Author: Visal
•8:44 e pasdites
Me 15 korrik 2007 u mbushën plot 25 vjet nga dita kur kam shkuar në shërbim të detyrueshëm ushtarak në ish “Armatën Popullore të Jugosllavisë”. Duke marrë parasysh përherë në kujtim thënien e urtë të Mulla Mustafa Basheskisë “çdo send që shënohet mbetet, çdo send që mbahet mend harrohet” vendosa që të shënojë kujtimet e hidhura nga shërbimi ushtarak që të mbeten përherë. Vetëm 1 vit pas demonstratave të vitit 1981, në atë kohë doli ligji i ri për shërbimin ushtarak, që ata që e kryen shkollën e mesme dhe regjistrohen në fakultet mund të kryejnë menjëherë shërbimin ushtarak. Edhe unë veprova njashtu, pasi që u regjistrova në fakultet, u paraqita në sekretariatin e mbrojtjes popullore, dhe pas vetëm ca ditëve mora ftesën, dhe saktësisht me 15 korrik të vitit 1982 shkova në shërbimin e obligueshëm ushtarak në Shkup në kazermën”Goce Delqev”.
Çasti i parë i hidhur që përjetova ishte që në ditën e parë të shkuarjes sime në shërbim ushtarak, ishte dita e 15 e muajit të agjërimit të Ramazanit dhe pas 10 vitesh agjërimi të pandërprerë që nga mosha 9 vjeçare kur isha në bankat shkollore të klasës së tretë fillore, m’u pamundësua që të përfundoj edhe 15 ditët e mbetura të agjërimit.
Isha i rreshtuar në njësinë e këmbësorisë, dhe menjëherë i nisëm me stërvitjet të rregullta dhe përsosje të shkathtësive ushtarake, përveç pajisjeve tjera që i kisha, isha i pajisur prej armatimit me pushkë automatike të prodhimit serb”Zastava” të Kragujevcit , prototip i Kallashnjikovit rus AK-47 .
Edhe pse stërvitjet ishin të mundimshme, por pasi që isha i ri në moshën 19 vjeçare, i përballova pa problem, por në këtë aspekt shumë më problem kanë pas më të vjetrit që ishin si p.sh udhëheqësi i programeve argëtuese Hivzi Krasniçi, i cili vetëm pak ditë para se të vijë në shërbim ushtarak, i ndërro jetë babai i tij hoxhë mulla Isuf Krasniqi nga Peja. Me të vërtet atë e kemi pas shokë të posaçshëm i cili me humorin e tij na i lehtësonte çastet e hidhura gjatë shërbimit ushtarak. Periudha më e vështirë fizike ka qenë stërvitja 6 javore që e patëm mbajtë në poligonin më të madh ushtarak në Evropën jugore, që edhe në atë kohë interesim të shtuar kanë pas shumë shtete, e ai ishte poligoni ushtarak Krivollak me një perimetër që nuk gaboj 40kmx60km. Aty kryem edhe inskenimin e vërtet luftarak, sulm me tanksa dhe këmbësori me përdorim të municionit të vërtet luftarak. Kjo për neve ishte kurora e përvetësimit të shkathtësive ushtarake në gjirin e këmbësorisë. Por gjatë këtyre 6 javëve sa ishim në terren më së shumti kemi ndier mungesën e ushqimit dhe të bukës i cili ka qenë në sasi të vogla minimale, e këtu nuk mundem kur ta harrojë ushtarin e vjetër Sylejman Sopi nga Bukoshi i Suharekës i cili fshehurazi na sillte nga një bukë që për ne në atë kohë e kishte vlerën e një floriut. Me të vërtet ishin çastet e hidhura nga mungesa apo servimi minimal i ushqimit dhe i bukës në atë kohë.
Sapo u kthyem nga stërvitjet e mundimshme 6 javore në poligonin ushtarak Krivollak , në Shkup u ngarkuam me një detyrë të re, ushtrimet 2 javore të pandërprera të batalionit të nderit të sapoformuar enkas për përcjelljen e ish kryetarit të Turqisë z. Kenan Evren, më parë gjeneral i armatës dhe komandant i forcave të armatosura turke, njëherësh edhe autor i grusht shtetit ushtarak të 12 shtatorit 1980 në Turqi, i cili qe planifikua që nga aeroporti i Shkupit për t’u kthye në atdheun e vet në Turqi. Ushtrimet kanë qenë aq të mundimshme dhe të pandërprera 2 javore, vetëm për 2 minuta nderë që i kushtuam gjatë përcjelljes së kryetarit nga aeroporti i Shkupit.


Gjatë asaj periudhe stërvitore dyjavore 2 herë na i ndërruan pushkët e reja të sapoardhura dhe të paketuara e të zhytura tërësisht në vaj, dhe një Zot e di sa kemi hekë gjersa i kemi pastruar pushkët që ishin të zhytura në vaj . Kontingjenti i parë i pushkëve të reja u zëvendësua me kontingjentin e dytë vetëm për një arsye më të vogël pasi që ngjyra e kondakëve të pushkëve nuk qe e njëjtë. Stërvitjet 2 javore u përcillnin drejtpërdrejt nga komandanti i atëhershëm i ushtrisë së tretë të Shkupit, gjeneralkolonel Stevan Mirkoviq. Ish Armata Popullore e Jugosllavisë në atë kohë përbëhej prej 5 ushtrive, zona e armatës së parë me seli në Beograd, zona e dytë e armatës me seli në Nish, zona e armatës së tretë me seli në Shkup, zona e armatës së katërt me seli në Sarajevë dhe zona e armatës së pestë me seli ne Zagreb. Një ditë para se të dalim në aeroportin e Shkupit për të përcjell kryetarin Turqisë z. Kenan Evren, gjeneralkoloneli Stevan Mirkoviq mbajti një fjalim batalionit të nderit të caktuar enkas për përcjelljen e mysafirit .Përveç tjerash ai ceku: “ushtarët e mi, nuk guxojmë neve të koritemi si ushtri në tërësi, se nuk jeni duke bërë nder një kryetari civil shteti, por jeni duke bërë nder një gjeneralit turk i cili më parë për shumë vite ka qenë komandant i 1 milion ushtarëve të forcave ushtarake të Turqisë, e cila është pasardhëse krenare e armatës së famshme osmane e cila ka sundua dhe dërmua si perandori më e fuqishme botërore në histori, jo 5 vjet, as 50 vjet, por mbi 500 vjet në të tri kontinentet e botës si në Azi, Evropë dhe Afrike që nga brigjet e oqeanit indian e gjer në brigjet e oqeanit Atlantik”.
Të nesërmen e tërë procedura e ceremonialit përcjellës zgjati vetëm 2 minuta, me ç’rast kryetari i Turqisë Kenan Evren batalionin e nderit të rreshtuar enkas për te e përshëndeti me fjalët”Merhaba askerler” dhe u nis në aeroplanin me të cilin u kthye në atdheun e vet.
Çast i hidhur ka qenë që gjatë tërë kohës së shërbimit ushtarak që të gjithë ushtarët ushqeheshim nga kazani i njëjtë, si krishterë ashtu edhe mysliman, që ka qenë kryekëput një goditje e qëllimshme kundër besimit islam dhe myslimanëve në përgjithësi, edhe pse jam munduar që në çdo mënyrë të largohem nga përdorimi i mishit të derrit dhe produkteve të tij, që për neve myslimanëve në përgjithësi rreptësisht është i ndaluar, por edhe ajo grimcë që ka kapërcye në gojë rastësisht, është bërë jo me vullnet dhe dëshirë, por nga presioni i servimit të politikës antifetare në ushtri, e sidomos neve që ishim të përkatësisë fetare myslimane.
Gjatë gjithë kohës jam përpjekur me të gjithë mundësit e mia të ndikojë në ushtarët tjerë shqiptar të tregojnë një pjekuri politike dhe maturi ushtarake, pasi që vetëm një vit pas demonstratave të vitit 1981, filloi “gjahu” mbi ushtarët shqiptar duke qenë nën monitorim, ngacmim dhe përndjekje të përhershme nga shërbimi sekret ushtarak KOS-it, gjë që vetvetiu e kam provuar në lëkurën time direkt këtë kërcenim dhe presion psikik.
Në njërën prej ditëve që kalonim gjatë stërvitjeve dhe ushtrimeve të rregullta ushtarake, unë isha i sëmurë, gjegjësisht kisha dhimbje të dhëmbit dhe isha paraqitur për kontroll mjekësor tek stomatologu. Gjatë kohës sa isha duke pritur papritmas më afrohet kapiteni i klasës parë i cili punonte në shërbimin sekret dhe ishte i njohur për përcjelljet e neve ushtarëve shqiptar. Më mbajti një fjalim bukur të gjatë në stilin e tij të njohur, duke u përpjekur që të më përvetësojë për bashkëpunim me te në përcjelljen e shokëve dhe vëllezërve shqiptar, më dha afat një javë që të paraqitem në zyrën e tij. Ajo java ka qenë me të vërtetë më e vështira për moshën time të re në atë kohë, pas presioneve dhe propozimeve të shumta për anëtarësim në Lidhjen Komuniste në ushtri, të cilëve me plot sukses u rezistova dhe në asnjë mënyrë nuk pranova kurën e kurës të inkuadrohem jo në

ushtri, por edhe më parë dhe më pas, ku ishte çasti akoma më i hidhur dhe më i rëndë, por falë besimit të patundur në Zot, i thash vetvetes se për asnjë çmim nuk do të mund të më përvetësojë po qe nevoja të paguaj edhe me burg, këtë rol dhe detyrë të ndyrë, që të jem spiun i shërbimit sekret ushtarak KOS-it, dhe vendosa që nuk do t’i përgjigjem ftesës. Kaloi java dhe unë fare nuk shkova t’i paraqitem në zyrën e tij, pas kësaj ai kapiten i klasës së parë më asnjëherë as më ka ftuar dhe as që e kam takuar më. Ky me të vërtet ka qenë çasti më i vështirë dhe më i hidhur gjatë gjithë shërbimit tim ushtarak njëvjeçar në të ashtuquajturën ish Armatën Popullore të Jugosllavisë.
Një kujtim tjetër të hidhur që e kam nga shërbimi ushtarak ka qenë edhe se gjatë verës në Shkup mbretëronin temperaturat tepër të larta, dhe se neve ushtarëve nuk e di as vet për ç’farë arsye ndodhi, 15 ditë apo 2 javë të plotë, nuk na u mundësua larja apo pastrimi, menjëherë si rezultat i mospastrimit dhe i ndikimit të temperaturave të larta u godita nga sëmundja ngjitëse”Scabies” dhe se pasi u paraqita në ambulancën shëndetësore pran kazermës, mjeku kujdestar kur më pa në atë moment urgjentisht më dërgoi në spitalin ushtarak ku isha plot një javë në izolim të plotë dhe nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore gjersa nuk u evitua sëmundja ngjitëse”Scabies” si shkak i temperaturave të larta dhe i zgjatjes së kohës së mospastrimit, veç e di se pas rastit tim mjeku ka alarmua me të madhe të gjitha strukturat udhëheqëse ne kazermë dhe pas kësaj raste të tilla më nuk u paraqitën.
Pas plot 5 muaj shërbimi në Shkup, pas kryerjes së trajnimit të shkathtësive ushtarake në njësinë e këmbësorisë, u transferova për shërbim të mëtutjeshëm ushtarak, mu në prag të vitit të ri 1983, në karakollin kufitar”Cvetan Dimov” mu pranë vendkalimit kufitar në Gjevgjeli me Greqinë. Në karakoll ishim gjithsejtë 18 ushtar dhe 2 dhjetar, slloveni Mihelj Alesh nga Sllovenia dhe shqiptari Fatmir Shaqirin nga Maqedonia. Komandant të karakollit e kishim serbin Mile Zekiç nga Bosnja i cili mbante një raport ushtarak dhe kolegjial me të gjithë ushtarët gjatë 6 muajve sa isha në shërbim në karakoll në njësinë e kufitarëve. Për dallim nga kazerma”Goce Delqev” në Shkup, në karakollin kufitar”Cvetan Dimov” frymohej më lirisht dhe me më pak presione psikike, ndërsa mundimet fizike qenë të nivelit të njëjtë, por ato nuk paraqitnin vështirësi për neve shqiptarë, sa ishin të rënda presionet, shantazhe, inskenimet, kërcënimet psikike nga ana e eprorëve dhe ushtarakëve e sidomos të atyre të shërbimit sekret, KOS-it ushtarak. Prej 20 ushtarëve sa ishim në karakoll 5 ishim shqiptar, 5 serb, 3 kroat, 2 boshnjak, 1 slloven, 1 maqedon, 1 hungarez, 1 sllovak dhe 1 rom. Jeta ushtarake në karakoll dallohej me të madhe nga jeta ushtarake në kazermë, pasi aty e kishim prezent vetëm gjatë orarit të punës prej orës 7 gjer më 15 komandantin e karakollit, e pas saj kohe ishim vetëm në duart e komandës së 2 dhjetarëve gjer në ora 7 të mëngjesit të nesërm. Gjatë gjithë kohës së orarit të plotë prej orës 7 e gjer në 15 të ditëve të punës vazhdohej me ushtrime dhe trajnime për ruajtjen e kufirit, ndërsa epej roje 24 orësh dhe patrullime për gjatë linjës së kufirit nga 2 herë në ditë në kohëzgjatje 12 orësh sipas orarit dhe rendit të caktuar. Për dallim nga ushtarët tjerë vazhdimisht e përcillja shtypin ditor dhe të gjitha gazetat dhe revistat që na vinin, krahas asaj edhe Rilindjen tonë e vetme gazetë ditore në gjuhën shqipe në atë kohë, gjatë shërbimit e përvetësova edhe gjuhën maqedone pasi i përcillja me rregull mediat e shkruara si dhe ato elektronike maqedone.

Orët politike që i kishim për ditë të obligueshme i mbajtsha unë ushtarëve pasi që komandanti i karakollit për të liruar veten nga obligimi që kishte më obligoi mua që të mbaj gjatë gjithë kohës sa isha në shërbim në karakoll, plot 6 muaj me rresht. Edhe këtu në karakoll në mesin e ushtarëve ishin krijuar veç të ashtuquajtura 2 taborre apo blloqe të pashpallura, në njërën anë ishte “koalicioni” shqiptarokroatoboshnjak, në anën tjetër blloku serbomaqedonomalazias, pasi që veç valët e nacionalizmit dhe urrejtjes nacionale sapo kishin filluar. Edhe dhjetari slloven bashkëndiente me taborin tonë, por nga pozita që kishte mbante një pozitë asnjanëse, ndërsa dhjetari shqiptar gjatë gjithë kohës kishte një frikë të tepruar, ndoshta nga pozita në të cilin gjendej. Në pranverë të vitit 1983 u mbajtën edhe procese politike të montuara në ish Jugosllavi që ngjallën vëmendjen e opinionit të gjerë vendor e ndërkombëtar. Ishte i ashtuquajturi proces kundër grupit “fundamentalist” të Sarajevës në krye të së cilit ishte Alia Izetbegoviqi dhe procesi kundër grupit “irredentist”shqiptar të Prishtinës në krye të së cilit ishte Ukshin Hoti. Të 2 këto procese të montuara i përcillja me kujdes dhe vëmendje të plotë, pasi isha i njoftuar përse afërmi me të 2 procese të ashtuquajtura antijugosllave e antisocialiste. E realiteti ishte i tillë që të dyja grupe luftonin dhe u angazhonin për të drejtat kombëtare të tyre. Por ishte dallimi evident në mes këtyre dy grupeve, gjersa i ashtuquajturi grupi “fundamentalist” i Sarajevës bënte përpjekje për përmirësimin e pozitës së vetë kombëtare dhe fetare në ish Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse, përkundrazi grupi i ashtuquajtur “irredentist” bënte përpjekje për përmirësimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, për pozitën e barabartë të Kosovës dhe shpalljes së republikës me pozitë të njëjtë me republikat tjerë në Jugosllavi, elementin fetar tërësisht e ka eliminuar dhe e çmonte si një element destabilizues, antikombëtar, që logjika e shëndosh njerëzore assesi nuk ka mundur të akceptojë.
Do të përshkruaj edhe disa veçori karakteristike gjatë shërbimit ushtarak në karakollin kufitar në njësinë e kufitarit që ia vlen të shënohen.
Përveç lojës së futbollit, basketbollit, volejbollit, pingpongut, edhe loja e shahut ka qenë prezentë gjatë kohës së lirë që kishim në karakoll. Lojën e shahut aspak nuk e kam njohur, ishte ushtari Nenad Matoviq nga Serbia që më mësoi lojën e shahut. Aq bukur e përsosa lojën e shahut, sa që 1 ditë para kryerjes së shërbimit ushtarak luajtëm lojën e fundit me ushtarin Nenad Matoviq i cili më mësoi këtë art të menduarit e të veprimit, me ç’rast unë e fitova 3 me 0, pas shtrëngimit duarsh i thash” sot e ke përfunduar misionin tënd , çasti kur nxënësi ngadhënjen ndaj mësuesit të vet, është shenjë e vërtetë e mësimit të mësuesit ndaj nxënësit të vet”. Ata që e luajnë shahun dhe kur të humbin nga kundërshtari e dinë më së miri se si ndihen në atë moment, qerja iu ndërrua i mori pamje tjetër, dhe një Zot e di si e përballoi veten ish mësuesi im i dikurshëm i lojës së shahut.
Në patrullat gjatë ruajtjes së kufirit shkonim nga 2 vetë përherë, merrni me mend aq i kushtonim kujdes ruajtjes së kufirit, të bazuar në doktrinën komuniste se kapitalizmi është rrezik permanent i socializmit vetëqeverisës, ashtu që ne përveç që e ruanim kufirin në anën tonë, e ruanim edhe anën greke, sepse për 6 muajt vetëm një herë kemi parë ushtarët grek në patrullim të kufirit të vet edhe atë me xhip ushtarak, e ne të shkretët e kishim të mbuluar kufirin plot 24 orë pandërprerë dhe atë përherë në këmbë.
Sa herë që qëllonte të jem në patrullë kufitare me ushtarin Nenad Çojbashiç një serb nga Beogradi i cili e mbante veten lart pasi që jetonte në metropol, neve na nënçmonte ushtarët tjerë si proviencialista që nuk kemi kulturë, jemi larg rrjedhave të ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, muzikore e kështu me radhë.
Por unë për ta demaskuar mendjemadhësinë e tij, sa herë që ishim bashkë në patrullë, i blinim nga dy kopje të fjalëkryqit “Eureka” që shtypej në Beograd në gjuhën serbe, dhe se çdo herë unë ngadhënjeja ndaj tij në plotësimin me sukses të fjalëkryqit, dhe se i drejtohesha me fjalët ” një provincialist i thjeshtë, pa kulturë, i prapambetur, dhe plus shqiptar, në gjuhën tënde dhe në fjalorin tënd dilja më superior ndaj metropolistit me kulturë të gjerë dhe me kinse njohuri të gjerë të rrjedhave politike, kulturore, sportive, argëtuese, muzikore, e kështu me rrallë.” Prej mllefit të vet u tërboje pa masë dhe sa që nuk kobte prej dëshpërimit dhe hidhërimit se si ishte e mundur që një shqiptar ta mund atë në çdo pikëpamje të njohurive gjatë mbushjes së fjalëkryqit në fjalë.
Të vetmin shok në kuptim të plotë të fjalës dhe që kohën që më tepërmi që e kalojsha me te, natyrisht përveç shokëve dhe vëllezërve shqiptar , e sidomos kur na rastiste të qëllojmë së bashku në patrullë ka qenë sllovaku Vilem Shebesta nga Vojvodina. Me të vërtet ishte me një kulturë dhe intelekt të veçantë, me të madhe u vërejtke largpamësia e tij që datonte shumë larg që nga koha kur Vojvodina ishte në kuadër të AustroHungarisë, dhe se pas disfatës së saj në luftën e parë botërore iu aneksua Serbisë apo të ashtuquajtur Mbretërisë SKS( serbokroatesllovene ). Ai përveç tjerash edhe pse i krishterë, i takonte sektit baptist, dhe se pasi që edhe unë isha besimtar, e gjetëm një gjuhë të përbashkët, dhe diskutonim problemet e shumta dhe tema të ndryshme, përveç atyre fetare. Ka qenë një kënaqësi e rrallë dhe se shume kohë pas shërbimit kemi mbajt korrespodenca të rregullt, gjer në vitin 1991 kur edhe filloi shpërbërja e Jugosllavisë, pas së cilës u ndërprenë kontaktet tona.
Një çast që patjetër duhet të ceki, e që nuk mund të anashkalojë, ka qenë një natë prej netëve të shumta, 1 vit para mbajtjes së Lojërave dimërore olimpike në Sarajevë të parapara për vitin 1984, kur e hapa bisedën dhe i cyta në polemikë të paparë gjer atëherë dy tabore rivale, serbokroate, dhe me një mjeshtëri i futa në zjarr, ndërsa aty kam vërejt se sa nuk durohen mes vete, e sidomos kroatët fare nuk i duronin dot serbët, ndërsa serbët përveç kroatëve, edhe shqiptarët edhe boshnjakët nuk mund t’i shihnin me sy. Çasti më i rëndë që na ndodhi në karakoll ishte kur gjatë një stërvitjeje që kishim, ushtarit Luanit nga Peja, i shkrepi plumbi nga pushka automatike e tij, po për fat të mirë nuk na qëlloi asnjërin, ne sa herë qe dilnim në roje dhe patrullë përgjatë kufirit e ndërronim karikatorin e zbrazët me karikatorin e plotë, dhe kur u kthenim nga detyra nën mbikëqyrjen e dhjetarit përsëri i ndërronim karikatorin, të plotin me të zbrazëtin, por ai natën kur u kthye nga patrullimi i kufirit e kishte harruar me e ndërrua karikatorin dhe se në mëngjes në pushkë i kishte mbetur karikatori i plot me plumba. Por komandanti i karakollit rreshteri i ri Mile Zekiç na tuboi të gjithëve dhe se u tregua shumë zemërhapur, ashtu që na mbajti një fjalim duke na lutur të gjithëve që kjo që ndodhi të mbetet në mes neve dhe të harrohet, ashtu që askush nuk ka pas pësuar kurrfarë pasoje, me të vërtet u tregua njeri dhe shok rreshteri i rri që ishte vetëm në moshën 20 vjeçare. Por presion politik dhe psikik kemi pasur nga eprorët maqedon nga kazerma e Gjevgjelisë nën komandën e të cilëve ishim, sa herë që na vizitonin, e sidomos kapiten Bocevski i shërbimit sekret ushtarak KOS-it me të cilin kishim kokëçarje të mëdha.
Edhe pse ishte shenjëtari më i mirë në mesin tonë dhe në tërë kazermën e Gjevgjelisë mësuesi Alush Kryeziu nga Pagarusha e Malishevës, kur nuk e marrshin në gara vetëm pse ishte shqiptar, dhe se shumë problem kam pas për me qetësua dhe me u pajtua me një gjë të tillë, edhe pse kishte plot të drejtë në atë aspekt.
Mësuesi Alush kishte një miqësi të rrallë me dhjetarin Mihelj Alesh nga Sllovenia, të cilin e luti, pasi që më parë e përfundoi shërbimin prej neve, që kur të kthehet në Slloveni, t’i blej farmerka nga Triesta të Italisë dhe një majicë , slloveni premtimin e dhënë e mbajti dhe ja dërgoi me postë, nuk kam parë më të lumtur e më të gëzuar mësuesin Alush në atë çast.
Erdhi dita e 30 qershorit të vitit 1983, ditë kur e përfundova shërbimin ushtarak, në karakoll ishte një praktikë që praktikohej sa herë që ushtari kufitar e përfundon shërbimin, në ora 7 të mëngjesit kur vinte komandimi i karakollit, të gjithë ushtarët u renditshim dhe bënim parakalim nderi, pas së cilit pasonte përshëndetja me komandantin dhe me të gjithë ushtarët e renditur enkas për përshëndetje.
Me të gjithë u përshëndeta, e ata kishin një zakon tjetër nga neve shqiptarëve të cilit merrem në gryk gjatë përshëndetjes, e me ata s’kishte çare pa u puth, por kur erdha tek shoku im më i mirë mësuesi Alush, i thashë” pashë Allahun ti bile merrmë në gryk,siç e kemi zakon, lere ore më tha shkijet po i len me të puthë, e unë për inat të tyre dy herë do të puthë, ashtu edhe veproi me shokun e vet më të ngushtë të ushtrisë.
Dita e 30 qershorit 1983 do të mbetet në jetën time si ditë më e lumtur gjer atëherë në moshën time 20 vjeçare, të cilin do ta mbaj përherë në jetë, dhe për kuriozitet kur u ktheva në shtëpi ishte edhe muaji i agjërimit i Ramazanit me ç’rast vazhdova me agjërim ditët e mbetura, ndërsa ato që nuk i agjërova gjatë shërbimit ushtarak i kompensova më vonë.


Faik Miftari

24.08.2007

Author: Visal
•11:26 e pasdites
Pas vizitës së parë të “treshes” në përbërje Frank Wisner, Wolfang Ishinger dhe Aleksandar Harçenko të caktuar nga Grupi i Kontaktit në përbërje SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, Beogradit dhe Prishtinës nisi faza e re e negociatave 120 ditore në të cilin sipas deklarimeve të “treshes” do të kërkohet një kompromis i mundshëm i pranueshëm për të dyja palët për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës. Pas refuzimit të pakosë Ahtisari nga Serbia dhe Rusia në Këshillin e Sigurimit, dhe pranimit të këtij plani nga Kosova, ky plan përfundimisht ka dështuar dhe se as që do të gjendet në tryezat e bisedimeve të parapara 120 ditore. Si kompromis i mundshëm për të dyja palët, Beogradin e Prishtinën, në të cilin insistojnë faktorët ndërkombëtar, mbesin vetëm 2 opsione në lojë në tryezat e bisedimeve.Opsioni i parë, që tani përflitet vetëm në kuluaret politike, për të para përgatitur opinionin e gjerë publik për më tutje, është plani i përgatitur për ndarje të Kosovës. E ky plan konsiston në atë, që gjatë 120 ditëve të negociatave, në kohën dhe momentin e duhur do të bëhet trusja e “butonit” për realizimin e këtij plani të paraparë për ndarjen e Kosovës. Do të inskenohet një sulm në pjesën veriore të Kosovës, gjegjësisht në sektorin e KFOR-it francez, matanë lumit Ibër, nga grupe të përgatitura më parë, me ç’rast do të shkaktohen edhe viktima në njerëz, ashtu që në atë moment ushtria dhe policia serbe me pararoje të saja të grupeve paramilitare do të marrin nën kontroll këtë hapësirë gjer te lumi Ibër, me ç’rast edhe de jure do të ndajnë këtë pjesë të Kosovës, e cila de fakto është jashtë kontrollit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës dhe të UNMIK-ut që nga viti 1999, falë tolerimit dhe mbylljes” sy” të KFOR-it francez si akt i kryer që më parë. Serbia do të arsyetoj veten në opinionin publik me deklarimet e saja pompoze se këtë akt të veprimit të saj e ka bërë për mbrojtjen e popullsisë serbe, kinse në pamundësi të mbrojtjes së popullatës nga KFOR-i francez. Pas këtij veprimi diplomacia ndërkombëtare, gjegjësisht Grupi i Kontaktit, do të bëjë trusni politike palëve negocuese Beograd-Prishtinë të pranojnë këtë ndarje si akt i kryer dhe si kompromis i vetëm i mundshëm, në të cilin thirren dhe insistohet që të jetë i pranueshëm për të dyja palët si dhe për faktorin ndërkombëtar. Pa kësaj do të pasojë pranimi dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha faktorët relevant vendimmarrës si SHBA-ja, BE-ja dhe Rusia, si dhe do të bëhet përshpejtimi i pranimit të Serbisë ne BE, si kundërvlerë për pajtimin e saj, krahas përvetësimit të pjesës veriore të Kosovës.Opsioni i dytë i mundshëm është që pas 120 ditësh negociatash të dështojnë bisedimet, pa arritur kurrfarë pajtimi apo kompromisi të dyanshëm, me ç’rast as njëra e as tjetra palë, si Beogradi ashtu edhe Prishtina, nuk do të lëshojnë pe edhe përkundër trysnive të mëdha të faktorëve relevant ndërkombëtar vendimmarrës. Kosova do të mbetet e palëkundur në qëndrimin e mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës dhe moslejimit të ndarjes së saj, ndërsa Serbia në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës dhe ndarjen edhe de jure të saj nga Serbia. Pas kësaj do të pasojë shpallja unilaterale e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga disa shtetet e caktuara, por pas këtij hapi do të pasojë reagimi i ashpër i Serbisë dhe Rusisë, me ç’rast automatikisht edhe pjesa veriore e Kosovës, matanë Ibrit, do të shpall pavarësinë e saj nga Kosova, ashtu që prapë do të kemi ndarje të Kosovës, por për dallim nga opsioni i sipërmendur, pa pajtim të palëve të përfshira në konflikt Beograd- Prishtinë, si dhe pa bekimin e faktorit relevant ndërkombëtar, pas së cilit do të kemi si rezultat destabilitet të përhershëm në Kosovë dhe rajon, pas zgjidhjes parciale dhe me dhunë të imponuar, pasojat e së cilës më së shumti do ta ndiejnë në kurrizin e vet populli i Kosovës.Muajt në vijim do të tregojnë dhe do të qartësojnë se cili nga dy opsionet e mundshme do të realizohet dhe imponohet Kosovës. Por sido që të jetë, cilido opsion që të realizohet, për Kosovën dhe popullin shqiptar është humbës, ndërsa për Ekipin e Unitetit dështim i politikës së saj vasale, të të dëgjuarit dhe të nënshtruarit të vazhdueshëm ndaj çdo presioni ndërkombëtar që nga fillimi i negociatave të Kosovës.

Faik MIFTARI



12.08.2007