Author: faik
•7:55 e paradites

                                                      
             Viti 1999 do të mbetet i shënuar me shkronja të arta në historinë më të re të popullit shqiptar në përgjithësi e të Kosovës në veçanti, si vit në të cilin ndodhi një kthesë e madhe politike, ushtarake, humanitare, shoqërore në Kosovë, ku SHBA-ja me aleatët e saj, me aleancën Veriatlantike, NATO-në, në 50 vjetorin e themelimit të saj, për herë të parë në Evropë ndërmori një luftë ajrore kundër Serbisë, duke e bombarduar pandërprerë 77 ditë ish Republikën Federale të Jugosllavisë, për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga shfarosja totale e tij, duke u thirrur në parimet humanitare të civilizimit njerëzor, pas refuzimit të marrëveshjes së Rambujesë të cilin pala shqiptare e pranoi, ndërsa pala serbe me ish liderin e saj Millosheviçin e refuzoi.          Pas marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 me ç’rast u arrit paqja pas luftës gati 4 vjeçare në Bosnjë e Hercegovinë, politika pacifiste e udhëhequr nga ish lideri politik i Kosovës Ibrahim Rugova, filloi të zbehet, pasi që gjer atëherë nuk dha ndonjë rezultat të duhur  për zgjidhjen e çështjes politike të Kosovës, pas së cilit filluan aksionet e para guerile  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të udhëhequra nga komandanti i saj  Adem Jasharit, që arritën kulminacionin pas rezistencës heroike të familjes së Jasharëve në mbrojtjen e pragut të shtëpive të tyre,  me pushkë në dorë dhe nuk u larguan nga ato gjer në rrënjën e  tyre me 5,6 dhe 7 mars 1998. Pas kësaj date historike, UÇK-ja u zgjerua dhe aksionet guerile u përhapën përveç Drenicës edhe në viset tjera si në Dukagjin, Pashtrik, Llap e kështu me rradhë. Por pasi që në Kosovë me vite të tëra ishte prezent lëvizja pacifiste e LDK-së me liderin e saj Ibrahim Rugova, ndërsa lëvizja ilegale LPK-ja ishte ajo që nisi dhe ndërmori e udhëhoqi aksionet guerile ( edhe pse tani po dalin në shesh edhe njohuri të reja se kush e ka meritën dhe primatin kryesor, e cila iu mbetet historianëve që të hulumtojnë dhe të shkruajnë më tej), në vend se këto dy lëvizje të bashkohen dhe të gjitha forcat politike, njerëzore, ushtarake, të orientohen drejt qëllimit kryesor, çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb , edhe pas sa e sa takimeve si brenda ashtu edhe jashtë, nuk u arrit marrëveshja dhe se dallimet nuk u kapërcyen, duke marrë për bazë si për njërën ashtu edhe për palën tjetër,  se armik e shihnin vetë palën e kundërt.Kështu që gjatë verës së vitit 1998 pasoi ofensiva serbe ushtarake me ç’rast për vetëm dy muaj, shkatërruan, dogjën  anekënd Kosovës dhe zmbrapsën rezistencën guerile të njësive të UÇK-së, të cilët për të shpëtuar veten, u tërhoqën brenda maleve të  Kosovës apo edhe dolën jashtë. Gjatë dimrit të vitit 1998/1999 forcat guerile të UÇK-së u ristrukturuan dhe  përsëri  nisën me aksionet sulmuese, pas së cilës pasuan bisedimet në Rambuje. Edhe pas nisjes së bombardimeve të NATO-së, në terren nuk arritën ndonjë sukses të theksuar, i vetmi sukses që mund të themi ishte shpërthimi i frontit në Koshare nga ana e UÇK-së i cili si i tillë edhe mbeti në vend  aty ku edhe filloi, pas bombardimeve të gabuara të NATO-s në Koshare dhe ndërprerjes së logjistikës  nga Shqipëria. Ndërsa aksioni shumë i proklamuar  “Shigjeta” në Pashtrik,  nisi edhe mbeti në vend aty ku nisi, pa shënuar ndonjë përparim drejt Kosovës, në përfundim të bombardimeve të NATO-së.Për këto gati tre muaj pushteti serb dogji, shkatërroi, çdo gjë para veti në Kosovë, vrau rreth 15.000 shqiptar, plagosi dhe sakatoi me dhjetëra mijë,  dhunoi me mijëra gra, dhe mbi të gjitha  dëboi  1 milion shqiptar jashtë Kosovës, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në diasporë. Lufta përfundoi me 10 qershor 1999 me arritjen e marrëveshjes në Kumanovë në mes palëve luftuese, atë të NATO-së dhe ish ushtrisë jugosllave (serbe), pas së cilës me 12 qershor pasoi hyrja e trupave të KFOR-t dhe liria e shumëpritur për popullin shqiptar të Kosovës.
          Edhe në Kosovë, ashtu sikurse edhe në Bosnjë, ndodhi mrekullia e Zotit,  populli shqiptar  shpëtoi nga shfarosja totale e tij, iu mundësua shpëtimi dhe kthimi i tij në vatrat e tyre shekullore në Kosovë, në saje të  bombardimeve 77 ditore të NATO-së, të cilin në mënyrë të shkëlqyer e ka përshkruar  Rexhep Qosja me thënien e tij të mrekulluar: “ Ndërhyrja e NATO-së ishte dhurata e Zotit, e dhuruar, ndoshta, si shfajësim, i fuqive të mëdha për të gjitha cenimet që na janë bërë me pajtimin e tyre gjatë historisë së re”. Nuk mund të mos i citoj edhe disa thënie tjera me vlerë  dhe peshë të madhe për popullin shqiptar në përgjithësi e të Kosovës në veçanti, të cilët do të mbeten përherë të shënuara, në kujtim të gjeneratave  në Kosovë.           “Ne e kemi fituar luftën, por vetëm ju mund të fitoni paqen. Nuk do të lejojmë më që në Evropë të vritet njeriu  vetëm për shkak të mënyrës së falurit tek Zoti. Njeriu nuk do të vlerësohet vetëm për shkak të përkatësisë etnike, racore, fetare por për karakterin e tij multietnik dhe devotshmërinë e tij ndaj Zotit, si dhe humanizmin e treguar ndaj popujve tjerë” Bill Klinton.          “Gjermania është dridhur dhe është lutur së bashku me juve që të mos ju dëbojnë të gjithëve nga vendi i juaj i bukur. Tani edhe me ndihmën e ushtrisë gjermane është arritur që të ju sigurohet kthimi për ju”Hellmut Koll          “Kosovarët duhej të mbeteshin në parimet e tyre parësore, se ata i ka çliruar NATO-ja dhe KFOR-i. Ai i cili thotë se Kosovën e ka çliruar UÇK-ja s’është gjë tjetër përveç se një sharlatan ose gënjeshtar” Rupert Neudeck.          Krahasimi në mes luftës së zhvilluar në Bosnjë dhe krijimit të shtetit të Bosnjës e Hercegovinës në njërën anë si dhe luftës në Kosovë si dhe krijimit të shtetit të Kosovës qëndron në atë, se gjersa në Bosnjë ka qenë një lidership, politikan, strateg, udhëheqës, Alia Izetbegoviqi, dhe lëvizja e tij për komb formim boshnjak  dhe shtet ndërtim të Bosnjës, bazohej dhe ishte e sajuar në kuptimin e konceptit politik të Islamit dhe civilizimit Islam që i përkiste dhe me krenari e theksonin se janë një popull autokton në Ballkan, për dallim nga të tjerët krishterë,  me përkatësinë e kulturës dhe traditës Islame , në Kosovë kemi pas një numër të lidershipëve politik e ushtarak,  në të cilën lëvizja për çlirim dhe shtet formim të Kosovës bazohej dhe ishte sajuar në kuptimin e konceptit politik marksist,leninist,enverist, titist, komunist në përgjithësi, gjer në vitin 1999, e pas vitit 1999, të shndërruar e transformuar  në konceptin laik të civilizimit perëndimor, edhe pse si popull autokton i Ballkanit, lidershipi politik shqiptar është me përkatësi  fetare islame në Kosovë, në vend se të jenë krenar me këtë civilizim islam që i përkasin, atë e fshehin, e anashkalojnë, dhe  nuk e përfillin, e  të cilin analisti i njohur botëror Samuel Huntington këtë fenomen e sqaron shumë bukur në thënien e tij:” Botëkuptimi se popujt joperëndimor duhet t’i përvetësojnë vlerat perëndimore, institucionet dhe kulturën e tyre është i pamoralshëm”.          Ndoshta këtu është edhe thelbi i suksesit të pjesshëm vetanak të popullit boshnjak në përpjekjen dhe rezistencën e tyre kundër agresionit serb gjatë luftës, si dhe mossuksesit vetanak të popullit shqiptar të Kosovës në përpjekjen  dhe rezistencën kundër pushtuesit serb gjatë luftës. Zoti e di!         Këtë krahasim në mes Bosnjës dhe Kosovës, saktësisht në mes Alia Izetbegoviçit dhe Ibrahim Rugovës, e ka përshkruar në mënyrë shumë të qartë studiuesi dhe historiani anglez Noel Malkolm, i cili i ka shkruar përveç tjerash, edhe librat,  për  historinë e Bosnjës dhe   për historinë e Kosovës, në  thënien e tij të mrekulluar:          “Në rastin e Bosnjës kemi pasur Alia Izetbegoviçin i cili s’është fundamentalist, por me siguri është një mysliman i sinqertë dhe intelektual islamik, interesat e tij intelektuale janë pa dyshim në rrafshin islamik.Në rastin e Kosovës kemi një ligjërues universitar i shkolluar, dhe i specializuar në Paris, dhe derisa Izetbegoviçi e ka lexuar Kur’anin, Rugova e ka lexuar Roland Bartin. Mendoj se këtu është esenca e dallimit thelbësor ndërmjet tyre”.             

     07.10. 2012                                                               
  Faik MIFTARI  




Author: faik
•11:18 e paradites

                                              
                                    

          Viti 1989 do të mbetet i shënuar në historinë më të re botërore si vit i shembjes së murit të Berlinit, pas së cilës nisi edhe përfundimi  i sistemit socialist (komunist) në Evropën juglindore dhe si rrjedhojë e saj edhe shpërbërja e ish tre federatave artificiale, ish Bashkimit Sovjetik, ish Jugosllavisë si dhe ish Çekosllovakisë.
           Dekada e fundit e shekullit XX, do të mbahet mend edhe për  luftëra të përgjakshme si pasojë e këtyre shpërbërjeve të ish federatave, më pak në ish Bashkimin Sovjetik, e më shumë në ish Jugosllavi, ndërsa aspak në ish Çekosllovaki, e në të cilën përveç tjerash  u përfshin edhe popujt mysliman sikur boshnjakët dhe shqiptarët në ish Jugosllavi.
          Këtu do të cek një detaj  të veçantë, pas fillimit të rrënjës së sistemit komunist, në nëntor të vitit 1990 u mbajt  në Sarajevë kongresi, kuvendi apo takimi i parë i rinisë myslimane nga tërë hapësira e ish Jugosllavisë, i cili ishte i pari, por edhe i fundit, i takimit të rinisë myslimane që u mbajt, pas së cilës pasoi në vitin 1991 edhe fillimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë që nisi nga Sllovenia e Kroacia, vazhdoi me Bosnjën dhe Maqedoninë dhe përfundoi me Malin e Zi dhe Kosovën.
          Gjatë ditëve që u mbajt kuvendi apo takimi i rinisë mysliman nga hapësira e ish Jugosllavisë, në amfiteatër të rinj mysliman mbanin fjalime, ligjërime, diskutonin, për problemet dhe hallet e tyre që i kishin nga hapësira nga vinin, pas së cilës vazhdonin me takime, njoftime dhe shoqërime të përbashkëta, si dhe në faljen e përbashkët të namazit në xhaminë e Beut .
Ishte një kënaqësi e rrallë, kur i shihje të gjithë  së bashku  falnin namazin me vetëm një rregull dhe rend të caktuar, atë të drejtimit juridik hanefit, i cili gjer në atë kohë ishte i vetmi i pranishëm në këto hapësira që nga pranimi i Islamit në këto troje e gjer në vitin 1992. I vetmi dallim në mes të rinjve mysliman ishte të thuash  në konceptin e ndarjes gjeografike, veri –jug, gjersa të rinj mysliman nga Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja ishin në një shkallë shumë më të lartë të zhvillimit ekonomik, shoqëror e mbi të gjitha të nivelit studiues arsimor, duke marrë për bazë,  fjalën e parë hyjnore të shpallur në Kur’an ”Ikre” që do të thotë:”Lexo, mëso, studio”, të cilin  e kishin marrë si moto të tyre  për  studimin dhe ngritjen e vetëdijes arsimore, studiuese, shkencore, për dallim nga të rinj mysliman që vinin nga Sanxhaku, Kosova dhe Maqedonia, të cilët  përkundër tyre e kishin ruajtur më tepër  traditën e kultivimit dhe ushtrimit të traditave  të fesë Islame.
Se sa ishin të rinj mysliman boshnjak të ngritur në këtë stad të arsimimit dhe edukimit në përgjithësi si dhe përkatësisë islame në veçanti, si shembull,  do të cek  një poezi që e kishte thurur poetja boshnjake Xhemila Zekiç, e që ka lënë mbresa të jashtëzakonshme te të rinjtë pjesëmarrës në këto takime rinore  të mbajtura për herë të parë, e që dolën të jenë edhe për herë të fundit në hapësirën e ish Jugosllavisë. Poezinë do ta prezantojë së pari në gjuhën origjinale të saj të shkruar, boshnjake, pas së cilës pason edhe përkthimi i saj në shqipe, poezia  përkthehet, por ajo pas përkthimit, e humb  stilin, rimimin, bukurinë të cilin e ka sajuar poeti apo poetja në gjuhën që e flet.
 
                                        Himna Islamu 
 
                               Sve dok zemlja sa mjesecom
                               Oko sunca se okreče
                               Buktinju Islama vječnog
                               Utrnuti niko neče.
 
                                Istok, Zapad, Jug i Sjever
                                Allah, Allah, kliče zbori
                                Sa miljuna minareta
                                Resulov se ezan ori
                                Četrnaest stolječa se
                                Resulovo ime slavi
                                I ono če slaviti se
                                Dok postoji svemir plavi.
 
                                 Selam alejkum neka
                                 Ljubavlju nam srca plavi
                                 Umrijeti nikad neče
                                 Islamski nam ideali.
 
                                       Allah, Allah na usnama
                                  Neka vječno nam treperi
                                  Kuran ćasni je vodič
                                  Uzvišenoj našoj vjeri.
 
                                         Sve dok zemlja sa mjesecom
                                   Oko sunca se okreče
                                   Buktinju Islama vječnog
                                   Utrnuti niko neće.
                               Përkthimi në gjuhën  shqipe:
                                
                                        Himn  Islamit
 
                                    Gjersa Toka me Hënën
                                    Rreth Diellit rrotullohet
                                    Pishtarin Islam përgjithmonë
                                    Asnjeri nuk mund ta mpirë.
 
                                    Lindje, Perëndim, Jug e Veri
                                    Allah, Allah, klith e flet
                                    Nga miliona minare
                                    Ezani i Resulit buçet
                                    Katërmbëdhjetë shekuj
                                    Emri i Resulit lavdërohet
                                    Dhe se Ai do të lavdërohet
                                    Gjersa të ekzistojë universi i kaltër.
 
                                     Selam alejkum me
                                     Dashuri zemrat tona i kallë
                                     Kurrë nuk do të vdesin
                                     Idealet tona Islame.
                                     
                                     Në buzët tona Allah, Allah,
                                     Përherë do të shqiptohet
                                     Kur’ani Fisnik është udhëzues i
                                     Fesë sonë të lartësuar.
 
                                      Gjersa Toka me Hënën
                                      Rreth Diellit rrotullohet
                                      Pishtarin Islam përgjithmonë
                                      Asnjeri nuk mund ta mpirë.
 
         P.S. Resul do të thotë, i dërguari i Zotit, profeti Muhamed.
        Ezan do të thotë, thirrje, ftesë, që bëhet nga minarja për namaz (falje).
 
             Nuk kaloi as një vit nga këto takime pasoi shpallja e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë dhe shpërthimi i luftës së shkurtër në Slloveni, pas së cilës do të vazhdojë edhe në Kroaci. Në prill të vitit 1992 pasoi edhe shpallja e pavarësisë së Bosnjës e Hercegovinës, pas së cilës  shpërtheu lufta më e përgjakshme në tërë hapësirën e ish Jugosllavisë, ku agresori serb kreu edhe gjenocidin e paparë gjer tani në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
          Boshnjakët pas luftës së paparë heroike të tyre trevjeçare e gjysmë, arritën ta ruajnë Bosnjën e Hercegovinë në kufijtë e saj ekzistues të jashtëm dhe ndërkombëtarisht të pranuar, dhe se nuk u realizua klithja e Radovan Karaxhiçit, ish liderit serb në Bosnjë, se” Bosnja nuk do të ekzistojë dhe se populli mysliman (boshnjak) do të zhdukej”, por u realizua thënia e Alija Izetbegoviqit, ish liderit dhe kryetar i Bosnjës, se” Bosnja do të ekzistojë  dhe se populli mysliman (boshnjak) do të mbijetojë”.
          Edhe pse të rrethuar plotësisht nga të gjitha anët dhe të ballafaquar në luftë me serbët gjatë tërë kohës së luftës në njërën anë, një kohë  të shkurtër edhe me kroatët në anën tjetër, si dhe me tradhtarin boshnjak Fikret Abdiç i cili u vu në shërbim të agresorit serb dhe kroat dhe me bashkëmendimtarët e vet luftuan kundër vëllezërve të vet, boshnjakët treguan një pjekuri politike të jashtëzakonshme, një strategji ushtarake të mirëfilltë, një diplomaci fluturuese duke i përdorur të gjitha kanalet diplomatike si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, me një armatim të lehtë që i kishin në dorë por me një strukturë udhëheqëse ushtarake profesionale të arsimuar dhe të trashëguar nga ish Armata Popullore Jugosllave arritën që gjer në fund të luftës të krijonin një armatë të tërë të  duhur e cila po të mos ishte embargoja e armëve e vënë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të arrinin sukses shumë më të madh. Por edhe kështu me duart e lidhura nga embargoja e armëve, gjatë gjithë kohës arritën të ruajnë një të tretën e territorit të Bosnjës, aty ku ishin me numër shumicë dhe ishin të përgatitur  mirë për luftë, ashtu që në këto pesë rajone, në Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Mostar, Bihaç, assesi nuk kanë mundur serbët të depërtojnë e lere më  të okupojnë këto zona.
           Këtë fenomen të Bosnjës më së miri e ka përshkruar Juan Goytisolo me thënien:” Tragjedia e Bosnjës paraqet mjet për njohjen  e mundësive të llojit njerëzor, si atyre më të ndritura ashtu edhe atyre më të këqija”.
          Suksesi i boshnjakëve për ruajtjen e etnosit të tyre boshnjak si dhe krijimit të shtetit të Bosnjës e Hercegovinës qëndron në atë se atë nuk kanë pas alternativë tjetër, në mes zgjedhjes që  boshnjakët dhe Bosnja të mbeten pjesë e krijimit të Serbisë së Madhe dhe të pushtetit të Karaxhiçit dhe Millosheviçit, që automatikisht do të thoshte pranimi i robërisë nën tutelën serbe, e cila do të ishte më e  keqe se lufta, ata zgjodhën që të i kundërvihen luftës së shpallur nga agresori serbo madh, dhe pas shumë vuajtjeve, torturave, dhunimeve, vrasjeve, shkatërrimeve, plagosjeve, dhe veprimit jo të duhur dhe me kohë të faktorëve politik vendimmarrës botëror, arritën që më në fund të mbijetojnë dhe të shpëtojnë nga robëria dhe shkatërrimi total.
          Me rastin e vizitës  në Sarajevë në vitin 2001  takova edhe zotëri Mehmedalija Haxhiçin, i cili në atë kohë ishte myfti i Sarajevës dhe më pas ishte edhe ambasador fuqiplotë i Bosnjës e Hercegovinës në Rijad të Arabisë Saudite, i cili gjatë gjithë kohës së luftës ka qëndruar dhe kontribuar në mbrojtjen e Sarajevës, gjatë rrethimit të saj të plotë rreth 1300 ditë, gjatë së cilës ranë dëshmorë vetëm në kryeqytetin e Sarajevës rreth 10.000 vetë dhe u plagosën mbi 50.000 njerëz. Në pyetjen time të më sqarojë fenomenin e Sarajevës, se si ka mund të shpëtoj pa ra në duart e serbëve, ai m’u përgjigj me këto fjalë: “ ne si mysliman besimtar që jemi dhe që besojnë në Allahun fuqiplotë, me rastin e Sarajevës ka ndodh muxhizja (mrekullia) nga Zoti që na ka mbrojt dhe shpëtuar për të mos rënë kryeqyteti ynë në duart e çetnikëve serb. Me rastin e fillimit të agresionit serb në Bosnjë, ka qëlluar festa e Fitër Bajramit, dhe atë natë në vigjile të ditës së Bajramit, natën deri vonë e tërë Sarajeva kishte buqit nga breshërimat e pandërprerë të rafalëve të pushkëve, kallashëve dhe mitralozave që i kishim në duar, ashtu që me pas vazhduar gjer në agim, ne do të mbeteshim pa plumba, dhe vetëm me armë të thata në duart tona dhe me gishta në gojë. Serbët që e kishin rrethuar Sarajevën dhe që ishin rreth e rrotull saj, përveç malit të Igmanit, e cila ishte e vetmja maje në duart tona, e kishin komentuar këtë me  fjalët: Of! Of! Of! sa shumë armatim paskan në duart myslimanët, pasi që tërë natën po festojnë Bajramin  duke gjuajtur pandërprerë rafale në qiell prej gëzimit, po ku me ditë se çfarë armatimi  e kanë përgatitur për të na pritur neve.”?!Ashtu që gjatë tërë kohës së rrethimit të Sarajevës, vetëm e kanë bombarduar me qindra e mijëra herë   me topa dhe tanksa të kalibrave më të ndryshme gjatë 1300 ditëve të rrethimit të Sarajevës , por nuk kanë tentuar të hynin brenda saj, edhe disa tentime të vogla që i kanë pas, ju kanë dështuar nga mbrojtja e fortë e jona, e neve në duart tona përveç armatimit  të lehtë që e kemi pas,  kemi pas gjatë gjithë kohës edhe lutjet tona dhe me ndihmën e Allahut fuqiplotë arritëm të mbijetojmë dhe shpëtojmë nga kthetrat serbe”.
          Por suksesi përfundimtar qëndroi në atë se në krye të udhëheqjes së rezistencës së popullit boshnjak dhe luftës së   zhvilluar, ka qenë elita politike, fetare dhe ushtarake e boshnjakëve, në krye të së cilit qëndronte Alia Izetbegoviçi në vetëdijen e së cilës ishte besimi i thellë dhe i përkulur ndaj Zotit të madhëruar, dhe se e dinte se e në duart e t’ia ishte vetëm mundësia e punës së pandërprerë të bërë gjatë tërë luftës në mbrojtjen e popullit boshnjak dhe civilizimit islam që i përkiste, dhe se kjo përpjekje ishte një sprovë me të cilin u ballafaqua dhe së fundi  doli faqebardhë.
          Që kjo rezultoi me sukses ndërlidhet edhe nga thënia   e njohur e Alia Izetbegoviçit:” E jona është të punojmë pandërprerë. Zgjidhja  nuk është në duart tona. Jam i kënaqur që besoj që zgjidhja është në duart e Zotit”, me poezinë e  poetes boshnjakes Xhemile Zekiçit  ”Himn Islamit”. 
                                             
                                                
 
            01.10.2012                       

        Faik MIFTARI