Author: faik
•1:17 e pasdites
Në vazhdën e aktualitetit kosovar, në këto javët e fundit, lidhur me iniciativat, idet, qasjet e ndryshme, lidhur me rishkrimin apo rishikimin e historisë së teksteve shkollore në shkolla fillore dhe të mesme, si dhe të (mos) lejimit të shamisë në shkolla dhe institucione publike dhe (mos) aplikimit të lëndës së Edukatës Fetare në shkolla publike, u detyrova që t’i rilexoi tekstet tona shkollore. Pasi që vajza ime sivjet ndjek mësimet në klasën e tretë të shkollës fillore, bëra një analizë teksteve shkollore të klasës së parë, dytë dhe të tretë të shkollës fillore, edhe pse do të ishte e mirëseardhur që dikush të bëjë një studim dhe analizë më të hollësisëm të të githa teksteve shkollore si të shkollave fillore ashtu edhe të mesme të Kosovës.
Neni 8 i Kushtetutës së Kosovës e përkufizon Kosovën si shtet laik:“Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. E qartë dhe konciz, shteti mund të jetë laik, por njeriu, personi, individi apo shoqëria në përgjithësi nuk është dhe nuk mund të jetë laike, por është sipas përkatësisë apo perceptimit fetar, në rastin e Kosovës, me shumicë absolute muslimane dhe pakicë minimale krishtere, dhe aty këtu ndonjë deist apo gnostik, pasi që nuk më merr mendja që ndonjeri në Kosovë veteveten e percepton akoma si ateist. Edhe te identiteti fetar, shumë analistë dhe komentues bëjnë një gabim kardinal kur neve shqiptarëve e perceptojmë si besimtar të tri feve, islame, katolike dhe ortodokse, që në të vërtet është gabim, pasi që sikurse Islami në bërthamën e vet përmban doktrinën (ritin) sunitë dhe shiitë, ashu edhe krishterimi në bërthamën e vet përmban doktrinën (ritin) katolik dhe ortodoks, ndërsa feja e tretë hyjnore ëshë hebraizmi, e cila së bashku me Islamin dhe Krishterimin e kanë për bazë besimin monoteist në një Zot të vetëm, përkundër besimeve politeiste, sikurse që janë hinduizmi, brahmanizmi, budizmi, taoizmi, etj.
Gjatë shfletimit dhe analizës së teksteve shkollore të sipër përmendura, duke aluduar Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështjen e besimeve fetare, në praktikë, në tekste shkollore kemi një favorizim të qytetërimit (civilizimit) të krishterë, dhe një diskriminim tej mase të qytetërimit (civilizimit) islam në mënyr perfide, të hapur dhe as pak të kamufluar. Kjo nëse arsyetohet edhe me atë se në shoqërinë kosovare dominon areali gjeokulturor perendimor dhe se orientimi politik gjeostrategjik i kosovarëve është integrimi evroatlantik, kjo nuk do të thotë dhe nuk jep drejtë që të na shpie edhe drejt qytetërimit krishterë si bërthamë e qytetërimit të Evropës, pasi që edhe nenet 9 e 14 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut garantojnë barazinë e feve, dhe se Bashkimi Evropian nuk ka të drejtë të imponojë mënyrën e lirisë së religjionit të caktuar.
Në Abetaren për klasën e parë të shkollës fillore të autorëve Agim Deva & Islam Krasniqi në faqen 75 e kemi tekstin me titull: ”Porosia e fundit e Skënderbeut” pa autor, në të cilin në fund të shkrimit qëndron fjalia: “Prandaj, porosia ime e fundit është; qëndroni gjithmonë të bashkuar”. Në tekstin shkollor ”Leximi 1” të autorit Arif Demolli për klasën e parë të shkollës fillore, në faqe 6 e kemi tekstin me titull të njejtë ”Porosia e fundit e Skënderbeut” pa autor, në të cilin në fund të shkrimit qëndron fjalia: ”Luftërat për liri vazhduan edhe pas vdekjes së Skënderbeut”. Paradoks apo anashkalim i të njejtit tekst, pa autor, nga përpiluesit e programit mësimor.Në librin e Edukatës Figurative të autorit Shyqri Nimani për klasën e parë të shkollës fillore në faqen 53 është posteri me shembëllesën e Nënës Tereze, Albanian St.Tereza, Shën Tereza Shqiptare, përfundi saj porosit nxënësit të pikturojnë portretin e Nënës Tereze, në faqen 55 prap e kemi posterin e përsëritur të Nënës Tereze.Në librin shkollor “Leximi 2” të autorit Arif Demolli, për klasën e dytë të shkollës fillore, në faqen 41 është teksti me titull ”Marigona dhe Flamuri” ku në mes tjerash shkruan: Pse të mos e pagëzojmë Marigonë?- i përngjaftë Marigonës së Flamurit! Marigona quhej vajza që qëndisi flamurin shqiptar i cili u ngrit në Vlorë me 28 nëntor 1912 në Vlorë. E që kjo fare nuk është e saktë dhe e vërtetë, pasi që në “Kujtime 1885-1925” të Eqrem bej Vlorës e përshkruan në mënyrë të qartë ngritjen e flamurit në Vlorë me 28 nëntor 1912, në faqen 314, për të cilin Eqrem bej Vlora thotë: ”E zgjata ca historinë e ngritjes së flamurit sepse në vitet e fundit kanë qarkulluar variante krejt të pavërteta dhe unë dëshiroj që ngjarja e saktë të përshkruhet e të mbetet njëherë e përgjithmonë”. Në faqen 42 është teksti me titull:”Të bisedojmë” ku shkruan përveç tjerash ”Të pagëzosh fëmijën është një ngjarje në familje. Deri vonë ne kishim emra në gjuhë të huaja. Tash shumica e fëmijëve tanë kanë emra të bukur shqip: Lule, Flutura, Blerim, Veton etj., por edhe Gjergji, Lekë, Dukagjin etj. Në faqen 43 është teksti me titull ”Flamuri magjik” nga autori Pandeli Koqi në të cilin pos tjerash është fotoja e katedralës me flamurin tonë kombtar kuqezi, përfundi saj është teksti, në të cilin në mes tjerash shkruan: ”Kur u gdhitë të ngazëllyer pamë flamurin kuqezi në majen e katedrales. Pas pak armiku fillonte ta guante me topa”. Në faqen 48 e kemi shkrimin me titull ”Kuvendi i Lezhës” kronikë nga Gjon Muzaka, ku prap flitet për Skënderbeun.Në librin”Gjuha Shqipe 2” të autorit Bahri Beci për klasën e dytë të shkollës fillore prej faqes 58 e gjer në faqen 62 përshkruhet prap vetëm Skënderbeu,” legjendat, gojëdhanat, tregime, për shpatën e tij, shpatë e kuqe si gjakë që lëshonte xixë e flakë, shpata është e trashë, sa një tra, dhe tehun e saj e dinin të hollë si brisk, vringëllima e shpatës e kishte shtënë frikën ushtrisë osmane”. Në librin”Leximi 3” të autorit Arif Demolli, për klasën e tretë të shkollës fillore në faqen 21 e kemi tekstin”Mirë se erdhe Skënderbe” pa autor, prap për Skënderbeun, ndërsa tek në faqen 123 e kemi tekstin me titull”Shoku ynë i heshtur” pa autor, ku përmendet vetëm njëher emri i Adem Jasharit, heroit dhe komandantit tonë legjendar.Në librin”Gjuha Shqipe 3” të autorit Bahri Beci, për klasën e tretë të shkollës fillore, në faqen 61 është prap përmendorja e Skënderbeut, në faqen 62 është teksti i Mark Gurakuqit”Liria qëndron në maje të shpatave tona”, prap për Skënderbeun, në faqe 65 prap shkrimi për Skënderbeun.Në librin “Edukata Figurative 3” të autorit Muhamet Ahmeti-Metis në faqen 9 kemi prap potretin e Nënës Tereze, në faqe 36 e kemi katedralen e vizatuar nga autori Grant Vudi. Çdo respekt figurave historike të shquara të Skënderbeut dhe Nënës Tereze, por mjer për neve,për popullin shqiptar që jemi, që e tërë historia jonë kombëtare të përmblidhet vetëm në dy figura, atë të Skënderbeut dhe Nënës Tereze.Në librin e gjuhës angleze”Follow me 1” për klasën e tretë të shkollës fillore të autorëve Nimete Krasniqi&Ardita Kabashi-Hima, në faqen 68 kemi vjershën (Rhyme) për Santa Clausin, ndërsa në faqen 69 vjershën (Rhyme) për Krishtlindjet ”We wish you a Merry Christmas”.
Emrat që përmendën në tekstet në librin“Leximi 1” të autorit Arif Demolli, për klasën e parë të shkollës fillore janë:” Agroni,Ylli, Valbona, Driloni, Arlinda, Drenusha, Dodona, Bukuria, Luli, Loli, Drini, Dreni, Blega, Lulja, Bardhyli, Loni, Ermira, Pranvera, Arta, Agimi, Drita, Iliri, Luani, Vjollca, Buqe, Luani, Ximi, Gjoni, Gjini, Miloti”.Emrat që përmenden në tekstet në librin”Leximi 2” të autorit Arif Demolli, për klasën e dytë të shkollës fillore janë:”Lina, Shpresa, Vjosa, Lulevera, Agimi, Drita, Dreni, Eni, Fatmire, Fatlumi, Blerimi, Blerta, Vjollca, Albani, Marigona, Rinori, Luli, Nora, Lulja, Ylli, Mrika, Anila, Dodona, Lorona, Tringa, Rinesa, Dreni, Gjoni, Gazmendi, Leta, Albani, Ximi, Ylli, Diana, Roni, Maro”.Emrat që përmenden në tekstet në Librin”Leximi 3” të autorit Arif Demolli, për klasën e tretë të shkollës fillore janë: “ Nora, Suvali, Mirjeta, Behari, Njomëza, Shega, Ylli, Dodona, Fitore, Erbli, Agroni, Genti, Teuta, Monuni, Longari, Gjergi, Leka, Luani, Mrika, Drilona, Vigani, Agimi, Drita, Teuta, Dritoni, Luani, Ylli, Lulëzimi, Luani, Dodona, Luli, Ardita, Albani, Lora, Beni, Mira, Tala, Sokoli, Arta, Edlira, Laloshi, Fatmiri, Nora, Vlora, Kreshniku, Luli Burbuqja, Dritoni, Brikena, Arjeta, Teuta, Meli, Liridoni, Eni, Vetoni, Yllka, Mikeli, Ardi, Blerta”.Po si nuk e gjeti autori Arif Demolli bile një emër musliman ta cek, bile në qoftë se jo tjetër, emrin e tij Arif, dhe se këto emra nuk janë të huaja për neve, por janë të pranishme me të madhe në Kosovë, krahas emrave të bukur shqip, ndërsa autori nuk haron të cek edhe emrat e shqiptarëve katolik aty këtu, por Arif Demolli le të dijë se jeton dhe vepron në mesin e shqiptarëve me emrat musliman sikur Hasani, Et’hemi, Ragibi, Hakiu, Masari, Qemajli, Azizi, etj., si dhe të shqiptareve me emra muslimane sikur Ajshe, Atifete, Rabije, Hanife, Resmije etj., dhe se edhe në të ardhmen në përkujtim të figurave të shquara politike do të ketë emra musliman si p.sh.Ibrahim (Rugova), Hashim (Thaqi), Isa (Mustafa), Behgjet (Pacolli), Ferid (Agani), Naim (Tërnava), Fuad (Ramiqi) etj., si dhe të dëshmorëve të rënë të kombit: Adem, Shaban, Hamzë (Jashari), Zahir (Pajaziti), Sali (Çeku), Remzi (Ademaj) e shumë të tjerë, e të mos flasim për personalitete kombtare dhe fetare si p.sh.:Abdyl, Ymer, Sami, Kadri, Idriz, Muhamed, Ahmed, Jakub, Ismail, Hysen, Shuaib, Tahsin, e kështu me rrallë.
Në përfundim të kësaj qasjeje do të kisha cekë, se Instituti i Albanologisë, Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të ishte e udhës të ngrisin zërin në rishikimin e teksteve shkollore, konform shtetit të proklamuar laik të Kosovës dhe neutral ndaj çfarëdo feje, edhe pse do të duhej që edhe Bashkësia Islame e Kosovës të merret edhe me këtë çështje, por për fat të keq nuk e ka as edhe një institut të vetëm që merret me analizën, hulumtimin, studimin dhe përcelljen e dukurive shoqërore ekzistuese në Kosovë, e vetmja që mbetet është, të bëjë thirrje të gjithë prindërve që sa herë i ndihmojnë fëmijët e tyre për të kryer detyrat e shtëpisë le të shfletojnë dhe le të lexojnë librat e tyre, dhe të shohin se vallë a janë duke mësuar fëmijët e tyre në frymën e e laicitetit të proklamuar apo të favorizimit të qytetërimit (civilizimit) krishterë dhe diskriminimit tej mase të qytetërimit (civilizimit) islam.

23.09.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•10:23 e pasdites
Krerët institucional, politik, partiak të Kosovës si bashkëpjesëmarrës apo si faktor vendimtar në Kuvendin e Kosovës për mos kalimin e dy amendamenteve për lejimin e shamisë dhe edukatës fetare në shkolla publike, natën e Fitër Bajramit ia vunë ”thikën pas shpine” shqiptarëve musliman në përgjithësi e Myftiut të Kosovës në veçanti, ndërsa të nesërmen në ditën e Fitër Bajramit pa fije turpi e morali ia uruan Fitër Bajramin shqiptarëve musliman në përgjithësi e Myftiut të Kosovës në veçanti, sikurse të mos kishte ndodhur kurrgjë.
E tëra nisi me propozimin e dy amendamenteve nga Koalicioni Kosova e Re, të përkrahur edhe nga deputetë të komuniteteve dhe tjerë, lidhur me lejimin e shamisë dhe edukatës fetare në shkollat publike. Pas kësaj pasoi prononcimi i Ipeshkvisë së Kosovës (Dioqezës Shkup- Prizren) kundër lejimit të Edukatës Fetare në shkolla publike të Kosovës, edhe pse kjo ka qenë e ditur dhe nuk ishte risi një veprim i tillë i pamatur prej saj, por diç tjetër në prononcim të saj, që është shumë i rrezikshëm dhe tepër negativ për momentin në të cilin gjendemi. E para është, në të cilin thuhet:
“ Lypet që shtetësia e Kosovës të” piqet” dhe të njihet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare”, pikërisht është edhe Vatikani që kontribuon që akoma shtetësia e Kosovës nuk po “piqet” pasi që nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Kosovën e konsideron si pjesë përbërëse e Serbisë, e për t’u njohur nga institucionet ndërkombëtare, duhet patjetër pajtimi i Serbisë, sipas tyre, pasi që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pa pajtimin e Serbisë, nuk mund të kalojë pavarësia e Kosovës, për shkak të vetos së Rusisë dhe të Kinës, ndërsa në Bashkimin Evropian për shkak të vetos së 5 shteteve anëtare të saj (Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros) që akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pa pajtimin paraprak të Serbisë.
E dyta është, në të cilin thuhet:
”Të arrihet, nëpërmjet arsimimit, një qytetërim i mirëfilltë europian dhe Kosova të jetë e aftë për të menaxhuar një çështje kaq madhore”, që do të thotë se Kosova nuk është e aftë të menagjojë, merreni me mend, një lëndë shtesë në shkolla publike të Kosovës, dhe atë fakultative, zgjedhore, sipas dëshirës së prindërit dhe nxënësit, e lere më të menaxhojë diç tjetër kruciale, sipas saj. E treta është, “ dhe nuk do ta bartë përgjegjësinë mbi pasojat e mundshme për kombin” me ç’rast përcjell mesazhe kërcënuese për kombin, pa i cekur se cilat janë ato pasojat për kombin dhe çfarë do të thotë me këtë. Pas këtij prononcimi ka qenë e ditur që nuk ka pas gjasa as teorike e lere më praktike që këto dy amendamente të kalojnë në Kuvendin e Kosovës, duke ditur se Kuvendi i Kosovës ashtu siç është i përbërë ka akoma nostalgji për sistemin e dikurshëm monist, çoftë ai “titist” apo “ enverist” e bile ka të tillë që vuajnë akoma edhe për teorinë e Darvinit, ndërsa tani kamuflohen nën petkun e laicitetit, pasi më nuk mund të quajnë veten komunist, pa marrë parasysh i çfarëdo modeli çoftë,”titist” apo “enverist” edhe pse jetojnë në një shoqëri demokratike veprojnë akoma me mendimet e të kaluarës moniste.
Edukata Fetare për momentin, aplikohet dhe mësohet në shkolla publike në Evropë që nga Norvegjia e gjer në Greqi, përveç 5 shteteve në të cilin nuk mësohet lënda e Edukatës Fetare, Francë, Slloveni, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë, dhe se sipas “laikëve” tanë shqiptar, të gjitha shtetet e Evropës në të cilin mësohet Edukata Fetare automatikisht qenkan shtete fetare e assesi laike. Dua t’i përmendi vetëm dy raste, e kush nuk beson është i lirë që të hulumtojë, rastin e Kroacisë dhe Finlandës. Në Kroaci në një shkollë publike në rast se janë vetëm 7 nxënës të konfesionit musliman qeveria kroate ia siguron mësimdhënësin (hoxhën) për të mësuar lëndën e Edukatës Fetare një herë në javë, merreni me mend, ndërsa në Finlandë, në një qytet 400 km larg Helsinkit, në të cilin jetojnë vetëm 7 nxënës të konfesionit musliman, në mesin e tyre 3 nxënës janë shqiptar nga Kosova, qeveria finlandeze një herë në muaj ia dërgon mësimdhënësin (hoxhën) për t’i mësuar për fenë e tyre islame, ndërsa çdo 6 muaj qeveria organizon ardhjen e tyre në Helsinki, në xhami, për të parë dhe mësuar, në mënyrë praktike, se si merret abdesti, se si kryhet namazi e kështu me rrallë. E dihet që Finlanda gjendet në Evropë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian kaherë, ndërsa me Kroacinë kemi qenë së bashku për një kohë të gjatë në ish Jugosllavi si pjesë përbërëse e saj, e tani, ajo prej vitit 2013 do të jetë anëtare fuqiplotë e Bashkimit Evropian. Por neve shqiptarëve jemi mësuar të jemi “yrnek” mostër për të gjithë të tjerët në botë për së keqi, duke përkujtuar historinë jo të largët, që nëna Shqipëri me diktatorin e saj Enver Hoxha në vitin 1967 ishte e vetme në botë që me ligj e ndaloi veprimin e feve, e tani, çoftë edhe në tërë Evropë e lejuar mësimi i Edukatës Fetare,si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, prapë do të jemi “yrnek” mostër për së keqi, në rast se jo për botën, bile për Evropën, duke mos lejuar mësimin e Edukatës Fetare në shkolla publike.
Para kësaj, refuzimi i parë erdhi nga kryetari i Prishtinës z.Isa Mustafa i cili nuk ofroi lokacionin e kërkuar për Xhaminë e Madhe në Ulpianë, përball Institutit Albanologjik, që ishte kërkesa e Bashkësisë Islame të Kosovës, por te Posta, larg qendrës, dhe se në rast” nuk pranimit nga ana e BIK-ut, atëherë mund ta ndërtojnë në periferi të qytetit”, iu sugjeroi Isa Mustafa. Po qoftë kjo edhe prej Isës, e tepërt është! T’ia përkujtojë Isa Mustafës, se kur kërkoi Ipeshkvia e Kosovës (Dioqeza Shkup-Prizren) hapësirën e Gjimnazit për ndërtimin e Katedralës, jo që askush nuk ia mohoi, por edhe pa lejen paraprake të Komunës së Prishtinës, e nisi dhe e bitisi Katedralen.
Fajtori kryesor për mos kalimin e dy amendamenteve të propozuara në Ligjin për arsim parauniversitar nga ortaku i tij qeverisës, Koalicioni për Kosovën e Re, pikërisht është z. Hashim Thaçi, pasi që ai fjalët dhe premtimet e dhëna nuk i mban, por vepron të kundërtën, ashtu siç ishte fjalimi i tij në iftarin e shtruar nga Partia e Drejtësisë në Hotel Victory para vetëm ca ditësh, në të cilin e “akuzoi oponentin e tij kryesor opozitar z.Isa Mustafën për zvarritjen e vendimit për caktimin e lokacionit për Xhaminë e Madhe në Prishtinë” pasi që është në kompetencë të pushtetit komunal, por që ja tani, çështja e shamisë dhe Edukatës Fetare në të cilin do të mësohej për ”Islamin tradicional denbabaden” siç e ceku në fjalimin e tij përshëndetës në Hotel Victory” z.Hashim Thaqi, ishte pikërisht në kompetencën e tij, të pushtetit qendror, e tradhtoi ortakun e tij qeveritar, me arsyetimin “kinse” nuk paska arrit t’i bind deputetët e tij për të votuar. Do t’ia përkujtojë z. Hashim Thaçit vetëm takimin sekret, pa praninë e medieve elektronike dhe të shkruara, që e ka mbajt në restorantin Villa Park afër Prizrenit, gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2010, me imamët (hoxhallarët) e Prizrenit dhe rrethinës, ku i ka garantuar se” në rast se loboni dhe votoni për PDK-në, po ju premtoj tri gjëra që do ju përmbushi, lejimin e shamisë, lejimin e Edukatës Fetare në shkolla publike si dhe financimin e Bashkësisë Islame të Kosovës” nga buxheti i Kosovës. Kryeministër i Kosovës, premtimin e dhënë e keni shkelë me të dyja këmbë, pirolla ju qoftë!
Koalicioni për Kosovën e Re, tani pikërisht duhet të braktisë qeverinë, AKR-ja me z. Behgjet Pacollin në krye në rast se vazhdon të jetë edhe më tutje pjesëmarrës i qeverisë , atëherë në vitin 2013 në zgjedhjet e ardhshme do të përfundojë sikurse LDD-ja e z.Nexhat Dacit, pasi nuk ka gjasa as teorike lere më praktike të kalojë pragun e 5%. Për Partinë e Drejtësisë tani është momenti ” to be, or not to be – të jesh apo mos të jesh”, sa më parë të braktisë qeverinë, dhe të fillojë konsolidimin e gjithëmbarshëm të saj duke i rikthyer të gjithë anëtarët që e kanë braktisë apo janë larguar nga PD-ja, që nga themelimi i saj, dhe të bëj një riorganizim të tërësishëm dhe të mirëfilltë, dhe që prej tani të nis përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2013, në të cilin jo që do të kalojë pragun e 5%, por do të jetë një force respektabile në skenën politike kosovare, në të kundërtën, në rast se vazhdon të jetë në bashkëqeverisje me partnerin e saj PDK-në, ajo definitivisht do të ishte”vetëvrasje politike” dhe fundi i saj politik. Do t’ia përkujtojë Koalicionit për Kosovën e Re, gjegjësisht z. Ferid Aganit dhe z. Muhamed Mustafës, takimin që kanë pas me imamët (hoxhallarët) e Prizrenit dhe rrethinës, në Prizren, gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2010, se” po qese nuk i realizojmë këto dy premtime, lejimin e shamisë dhe Edukatës Fetare në shkolla publike, as një ditë e vetme nuk do të qëndrojmë në qeveri”. Premtimi është borxh për ta mbajtur, topi është në anën e juaj tani zotërinj të nderuar! Poashtu edhe komunitetet, si turke ashtu edhe boshnjake, duhet të lëshojnë qeverinë, pasi që edhe ata do të jenë bashkëfajtor që për fëmijët e tyre të komuniteteve, qofshin turke apo boshnjake , iu kanë pamundësuar që të mësojnë Edukatën Fetare, e cila mësohet si në Turqi, ashtu edhe Bosnjë. Nga partitë opozitare, ka qenë e pritshme që LDK-ja dhe AAK-ja të votojnë kundër, por më ka befasuar veprimi i pamatur politik i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila me braktisjen e sallës, ka treguar papjekuri politike, e cila në të ardhme do t’ kushtojë shumë, pasi që e ka pas rastin ideal që me votimin pro amendamenteve të propozuara, të ngrite rejtingun e saj politik, dhe të zgjeron forcën e saj elektorale apo votuese.
Fajin e kemi vet neve shqiptarët musliman, qoftë besimtarë, xhemat, imamë (hoxhallarë), Bashkësi Islame në përgjithësi, që bimë pre e premtimeve të kota të cilido subjekt politik shqiptar, ata për të përfituar vota, e neve për të mos përfituar asgjë, dhe se tani e tutje kjo le të na shërbej si mësim i duhur për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë që do të mbahen në vitin 2013, të mos votohet më asnjë subjekt aktual politik shqiptar në Kosovë, por të lobohet, dhe të bëhet thirrje për bojkotim të përgjithshëm, nga neve shqiptarëve mysliman, të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 në Kosovë, si alternativë e vetme e mbetur e shqiptarëve musliman të Kosovës.
Në përmbyllje të këtij vështrimi, nuk i mbetet gjë tjetër, myftiut të Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnavës, i cili qe plot 8 vite u angazhua që në mënyrë institucionale, me durim dhe bisedime të zgjidh këto tri objektiva themelore të garantuara me të gjitha Konventat ndërkombëtare, xhaminë, shaminë dhe Edukatën Fetare, qenë të kota, pas verdiktit të dhënë të Parlamentit të Kosovës, si organ më i lartë përfaqësues i Kosovës, për mos lejimin e shamisë dhe Edukatës Fetare në Kosovë në shkolla publike, si dhe mos lejimin e ndërtimit të xhamisë në lokacionin e kërkuar në Prishtinë, që tani premtimin e dhënë të realizojë” pasi që janë shterur të gjitha mundësitë institucionale për realizimin e këtyre tri kërkesave elementare, atëherë nuk i mbetet tjetër veç t’i tubojë 200.000 shqiptarë musliman ditën e xhumasë, në Prishtinë, nga të gjitha viset e Kosovës, dhe të mos zmbrapset gjer në realizimin e kërkesave ” ka qenë premtimi i dhënë i Myftiut të Kosovës Naim ef.Tërnavës. Premtimin e dhënë e keni borxh ta realizoni, pasi që e keni marrë përsipër emanetin që të udhëhiqni muslimanët në Kosovë dhe të jeni përgjegjës për plotësimin dhe realizimin e nevojave themelore elementare të besimtarëve musliman, në të kundërtën në rast se premtimin e dhënë nuk e mbani dot, atëherë do të ballafaqoheni para Krijuesit fuqiplotë për mos realizimin e të drejtave themelore muslimane të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare, në ditën e dhënies së llogarive të secilit prej nesh.

P.S. Edhe ky shkrim (opinion) i im sikurse edhe të tjerat, në shumicën e medieve të shkruara dhe ueb portaleve në internet do të censurohet dhe nuk do të jepet hapësirë, në kohën e shoqërisë moniste në të cilin kemi jetuar ka qenë normale një gjë e tillë, por kur nuk kisha paramenduar që një censurë e tillë do të jetë e pranishme edhe në një shoqëri të lirë demokratike.


1.9.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•10:12 e pasdites
Gjatë këtyre ditëve të nxehta verore në Kosovë, me temperatura të larta, deklarata e Ministrit të Arsimit të Turqisë Omer Dinçer gjatë vizitës së tij në Kosovë, e ngriti temperaturën në mbi 40 shkallë Celsijus, për largimin e paragrafëve fyese, diskriminuese, nga tekstet shkollore të historisë në Kosovë.
Reagimet qenë menjëherë apriori të shpejta, me paragjykime, me mllef, me të pavërteta, dhe me të gjitha akumulimet të grumbulluara gjatë këtij qindvjeçarit të kaluar. E sidomos të periudhës moniste, në prapavijë të të cilit me mjeshtëri ishte kamufluar për qëllimet e veta djallëzore, politika serbe dhe greke, për arritjen e qëllimeve të tyre politike, se kinse shqiptarët të vetmin armik e kanë pas gjatë tërë historisë së tyre ekzistuese vetëm ish Perandorinë Osmane, Turqinë, dhe Islamin.
Vetëm nga titujt e shkrimeve në reagimet e tyre që kanë bërë gjatë këtyre ditëve gazetarë, analistë, historianë, publicistë, të ndryshëm në Kosovë gjatë shfletimit të gazetave dhe ueb faqeve të ndryshme mund ta marrësh me mend se çfarë urrejtje dhe ndjenja patologjike kanë ndaj popullit turk dhe Turqisë, ish osmanlinj dhe Perandorisë Osmane si dhe kulturës dhe civilizimit Islam.
Edhe pse mund të kuptojë reagimin e Ndue Ukaj në shkrimin e tij me titull”Turqia poshtëron turpshëm shqiptarët”, një analist kujdestar i cili çdoherë reagon me tezat e t’ia pa kurrfarë mbështetje shkencore historike ndaj çdo gjëje që kanë nocionet, turk, osman, islam, mysliman. Por nuk mund të kuptojë assesi reagimet që me një shfryrje dhe mllef të paparë në qëndrimet e tyre plot me islamofobi, turkofobi apo osmanofobi të treguar, të autorëve tjerë shqiptar, sikurse që janë: Arben Xhaferi në intervistën me titull ”Kërkesat turke janë rrënuese”, Xhevat Bislimi “Nuk ndryshohet historia pa u zhbë Turqia” Reshat Badallaj” Turqisë duhet t’i thuhet shkurt e shqip ”Yok canem”, Anita Kadriu”Skënderbeu, hero apo tradhtar ”Nexhmije Ahmeti” Urdhërat e Vezirit”, Mehdi Hyseni” Nuk do të ndryshojmë historinë e Shqipërisë etnike për hir të Turqisë së sotshme mike”, Faton Mehmeti” Nuk ndryshohet historia, ajo është shkruar me gjak”, Seb Bytyqi” Neotomanizmi, shqiptarët dhe demokracia”, Flaka Surroi”Historia me teke”, Eshref Haxhiu” Ndryshimi i së kaluarës-paradoksi i rrallë”, Halil Krasniqi
” Provokimet moderne turke ndaj historisë shqiptare”, Reshat Sahitaj ”Turqia me kërkesë absurde” e tjerë.
Edhe pse historia është shkencë shoqërore e cila duhet të shkruhet në bazë të fakteve reale dhe argumenteve objektive që kanë ndodhur gjatë historisë, historia si e tillë më shpesh shkruhet në bazë të tekeve të individëve, udhëheqësve, çlirimtarëve, fituesve, gjatë periudhave të ndryshme kohore, e si shembull” per exellent” për këtë janë serbët për të cilët ideologu apo “baba” i kombit serb, Dobrica Çosiqi ka thënë:
” Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë natyrore. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, fantastike, inventive”.
Historia jonë shqiptare duhet të rishkruhet dhe të eliminohen jo vetëm, shkrimet që përmbajnë urrejtje antiosmane, antiturke, antiislame, por edhe shumë të pavërtetat tjera nga historia jonë kombëtare, të trashëguara nga mendësia moniste si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, me mitizime dhe glorifikime të paqëndrueshme dhe jo të vërteta, e të sajuara dhe të ndikuara me plot mjeshtëri nga politika greko-sllave.
Pasi që kemi të bëjmë në shkrimin në fjalë, për periudhën osmane, do të ndalem në 4 periudha të saja kryesore, e që ishin kryesore për popullin tonë shqiptar. E para, ishte lufta e Kosovës e zhvilluar në vitin 1389, në Fushën e Kosovës, në të cilin Perandoria Osmane e mposhti Perandorinë Serbe. Këtu kemi të bëjmë me luftën në mes dy taborëve, apo të ashtuquajtura ” kryqëzatave”, në mes të myslimanëve dhe të krishterëve, dhe fare nuk ka të bëjë me luftën në mes të dy kombeve, apo popujve, serb apo turk. E dihet se formimi dhe lindja e kombeve është e fazës së mëvonshme, të gjysmës shekullit XVIII, me ngadhënjimin e të ashtuquajturit Revolucionit Borgjez Francez të vitit 1789. Nuk e kam të qartë një gjë, që për mendimin tim është irracional, se si nuk mund të kuptojnë reaguesit e shumtë, se Perandoria Osmane nuk e ka pushtuar në atë kohë, “Perandorinë Shqiptare”, apo “Mbretërinë Shqiptare”, apo Republikën e Shqipërisë, apo Republikën e Kosovës, apo Republikën e Iliridës, porse Perandorinë Serbe, në të cilët në kuadër të saj jetonin edhe shqiptarët nën okupim, para së cilës ishin në okupim në kuadër të Perandorisë Bullgare, Perandorisë Bizantine dhe Perandorisë Romake. Po të kishin atëherë shqiptarët bile bile vetëm një cep të vetëm të pavarur në çfarëdo forme qoftë atëherë me të vërtetë do të ishte e drejtë që Perandoria Osmane ka qenë pushtuese e cila ka robëruar dhe pushtuar popullin shqiptar dhe se ka zhbërë shtetin shqiptar. Por, një gjë është e vërtet, se me shkatërrimin e Perandorisë Serbe u ndal procesi i tjetërsimit etnik të shqiptarëve, nga ana e serbëve në njërën anë dhe të grekëve në anën tjetër, për të cilin Abdi Baleta thotë: ”Myslimanizmi ka shpëtuar pjesët më të rëndësishme të kombit tonë nga asimilimi, ka hedhur urat lidhëse atje ku rivaliteti ortodoks-katolik zgjeronte dhe thellonte hendeqet ndarëse midis shqiptarëve, dhe se duhet të falënderojmë osmanët që për të mirën e shqiptarëve kanë bërë atë që duhej” ndërsa Faik bej Konica ka thënë:” Po të mos kishte qenë Islami, populli shqiptar do të kishte qenë popull më i madh me numër në Ballkan, por jo edhe shqiptar”, kurse historiani serb Sima Qirkoviçi ka thënë: “ Kalimi në Islam bëri diferencimin midis popullatës deri atëherë vëllazërore serbe dhe shqiptare, në këtë mënyrë shqiptarët me përqafimin Islam i shpëtuan sllavizmit serb”.
E dyta ishte epoka e rezistencës së Skënderbeut në Krujë për plot 25 vjet, e cila nga historia e gjertanishme përshkruhet si rezistencë e popullit shqiptar ndaj sundimit osman, e që në realitet ishte rezistenca e Skënderbeut si atlet i krishterimit në luftë kundër myslimanëve osman, pasi që në atë kohë termi shqiptar, alban, arnaut, arvanitas as që është njohur, por është shumë më i vonshëm, tek në shekullin XIX, me përhapjen dhe zgjerimin e identiteteve kombëtare në Evropë, ndërsa gjatë gjithë kohës së sundimit të Perandorisë osmane popullsia e saj ka qenë e njohur me termin “ turk” (mysliman) dhe “kaur”( krishterë). Edhe pse rezistenca e Skënderbeut ka qenë e përqendruar vetëm në Krujë me rrethinë, nga historia jonë është hiperbolizuar dhe mitizuar në qiell roli i tij si mbrojtës i çështjes shqiptare. Historiani zviceran Oliver Shmitt në librin e tij për Skënderbeun shkruan, përveç tjerash se “ gjatë stinës së verës Skënderbeu e ka pas pushtetin vetëm në Krujë, ndërsa gjatë stinës së dimrit e zgjeronte pushtetin e tij edhe në fushën përreth Krujës, pasi që osmanët largoheshin dhe vendoseshin me taborret e tyre në kazermat brenda qyteteve gjatë stinës së dimrit”. Në atë kohë Perandoria Osmane me sulltan Fatihun në krye ka mposht dhe zhbërë Perandorin Bizantine njëmijëveçare dhe se në vitin 1453 e pushtoi apo çliroi Stambollin, e merreni me mend nuk ka mund të mposht dhe të merr një Krujë me Skënderbeun në krye.
E treta ishte, periudha e Lidhjes së Prizrenit, e cila nga historia e gjertanishme shqiptare karakterizohej si një lëvizje anti osmane, e në realitet ishte një lëvizje antisllave e antigreke në mbrojtje të trojeve shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në bashkëkordinim të plotë me Sulltan Abdylhamidin, për të cilin Jacob Landau në librin e tij” Politics of Pan-Islam”, Oxford University, 1990, përveç tjerash shkruan: ” Një organizatë edhe më me jetëgjatë ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në disa raste e njohur si Lidhja Shqiptare. Ajo u ndërtua pas takimit të fisnikëve vendas më 10 qershor 1878, fillimisht për të kërkuar autonomi për Shqipërinë. Megjithatë qëllimi parësor i themeluesve të saj ishte të ndalonte copëtimin e Shqipërisë në Kongresin e Berlinit, kështu që dy dokumentet bazë themelues të Lidhjes, dëshmonin besnikërinë ndaj Perandorisë dhe sulltanit, duke ju referuar edhe Sheriatit. Në vitin 1878 ndërmjet Prizrenit dhe qeverisë në Stamboll kishte komunikime intensive”. Mbi karakterin islamik të Lidhjes së Prizrenit shkruan edhe Noel Malkolmi, i cili në librin “Kosovo a short history” kujton citimet e një zyrtari britanik në Kosovë më 1878 i cili thoshte se:” Lëvizja është më shumë një lëvizje fetare sesa shekullare, dhe udhëhiqet nga myftilerët, ulematë dhe kadijtë…. Jam i mendimit se tashmë është më se e qartë se Porta e Lartë dhe Lidhja janë në një mendje, dhe po punojnë për të arritur një qëllim të përbashkët – mbrojtjen e provincës”.
E katërta ishte periudha e viteve 1909-1912, pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908 dhe zbritjes nga froni i Sulltan Abdylhamidit, përfundoi edhe periudha e osmanlinjve, dhe në shesh doli formimi i kombit turk, nga xhonturqit e rinj, të inspiruar nga formimi dhe themelimi kombeve në Evropë, me ç’rast ranë në kundërshtim të hapur me popujt tjerë përbërës të Perandorisë Osmane, e sidomos me shqiptarët dhe arabët, me ç’rast edhe shpërthyen kryengritjet anembanë Perandorisë Osmane. Por deklarata e historianit Hakif Bajrami “Prej Shkupit e deri në Merdar , Turgut pasha i Turqisë më 1910, në çdo 10 m e ka ngul në hunj nga një shqiptar” është jashtë çdo realiteti dhe logjike njerëzore, pasi që si e tillë nuk qëndron, po kjo qoftë edhe prej historianit Hakif Bajrami e tepërt është, pasi që vetëm një vit më vonë në pritje të Sulltan Reshatit në vitin 1911 në Kosovë, janë tubuar 200.000 shqiptar në Fushën e Kosovës në Mazgit të cilit i kanë shpreh mirëseardhjen sulltanit osman. T’ia përkujtojë lexuesve edhe deklaratën e dr.Hakif Bajramit dhënë kohë më parë lidhur me shtetësinë e Kosovës : ”Shtetësia e Kosovës i ka rrënjët në Perandorinë Osmane me formimin e Vilajetit të Kosovës. Të gjitha institucionet në Vilajet kanë qenë në nivel të një republike evropiane. Vilajetin e Kosovës si shtet të pavarur e ka pranuar qeveria turke me 18 gusht 1912”. Sulltan Abdylhamidi për shqiptarët në kujtimet e veta përveç tjerash thotë : ”Shqiptarët që si popull gjenden në Evropë, janë vëllezërit tanë mysliman, te të cilët mund të kemi besim në çdo rast, si dhe janë ushtarët tanë më besnik, Nga ky popull kanë dale ushtarë dhe drejtues të jashtëzakonshëm. A nuk janë prej tyre edhe ata që gjenden përreth sulltanatit tim”. Dhe se Sulltan Abdylhamidi ” Kosovën e quante xhevahiri më i çmuar në gjerdanin e Perandorisë së tij”. Edhe një detaj dua të cek që ndoshta për lexuesit e shumtë nuk është i njohur gjer tani, pas depërtimit të kryengritjes shqiptare në Shkup në vitin 1912,” Riza beg Gjakova dhe Isa Boletini nuk mendonin gjë tjetër por si të vazhdojnë më tutje që të shpëtojnë nga internimi në Selanik Sulltan Abdylhamidin, dhe se as që mund të përmendej independenca (pavarësia), pasi që për këta të dy prijës ishin fjalë mëkati(qyfri) në atë kohë”.
E drejta e çdo njërit është të mendojë apo perceptojë si të dojë dhe as që dua që dikujt me këtë qasje time t’ia imponojë këndvështrimin tim, por në ballafaqim me të vërtetat të argumentuara dhe të bazuara në fakte shkencore, është njerëzore dhe akademike e shkencore të dallon të vërtetën prej të pavërtetës. Çdokush ka të drejtë të shqetësohet edhe për fatin dhe krimet e kryera ndaj popujve tjerë, që është njerëzore dhe morale, por të anashkalosh dhe të mos jesh mirënjohës për popullin turk, që gjatë tërë historisë shumëshekullore i ka dale në ndihmë popullit shqiptar, dhe se dua të cek vetëm dy detaje nga historia jonë më e re , e që krerët politik shqiptar në Shqipëri e dinë më së miri rolin dhe kontributin e dhënë të Turqisë në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë në vitin 1997 nga kërcënimi grek, si dhe të vitit 1999 nga kërcënimi serb, dhe se angazhimi tani e tutje, haptas të deklaruar gjatë vizitës brenda 10 ditëve në Kosovë të dy zv.kryeministrave të Turqisë, të z. Bylent Arënç dhe z. Bekir Bozdag që për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, do të luajë rol aktiv Turqia, se sa për neve me mbet, e kemi dëshmuar në luftën e vitit 1999 se sa ishim të aftë neve vet të mbrojmë veten tonë, familjen tonë, popullin tonë dhe Kosovën tonë , kur vetëm për dy muaj u dëbuam nga atdheu ynë, mbi 1milion shqiptar, të vrarë e të masakruar 15.000 shqiptar, të plagosur e të lënduar 30.000 shqiptar, të dhunuara 20.000 femra shqiptare, të shkatërruara mbi 100.000 shtëpia, banesa, ekonomi familjare, qindra monumente të trashëgimisë kulturore fetare e kështu me rrallë. Bile as moralisht, në rast se jo tjetër, nuk i takon znj.Flaka Surroit t’ia përmend përfaqësuesve turq termin “gjenocid” vrasjen e mbi 1milion armenëve të supozuar gjatë luftës së parë botërore, e as Arben Xhaferit të brengoset për serbët krishterë pas të gjitha vuajtjeve që i kanë shkaktuar sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, për deklaratën serbe se: ”Neosmanizmi për të krishterët është njësoj si neonazizimi për hebrenjtë”.Ndërsa për rolin e Ataturkut që e cek Arben Xhaferi” Politika e Ataturkut, i cili e kuptonte mirë katandisjen e Turqisë për shkaqe, ambicie joreale politike, filloi të praktikojë një variant të izolacionizmit”, e ka bërë një krahasim “per exelllenc” publicisti ynë i mirënjohur z. Veton Surroi, i cili si i tillë nuk do fare koment, që e pat cek në një shkrim për Stambollin:”Në vitin 1886 në Stamboll kishte 444.294 të krishterë dhe 384.386 mysliman. Pas 100 vitesh botuesi i gazetës greke thoshte se kishte vetëm 520 lexues të komunitetit grek që numëronte 2000 vetë. Ndërkohë në krye të vendit kishte ardhur Ataturku, duke udhëhequr vendin, apo më mirë thënë, duke imponuar me dhunë identitetin perëndimor për vendin”. Në përfundim të kësaj qasjeje, shqiptarët në përgjithësi ,e në Kosovë në veçanti, duhet me pietet të përkujtojnë dy vite më të rëndësishme në tërë historinë e gjithëmbarshme shqiptare dhe të jenë mirënjohës dhe falënderues ndaj dy popujve miq. Viti 1389 kur Perandoria Osmane në krye me Sulltan Muratin shporri ushtrinë dhe pushtetin serb mbi Kosovën, gjegjësisht zhbënë Perandorinë serbe të Car Llazarit në Kosovë, si dhe vitin 1999 kur SHBA, në krye me Bill Klintonin, shporri ushtrinë dhe pushtetin serb në Kosovë, gjegjësisht zhbënë politikën koloniale të Millosheviçit të ushtruar në Kosovë. Por, për intervenimin e Perandorisë Osmane të thuash se ka qenë pushtuese e popullit shqiptar, e për intervenimin e SHBA-ve dhe aleatëve të saj çliruese për popullin shqiptar, me të vërtetë është anakronike dhe për ata që mendojnë dhe perceptojnë sipas kësaj logjike, kanë nevojë të kontrollohen te psikiatri, pasi që një gjë e tillë nuk korrespondon as me logjikën njerëzore e lere me të vërtetën historike shkencore. Sido që të jetë, unë do të përkujtojë me pietet këto dy ngjarje vendimtare për popullin tim dhe do jem falënderues përherë për të dy popujt miq, si atij osman (turk), ashtu edhe atij amerikan për ndihmën e pakursyer dhënë në momentin e duhur për shpëtimin nga asimilimi dhe zhbërja fizike e popullit tonë të shumëvuajtur.


24.08.2011
Faik MIFTARI