Author: Visal
•9:56 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht me 20 korrik 2007 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dështoi edhe përpjekja e fundit për të bindur Rusinë për të pranuar rezolutën e pestë apo të gjashtën me radhë të modifikuar, të balancuar, të zbehur e të venitur. Por edhe kësaj draft rezolute përfaqësuesi i Rusisë në OKB Vitalij Çurkin i tha se jo vetëm që do të kundërshtojë por as edhe që të abstenojë, që u nënkuptua se do ta përdor veton Rusia po u hodh në votim rezoluta e propozuar. Duke e parë rrezikun se rezoluta nuk do të mund të kalojë në Këshillin e Sigurimit, bashkëmbështetë sit e saj (Franca, SHBA-ja, Italia, Belgjika etj) u tërhoqën dhe fare nuk e hodhën në votime, duke e transferuar më tutje që me çështjen e Kosovës të merrej Grupi i Kontaktit(SHBA- ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia). Kjo padyshim paraqet një fitore diplomatike momentale e Serbisë dhe aleates së saj historike Rusisë. Tani shtrohet pyetja, çfarë më tutje? Diplomacia ndërkombëtare gjegjësisht Grupi i Kontaktit në hapat e mëtutjeshëm të veprimit të saj, gjegjësisht në mbajtjen e bisedimeve të reja 120 ditore në relacionin Beograd Prishtinë, shpresojnë se do të mund të arrihet një kompromis i mundshëm. Por ai kompromis i mundshëm nuk u arrit për rresht 16 muaj bisedime në Vjenë, a thua mund të arrihej për 4 muaj. Pasi që thelbi apo esenca e mosarritjes së kompromisit qëndron se Serbia insiston medoemos ne ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj mbi Kosovën duke u thirr ne Kartën e OKB-së dhe në Rezolutën 1244, Kosova insiston medoemos në pranimin e pavarësisë së saj dhe de jure shkëputjes së saj nga kthetrat e Serbisë. Pas paralajmërimeve dhe bisedimeve nëpër kuluare ruse, franceze, angleze sipas të gjitha gjasave do të insistohet në arritjen e kompromisit të mundshëm apo planit rezervë që do të thotë insistimi në ndarjen e Kosovës, kjo tezë e hedhur që moti nga ideologu serb Dobrica Çosiqi e i mbështetur nga ish kryeministri i vrarë serb Zoran Gjingjiçi. Edhe një e përfolur që qarkullon në përqindjen e ndarjes është që Serbia e përkrahur në mënyrë maksimale nga Rusia insiston në 30% të territorit të Kosovës, ndërsa perëndimorët duke bërë trusni të madhe në palën kosovare insistojnë në 20% të territorit të Kosovës. E në rast të tillë, nëse hapet biseda për ndarjen e Kosovës pala kosovare duhet të insistoj medoemos në ridefinimin e kufijve të tërësishme të trojeve shqiptare, jo vetëm me Serbinë, por edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi dhe krijimin e shtetit natyral të saj, do të thotë Shqipërisë etnike, me ç’rast në këtë rast nuk është Kosova ajo që insiston, por është bashkësia ndërkombëtare që insiston dhe bën trusni në palën kosovare, me ç’rast Grupi i Kontaktit vetvetiu do i hedh tre principet e veta të proklamuara për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, mos kthimi në gjendjen e mëparshme të vitit 1999, mos ndarja e Kosovës, si dhe mos bashkimi i saj me ndonjë shtet tjetër. Kjo medoemos shpie në hapjen e kutisë së Pandorës në ridefinimin e tërësishme të kufijve në Ballkan.

Në rast se edhe pas këtyre bisedimeve nuk do arrihej kurrfarë zgjidhje dhe kompromis i mundshëm, atëherë Kosovës nuk i mbetet tjetër gjë, por në koordinim të plotë pikësëpari me SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe si dhe aleatëve natyral të saj, të zgjedh rrugën e vetme të mundshme të mbetur, e cila do të jetë shumë e gjatë dhe me shumë vështërsi e plot peripeti, por edhe me shumë të papritura gjatë rrugëtimit të saj, Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë e saj dhe të kërkojë njohjen e saj nga shtetet e ndryshme të botës .

Por krahas kësaj institucionet kosovare, presidenti, kryeministri, qeveria, parlamenti,para këtij akti historik, në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar politik e ushtarak në Kosovë, duhet të përgatisin popullin maksimalisht për luftë eventuale dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të saj, sepse pas pavarësimit të Kosovës, Serbia e përkrahur nga Rusia, nuk është çudi që do e nisi aventurës së saj luftarake, e duke ditur nga historia jo e largët se ka qenë shkaktare e luftës së parë botërore, tani nuk është çudi të jetë edhe shkaktare eventuale e luftës së tretë botërore. Për atë populli i Kosovës duhet të jetë maksimalisht i përgatitur, e të mos e zë gjumi, por me të gjitha kapacitetet e tija të arrijë të rezistojë dhe të e pamundëson depërtimin e Serbisë, sepse pas kësaj , aty mund të jetë edhe vija ndarëse e përkufizuar që më vonë në bisedimet e mëtutjeshme të shërbejë edhe si baze relevante e njohjes reale të forcave në terren.

Në këto çastet e rëndësishme vendimtare dhe historike për popullin shqiptar në përgjithësi e të Kosovës në veçanti, si institucionet legale, ashtu e dhe populli shqiptar duhet të jenë në nivelin më të lartë të saj, që të tregojnë pjekuri politike dhe aftësi mbrojtëse e të qenurit shqiptar dhe të ruajtjes së trojeve shqiptare nga gllabërimi i mëtutjeshëm sllav. Kjo rrugë e gjatë do sakrifikim, mund, energji, vitalitet, guxim, forcë, vetëbesim, drejt realizimit të aspiratës njëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës drejt shkëputjes definitive nga Serbia. Zoti na ndihmoftë!


25.07.2007
Faik MIFTARI
Author: Visal
•11:08 e pasdites

PREZENTIMI I PËRMBLEDHJES SË POEZIVE”KUN”


Larg të kam
Kujtimi më vjen si dritë ylli
Shuarjen e të cilit
Dot s’e besoj
Kështu më ka bota
Të hutuar
Tek pres flladi
Ta freskoj
Vesa
Këtë trup zemre të huajsuar
Këtë buzë që thahet
Kur e thotë atë emër
Bukur
Gjuha thahet
Ajo çahet
Balsam është vetëm prania
Si epifani
Por larg edhe nga kjo
Ajo çka gjuha dot s’e thotë
Ajo është
Kjo do të bëhet
Mrekulli e përhershme
Fjalë e Perëndisë
Kur thuhet BËHET
Ajo bëhet
Unë
Bëhem
Ajo
Dhe nuk më ka.


KUN është përmbledhja e poezive e autorit Fahrudin Shehu nga Rahoveci. Ky libër është më i ri në ciklin e botimeve të këtij autori me një talent të rrallë. Shkrimi i poezive është një art i posaqshëm dhe dhunti nga Zoti i madhëruar. Fahrudin Shehu është një poet i rrallë i cili me poezitë e tija reflekton një shumëllojshmëri në botën e poezisë së sotshme bashkëkohore. Emri i tij u bë i njohur dhe që ka kohë që i kaluar rrasat e Rahovecit dhe se u bë një poet i njohur me përmasa kombëtare e njashtu edhe ndërkombëtare. Tek ai gjejmë poezi që ia kushton dashurisë ndaj Perëndisë, jetës, tesavufit, dashurisë, vendlindjes e kështu me rrallë. Tek ai e gjejmë me mjeshtëri të rrallë ndjenjat që e karakterizojnë transcendentalen.
Përmbledhja e poezive”KUN” është ndarë në 5 kapituj: kapitulli i parë”Bëhet”,
Kapitulli i dytë”Mendimet më shkojnë në pakufi e çdoherë mbetem në mes”, kapitulli i tretë”Kemi dashuruar edhe para se të lindte dashuria”, kapitulli i katërt”Mblidhe Nektarinën etjen udhëtarët ta shuajnë” dhe kapitulli i pestë ”Më vizito”.
Në këto ditët e nxehta verore ju preferojmë lexuesve ta lexojnë këtë përmbledhje të poezive”KUN” të autorit Fahrudin Shehu se me të vërtetë do të ndiejnë një kënaqësi dhe qetësi shpirtërore dhe do ju freskoheni me flladin veror.

Detaje:
Titulli”KUN”
Autor: Fahrudin Shehu
Redaktor biblioteke:Dr.Milazim Krasniqi
Boton:Logos-A, Shkup
Biblioteka:Divan
Formati:B5
Faqe:143


26.06.2007

Faik MIFTARI