Author: faik
•11:02 e pasdites
Fjala salname e ka prejardhjen nga gjuha persiane, sal do të thotë vit, ndërsa name do të thotë letër, libër, e kur të bashkohen këto dy fjalë në salname do të thotë më së përafërti në gjuhën shqipe vjetar. Salname në gjuhën frenge do të thotë Annuaire, në gjuhën angleze Year book, ndërsa në gjuhën gjermane Almanak. Në periudhën fundit të Perandorisë Osmane janë botuar salnamet-vjetarët, ku për një vit është përshkruar gjendja ekonomike, politike,sociale,kulturore, shoqërore e një vendi të caktuar të Perandorisë Osmane. Salnamet- vjetarët janë botuar brenda një periudhe 75 vjeçare të ekzistimit të Perandorisë Osmane, prej vitit 1847 e gjer më vitin 1922.
Në këto salnamet-vjetarët janë përshkruar me një stil të posaqshëm dhe janë prezantuar një varg njohurish nga fushat të ndryshme, si nga historia, shkenca, politika, ushtria, kultura, shoqëria e fusha tjera. Salnamet – vjetarët janë ndarë në katër grupe:salnamet – vjetarët shtetëror, salnamet- vjetarët e Vilajeteve,salnamet – vjetarët Nazaret si dhe salnamet – vjetarët personal.
Salnamet – vjetarët shtetëror kanë qenë me njohuri dhe përshkrime më të gjera dhe me një periudhë më të gjatë kohore të të botuarit. Salnameja- vjetari i parë shtetëror është botuar në vitin 1847 dhe ka vazhduar pa ndërprerë gjer në vitin 1912, Për shkak të pasojave të luftërave ballkanike dhe Luftës së parë botërore, ka pasuar ndërprerja e përkohshme prej vitit 1912 e gjer në vitin 1916. Salnameja – vjetari i fundit shtetëror në nivel të Perandorisë Osmane është botuar në vitin 1918. Salnamet- vjetarët e Vilajeteve janë botuar me ndërprerje të kohëpaskohshme, ashtu që kemi vetëm më së paku një botim të një salnameje- vjetari të një vilajeti të caktuar dhe më së shumti kemi gjer në 35 botime të një salnameje – vjetari të një vilajeti të njëjtë. Termi Vilajet gjatë kohës së Periudhës Osmane ka nënkuptuar një territor shumë të gjerë që nënkuptohet në ditët sotshme si një Republikë në kuadër të një federate apo të konfederate të caktuar. Perandoria Osmane ka qenë e përbërë në atë kohë prej shumë vilajeteve. Njëri prej Vilajeteve të shumta në përbërjet saj ka qenë edhe Vilajeti i Kosovës. Vilajeti i Kosovës ka qenë i përbërë prej sangjaqeve- rretheve të Shkupit, Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Yenipazarit (Pazari i Ri), dhe Plevljes. Salnameja – vjetari i parë i botuar i një vilajeti, ka qenë i Vilajetit të Bosnjës të vitit 1866, ndërsa salnameja – vjetari i fundit i botuar i vilajetit ka qenë i vitit 1918 të Vilajetit të Bolusë, nënkuptohet gjatë periudhës së ekzistimit të Perandorisë Osmane.
Salnamet – vjetarët Nazaret kanë qenë vjetarët të botuar pranë ministrive të caktuara të Perandorisë Osmane, si për shembull, të ministrisë së punëve të jashtme, të ministrisë së arsimit, ministrisë së mbrojtjes, apo të institucioneve të lidhura me ministritë përkatëse, sipër shembull të Gjysmëhënës së kuqe, apo të shërbimit të doganave, apo të marinës ushtarake e kështu me rrallë.
Salnamet – vjetarët personal kanë qenë vjetarët e botuar kohë pas kohe të personave të caktuar të Perandorisë Osmane, si për shembull salanameja -vjatari i Ali Suavit në Paris botuar 3 vjet me rresht , apo i Ekrem, Reshat dheOsman Feridit, apo të Tevfik bejit e kështu me rrallë.
Salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës
Vilajeti i Kosovës është themeluar në vitin 1877, valiu i parë i Vilajetit të Kosovës ka qenë Halil Rifat Pasha i cili ka udhëhequr me Vilajetin e Kosovës. Në përbërje të Vilajetit të Kosovës kanë qenë 6 sangjaqet – rrethet me të cilin kanë udhëhequr muttesarrifët apo kryetarët e rretheve, në përbërje të sangjaqeve kanë qenë kazatë, e në përbërje të kazave kanë nahijet.
Vilajeti i Kosovës ka qenë i kufizuar në lindje me Bullgarinë, në perëndim me Vilajetin e Shkodrës, Malin e Zi dhe me Bosnjën e Hercegovinën, në veri me Serbinë dhe në jug me Vilajetin e Manastirit dhe Vilajetin e Selanikut. Vilajeti i Kosovës duke filluar në lindje me qytetin e Shtipit e në perëndim me qytetin e Plevljes ka përfshirë një territor shumë të gjerë gjeografik. Në Vilajetin e Kosovës kanë jetuar kryesisht shqiptarët, turqit dhe boshnjakët si mysliman me shumicë, si dhe me pakicë bullgarët, serbët, grekët,vllehtë si të krishterë. Si kryeqytet i Vilajetit të Kosovës ka qenë Prishtina prej vitit 1879 e gjer në vitin 1893, ndërsa prej vitit 1893 e gjer në vitin 1912 ka qenë Shkupi. Në vitin 1893 ka pas gjithsejtë 847.419 banor, prej tyre 507.800 mysliman dhe 340.339 krishterë.
Janë botuar gjithsejtë 8 salname – vjetar të Vilajetit të Kosovës:
Në vitin 1879 është botuar për herë të parë në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, ka pas gjithsejtë 154 faqe.
Në vitin 1883 është botuar për herë të dytë në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, ka pas gjithsejtë 178 faqe.
Në vitin 1885 është botuar për herë të tretë në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, ka pas gjithsejtë 176 faqe.
Në vitin 1887 është botuar për herë të katërt në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, ka pas gjithsejtë 314 faqe.
Në vitin 1888 është botuar për herë të pestë në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, ka pas gjithsejtë 283 faqe.
Në vitin 1893 është botuar për herë të gjashtë në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Shkup, ka pas gjithsejtë 239 faqe.
Në vitin 1896 është botuar për herë të shtatë në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Shkup, ka pas gjithsejtë 753 faqe.
Në vitin 1900 është botuar për herë të fundit në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Shkup, ka pas gjithsejtë 936 faqe.
Koleksioni (përmbledhja) e 8 salnameve – vjetarëve të Vilajetit të Kosovës gjendet vetëm në bibliotekën popullore të Fatihut në Stamboll, ndërsa veç e veç gjenden të shpërndara nëpër biblioteka të ndryshme, si për shembull: në Bibliotekën të Muzeut Arkeologjik gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të vitit 1883 dhe 1887, në Bibliotekën Ataturk në Taksim gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1879, 1883, 1885, 1887, 1888, 1896 dhe 1900, në Bibliotekën e Arkivit të kryeministrisë osmane gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1887, 1888, 1893, 1896, në Bibliotekën shtetërore të Bejazit gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të vitit 1887, në bibliotekën e Hakkë Tarëk Us gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896, në bibliotekën e Universitetit të Stambollit gjenden salnamet- vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1879, 1888 dhe 1896, në bibliotekën e degës së historisë të fakultetit të letërsisë të Universitetit të Stambollit gjenden salnamet – vjetarët e viteve 1879 dhe 1883. Të gjitha këto 8 salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës janë të botuara në gjuhën osmane të shkruara me alfabet arab. Nga këto salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës, Shoqata kulturore dhe përkrahëse Rumeli nga Stambolli falë punës së palodhshme të ekspertëve të linguistikës osmane e përzgjodhi dhe botoi në vitin 2000 në gjuhën turke me alfabet latin salnamen – vjetarin e vitit 1896 me titullin në origjinal “1896(Hicri1314) KOSOVA Vilayeti Salnamesi” që në përkthim do të thotë Salnameja e Vilajetit të Kosovës të vitit 1896. Dëshira parësore në të ardhmen e shoqatës do të jetë botimi komplet i koleksionit prej 8 salnameve –vjetarëve të Vilajetit të Kosovës në gjuhën turke me alfabet latin. Për Salnamen – Vjetarin e botuar të Vilajetit të Kosovës të vitit 1896 do të shkruaj dashtë Zoti në një të ardhme të përafërt.

10.9.2008
Faik MIFTARI