekte të veçanta, duke u nisur prej asaj nacionales (kombëtares) shqiptare, ekonomike, komerciale, ballkanike. Titullin e kësaj analize e emërtova jo autostrada Vërmicë – Merdar, por autostrada Prizren – Prishtinë. Janë disa arsye që e pagëzova këtë autostradë me nocionin Prizren- Prishtinë, të cilët do të ceki si më poshtë.

Pas përfundimit të ndërtimit( pritet që të përfundojë gjer në fund të vitit 2010) të autostradës Durrës – Morinë, ka qenë e logjikshme që kjo tani të vazhdojë edhe me pjesën kosovare, duke u nisur nga kufiri në Vërmicë, drejt Prizrenit dhe të përfundojë në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë.

Ashtu që Tirana si kryeqytet i Shqipërisë së bashku me Durrësin, qytet i dytë kryesor në Shqipëri për nga rëndësia e tij, dalja në detin Adriatik dhe porti i Durrësit, do të lidhej me Prishtinën, kryeqytet i Kosovës , dhe Prizrenin si qytet i dytë kryesor dhe i një rëndësie të veçantë historike, kulturore dhe turistike të Kosovës. Me përfundimin e pjesës kosovare do të realizohet edhe “bashkimi” apo afrimi i dy kryeqendrave shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës. Sikurse neve kosovarëve që është i një rëndësie të veçantë strategjike, nacionale, ekonomike, turistike autostrada Durrës – Morinë, ashtu edhe për shqiptarët të Shqipërisë do të jetë i një rëndësie të veçantë, pasi Durrësin dhe Tiranën e afron me të madhe me Prizrenin e Prishtinën. Poashtu në këtë aspekt do të përfitojë edhe Prishtina, meqense shkurtohet me të madhe dhe afrohet distanca dhe lidhja me Tiranën, por edhe Prizreni pasi që afrohet dhe shkurtohet distanca me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

Për momentin, sugjerojë që autostrada të përfundojë në Prishtinë, pasi që tani u bë definitive se kjo autostradë nuk do të jetë e një rëndësie të veçantë ballkanike dhe panevropiane, sepse Serbia me shpalljen e ndërtimit të autostradës Veri – Jug, prej Beogradit e gjer në kufi me Mal të Zi, për të vazhduar më tutje lidhjen me portin e Tivarit, e ka anashkaluar dhe për momentin as që është e interesuar në një të ardhme të afërt të ndërtojë autostradën e vet prej Nishit gjer në kufi me Kosovën, e cila do të vazhdojë me autostradën Merdar- Vërmicë, Morinë – Durrës, për t’u lidhur me portin e Durrësit. Njashtu kohë më parë edhe Mali i Zi shpalli ndërtimin e autostradës Jug – Veri, duke u nisur nga porti i Tivarit e deri në kufi me Serbi, me të cilin do të lidhej me autostradën serbe Veri – Jug e cila përfundon në Beograd. Për këtë arsye ne nuk guxojmë të lejojmë vetes atë luks për momentin, pasi që nuk kemi as kapacitet financiar, dhe me një zhvillim ekonomik çfarë e kemi, nuk mund të hyjmë në projekt për të vazhduar autostradën gjer në Merdar, pasi që ajo do të përfundonte deri në kufi, pa mundësi lidhjeje të mëtejme me Serbinë. Në momentin që Serbia tregon interes që të ndërtojë autostradën prej Nishit e gjer në kufi me Kosovën, atëherë edhe Kosova mund të vazhdojë me vazhdimin e ndërtimit të autostradës prej Prishtinës gjer në Merdar, dhe me një distancë të mbetur vetëm prej 30 -40 km gjatësie varësisht prej trasesë se ku do të kalon.

Rëndësia e dytë strategjike rrugore e Kosovës, është ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup, me një gjatësi prej rreth 60 km, dhe atë në faza, pasi që tani për momentin janë të ndërtuar rreth 10 km nga dalja prej Prishtinës e gjer në kthesën te QMI-ja për në Prizren, me mundësi vazhdimi në fazën e parë gjer në Ferizaj, e në faza të mëtejme në Kaçanik, e që do të përfundon me kufirin në Han të Elezit. Edhe pse gjer në ditët e sotshme pala maqedonase nuk ka treguar për momentin interesin për të ndërtuar 22 km autostradë prej Shkupit gjer në kufi me Hanin e Elezit, edhe pse me dëshirë i ka ndërtuar disa autostrada të brendshme siç janë, Shkup – Kumanovë, Shkup – Veles – Gjevgjeli, Shkup – Tetovë – Gostivar, porse në një të ardhme të afërt pala maqedonase medoemos do të jetë e detyruar nga aspekti ekonomik dhe komercial, që ta ndërtojë edhe autostradën prej vetëm 22 km prej Shkupit e gjer në kufi me Kosovën. Njashtu për momentin nuk është e një rëndësie të veçantë ideja e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Pejë – Kullë, gjer në kufirin malazias, pasi që pala malaziase për momentin është e orientuar në ndërtimin e autostradës së më parë cekur Jug- Veri, dhe se me ndërtimin e autostradës Prishtinë – Prizren, Morinë – Durrës, distanca apo rruga për në Mal të Zi është shkurtuar për gjysmë, ashtu që nëpërmjet Shkodrës mund të arrihet për vetëm 4 orë gjer në Ulqin e Podgoricë, në krahasim me 8 orët e tanishme nëpërmjet Kullës e Rozhajës. Për momentin është nonsens i llojit të vet të flitet për ndërtimin e autostradës Prizren – Tetovë, që është hedhur si ide nga disa individ gjatë fushatës zgjedhore në Prizren, akoma nuk po mund të kuptojë se si individët e caktuar politik nuk po munden të dallojnë kompetencat qendrore nga kompetencat lokale. Po edhe të ndërtohej ajo do të mbetet në gjysmë gjer në kufi me Maqedoni, në rast se pala maqedonase nuk tregon interesim për vazhdimin e ndërtimit të pjesës së saj të autostradës, prej kufirit e gjer në Tetovë, e sa është e interesuar pala maqedonase për momentin, tregon fakti që edhe pse janë vetëm 22 km rrugë prej Shkupit gjer në Han të Elezit, për momentin nuk ka në plan ndërtimin e saj.

Në aspektin ekonomik, kostoja e ndërtimit të autostradës Prizren –Prishtinë do të kishte më pak harxhime, pothuajse gjysmën e mjeteve të parapara sipas parallogarisë së parë, pasi që do të ishin vetëm 70-80 km në krahasim me projektin e tanishëm prej 110-120 km të parapara të autostradës Vërmicë – Merdar. Kjo shumë do të ishte shumë më e kapshme edhe për buxhetin e Kosovës pasi që nga rreth 800 milion euro, duke marrë për bazë një çmim më të arsyeshëm për ndërtimin e saj, pasi që edhe reliefi i tokës është më i përshtatshëm kundruall asaj në Shqipëri, shuma totale prej 400 milion euro do të ishte më lehtë e përballueshme për buxhetin e Kosovës, nga e cila do të mund të hyhej në marrjen e kredisë prej 200 milion euro, ndërsa gjysma tjetër do të mund të financohej nga buxheti i Kosovës gjatë 5 viteve të ardhshme nga 40 milion euro në vit. Përndryshe do të ishte luks i madh dhe i papërballueshëm për buxhetin aktual të Kosovës, duke marrë parasysh këtë zhvillim ekonomik aktual, ku gjatë vitit 2010 planifikohet që Kosova të arkëtojë të hyra vetanake, kryesisht nga doganat, tatimet dhe taksat e ndryshme prej 900 milion euro, maksimalisht do të kishte mundur të arkëtoj edhe rreth 100 milion euro tjera, po të kishte në kontroll dy portat në veri të Kosovës, në Leposaviq dhe Zubin Potok, sipas së cilës vlerësohet se humbjet e gjithëmbarshme brenda vitit 2010 mund të shkojnë edhe gjer në 100 milion euro në total nga moskontrolla dhe kontrabandimi i mallërave,ndërsa gjatë vitit 2010 janë planifikuar shpenzimet(të dalat) prej rreth 1,5 miliard euro. Në rast se sivjet ky dallim do të mbulohet me pjesën e mbetur të pashpenzuar të buxhetit të vitit të kaluar, dhënies me koncesion të aeroportit të Prishtinës, shitjes së PTK-së, apo edhe të KEK-ut, po, athua se si do të mund të mbulohet ky disproporcion i buxhetit gjatë vitit 2011, kur nuk do të mbetet pothuaj se asgjë më çfarë të shitet apo të epet me koncesion prej projekteve kapitale të Kosovës. E të hyhej në kredi(borxh), gjer në fyt është tepër e rrezikshme dhe e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, pasi që shumë më lehtë është të marrish kredi(borxh), por shumë më e vështirë dhe më dhimbshme është të kthehej kredia (borxhi), edhe atë me kamatë.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe Parlamenti i Kosovës shumë i arsyeshëm në vendimin që do të marrë për autostradën, të cilin pastaj atë vendim që e merr Parlameti i Kosovës qeveria e Kosovës do të duhet të zbaton dhe të realizon atë në praktikë.

Do të përfundojë këtë analizë me thënien e njohur të Faik bej Konicës” Ky popull nuk mësohet, nuk kulturohet, nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës”.

Faik Miftari

09/02/2010