Author: Visal
•3:10 e pasdites

Xhamia e Gazi Mehmed Pashës apo xhamia e Bajraklisë është xhamia qendrore e Prizrenit me 28 xhami ekzistuese në te. Ajo është ngritur në vitin 1574 nga ana e ushtarakut të Perandorisë së famshme Osmane Gazi Mehmed Pasha i cili ka marr pjesë në shumë fushëbeteja anembanë Perandorisë Osmane , titullin Gazi “fitimtar”e mori pas fitoreve të bujshme në fushëbeteja të ndryshme në Greqi, Kroaci, Hungari. Gazi Mehmed Pasha gjatë jetës së vet ka lënë shumë vakëfe dhe hajrate. Në Prizren përveç xhamisë së Bajraklisë ka ndërtuar edhe hamamin, medresenë, tyrben, mejtepin, ders-hanen në kuadër të kompleksit të xhamisë. Tyrben e ngriti në oborr të xhamisë së Bajraklisë me dëshirë që aty edhe të varrosej, por ajo ka mbetur e zbrazur, gjer në ditën e sotshme, pasi që ka ra në fushëbetejë në Hungari në vitin 1596 dhe se aty është varrosur. Në tyrben e ndërtuar tani është vendosur biblioteka me dorëshkrime të vjetra orientale, në të cilin gjenden rreth 200 qitabe( libra) nga koha e Perandorisë Osmane në gjuhën arabe, perse dhe osmane (turke). Aty gjendet edhe një raritet i rrallë me vlerë jashtëzakonisht të madhe, dorëshkrimi i vjetër i Kur’anit nga viti 1312. Medreseja e Gazi Mehmed Pashës ka qenë medreseja më e vjetër, jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë, e cila ka punuar vazhdimisht gjer në vitin 1947 kur e kanë ndërprerë me dhunë procesin edukativo arsimor pushteti i atëhershëm komunist i ish Jugosllavisë. Gazi Mehmed Pasha ka shërbyer në shumë pozita të larta të Perandorisë Osmane, ka qenë vali në Erzurum e Nigebol të Turqisë, në vitin 1543një kohë të shkurtër ka qenë vali i Bosnjës, si dhe beglerbeb i Smederevës në Serbi. Gjatë ndërtimit të xhamisë së Bajraklisë ka qenë sanxhakbej i Qystendilit në Bullgari. Përveç hajrateve që ka ngritur në Prizren, në Budapest ka ngritur një hamam, një han(konak) dhe 2 teqe, ndërsa në Beograd një xhami dhe medrese.
Xhamia e Bajraklisë për myslimanët e Prizrenit është e një rëndësie të veçantë.
Në atë mbahen të gjitha aktivitetet fetare për nderë të netëve të mëdha, muajit të Ramazanit, ditëve të Bajramit, si dhe të namazeve ditore, javore,mujore dhe vjetore të rregullta të cilat janë falë me xhemat pa ndërprerë edhe gjatë luftës dhe bombardimeve të NATO-së gjatë vitit 1998-1999. Në popull është e njohur me emrin xhamia e Bajraklisë, pasi që prej ditëve të para të punës së saj, është ngritur flamuri në maje të minares për nderë të ditëve festive të saja dhe festave të Bajramit, traditë e cila vazhdon edhe në ditët e sotshme. Përveç tjerash, për Ramazan më së pari ndizen kandilat gjatë iftarit, të cilat edhe shërbejnë si sinjal për xhamitë tjera të qytetit të Prizrenit. Në te rregullisht mbahet edhe duaja e haxhit dhe se prej xhamisë së Bajraklisë në mënyrë të organizuar bëhet edhe përcjellja e haxhijve për në Qabe të ndritur. Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit rregullisht këndohet edhe mukabelja si dhe ekzekutohen programet e ndryshme fetare për nder të ditëve të shënuara fetare nga ana e talebeve(nxënë sve) të Medresesë së Prizrenit si paralele e ndarë e Prishtinës, si dhe imamëve të qytetit të Prizrenit, në organizim të Këshillit të Bashkësisë Islame(Vakëfit) të Prizrenit.
Mbi derën hyrëse të xhamisë qëndron mbishkrimi në gjuhën osmane, ku përveç tjerash shkruan: “se kjo xhami është ngritur në vitin 981 hixhri, nga ana e Gazi Mehmed Pashës i cili nuk e ka ngritur këtë xhami për shyhret(bukuri) , por për emër të Allahut, të shërbejë qytetit të Prizrenit”.


Për ndërtimin e xhamisë së Bajraklisë kemi dy rivajete(gojë dhëna) tek populli:
Rivajeti i parë:” Gjatë kohës së ndërtimit të xhamisë kanë punuar shumë punëtor të rinj, e gjatë ditëve të nxehta verore kanë vujtë , për shkak të mospasjes së lokacionit të duhur për të marrë gusull e më pas edhe abdest për të falur pesë kohët e rregullta të namazeve ditore. Pasi është njoftuar me këto probleme Gazi Mehmed Pasha, i ka ndërprerë punimet e xhamisë, dhe urdhëroi që më parë të ndërtohet hamami, ashtu edhe u bë, pas përfundimit të hamamit, shumë më lehtë dhe një shpejtësi të duhur vazhduan punimet në ndërtimin e saj, pasi që punëtorët tani i kishin të gjitha kushtet e duhura për punë të mbarë”.
Rivajeti i dytë:” Para ndërtimit të xhamisë së Gazi Mehmed Pashës, Gazi Mehmed Pasha në oborrin e saj, në lokacionin e caktuar, në një gropë ka fshehur një sasi e caktuar të arit, i cili do të shërbejë për rastet e jashtëzakonshme të dëmtimit të xhamisë me rastin e fatkeqësive të ndryshme sikurse janë të reshurat atmosferike, tërmetit e rrufeve, luftërave, zjarreve, të cilët do të kishin dëmtuar xhaminë. Me një rast xhamia është dëmtuar shumë me rastin e rrufeve dhe bubullimave, një besimtari të rregullt të xhamisë së Bajraklisë i cili falej pesë vaktet e namazeve rregullisht në xhami, ka parë në ëndërr tri net me rrallë se në lokacionin e duhur të oborrit, gjendet një sasi e konsiderueshme të arit të gropuar. Ëndrrën e vet ja tregon imamit të xhamisë, i cili së bashku me xhematlitë gropojnë në atë vend dhe gjejnë sasinë e duhur të arit dhe me atë e kanë riparuar dhe rregulluar në tërësi xhaminë e dëmtuar”.
Xhamia e Bajraklisë shtrihet në një sipërfaqe të tërësishme prej 1907m2, nga e cila brendësia e xhamisë shtrihet në 771m2 dhe oborri me sipërfaqe prej 1.136m2. Me rastin e faljes së namazeve të Bajramit mund të falen edhe gjer ne 1000 besimtar në këtë xhami madhështore dhe krenare e qytetit të Prizrenit.
Ka kuben qendrore në të cilin janë vendosur në varg çypesh, të cilët prodhojnë një akustikë natyrore në brendi të xhamisë. Në brendi të xhamisë gjenden gjithsejtë 27 dritare me dimensione të ndryshme si dhe një derë hyrëse në xhami, si dhe pesë hyrjet anësore ndihmëse të xhamisë. Në oborrin e xhamisë gjenden dy dyer hyrëse, e përparmja dhe e prapmja. Mihrabi(vendi i caktuar nga i cili imami i xhamisë udhëheq xhematin me rastin e faljes së përbashkët) si dhe mimberi( vendi caktuar në xhami nga cili imami i xhamisë i mban ligjëratat javore dhe vjetore) janë ndërtuar prej materialit të posaqshëm , që i përngjet një lloj mermeri të butë. Mbi mimber është e vendosur një levhë e bukur me thënjen”Bismil- lahirr-rrahmanir r-rrahim” si dhe 8 levhat e zakonshme me mbishkrime të njohura të cilat sipas traditës gjenden anembanë xhamive të botës. Mahfili(vend i caktuar në xhami nga i cili myezini i ndihmon imamit gjatë udhëheqjes së namazeve tërregullta me xhematë) është ndërtuar prej llojit të drurit të posaçshëm dhe të qëndrueshëm. Çursi(vendi i caktuar në xhaminë të cilin imami i xhamisë i mban derset-ligjeratat para fillimit të namazeve javore, mujore dhe vjetore) është ndërtuar me një bukuri të rrallë, e cila është punim dore i mjeshtrit të rrallë të punimeve të drurit, haxhi Ramadan Rexhepllarit. Në brendi të xhamisë gjenden edhe dy sahate të mëdha nga koha e Perandorisë Osmane si dhe një sahat i ri i kohës më të re. Në anën majtë dhe të djathtë të xhamisë gjenden vendet apo lokacione shtesë, në të cilat gjatë Ramazanit falen edhe gratë, si dhe janë edhe dy hapësira plotësuese para xhamisë, tëcilët shërbejnë për të falur xhematlitë pasi që e tërë hapësira e brendshme e xhamisë mbushet.
Në vitin 1993-1994 nën udhëheqjen e imamit të xhamisë së Bajraklisë Reshat ef. Mexhiti dhe në koordinim të plotë të Bashkësisë Islame në Prizren dhe ndihmës së pakursyer të xhematit të Prizrenit është kryer nëpërgjithsi restaurimi apo riparimi i tërësishëm i xhamisë së Bajraklisë dhe mund të themi lirisht se sot kompleksi i tërësishëm i xhamisë së Gazi Mehmed Pashës në kuadër të cilit hynë ish medreseja(tani muzeu i Lidhjes së Prizrenit), ders-hanja(tani godina e Lidhjes së Prizrenit), bibliotekën, mejtepin(tani godina e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit), paraqet me të vërtet “per exellens” apo shembull i xhamisë më të rregulluar dhe të mirëmbajtur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe mund të krahasohet vetëm me kompleksin e xhamisë së Gazi Husrevbeut në Sarajevë të Bosnjës. Kur jemi tek kompleksi i xhamisë nuk mund e të mos përmend edhe 8 krojet (çesmet), të cilët gjenden në oborr të xhamisë, dhe të cilët rrjedhin pandërprerë ditë e natë, dhe të cilët gjer para luftës së Kosovës, kanë pasur ujësjellës të posaçëm që nga periudha osmane, e cila tani nuk funksionon, pasi që është kyçur në kompleksin e ujësjellësit të qytetit, ka pas qëllua gjatë kohës kur për shkak të ndonjë avarie apo prishje të ujësjellësit, i tërë qyteti është furnizuar me ujë prej xhamisë së Bajraklisë gjer te evitimi i prishjes së ujësjellësit të qytetit.
Përveç tjerash xhamia e Bajraklisë e ka edhe rëndësinë historike të saj për popullin shqiptar në përgjithësi, ashtu që qyteti i Prizrenit me kompleksin e Lidhjes së Prizrenit i ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi që aty janë vu themelet e para të krijimit të shtetit shqiptar e cila u kurorëzua në vitin 1912 me shpalljen e Shqipërisë, pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878 në xhaminë e Bajraklisë, e jo në ders-hanen apo godinën e tanishme të Lidhjes së Prizrenit, që është një shtrembërim dhe falsifikim i qëllimshëm dhe me prapavi të caktuara politike, ky kuvend ishte përgjigje ndaj vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, i cili njohu përveç tjerash pavarësinë e Serbisë, Malit të Zi, si dhe zgjerimin e tyre si dhe të Greqisë në dëm të trojeve shqiptare të banuara me shumicë shqiptare të cilët ishin në kuadër të Perandorisë Osmane.
Sivjet me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, saktësisht me datën 12 qershor 2007në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe myftiut të saj Naim ef.Tërnava është vendosur pllaka përkujtimore në xhaminë e Bajraklisë me këtë shkrim të shkurtër” Në këtë xhami është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit,10 qershor 1878”.

Faik MIFTARI
Author: Visal
•10:36 e pasdites
Pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të mbajtura kohë më parë, gjegjësisht me 17 nëntor 2007, Kosova tani do të ballafaqohet me dy sfida jetike të saj. E para, krijimi i qeverisë së re funksionale të Kosovës, nga vota e lirë e qytetarit, si dhe ajo e dyta parësore apo kruciale, rrumbullaksimi apo finalizimi i statusit politik të Kosovës.Tek sfida e parë, lideri i PDK-së Hashim Thaqi, si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, fitues i zgjedhjeve të 17 nëntorit në Kosovë, me të vërtet do të ballafaqohet me çështjet më të rënda gjatë karrierës së tij politike, i cili duhet medoemos të tregojë pjekuri politike, urtësi, diplomaci, strategji, guxim, dhe mbi të gjithë punë të pandërprerë natë e ditë për të qeverisur dhe menaxhuar Kosovën në krye të qeverisë e cila do të jetë që në start e "bombarduar" si në aspektin politik, njashtu edha atij ekonomik e social. Edhe pse do të jetë i sugjeruar nga faktori ndërkombëtar, që në qeverinë e tij, të përfshijë një spektër më të gjerë politik aktual, përkundër çastit dhe momentit historik në të cilin gjendet Kosova, kjo për të do të jetë shpatë me dy teh, pasi që në njërën anë do të jetë i detyruar të udhëheq me një qeveri, jo sipas dëshirës, por sipas sugjerimit, e cila qeveri do të mund të jetë irracionale dhe jologjikshme për skenën aktuale politike kosovare dhe raportit të forcave që janë momentale, por me të vetmin detyrë të implementimit të statusit të përcaktuar të Kosovës. Në nën tjetër, kjo qeveri e formuar nuk do të jetë e efektshme për të menaxhuar dhe për të përmirësuar krizën ekonomike dhe sociale me përmasa të mëdha, e cila do të reflektohet haptas në sipërfaqe, menjëherë pas përcaktimit të statusit politik të Kosovës. Edhe pse kjo qeveri e formuar do të jetë plotësisht legale në njërën anë, por në anën tjetër do të jetë me një legjimimitet tejet të zbehur, pasi që atë e kanë votuar vetëm 40% të elektoratit nga numri i tërësishëm i elektoratit me të drejtë vote në Kosovë. Por në sistemin demokratit edhe mos dalja në votime apo bojkoti i pjesshëm i tij, është një e drejtë themelore e votuesit që nuk merr pjesë në votime, njëjtë sikur edhe i atij që del në votime.Sfida e dytë me të cilën Kosova do të ballafaqohet gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm do të jetë përcaktimi, po apo jo, përfundimtar i statusit politik të saj. Në momentin që jam duke shkruar këtë analizë, është duke u mbajtur në Baden të Austrisë cikli përfundimtar i bisedimeve shtesë 120 ditore. Edhe pse nuk pritet ndonjë rezultat spektakular për ndonjë kompromis të mundshëm eventual të palëve negocuese Prishtinë-Beograd, në prani të treshes ndërkombëtare, është e udhës që të përfundoj edhe ky cikël bisedash të tej zgjatura gjer më 10 dhjetor, ditë e cila përfundon me dorëzimin e raportit të treshes së caktuar nga Grupi i Kontaktit sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Për ne shumë me e rëndësishme është se çfarë do të përmbajë raporti i treshes së dorëzuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe se çfarë do të propozojnë apo sugjerojnë ata për më tutje lidhur me statusin politik të Kosovës. Pas 10 dhjetorit Kosova do të ketë një rrugëtim të gjatë me sfida të shumta dhe të papritura, me plot opsione, duke mos e përjashtuar edhe atë luftarak. Edhe pse është plotësisht e qartë se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk do të mund të kalojë kurrfarë zgjidhje për Kosovën, duke marrë parasysh veton ruse, qëndrimi rus i cili edhe më tutje është apriori kundër çfarëdo zgjidhjeje për Kosovën në rast se nuk është i pajtimit me të edhe Serbia, Kosova do të duhej patjetër të kalojë në një rrugë, jashtë KS të OKB-së drejtë pavarësisë së saj.Para se të bëhet shpallja e pavarësisë së Kosovës, nënkuptohet në koordinim të plotë me faktorët kryesor ndërkombëtar që e mbështesin këtë ide, të gjitha institucionet e Kosovës duke u nisur që nga kuvendi, qeveria, presidenca, SHPK-së, TMK-së, UNMIK-un, KFOR-in dhe organet tjera gjegjëse, duhet të ndërmarrin të gjitha para përgatitjet e duhura për të gjitha opsionet e mundshme që mund të ndodhin pas vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pa i kryer të gjitha përgatitjet e duhura, dhe se populli shqiptar me kohë të njoftohet paraprakisht dhe të jetë i gatshëm për çdo opsion të mundshëm, duke mos përjashtuar edhe opsionin luftarak, nuk duhet të ndërmerren hapa të pamatura dhe pakoordinuara më parë. Barra kryesore do të bie mbi kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaqi i cili do të duhej të jetë në nivelin e pozitës dhe detyrës që e ka.Mbetet të përkujtoj kryeministrin e ardhshëm të Kosovës z.Hashim Thaqin me një thënie të urtë profetike" mos lejo kurrë që gjarpri të të kafshojë dy herë nga gropa e njëjtë". Në rast se gjatë luftës së Kosovës së vitit 98-99 Kosova dhe populli shqiptar i saj ka qenë i pa përgatitur me opsionin e luftës dhe i pa udhëzuar nga lidershipi politik i atëhershëm, në këto çaste vendimtare historike për popullin shqiptar dhe Kosovën në veçanti, nuk guxon të gjejë të pa përgatitur dhe të pa udhëzuar nga lidershipi politik aktual i saj, mos dhashë Zoti, edhe me kërcënimet luftarake të Serbisë ndaj Kosovë.
Në përfundim të kësaj qasjeje, të gjithë shqiptarëve që gjenden në Shqipëri, iu uroj dhe ju përgëzoj, 28 nëntorin ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa të gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në trojet etnike shqiptare si dhe të gjithë shqiptarëve tjerë kudo qofshin ata, ditën e Flamurit, me dëshirë që vitin e ardhshëm ditën e Flamurit ne kosovarët ta festojmë, dhashë Zoti, në Kosovën e pavarur.


Faik MIFTARI

27.11.2007