Author: faik
•9:29 e pasdites
Edhe pse një kohë të gjatë Serbia shtirej se kinse nuk është e interesuar për ndarjen e Kosovës, ditë më parë nëpërmes ministrit serb Samarxhiç, publikisht shpalosi planin e (ri) serb për “një ndarje funksionale në mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës”, të cilin propozim e dorëzoi zëvendësit të PSSP të UNMIK-ut z. Lary Rossin. Edhe pse ky projekt nuk është i panjohur për opinionin e gjerë ndërkombëtar, pasi që si i tillë është propozuar në një formë tjetër edhe nga ish kryeministri serb i vrarë Zoran Gjingjiç, i mbështetur dhe i inspiruar nga ideologu serb Dobrica Qosiçi, i cili edhe tani ditë më parë u prononcua për mediat serbe duke e mbështetur këtë projekt si i vetmi i tillë,” pasi që Kosova është e humbur dhe se vetëm na mbetet përkufizimi ndarës serbo-shqiptar, ashtu që pjesa shqiptare të bashkohet Shqipërisë, ndërsa pjesa serbe Serbisë”. Ky projekt i (ri) serb e hap “kutinë e Pandorës” të ndërrimit të kufijve shtetëror të Ballkanit. Përmes kësaj ideje Serbia në fazën e parë përpiqet që pas Bosnjës, përmes entitetit serb “Republika Sërpska”, ashtu edhe në Kosovë të përpiqet të krijojë entitetin serb në Kosovë, të realizojë edhe zgjerimin apo penetrimin serb në kufijtë e brendshëm të Bosnjës dhe Kosovës, e që pas një periudhe kohore, kur të jenë të volitshme raportet të faktorëve vendim marrës botëror, të kalojë në fazën e dytë të rrumbullakimit dhe të bashkimit të këtyre entiteteve serbe në Bosnjë dhe Kosovë edhe si kufijtë e jashtëm të Serbisë. Është interesant se të njëjtën metodë e ka aplikuar dhe realizuar në BeH, duke zgjeruar entitetin serb në 49% të territorit të gjithëmbarshëm të Bosnjës, dhe atë gjer në periferi të kryeqendrës së Bosnjës Sarajevës, tani të njëjtin skenar po përpiqet të realizojë edhe në Kosovë, të zgjerimit dhe krijimit të entitetit serb në 30% të territorit të gjithëmbarshëm të Kosovës, gjer në periferi të kryeqendrës së Kosovës, Prishtinë, gjegjësisht në Graçanicë vetëm 5 km nga qendra e Prishtinës. Përveç pjesës veriore të Kosovës e lidhur drejtpërdrejt me Serbinë, tani ajo do të përpiqet që prej kufirit të Serbisë, nëpërmes komunave të reja që do të krijohen, përmes Ranillugut, zgjerimit të Novobërdos e drejt Graçanicë, të arrijë të krijojë pykën serbe nëpër Anamoravë gjer në periferi të Prishtinës. Kjo në njëfarë mënyre ia lehtëson edhe decentralizimi sipas propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, që nga ky decentralizim i propozuar goditet më së tepërmi rajoni i Anamoravës, me krijimin e komunave të reja serbe si Ranillugu, Kllokoti, Parteshi,zgjerimit të komunës së Novobërdos drejt bashkimit të saj me komunën qendrore të Graçanicës. Qeveria e Kosovës duhet të jetë në nivelin e duhur politik, ekonomik, strategjik, të sigurisë, që në asnjë mënyrë të lejojë apo të pajtohet me një propozim të tillë pa marr parasysh sado i fortë që të jetë trusnia ndërkombëtare për pranimin eventual të këtij projekti të propozuar apo të ridefinuar. Edhe pse ky entitet serb i krijuar mund të arsyetohet me faktin se “de jure” do të jetë brenda territorit të Kosovës, “de fakto” ajo do të ishte në kontroll të plotë të Serbisë në kufijtë e brendshëm të Kosovës.
Edhe analistët e ndryshëm politik në analizat e tyre me kohë e kanë theksuar rrezikun e shumëllojshmërisë të ndikimeve dhe kontrolleve të qeverive të ndryshme në Kosovë, ashtu që në këtë propozim të Serbisë parashihet që Serbia me ndihmën e UNMIK-ut të ushtrojë kontroll të plotë si në sferën policisë, gjyqësisë, shëndetësisë, doganave, financave etj. në entitetin serb,ndërsa në pjesën tjetër të ushtrojë kontroll qeveria e Kosovës me ndihmën e EULEX-it. Të vetmin kontroll të plotë në tërë territorin e Kosovës do të kishte vetëm prezenca ushtarake e KFOR-it si garant i vetëm i sigurisë, i cili nuk do të kundërshtohet as nga serbët lokal e as dhe Serbia, e assesi as nga shqiptarët nëpërgjithsi. Indikativ është se nga shthurja e ish federatës së Jugosllavisë dhe krijimit të shteteve të reja nga kjo hapësirë gjeografike si nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe së fundi Kosova, vetëm në rastin e Bosnjës, e tani edhe në rastin e Kosovës insistohet që të realizohet ky skenar i entiteteve serbe i cili e bën shtetin jofunksional dhe të ndarë si në rastin e Bosnjës ashtu edhe në Kosovë.
25.3.2008
Faik MIFTARI
Author: faik
•5:15 e pasdites
Pas datës 17 shkurt 2008, ditë kur Kosova proklamoi pavarësinë e saj edhe de jure nga Serbia, nisi një epokë e re për shoqërinë kosovare. Tani e tutje për të punuar në ngritjen dhe avancimin e shtetit më të ri në Evropë, duhet të vijnë në shprehje pikësëpari vlerat njerëzore që do të përkushtohen me tërë potencialin e tyre kreativ, intelektual, mendor për përparimin dhe zhvillimin e atdheut. Edhe pse ky shtet i porsalindur që në start të jetesës së tij do të ballafaqohet me shumë probleme dhe vështirësitë nga më të ndryshmet që e dallojnë me të madhe nga shtetet e reja të porsaformuara nga ish federata jugosllave kohë më parë. Shteti i ri i Kosovës nuk do të jetë funksional për një kohë të duhur, pasi kemi mungesë të ushtrimit të pushtetit të qeverisë së Kosovës në mbarë territorin e saj, krahas kësaj do të jetë në ”bashkëqeverisje” edhe me UNMIK-un, në fazën transitore apo edhe më tej sipas rezolutës 1244 e cila është akoma ende në fuqi dhe do të shfuqizohet tek atëherë kur të aprovohet një rezolutë e re nga OKB-ja, edhe me misionin e EULEX-it të miratuar nga Unioni Evropian e cila thirret prapë se prapë në rezolutën 1244 si burim të mandatit të saj, dhe e cila e ka rolin e mbikëqyrësit të qeverisë së Kosovës, me theks të posaçëm në sferën e sigurisë dhe drejtësisë si elemente bazë të funksionimit të një shteti demokratik. Kësaj duhet shtuar edhe qeverinë serbe e cila përveç pjesës veriore të Kosovë ku ushtron pushtetin plot 9vjet, përveç saj ka ndikim edhe në enklavat serbe brenda Kosovës, ashtu që në një hapësirë prej afro 11.000 km2 kemi një kolazh qeverish,të cilët e bëjnë Kosovën me të vërtet një shtet hibrid dhe i veçantë për sistemin e funksionimit të shtetit në tërë globin tokësor. Edhe pas të gjithë këtyre pengesave administrative politike ne si shoqëri kosovare në këto kushte të porsakrijuara duhet angazhohemi sa më fuqishëm në ndërtimin dhe avancimin e këtij shteti në të gjitha aspektet organizative të saja. Që në fillim duke u nisur që nga rrafshi politik, diplomatik, ekonomik, sigurisë, kulturor, sportiv, duhet angazhuar mbarë potencialet njerëzore të shoqërisë kosovare që aftësitë e veta kreative të vejnë në dispozicion për mbarëvajtjen sa më të mirë të shtetit të Kosovës si dhe përgatitjeve drejt anëtarësimeve në organizmat e ndryshme evropiane dhe botërore. E kjo mund të arrihet vetëm në saje të angazhimit dhe vendosjes së njerëzve adekuat në pozita të caktuara shtetërore të cilët posedojnë vlera të caktuara të cilat bazohen në përgatitjet dhe aftësitë e tyre për të menaxhuar dhe udhëhequr çfarëdo dikaster të caktuar në të cilin do të japin maksimumin e tyre në zhvillimin dhe përparimin sa më të hovshëm të shoqërisë kosovare. Por në qoftëse vë vend të tyre vendosen njerëz me antivlera të caktuara, të cilët thirren në të kaluarën e tyre dhe në kontributin e dhënë në fushat tjera të caktuara, për të cilën medoemos duhet pasur konsideratë, por të cilët nuk korrespondojnë me pozitën e tyre të veprimit apo të funksionimit të ndonjë fushe të caktuar gjegjëse shtetërore, me siguri nuk do të prodhojnë sukses për mbarëvajtjen dhe përparimin e Kosovës. As një muaj pa kalue nga shpallja e Republikës së Kosovës, udhëheqësit tanë politik, në rrallë të parë kryetari dhe kryeministri i Kosovës, kanë treguar një papjekuri diplomatike, e cila në një ardhme të afërt do të prodhojë pasoja dhe vonesa në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga një spektër më i gjerë i shteteve botërore. Duke ditur se për anëtarësimin e Kosovës në OKB-në janë të nevojshme 2/3 e votave të shteteve anëtare të Asamblesë së OKB-së , saktësisht 130 shtete, dhe se do të jetë një përpjekje tejet e vështirë dhe se do merr një kohë bukur të gjatë për të arritur këtë numër, në vend se të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat politike dhe diplomatike për arritjen e këtij qëllimi strategjik, që në start, kryetari i Kosovës apo edhe kryeministri i Kosovës, kanë bërë një gaf diplomatik, me apo pa vetëdije, i mbetet atyre në barrë, por koha do të tregojë. Edhe pse të ftuar nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Konferencës Islamike, një mik i shquar i kosovarëve, z.Ekmeludin Ihsanoglu, që Kosova të merr pjesë në tubimin e rrallës me 13-14 mars në Dakar të Senegalit, ku kryetari apo kryeministri i Kosovës do të shfrytëzonim konferencën që me një fjalim rasti në këtë eveniment kaq të rëndësishëm politik, ekonomik, të lobojnë dhe të kërkojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga një numër sa më të madh të shteteve anëtare të OKI-së. Ata në vend të tyre kanë dërguar ministrin e arsimit z.Enver Hoxhaj së bashku me një këshilltar të kryeministrit, kinse takimi i rrallës që mbahej në Dakar, të ishte mbajtur në nivel të ministrave të arsimit ku do të shtjellohet problematika dhe arritjet në fushën e arsimit, kjo nënkuptohet në diplomacinë ndërkombëtare me këtë gjuhë. Kjo me të vërtet ke një storje e shkurtpamsisë politike dhe diplomatike të krerëve të Kosovës. Udhëheqësit shtetëror politik kosovar mendojnë se neve duhet të na njohin shtetet anëtare të OKI-së, për të cilin kemi nevojë tepër të madhe, pasi ata paraqesin gati 1/3e votave të nevojshme për pranim në Asamblenë e OKB-së, ndërsa në anën tjetër përpiqen të jenë sa më larg anëtarësimit dhe prezencës së Kosovës në Organizatën e Konferencës Islamike, një organizatë respektabile me fuqi të caktuar ekonomike, politike në nivel botëror, ku përveç tjerash janë anëtarët fuqiplotë edhe Shqipëria e Turqia. Do të përmbyll këtë qasje me një koment të gazetës prestigjioze amerikane “The International Herald Tribune” në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, ku përveç tjerash shkruante” në Evropë po lind një shtet i ri me shumicë absolute myslimane..” Me të vërtetë çdo koment është i tepërt.
16.3.2008
Faik MIFTARI
Author: Visal
•10:06 e pasdites
Fillim shekulli i XX si dhe i shekullit XXI do të mbesin të shënuara në faqet e historisë shqiptare si etapa më të ndritshme për kombin shqiptar sikurse saktësisht 28 nëntor i vitit 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë si dhe 17 shkurt 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës. Revolucioni xhonturk i vitit 1908 si dhe zbritja me dhunë nga froni i sulltan Abdylhamidit të II-të në vitin 1909, shënoi kthesën e politikës së gjeratëhershme osmane proshqiptare në politikën antikombëtare e antishqiptare nga xhonturqit e rinj, e cila si epilog së shpejti solli edhe shthurjen e Perandorisë Osmane nga Ballkani. Pas humbjes së osmanllijve në luftën e parë Ballkanike të vitit 1912, saktësisht”tradhtisë” së oficerëve të lartë osman ithtarë të xhonturqve, trojet etnike shqiptare një nga një ranë nën sundimin e fqinjve sllavohelen, saktësisht të Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Ismajl Qemal bej Vlora ngriti flamurin në Vlorë me 28 nëntor të vitit 1912 dhe proklamoi pavarësinë e Shqipërisë, por ishte vetëm Vlora me rrethinë nën kontrollin e qeverisë së Vlorës dhe në bojkotin apo shtetrrethim total përplot 6 muaj nga ana e grekëve. Të gjitha trojet tjera etnike shqiptare ranë nën okupim, Greqia përveç Çamërisë kishte okupuar edhe Gjirokastrën, Korçën e Fierin, Serbia me ushtrinë e vet përveç Kosovës dhe Maqedonisë kishte arrit gjer në Durrës e Tiranë, i vetmi front shqiptar që kishte rezistuar plot gjashtë muaj nën udhëheqjen e Hasan Riza Pashës, dhe se vetëm pas atentatit”misterioz” të kryer ndaj tij, ishte Shkodra që ra nën okupimin malazez. Rol kyç dhe vendimtar në atë kohë luajti diplomacia e Perandorisë Austrohungareze e mbështetur nga Gjermania në konferencën e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 me ç’rast arriti të jetësojë dhe njoh Shqipërinë londineze në kufijtë e sotshëm shqiptar, pas pazarllëqeve të mëdha diplomatike në mes saj, nga njëra anë e mbështetur nga Gjermania, dhe Rusisë, nga ana tjetër e mbështetur nga Franca. Pas marrëveshjes së arritur në Londër, Mali i Zi u detyrua të tërhiqet nga Shkodra dhe rrethina, Serbia nga Shqipëria e mesme dhe veriore si dhe Greqia nga Shqipëria Jugore. Kjo ishte një fitore e “Pirros” për shqiptarët pasi që u arrit pavarësia e Shqipërisë, por edhe një kompromis i dhimbshëm, pasi që pjesa më e madhe e trojeve shqiptare e cila shekuj me rrallë ka qenë e banuar me shqiptarët, mbetën nën sundim të shteteve fqinj, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Me rrënjën e komunizmit në fund të shekullit XX filloi edhe shkatërrimi i ish Jugosllavisë federative si pasojë e politikës së udhëhequr serbomadhe nga ana e udhëheqësit të saj Millosheviqit për krijimin Serbisë së madhe në gërmadhat e ish Jugosllavisë. Kjo politikë solli pasoja shkatërruese për popujt përbërës të ish federatës jugosllave duke shkaktuar luftëra të përgjakshme, tmerr dhe terror të paparë, gjenocid e spastrim etnik, duke u nisur nga Sllovenia e gjer në Kosovë. Shkatërrimi i ish Jugosllavisë nisi me suprimim të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe përfundoi me pavarësimin e Kosovës me 17 shkurt 2008 edhe de jure nga Serbia. Kjo u arrit pas bisedave të stërzgjatura në mes Prishtinës dhe Beogradit e cila nuk solli rezultat dhe se as që ka muund të sjell rezultat. Në koordinim të plotë pikësëpari me SHBA- të e mbështetur nga Britania e Madhe, Franca,Gjermania dhe Italia në njërën anë, dhe në kundërshtim të plotë të Rusisë në anën tjetër, me 17 shkurt 2008 u proklamua pavarësia e Kosovës nga Serbia dhe u pranua zyrtarisht nga këto 5 shtete vendim marrëse.Sikurse ceka më lartë vitet1912 dhe 2008, populli shqiptar duhet të shënojë me shkronja të arta edhe vitet 1389 dhe1999, kur Perandoria Osmane në krye me sulltan Muratin e II në betejën e Kosovës shkatërroi ushtrinë serbe dhe shporri shtetin serb nga Kosova, ashtu edhe vitin 1999, kur ShBA-të në krye me presidentin Bill Klinton, së bashku me aleatët e saj, pas plot 77 ditë bombardimesh, mundësuan tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe dhe shporrjen e pushtetit serb nga Kosova. Por edhe pavarësimi i Kosovës me 17 shkurt 2008 do të përcillet me një kompromis të dhimbshëm, me zbatimin e pakos së Ahtisarit,i cili pako u refuzua nga ana e Serbisë dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe me mungesë të ushtrimit të qeverisjes së qeverisë së Kosovës në pjesën veriore dhe në enklavat serbe në Kosovë, i cili që në start do të vështërrësojë dhe do të pamundësojë funksionimin tej mase të shtetit më të ri në Evropë, saktësisht të shtetit të 51-të me rrallë në Evropë.Pasi që neve shqiptarëve na rastisin që njëherë në shekull të përjetojmë ngjarje të mëdha historike, atëherë mbetemi me shpresë që pasardhësit tanë në fillim të shekullit XXII të gëzojnë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri etnike e cila është dëshirë e kamotshme e secilit shqiptar kudo çoftë.
29.02.2008
Faik MIFTARI