Author: Visal
•3:18 e pasdites
Një kuvendar për të qenë i suksesshëm në punën e tij duhet të posedojë, përveç tjerash disa cilësi të veçantë, pa të cilat nuk mund të ketë sukses të plotë gjatë kryerjes së mandatit të tij në kuvendin komunal.

Cilësia e parë dhe primare është me besue në Zotin, por nuk është e mjaftueshme vetëm me besue , por edhe me zbatue në vepër porositë e tij, pa marr parasysh se cilit besim i takon.” O njerëz keni frikë Zotin dhe respektojeni atë” është thënie profetike të cilit duhet përmbajtur me plot respekt.

Ai që beson sinqerisht Zotin, gjatë jetës dhe punës së tij kursesi nuk do të devijojë, pasi që është në raport të drejtpërdrejt me Zotin, dhe se gjithherë bënë vepra të mira dhe është i dobishëm për shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Këtë kur e them e kam për parasysh edhe thënien e të famshmit Dostojevski”Aty ku s’ka Zot, gjithçka është e lejuar”.

Cilësia e dytë është me lexue, kuvendari duhet të posedojë një spektër të gjerë të dijes, të lexojë dhe të përcjellë aktualitetin komunal, shtetëror, rajonal dhe botëror, të cilët do të ndihmojnë të jetë më frytdhënës gjatë seancave të kuvendit komunal. Kuvendari i cili posedon një dije universale, me plot sukses dhe më lehtë do të përballojë sfidat me të cilët ballafaqohet gjatë punës së tij në kuvend. Këtë kur e them e kam parasysh edhe thënien e të famshmit Adem Demaqi” Ne jemi me kapacitet krejt të vogël të dijes, ne jemi me vetëdije edhe kombëtare, edhe qytetare, edhe njerëzore, edhe politike në një shkallë shumë të ulët”.

Cilësia e tretë është me mendue, kuvendari para se të veprojë duhet të mendojë mirë për çdo veprim të tij që e ndërmerr gjatë punës së tij gjatë seancave të kuvendit. Veprimet e ti’a nuk bën të jenë ad hock, por duhet të ketë maturi, urtësi gjatë veprimit, poashtu duhet treguar respekt maksimal ndaj mendimeve të kuvendarëve tjerë të cilët nuk përputhen me mendimet e tij. Këtë kur e them e kam parasysh edhe nenin 19 të Deklaratës së përgjithshme për të drejtat njerëzore: “gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes politike, kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit të informatave”.

Cilësia e katërt është me u konsultue, para çdo miratimi të çfarëdo rregullore, vendimi, plani, me rëndësi primare është konsultimi me ekspert të profileve të ndryshme me ç’rast gabimet eventuale të veprimeve politike do të jenë minimale. Sa më tepër duhet marr parasysh opinionet e tjerëve, të cilët janë të mirëseardhura për kuvendarin. Këtë kur e them e kam parasysh thënien e Faik bej Konicës:” Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet të kritikës”.

Cilësia e pestë është me punue, për të arritur qëllimin kuvendari duhet maksimalisht të punojë në realizimin e objektivave të parapara. Duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm me elektoratin i cili e ka votuar, gjatë gjithë mandatit të tij. Këtë kur e them e kam parasysh thënien e Naim bej Frashërit”Punë, punë, natë e ditë që të shohim pakëz dritë”.

Cilësia e gjashtë është me dashtë qytetin në të cilin lind, jeton dhe vepron, dhe garon për anëtar të kuvendit komunal. Kjo s’do të thotë me deklarime dhe fraza boshe por me një përkushtim maksimal dhe me pjesëmarrje aktive në seancat e kuvendit, në të cilin merren vendime të rëndësishme për qytetin në përgjithësi dhe qytetarët në veçanti. Kuvendari duhet të ketë rolin kryesor gjatë shqyrtimeve dhe miratimeve të vendimeve të ndryshme për kominën, e jo të ketë rolin sporadik apo të jetë vetëm shikues i thjeshtë, dekor apo mjet i makinerisë së votimit. Këtë kur e them e kam parasysh thënien e Mark Aurelit”Kur njerëzit nuk kanë para veti ndonjë qëllim, iu mërzitet jeta dhe flasin jerm”.

Cilësia e shtatë është me udhëheq, mandatin e fituar nga populli kuvendari duhet në mënyrë sa më të përsosur të reflektojë vullnetin e popullit(sovranit) i cili e ka zgjedhë. Interesi i qytetarit duhet të jetë primar, para çdo interesi tjetër, çoftë partiak apo material. Pushtetari duhet të jetë në shërbim të qytetarit, i cili e ka zgjedhë, e jo qytetari të jetë në shërbim të pushtetarit. Duhet të udhëheq në mënyrë demokratike e jo autokratike. Kuvendari gjatë kontaktit me qytetarë, kuvendarë, pushtetarë dhe me gjithë njerëzit në përgjithësi duhet të sillet në mënyrë sa më të mirë duke marr parasysh parimet humane dhe civilizuese.

Këtë kur e them e kam parasysh thënien profetike:”Njeriu është vepër madhështore e Zotit dhe mjerë ai që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e njeriut-veprën e Zotit”.

Cilësia e tetë është angazhimi për drejtësinë e cila është mbrojtëse më e mirë e paqes në botë. Kuvendari i cili ka besim të thellë në drejtësi, nuk do të lëkundet në asnjë çast para sprovave gjatë së cilës ballafaqohet gjatë punimeve në kuvend. Këtë kur e them e kam parasysh thënien e një proverbi të njohur”E vërteta që sjell dëm është më e mira se gënjeshtra që sjell dobi”.


Faik MIFTARI
24.11.2009


Author: Visal
•2:59 e pasdites
Në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 për 41 ulëse të Kuvendit të Prizrenit do të garojnë gjithsejtë 26 subjekte politike. Është me rëndësi tejet të madhe se çfarë konfiguracioni politik do të merr Kuvendi i Prizrenit pas zgjedhjeve lokale, pasi që kryetari i ri i zgjedhur i Prizrenit për të zgjedhur qeverinë e tij, do të jetë i detyruar të formojë koalicionin qeverisës të përbërë prej disa subjekteve politike, pasi që pa marrë parasysh se kush do të fitojë garën për kryetar, është e pamundur të qeverisë me Prizrenin pa koalicion i cili do të del pas rezultatit të ulëseve të fituara nga subjektet politike që garojnë.
Kuvendi aktual i Prizrenit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007 ka pas këtë renditje të konfiguracionit politik, në të cilin kanë qenë të përfshirë gjithsejtë 10 subjekte politike: Partia Demokratike e Kosovës(PDK-ja) 12 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK-ja) 10 ulëse, Aleanca Kosova e Re(AKR-ja) 4 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-ja) 3 ulëse, Partia Demokratike Turke e Kosovës(KDTP-ja)
3 ulëse, Koalicioni Vakati 3 ulëse, Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD-ja) 2 ulëse, Partia Reformiste ORA 2 ulëse, Partia e Drejtësisë (PD-ja) 1 ulëse dhe Partia e Aksionit Demokratik(SDA-ja) 1 ulëse.
          Gjatë mandatit aktual vijues kryetari aktual i Prizrenit z. Ramadan Muja ka udhëhequr me qeverinë komunale nga një koalicion zyrtar qeverisës i përbërë prej 4 subjekteve politike(PDK-ja, AKR-ja, KDTP-ja dhe VAKAT-i, i mbështetur jozyrtarisht edhe nga dy subjekte politike(LDD-ja dhe ORA).Pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit 2009  Kuvendit Komunal i ri i Prizrenit sipas parashikimeve  do të ketë këtë përbërje të numrit të ulëseve:
Partia Demokratike e Kosovës(PDK-ja), pas përplasjeve të brendshme që kanë ndodhur në degën e Prizrenit, vështirë do ta ketë të shtojë numrin e ulëseve në Kuvendin e Prizrenit, për PDK-në do të ishte sukses që të mbajë numrin aktual të ulëseve 12, por ka gjasa reale të humb një ulëse me siguri, eventualisht edhe dy, ashtu  që pas  rezultateve përfundimtare  pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen, numri i ulëseve të PDK-së do të jetë minimum 10 ulëse, maksimum 12 ulëse në legjislativin e ri të ardhshëm të Prizrenit.
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK-ja), është e sigurt që do të mbajë numrin e ulëseve aktuale, 10, në Kuvendin aktual, por ka gjasa reale që të shtojë numrin e ulëseve me siguri për 1 ulëse, me gjasa reale edhe për 2 ulëse, si rezultat i përplasjeve brenda partiake të subjekteve politike të Prizrenit, ashtu që sipas parashikimeve  numri i ulëseve të LDK-së
minimum do të jetë 10 ulëse, maksimum 12 ulëse në legjislativin e ri të ardhshëm të Prizrenit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-ja), ka treguar një dinamizëm dhe zhvillim të aktivitetit të saj partiak brenda kësaj kohe dyvjeçare, dhe se është e sigurt që do ta mbajë numrin aktual të ulëseve, me gjasa reale që të shënojë një rritje të votave të fituara që automatikisht do t’ia sillnin edhe një ulëse më tepër. Ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 3 ulëse, maksimum 4 ulëse në legjislativin e ri të komunës së Prizrenit.
Partia Demokratike Turke e Kosovës(KDTP-ja) është parti e vetme e komunitetit turk në Prizren, e ka një elektorat stabil që nuk ndryshon, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 hendikep do të ketë largimin e votuesve të Mamushës, pasi që ajo garon e ndarë, si komunë e veçantë tani, pritet që të mbajë numrin e ulëseve aktual 3, eventualisht mund të fitojë 1 ulëse  më tepër në rast se do të jetë pjesëmarrja më e madhe e votuesve, për ç’gjë jam shumë skeptik, ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 3 ulëse, maksimum 4 ulëse në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.
Aleanca Kosova e Re(AKR-ja), do të shënon një ulje të numrit të votuesve, për shkak të pasivitetit të saj politik dyvjeçar, jo  që nuk ka  qenë interesimi i degës në Prizren, por për mosinteresimin total të qendrës në raport me degën, poashtu ka treguar një perfomans  më të zbehtë gjatë fushatës elektorale në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2007, dhe ka mbetur në hije të partnerit të saj në koalicion LDD-së, me ç’rast si pasojë e saj do të jetë humbja me siguri e 1 ulëse me tendencë ndoshta edhe të 2 ulëseve , ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 2 ulëse, maksimum 3 ulëse në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.
Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD-ja), në saje të kandidatit të saj të propozuar në Koalicionin për Prizrenin Ruzhdi Rexha, gjatë fushatës elektorale ka treguar një perfomans të duhur dhe se pritet që të korr rezultatin që ka pas nga zgjedhjet e vitit 2007, ashtu që pres që përsëri të fitojë 2 ulëse në legjislativin e ri të Prizrenit, aq sa i ka pasur edhe gjer tani.
Koalicioni VAKAT, është një koalicion i përbërë nga komuniteti boshnjak, por gjatë punës së tij dyvjeçare ka pas një pasivitet politik, si pasojë e së cilës ka rezultuar formimi i subjekteve të reja politike nga komuniteti boshnjak, që do të ndikojë në humbjen e sigurt të një ulëse nga zgjedhjet e kaluara, ashtu që numri i ulëseve të saja në legjislativin e ri do të jetë vetëm 2 ulëse, në krahasim me 3 ulëse  që i ka pas.
Partia Reformiste ORA, ka treguar një pasivitet politik dyvjeçar në Prizren, ndoshta edhe si pasojë e përplasjeve  të saja brenda degës, poashtu ka pas një prezantim më të dobët elektoral në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ashtu që për ORËN do të ishte sukses i madh në çoftëse arin të ruaj 2 ulëse aktuale që i ka, gjasat janë që do të humb një ulëse, ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 1 ulëse, maksimum 2 ulëse në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.
Partia e Drejtësisë(PD-ja), ka treguar një aktivitet dhe një zhvillim të dukshëm politik gjatë periudhës dyvjeçare, poashtu me kandidimin e Shend Kabashit për kryetar të Prizrenit ka bërë një risi që me të vërtet dukshëm e ka shtuar imazhin dhe rejtingun e saj politik, gjatë fushatës së saj zgjedhore ka treguar një prezantim më dinamik dhe më të begatshëm me aktivitetet e  saja të shumta elektorale. Mbarëvajtja e fushatës së saj elektorale në  Prizren ka qenë në nivelin më të lartë që nga themelimi i saj në Prizren. Kjo pritet që me siguri të rezultojë në shtimin e 1 ulëse të saj në Kuvend, ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 1 ulëse, maksimum 2 ulëse në legjislativin e ri të Prizrenit.
Partia e Re Demokratike e Kosovës(NDS-ja), është parti e re e sapoformuar nga komuniteti boshnjak i Prizrenit, ka treguar një aktivitet të dukshëm politik, dhe se zgjedhjet e 15 nëntorit do të jenë testi i saj i parë, me gjasa reale dhe e suksesshme pasi që pritet të fitojë 1 ulëse në legjislativin e ri  të Prizrenit.
                  Në përmbyllje të kësaj do të konkludojë se pas rezultateve që do të dalin pas zgjedhjeve të 15 nëntorit 2009, nuk pritet ndonjë ndryshim rapid i konfiguracionit politik aktual të ulëseve në Kuvendin e Prizrenit, por pritet që të ketë një ndryshim vetëm 10% në total të konfiguracionit politik të subjekteve politike të caktuara në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.
                                                                  
Faik MIFTARI 
12.11.2009 
 
Author: Visal
•3:11 e pasdites
Përkundër zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2007, zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 në Kosovë veçohen për dy karakteristika, janë zgjedhjet lokale të para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, dhe hyrjes në fuqi të Ligjit për vetëqeverisjen lokale në Kosovë.
Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale në fuqi kryetari i komunës më nuk është kryetar i Kuvendit Komunal, por kryetar i komunës që zgjidhet direkt nga votuesi(populli), pasi që legjislativi tani është i ndarë nga ekzekutivi. Kryetari i komunës e ka rolin e kryeshefit të dikurshëm të komunës, apo të një “kryeministri”komunal pasi që drejtpërsëdrejti udhëheq me qeverinë komunale dhe se vet i cakton apo emëron drejtorët, atij i japin llogari dhe se ka të drejtën vetë ai edhe të i shkarkojë, e jo kuvendi komunal i cili tani nuk e ka atë drejtë as të zgjedh e as të shkarkojë. Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, tani, pozita, roli dhe kompetencat e kryetarit të komunës janë shumë më të gjera dhe shumë më të avancuara në krahasim me pozitën e mëparshme të kryetarit të Kuvendit Komunal. Ai ka të drejtë të propozojë rregullore të ndryshme, akte, të iniciojë procedura, të propozojë buxhetin, për miratim Kuvendit Komunal, dhe se është përgjegjës pas miratimit për zbatimin e tij, menaxhon me administratën e përgjithshme komunale, është përgjegjës për mbarëvajtjen e gjithëmbarshme financiare të komunës, tani së fundi, përveç tjerash ka të drejtë edhe në përzgjedhjen e drejtorëve në shkollat fillore dhe të mesme të komunës. Ai ka të drejtë të emërojë, të revokojë, të shkarkojë, edhe personelin e administratës komunale, tani edhe qendra për punë sociale e cila ka qenë në kompetencat e Ministrisë për punë dhe mirëqenie sociale, është vu në kompetencat e kryetarit të komunës, kush e fiton në zgjedhje lokale kryetarin, e ka edhe pushtetin de jure dhe de fakto në komunë.
Për zgjedhjet lokale apo në garë për kryetarin e Prizrenit janë certifikuar gjithsejtë 14 kandidatët potencial, të cilët do të garojnë për postin e kryetarit të Prizrenit në votimet të cilët do të mbahen me 15 nëntor 2009.
Ramadan Muja kryetar aktual i Prizrenit, i kandiduar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së), garon edhe për mandatin e dytë qeverisës katërvjeçar në Prizren. Sikurse në vitin 2007, edhe tani në vitin 2009, është emëruar direkt nga lidershipi aktual i PDK-së, z.Hashim Thaqi, si kompromis, pas përplasjeve të brendshme partiake në degën e PDK-së në Prizren, për caktimin e kandidatit për kryetar të Prizrenit. Me profesion është ligjërues i historisë, doktor i historisë, i cili plot 40 vjet ka dhënë mësim në shkollat e Prizrenit dhe në Gjakovë.
Se sa ka qenë e qëlluar dhe me vend nominimi i tij edhe për mandatin e dytë qeverisës për kryetar të Prizrenit, do të shihet nga rezultatet e votimeve me 15 nëntor 2009.
Hanefi Muharemi është kandiduar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK-së) për kryetar të Prizrenit, edhe pse ka pas propozime dhe kundërshtime brenda kryesisë së degës së LDK-së në Prizren për nominimin e Hanefiut për kryetar, mbisundoi preferenca e lidershipit aktual të degës së Prizrenit z.Eqrem Kryeziut. Me profesion është inxhinier i komunikacionit, ka përvojë menaxhuese, pasi që plot 7 vjet ka qenë në pozitën e drejtorit të shërbimeve publike, të qeverisë së mëparshme, së fundi, pas fillimit të fushatës zgjedhore, dha dorëheqje apo u largua nga pozita e drejtorit të Hidroregjionit Jugor. Se sa ka qenë e qëlluar dhe me vend nominimi i tij për pozitën e kryetarit të Prizrenit, do të shihet nga rezultati i votimeve që do të dalin pas 15 nëntorit 2009.
Bislim Zyrapi është kandiduar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-së), për kryetar të Prizrenit. Për dallim nga kandidatët tjerë në garë, Bislim Zyrapi është kandidat i parë i nominuar zyrtar në Prizren për kryetar të Prizrenit. Me profesion është ushtarak profesional(epror), për një kohë, gjatë luftës, ka qenë edhe komandant i shtabit të UÇK-së. Ka pas përvojë udhëheqëse gjatë karrierës së tij ushtarake dhe luftarake, dhe se tani do të provojë që këtë përvojë udhëheqëse ta zbatojë edhe në karrierën civile për pozitën e kryetarit të komunës së Prizrenit. Është nominuar direkt nga lidershipi aktual i AAK-së, z.Ramush Haradinaj, pasi që gjer tani nuk ka qenë i kyçur në radhët apo strukturat partiake të AAK-së.
Ryzhdi Rexha është kandidat i përbashkët dhe i nominuar nga Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD-së) dhe Aleancës Kosova e Re(AKR-së), i përkrahur edhe nga subjektet politike më të vogla, si Balli Kombëtar (BK-së), Partisë Boshnjake Demokratike për Veprim(BSDAK-së), Unionit Boshnjak të Kosovës(BUK-së), si dhe Partisë Demokratike të Ashkalive të Kosovës(PDAK-së).Edhe Ryzhdi Rexha si kolegu i tij Bislim Zyrapi me profesion është ushtarak profesional(epror).Është vëllai i Ekrem Rexhës-komandant Drinit të ndjerë. Ka një perfomancë të veçantë, është dinamik, energjik, ka potencial dhe vullnet, guxim për t’u ballafaquar dhe menaxhuar me problemet me të cilët ballafaqohen qytetarët e Prizrenit, bën një lloj imitimi të fushatës zgjedhore të presidentit amerikan Obama, dhe se një poster i tij i përngjan prototipit të Obamasë.
Shend Kabashi është kandiduar nga radhët e Partisë së Drejtësisë(PD-së) në Prizren, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është arkitekt, ka kryer fakultetin e arkitekturës në Universitetin Teknik të Stambollit në Turqi. Është njohës i mirë i urbanizmit dhe planeve rregullative, pasi që ka punuar edhe në projektin e planit zhvillimor të qytetit të Prizrenit, si dhe planeve rregullative të caktuara të Prizrenit. Është i ri, por me plot vullnet e dëshirë për të dëshmuar veten në garë për kryetar të Prizrenit, në prezantimet e tija zë vend të caktuar problematika e urbanizmit të qytetit, pasi është njohës i mirë i tij, dhe se është e mirëseardhur për të, pasi që është një lëmi shumë e ndjeshme dhe e prekshme, duke marr parasysh edhe trashëgiminë e pasur kulturore historike të Prizrenit.
Petrit Randobrava është kandiduar nga radhët e Parisë Reformiste ORA, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është arkitekt, ka kryer fakultetin e ndërtimtarisë dhe arkitekturës në Prishtinë. Ka përvojë të duhur në projektimin dhe ndërtimin e objekteve banesore, industriale dhe shkollore. Është kontraktues i kompanive”Bechtel-Enka”në projektin e autostradës Durrës-Morinë. Ka përvojë , në moshën në të cilin mund të dëshmohet si një kandidat serioz për postin e kryetarit të Prizrenit.
Skender Berisha është kandiduar nga radhët e Partisë Socialiste të Kosovës (PSK-së), për kryetar të Prizrenit. Me profesion është albanolog, profesor shumëvjeçar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat e Prizrenit. Ka një njohuri të shkëlqyer të problematikave dhe rrethanave aktuale me të cilët ballafaqohet qytetari i Prizrenit. Është për t’u përgëzuar edhe profilizimi i PSK-së si e majta kosovare, e cila është profilizuar konform programit të vet, dhe krahas Partisë Socialdemokratike të Kosovës, janë të vetmet parti që përbëjnë spektrin e majtë kosovar. Ka një përvojë të gjatë të veprimtarisë aktive në lëvizje të ndryshme kombëtare shqiptare. Tani, këtë përvojë të duhur nga e kaluara e tij, do që të zbatojë në praktikë edhe në postin e kryetarit të Prizrenit për të cilin garon.
Qerim Shehu është kandiduar nga radhët e Partisë Socialdemokratike të Kosovës, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është mjek, ka kryer fakultetin e mjekësisë. Është relativisht i ri, ka një perfomancë të duhur, në prezantimet e ti’a ka një përgatitje të mirëfilltë, njohje të gjerë, si dhe angazhimi i tij është konform programit të PSDK-së, në rrafshin e spektrit të majtë, krahas PSK-së, në skenën e politikës aktuale kosovare.
Jëlldëze Gorani është kandiduar nga radhët e Alternativës Demokratike të Kosovës, për kryetare të Prizrenit. Me profesion është mjeke, gjegjësisht gjinekologe, ka një përvojë të gjatë të punës saj profesionale në lëmin e gjinekologjisë në qytetin e Prizrenit. Ka edhe një përvojë të gjatë në aktivitetet e ndryshme shoqërore, politike në qytet. Është kyçur në radhët e ADK-së në Prizren. Përvojën e gjatë profesionale që e ka, tani, do, të zbatojë edhe në postin e kryetarit të Prizrenit në rast se do të zgjidhet.
Naxhi Kuqani është kandiduar nga radhët e Partisë Ekologjike të Kosovës, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është profesor i fizikës dhe kimisë, me një përvojë të gjatë të mësimdhënies në Prizren. Partia Ekologjike e Kosovës, është parti e re e formuar në skenën politike kosovare, edhe në Prizren është formuar dega e saj, të cilin e udhëheq Naxhi Kuqani. Angazhimi i tij konkret është konform programit të partisë, dhe se në rast se do të zgjidhet kryetar i Prizrenit do të punojë fuqimisht në mbrojtjen e ambientit, natyrës, pastërtisë, ajrit, ujit, gjelbërimit, pyjeve, maleve,etj.
Memnuna Ajdini është kandiduar nga radhët e koalicionit VAKAT, i cili përbëhet kryesisht prej komunitetit boshnjak, për kryetare e Prizrenit. Me profesion është profesoreshë, punon në një shkollë fillore në Prizren. Edhe pse dihet se nuk ka gjasa të fitojë, duhet përgëzuar për guximin e marrë që të garojë, në mesin e shumë kandidatëve, për kryetar të Prizrenit, si dhe krahas dr.Jëlldëze Goranit, është e dyta kandidate për kryetare të Prizrenit nga radhët e gjinisë femërore.
Oruç Karadollami është kandiduar nga radhët e Partisë së Re Demokratike (NDS), kryesisht e përbërë nga komuniteti boshnjak, për kryetar të Prizrenit.
Me profesion është doktor i stomatologjisë, ka një përvojë të duhur punuese në lëmin e tij profesionale. Partia e Re Demokratike(NDS), është partia e re e porsaformuar në Prizren, nga radhët e komunitetit boshnjak, dhe se zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 do të jetë testimi i saj i parë në skenën politike kosovare, nga radhët e komunitetit boshnjak.
Orhan Lopar është kandiduar nga radhët e Partisë demokratike Turke të Kosovës (KDTP-së), për kryetar të Prizrenit. Ka kryer fakultetin filozofik në Turqi, punon në një shkollë në Prizren si mësimdhënës. Është relativisht i ri, i kyçur në KDTP-në, e cila kryesisht është e përbërë nga komuniteti turk në Prizren. Edhe pse nuk ka gjasa të fitojë, duhet përgëzuar atë për moshën që e ka, për guximin e marrë që të garojë në mesin e kandidatëve tjerë për kryetar të Prizrenit, dhe se do të jetë një test i mirë për rezultatin që do të arrijë në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit.
Sakib Makasqiu është kandiduar si kandidat i pavarur për kryetar të Prizrenit. Kjo është hera e dytë që garon si kandidat i pavarur për kryetarin e Prizrenit. Duhet përgëzuar për guximin e marrë për të kandiduar në mesin e kandidatëve tjerë, ka një perfomancë dhe stil të posaqshëm, do të shohim rezultatin që do të arrijë në votim.

Kryetari pikësëpari duhet të jetë një menaxher i mirë dhe i shkathtë, i cili do të dijë në mënyrë perfekte të udhëheq ekipin e tij qeveritar dhe në situata të ndryshme gjatë së cilës do të ballafaqohej gjatë mandatit të tij katërvjeçar të zgjedh rrugën, mënyrën, qasjen, dhe vendimin më të mirë konform situatës dhe rrethanave në të cilin gjendej.
Struktura profesionale e 14 kandidatëve për kryetar të Prizrenit është me sa vijon: 5 vijnë nga lëmia e arsimit, 3 vijnë nga lëmia e shëndetësisë, 2 nga lëmia e ushtrisë, 2 nga lëmia e arkitekturës, 1 nga lëmia e inxhinierisë dhe 1 nga lëmia e biznesit.
Sido që të jetë gara për kryetar të Prizrenit do të jetë shumë e fortë, në rundin e parë të votimeve që do të mbahen me 15 nëntor 2009 pritet një shpërndarje e madhe e votave në mes kandidatëve, dhe se në balotazh, apo në rundin e dytë të votimeve që do të mbahen me 15 dhjetor 2009, fituesin do ta vendosin votat e 12 kandidatëve të eliminuar nga rundi i parë, të cilët do të japin votën njërit apo tjetrit kandidat në balotazh.
Qytetarët e komunës së Prizrenit, apo elektorati votues, i mbetet që me 15 nëntor 2009 të dalin në votime dhe të votojnë për kandidatin i cili sipas tyre do jetë më i miri për të udhëhequr me Prizrenin gjatë mandatit vijues katërvjeçar.


Faik MIFTARI
2.11.2009