Author: faik
•8:19 e paradites

                       

Jemi në prag të datës 28 nëntor, ditë e shënuar në të cilin u bë shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe ditë në të cilin Ismajl Qemal  bej Vlora ngriti flamurin kombëtar kuq e zi. Për dallim prej viteve tjera, shënimi i kësaj ngjarjeje historike me rëndësi të madhe për popullin shqiptar në përgjithësi, e për  Shqipërinë, në veçanti, dallon , pasi që sivjet është viti jubilar i saj, saktësisht 100 vjet apo një shekull i plotë nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët brenda shtetit shqiptar, në   Shqipërinë londineze vite me rradhë e kanë festuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa shqiptarët tjerë mbetur jashtë Shqipërisë londineze, si dhe  anekënd botës në diasporë, vite me rradhë e kanë festuar dhe shënuar si Dita e Flamurit.
Por kjo datë e rëndësishme në njërën anë ishte ditë e pavarësisë, por në anën tjetër ishte edhe  ditë e robërisë, pasi që vetëm një e treta e trojeve shqiptare dhe më pak se gjysma e popullit shqiptar pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912 nga Ballkani, përjetoi pavarësinë, ndërsa 2/3 e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar, së bashku me  popujt tjerë me të cilët jetuan  në harmoni të plotë gjatë Perandorisë Osmane, sikurse turqit, boshnjakët, romët e të tjerë,  u pushtuan dhe u robëruan nga fqinjët  agresorë, serb, malazez, grekë e bullgar,kështu pra, ky përvjetor i shënimit të 100 vjetorit të  pavarësisë së Shqipërisë, është  edhe shënimi i 100 vjetorit të robërisë të shumicës së popullit shqiptar, që përjetuan një terror dhe tmerr të paparë, dhe se lirisht mund të thuhet se viti 1912 është viti më tragjik  në tërë historinë e popullit shqiptar të mbetur jashtë Shqipërisë   londineze.
Dua t’i përkujtoj disa nga ngjarjet të rëndësishme që i kanë paraprirë kësaj date  historike. Do t’i cek dy vite paraprake para vitit 1912, vitin 1908 dhe 1909, vite në të cilin u bënë kthesa radikale në dëm të shqiptarëve, pas së cilës pason e tërë katrahura që do të përjeton populli shqiptar më tej, si produkt i drejtpërdrejt i kësaj kthese radikale në dëm të shqiptarëve. 
Pas revolucionit borgjez francez në vitin 1789 në Francë, filloi epoka e krijimit të shteteve në baza kombëtare, proces i cili filloi nga Franca e gradualisht u përhap anekënd Evropës.Ishte e paevitueshme se këtë fakt do të përjetojnë edhe dy Perandori ”per exellence” në atë kohë në Evropë, Perandoria Osmane si dhe Perandoria Austrohungareze, të cilat ishin një model i veçantë i bashkëjetesës në harmoni të plotë të popujve të ndryshëm me kultura të ndryshëm që vite me rrallë bashkëjetonin, model të cilën  tani Bashkësia Evropiane po përpiqet të krijojë dhe të arrijë me plot vështirësi.
Viti 1908, ishte viti kur u bë revolucioni xhonturk, me ç’rast turqit të rinj, e morën pushtetin në duart e veta, dhe se pas kësaj Perandoria Osmane e ndërroi kahun e qeverisjes,e cila gjer atëherë ishte e sajuar në saje të pushtetit qendror të osmanllinjëve me sulltanin në krye tek i cili ishte i përqëndruar i tërë pushteti në duart e tij, dhe pas saj pasoi edhe viti 1909 kur xhon turqit e rrëzuan nga froni sulltan Abdylhamidin e dytë, dhe në vend të tij emëruan në fron sulltan Mehmet Reshatin, pas së cilit e morën në duar tërë pushtetin, dhe se sulltani ishte vetëm një figurë simbolike për të mbajtur unitetin shpirtëror të myslimanëve të Perandorisë Osmane. Xhonturqit sajuan politikën shtet komb ndërtues, saktësisht kombin turk si bërthamë e Perandorisë Osmane, përkundër atij shtetas  osman i cili i përfshinte të gjitha kombet, popujt dhe grupet etnike të shumta që e përbënin Perandorinë Osmane. Kjo vetëm e shpejtoi edhe me të madhe shthurjen e Perandorisë Osmane e cila filloi që nga viti 1878 pas disfatës së ushtrisë së Perandorisë Osmane nga Rusia në fushëbetejën e Plevnës, si shkak i së cilës pasuan vendimet e Kongresit të Berlinit në dëm të Perandorisë Osmane.
Edhe pse shqiptarët e ndihmuan me të madhe revolucionin xhonturk, këta të fundit në vend se të jen mirënjohës, filluan me represalje dhe tortura ndaj tyre, në kërkesat e tyre reale për përmirësimin e kushteve jetësore, politike, ekonomike dhe për bashkimin e katër vilajeteve në një të vetmin vilajet autonom shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane. Shpresa e fundit e shqiptarëve përfundoi në vitin 1909, pas zbritjes nga froni të sulltan Abdylhamidit të dytë, mikut të madh të shqiptarëve, të cilit me pietet më të madh i ka shërbyer edhe Isa Boletini, dhe se në gardën mbretërore që e ka pas, shumica kanë qenë e përbërë prej shqiptarëve, në të cilët kishte besim të jashtëzakonshëm. Pas kësaj pas plot gati 500 vjet gjatë së cilës shqiptarët kanë jetuar në harmoni të plotë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat, sikurse politike, ushtarake, ekonomike, kulturore e tjera, e tëra u rrëzua si kullat prej letre, pas së cilëve pasuan kryengritjet e një pas njëshme prej vitit 1909 e gjer në vitin 1912. Për dashurinë dhe besnikërinë që e kanë pas ndaj sulltanit si udhëheqës politik dhe fetar të mbarë myslimanëve të Perandorisë, flet edhe fakti se gjatë vizitës së sulltan Mehmet Reshatit Vilajetit të Kosovës në vitin 1911, në Mazgit të Fushë Kosovës iu organizua një pritje madhështore në të cilin morën pjesë rreth 200.000 shqiptar të ardhur  anekënd  nga Vilajeti i Kosovës.
Ngjarja me rëndësi historike e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ishte kryengritja shqiptare e organizuar dhe udhëhequr nga Hasan Prishtina në verë të vitit 1912, saktësisht në gusht të vitit 1912. Shkaqet e kryengritjes shqiptare të vitit 1912 ishin me sa vijon:” a) shovinizmi i xhon turqve, b) mos pajtimi i traditave dhe zakoneve të Shqipërisë, sidomos të Gegërisë me konditat e lirisë turke,c)intrigat panislamike të administratorit, d) të përzierjes së ushtrisë në politikë, e) mizoritë turke të kryera gjatë vitit 1910, f) zhvillimi i ndërgjegjes kombëtare në Shqipëri, g) sistemi mizor i paligjshëm që ndoqi qeveria e turqve të rinj gjatë zgjedhjeve të vitit 1912”-
( sipas librit të kujtimeve të Hasan Prishtinës). Para se të filloj kryengritja shqiptare Hasan Prishtina së bashku me Ismail Qemaj bejVlorën, Esat pashë Toptanin, Myfit bej Libohovën, Aziz pashë Libohovën dhe Syreja bej Vlorën mbajtën një takim në shtëpinë e Syreja beut në Taksim të Stambollit i cili njihet edhe si Kuvendi i Taksimit në historinë shqiptare. Edhe pse vendimi u mur në atë mbledhje për një kryengritje të përgjithshme shqiptare, mbi të cilin edhe dhanë betimin të gjithë pjesëmarrësit e lartcekur, sipas së cilës Hasan Prishtina mori për obligim kryengritjen në Kosovë, Esat pashë Toptani në Shqipërinë e mesme, Aziz pasha, Myfit beu dhe Syreja beu në Shqipërinë jugore apo Toskëri, ndërsa Ismail Qemajl bejVlora mori përsipër të sigurojë armë dhe të holla dhe të kërkojë mbështetje politike në Evropë. Por të gjithë të pranishmit që ishin në Kuvendin e Taksimit nuk e mbajtën fjalën, edhe përkundër betimit të dhënë, Hasan Prishtinën  e lënë të vetmuar. Me këtë po mund të ndërlidh një thënie të një shoku tim nga Shqipëria e Jugut i cili shpesh më thotë: “Ju shqiptar kosovar, gjegjësisht gegë, jeni trima guximtar, por politikisht shkurtpamës, por neve toskë nuk jena trima e guximtar sikurse juve, por jemi më dinak e politikisht më largpamës”. Kur  e analizoj tani këtë thënje nga ky këndvështrim mund të them se e ka pas me vend, pasi që me të vërtet kjo në rastin e Kuvendit të Taksimit u vërtetua. Ismajl Qemajl bej Vlora me siguri e ka nuhatur në atë kohë dhe kanë qenë politikisht më largpamës, se çasti për kryengritje nuk ishte, pasi nuk e ka pas përkrahjen e faktorit  ndërkombëtar, gjë që e vërteton edhe Hasan Prishtina në kujtimet e t’ia. Ashtu që kryengritja shqiptare u krye vetëm në Vilajetin e Kosovës, e cila nisi me 5 maj 1912 dhe përfundoi me 12 gusht 1912 me pranimin e 14 pikave të Hasan Prishtinës të negociuar me Ibrahim Pashën si përfaqësues i qeverisë së atëhershme xhonturke të Qamil Pashës. Edhe pse kjo kryengritje ishte parciale  solli edhe  rezultate parciale, duke marrë parasysh se mbeti vetëm Hasan Prishtina dhe kishte të bëjë punë me Isa Boletinin dhe Riza bej Kryeziun, të cilët mendjen e kishin si të lirojnë nga internimi në Selanik të sulltan Abdylhamidit të dytë, e nuk çanin fare në kokë për ndonjë ide tjetër e lere më për autonomi apo pavarësi të Shqipërisë(sipas kujtimeve të Hasan Prishtinës).
          Nuk kaloi shumë kohë, në 8 tetor 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike me ç’rast aleanca e përbërë prej Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Shkaqet e humbjes së Perandorisë Osmane nuk ishte se nuk kanë mund të përballen me këta 4 shtete sllavogreke, por ishte puna e përzierjes së ushtrisë në qeverinë xhonturke, të cilin e cek edhe Hasan Prishtina, dhe si rezultat i saj ishte se pas betejës së Kumanovës, ushtria osmane u tërhoq nga të gjitha pjesët e Rumelisë (Ballkanit) pa luftë, me një urdhër të prerë nga qeveria xhonturke, të cilin më së miri e pasqyron edhe sulltan Abdylhamidi i dytë në Kujtimet e t’ia me rastin e largimit të tij nga internimi që ishte në Selanik për në Stamboll:”Luftë me katër shtete të Ballkanit, si është e mundur të bashkohen bullgarët dhe grekët, Selaniku t’i dorëzohet armiku pa luftë, si është e mundur, unë nuk lëviz dot nga këtu, më jepni një pushkë të mbrojë Selanikun deri në fund të jetës sime, Selaniku është çelësi i Stambollit, ku mbeti ushtria jonë e dytë dhe e tretë”. Se këtu shihet qartë se ka qenë një tërheqje politike, e jo ushtarake, nga qeveria xhon turke për të braktisur Rumelinë (Ballkanin) e jo fryt i humbjes ushtarake flet e dhëna se vetëm komandanti i garnizonit të Shkodrës Hasan Riza Pasha me shqiptarët myslimanët të Shkodrës plot 6 muaj i rezistuan  rrethimit serbomalazez, e lere më që as për një muaj të plotë dhe atë vetëm pas  një beteje të  Kumanovës, e tërë Rumelia( Ballkani ) të bie në dorë të armiqve sllavo grek, dhe pa shkrep asnjë plumb të vetëm të okupojnë Prishtinën e Prizrenin, Tiranën e Durrësin, Shkupin e Manastirin, Janinën e Selanikun . Po si u bë që shqiptarët të mos organizohen dhe  të bëjnë një rezistencë të fortë agresorëve pushtues sllavogrek, meqë më parë trumbetohej në historinë tonë të ideologjizuar tej mas se gjatë kryengritjes shqiptare të vitit 1912 shqiptarët e kanë çliruar Prishtinën dhe Shkupin, e që fare nuk është e vërtetë, por në Prishtinë dhe Shkup kanë hyrë duke negociuar dhe duke mos shkrepur asnjë plumb (sipas kujtimeve të Hasan Prishtinës), që ka të bëjë me kërkesat për  përmirësimin e të drejtave shqiptare e që ishin kërkesat apo 14 pikat e Hasan Prishtinës dhe fare as që është përmendur diç për autonomi apo pavarësinë e Shqipërisë apo ndarje nga  Perandorisë Osmane, por ishin kërkesat  e parashtruara  qeverisë së xhonturqve. Si u bë, që Hasan Prishtina arriti të hyjë në Prishtinë me 30.000 kryengritës e të vazhdojë për në Shkup me vetëm 6000 kryengritës dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike të mos arrijë të organizojë bile as 1000 kryengritës  për mbrojtjen e Kosovës kundër pushtuesve sllavo grek, përveç aty këtu ndonjë rezistence sporadike vetëmbrojtëse. “Si u bë që pas çlirimit të Prishtinës dhe Shkupit”, pas shpërthimit të frontit në betejën e Kumanovës, të gjitha trevat shqiptare që për një javë të bien në duart e fqinjëve pushtues sllavo grek. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor të vitit  1912 vetëm Vlora me rrethinë ka qenë e lirë, ndërsa të gjitha trevat tjera shqiptare bien një nga një pothuajse pa luftë dhe plumb të shkrepur, përveç Shkodrës. Këto janë vetëm disa nga momente nga historia, që  historianët duhet të hulumtojnë të kaluarën me qasje shkencore dhe jo ideologjike si gjer më tani.
          Në përfundim të kësaj analize në përvjetorin e njëqindtë të shtetit shqiptar, ka dashtë i madhi Zot që në këto çaste më tragjike për popullin shqiptar të jetë Austrohungaria ajo që u orvat me mish e shpirt për krijimin e një shteti shqiptar, Shqipërisë, edhe pse e cunguar, e përgjysmuar, e zvogëluar tej mase, ia arriti qëllimin dhe krijoi  Shqipërinë, duke marr parasysh  interesat strategjike të saja, që të mos lejojë kurrsesi depërtimin sllavogrek(alias rus),  në detin Adriatik, e që për popullin shqiptar dhe Shqipërinë ishte fatlum pasi që korrespondoi me interesat e saja nacionale, edhe pse parciale të arritjes së krijimit të shtetit shqiptar në Ballkan.
Po të mos ishte Austrohungaria në atë kohë, sot neve shqiptarët do të ishim pa shtet  dhe të ndara e të shkapërderdhura nëpër shtetet sllavogreke të Ballkanit.                     
                                       Zoti e di më së miri!


      26.11.2012                                                              
  Faik MIFTARI


Author: faik
•8:16 e paradites



          Sikurse çdo vit, ashtu edhe sivjet muaji i bekuar i Ramazanit solli gëzim dhe  sihariq për mbarë myslimanët anekënd botës Islame, njashtu edhe për neve shqiptarëve mysliman anekënd trojeve shqiptare.
          Muaji i bekuar i Ramazanit përveç tjerash, karakterizohet edhe me tri adhurime, të cilët janë: agjërimi, namazi(falja) i teravive si dhe mukabele (leximi i Kur’anit).
          Gjatë këtij viti kam kryer një hulumtim rreth Ramazanit në Prizren në të cilin gravitoj, lidhur me   këto tri premisat  gjatë muajit të Ramazanit të shkuar.
          Edhe pse viteve të fundit kemi një rënie të konsiderueshme të besimtarëve mysliman që këto tre premisa i zbatojnë dhe praktikojnë, këtë vit Ramazani solli një trend alarmues në Prizren të atyre myslimanëve që nuk e përfillin dhe e neglizhojnë muajin e bekuar të Ramazanit.
          Prizreni si qytet i vjetër dhe karakteristik, i njohur për shumë lloje veçorish,  është i njohur përveç tjerash edhe për aspektin fetar të ushtrimit dhe aplikimit të riteve fetare islame dhe lirisht mund të them se shekuj me rradhë ka qenë shtyllë  e fesë Islame në Kosovë, dhe si i tillë  e ka mbajtur bajrakun  në Kosovë.
          Duke marrë parasysh se vetëm në Prizren jetojnë diku rreth 180.000 banorë  dhe se nga ky numër 98% janë mysliman (ndërsa në nivel Kosove kjo shifër shkon në 96% me përkatësi fetare islame), nga ky numër i tërësishëm mund të konkludoj  se agjërimin e muajit të Ramazanit që është i obliguar dhe i përcaktuar nga Krijuesi fuqiplotë për  mysliman besimtar, nuk e ka kaluae 25% të mbarë popullatës së Prizrenit (diku rreth 45.000), të cilët kanë agjëruar. Kjo përqindje është edhe  më e ultë në zonat rurale të komunës së Prizrenit, në krahasim me  qytetin e Prizrenit.
          Edhe pse në Prizren aktualisht janë 33 xhami ekzistuese, dhe se për një kohë të shkurtër ky numër do të arrijë në 36 xhami të qytetit, duke marrë parasysh se njëra xhami është në ndërtim të sipër, tjetrës i është vu themeli kohë më parë, dhe se e treta do të nisë së shpejti me ndërtim, pasi që Kuvendi Komunal i Prizrenit e ka ndarë trollin për ndërtimin e xhamisë në lagjen periferike  të Petrovës, ku gjer tani  nuk ka pas xhami.
 Po ashtu janë kërkesat edhe të  qytetarëve por edhe  të besimtarëve mysliman  për rindërtimin e dy xhamive me vlera të veçanta kulturore-historike, të rrënuara gjatë periudhave të kaluara kohore të cilët kanë pas vlera historike dhe si të tilla tani do të begatonin edhe më tepër qytetin e Prizrenit si një vend i njohur dhe që deri diku ka arrit të ruaj trashëgimin e pasur kulturore, fetare historike. Iniciativat dhe kërkesat për rindërtim po shtohen dita më ditë dhe se pritet që organet komunale kompetente të dalin në krah si dhe në bashkëpunim me   Institutin për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, Drejtorinë e Urbanizmit, Drejtorinë për zhvillimin ekonomik dhe turizëm dhe Këshillit të Bashkësisë Islame të hartojnë projektin dhe të nisë rindërtimi i këtyre xhamive historike të rrënuara gjatë kohës së kaluar. Bëhet fjalë për dy xhami të vjetra dhe me vlerë të mëdha, atë të xhamisë së Kalasë (Mahmut Pashës), e ndërtuar në vitin  1455 dhe  e rrënuar në vitin 1912 gjatë pushtimit serb të Prizrenit, si dhe të xhamisë së Arastës (Jakub bej Evrenoszades) e ndërtuar në vitin 1526  dhe e rrënuar në vitin 1963 nga pushteti i atëhershëm komunal komunist,  nga gjurmët e saja ka mbet minarja shtatlartë falë “mëshirës” së një pushtetari vendor komunist e cili e kurseu atë nga rrënimi total në shenjë kujtimi, pasi që nga minarja  e saj është bërë fotoja e dëshmorëve të varur gjatë luftës nacional çlirimtare para postës së qytetit, tani ku gjendet lapidari i dëshmorit të kombit Remzi Ademaj.
Këtë vit për namazet e teravive ( të preferuara nga profeti ynë i dashur Muhamedi (a.s.) xhamitë pothuajse kanë qenë gjysmë të zbrazura, dhe se numri i besimtarëve mysliman që kanë  falur namazin e teravive në xhami nuk ka kaluar 3% (diku rreth 5000) të mbarë popullatës së qytetit të Prizrenit. Njashtu edhe të dy xhamitë kryesore të Prizrenit ishin  gjysmë të zbrazura, sikur xhamia e Mehmed Pashës-Bajraklisë ( në të cilin u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit -1878) ashtu edhe xhamia e Sinan Pashës
( perla e qytetit të Prizrenit). Edhe ditën e premte, në namazin e xhumasë, namazi kryesor dhe më i rëndësishëm për besimtarët mysliman, kur të gjitha xhamitë e Prizrenit janë përplot të mbushur me besimtarët mysliman dhe se nuk ka vend të lirë brenda xhamive, numri i atyre që falin xhumanë nuk e kaluar 5% ( diku rreth 9000 vet) nga numri i përgjithshëm i banorëve të Prizrenit.
          Edhe pjesëmarrja e besimtarëve mysliman gjatë leximit të mukabeleve ( leximi i Kur’anit) e preferuar dhe me  një traditë të kahmotshme në qytetin e Prizrenit, pothuajse ka qenë  minimale, edhe pse sivjet në Prizren mukabelet janë lexuar në 7 xhami, në tri xhami për meshkuj dhe në katër xhami për femra. Në xhaminë e Mehmed Pashës (Bajraklisë) mukabelja (leximi i Kur’anit) është mbajtur para namazit të drekës,  në xhaminë kryesore të qytetit është përcjell vetëm nga 5 besimtar, në xhaminë e Sinan Pashës mukabelja është lexuar poashtu para  namazit të drekës, dhe është  përcjell vetëm nga 10 besimtarë, ndërsa në xhaminë e Sinan Qatibit (Levishës) mukabelja është lexuar para namazit të iqindisë  dhe se është përcjell vetëm nga 5-10 besimtar
           Në xhamitë ku është lexuar mukabelja (leximi i Kur’anit) për femra, pjesëmarrja ka qenë më e lartë, ashtu që në xhaminë e Emin Pashës dhe Kurrillës, pjesëmarrja e femrave qe e kanë përcjell ka qenë 100-150 femra , ndërsa në xhaminë e Margëllëqit dhe Toskës pjesëmarrja e femrave ka qenë  20-30 femra.
            Kur një situatë e tillë ka qenë e pranishme gjatë muajit të Ramazanit në Prizren, çfarë mund të themi për Prishtinën, Pejën e Gjakovën, e të mos flasim më për Malishevën, Suharekën, Deçanin, Istogun e kështu me radhë. Sado që është i hidhur, ky është realiteti i sotshëm me të cilën ballafaqohet Kosova në përgjithësi e sidomos Prizreni në veçanti, me trendet fetare aktuale islame.
          Pas këtyre rezultateve të kryera gjatë hulumtimit,  gjatë këtij Ramazani,  vet lexuesit që do e lexojnë këtë hulumtim, le të vlerësojnë dhe konkludojnë, se sa qenka me të vërtetë Kosova e rrezikuar nga “izmat” e llojllojshëm,sikurse, fundamentalizmi, ekstremizmi, vehabizmi, talibanizmi,  etj., dhe se nga të gjithë ata që merren me studimin, përcjelljen dhe analizën përveç tjera edhe fenomeneve aktuale politike, shoqërore,  që ka të bëjë me fenomenin e Islamit në përgjithësi, dhe si e tillë Islamin e shpallim “fajtor kujdestar” për të gjitha problemet, të metat, devijimet, aktuale politike, shoqërore, kulturore që janë prezentë në Kosovë.
          Por të jetosh në një Kosovë “demokratike”dhe në një shoqëri të tillë”demokratike” çfarë aktualisht e kemi , me të vërtet është një “lotari”, pasi çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën dhe rreth Kosovës, është ”sui generis”i llojit të vet apo rast specifik që nuk ka kund në botë, kinse Kosova nuk gjendet në këtë planetë tokësore, por gjendet në planetin e Marsit.

                                                   

        29.10. 2012                                                 
       Faik MIFTARI
                         


         




Author: faik
•8:10 e paradites

                            

          Në librin e tij me titull” Islami dhe demokracia” John Esposito theksoi se” fundi i shekullit po kalon në shenjë të dy proceseve në vendet myslimane e që janë, kthimi në identitetin e tyre islam si dhe kërkesat për demokratizim të tyre”. Këto dy dukuri që i ceku autori janë duke vazhduar tani edhe me një hov më të madh në çaste nëpër të cilin aktualisht kalon bota islame.
          Fjala e parë hyjnore në Kur’an që është shpallur është “Ikre” që do të thotë”Lexo, mëso, studio”, ky urdhër i dedikohet tërë shoqërisë njerëzore, por në krahasim me civilizime tjera, myslimanët për momentin kanë mbetur shumë prapa, me të vetmin arsye që këtij urdhri nuk ju kanë qasur sa duhet dhe si duhet, dhe tani janë në gjendjen në të cilin janë. E kjo gjendje e tillë është e mjerë dhe shqetësuese në tërë botën Islame në përgjithësi.  Do të cek vetëm  disa shembuj, gjersa numri i studentëve në botën islame në 100.000 është 1000, në botën perëndimore është 3500, gjersa në botën perëndimore numri i gazetave në 1000 banor është 300, në botën islame numri i gazetave në 1000 banor është 40, GDP-ja për kokë banori në vendet e zhvilluara perëndimore është shumë më e lartë në krahasim me GDP-në në vendet myslimane e kështu me rradhë. Shkalla e zhvillimit të një populli, kombi, vendi apo shteti është në varësi të shkallës së arsimimit.  Për këtë arsye elementi thelbësor për zhvillimin e një vendi është shkalla  e  arsimimit.  Myslimanët përveç tjerash  duhet të japin rëndësi edhe vështrimit të botës së jashtme përkundruall asaj  që i japin rëndësi botës së brendshme . Vrojtimi është hapi i parë drejt zhvillimit dhe kultivimit të shkencës së duhur. Këtë shumë bukur e ka theksuar në librin e tij me titull” Civilizimi i së nesërmes” Jean Fourastie, i cili mes tjerash ka thënë: “ Vrojtimi i natyrës, shoqërisë, njerëzimit, është etapa e parë e arsimimit themelor të cilin e përfitojnë fëmijët të botës perëndimore”.
     Në Evropën e tanishme janë të përhapura dhe qarkullojnë me të madhe në mendimin evropian dy ide themelore, ajo mbi shoqërinë e hapur si dhe ideja e renesancës së re evropiane. Për shoqërinë e hapur, të cilën e ka përpunuar Karl Popper në librin e tij me titull” Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” në mes tjerash thotë: “ Shoqëria e hapur nënkupton lirinë e individit, krijimin e personalitetit, mendimin e lirë, të drejtën në kritikë të institucioneve politike, shkëmbimin e lirë të ideve e kështu me rradhë”. Idenë e renesancës së re evropiane e ka përpunuar filozofi gjerman Weizsacker, i cili në mes tjerash thotë: “renesanca e re  për dallim nga renesanca e parë evropiane, do të ishte e hapur edhe e kthyer edhe ndaj kulturave tjera jashtë evropiane”.
          Edhe neve si mysliman që jemi në botën islame në përgjithësi, e sidomos në veçanti neve që jemi mysliman autokton dhe jetojmë në Evropë, duhet të marrim pjesë aktivisht, dhe të bëjmë gara në ide dhe vepra konkrete për të mirën e civilizimit njerëzor në përgjithësi. Pasi që neve këtu ku jetojmë dhe veprojmë, në Evropë, jemi në kontakt dhe takim të thuash të pandërprerë me botën perëndimore, duke marr parasysh edhe shpërndarjen e diasporës tanë në Evropë dhe Amerikë, por edhe në takime dhe raporte në bashkëpunim politik, ekonomik, arsimor, shkencor, kulturor,  sportiv, që kemi pothuajse për ditë, e sidomos në Ballkan ku janë të gërshetuara thellë mes vete  civilizimi i krishterë me civilizimin  islam. Por në takime dhe raporte me të tjerët,  duhet  të ruajmë identitetin tonë kombëtar e fetar, ashtu si jemi, dhe se vetëm në atë mënyrë mund të vij gjer te zhvillimi dhe përparimi i mëtutjeshëm. Për të arritur këtë është shumë me rëndësi përpjekja sa më e madhe për zhvillimin dhe zgjerimin e demokracisë, e jo ngulfatja e demokracisë. Përkufizimin e demokracisë shumë bukur e ka shpjeguar edhe  ish lideri politikan dhe burrështetas boshnjak  Alia Izetbegoviçi i cili përveç tjerash ka thënë: “ Besoj që Zoti i ka krijuar njerëzit të barabartë, nuk ekzistojnë, racat e larta apo të ulëta, as popujt të mirë apo të këqij. Besoj që peshoja e lirisë është marrëdhënia e sjelljes ndaj pakicave, ndërsa liria e mendimit është e drejta e mendimit të ndryshëm”. Po ashtu do e cek edhe fjalët e ish mentorit tim gjatë studimeve, z.Riza Gashi shpirti i tij rahmet pastë, për definicionin e demokracisë, në kohën kur akoma jetonim në shoqërinë moniste, i cili përveç tjerash ka thënë: “në demokraci, e cila do të vijë një ditë edhe në Kosovë, çdo kush do të ketë  të drejtën e lirë të shpreh bindjet dhe ndjenjat e veta kombëtare, politike, fetare, kulturore, shoqërore pa asnjë imponim dhe përkufizim, dhe se varet prej teje sa do të jesh i aftë që t’i shfrytëzosh këto të drejta të garantuara demokratike, e mbi të gjitha këto, vlera më e madhe e demokracisë është liria e të shprehurit dhe të shkruarit të lirë atë që mendon, dhe se për një gjë të tillë nuk do të mund as të burgosesh, as të dënohesh,  e as të vritesh, po edhe po të ndodh diku ndonjë   rast i  tillë i izoluar, atëherë në mbrojtjen e fjalës së lirë të shprehur dhe të shkruar do të ngritën në këmbë gazetarë, publicistë dhe shkrimtar anekënd botës në përgjithësi”.
E kushti themelor për të zhvilluar demokracinë është toleranca që njeriu duhet të kultivojë ndaj të tjerëve, pasi që me pas dashtë Zoti e kishte krijuar vetëm një popull apo një racë të caktuar, ndërsa Zoti ka krijuar fise, raca, popuj të ndryshëm me të vetmin qëllim që të bashkëpunojmë,  dhe të mos bëjnë njeri tjetrit padrejtësi, dhunë dhe krime. Këtë duhet të ketë parasysh shoqëria njerëzore dhe të ndjek këtë porosi si një e drejtë themelore fundamentale të civilizimeve të ndryshme  në botë.
          Bota perëndimore është në  shkallën më të lartë të mundur të zhvillimit ekonomik, politik, shoqëror, ushtarak, teknologjik,  kulturor, arsimor, social etj. Shkollat dhe universitetet i ka në  shkallën më të lartë të mundur që mund të ketë për kohën e sotshme, niveli i shërbimeve sociale dhe të kujdesit për njerëz të varfër dhe me nevoja të caktuara, është në nivel më të duhur, niveli i të drejtave njerëzore është në nivel  edhe më të lartë.
    Por neve myslimanët që jemi, për këtë Perëndimin nuk duhet të urrejmë, por duhet ta marrim si shembull për vlerat dhe zhvillimin e arritur. Dhe për këtë duhet garuar me te, vetëm për të arritur këtë duhet qëndruar në besimin që kemi, dhe vetëm me arsimim, edukim, zhvillim, shkencë mund të arrijmë atë dhe të bëhemi partner i barabartë.
    Dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet zhvillimi ekonomik, kulturor, politik,  dhe prosperiteti i myslimanëve në botë. E assesi dhe kurrsesi me terrorizëm, i cili sjell vetëm kundër efekt dhe si bumerang kthehet dhe sjell dëm të madh në përgjithësi, dhe kjo është ide më e gabuar e cila është duke u zgjeruar. E problemin e terrorizmit shumë bukur e ka analizuar edhe  Alija Izetbegoviçi, i cili  mes tjerash ka thënë: “ Terrorizmi është shprehje e pafuqisë sonë të tanishme dhe shkas i pafuqisë sonë eventuale të së ardhmes sonë. Ai nuk është vetëm amoral por është edhe joproduktiv. Amoral, pasi që vriten njerëz të pafajshëm, joproduktiv, pasi që askund kurrë nuk ka mund të zgjidh asgjë. Terrorizmin e kanë hedhur poshtë të gjitha lëvizjet politike gjatë historisë. Kur’ani kategorikisht e ka ndaluar me thënien e njohur:” kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve. (Kurani 5:32)”.  
Por e meta apo dobësia e civilizimit perëndimor, që ka sjell pasoja të papara për shoqërinë njerëzore është dëshira e saj e vetme për pushtet të pakufishëm dhe imponim me forcë të ndikimit dhe perceptimit të saj. Këtë më së miri e ka përshkruar në librin e tij “ Islami në kthesë ” autori i cili ka pas një përvojë jetësore edhe perëndimore edhe islame, Muhamed Asad, i cili përveç tjerash ka thënë:” Civilizimi bashkëkohor perëndimor nuk pranon nevojën e nënshtrimit njerëzor për cilido gjë, përveç kërkesave nacionale, ekonomike e sociale. Pasuria e vërtet e saj nuk është e llojit shpirtëror, por e llojit material, komfor. E filozofia e saj e vërtet është e shprehur në dëshirën e saj për fuqi për vetë fuqinë e saj. Të dyja janë të trashëguara nga civilizimi i vjetër romak”.
 Tani myslimanët në përgjithësi në botë, e në veçanti në Ballkan e në Evropë, gjenden para një udhëkryqi të cilin duhet zgjidh, për të vepruar dhe jetuar sa më mirë dhe për të pasur një të ardhme të ndritur. Ata gjinden në mes të gërshetimit të civilizimit dhe kulturës perëndimore si dhe të civilizimit dhe kulturës islame. Myslimanët duhet të anashkalojnë dy ekstreme të mundshme, atë të refuzimit apriori të civilizimit perëndimor si dhe atë të imitimit të verbër të saj. Të dyja janë të rrezikshme. Në rast se apriori e refuzojnë të parën , atëherë agonia e pafuqisë së tyre do të vazhdojë edhe më tutje, ndërsa në rast e imitojnë atë verbërisht atëherë gradualisht do të humbin identitetin e tyre fetar dhe kombëtar, dhe atëherë çdo vlerë  do të jetë e pakuptimtë. Por neve nuk duhet të mbyllemi por duhet të kyçemi dhe të jemi aktiv në këtë lojë, po për të garuar, më parë duhet të përforcojmë bindjen tonë në identitetin  që e kemi. Ashtu që në këtë lojë të jemi  partner të barabartë, duke u shprehur me termin sportiv: ” edhe mund të japim gola, por edhe të marrim gola”.
          Dhe së fundi, në përmbyllje do ceki, se fuqia e Perëndimit nuk qëndron në ekonominë dhe fuqinë ushtarake që ka, por burimi i përhershëm i fuqisë qëndron në mendimin kritik, të cilën Evropa e ka trashëguar që nga Baconi, e ky ndoshta nga arabët në kultin e zhvillimit të tyre në mesjetën e hershme, e arabët nga grekët e vjetër në kultin e zhvillimit të tyre.  Zoti e di!
          Mendimi kritik është më se i nevojshëm për myslimanët në përgjithësi në botën islame, pa atë, civilizimi islam do të jetë i mangët dhe në periferi të trendeve të zhvillimeve politike, ekonomike, shoqërore, shkencore, sociale arsimore, kulturore, ushtarake, teknologjike në epokën e globalizimit botëror aktual.

                                           
     22.10. 2012                                                       
  Faik MIFTARI



Author: faik
•8:01 e paradites



          Pas rënies së sistemit komunist në vitin 1990 në Evropën juglindore dhe vendosjes së sistemit demokratik, edhe në shtetet të Ballkanit, ku jetojnë në një masë të konsiderueshme myslimanët, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë, Serbi, Mal të Zi, si produkt i shfaqjes së valëve të reja demokratike, depërtuan këndvështrimet, perceptimet, drejtimet të reja, të cilët gjer atëherë nuk kanë qenë të pranishme fare tek myslimanët e Ballkanit gjatë traditës shumëshekullore të përkatësisë Islame. Kjo së pari nisi në vitin 1992, pas fitores së demokracisë në Shqipëri, ku pas ndalesës 25 vjeçare me ligj të ushtrimit të lirë  të fesë, ishte krijuar një boshllëk i madh, dhe se rinia e kishte humbur çdo kontakt me fenë dhe me traditën e saj qindravjeçare të ushtrimit dhe praktikimit  të fesë . Si rrjedhojë e kësaj depërtuan shumë organizata të ndryshme joqeveritare kryesisht nga bota arabe, të cilët me vete sollën edhe njohuri të reja të  ushtrimit dhe aplikimit  të fesë Islame nga ajo tradicionalja ekzistuese e gjerë atëhershme. Këtë duhet shikuar dhe pranuar nga një këndvështrim  tjetër, gjersa në sistemin monist ka qenë prezent vetëm një parti e cila ka udhëhequr vite me radhë pushtetin politik, në sistemin demokratik kemi sistem shumëpartiak, i cili iu mundëson llojllojshmëri partish,  programesh dhe ndërrim pushtetesh politike kohë pas kohe sipas rezultateve zgjedhore. Në mozaikun e pasur Islam në botë ekziston një llojllojshmëri të këndvështrimeve dhe perceptimeve të ndryshme rreth qasjeve  të aplikimit dhe zbatimit të riteve fetare islame. Edhe tek neve tani, si rrjedhojë e kësaj, një pjesë  e rinisë e kanë përqafuar në një masë më të madh këndvështrimin selefit(vehabit) të perceptimit islam, ndërsa në një masë shumë më të vogël edhe këndvështrimin  shiit të perceptimit islam. Kjo më së shumti  vërehet në Shqipëri, por pas përfundimit luftës, edhe  në Bosnjë kemi një shfaqje të tillë, si edhe në Sanxhak (Malë të Zi dhe Serbi), porse edhe në Kosovë e Maqedoni, sidomos pas luftës së vitit 1999 kemi një përhapje të këtyre këndvështrimeve dhe perceptimeve  të reja  islame në trojet tona shqiptare,  por  që janë  ekzistuese në botën Islame shekuj me rrallë.  Kjo  nuk ju jep të drejtë askujt që këto këndvështrime të reja, të perceptojë në atë mënyrë që janë  të vetmet, të drejta dhe të pranuara, ndërsa perceptimet tradicionale islame  aktuale në shtetet e Ballkanit shekuj me rrallë, të jenë demode, të hargjuara, të tejkaluara apo të shkuara.
Mendimet dhe këndvështrime të tilla sjellin vetëm kokëçarje, probleme dhe shqetësime, të cilët për mendimin tim janë fare të panevojshme për mesin dhe shoqërinë tonë. Çdo etapë e caktuar kohore sjell diç të re, edhe këto valë të reja demokratike sollën risi edhe në traditën tonë islame në trojet tona shqiptare, por edhe këto risi dhe mësime  të reja  gjatë kohës, me leximin, mësimin dhe studimin më të thellë të avancuar, dhe në ballafaqim me problemet dhe brengat jetësore shumë më të theksuara dhe më të nevojshme, sesa që për momentin  mendojnë ata  se janë parësore, sistemi i tillë i perceptimit apo i këndvështrimit të tyre fetar islam, do të evoluojë me kohë. Në trojet tona shqiptare në traditën islame është i përhapur dhe i pranishëm drejtimi juridik islam hanefit shekuj me rrallë, nëpërmes të cilit i zbatojmë në praktikë normativat  islame, dhe nuk ka kurrfarë logjike, që kjo të braktiset, pasi që caku i të gjitha mësimeve juridike islame është të ushtruarit dhe të praktikuarit e normativave islame dhe se tek Zoti është më i afërt  ai që është më i devotshmi, pa marr parasysh se cilën normativë islame ekzistuese e praktikon apo e zbaton në ritet e t’ia fetare. Në botën Islame janë të përhapura kryesisht pesë drejtime juridike islame, ku më shumë e ku më pak: sistemi juridik hanefi, shafi, hanbeli, maliki dhe xhaferi. Duke u nisur nga thënia profetike e të dërguarit tonë të dashur Muhamedit a.s :
” në pyetjen  se ç’është definicioni i fesë? –  u përgjigj: Besimi në arsye”, çdo gjë që feja mëson, urdhëron, ose ndalon duhet të jetë e arsyeshme, dhe e kundërta, çdo gjë që nuk pajtohet me arsyen e shëndosh  bie ndesh me doktrinën fetare, çoftë sunite apo shiite. Në bazë të kësaj të gjithë drejtuesit e shkollave juridike islame e kanë pas për bazë këtë thënie të profetit Muhamed, dhe  shihni  çfarë thonë për këtë:
“ Në rast se mendimi im është në pajtim të plotë me Kur’anin dhe Hadithin, atë e pranoni, e në rast nuk është,  hiqni dorë nga to. –Imam Ebu Hanife”.
“ Mos e mbështetni verbërisht atë që them. Mendoni vet dhe kontrolloni  dëshmitë e mia , pasi që në çështjet juridike dhe teologjike nuk është e lejuar mbështetje verbërore ndaj tjetrit-Imam Shafiu”.
“ Në çështjet juridike dhe fetare mbahuni bindjeve të veta. Imitimi i verbër ndaj mendimit të huaj e bënë njeriun të verbër, duke pas sy të shëndosh-Imam Hanbeliu”.
“ Gabimet në kuptimet dhe interpretimet e m’ia të çështjeve juridike dhe fetare i nënshtrohen kritikës. Vetëm interpretimi i Muhammedit a.s është autentik- Imam Maliku”.
“Askush nuk më urren më shumë sesa ata që pohojnë se më duan”-Imam Xhaferi”.
 Dijetari aktual me famë botërore të doktrinës sunite në botën Islame shejh Jusuf el. Kardavi në mënyrë të shkëlqyer e sqaron këtë fenomen të imitimit, të përqafimit  apo edhe të ndërrimit të doktrinave të caktuara Islame:
“ Çdo përpjekje dhe çdo shpenzim material , është i kotë, pasi që nuk mund të sjell sukses, edhe po të sjell sukses është i paktë, minimal, i kujt do qoftë që një vendi apo populli mysliman i cili me qindra vite ka pas traditën e ushtrimit dhe praktikumit të doktrinës sunite,  të mund të kalojë në doktrinën shiite, ashtu edhe tek vendet dhe popujt në të cilin me qindra vite është në traditë ushtrimi dhe praktikimi i doktrinës shiite është e pamundur që mund të ndërrohet me  doktrinën sunite”.
          Dijetari dhe ish lideri politik me famë botërore të doktrinës shiite në boton Islame imam Homeini në mënyrë  të bukur e ka sqaruar këtë problem të ndarjes së muslimanëve në bazë të doktrinës sunite dhe shiite:
” Kush na ndanë neve muslimanëve në suni dhe shi’i ai nuk i përket fesë Islame, sepse në Islam me rëndësi është devotshmëria ndaj Allahut . Vetëm të devotshmit janë të drejtë dhe më të afërm tek Zoti në këtë botë”.
Çdo shtëpi e ka rendin e caktuar të cilës i përmbahen anëtarët e familjes, ashtu që edhe në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës e ka zyrtarisht dhe në traditën  e saj të gjerë të ekzistuarit dhe vepruarit, ushtrimin dhe aplikimin të riteve fetare sipas normativave të caktuara islame juridike hanefite, të cilët myslimanët e Kosovës është e udhës  të ndjekin dhe të zbatojnë. Në shoqërinë demokratike,   janë të lirë të vepruari OJQ-të e ndryshme të shoqërisë civile, ato nuk bën të ndalohen me ligje, por  me rëndësi është që gjatë punës së  tyre,  preokupimi i tyre me çështjet thelbësore e esenciale është, e që për mendimin tim   aty qëndron edhe problemi akut i sotshëm i  dekadencës myslimane në botë,    arsimi dhe shkenca për të cilën profeti ynë i dashur qysh me kohë pat thënë dhe porositur: “ Dijen dhe urtësinë merreni kudo ta gjeni, ajo është pasuri e humbur e besimtarëve”.
     Me këto sfida me të cilët myslimanët në përgjithësi në botën Islame   ballafaqohen , e myslimanët e Kosovës në veçanti, ish myftiu i Prishtinës,  dhe për mendimin tim dijetari më i madh islam në Kosovë, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, të epokës së komunizmit, haxhi Sherif ef. Ahmeti, i cili  para se të shfaqeshin këto dukuri apo trend të reja që i sollën këto valë të reja demokratike  pati thënë që moti me urtësi e mençuri:
“ Mjedisit tonë nuk është i nevojshëm vehabizmi konservativ dhe shiizmi ekstrem”.


        15.10. 2012                                                   
      Faik MIFTARI