Author: faik
•9:01 e pasdites
Pas pavarësimit të Kosovës me 17 shkurt 2008, nisi një etapë e re e rrugëtimit të Kosovës në zikzaket diplomatike botërore, drejt përpjekjes së saj për njohjen nga shtetet ndërkombëtare anëtare të Kombeve të Bashkuara.Përkundër shteteve të sapo dala nga ish republikat përbërëse të ish federatës jugosllave, të cilët me rekomandimet e Badinterit më parë organizuan referendumet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, në të cilët qytetarët e tyre me votën e lirë shprehën vullnetin e tyre për mënyrën dhe formën e organizimit të mëtutjeshëm të shteteve të tyre, i cili ky vullnet u njoh edhe ndërkombëtarisht dhe si të tillë më pastaj u pranuan dhe u anëtarësuan edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si anëtar të rregullt. Duke u nis që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbisë u njoh e drejta e trashëgimisë dhe vazhdimit të shtetësisë së saj jugosllave, duke vazhduar automatikisht anëtarësimi i saj në OKB, në rastin e Kosovës kjo procedurë nuk u përfill, nuk iu mundësua qytetarëve të Kosovës të shprehin vullnetin e lirë me votën e lirë për mënyrën dhe formën e mëtutjeshëm të vetëvendosjes, pasi që sovraniteti buron nga populli, këtu ka plotësisht të drejtë Albin Kurti lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që nuk u lejua që populli i Kosovës të vetëvendos me plebishitet për fatin mëtutjeshëm të tij, por pavarësia e Kosovës u shpall në koordinim dhe konsultim me faktorët vendimmarrës botëror, me një çmim të lartë, që të zbatohet dhe implementohet plani gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari nga pala kosovare, edhe pse si i tillë ky plan u kundërshtua dhe u refuzua nga ana e Serbisë.Pasi kjo pavarësi e Kosovës nuk u arit me pajtimin unanim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në rastin konkret hasi në refuzimin këmbëngulës në rrallë të parë të Rusisë, por edhe asaj të Kinës, si shtete me të drejtë vetoje, kjo po sjell kokëçarje dhe reperkusione të mëdha politike për Kosovën gjatë rrugëtimit të saj drejt njohjes dhe anëtarësimit në institucionet me renome ndërkombëtare. Gjer tani, Republikën e Kosovës e kanë njohur vetëm 38 shtete nga 192 shtete anëtare të OKB-së, apo shprehur në përqindje,vetëm 20% nga numri i gjithëmbarshëm i shteteve anëtare, e për t’u pranuar në OKB në sesionin vjetor të Asamblesë së OKB-së që nis rregullisht në shtator, nevojiten 2/3 apo 130 shtete anëtare me të drejtë vote në OKB. Por realiteti është i tillë, dhe se Kosovës s’i mbetet tjetër veç të vazhdojë me një strategji të duhur dhe sens diplomatik, e jo si në start të diplomacisë kosovare me gafin e treguar diplomatik, si ishte rasti i mospjesëmarrjes së kryetarit të Kosovës Fatmir Sejdiu apo kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, në takimin e rrallës e OKI-së në Senegal, edhe pse të ftuar me kohë, e që tani kjo po reflektohet në ngadalësim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Me ndihmën e faktorëve ndërkombëtar vendimmarrës duhet të vihet në lëvizje i tërë potenciali politik dhe diplomatik drejt lobimit në të gjitha anët e botës, pikësëpari në Azi, Afrikë, Amerikë Latine, për njohjen sa më të madhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës.Në këtë betejë diplomatike me Serbinë, e cila me të madhe është duke lobuar dhe bërë presion për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke u thirr në Rezolutën 1244 të OKB-së, duhet të ndihmojë me të madhe edhe Shqipëria me një traditë njëshekullore të diplomacisë së saj shtetërore, karshi Kosovës, e cila është tek në fillim të krijimit të diplomacisë së saj shtetërore.Duhet pas kujdes shumë të madh, sidomos tani tutje, në përzgjedhjen e diplomatëve dhe ambasadorëve të ardhshëm të Kosovës, mbi të cilët do të bie barra kryesore e ballafaqimit të betejës diplomatike me Serbinë. Prioritet për emërimin e tyre duhet të jenë, njerëz të kalibrit dhe shkathtësisë diplomatike në radhë të parë, e jo të emërohen individ të dëgjueshëm apo servil partiak, pasi që kjo nuk ka të bëjë me politikën e brendshme të Kosovës, që edhe mund të nënkuptohet të vijnë kuadro sipas vijave partiake.Pikësëpari, si shembull, do të propozoja në njërën anë, personalitetin e Veton Surrojit, të cilin duhet medoemos emëruar diplomat në Uashington, Nju Jork apo Bruksel, apo në anën tjetër personalitetin e Fuad Ramiqit, të cilin duhet emëruar në Ankara, Riad apo Teheran, të cilët me kreativitetin, potencialin, shkathtësinë, largpamësin e sensin e tyre diplomatik, do të kontribuonin drejt njohjes sa më të madhe dhe funksionale të pavarësisë së Kosovës.

30.4.2008
Faik MIFTARI
Author: faik
•7:32 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht me datë 9 prill 2008, Kuvendi i Kosovës me aklamacion miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo me të vërtet ishte një datë me rëndësi, dhe se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe de jure nga Serbia, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Kosovës. Është normal në sistemin parlamentar që kuvendi është organ më lartë legjislativ i cili edhe miraton aktin më të lartë juridik të një shteti, gjegjësisht kushtetutën e një vendi. Por, ecuria, mënyra dhe rruga e miratimit të Kushtetutës në Kuvendin e Kosovës ka qenë një veprim i cili i ka shkelur dhe anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare si dhe i ka nëpërkëmbur parimet e demokracisë. Pas shpalljes zyrtare të Projektkushtetutës së Kosovës nga ana e komisionit kushtetues dhe hedhjes së saj në diskutim publik, mënyra e mbajtjes dhe organizimit të diskutimit ishte ad hock, sa për të arsyetuar se u aplikua procedura e rregullt, koha ishte e shkurtër me përkufizime kohore, për shfaqjen e mendimeve, propozimeve dhe sugjerimeve për dhe kundër neneve të caktuara të Projektkushtetutës së Kosovës, mbajtja e diskutimeve në hapësira të vogla publike, me të vetmin qëllim që të vijnë sa më pak pjesëmarrës në diskutime publike. Anëtarët e komisionit kushtetues në sqarimet e tyre para qytetarëve e lëvdonin dhe glorifikonin tej mase Projektkushtetutën e Kosovës si një propozim më të mirë të mundur, demokratik, evropian, konciz, e shkurtër, e qartë e kështu me rrallë. Pas kohës së paraparë për diskutim publik, në versionin përfundimtar të saj, shumë pak janë marr në konsideratë propozimet,sugjerimet, mendimet që dolën nga qytetarët gjatë diskutimit publik. Edhe pse ka qenë e ditur më parë se pjesa përfshirëse e propozimit të pakos së Ahtisarit, është”Kur’an apo Bibël”, që fare nuk bën të preket, por në pjesën tjetër ka qenë e mundshme të bëhen plotësime, sugjerime, por ato si të tilla fare pak janë përfillur. Kulminacion i kësaj ka qenë forma dhe mënyra e miratimit të Kushtetutës së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, ku nuk është lejuar apo mundësuar deputetëve të zgjedhur të popullit që të thonë fjalën e vet në seancën e mbajtur lidhur me propozimin në fjalë, por iu është mohuar edhe drejta e votimit, duke i sjellë para aktit të kryer që me aklamacion të miratojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës enkas të servuar më parë.
Dikur ishte kryeparlamentari i Kosovës Nexhat Daci, ai që gjatë fjalimeve të deputetëve, iu marrke fjalën duke i shkyçur kohë pas kohe mikrofonin, me ç’rast i ndërprrente diskutimet, tani, kryeparlamentari Jakup Krasniqi shkoi një hap edhe më përpara nga ish kolegu i tij, duke ja pamundësuar fare mikrofonin deputetëve për të shprehur mendimet e tyre lidhur me propozimin e Kushtetutës . Ky veprim i tillë në sistemin parlamentar të Kosovës është vazhdim i asaj që me procedurë të shpejtuar, pa të drejtë diskutimi, në pako, janë aprovuar ligjet që dolën nga plani gjithëpërfshirës i Ahtisarit që paraqet një shkelje e rëndë e procedurës së rregullt demokratike parlamentare. Ky veprim i tillë nuk ka ndodhur as në sistemin e mëparshëm komunist, në të cilin ndodhej edhe Kosova. Ishte viti 1989, isha në atë kohë absolvent, ishte koha e ndryshimeve apo amendamenteve në Kushtetutën e vitit 1974 të Kosovës, më kujtohet si sot në Prizren, në sallën e Kuvendit Komunal, qe organizuar një debat me qytetarët e Prizrenit, lidhur me propozimet apo amendamentet në Kushtetutën e vitit 1974, ku morën pjesë me qindra qytetarë, dhe enkas të ardhur nga Beogradi të eksperteve serb juridik me asistencën e ekspertëve politik shqiptar. Pas diskutimeve, kundërshtimeve, sugjerimeve të shumta propozim amendamentet në Kushtetutën e vitit 1974 të Kosovës u hodhën në tërësi si të papranueshme. Edhe gjatë miratimit të tyre në Kuvendin e Kosovës me 23 mars 1989, edhe pas të gjitha presioneve, shantazheve, kërcënime, u mundësua votimi i delegatëve të Kuvendit të Kosovës, dhe se pas procedurës së votimeve ishin 11 apo 13 delegatë, që votuan kundër ndryshimeve apo amendamenteve në Kushtetutën e Kosovës. Por nuk do të mund as të paramendoja se tani pas 19 viteve, në Kosovën e pavarur,në një sistem shumëpartiak me demokraci të avancuar parlamentare, do të mund të mohohet apo kufizohet e drejta e lirë e deputetit të zgjedhur nga vota e lirë e qytetarit, për të diskutuar apo edhe për të votuar për aktin më të lartë juridik të shtetit, siç është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Gjatë fazës së diskutimit publik, edhe pse nuk jam ekspert apo me profesion jurist, disa herë e lexova me vëmendje dhe kujdes të plotë Projektkushtetutën e Kosovës, vërejtjet dhe sugjerimet e mia i shpreha në mënyrë publike gjatë dy debateve të organizuara në Prizren, si dhe me shkrim i përcolla nëpërmes postës elektronike në ueb faqen zyrtare të komisionit kushtetues të Kosovës, me ç’rast obligimin tim si qytetar ndaj aktit më të lart juridik të shtetit e kreva me plot dëshirë. Edhe pse një shok i imi më tërhoqi vërejtjen, që të reagojë edhe në nenet 24 e 37, se këtu fshihet një e keqe e madhe, sepse lejohet hapësirë që në një të ardhme të përafërt duke u thirrur në Kushtetutë të Kosovës të aprovohet Ligji i cili do t’ju lejon martesën apo kurorëzimin e personave të të njëjtës gjini, unë vërejtjet e tia nuk i përfilla, duke i thënë se kjo në Kosovë nuk do të mund të ndodh fare. Por gjatë kohës sa isha duke shkruar këtë shkrim, lexova në shtypin ditor, deklaratën e kryeparlamtarit të Kosovës Jakup Krasniqit ” se me këtë Kushtetutë iu mundësohet një gjë e tillë, do të thotë lejimi i martesës apo kurorës të personave të të njëjtës gjini, pasi kemi qenë nën presionin e fortë ndërkombëtar dhe të detyruar të pranojmë”. Po çoftë kjo edhe prej Jakupit, e tepërt është, dhe është për çdo akuzë kjo deklaratë e tij, dhe si të tillë nuk do t’ia falin qytetarët e Kosovës. Në rast se kemi qenë të detyruar të pranojmë propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisarit si çmim që duhej paguar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë çmim kjo nuk do duhej pranuar as nga komisioni kushtetues i Kosovës e as nga krerët më të lartë udhëheqës të Kosovës,si nga kryetari, kryeministri e kryeparlamentari, historia dhe populli i Kosovës nuk do t’ia falin kurrë një akt të tillë të lejuar, aspak duke mos i fajësuar deputetët e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës, pasi që me siguri shumica e tyre një gjë të tillë nuk do të kishte pranuar, por si të tillë qenë sjellë para aktit të kryer, pasi iu është pamundësuar diskutimi dhe amandamentimi i neneve të caktuara, e më pas edhe mohimi i votimit të tyre. Krahas disa shteteve të pakta në botë që e lejojnë një gjë të tillë, martesën apo kurorëzimin e personave të të njëjtës gjini(homoseksualëve, lesbikeve), aplikohet që edhe në shtetin e ri të Kosovë të imponohet një gjë të tillë nën presion të fortë ndërkombëtar, e që bie ndesh me kulturën dhe traditën familjare të popullit shqiptar të Kosovës si në aspektin kombëtar e njashtu edhe atij fetar. E kjo e ka prapavijën e tillë që të aplikohet më parë në Kosovë, ku shumica absolute është myslimane, që të nesërmen të provohet të zbatohet dhe të imponohet edhe në shtetet tjera me shumicë myslimane, për të degraduar dhe degjeneruar shoqërinë njerëzore në përgjithësi, jo vetëm myslimane por edhe të krishtere. Kjo ide si e tillë assesi nuk duhet të pranohet dhe të kundërshtohet fortë, pasi që si e tillë do të sjell pasoja të papara për një shoqëri të tillë me tradita të pasura familjare,kulturore e njerëzore në Kosovë. Do e përmbylli këtë vështrim me thënien e të madhit Adem Demaqi: “Kosova është një poligon eksperimental në të cilin fuqitë e mëdha kryejnë eksperimente të ndryshme politike, ....”. Si e tillë fare nuk do koment.
13.4.2008
Faik MIFTARI