Author: faik
•10:41 e paradites
Kaluan plot 20 vjet nga rënja e sistemit monist dhe se në këto valët e reja të demokracisë populli ynë dalëngadalë po i rikthehet burimit të vetë, kulturës islame, pas plot 50 vjet mohimi, anashkalimi apo edhe ndalimi të plotë të Islamit në trojet shqiptare. Edhe pse ky kthim kah tradita islame nuk është duke u reflektua në një nivel të duhur, porse është i pranishëm në një shtresë të popullatës. Kam vërejtur gjatë gjithë kësaj kohe një dukuri të veçantë, gjersa pjesa më vitale e ardhmërisë së popullit, pjesa e rinisë po i kthehet burimit të vetë, fesë Islame, pas vakuumit të plotë 50 vjeçar të mohimit dhe anashkalimit të kulturës islame, shtresa intelektuale dhe klasa politike e popullit tonë shumë ngadalë apo fare pak po kyçet në këto rrjedhat e reja të proceseve nëpër të cilët kalon shoqëria jonë shqiptare. Ajo që është racionale, apo e arsyeshme, shtresa intelektuale dhe klasa politike e popullit do të duhej e para të kyçej në lokomotivën e kthimit kah tradita e kulturës islame, dhe se masës së gjerë të popullit t’i shërbejë si udhërrëfyese dhe shembull, ashtu siç kanë vepruar inteligjenca dhe klasa politike e popujve tjerë të rajonit, të cilët njashtu edhe ata kanë qenë nën sundimin totalitar monist. Çfarë është ajo që e pengon inteligjencës dhe klasës politike, frika nga e kaluara, vasalizmi i plotë ndaj faktorit ndërkombëtar, apo diç tjetër. Ata pas plot 50 vjet të kaluara me idenë dhe konceptin komunist, tani në vend të fetares e kanë zgjedhur konceptin e laicitetit si frymë apo model me të cilën “krenohen” dhe veprojnë si të tillë në këto valët e reja demokratike. Por, ata si të tillë, pikësëpari, e mashtrojnë veten dhe i sjellin dëm vetvetes e më pas edhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Është e drejtë individuale e çdo kujt se a do të besojë apo jo, dhe se a do të praktikojë apo jo fenë e caktuar, por të deklaruarit laik , kjo fare nuk mund të qëndrojë, pasi që edhe Papa Benedikti i XVI-të i ka shpallur luftë të hapur rrezikut të laicitetit të shoqërisë evropiane.
Nuk mund ta kuptojë assesi elitën tonë politike, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, duke përjashtuar një pjesë të vogël të saj, gjersa edhe pse veten e deklarojnë figurativisht si mysliman, marrin pjesë në mesha dhe përurime në kisha e katedrale, ndërsa në anën tjetër fare nuk marrin pjesë në faljen e bajrameve, e mos të flasim fare për mungesën e tyre në falja e përbashkët javore për myslimanë, të namazit të xhumasë.
Kjo as që mund të paramendohet, e jo të ndodh që, kryetari Turqisë, Abdullah Gyl, apo kryeministri i Turqisë, Rexheb Tajib Erdogan, apo edhe ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, të mos marrin pjesë në namazin e përbashkët javor, atij të xhumasë. Kjo do të sillte tërmet në skenën politike turke, në një vend me shumicën islame, e njëherit edhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ashtu sikur edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, synojnë këtë anëtarësim. Çdo ditë ballafaqohemi me një pasqyrë të shëmtuar që nuk i ka hije fare mesit në të cilin jetojmë.
Me rastin e vdekjes së ndonjë shoku, miku, vëllai, të afërmit, apo të prindërve më të dashur, nënës apo babës, intelektualët tanë dhe krerët politik edhe pse marrin pjesë në kortezhin funeral, nuk hyjnë fare në xhami dhe nuk i afrohen fare vendit ku do të falet namazi i xhenazes së të ndjerit të tij më të afërt, apo si themi neve “të zemrës, apo shpirtit”, pasi që falja e xhenazes është shpërblim më i madh për te, dhe se të nesërmen ai ka për të na shtruar pyetjen” se si mund të dëshmosh që ke pas respekt ndaj meje në njërën anë, ndërsa në anën tjetër në ritin përfundimtar të ndarjes nga kjo botë dhe kalimit në botën tjetër, më ke anashkaluar dhe përbuzur tërësisht duke mos marrë pjesë në faljen e përbashkët të namazit të xhenazes” ? A thua vallë se si do të përgjigjet në këtë intelektuali i tillë që e anashkalon të afërmin e tij prej zemre ? Kjo i përngjan asaj që verës të shkosh në det e fare të mos lahesh në të, apo dimrit të shkosh në mal e të mos rrëshqasësh në borë. Në faqet e gazetave ditore apo revistave periodike fare pak mund të hasësh në shkrimet e intelektualëve dhe politikajve tanë lidhur me tematikat që kanë të bëjnë me kulturën islame, por edhe atëherë kur të hasësh eventualisht në ndonjë shkrim të tillë, ka të bëjë vetëm me sulme, njollosje, etiketime ndaj kulturës islame, edhe pse vet i përkasin asaj. I bëj thirrje intelektualëve dhe politikajve tanë që të zgjohen më në fund nga gjumi i thellë i katandisur, të fërkojnë sytë dhe të shohin veten në pasqyrë, se në çfarë mesi gjenden, jetojnë dhe veprojnë, dhe se koha po kalon, dhe se mund t’ju shkel, sa mos është bërë vonë Me të vërtetë, nuk i ka hije assesi, që “truri” i një populli, inteligjenca e saj, të ndahet nga gjiri i popullit të cilit i përket, e dihet mirë fjala e urtë popullore që thotë: ”delen e cila ndahet prej kopesë, e ha ujku”, ashtu edhe klasa intelektuale dhe politike e cila ndahet prej popullit, vetvetiu shkon në shkatërrimin e saj moral dhe njerëzor, pasi që nuk është as njerëzore as morale, një veprim i tillë që bie ndesh me shumicën e vlerave që i ka ky popull dhe që i praktikon, gjegjësisht kultivon traditën islame.
Në vend se të mbrojnë dhe të angazhohen për të drejtat e besimtarëve mysliman si një e drejtë themelore e të drejtave njerëzore, krerët politik, jo vetëm që i përzihen në punët e brendshme të Bashkësisë Islame të Kosovës, por edhe i bëjnë trusni të heqin dorë nga aplikimi i lëndës së mësim besimit, moslejimin e shamisë në shkolla publike dhe institucione tjera publike me sjelljen e udhëzimeve dhe rregulloreve kundër kësaj të drejteje elementare njerëzore, nuk i japin leje ndërtimit të xhamisë në qendër të Prishtinës plot 11 vjet nga përfundimi i luftës, nuk i japin frekuencat për hapjen e radios dhe televizionit, e në anën tjetër as nuk i shkon në mendje që diç të tillë mund të provojnë e lere më të përzihen apo të bëjnë trusni në kishën katolike apo kishën ortodokse. E tani, pasi që jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë pa fije turpi do të turren në fushatën elektorale drejt myslimanëve shumicë për të përfituar votat e tyre, a thua me çfarë fytyre do të dalin, nëse të tillë kanë akoma, përderisa nuk i përmbushin nevojat dhe të drejtat elementare të tyre.
Në këto valët e reja të demokracisë duhet përgëzuar, pjesën e rinisë sonë, e cila me të vërtet është rikthyer burimit të pashtershëm, kulturës Islame, pas një periudhe të gjatë plotë 50 vjeçare, tani edhe në saje të depërtimit edhe të perceptimeve apo këndvështrimeve të reja islame në këto treva tona, si produkt i depërtimit të valëve të reja demokratike në Kosovë , krahas asaj ekzistuese në Kosovë, dhe se duhet shikuar dhe pranuar si një llojllojshmëri që ekziston në mozaikun e pasur islam në botë, dhe se në ballafaqim me të një pjesë e rinisë sonë e kanë përqafu si të tillë, por kjo nuk do të thotë dhe nuk ju jep të drejtë askujt që perceptimi i këtillë i Islamit është i vetmi i drejtë dhe i pranuar, ndërsa perceptimet tjera nuk vlejnë apo nuk janë të drejta e të pranuara, pasi që kjo mund të sjell vetëm përplasje apo konfrontime si të tillë, të cilët janë fare të panevojshme për mesin dhe shoqërinë tonë, por këto perceptime duhet parë si diç që janë prezentë në botën islame në gjeografin e saj të gjerë, e assesi si përparësi apo e vetme e drejtë kundruall asaj prezentë në trojet tona shqiptare. Edhe pse apriori nuk kam kurrgjë kundër një mësimi të caktuar juridik islam(mez-hebi), pasi që të gjitha mësime të pranuara juridike islame janë të pranishëm dhe ekzistente si të tillë në botën islame , varësisht prej rrethit apo etapave të historisë gjatë së cilës janë përhapur nëpër vendet e ndryshme të gjeografisë së gjerë islame. Çdo etapë e caktuar kohore sjell diç të re, edhe këto valët e reja demokratike sollën risi në Kosovë edhe në traditën tonë islame në trojet tona shqiptare, po mos të krijojmë vetes panik të tepruar, pasi që këto risi dhe stile të reja gjatë kohës do të ambientohen dhe do të shikohen si diç normale, sikurse tani është normale veprimi apo shumëllojshmëria partiake kundruall asaj njëpartiake në kohën e monizmit, pasi që edhe të rinjtë tanë gjatë kalimit të kohës, kur do të ballafaqohen me problemet dhe brengat jetësore do të shohin se para vetes kanë probleme dhe nevoja shumë më të theksuara dhe më primare, sesa që për momentin që mendojnë për atë se janë qenësore. Në trojet tona shqiptare në traditën islame është i përhapur dhe i pranishëm mësimi juridik islam hanefit, nëpërmes të cilit i zbatojmë në praktikë normativat islame, dhe nuk shoh kurrfarë logjike, që kjo të braktiset, pasi që caku i të gjitha mësimeve juridike islame është të ushtruarit dhe të praktikuarit e normativave islame dhe se tek Zoti është më i afërt ai që është më i devotshmi, pa marr parasysh se cilën normativë islame e praktikon apo e zbaton. Çdo shtëpi e ka rendin e caktuar të cilës i përmbahen anëtarët e familjes, ashtu që edhe Bashkësia Islame e Kosovës e ka zyrtarisht dhe në traditën e saj të gjerë të ekzistuarit dhe vepruarit, sipas normativave të caktuara islame juridike hanefite. Në jetën e tij personale, besimtari ka të drejtë të zbatojë dhe të praktikojë ndonjë normativë tjetër, krahas asaj ekzistuese, por nuk ka të drejtë as moralisht e lere më të ndikojë që diç të tillë të imponojë xhematit në të cilin graviton dhe vepron. Në këtë aspekt duhet pas kujdes edhe imamët që gjatë mësimeve dhe ligjërimeve të tyre të këshillojnë besimtarët musliman të zbatojnë normativat islame juridike hanefite që janë në traditën tonë islame shekuj me radhë prezentë, pa marr parasysh se në cilat qendra universitare botërore islame kanë diplomuar. Nuk kam qëllim assesi të glorifikojë shkollën juridike hanefite, ndaj shkollave tjera ekzistuese islame në botë, por nga praktika mund të vërej se kohë pas kohe zbatimi i normativave tjera herë pas here po sjellin refleksione jo të këndshme dhe të panevojshme në xhematët tona anekënd Kosovës.
Në përfundim të kësaj qasjeje, do të citojë një thënie të urtë, të ish myftiut të Prishtinës, ish drejtorit të Medresesë Alaud-din në Prishtinë, dhe për mendimin tim dijetarit më të madh islam që e ka pas Kosova, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, të epokës së komunizmit, haxhi Sherif ef. Ahmeti, i cili këtë e ka thënë shumë kohë më parë, para se të shfaqeshin këto dukuri apo trend të reja që i sollën këto valët e reja demokratike në Kosovë:
“ Mjedisit tonë nuk është i nevojshëm shiizmi ekstrem apo vehabizmi konservativ”.


19.10.2010
Faik MIFTARI


Author: faik
•3:43 e pasdites

Këto ditë është bërë publikimi i dy listave të mësimdhënësve të FSI-së për vitin shkollor 2010/11 të cilat krijuan huti në mesin e muslimanëve të Kosovës dhe opinionit të gjerë, i cili u prezantua edhe në mediat e shkruara. Para se të elaborojë detajisht dy listat e shpallura të ndryshme të mësimdhënësve në FSI në dy ueb faqet zyrtare, asaj të Bashkësisë Islame të Kosovës www.bislame.net si dhe Fakultetit të Studimeve Islame www.fsi-ks.org , dua të ceki se shkaku i kësaj kundërthënieje është shkuarja apo dekretimi nga ish presidenti i Kosovës z.Fatmir Sejdiu për ambasador fuqiplotë të Kosovës në Riad të Arabisë Saudite të ish dekanit të FSI-së z.Rexheb Boja. Dr. Rexheb Boja para largimit të tij nga posti i dekanit të FSI-së në qershor të vitit 2010, ku ishte plot 18 vite dekan i FSI-së që nga themelimi i tij në vitin 1992, krahas kësaj ishte edhe Myfti i Kosovës (Kryetar i Kryesisë) në 3 mandate, prej vitit 1990 e gjer në vitin 2003. Edhe pse neni i 49 i Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës thotë: “Kryetar i Kryesisë është njëherësh edhe myfti i Bashkësisë Islame. Kryetar i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate”, atij nuk i pengoi që edhe për herë të katërt të kandidojë në garë për postin e myftiut (Kryetar i Kryesisë) në vitin 2008. Para largimit të tij nga posti i dekanit të FSI-së ai me një shkresë autorizon prodekanin aktual të FSI-së Mr.Qemajl Morinën si dhe mësimdhënësin Dr. Xhabir Hamiti për kryerjen e detyrave të dekanit të FSI-së. Edhe pse dihet që pas largimit për shkaqe personale apo edhe të shkarkimit eventual nga posti i dekanit, për shkelje të normativave ligjore, ushtrimin e detyrës së dekanit të FSI-së e kryen prodekani, gjer në zgjedhjen apo emërimin e dekanit të ri me konkurs, e në këtë rast ishte në këtë pozitë aktuale prodekani Mr. Qemajl Morina, i cili tani është edhe u.d.i dekanit të FSI-së. Fare e panevojshme , tani po shihet se çfarë kokëçarje, solli veprimi i pamatur i ish dekanit të FSI-së Dr. Rexheb Boja.
Në ueb faqen zyrtare të Bashkësisë Islame www.bislame.net është njoftimi i shpallur me listën e kandidatëve të pranuar për mësimdhënie në FSI të paraqitur sipas konkursit të datës 06.09.2010, të shpallur publikisht në gazetën ditore “Koha Ditore” të datës 07.09.2010 , në të cilën pasojnë emrat e 16 kandidatëve, të nënshkruar nga u.d. i dekanit, Mr.Qemajl Morina, datë 27.09.2010.
Ndërsa në ueb faqen zyrtare të FSI-së www.fsi-ks.org figurojnë disa njoftime të ndryshme lidhur me procedurën në Fakultetin e Studimeve Islame.
Në njoftimin e parë të datës 28.07.2010 përveç tjerash shkruan:
” Në bazë të konkursit zyrtar të datës 13.07.2008 për pozitën e dekanit të FSI-së në Prishtinë me mandat 4 vjeçar komisioni vlerësues i përbërë prej 5 anëtarëve, mori vendimin që doc.Dr.Xhabir Hamiti të zgjidhet për dekan të FSI-së për mandat 4 vjeçar pas plotësimit të të gjitha kushteve konform statutit të FSI-së dhe të procedurës ligjore”. Duke u nisur nga fakti se Kuvendi i Bashkësisë Islame me propozim të Kryesisë ka themeluar FSI-në, dhe se e mbikëqyr dhe financon FSI-në, emërimi i dekanit të FSI-së nga ana e Këshillit Mësimor Shkencor jo të plotë të FSI-së të Dr.Xhabir Hamiti, pa pëlqimin e Kryesisë së BIK-ut, është në kundërshtim të plotë me nenin 56 të Kushtetutës së BIK-ut i cili thotë:” Fakulteti i Studimeve Islame, medresetë dhe institucionet tjera gëzojnë autonomi mësimore, akademike, administrative dhe financiare. Këto udhëhiqen nga drejtuesit të cilët i emëron Kryesia e Bashkësisë Islame. Mbikëqyrjen e punës së tyre dhe financimin e bënë Kryesia e Bashkësisë Islame”. Por edhe të ishte valide zgjedhja e dekanit të FSI-së konform nenit 56, prapë se prapë Dr.Xhabir Hamiti nuk do të kishte të drejtë as të konkurrojë, e lere më të zgjidhet në postin e dekanit të FSI-së, pasi që bie ndesh edhe me nenin 71 të Kushtetutës së BIK-ut i cili decidivisht thotë:
”Udhëheqësit e institucioneve të Bashkësisë Islame nuk mund të jenë njëherësh edhe anëtarë të Kuvendit”. E institucionet e Bashkësisë Islame sipas nenit 34 të Kushtetutës së BIK-ut janë:
” Fakulteti i Studimeve Islame, medresetë, institutet islame....”.
Nuk e kam të qartë se si mund të mos ketë njohuri për këto përkufizime të Kushtetutës Dr.Xhabir Hamiti, jo që është anëtar i Kuvendit, por është edhe kryetar aktual i Kuvendit të BIK-ut, e që ia pamundësojnë zgjedhjen e tij si dekan i FSI-së, apo sindromi i shkeljes së Kushtetutës së Kosovës nga ish presidenti i saj z. Fatmir Sejdiun, nuk e ka anashkaluar as Bashkësinë Islame të Kosovës, të nisur nga ish dekani i saj Dr.Rexheb Boja, i cili përplot 18 vjet ishte dekan i FSI-së, e njëherit plot 13 vite, apo 3 mandate në pozitën e myftisë (Kryetar i Kryesisë), e bile bile konkurroi edhe për mandatin e katërt në vitin 2008, por për “fat të mirë apo të keq” nuk u zgjodh, e vazhdon tani këtë praktikë të paraardhësit të tij Dr.Rexheb Boja, edhe Dr.Xhabir Hamiti për pozitën e dekanit në kundërshtim me nenet 56, e 71, duke qenë se gjendet aktualisht në postin e Kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në njoftimin tjetër është lista e profesorëve mësimdhënës të angazhuar në FSI me vendimin e Këshillit mësimor shkencor për vitin akademik 2010/2011, në të cilën pasojnë emrat e 23 mësimdhënësve, të datës 28.09.2010, në të cilin nuk figuron fare emri apo nënshkrimi i personit të autorizuar nga Këshilli Mësimor Shkencor.
Në njoftimin tjetër të radhës të datës 28.09.2010 shkruan përveç tjerash:
” Këto ditë në websajtin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës po qarkullon një listë e”mësimdhënësve” të ri në FSI, jo e ligjshme, e përpiluar dhe e zgjedhur nga z.Qemajl Morina në bashkëveprim me Kryesinë e BIK-ut në të cilën figuron Myftiu, me stafin e tij teknik, Sabri Bajgora, Resul Rexhebi, Ekrem Simnica, dr.Fahrush Rexhebi”, në të cilin nga dekanati i FSI figuron emri apo nënshkrimi i doc.Dr.Xhabir Hamiti.
Në njoftimin e fundit të datës 30.09.2010 shkruan përveç tjerash:
“Njoftohen të gjithë studentët dhe profesorët se ekziston vetëm një listë e zyrtare e mësimdhënësve e dalë nga Këshilli Mësimor Shkencor i FSI-së, e cila është e publikuar me kohë në ueb faqen zyrtare të FSI-së si dhe në tabelat e njoftimit në objektin e FSI-së. Këshilli Mësimor Shkencor listën e mësimdhënësve të Kryesisë së publikuar në ueb faqen e saj zyrtare e konsideron provokim të rëndë dhe shkelje të drejtpërdrejtë të autonomisë akademike dhe administrative, të cilën e gëzon Fakulteti me të gjitha normat e shkruara”, në të cilin tani figuron tani vetëm Stafi i FSI-së dhe Këshilli Mësimor Shkencor pa emër konkret të ndonjërit.
Veprimi i tillë i pamatur i Kryetarit të Kuvendit të BIK-ut Dr.Xhabir Hamiti bie ndesh edhe me nenin 16 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame në të cilin përveç tjerash shkruan” Pjesëtarët e Bashkësisës Islame janë të detyruar:
- të ruajnë autoritetin dhe unitetin e Bashkësisë Islame, të organeve dhe të përfaqësuesve të saj si dhe të ruajnë interesat e Bashkësisë Islame;
- t’u përmbahen kushtetutës, rregullave dhe vendimeve të organeve të Bashkësisë Islame”.
Po qoftë kjo edhe nga Dr.Xhabir Hamiti e tepërt dhe e papranueshme është.
Në përfundim të kësaj qasjeje, mendoj se besimtarët muslimanë, pjesëtarët të Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe mbarë opinioni dinë të vlerësojnë se cila listë e mësimdhënësve të FSI-së është valide, ligjore konform Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës, ajo e u.d.të dekanit Mr.Qemajl Morina, apo e “dekanit” të zgjedhur në kundërshtim të normativës ligjore, saktësisht të shkelësit të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës Dr.Xhabir Hamitit.

03.10.2010
Faik MIFTARI