Author: faik
•3:21 e pasdites

Me 1 dhjetor 2010 fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës të cilët do të mbahen me 12 dhjetor 2010. Edhe pse fushata zgjedhore fillon zyrtarisht me 1 dhjetor 2010, fushata parazgjedhore ka nis që moti anekënd Kosovës. Me 12 dhjetor 2010 populli i Kosovës do të ketë mundësi të zgjedh 120 deputetë për Kuvendin e ri të Kosovës, nga i cili legjislativ do të zgjidhet më tutje ekzekutivi (qeveria) e re e Kosovës dhe kryetari i ri i Kosovës. Në garë janë përfshirë 29 parti, koalicione, iniciativa qytetare, prej të cilëve 7 janë subjekte të cilët përfshijnë spektrin politik shqiptar, ndërsa 22 të spektrit politik të cilët përfshijnë kryesisht minoritarë në gjirin e vet.
Është e njohur se Kosova në raste të caktuara ka qenë ”sui generis”, edhe sa i përket zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Kosova paraqet prapë një rast ”sui generis”, pasi që në shumicën e vendeve parlamentare demokratike zgjedhjet parlamentare mbahen në çdo 4 vjet, aty këtu qëllon që në ndonjë situatë të veçantë mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në Kosovë është një dukuri tjetër që daton që nga viti 2001, që në çdo 3 vjet të kemi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, sikurse në vitin 2001, 2004, 2007, 2010, e nuk është çudi që prapë të mbahen në vitin 2013 dhe se nuk do të jenë të rëndësishme se si do të quhen ato, të parakohshme apo të jashtëzakonshme, por një është e sigurt se nuk do të jenë të rregullta të cilët do të duhej të mbaheshin në vitin 2014 sipas procedurës së rregullt demokratike.
Tani të shohim se si janë gjasat e subjekteve politike kosovare aktuale në skenën politike të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës(PDK-ja) si parti fituese e zgjedhjeve të vitit 2007, e cila ishte në koalicion qeveritar për 3 vjet me LDK-në dhe minoritarë, edhe pse në vend që të krijojë një strategji më afatgjate të qeverisjes në Kosovë, në të gjitha fushat e veprimtarisë qeverisëse të saj, ajo u vetëkënaq, me një strategji parciale të veprimit të saj, e cila është përqendruar kryesisht në dy fusha apo resor, në atë të ndërtimit të rrugëve dhe të ndërtimit të shkollave, ndërsa në fusha tjera nuk arriti të tregojë ndonjë sukses të efektshëm apo të prekshëm të saj, dhe se në mediumet e caktuara elektronike apo të shkruara është quajtur si ”qeveria e asfaltit apo e shkollave”. Por në këto dy fusha, në të cilët janë investuar me qindra miliona euro gjatë qeverisjes trevjeçare të saj, kemi edhe akuza të shumta nga opozita, shoqëria civile, media të shkruara dhe elektronike, si qeveri e dyshuar për keqpërdorim, keq menaxhim, korrupsion e jo transparencë, të parasë publike nga taksapagues kosovar. Pas gjithë kësaj, një është e sigurt, ndoshta prapë do të del e para sipas rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë, por do të ketë rrënje të dukshme të votave të fituara në krahasim me vitin 2007(kur i pat fituar 34,3% të votave, apo 196.207 vota, apo 37 ulëse në Kuvendin e Kosovës). Nuk mund të mos e cek edhe një detaj të rëndësishëm për zgjedhje, se elektorati apo votuesi herën e parë mund të jap votën për meritë, herën e dytë për hatër, por herën e tretë do ta dënojë me siguri, për mos dhënie vote, për shkak të mospërmbushjes së premtimeve megalomane apo edhe të qeverisjes jo të suksesshme të saj në fusha të caktuara.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) si forcë e dytë politike në Kosovë, e cila ka qenë në koalicion së bashku me PDK-në, gjatë qeverisjes së përbashkët trevjeçare, ka pas një pozitë, në rast se nuk mund të them nënshtruese, por inferiore po se po, në krahasim me partnerin e saj qeverisës PDK-në, e cila ka ndikuar me të madhe në katandisjen e saj, edhe pse ka pas rastin ideal që këtë ta ndërrprejë në “natën e Zanzibarit”, dhe të dalë pas saj faqebardhë, ajo brenda natës ndërroi mendimin dhe vazhdoi edhe më tutje me PDK-në, e cila la vragë të thellë, dhe se vetëm në prag të zgjedhjeve doli apo braktisi qeverinë, një vendim i vonuar apo të quajtur”gabim në hapa” i cili do të lenë gjurmë. Ardhja e “mesihut” shpëtimtarit së saj në krye të LDK-së të “hazreti Isës” i cili po përpiqet të ndërrojë kahjen dhe filozofinë e veprimit politik të gjertanishëm të LDK-së, po sa do të jetë i suksesshëm një veprim i tillë politik në prag të zgjedhjeve, apo do të jetë i vonuar, do të shohim natën e 12 dhjetorit 2010 kur populli apo elektorati të ketë dhënë verdiktin e tij. Por një është e sigurt, se LDK-ja do të ketë rritje të dukshme të votave në krahasim me vitin 2007 (kur i patë fituar vetëm 22,6% të votave, apo 129.410 vota, apo 25 ulëse në Kuvendin e Kosovës). Por kjo rritje a do të jetë e mjaftueshme për të dal fituese e zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010 do të shohim natën e 12 dhjetorit 2010, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-ja) si forcë e tretë politike në Kosovë, në zgjedhje hynë e përforcuar me aderime dhe prurje të shumta nga subjektet e tjera kosovare. Lirisht mund të thuhet se ka qenë zëri më i zëshëm opozitar në Kuvendin e Kosovës gjatë koalicionit trevjeçar të PDK-së dhe LDK-së. Mendoj që do të ketë shtim të votave, e si indikator i saj është rezultati i arritur në zgjedhjet komunale për kryetar komune në Suharekë dhe Rahovec (Blerim Kuqi dhe Ismajl Latifi), në krahasim me vitin 2007(kur i patë fituar vetëm 9,6% të votave, apo 54.611 vota, apo 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës). Hendikep i AAK-së në këto zgjedhje është mungesa e liderit të saj politik z.Ramush Haradinaj, i cili për momentin gjendet në paraburgim në Hagë në pritje të rigjykimit të tij nga Tribunali i Hagës.
Aleanca për Kosovën e Re (AKR-ja) si subjekt politik që ka treguar sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e vitit 2007, si në nivelin qendror ashtu edhe atij lokal, në këto zgjedhje do të hyjë në garë e dobësuar, edhe pse ka lidh një koalicion parazgjedhor të gjerë i titulluar me emrin Koalicioni për Kosovën e Re, do të ketë rrënjë të ndjeshme të votave në krahasim me vitin 2007( kur i patë fituar 12.3% të votave, apo 70.165 vota, apo 13 ulëse në Parlament), falë edhe politikës osciluese të lidershipit aktual të saj z.Behgjet Pacolli, i cili pothuajse e ka braktis fare dhe nuk ka treguar interesim për bazën e saj elektorale, e cila ka qenë potenciali kryesor i fitimit të votave në vitin 2007, ashtu që gjatë kësaj kohe trevjeçare, nga 13 deputetë që i ka pas në legjislativ, 7 prej tyre e kanë braktis AKR-në dhe kanë aderuar në parti tjera, ndërsa me dhjetëra e qindra anëtar, simpatizant, të aktivëve, nëndegëve dhe degëve e kanë braktisur AKR-në dhe kanë kaluar në subjekte tjera politike. Gjatë kësaj periudhe trevjeçare edhe pozicioni i saj në Kuvend ka qenë herë herë oscilues, herë sillej si opozitë e herë si pjesë e pozitës, ashtu që edhe më tepër ka sjell huti edhe më të madhe në mesin e simpatizuesve, anëtarëve dhe strukturave të saja partiake. Një është e sigurt, që AKR-ja do ta kalojë pragun zgjedhor, e ndihmuar dhe e përforcuar me subjekte tjera të vogla politike, të cilët iu janë bashkëngjitur për shkak të pamundësisë të kalimit të pragut zgjedhor prej 5 %, porse rezultati i saj përfundimtar do të jetë më i ultë nga ai që ka qenë në vitin 2007.
Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD-ja) si subjekt politik që u themelua pas ndarjes së saj nga LDK-ja në vitin 2006 pas të ashtuquajturit
” Kuvendi i karrigave”, në këto zgjedhje hynë e dobësuar dhe se do të jetë sukses për ta në rast se do të mund të kalojnë pragun zgjedhor, pasi që një pjesë jo e vogël e saj janë rikthyer në partinë e LDK-së, e me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, kjo edhe më tepër ka ndikuar në dobësinë e saj. Për të shpëtuar veten, ajo ka pas dashtë të hyjë në koalicionin parazgjedhor me LDK-në, e jo të pres zgjedhjet e pastaj të hyjë në koalicion me LDK-në, ky është një koncept i gabuar i lidershipit të saj politik Nexhat Dacit, i cili mund t’i kushtojë shtrenjtë dhe që do të mund të jetë edhe ”vetëvrasje politike” e tij, mos kalimi i pragut zgjedhor me 12 dhjetor 2010, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2007( kur i patë fituar 10,0% të votave, apo 57.002 vota, apo 11 ulëse në Kuvendin e Kosovës).
Lëvizja Vetëvendosje si subjekt i ri politik i cili tani është kyçur në skenën politike kosovare, në saje të figurës karizmatike të lidershipit të saj politik Albin Kurti, i cili ka një simpati të madhe në një shtresë të caktuar, sidomos shtresës rinore, ka sjell risi dhe freski në skenën politike kosovare. Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë pragun zgjedhor, por prej saj varet shumë sa do të arrijë të ndikojë tek të rinjtë që të dalin në votime, e sidomos ata që kanë fituar të drejtën e votës, dhe atyre të cilët fare nuk kanë dal gjer tani në votime apo kanë abstenuar gjer tani, ku edhe pritet që të fitojë më së shumti vota, pasi që tek shtresat e mesme dhe të vjetra beteja e tyre për fitimin e votave do të jetë më e vështirë për shkak të përcaktimit të tyre për një periudhë më të gjatë kohore për subjekte të caktuara politike aktuale, por nuk do të thotë që edhe këtu nuk do të fitojë vota.
Partia Fryma e Re (FER), e cila u paraqit së voni në skenën politike kosovare, si subjekt më i ri politik i cili solli një frymë të re në prezantimin e ideve dhe koncepteve të reja politike, me figura të reja dhe ekspertë të përgatitur me orientime perëndimore, e cila do, ta hedh në pension politikën e vjetër kosovare me proklamimin e tyre për një politikë të re kosovare. Hendikep i FER-it është se shumë pak kohë kanë pas për shtrirjen dhe zgjerimin e tyre në Kosovë pasi që janë ballafaquar për një kohë të shkurtër me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me 12 dhjetor 2010, por sido që të jetë për ta do të ishte suksesi i madh kalimi i pragut zgjedhor, por edhe në rast të mos arritjes së këtij pragu, nuk duhet të zhgënjehen pasi që perspektiva dhe ardhmëria do të jenë në anën e tyre në Kosovë.
Subjektet tjera të vogla politike të cilët janë radhitur në koalicionet e ndryshme apo i janë bashkëngjitur atyre me të vetmin qëllim të mos pasjes së mundësisë të kapërcimit të pragut zgjedhor dhe se tani e tutje definitivisht subjektet e vogla politike të cilët fitojnë vetëm 1 apo 2% të votave do të jenë në margjinat politike dhe se veprimi i tyre politik jashtëparlamentar do të jetë i papërfillshëm në skenën politike kosovare.
Të gjitha subjektet politike minoritare do të garojnë për 20 vende të rezervuara për ta, sipas pakos së Ahtisarit, dhe se cili do prej tyre të fitojë numrin më të madh të votave, do të ketë rast të fitojë edhe vendin e rezervuar në Parlamentin e ri të Kosovës, varësisht prej përqindjes së daljes së minoritarëve në vendvotime, mund të fitojmë edhe ulëse shtesë në Kuvend përveç 20 vendeve të rezervuara për ta,e sa do të jetë ky numër shtesë do të shihet pas rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë.

01.12.2010
Faik MIFTARI