Author: Visal
•11:14 e pasdites
Gjendemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Koha e proklamimit të deklaratës së pavarësisë së mbikëqyrur sipas pakos Ahtisari po numëron ditët apo orët e fundit të këtij çasti historik për popullin shqiptar nëpërgjithësi dhe Kosovën në veçanti.Pas miratimit të Deklaratës së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës do të pason kërkesa zyrtare e shtetit të ri të Kosovës për njohjen e saj nga shtetet e ndryshme botërore anëtare të rregullt të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe me plot të papritura, vështërsi, pengesa gjer në njohjen përfundimtare të saj, e për të cilin nevojitet së paku 130 shtetet e botës për të njohur dhe për të fituar ulësen në OKB, pasi që njohja dhe pranimi i saj nëpërmjet Këshillit të sigurimit dështoi për shkak të kërcënimit të vetos nga ana e Rusisë, ndoshta edhe të Kinës, si dy shtete nga pesë shtete me drejtë vetoje si anëtare e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. .Pas këtij akti historik, është shumë me rëndësi se si dhe në çfarë mënyre do të reagojë Serbia, e cila e ka përgatitur me kohë planin e veprimit të qeverisë së saj, i cili mbahet në sekret të plotë. Përveç disa paralajmërimeve të njohura të cilat veç dihen sikurse bllokada ekonomike, embargoja tregtare, energjetike, transitore, rrugore, thelbësore do të jetë se çfarë porosi ju ka dhënë komunitetit serb brenda në Kosovë, a do të përpiqet nëpërmjet tyre dhe personave të infiltruar brenda enklavave nga Serbia të provokojë destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Përveç pjesës veriore të Kosovës që është duke e kontrolluar dhe qeverisur de fakto nga viti 1999, të cilin me siguri do të shpallin bashkimin e saj me Serbinë edhe de jure, do të shpallin edhe zonat autonome përreth enklavave brenda Kosovë sikurse që janë Shtërpca, Novobërdoja, Graçanica, Çagllavica, Parteshi etj.të cilat do të vihen direkt nën autoritetin e tyre politik të qeverisë së Serbisë sipas planit aksionar të veprimit. Pjesëtarët serb të SHPK-së që janë në detyrë, përveç që do të braktisin SHPK-në, ka gjasa reale se do të ndërrojnë uniformat e tyre me uniforma tjerë. Do të mbetet të shihet se si do të pozicionohet administrata politike e UNMIK-ut si dhe forca ushtarake e KFOR-it ndaj këtyre veprimeve të qeverisë së Serbisë sipas planit të aprovuar të aksionit më parë,e të zbatuar nga komuniteti serb brenda Kosovës. Pritet të shihet se a do të ndërmarrin masa veprimi për të eliminuar këtë plan, apo në “heshtje” do të aprovojnë këtë aksion të paramenduar me kohë. Hapi tjetër, është vendosja e autoritetit evropian nga Bashkimi Evropian apo EUMIK-u në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë i cili do të ketë rol kyç, bile edhe vendimtar, në mbikëqyrjen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, e sidomos në monitorimin e organeve shtetëror ndaj përcjelljes dhe zbatimit të lirive dhe të drejtave të komuniteteve jo shqiptare në Kosovë, e sidomos me theks të posaqshëm të komunitetit serb. Hapi më i vështirë do të jetë zbatimi në vepër i pakos së Ahtisarit, i cili tek atëherë do të shihet se sa vështirë dhe i dhimbshëm do të jetë zbatimi i kësaj pakoje në Kosovë për popullin shumicë shqiptar . Zbatimi i kësaj pakoje të Ahtisarit do të ishte shumë vështirë të realizohej në shtetet evropiane me një traditë të gjatë shtetërore dhe me një demokraci të avancuar, e lere më të zbatohet një pako aq e ndërlikuar në një shtet që sapo lind dhe se në fillim do të jetë i hendikepuar dhe i shtrënguar me restrikcione tejet të ashpra dhe rigoroze që këtë shtet e bënë shumë vështirë funksional, dhe ja hup vlerat e një shteti normal dhe demokratik në Evropë.Na mbetet t’ju urojmë dhe t’ju dëshirojmë sukses shtetit më të ri të sapolindur të Kosovës,i cili është i 51 me rrallë në Evropë, por i cili që në fillim do merr frymë thellë, i ballafaquar me pengesat jashtëzakonisht të mëdha që në fillim të jetesës së tij.
29.o1.2008
Faik MIFTARI
Author: Visal
•11:07 e pasdites
Para ca ditësh në Kohën Ditore lexova artikullin për predikimin që e kishte mbajtur don Shan Zefi në Kravasari të Malishevës me 20 janar 2008, por duke e njohur karakterin tij “ civilizues”, i cili shërben si ”bari” “kopesë” së vet e cila ditë më ditë po i zvogëlohet dhe pakësohet, nuk i ka mbetur gjë tjetër po të kërkoj aty këtu ndonjë “dele” të humbur në “ahuret” e huaja në Kosovë, nuk desha fare të prononcohem duke marr parasysh thënien e urtë”qentë lehin, karvani vazhdon më tutje”. Duke shfletuar ueb faqet në internet në agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, hasa në shkrimin me titull ”Filozofët e errësirës” të autorit Gjon Keka, analistit të cilit i përcjelli vazhdimisht shkrimet dhe analizat e tija në gazetat dhe ueb faqet e ndryshme shqiptare.Por shkrimi në fjalë,me të vërtet e ka mbushur kupën, me të gjitha shpifjet, fyerjet, akuzat,çoroditjet, ksenofobi, islamofobi, çmenduri, verbësi, shqiptarofobi, kulturofobi dhe intelektualofobi pa kurrfarë argumenti apo logjike të shëndosh njerëzore, si njeri, shqiptar, mysliman nuk mund të mbes indiferent ndaj kësaj çmendurie dhe verbërie intelektuale të Gjon Kekës.Si predikimi i mbajtur më 20 janar 2008 nga don Shan Zefi, njashtu edhe shkrimi i Gjon Kekës i 23 janarit 2008, pikërisht në kohën e marrjes së vendimit historik për popullin shqiptar nëpërgjithësi e Kosovën në veçanti, të shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës nga faktori ndërkombëtar sipas planit Ahtisari, e kanë gjetur momentin më të përshtatshëm për ta”goditur” kulturën tonë islame si dhe të kaluarën e ndritshme osmane, të një periudhe e gjatë kohore mbi pesëshekullore në të cilin shqiptarët së bashku me shumë popujt tjerë të Ballkanit kanë jetuar në harmoni të plotë civilizuese, nuk është rastësi por një “skenar”i përgatitur nga ndonjë kuzhine antishqiptare, e që korrespondon plotësisht me propagandën serbe për gjoja ekzistimin e rrezikut nga “ fundamentalizmi islamik”, për destabilizimin e situatës aktuale politike në Kosovë në çastin e marrjes së vendimit historik për pavarësinë e saj të mbikëqyrur. Por, të këshillojë, Gjon Kekë, se këtë skenar nuk do të shohësh , se ne edhe në të ardhmen në Kosovë, do të bashkëjetojmë në harmoni të plotë fetare me të tjerët, sikurse kemi jetuar edhe gjer tani, shekuj me rrallë, me tolerancë maksimale nga shumica jonë absolute myslimane ndaj pakicës krishtere çoftë të ritit ortodoks apo katolik, por me siguri pa respektin minimal njerëzor e intelektual ndaj teje. Më është e njohur thënia”kryqi me kryqin shkon, e assesi me gjysmëhënën”, por ne si popull shqiptar nëpërgjithësi, e në rastin konkret të Kosovës, duke qenë të njohur për tolerancën tonë fetare shekullore ndaj të krishterëve, në rastin konkret” kryqi po shkon me gjysmëhënën”, njëkohësisht duke “tradhtuar” kryqin tjetër, e po shihet prej teje, se ti këtë “tradhtinë” e kryqit nuk je në gjendje ta përballon apo ta kupton.“Infeksioni islam i kombit tonë shqiptar” para gjashtë shekujsh ka qenë me kohë i mirëseardhur dhe shpëtimtar për kombin tonë shqiptar,” se po të mos kishte qenë Islami populli shqiptar do të kishte qenë populli më i madh me numër në Ballkan, por jo edhe shqiptar-Faik bej Konica” . Logjika jote irracionale e të menduarit dhe të shprehurit ” a do vijë koha që ato ndonjëherë në histori të kthehen vetvetes dhe identitetit të tyre” nuk ka gjasa as të ndodh, e lere më të realizohet, dhe se duhet të të përkujtojë, se populli shqiptar para pranimit të Islamit, pjesa absolute, 90% i ka takuar ritit ortodoks, e vetëm 10% ritit katolik, e mos mendo se ne jemi aq naiv e të kthehemi besimit të vjetër krishter të ritit ortodoks, e pastaj të asimilohemi në serb apo grek, sikurse ka ndodhur me pjesën ortodokse të popullit tonë shqiptar në Çamëri. Kulminacioni i shkrimit tënd është hedhja e vrerit sa të brendshëm aq edhe të jashtëm kundër personalitetit më eminent të shoqërisë njerëzore, profetit tonë të dashur Muhamedit a.s, kolosit tonë kombëtar akademik Rexhep Qosja, intelektualit Milazim Krasniqi, myftiut të nderuar Naim ef. Tërnavës si dhe liderit politik dhe biznesmenit të njohur Behgjet Pacollit si dhe “shportave tjera të bërllokut që mund të shohësh në sa të duash”me të vërtetë ty të bënë”shportë” të hedhur në humnerën më të thellë të bërrllogut.E unë të sigurojë, Gjon Kekë, se këto “shporta” përditë po shtohen me progresion gjeometrik në Kosovë. Nuk mundem assesi të kuptojë Gjon Kekën, se ç’po i pengon dhe se çfarë faji i paska bërë atij, biznesmeni më i njohur shqiptar si dhe lideri aktual politik i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli i cili vetëm për një vjet të aktivitetit politik arriti të korrë sukses të madh duke u radhitur si forcë trete politike në skenën politike kosovare si në nivelin qendror ashtu edhe atij lokalë në Kosovës. Apo ky sukses i rrufeshëm politik apo pasuria dhe shkathtësia e tij e menaxhimit të suksesshëm të biznesit me përmasa ndërkombëtare apo edhe krenaria e tij me përkatësin myslimane të tij, që di të falet e të agjërojë, që është një e drejtë themelore individuale njerëzore e njashtu edhe shoqërore, qenka “halë në sy” për Gjon Kekën. Akuza e tij ndaj liderit Behgjet Pacollit me fjalët” i cili mban linjat e rregullta me lindjen dhe me organizatat e ndryshme terroriste dhe nëpërmjet të cilit financohen organizatat e ndryshme islamike në Kosovë duke qenë ky ndërmjetësues dhe pranues i tyre pa asnjë kusht i këtyre organizatave terroriste” me të vërtet është aq e rëndë dhe shpifëse, që nuk i mbetet gjë tjetër, por z. Behgjet Pacolli të ngre padi ndaj tij në gjykatë, sa do të jetë efektive kjo në Kosovë, nuk e di, por të ishte në Zvicër me të vërtetë Gjon Keka do të ishte ballafaquar me një dëmshpërblim të majmë për të paguar, sa që nuk do të i kishte ra ndërmend më të shpif, të akuzojë, të etiketojë, të fyejë, asnjë njeri, kushdo çoftë ai, pa kurrfarë argumente ose prova materiale, sa të ishte gjallë. Shpirtngushtë sia jote e mjeruar dhe mos njohja elementare e parimeve islame , më jep të drejtën që të të mësojë dhe të jap leksion, se ne myslimanët në besimin tonë fetar nuk kemi kurrfarë idhuj dhe se nuk e ndjekim rrugën e Satanit(djallit) , por vetëm i nënshtrohemi Zotit të madhëruar dhe jemi të përkushtuar në rrugën e drejtë. Termi “islam” do të thotë përkushtim apo nënshtrim Zotit,ndërsa termi “mysliman”ai që është i përkushtuar apo nënshtruar Zotit të madhëruar.Në përfundim po i citoj fjalët e historianit të njohur anglez Noel Malkolm i cili përveç tjerash në librin e vet “Kosova një histori e shkurtër” cek “ trashëgimia osmane, duke përfshirë edhe trashëgimin e islamit është diçka që u takon popujve të tërë Ballkanit, ta hedhësh poshtë atë si të “huaj” është historikisht po aq absurde sa do të ishte edhe absurde për irlandezët që të flakin gjuhën angleze si të huaj”.Komenti është i tepërt, apo jo, Gjon Kekë!
27.01.2008
Faik MIFTARI
Author: Visal
•10:43 e pasdites
Me1 janar 2008 u mënjanuan barrierat kufitare edhe nga shtetet e reja, që ishin më parë në kampin socialist, e që prej kohe janë anëtarë të plotë të Unionit Evropian, ashtu që tani është një qarkullim i lirë të njerëzve dhe mallrave në një hapësirë gjeografike në të cilin jetojnë 400 milion njerëz të kontinentit evropian, me të vërtet kjo është një arritje dhe sukses i madh, pasi që njerëzit që jetojnë në këtë hapësirë gjeografike aq të madhe do të jenë tani të lirë, të lëvizin, të udhëtojnë, të qarkullojnë, të punojnë, të studiojnë, të shëtisin pa pas nevojë për kurrfarë pasaporta dhe viza përkatëse. Kjo është një arritje e madhe për Unionin Evropian, bile bile, kjo hapësirë gjeografike tani është më e madhe edhe se SHBA-ja, ku në një hapësirë të madhe amerikane jetojnë dhe lëvizin lirshëm një popullatë prej 300 milion njerëzve. Një qytetar i Evropës që i takon Unionit Evropian, do të udhëtojë dhe lëvizë prej një skaji në skajin tjetër të Evropës. Këtë lloj udhëtimi mund të shijojë edhe një qytetar tjetër i Evropës, që nuk i takon Unionit Evropian, dhe jeton jashtë kësaj zone, mund të udhëtoj në çdo shtet të Shengen zonës evropiane, me kusht që të pajiset me vizën përkatëse Shengen në njërën prej përfaqësive konsullore të shtetit përkatës të kësaj zone. Përkundër këtyre arritjeve të qytetarëve evropian, në jug të njëjtit kontinent evropian, në të cilin jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike, dita më ditë, po bëhet restrikcioni hap pas hapi, i vështërsimit të lëvizjes së lirë të shqiptarëve edhe brenda trojeve të tyre etnike.Hapin që po planifikon të ndërmerr Maqedonia në shkurt të vitit 2008, për aplikim apo regjim vizor qytetarëve shqiptar nga Shqipëria për ardhje e vajtje në Maqedoni nuk mund të kuptohet assesi ndryshe përveç vazhdimit të trusnisë ndaj shqiptarëve nëpërgjithësi, por me metoda të reja të ashtuquajtura “humane dhe civilizuese” konform shekullit XXI.Në njërën anë duke qenë Maqedonia së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë anëtarë të kartës së Adriatikut dhe të cilët pritet që së bashku në samitin e NATO-së që do të mbahet në muajin prill në Bukuresht të Rumanisë të aderojnë në paktin e aleancës veriatlantike të NATO-së, shtetit aleat të përbashkët të NATO-së dhe fqinjit të parë, iu pamundësohet lëvizja dhe qarkullimi i lirë me planifikimin dhe aplikimin e regjimit të vizave për shtetas shqiptar. Me të vërtet ky veprim i tillë i qeverisë sllavomaqedone nuk do koment dhe është për çdo kritik dhe dënim ky veprim i pamatur diplomatik i qeverisë së Shkupit. Apo veprimi i tillë është ndërmarr në koordinim të plotë, nënkuptohet prapa perdeve dhe kuluareve, me aleancën ruso-serbe, si pjesë e trusnisë dhe zbatimit të skenarit rusoserb. Ky është hap i parë drejtuar kundër shqiptarëve për të parandaluar lëvizjen e lirë edhe ndërmjet trojeve të tyre etnike. Hap i dytë do të jetë, pas shpalljes së pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës, që do të ndërmerr Serbia e cila do të parandalojë dhe bllokojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt Serbisë dhe transit nëpër Serbi. Pikëpyetje e madhe është se a do të ndërmerr hapin e tretë drejt këtij restrikcioni të lëvizjes së lirë të shqiptarëve edhe Mali i Zi kundrejt Kosovës dhe Shqipërisë, se sa për Greqinë dihet se atje për të shkuar paraprakisht duhet marrë vizë në përfaqësitë konsulare të Shkupit, Beogradit dhe Tiranës. Me të vërtetë shqiptarët pas këtyre hapave të ndërmarra do të mbeteshin të izoluar dhe të ngujuar në trojet e tyre etnike, në një geto të vërtetë, në jug të kontinentit evropian, në të njëjtën kontinent ku shumica e qytetarëve të saj lëvizin dhe frekuentojnë lirisht në një zonë evropiane me 400 milion banorë.Për këtë faj e kanë edhe subjektet politike shqiptare të ndarë e përçarë skajshmërisht në mes vete, gjegjësisht PDSH-ja dhe BDI si forcat kryesore politike shqiptare në Maqedoni, e kanë bërë që zëri yt të zbehet dhe të mos çojë peshë dhe të jetë e papërfillshme nga spektri politik maqedonas. E këtu ka fajin kryesor e ka PDSH-ja si pjesë përbërëse e qeverisë aktuale maqedonase, e cila hyri në qeveri dhe formoi koalicion me Grujevskin, edhe pse doli për kah fuqia e votave e dyta në skenën politike pas zgjedhjeve të mbajtura kohë më parë në Maqedoni. Këtë kryeministri aktual Grujevski me plot mjeshtëri dhe dinakëri e shfrytëzoi për qëllimet e tija meskine këtë shkurtëpamësi politike të PDSH-së dhe liderëve të tyre politik Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaqi.Pas tërë kësaj mund të konkludojë se shqiptarët në përgjithësi janë të përçarë gjithandej trojeve shqiptare dhe mund të bashkohen në mes vete vetëm atëherë kur është në pyetje vetëm përfitimi personal material , apo ndarje e kulaqit qeverisës pushtetar, sikurse ndodhi në Kosovë, akoma pa qenë ende shtet, martesa apo “kurorëzimi” i PDK-së me LDK-në, dy subjekteve kryesore politike në Kosovë.
13.01.2008
Faik MIFTARI















Author: Visal
•11:10 e pasdites
Në Prizren me datë 17.01.2008 në shtëpinë e kulturës në ora 10.oo u mbajt kuvendi zgjedhor për zgjedhjen e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit me mandat të ardhshëm katërvjeçar. Një javë më parë, sakatësisht me datë 11.01.2008 në të gjitha xhamitë që gravitojnë në komunën e Prizrenit, gjegjësisht që i takojnë Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, pas namazit të xhumasë nga këshillat e xhematëve të xhamive u zgjodhën nga 2 delegatë që së bashku me imamin e xhamisë përkatëse do të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor. Edhe pse takimi ishte paraparë të nisi në ora 9.30, u vonua për gjysmë ore, për shkak të vonesës së ardhjes gjatë rrugës për në Prizren të anëtarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës Ahmet ef.Sadriu. Kuvendi nisi punimet me këndimin e një ashereje nga Kur’ani të cilin e lexoi Hafëz Daud ef.Lezi. Pas tij fjalën e mori Ahmet ef.Sadriu i cili i njoftoi të pranishmit delegat të kuvendit zgjedhor me mënyrën e procedimit zgjedhor për Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Për këshillin e Prizrenit zgjidhen gjithsejtë 10 anëtar plus sipas pozitës kryemami e ka vendin e rezervuar sipas normativave ligjore ekzistuese. Nga 10 anëtar të zgjedhur të Këshillit sipas kushtetutës në fuqi të Bashkësisë Islame të Kosovës ½ gjegjësisht 5 anëtar duhet të jenë me përgatitje shkollore profesionale fetare(imam), ndërsa Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës nga radhët e anëtarëve të sapozgjedhur të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizreni e zgjedh kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Njëkohësisht zgjidhet kryesia e punës, pastaj bëhet verifikimi i delegatëve, më tutje zgjidhet komisioni kandidues zgjedhor dhe komisioni verifikues i procesverbalit. Për kryesinë e punës nga 6 anëtarët e propozuar Shaban Basha, Lutfi Ballëku, Ali Vezaj, Mazllam Mazllami, Eroll Xhaferi dhe Feti Isaku, me shumicë votash u zgjodh kryesia e punës prej tre anëtarësh në përbërje: Ali Vezaj, Shaban Basha dhe Lutfi Ballëku, si dhe e kryesoi kryesinë e punës Ahmet Sadriu nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili me të vërtet me plot guxim, urtësi, shkathtësi, mençuri e udhëhoqi dhe me sukses të shkëlqyeshëm e përfundoi Kuvendin zgjedhor në mënyrën më të mirë të mundur dhe me transparencë të plotë dhe me parimet e një demokracie të mirëfilltë. Me të vërtetë ishte alfa dhe omega i Kuvendit zgjedhor nëpërgjithësi. Pastaj kaloi në procesin e verifikimit të delegatëve, duke lexuar me emër e mbiemër të gjitha delegatët pjesëmarrës sipas xhematëve të xhamive përkatëse, ashtu që ishin të pranishëm gjithsejtë 169 delegatë me të drejtë vote në kuvendin zgjedhor. Pas kësaj delegatët zgjodhën komisionin kandidues zgjedhor në përbërje Daud Lezi, Zaim Qaflleshi dhe Qerim Bajrami me shumicë votash nga 6 anëtarët e propozuar përkatës në të cilin ishin edhe Idriz Sertolli, Abdullah Hoxha.
Që në fillim u vërejtën sugjerime, kritika, propozime, vërejtje të ndryshme nga ana e delegatëve të pranishëm, apo të ashtuquajtura dy “blloqeve” përkatëse që ishin prezentë në kuvendin zgjedhor. Por kryesuesi Ahmet ef. Sadriu e menaxhoi si është më së miri,duke mos anuar nga asnjeri “taborr”dhe duke premtuar se do të përmbushen të gjitha kërkesat e të gjithëve dhe se “kokrrat” do të vendosin se kush do të zgjidhet për anëtar të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Komisioni kandidues zgjedhor u tërhoq mënjanë, dhe pas një gjysmë ore pune dorëzoi listën prej 20 anëtarëve të propozuar për Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren. Pas marrjes së listës kryesuesi i punës Ahmet Sadriu i lexoi emrat një nga një dhe kërkoi prej çdo njërit kandidat të prezantohet para delegatëve. Edhe pse lista e propozuar prej 20 kandidatëve, në të cilën komisioni kandidues është munduar të bëjë përfshirjen e sa më tepër xhematëve, ajo prapëseprapë shkaktoi pakënaqësi në mesin e delegatëve të pranishëm, dhe prej delegatëve u kërkua të plotësohet edhe me emrat tjerë, gjë që me plot dëshirë e përfilli kryesuesi i punës Ahmet ef. Sadriu dhe ju mundësoi të gjithë të pranishmëve që ishin të interesuar të jenë kandidatë të mundshëm për anëtarët e Këshillit, të gjenden në listën e kandidatëve. Ashtu që lista definitive për zgjidhjen e anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë Islame arriti në 45 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidheshin vetëm 10 kandidatë të mundshëm. Pas shtypjes së listave dhe përgatitjes së katër vendvotimeve për votim, u kalua në fazën e votimit të msheftë, ashtu që kryesuesi i punës ftoi një nga një delegatët prezent, duke ja dorëzuar listën votuese të vërtetuar me vulë të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, njëkohësisht duke e regjistruar kandidatin nga lista e verifikuar më parë prej 169 delegatëve me të drejtë vote në kuvendin zgjedhor. Procesi i votimit u krye me plot sukses, pas së cilës pasoi numërimi një nga një i votave i cili mori bukur shumë kohë dhe zgjati gjer në ora 17. Pas numërimit të votave,doli se vetëm 1votë ishte e pavlefshme, dhe se nga 45 kandidatët në listën votuese shumicën e votave e morën këta 10 kandidatët e poshtëshënuar të cilët u zgjodhën anëtar të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit në mandatin e ardhshëm katërvjeçar:

1. Daud ef.Lezi................................................70 vota të fituara
2. Zaim ef.Qaflleshi.........................................66 vota të fituara
3. Safet ef.Hoxha.............................................58 vota të fituara
4. Mazllum ef.Mazllumi..................................57 vota të fituara
5. Naser ef.Kastrati..........................................55 vota të fituara
6. Mervan ef. Berisha.......................................54 vota të fituara
7. Lutfi ef.Ballëku............................................49 vota të fituara
8. Faruk ef.Ukallo............................................45 vota të fituara
9. Reshat ef.Mexhiti.........................................42 vota të fituara
10.Taxhudin ef.Ibrahimi....................................40 vota të fituara
11. Ali ef. Vezaj sipas pozitës së kryeimamit aktual të KBI të Prizrenit.
Procesin e verifikuan me nënshkrimet e tyre Taxhudin Ibrahimi dhe Abdullah Bajraktari.
Nga kjo listë e zgjedhur të anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës do të zgjedh edhe kryetarin e KBI të Prizrenit në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Këshillit të ri të porsazgjedhur të Bashkësisë Islame të Prizrenit ju dëshiroj sukses dhe punë të mbarë gjatë mandatit të tyre vijues.
17.01.2008
Faik MIFTARI



Author: Visal
•11:52 e pasdites

Sapo përfunduan edhe zgjedhjet për balotazh për kryetarët e komunave dhe me këtë përfundoi procesi i tri palë zgjedhjeve të nisura me 17 nëntor 2007 në Kosovë. Ky proces i zgjedhjeve që ishte i pesti me radhë, të mbajtura në Kosovën e paas luftës, ishte me të vërtet një proces që solli shumë risi me ekuacione me shumë të (pa)njohura. Që në fillim subjektet politike u pajtuan me OSBE-në që të mbahen 3 palë zgjedhje, si në nivel lokal, parlamentar dhe për kryetarët e komunave, edhe pse ka qenë e ditur se kjo do të jetë një barrë shumë e rëndë për një elektorat çfarë është në Kosovë në momentin e tanishëm. Edhe pse pata cekë edhe më parë në një editorial, se do të ishte e preferuar që të mbahen vetëm zgjedhjet për nivel komunal, meqenëse legjitimiteti i Asambleve Komunale ka kaluar plot një vit, pasi që PSSP me një dekret e patë vazhduar mandatin e kuvendeve komunale, të cilët kanë mundur të mbahen edhe në kohën e caktuar gjatë vitit të kaluar, pasi ato si të tilla nuk kanë pas fare mundësi që të kenë çfarëdo ndikimi eventual gjatë procesit të bisedimeve që mbaheshin për përcaktimin e statusit politik të Kosovës. E tani kur jemi në prag të përfundimit të procesit të bisedimeve të statusit politik të Kosovës, është rekomanduar të mbahen zgjedhjet edhe për nivelin parlamentar, edhe pse si të tilla është ditur se do të jenë me një mandat shumë të shkurtër, pasi që sipas pakos së Ahtisarit , në momentin kur do të implementohet, është paraparë që në një periudhë kohore prej 6-9 muajsh të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare për Kuvendin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së saj.

Risi tjetër, që nuk e kuptoj assesi, se me çfarë logjike, subjektet politike të Kosovës e kanë pranuar udhëzimin e OSBE-së,që mandati i Asambleve Komunale të jetë vetëm 2 vjet, shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjnë subjektet fituese në komuna për të zbatuar projektet e tyre programore për një kohë kaq të shkurtër prej dy vitesh, ndërsa mandati i asambleve të mëparm është zgjatur edhe për një vit dhe si të tilla kanë qene 5 vjet, një kohë bukur e mjaftueshme për të treguar sukses dhe efikasitet. Risi tjetër apo e (pa)njohur ishte edhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetarë të komunave nga vota direkt e elektoratit, i cili do të përcaktonte njeriun e parë të komunës të nominuar nga subjektet politike, edhe pse si e tillë ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë, por në aspekt tjetër kandidatët për kryetarët e komunave kanë hyrë në garë elektorale me programet e tyre duke mos ditur se çfarë kompetenca do të kenë, dhe se ato kompetenca shtesë sipas Rregullores së re nr.2007/30 janë publikua në media të shkruara vetëm 3 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 17 nëntorit, saktësisht me 14 nëntor 2007. Risi tjetër ishte edhe mundësia e votimit përmes postës elektronike, duke shkarkuar fletëvotimet nga interneti, që është jashtë çdo logjike,ashtu që ka ndodh që 1 individ të shkarkojë 3000 fletëvotime dhe t’i dërgojë si të tilla me postë Komisionit Qendror Zgjedhor, me të vërtetë komenti është i tepërt. Risi tjetër ishte edhe përcaktimi i pragut zgjedhor prej 5% vetëm për komunitetin shumicë shqiptar, edhe pse shumica e subjekteve politike ishin të mendimit që ky prag të jetë 3% që është e logjikshme dhe normale dhe aplikohet edhe në vendet tjera me demokraci më të zhvilluara, nuk mund të kuptojë partinë politike reformiste ORËN, e më tepër liderin e saj politik z.Veton Surroi që për mendimin tim ka një sens për largpamësi politike, që kjo ide e tij i është kthyer bumerang për subjektin e tij politik duke e ndëshkuar pikërisht atë pasi nuk qe në gjendje të kalojë këtë prag prej 5%, apo në rast se shprehemi me termin futbollistik, ka shënuar autogol vetvetes.

Risi tjetër është, që kjo duhet të hyjë me të vërtet në librin e rekordeve të Ginisit, ashtu që me vetëm 31 vota ka hyrë në Parlament të Kosovës Mihajlo Shqepanoviq ish sekretari permanent i Ministrisë së kthimit, apo me 135 vota të fituara Haxhi Zylfi Merxhën përsëri do ta kemi deputet. Por kjo mund të ndodh vetëm në Kosovë e askund tjetër në botë, komenti është i tepërt. Risi tjetër ishte edhe votimi me lista të hapura, edhe pse si i tillë u aplikua për herë të parë në Kosovë dhe se me të vërtet ishte një hap përpara në zhvillimin e demokracisë, por mënyra e votimit ishte aq e komplikuar për votuesin me vetëdije të ultë të votimit, që prej atij konglomerati të subjekteve politike dhe kandidatëve që kanë garuar, të zgjedh kandidatin e duhur, dhe se në vend që të votoj vetëm për një kandidat nga subjekti politik i preferuar, i ishte rekomanduar që mund të votoj gjer në 10 kandidatë, dhe se vota e tij ishte pjesëtuar me 10, dhe se në shumicën e rasteve duke mos njohur më shumë se një kandidatë, ka rrethakuar numrin prej 1 gjer në 10 dhe se në shumicën e rasteve ka dhanë avantazh dhjetëshes së parë të listës së çdo subjekti politik si në nivel lokal ashtu edhe parlamentar, përveç kandidatëve për kryetarë komunash. Kjo mënyrë e tillë e votimit dhe trefishimi i mbajtjes së zgjedhjeve vetëm për një ditë, e ka bërë procedurën e votimit të stërzgjatur, që vetëm dalja tepër e vogël e elektoratit, rreth 40%, ka bërë të mundur që të kryhej vetëm për një ditë, se po të ishte dalja në votime p.sh.60% do të ishte e nevojshme 2 ditë votimi për të mundësuar elektoratit për të kryer këtë proces të stërzgjatur të votimit.

Kulminacioni i ekuacionit me shumë të (pa) njohura ishte mënyra e radhitjes dhe përfaqësimit të kandidatëve të subjekteve politike të fituara për Asambletë Komunale, dhe atë pas gati 3 javësh nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, pikërisht një ditë para mbajtjes së balotazhit për kryetar komunash. Edhe pse duke ditur më parë, që nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në vitin 2002, apo edhe zgjedhjeve parlamentare të viti 2004 është aplikuar çelësi 30% i përfaqësimit gjinor, gjegjësisht i kandidatëve femra, ashtu që në 3 kandidatët e fituar 1duhet të jetë femër, në 6 dy kandidate femra, në 9 tre kandidate femra e kështu me rrallë, edhe pse kjo formë ka qenë e aplikueshme dhe e pranueshme në votimet që janë mbajtur gjer atëherë me lista të mbyllura, pasi që është votuar vetëm për partinë apo subjektin politik, dhe se ky çelës automatikisht është aplikuar nga partia, pasi që çdo e treta femër ka qenë e nominuar në listë. Edhe pse kjo është e pritur se do të përsëritet edhe në këto zgjedhje, ky çelës i preferuar i përfaqësimit gjinor, edhe pse me votën e lirë të qytetarit është shkelje drastike e demokracisë, ky çelës jo që është zbatuar, por ka përjetuar një evolucion, ashtu që tani është zbatuar edhe më rigoroz, ashtu që ky qelës tani doli të jetë, në 2 kandidatët e fituar të një subjekti politik, një patjetër të jetë kandidate femër, në 4 dy të jenë patjetër femra, në 7 tre kandidatë të jenë femra, e kështu me rrallë, dhe ky përfaqësim e ka tejkaluar me të madhe dhe se ky proporcion ka shkuar gjer në 50% të përfaqësimit gjinor për subjektet politike që kanë fituar 2 apo 4 ulëse. Kjo është shkelje drastike e votës së lirë të qytetarit, ashtu që p.sh.një kandidati që ka fituar shumicë votash direkt nga elektorati, i u është marrë mandati dhe iu është falur kandidates femër të së njëjtit subjekt politik me shumë ma pak vota. A thua ky kandidati i tillë në zgjedhjet e ardhshme do të ketë mundësi të kërkojë prap vota nga elektorati, kur votat e elektoratit të tij, i dhurohen kandidatit tjetër vetëm se vetëm për të aplikuar çelësin e përfaqësimit gjinor që shkon edhe gjer në 50%.

Kjo në zhargonin popullor do të thotë, votat e fituara për Filanin i dhurohen Filanes. Është plotësisht e kuptueshme që në listat e kandidatëve të jetë përfaqësimi gjinor prej 30%, por në votimet me lista të hapura kjo bie ndesh me përcaktimin e votuesit dhe nuk është as morale se lere ma ligjore të “shpërblehen” me vota apo të”dhurohen” me vota kandidatët tjerë që nuk kanë fituar vota nga elektorati. E dihet se edhe gjysmën e elektoratit e përben gjinia femërore dhe se po qese ata kishin votuar për kandidatet e gjinisë së njëjtë, ato e kishin kaluar edhe 50% të përfaqësimit gjinor, e ç’farë faji ka që kandidatët meshkuj të dënohen si të tillë, kur është vota e lirë e qytetarit dhe se kur gjysma e elektoratit gjinor femëror nuk kanë votuar për to. A thua, në zgjedhjet e ardhshme lokale apo parlamentare që do të mbahen në Kosovë ky çelës do të jetë, 2 me 1, 4 me 2, 6 me 3, 8 me 4, 10 me 5 e kështu me rrallë, apo do të kushtëzohet që edhe në balotazh për kryetarët e komunave medoemos të jetë një kandidatë mashkull dhe një kandidatë femër, pasi që si e tillë në balotazhin e mbajtur me 8 dhjetor, me sa di ka qenë në garë vetëm1 kandidate femër nga radha e LDK-së në komunën e Gjilanit, dhe se këtë mangësi që nuk e kanë paramenduar, do ta përmirësojnë me siguri në zgjedhjet e ardhshme. Nuk është befasi që kjo mund të ndodh vetëm në Kosovë dhe nuk do koment.

Do ta përfundojë këtë analizë rreth zgjedhjeve të 17 nëntorit në Kosovë me thënien e të madhit bacë Adem Demaçit:” Kosova është një poligon eksperimental në të cilin fuqitë e mëdha kryejnë eksperimente të ndryshme politike, ekonomike”. E unë do t’ia shtoja edhe eksperimentin e të zbatuarit të mënyrave të zgjedhjeve, votimeve, rezultateve, përfaqësimeve gjinore e kështu me rrallë, që si të tilla nuk mund të zbatojnë në vendet e tyre, e eksperimentojnë në Kosovën tonë të dashur.

Faik MIFTARI

20.12.2007

Author: Visal
•9:08 e pasdites

Jemi në prag të ndërrimit të mot moteve, koha kur bëhet sublimimi i të arriturave vjetore, apo në rast se shprehemi me termin e ekonomistëve, koha kur bëhet llogaritja e bilancit të gjendjes dhe bilancit të suksesit. Për dallim nga këto, këtë herë do të ndalem, me ato ngjarje që janë duke na pritur në vitin 2008, vit i kthesave apo vendimeve historike për Kosovën. Janë dy rrafshe aktuale nëpër të cilin do të kalon Kosova në fillim të vitit të ri 2008. E para, gjetja e çelësit për formimin e qeverisë së Kosovës, të dala nga vota e 17 ntorit 2007, qeveri mbi të cilin do të bie barra e rëndë e ballafaqimit, udhëheqjes dhe menaxhimit të Kosovës në rastin e vendimit të shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, e veçanërisht pas këtij akti historik që do ta ndërmerr Kuvendi i Kosovës. Mandatori për formimin e qeverisë së re z.Hashim Thaçi me të vërtetë duhet të bëjë kalkulime dhe llogari të balancuar në mes dy taborreve, në njërën anë nga presioni i faktorit ndërkombëtar i cili insiston medoemos për një qeveri sa më gjithëpërfshirëse, duke qenë pjesë e kësaj qeverie medoemos LDK-ja, ndërsa në anën tjetër militantët apo krahu brenda PDK-së është apriori kundër bashkëqeverisjes me LDK-në. Por, z.Hashim Thaçi do të mundohet që të gjejë një balancim në mes këtyre dy krahëve, duke inkuadruar LDK-në në nivel qendror me ç’rast pajton faktorin ndërkombëtar, ndërsa në anën tjetër në nivel lokal do të le të lirë degët e PDK-së që të formojnë qeveri lokale me ato subjekte politike më të cilin gjejnë interes të përbashkët. Por edhe në nivel qendror do të ketë përplasje apo kushtëzime në mes vet subjekteve politike. Ashtu që LDK-ja do të jetë në koalicion me PDK-në, por pa AKR-në, PDK-ja do të jetë me LDK-në, por pa AAK-në, LDD-ja do të jetë me PDK-në, por pa LDK-në, AKR-ja do të jetë me PDK-në, por pa LDK-në, e kështu me rrallë. Por, pas të gjitha këtyre kushtëzimeve, me siguri formula qeverisëse do të jetë PDK-ja me LDK-në së bashku me minoritarët. Por kjo qeveri e formuar sa do të jetë efikase dhe në nivel të detyrës në këto çaste historike nëpër të cilin Kosova do të kalon gjatë vitit 2008, pritet të shihet. Por, një është e sigurt, se kjo qeveri nuk do të jetë sipas synimeve dhe planeve të PDK-së, fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, sipas motos së saj zgjedhor” koha është për ndryshime”.

E dyta, me të cilin Kosova do të ballafaqohet gjatë vitit 2008, është akti i shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës dhe periudha e cila do të pason pas shtetësisë së saj. Para këtij akti historik qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera duhet të jenë plotësisht të përgatitur, në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar prezent në Kosovë, si atij ushtarak(KFOR-i) ashtu edhe atij civil (UNMIK-u). Janë tre segmente kryesore në të cilat duhet të përqendrohet qeveria e ardhshme e Kosovës, segmenti ushtarak, segmenti i sigurisë së brendshme dhe segmenti ekonomik dhe energjetik. Edhe pse sipas të gjitha gjasave Serbia nuk do të ndërmarr një sulm të mundshëm ushtarak mbi Kosovën( edhe pse as kjo nuk mund të përjashtohet), ajo me të gjitha forcat e saja do të provon të destabilizon Kosovën, nëpërmjet faktorit të brendshëm serb dhe aparateve instaluese të saj. Ajo menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të shpall autonome pjesën veriore të Kosovës dhe enklavat serbe në Kosovë, ashtu që pjesëtarët serb të SHPK-së do të vihen në mënyrë direkte në shërbim të MUP-it serb, e nuk është befasi që do të ndërrojnë bile edhe uniformat e saj. Poashtu grupet e infiltruar brenda në enklava do të përpiqen të provokojnë duke shkaktuar incidente për të provokuar popullatën shumicë shqiptare që të bijë në grackën e tyre. Në këtë rrafsh është edhe instalimi i zyrës së qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës në krye të së cilës është Vuk Antonijeviç njeriu i fuqishëm dhe kryesor i cili kontrollon pjesën veriore dhe i cili është i njohur si element radikal në mesin e serbëve të atjeshëm.

Por në këtë rast populli shqiptar i Kosovës nuk guxon assesi të bie pre e këtyre provokimeve të planifikuara dhe të orkestruara nga shërbimi sekret serb(BIA). Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera duhet të jenë në nivel të detyrës dhe e përgatitur për të gjitha skenarët e mundshëm që do të pasojnë pas pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Njashtu edhe në aspektin energjetik dhe ekonomik Serbia do të vejë embargo ndaj Kosovës. Që tani qeveria e Kosovës duhet të përgatit rrugët alternative të furnizimit të popullatës së Kosovës, sidomos me artikujt deficitar ushqimor,sikurse që janë mielli dhe drithërat, si dhe mishi, që kryesisht importohet nga Serbia. Ekonomistët kosovar dhe furnizuesit të treguat kosovar duhet të kenë të gatshme planet alternative të furnizimit, e jo të vetë gëzohen me atë që Serbia do del humbëse,pasi që eksporton në Kosovë, brenda vitit 200 milion euro. Një pikë shumë kruciale me të cilin Serbia do të luaj është ai në aspektin energjetik të furnizimi të rrymës elektrike të Kosovës, ashtu që përveç që do të ndalojë shitjen e rrymës nga sistemi elektroenergjetik i saj, do të ndaloje edhe kalimin transit të rrymës për në Kosovë, ka gjasa reale që të ndal edhe ujin nga liqeni i Gazivodës (Ujmanit) që shërben për ftohjen e turbinave të termocentralit Kosova B, si dhe fabrikën e Feronikelit në Drenas, e njashtu edhe katër qytetet e Kosovës, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn dhe Drenasin. Ky hap eventual i ndërmarr nga ana e Serbisë do të shkaktojë kolaps total energjetik në Kosovë si pasojë e të cilit do të pasojë edhe rrënimi i tërësishëm ekonomik i Kosovës.

Duke i marr parasysh të gjitha këto qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera kosovare si në nivelin qendror ashtu edhe atij lokal duhet të jenë tërësisht të përgatitur dhe me plane alternative për çfarëdolloj destabilizimi që do të mundohej të kryej Serbia pas shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Faik MIFTARI

22.12.2007


Author: Visal
•9:01 e pasdites
“Të rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se si pushtuesit serb më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet”
Para ca ditësh lexova romanin më të ri të shkrimtarit, politikanit, atdhetarit dhe mbi të gjitha shqiptarit më të merituar të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit XX i cili së bashku me dëshmorin më të madh të kombit shqiptar në Kosovë të fund shekullit XX Adem Jasharin, janë dy figura më eminente të historisë më të re shqiptare të Kosovës që do të mbesin përherë të shënuara me shkronja të arta.
“Prezentimi i një libri të ri është një ngjarje e shënuar në jetën kulturore, është një kënaqësi e veçantë për pjesëmarrësit, është një përgjegjësi morale e shkencore për diskutantët, është një nderim qytetar e intelektual për autorin...” është thënia e mrekulluar e Faik Lulit nga Shkodra për rëndësinë dhe vlerën e librit të ri në përgjithësi.
Studiuesve dhe lexuesve si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni si dhe në të gjitha trojet shqiptare iu vu në dispozicion një libër i ri me vlera të çmuara, “Dashuria kuantike e Filanit” e autorit Adem Demaçi nga Kosova, i cili në llojin e një autobiografie ka vlera të rëndësishme kulturore, letrare, politike, historike, publicistike.
Romani më i ri i Adem Demaçit është një “roman (auto)biografik ku autori reflekton një kohë, një jetë, një terror gjithnjë me syrin e njeriut të paqes e atdhetarit të paepur”do të mbetet si një dokument i rëndësishëm me vlera të veçanta përveç asaj artistike, edhe për historinë tonë kombëtare të periudhës më të re të Kosovës të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shkrimtari Adem Demaçi është njeri përveç tjerash një prej intelektualëve të rrallë shqiptar që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me intervistat, bisedat, vështrimet dhe analizat politike në politikën aktuale kosovare.
Në këtë vështrim të romanit të Adem Demaçit do të ndalem vetëm në dy segmente kryesore që romani i jep porosi opinionit të gjerë publik. Segmenti i parë është ai në rrafshin artistik të prozës së bukur të shkruar, ndërsa segmenti i dytë është në rrafshin historiko-politikë. Në nëntë letrat elektronike dedikuara Dardhës autori me një stil jashtëzakonisht të bukur shpreh dashurinë “kuantike” të tij. Me një mjeshtëri të rrallë stilizon dashurinë e sinqertë që me të vërtetë mund t’ju ndihmojë lexuesve se si duhet të jetojë një dashuri e vërtetë dhe e sinqertë, ku shprehet me bukuri me fjalët si vijon:
” Por, dashuria nuk është vetëm botanikë, zoologji, biologji, fizikë, kimi a matematikë. Dashuria është të gjitha këto së bashku plus diçka më e madhe. Dashuria është, vonë e mësova, një situatë kur njëra gjysmë e qenies njerëzore, njëra gjysmë e shpirtit e gjen të vetmen gjysmë të veten. E gjen minusi plusin dhe bashkohen. E gjen”tenxherja” “kapakun” e palohen dhe qetësohen. Bashkohen “akrançi” me “akrançin” e vet dhe rehatohen. Bashkohen duke krijuar dashurinë e vërtetë që prodhon një gjendje të vazhdueshme ekstatike. Çiftet pavarësisht dhe përkundër vuajtjeve e varfërisë eventuale,ndjehen të kënaqur, të gëzuar, të lumtur, e të hareshëm. Ndërkaq ato që kanë fat ta përjetojnë dashurinë e vërtetë, gjenden në gjendje të vazhdueshme ekstatike”.
Për shkak të vuajtjeve dhe kohëzgjatjes prej 28 vjetësh të kaluar nëpër kazamate jugosllave, ku kaloi rininë e hershme dhe të vonshme si dhe moshën e pjekurisë e sakrifikoi për hirë të idealit të vetë kombëtar në shërbim të kauzulës kombëtare shqiptare, ashtu që nuk ka mund të përjetojë atë dashurinë e vërtetë apo të sinqertë .
Ai nëpërmes letrave elektronike dërguar Dardhës prezanton vuajtjet e tija si për dashurinë e munguar ashtu edhe për kohën e vuajtjeve të tija në jetë e në burg. Ai këtë e përshkruan me fjalët si vijon:
“ Prandaj dhe dashurinë time ndaj teje e quaja dashuri kuantike e jo fizike. Ti, Dardhë, ke kapacitet të kuptosh këto për çfarë po të flasë. E di se edhe ty të mungon ai që do të duhej të ishte gjysma që ty po të mungon. Tamam sikurse mua që po më mungon gjysma ime. Mirëpo, për fat timin e tëndin, në momentin e fundit e pashë se as unë nuk jam ajo gjysma jote e as ti nuk je ajo gjysma ime. Prandaj jeta me mua, për çdonjërën, përveç asaj gjysmës sime që nuk po e gjej dot, nuk është aspak e lehtë”.
Segmenti i dytë i këtij vështrimi të romanit”Dashuria kuantike e Filanit” të autorit Adem Demaçi është në rrafshin politik dhe historik të porosisë që jep romani lexuesit.
Nëpërmes rrëfimit të jetës së vet që nga fëmijëria e hershme e gjer te momenti i daljes së tij nga burgu në vitin 1961 pas vuajtjes së dënimit të parë të tij në kohëzgjatje 3 vjeçare, e përshkruan me një formë të mrekullueshme. Ai atë e përmbledh me vetëm një fjali” Të rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se pushtuesit serb më kalitën e më farkuan për sherrin e vet e për të zezën e vet” i cili nuk do fare koment.
Rrëfimin e jetës së vet e nis që nga mosha nëntëvjeçare, periudha kur çetnikët serb të kamufluar në uniformat partizane, që nga kryengritja e Shaban Polluzhës në Drenicë, kryen krime më mizore mbi popullatën shqiptare, duke vrarë, pushkatuar, ekzekutuar me rend shqiptarët në përgjithësi. Në atë periudhë janë ekzekutuar, menjëherë pas fitores së partizanëve dhe aplikimit të pushtetit sllavokomunist në Kosovë, prej vitit 1944-1949 rreth 50.000 shqiptarë. I rrëfen çastet e kaluara në bankat shkollore të fillores dhe gjimnazit real, duke evokuar çaste shumë interesante dhe vetëmohuese të tij dhe të mësuesve dhe arsimtarëve të tij atdhedashës si dhe me pyetjet e tija të guximshme që e lenin arsimtaren e gjuhës serbe pa tekst. Në kohën kur ishte nxënës Adem Demaçi shkolla fillore zgjatke 4 vjet, ndërsa gjimnazi real 8 vjet. Ishte në atë kohë në moshën17 vjeçare kur evokoi kujtimin e tij për profesorin Zekeria Rexha i cili qysh në atë kohë ju shpjegoi rëndësinë e Rezolutës së Bujanit të aprovuar nga Këshilli NacionalÇlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit që ju mundësonte Kosovës dhe popullit shqiptar që menjëherë pas luftës të vetëvendosin për fatin e vet nëpërmes referendumit se a do të mbesin në Serbi apo të bashkohen me nënën Shqipëri. Por ky premtim u nëpërkëmb nga ana e Serbisë, ashtu që në korrik të vitit 1945 nën trusnin e Kuvendit të mbajtur në Prizren u morr vendimi që Kosova të bashkohet me Serbinë. Profesori Zekeria Rexha ishte vetë pjesëmarrës dhe hartues i Rezolutës së Bujanit dhe në pyetjet e nxënësve që edhe përkundër Rezolutës së Bujanit Kosova prapë mbeti nën Serbi iu përgjigjej:
“ Fajin e kemi ne komunistët shqiptar që komunistëve jugosllav u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveç se një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur”.
Qëndrimi i tij burrëror gjatë mbajtjes së tij në paraburgim në vitin 1958, si dhe mbajtja e fjalimit të tij historik gjatë mbrojtjes së në gjykatën e qarkut e bënë atë me të vërtet një figurë politike, historike që do të mbetej i shënuar përherë në faqet e historisë.
Në mbrojtjen e tij para gjyqtarëve në gjykatë përveç tjerash ceku” se në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit mbajtur në verë të 1945-tës regjimi serb padrejtësisht likuidoi e burgosi ata deputetë që kërkuan të respektohej Rezoluta e Bujanit për vetëvendosje e që kundërshtuan vendimin që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë. Unë kam thënë se terrori policor mbi fshatarët në dimrin e vitit 1955-56 si dhe arrestimi e dënimi i grupeve të të rinjve shqiptar në Prishtinë dhe Shkup kishte për qëllim që të shpejtonte dhe të shtonte përmasat e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi. Unë po ju them se me këtë politikë që është duke ndjekur regjimi serb këtu herdo-kurdo do të derdhet gjaku midis dy popujve, që nuk do të duhej të ndodhte.
Nga ky vend po them edhe njëherë që nëse Serbia e Jugosllavia nuk do të heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk do të lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë as paqe,as qetësi, as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare që të shpartallohet krejt Jugosllavia dhe më në fund do të mbetet edhe pa Kosovën”.
Me të vërtet kjo mbrojtje e Adem Demaçit para trupit gjykues në vitin1958 ishte përveç trimërisë dhe guximit për të shqiptuar këto fjalë në atë kohëra të vështira për popullin shqiptar në përgjithësi në ish Jugosllavi, edhe një parashikim,lirisht mund të thuaj”profetik” që pas gjysmëshekulli apo plot 50 vite, saktësisht në vitin 2008 që Serbia ishte shkaktare e tri luftërave të përgjakshme shkatërrimtare që e bëri që Jugosllavia sot të mos ekzistojë, dhe se më në fund Serbia do mbetej edhe pa Kosovën së shpejti edhe de jure,dhe se do të përfundojë ky cikël i shpërbërjes së ish Jugosllavisë, si dhe realizimi i plotë i parashikimeve politike të bacës Adem para plot 50 vitesh.
Kjo e bënë bacën Adem njërin më të çmuar dhe më të nderuar që sakrifikoi plot 28 vite më të bukura të jetës së tij për popullin shqiptar në përgjithësi e të Kosovës në veçanti, ndërsa veprën e tij të pavdekshme përherë për popullin shqiptar dhe historiografinë tij në përgjithësi në harmoni të plotë me thënien e tij që do të mbetet përherë e shënuar me shkronja të arta në historinë shqiptare:
“ Të rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për tumirën e vet dhe se si pushtuesit serb më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet”.

Faik MIFTARI