Author: Visal
•12:14 e paradites
Shënimi dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 edhe në Prizren, kryeqyteti shpirtëror shqiptar, si gjithkund tjetër ku jetojnë shqiptarët u shënua me një manifestim dhe kremtim madhështor. Solemniteti zyrtar filloi në ora 10.oo në ndërtesën e "Shtëpinë së Bardhë", ku u organizua një pritje dhe një koktej rasti nga ana e kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja për të gjithë këshilltarët komunal dhe përfaqësuesit të subjekteve politike komunale dhe përfaqësues të mediave elektronike dhe të shkruara. Me këtë rast kryetari për nderë të pavarësisë së Kosovës e preu edhe tortën e pavarësisë, të cilin e kishte përgatitur enkas për kuvendin komunal ëmbëltorja"Sheherzadja". Para namazit të drekës nga Këshilli i xhamisë u ngrit flamuri kombëtar shqiptar në majën e minares së xhamisë së Bajraklisë, në të cilin në vitin 1878 u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, vend historik i pikënisjes së synimeve tona për krijimin e shtetit shqiptar. Në ora 13.oo u bë nisja nga Prizreni për në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, ku për shpirt të dëshmorëve të pavarësisë së Kosovës u lexua nga një Elham(Fatiha) me dëshirë dhe lutje që Zoti i madhëruar të shpërblejë dhe të gradojë me shkallë më të lartë sakrificat dhe flijimin e tyre për vatan. Prej këtij vendi të rëndësishëm u shpalos edhe flamuri kuq me një gjatësi prej 3005 metrave , i cili u mbajt prej1878 të rinj e të reja në një distancë prej 7 km gjer në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit në Prizren. Numri prej 1878 vetash paraqit simbolikën e vitit të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit. Pas kësaj u kthyem në Prizren, dhe në foajenë e Shtëpisë së bardhë në Prizrenit përcollëm nëpërmes ekraneve televizive momentin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe de jure nga Serbia prej Kuvendit të Kosovës. Fill pas kësaj eskortën nga ndërtesa e "Shtëpisë së Bardhë" e udhëhoqi kryetari komunal drejt Lidhjes së Prizrenit, ku sapo kishte filluar gëzimi dhe hareja dhe në fytyrat e mijëra e mijëra vetëve shkëlqente ndjenja e paparë e gëzimit, të cilët kanë pas rast që të jenë brezi i cili do të përjetojë këtë çast historik, pas shumë brezave të kaluara të cilët u munduan, u angazhuan, sakrifikuan dhe flijuan veten për këtë çast historik. Në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, u bë edhe dorëzimi i flamurit të gjatë 3005 m, nga organizata e veteranëve të UÇK-ës, kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës. Pas kësaj u marshua drejt sheshit Shadërvan të Prizrenit, ku me një fjalim të shkurtër kryetari i Prizrenit iu prezantua dhjetëra mijëra qytetarëve të tubuar në Prizren duke ju dëshiruar të gëzojnë përherë pavarësinë e Kosovës. Nga të gjitha minaret e xhamive të Prizrenit jehonin lutjet dhe këndimi i verseteve në shenjë falënderimi për Zotin e madhëruar që na mundësoi të shijojnë dhe të përjetojmë këto çaste të lumtura dhe historike për popullin tonë. Festimi i nisur vazhdoi gjer në orët e vonshme të natës me këngë e valle të programit enkas të pregaditur nga komisioni kulturës pran Këshillit organizativ të Komunës së Prizrenit. Me të vërtet ishte kënaqësi e të qenurit shqiptar me 17 shkurt të vitit 2008 kudo në botë, gëzimi dhe hareja ishte kudo prezent ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, në diasporë kudo në botë. Ky shpërthim i vullnetit të shqiptarëve kudo që ishin, ishte një akumulim njëshekullor i vuajtjeve dhe përpjekjeve të pareshtura për liri dhe pavarësi të Kosovës së okupuar që nga viti1912 e gjer më tani nga Serbia. Kjo liri dhe pavarësi e Kosovës u mundësua pas përpjekjes dhe sakrificës së pareshtur të popullit tonë shqiptar, që nga krisma e pushkës së parë kundër okupatorit serb nga Ahmet Delia në vitin 1913 në Drenicë, e gjer në krismën pushkës së Adem Jasharit në vitin 1998 në Prekaz të Drenicës, që vetëflijimi i tij me të gjithë anëtarët a familjes Jashari qe kushtrim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Njashtu populli shqiptar do jetë mirënjohës përherë për të gjithë miqve ndërkombëtar, e në rrallë të parë SHBA-ve që me aksionin dhe luftën e tyre humanitare në vitin 1999, shporrën ushtrinë dhe policinë serbe nga Kosova dhe mundësuan kthimin e 1milionë shqiptarëve të dëbuar që të rinisin jetën e re nga themelet dhe gërmadhat e mbetura në Kosovës. Nga emrat e shumë dëshmorëve dhe patriotëve që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të kisha veçuar dy persona si më të merituar, të cilët për kuriozitet i mbajnë emrat dhe sinonim të njëjtë, bacë dhe Adem. Njëri është Adem Jashari, personalitet i cili për herë do mbetet i shënuar në historinë e popullit shqiptar, gjegjësisht flijimi dhe sakrifikimi me tërë familjen e tij për lirinë e popullit shqiptar dhe pavarësinë e Kosovës. I dytë është Adem Demaqi sinonim i përpjekjes dhe rezistencës shqiptare në ish Jugosllavi, filluar viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar , i cili për përpjekjet e tija politike dhe kombëtare për kauzulën shqiptare i kaloi në kazamatet ishjugosllave plot 28 vjet. Parashikimi dhe "profecia" e tij nga mbrojtja e tij e parë para gjykatës politike të vitit 1958, pas plot 50 vitesh u realizua dhe u jetësua, ku përveç tjerash mbrojtjen e tij e përfundoi me fjalë:"...Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t'u bërë shkaktare që të shpartallohet krejt Jugosllavia dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën". Për hajër ju çoftë të dyve bacëve Adem, që amaneti dhe dëshira e juaj u realizua.
17.2.2008
Faik MIFTARI
Author: Visal
•12:12 e paradites

”Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim”

Forumi Musliman i Shqipërisë me datë 2.2.2008, ditë e shtunë, organizoi në Kavajë të Shqipërisë, simpoziumin kombëtar me titull” Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim”. Hapja e tubimit u bë me intonimin e himnit kombëtar, pas të cilës u lexuan disa versete kuranore, dhe më pas pasoi hapja zyrtare të cilin e bëri Nexhmi Haveriku nënkryetari i Forumit Musliman të Shqipërisë. Fisnik Kruja, kryetar i Forumit Musliman të Shqipërisë në përshëndetjen e vet ceku rëndësinë që ka “integrimi në Evropë për myslimanët shqiptar”, në të njëjtën kohë ai theksoi që ky integrim është një sfidë e rëndësishme për popujt e Ballkanit, dhe njëkohësisht edhe për myslimanët shqiptar si pjesëtar të komonveltit ballkanik” Në emër të Forumit Musliman të Kosovës simpoziumin e përshëndeti Fuad Ramiqi kryetar, i cili ceku “ se simpoziumi kombëtar që po mbahet këtu në Kavajë, është tregues më i mirë i këtij qyteti të njohur për traditat kombëtare dhe fetare në Shqipëri”. Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, përshëndeti kryemami i Kosovës Sabri Bajgora, ndërsa në emër të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, myftiu Jusuf ef. Gjokaj. Në emër të pushteti qendror simpoziumin e përshëndeti z.Rasim Hasanaj kryetar i komitetit shtetëror për kulte. Simpoziumin e begatoi edhe prezenca e shkëlqesisë së tij princit Leka II, i cili mori pjesë në vend të mbretit Leka I, i cili për shkak të sëmundjes së tij nuk qe në gjendje të merr pjesë. Ali Ohri këshilltar i oborrit mbretëror,në emër të mbretit Leka I e përshëndeti tubimin dhe ju dëshiroi sukses dhe punë të mbarë. Ali Ohri kërkoi pjesëmarrësve të luten për shkëlqesinë tij mbreti Leka I Media të shkruara dhe elektronike ishin prezent, e sidomos kamerat e televizionit shqiptar si dhe kamerat e televizionit lokal TV6 të Kavajës, e cila transmetoi “live” drejtpërdrejt tërë kohëzgjatjen e simpoziumit kombëtar. Nga 35 kumtesat e parapara për simpoziumin kombëtar u lexuan 22 kumtesa, ndërsa disa nuk morën pjesë për shkaqe objektive apo subjektive, ndërsa disa të tjerë për shkak të kohës së kufizuar vetëm i dorëzuan kumtesat, të gjithë 35 kumtesat do të përmblidhen nga organizatori dhe do të botohen së shpejti në një edicion të veçantë për simpoziumin kombëtar të mbajtur në Kavajë.Kumtesa e parë e prezantuar ishte e Nexhat Ibrahimit, i cili për shkaqe shëndetësore nuk mori pjesë, kumtesën ia lexoi Visar Korenica me titull”Muslimanët shqiptar dhe integrimet evropiane” i cili në mes tjerash ceku Islami nuk është traditë religjioze e vdekur, amorfe dhe anakrone, por e gjallë, me vlerë dhe me kontinuitet historik. Intelektualët myslimanë, që veprojnë në botën moderne, duhet ta orientojnë angazhimin e tyre drejt botës moderne duke i prezantuar fenomenet dhe thesaret e brendisë islame, të cilat brezi i ri mysliman pothuajse ka harruar e herë herë edhe i ka lënë pas dore. Kjo d.m.th. të përkthehen, të integrohen të vërtetat tradicionale myslimane ashtu çfarë janë në gjuhën moderne. Këtë mund të bëjnë ata intelektual të cilët nuk janë të magjepsur me modernizimin , ata të cilët kuptojnë modernizimin dhe të cilët e kuptojnë Islamin, duke mos i reformuar të vërtetat e shpallura nga Zoti. Këta intelektualë duhet të lirohen nga kompleksi i inferioritetit ndaj Perëndimit dhe ndaj modernizimit dhe të jenë krenar për traditën islame në të gjitha domethëniet e tij intelektuale dhe shpirtërore. Profili i intelektualit që na intereson duhet të njohë jo sipërfaqësisht dhe tërthorazi, por mirë, thellë dhe drejtpërdrejt botën perëndimore. Intelektuali i tillë duhet ta njohë forcën e brendshme të Perëndimit, që e vënë lëvizje dhe që e dinamizon Perëndimin dhe mendjen e tyre, duhet ta kuptojë jetën filozofike, religjioze, artistike dhe shoqërore të Perëndimit, që nga rrënjët e saj religjioze dhe historike dhe deri te paraqitjet e tyre moderne. Vetëm një intelektual i tillë do të mund të ketë një vështrim të plotë të jetës intelektuale të kohës dhe do të dijë të komunikojë me të tjerët, duke i njoftuar edhe myslimanët e brezit të ri, kërkon arsimi modern. Nga niveli i sendërtimit të këtyre parimeve do të varet edhe niveli i shoqërisë dhe i qytetërimit autentik islam”.Bashkim Aliu në kumtesën e tij me titull”Mësim besimi në procesin mësimor dhe roli i tij në integrim” përveç tjerash ceku” Çështja e integrimeve evropiane është një çështje shumë e rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore. Liria dhe e drejta e mësim besimit fetar në shkolla, akoma nuk është e inkorpuar në sistemin tonë shkollor, përveç shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Mësim besimi në vitin 2008 do të inkorpohet edhe në shkolla në Maqedoni si proces eksperimental. Në shumë shtetet evropiane kjo me kohë është inkorpuar diku në formë të obliguar, diku në formë fakultative, si p.sh.në Austri, Gjermani, Angli, Spanjë,Greqi, Poloni,Kroaci e kështu me rrallë. Mësimi fetar promovon vlera të larta morale, kulturore për një shoqëri në përgjithësi”. Kumtesa e Abdi Baletës, një diplomat me përvojë të gjatë politike, zgjoi kërshërinë e audotiriumit të gjerë, me titull”Trajtimi i problemeve të Islamit në literaturën perëndimore” ishte me të vërtet një prezantim i shkëlqyer. Ai përveç tjerash ceku” Pas mbarimit të luftës së ftohtë në fund të shekullit XX dhe sidomos pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork e Uashington në fillim të shekullit XXI në Perëndim u rrit shumë botimi i librave studimor e propagandistikë me përmbajtje politike,historike,teologjike,filozofike,përIslamin myslimanët,veçanërisht me tematikë për fundamentalizëm e terrorizëm islamik, për Islamin politik ekstremist e radikal. Debatin e ndezi shumë buja që bëri teza e shpallur nga politokologu amerikan Samuel P.Hantigton në vitet 1993-96 mbi “përplasjen e qytetërimeve” si burim kryesor i konflikteve në botë pas përfundimit të përplasjes së madhe ideologjike midis kapitalizmit perëndimor dhe socializmit lindor sovjetik. Ballkani është i vetmi rajon evropian ku jetojnë disa miliona myslimanë autoktonë, shumica shqiptarë .Ballkani përbën një rast dhe një shembull të veçantë kur vjen puna tek trajtimi i problemeve të Islamit, si për Perëndimin krishterë dhe për botën myslimane lindore. Myslimanët në Ballkan në pikëpamje historike, politike, shoqërore, kombëtare, madje edhe fetare nuk janë njësoj si myslimanët imigrantë në Evropë. Analistët vënë në dukje se pas shkatërrimit,disa shekuj më parë, të myslimanizmit në Sicili e në Spanjë si fushëbeteja kryesore e vazhdimit të rikonkuistës së krishterë u bë Ballkani, që vështrohet si e tillë edhe sot e kësaj dite nga forcat politiko-fetare fundamentaliste e revanshiste të krishtera në Perëndim. Por, vitet e fundit janë shtuar shenjat se Perëndimi po e sheh pranimin e myslimanizmit në Shqipëri si një vlerë evropiane, jo si fatkeqësi apo pengesë. Këto zhvillime pozitive janë pasqyruar më qartë se kurrë gjatë vitit 2007 në ligjërimin politik dhe atë akademik perëndimor. Presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush para nisjes për vizitën e tij në Shqipëri në qershor 2007 deklaroi me kënaqësi se po shkonte në një vend ku, përveç bukurive natyrore e trashëgimisë historike,do të takohej me një popull me njerëz mysliman që jetojnë në paqe dhe një bashkëjetesë të shkëlqyer midis besimeve të ndryshme. Ishte një mesazh kuptimplotë se në Perëndim Shqipëria njihet dhe çmohet si vend me shumicë popullsie myslimane. Ishte edhe një mesazh miqësor i Perëndimit nëpërmjet Shqipërisë, për gjithë botën myslimane. Meqenëse problem madhor për shqiptarët është bërë integrimi euro-atlantik duhet të mbajmë parasysh se në ligjërimin evropian theksi vihet gjithnjë më shumë në mbrojtjen e lirive të individit për të marrë e lënë fenë që i pëlqen,në detyrimin e shtetit të e të politikës të mos diskriminojë besimet e besimtarët për arsye fetare ose politike. Sipas kësaj dispozite Shqipëria perceptohet si një federatë bashkësish fetare. Nëse ecet me këtë rrugë do të ketë marrëdhënie të diferencuara për njërën apo tjetrën bashkësi dhe kuptohet e dëmtuar do të dalë bashkësia myslimane, e shumicës së popullsisë. Shqipëria do të jetë në të njëjtën kohë një vend Konkordati për fenë katolike dhe pazaret do t’i bëjë nga pozita servilizmi ndaj Vatikanit. Do tiketë marrëdhënie nënshtrimi menjë Greqi kishtare brenda Shqipërisë, kishën ortodokse shqiptare të uzurpuar nga Janullatosi dhe mëkëmbësit e tij më vonë dhe me shtetin grek që haptazi e shpall veten si mbrojtës i ortodoksisë në Shqipëri, vetëm ndaj bashkësisë islame qeveritë shqiptare do të sillen me prepotencë, si deri tani, sepse nuk ka një qendër mbrojtëse ndërkombëtare për të. Zoti i ndihmoftë myslimanët edhe në Shqipëri!”.Sabri Bajgora prezantoi kumtesën e tij me titull”Universalizmi dhe globalizmi” ku përveç tjerash theksoi” Bota Islame është e ndarë në shumë shtete, kombe, raca, ngjyra. Bota islame vuan nga varfëria jashtëzakonisht e skajshme, shoqëria myslimane është shoqëri konsumuese, udhëheqësit dhe intelektualët e botës myslimane nuk kanë një vizion të qartë si në fushën ekonomike, politike, kulturore”. At Nikollë Marku para se të lexojë kumtesën e tij me titull”Mirëkuptimi fetar në Shqipëri”,shprehu se “ky simpozium mund të quhej mbarëkombëtar shqiptar, në krye të kishës ortodokse shqiptare e kemi grekun Janullatos i cili nuk është shqiptar, dhe është me identitet tjetër, grek. Identiteti jonë shqiptar është i pasur me të tri besime, islame, ortodokse dhe katolike. Fatkeqësinë të cilën e kemi ne ortodoksët shqiptar në Shqipëri, është që në krye të kishës ortodokse shqiptare është greku, kjo fatkeqësi do të përfundojë vetëm atëherë me kalimin e tij në jetën tjetër, kur të përmbylli sytë. Mirëkuptimi fetar në Shqipëri vjen nga edukata paqësore dhe fetare e shqiptarit nëpërgjithësi.”Paqe dhe dashuri” është thënia e Jezu Krishtit dhe Muhamedit alejhiselam. Ky mirëkuptim fetar është garanci për pranimin e kombit tonë shqiptar në gjirin e përbashkët evropian. Komuniteti mysliman shqiptar është më paqësor ndër nesh, komuniteti ortodoks do të jetë pro pavarësisë së Kosovës, Zoti na ruajt nga të papriturat që mund të na vijnë”.Fuad Ramiqi në kumtesën e vet me titull”Integrimi i shqiptarëve në Europë, imponim apo dëshirë?”në mes tjerash ceku”Disa mbronin qëndrimet se duhet të jemi konservator, kurse disa të tjerë mbronin atë se duhet të jemi të moderuar. Këtyre zërave ju bashkëngjitën edhe qarqe tjera të cilët tentojnë që islamin ta paraqesin vetëm si religjion. Nuk mund të pajtohem as me një qëndrim të këtyre zërave. Ka vetëm një islam, mënyrë dhe rregullator i jetës së kësaj bote. Sot në mesin e popullit shqiptar me përkatësi absolute të besimit mysliman, vetëm myslimanët janë të diskriminuar, vetëm ne nuk kemi mësim besim në sistemin obligativ arsimor, vetëm ne nuk kemi hapësira të mjaftueshme për t’u falur, vetëm ne nuk kemi institucione fetare të respektueshme,vetëm ne nuk mundemi lirshëm ta gëzojmë të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit, vetëm ne nuk jemi të barabartë gjatë arsimimit apo punësimit, vetëm ne nuk kemi qasjen në shprehjen e fjalës së lirë, vetëm, vetëm, vetëm.... E për këto padrejtësi janë përgjegjës ata të cilët ne i zgjedhim direkt apo indirekt që të na udhëheqin, kurse fajtor jemi vet ne. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin, si ato kombëtare njashtu edhe ato fetare. Ne nuk do të turpërohemi, por edhe nuk do të lejojmë të na turpërojnë, as nuk do të kërkojmë falje pse jemi mysliman, këtu ku jemi,as nga lindja e as nga perëndimi,nuk do të arsyetohemi përpara askujt. Ne jemi të graduar nga Allahu i madhërishëm si mysliman. Ne duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë identitetin tonë fetar. Këtë identitet duhet të instalojmë në jetën tonë të përditshme në të gjitha nivelet e shoqërisë. Një popull me një pasuri fetare e kombëtare si popull shqiptar që jemi, e kemi ruajtur shekuj me rrallë, nuk duhet dhe nuk guxon t’i nënshtrohet asnjë force apo lakmie për të devijuar nga rruga vetme e drejtë, ajo e identitetit tonë kombëtar dhe fetar. Vetëm kështu jemi të vlefshëm, në radhë të parë për vete, pastaj edhe për të tjerët”.Olsi Jazexhi me kumtesën e vet me titull” Përdorimi politik i islamofobisë dhe sindromi i “terrorizmit islamik” në shoqërinë shqiptare pas rënies së komunizmit” përveç tjerash ceku “ Pas rënies së komunizmit me termin islamofobi në ditët tona njihet edhe nga Bashkimi Evropian si cenim i të drejtave njerëzore. Islamofobia është dhunim i drejtave njerëzore dhe kohezionit njerëzor. Diskriminimi i myslimanëve në Evropë pas vitit 1990, e sidomos pas11shtatorit të vitit 2001 ka marr përmasa jashtëzakonisht të mëdha. Përdorimi politik i islamofobisë në Shqipërinë komuniste nënkuptohet me shkeljen e lirive dhe të drejtave njerëzore. Ismail Kadare është ati i islamofobisë në Shqipërinë postkomuniste, si në aspektin kulturor, të cilin Ismail Kadare Islamin e quan si mëkat i kombit shqiptar. Kulmi i racizmit dhe islamofobisë ndaj shqiptarëve mysliman ishte botimi i broshurës së Ismail Kadaresë” Identiteti evropian i shqiptarëve”. Referuesi i ardhshëm Milazim Krasniqi në kumtesën e vet me titull”Afirmimi i Islamit universal si alternativë e disa konventave lokale” përveç tjerash ceku” feja islame është racionale e arsyeshme. Bota Islame gjendet në një krizë, pasi është bërë shkëputja e saj gjatë periudhave kohore nga dija. Islami si fe hyjnore afirmon bashkëpunimin, mirëkuptimin, tolerancën fetare,harmoninë njerëzore si segmente të gjithëmbarshme të humanizmit të civilizimit njerëzor në përgjithësi”. Referuesja Ilda Mahmuda në kumtesën e vet “Pozita e gruas në Islam, një shans për integrim” në mes tjerash theksoi” pozita e gruas në Islam nj veçori e veçantë dhe një privilegj për gruan që është një krenari për te. E drejta për arsimim, i njihet sikurse djemve ashtu edhe vajzave në Islam, e drejta trashëgimore ju takon e dhe femrave në shoqërinë islame”. Selim Gokaj në kumtesën e vet me titull”Debatet për anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën e vendeve islamike” përveç tjerash ceku se”roli dhe rëndësia e shteteve islamike është tepër e madhe, e njëkohësisht edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike ka një peshë të madhe. Opozita e majtë socialiste ashpër reagoi dhe kundërshtoi anëtarësimin e Shqipërisë në OKI, e sidomos presidentin e atëhershëm Sali Berishën, mediat e shkruara dhe elektronike hodhën një serë akuzash ndaj këtij anëtarësimi dhe ish presidentit të atëhershëm Sali Berisha. E sa ishte e dobishme ky anëtarësim shihet tani më në prag të pavarësisë së Kosovës, ky Shqipëria me të madhe lobon në favor të Kosovës, dhe ka kërkuar direkt nga OKI për ta pranuar pavarësinë e Kosovës në bllok”. Kumtesën e Mexhid Yvejsit, me titull”Islami ndër shqiptarët dhe integrimet euroatlantike” i cili për shkaqe objektive nuk mori pjesë, e lexoi Faik Miftari, i cili në mes tjerash theksoi se”Është mrekulli e mrekullive se si, nën kthetrat e disa perandorive, mbijetuan shqiptarët nëpër mijëvjeçarët. Mbijetuan shqiptarët nëpër mijëvjeçarët, jo pse ishin të parët, apo fituesit, por mbijetuan në saje të Krijuesit. Krijuesi është shkatërruesi i perandorive. Krijuesi është ndërtues i mrekullive. Mrekulli e vërtetë është mbijetesa e shqiptarëve në këtë jetë…Me pranimin e Fesë Islame nga shumica e shqiptarëve, shqiptarët jo vetëm që mbijetuan, por edhe shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan, shpëtuan sepse nuk u shkombëtarizuan. Edhe pse u tkurrën, u rrudhën, u dëbuan, u masakruan, u bënë shkrumb e hi por rilindën përsëri. Shpëtuan shqiptarët sepse nuk u shuan, nuk u faruan . Të vërteta të qëndrueshme, të vërteta të amshueshme, janë fjalët e Faik Bej Konicës i cili tha: “Të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptar…”Të vërteta të qëndrueshme, të vërteta të amshueshme, janë fjalët e Stavro Skendit, i cili në librin “Historia e Rilindjes Kombëtare”, botuar në Universitetin Princtaun në New Jersey, SH.B.A., shkruan “Shqiptarët myslimanë e përbënin shumicën dhe pa ata nuk mund të kishte Shqipëri.” Cili është kapaciteti moral i Bashkimit Evropian? Cila është gjendja shpirtërore e morale e Evropës? Mbi gjendjen shpirtërore dhe morale të Evropës, ka shkruar në numrin e qershorit 2004 të revistës gjermane “ Cicero ” Kardinali Ratzinger, i cili u zgjodh Papë, me 19 prill 2005, Papa Benedikti i XVI-të, i cili, ndër të tjera, shkruan:“Perëndimi vuan nga një vetë urrejtje e çuditshme, e cila s’mund të quhet ndryshe përpos patalogjike…Për të mbijetuar, Evropa duhet ta pranojë veten në një mënyrë të re, natyrisht kritike dhe modeste… Një botë pa Zot nuk ka ardhmëri… Evropa është e sëmurë…Nuk e dimë se si do të zhvillohen gjërat në Evropë në të ardhmen….”Shqiptarët po kalojnë një periudhë të vështirë. Ndryshku moral, gjuhësor, kulturor, shpirtëror, fetar e kombëtar po përhapet me shpejtësi ndër shqiptarë. Me çdo çmim, me çdo kusht dëshirojmë Integrimet Euro-Atlantike, duke mos menduar fare për interesa kombëtare, etnike. Me çdo çmim, me çdo kusht dëshirojmë Integrimet Euro-Atlantike, pa menduar, pa vepruar aspak, së pari, për Integrimet Shqiptare brenda trojeve tona etnike”. Redi Shehu në kumtesën e vet me titull”Drejt një integrimit në BE apo drejt asimilimit të identiteteve kulturore” përveç tjerash shprehu se “Por për të kuptuar më mirë se në çfarë raporti gjenden integrimi dhe asimilimi kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian ne duhet ta ndajmë të kuptuarit tonë në dy çështje thelbësore. Së pari : A është në të vërtetë Bashkimi Evropian i integruar në vetvete dhe cili është të kuptuarit e këtij integrimi nga anëtarët e BE-së në raport me shtetas të kulturave dhe etnive të ndryshme ?Së dyti: Cili është qëndrimi i BE-së në procesin e integrimit kur bëhet fjalë për shqiptarët si përfaqësues të një identiteti kulturor të ndryshëm me BE-në dhe pozicionimi i lidershipit politik shqiptar?Në spektrin shqiptar integrimi në strukturat e BE-së ka marrë formë dhe trajtë të ndryshme. Ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit, integrimi për qeverinë shqiptare është kthyer në një prioritet të shkallës së parë. Por, në ndryshim nga vendet e tjera spirante për t’u bërë anëtare të BE-së, Shqipëria si bartëse e një identiteti kulturor të ndryshëm, përballet me një realitet integrues sa të veçantë aq edhe qesharak. Të veçantë në trajtimin që BE duhet t’i bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve të shpërndarë në të gjitha vendet ballkanike që aspirojnë integrimin dhe qesharak në politikat, strategjitë që ndjekin shpesh qeveritë dhe elita kulturore shqiptare. Na ana tjetër qeveritë dhe elita kulturore shqiptare e kanë shpallur integrimin në BE si shpëtimin përfundimtar dhe si parajsa e zgjidhjes së të gjitha problemeve. Për këtë arsye gjatë kësaj dekade të fundit po përthithin pa filtër fare gjithçka që është oksidentale duke tentuar hapur të dëmtojnë apo të transformojnë strukturën e ADN-së tonë identitare. Ndërkohë që Bashkimi Evropian akoma nuk e ka kaluar sprovën e pranimit të anëtarëve me identitet religjioz të ndryshëm nga i saji, shqiptarëve u mbetet të tregojnë vlerat e veta si një popull i cili ka ditur përgjatë historisë të bëjë zgjedhjet e duhura. Ndoshta ne shqiptarët duke ruajtur identitetin tonë mund ta ndihmojmë Bashkimin Evropian të kapërcejë muret ndarëse, frikën dhe fobirat që vijnë si kujtim nga e kaluara”.Halil Ibrahimi në kumtesën e tij me titull”Identiteti i shqiptarëve,Islami dhe integrimet evropiane” përveç tjerash ceku” Megjithëkëtë në Europën Perëndimore ka qenë mbizotërues mentaliteti i krijimit të identitetit të ri gjithëpërfshirës bazuar në principe të lirive, të të drejtave dhe prosperitetit ekonomik duke potencuar primatin e internacionalizimit në vend të kufijve të trashëguar etnik, social dhe kulturor. . Në debatet për identitetin e shqiptarëve të cilat u zhvilluan me të njëjtin intensitet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni, kanë mbizotëruar tri elemente kryesore: theksimi i primatit të elementit kristian dhe pikë së pari atij katolik në të kaluarën dhe të ardhmen e kombit, përfolja pezhorative e elementeve Islame në kuadër të kombit qoftë në relacion me të shkuarën qoftë në konotacion me të ardhmen dhe elementi i tretë që është përmendur ndërlidhur me dy të parat ka qenë integrimi në instancat Euro-Perëndimore dhe për kushtëzimet apo ngecjet që mund të shkaktojë njëri e të cilat do ti luftojë tjetri element. Problemi kyç ka qenë integrimi i shqiptarëve në shoqërinë e lirë demokratike perëndimore dhe me këtë aspekt është ngjyrosur thuajse në tërësi esenca e debateve për identitetin. Gjithashtu, përderisa para luftës së Kosovës Kisha Katolike dhe Bashkësia Islame e Kosovës e kishin një propozim-marrëveshje për futjen e mësim-besimit fetar në sistemin arsimor të Kosovës, zyrtarët e Kishës Katolike pas luftës dalëngadalë nëpërmjet një faze neutrale kanë kaluar në opozitizëm ndaj futjes së mësim-besimit nëpër shkolla. Gjithashtu, përderisa para luftës së Kosovës elemente të caktuara katolike kishin reaguar me tone të ashpra ndaj përhapjes së protestantizmit evangjelist në Kosovë pas luftës këta zëra janë shuar dhe është bërë një aleancë e heshtur me misionarizmin evangjelist përderisa ky nuk orientohet drejt katolikëve në Kosovë por vetëm ndaj myslimanëve. Në një mori rastesh elita kishtare katolike, sidomos e Kosovës, qoftë edhe në diasporë nuk ka pushuar së përsërituri tezën dhe ftesën për kthim të shqiptarëve në rrënjët kristiane. Rasti më i fundit është ideja përçarëse e Kancelarit të Kishës Katolike të Kosovës, Shan Zefit e cila synon ta paraqesë katolikun si bajraktarin e bërjes së shtetit të Kosovës ndërsa muslimanin si një qenie inferiore e cila nëse nuk kthehet kah rrënjët i humbet meritat e patriotizmit dhe shtetformimit. . Në këtë aspekt shqiptarët janë rasti më i mirë i integrimit të kulturave me prejardhje të ndryshme element ky i cili është kyç në avancimin e integrimeve euroatlantike. Është një fakt shumë e më shumë i pranuar sot në historiografinë perëndimore se Perandoria Osmane nuk ishte një institucion ku mbizotëronte elementi fetar per se siç do të ketë ndodhur tek principatat evropiane të mesjetës. Ky element i ka mundësuar shqiptarëve, jo vetëm myslimanë por në një masë të madhe edhe ortodoksë dhe katolikë, që të inkuadrohen lirshëm në institucionet e kësaj Perandorie. Pashko Vasa, thënia e të cilit gjithashtu përdoret shumë herë për të paraqitur rolin e pakët që duhet të ketë elementi islam te shqiptarët dhe asnjëherë ai kristian, ishte një i krishterë shqiptarë i cili mbante një pozitë të lartë në aparatin e Perandorisë Osmane. Në këtë mënyrë Perandoria Osmane në shekujt e parë të ekzistencës së saj u bë një shtet kozmopolit në të cilin të gjitha fetë dhe etnitë konsideroheshin pjesë të një tërësie.” Ajni Sinani në kumtesën e vet me titull”Islami si besim dhe Islami si politikë” përveç tjerash ceku” Bota islame e gjetur përballë trysnive të shumta nga jashtë, si dhe për shkak të trazirave të brendshme si rezultat i dekadencës së saj dhe i mos udhëheqjes efikase, dhe qysh më herët si rezultat i ndarjes së dijeve në dije fetare dhe profane, është kapluar nga ndjenja e hutisë, madje edhe e tjetërsimit deri në një farë mase nga islami origjinal, gjë që është theksuar edhe më tepër nga fundi i shekullit XVIII dhe po vazhdon deri në ditët tona. Ajo çka e karakterizon këtë periudhë është shpartallimi i sundimit të shtetit universal islamik dhe imponimi i dominimit të konceptit evropian të shtetit kombëtar, dhe në disa vende edhe i sistemit evropian në politikë dhe ekonomi. Islami vendos lidhjen mes fesë dhe shkencës, religjionit dhe politikës, xhamisë dhe shkollës, tokës dhe qiellit, dynjasë dhe ahiretit, trupit dhe shpirtit, arsyes dhe besimit, idesë dhe praktikës, besimit dhe shehadetit etj. Mirëpo, duhet ë jetë e qartë se Islami kërkon që shoqëria të organizohet në parimet moralo-etike e juridike që ofron ai dhe nëpërmjet krijimit të sistemit politik, ekonomik dhe juridik-shtetëror, që do të përcaktonte vetëdijen fetare, shoqërore dhe pse jo edhe atë kombëtare të saj. Mendoj se para se të hapet ndonjë diskutim serioz për rëndësinë e lidhshmërisë së fesë dhe politikës do të ishte me interes që të njihemi edhe me përvoja të vendeve të caktuara ku raporti ndërmjet religjionit e politikës është i ngushtë dhe me influencë për zhvillimin e gjithëmbarshëm dhe prosperitetin e një populli apo një vendi”.Për shkak të natyrës së shkrimit dhe hapësirës nuk jam në gjendje të përshkruaj të gjitha kumtesat, këtu do të përmendi edhe disa nga kumtesat e prezantuara në simpozium, Kreshnik Osmani me kumtesën” Kushtet dhe standardet për integrim, kërkesa islame përpara se të jenë standarde për integrim”, Muhamed Hoxha “Të drejtat e njeriut në Islam”,Nazmi Maliqi”Gjeopolitika shqiptare në Ballkan dhe faktori Islam”, Bujar Shehu”Roli i myslimanëve shqiptar evropian në dialogun midis qytetërimeve”, Zekeria Bajrami” Marrëdhënjet e myslimanëve shqiptar në laicizmin postmodern”, Refik Gërbeshi”Islami në Evropë dhe Norvegjia, një shembull i integrimit të myslimanëve”,Roald Hysi”Monitorimi i medieve shqiptare dhe Islami” etj.Në përfundim mund të konkludojë se ky simpozium i mbajtur në Kavajën e ushtarit të UÇK-së Indrit Cara , i cili e dha jetën për lirinë e Kosovës, u ndriçua edhe më tepër kur babai i heroit kombëtar Indrit Carës ishte në mesin e ulemave dhe shkollarëve shqiptar që mbronin rëndësinë e Islamit për kombin tonë në integrimet euroatlantike. Babai i heroit Indrit Carës, i cili ndiqte me lot në sy referuesit nga gjithë Shqipëria Etnike, ishte simboli më domethënës i simpoziumit kombëtar të Forumit Musliman të Shqipërisë i cili synon mbrojtjen dhe bashkimin e kombit tonë që nga Prishtina e gjer në Konispol dhe rëndësinë që feja Islame ka për identitetin tonë kombëtar. Simpoziumi ishte një ngjarje historike edhe për Shqipërinë në përgjithësi pasi në mënyrë simbolike tregoi se si një organizatë si Forumi Musliman i Shqipërisë i cili vepron në kuadër të mbrojtjes së drejtave njerëzore, mbrojtjes së të drejtave morale, fetare, humane dhe civilizuese dha shembullin më të mirë të avancimit dhe të studimit në mënyrë shkencore të rolit të Islamit tek shqiptarët në drejtim të integrimeve euroatlantike. Këtu duhet të falënderojmë edhe sponsorin e këtij simpoziumi”Vëllezërit Haveriku” të cilët u kujdesën dhe organizuan në mënyrë të shkëlqyer mbarëvajtjen e simpoziumit kombëtar. Për ne kosovarët ishte edhe një surprizë e madhe shpallja Qytetar Nderi nga Bashkia e Kavajës për Muhamet ef.Hoxhën nga Podujeva i cili shërbeu dhe dha një kontribut të vlefshëm si mësues dhe myfti i parë i fesë Islame në qytetin e Kavajës gjatë viteve 90-ta, kohë kur në Shqipëri ra sistemi totalitar dhe vëllezërit tanë përtej kufirit ishin të etur të mësojnë fenë e të parëve tanë Islamin. Muhamet ef.Hoxha që mbodhi filizat e para të Islamit te të rinj kavajas, të cilët sot janë duke dhënë fryte në shërbim të fesë dhe atdheut është krenari jo vetëm për Kavajën por edhe për Kosovën dhe gjithë Shqipërinë.

05.02.2008

Faik MIFTARI