Author: faik
•9:58 e pasdites
Ju falënderoj të gjithëve nga zemra për disa çaste që keni ndarë nga koha e juaj e çmuar për të marr pjesë në këtë eveniment kulturor me rastin e promovimit të librit tim”Gjurmë në kohë”.
“Prezantimi i një libri të ri është një ngjarje e shënuar në jetën kulturore, është një kënaqësi e veçantë për pjesëmarrësit, është një përgjegjësi morale për diskutuesit, është një nderim qytetar e intelektual për autorin”, janë fjalët e pedagogut, publicistit, shkrimtarit nga Shkodra zotëri Faik Luli, me të cilën e fillova këtë fjalim rasti para kësaj audience të respektuar.
Falënderojë Zotin e madhëruar që më ka krijuar dhe mundësuar që nëpërmes leximit, mësimit dhe shkrimit të jap kontributin tim modest në sferën e jetës shoqërore, politike, publicistike,fetare dhe kulturore që e karakterizojnë shoqërinë njerëzore si tërësi e përsosur.
Në formimin tim intelektual si në aspektin kombëtar ashtu edhe atij fetar përveç shumë personaliteteve të cilët kanë ndikuar me të madhe dhe të cilëve të gjithëve nga zemra ju falënderoj, por, rol të veçantë kanë luajt gjashtë personalitete të cilët kanë lënë gjurmë të veçantë tek unë.
I pari, ka qenë babai im, shpirti i tij rahmet pastë, i cili më ka edukuar, frymëzuar, inspiruar si në aspektin kombëtar ashtu edhe atij fetar, dhe për nder të tij edhe këtë libër që do të keni në dorë e kam kushtuar shpirtit të ndritur të tij. Me të vërtet babai im përveç që ka qenë një prind i përkushtuar për fëmijët e vet, ka qenë një vizionar me botëkuptime të qarta dhe largpamëse. Sidomos netëve të gjata të dimrit më lexonte, rrëfente, mësonte, gjatë fëmijërisë sime, për Zotin si krijues absolut i universit, për profetin tonë të dashur Muhamedin a.s., për Kur’anin e madhëruar, e për shumë gjëra tjera fetare. Por krahas rrëfimeve fetare, më ka mësuar shumë edhe në aspektin kombëtar, pasi ka pas vizione të qarta kombëtare, atdhetare. Për dallim nga historia që e mësonim në shkolla, për të cilën shkrimtari i njohur francez Balzaku ka thënë: ”Ekzistojnë dy histori, historia zyrtare jo e vërtetë e cila jepet në shkolla dhe historia e fshehtë në të cilin jepen shkaqet e vërteta të ngjarjeve”. Pasi që në shkolla, për shkak të sistemit komunist nuk ishte mundur të mësohet historia e vërtetë dhe se feja ishte e anatemuar, alternativa kësaj ishte, që këto boshllëqe me plot sukses m’i ka kompensuar babai im. Në rrëfimet e t’ia, përveç tjerash, sa herë që tregonte për mbretin Zog, me admirim u ngrinte në këmbë për të treguar përshëndetjen e tij karakteristike, tregonte për “çlirimin” e Prizrenit, në vitin 1941, ku në ballë ishte Qazim Bllaca, për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, për Halim Spahinë e Ibrahim Lutfinë, për Shaban Palluzhën e luftën e Drenicës, për masakrën e Tivarit, e shumë e shumë ngjarje tjera të cilët nuk kemi pas rast të mësojmë në shkollat e atëhershme.
I dyti, është mësuesi im zotëri Ryzhdi Dapko, i cili më ka mësuar për mrekulli shkronjat dhe gjuhën shqipe, për të cilin poeti ynë i mirënjohur Naim bej Frashëri ka thurur vargje më të bukura: Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e gjerë, sa e lehtë sa e lirë, sa e bukur sa e vlerë”. Mësuesi im e di më së miri atë që e theksova, dhe shfrytëzoj rastin këtu publikisht para juve, audiencë e respektuar, pasi që gjendet në mesin tonë, ta falënderoj me fjalët:“ Të falënderojë nga zemra dhe kurrë nuk do të të harrojë o shokë mësues im i dashur dhe i respektuar, përherë do të të kujtojë për të gjithë atë që më ke mësuar”.
I treti, ka qenë mësuesi im fesë, hfz. Maksut Spahiu, shpirti i tij rahmet pastë, i cili më mësoi shartet e imanit dhe shkronjat e Kur’anit, pasi që në shkolla mësim besimi nuk mësohej. Hoxha im i nderuar ka pas vullnet të flaktë për të na mësuar neve nxënësve njohuritë fetare për fenë tonë të bukur Islame, gjatë gjithë jetës së tij me qindra nxënës i ka mësuar, ka qenë pedant dhe modest, dhe se sytë i përlotnin kur neve si fëmijët që ishim e nervozonim apo edhe e hidhëronim ndonjëherë.
I katërti, është profesori im në gjimnazin e Prizrenit, zotëri Eqrem Kryeziu, i cili me të vërtet na ka mësuar gjuhën shqipe të flitnim dhe të shkruajmë bukur Edhe pse kaligrafia është e njohur si artë i të shkruarit bukur të alfabetit arab, por, po të mbaheshin gara në të shkruarit bukur të alfabetit latin profesori Eqrem do të ngadhënjente me siguri. Edhe pse neve edhe gjatë orës së tij në mes veti flitnim gjuhën e cila tradicionalisht flitej në Prizren, neve nxënësve na donte në një mënyrë të veçantë, pasi që e mësonim dhe e flitnim si duhet gjuhën shqipe letrare. Shfrytëzoj rastin që publikisht para juve pasi që gjendet në mesin e kësaj audience të respektuar, ta përshëndes me fjalët: të falënderojë nga zemra profesori im i nderuar për tërë kontributin e dhënë”.
I pesti, ka qenë ligjëruesi dhe pedagogu im pran fakultetit teknologjik në Mitrovicë, prof.dr. Fatmir Agolli i ndjerë. Ishte ora e fundit e cila duhej mbajtur, pasi që përfundonte viti shkollor, dhe se profesori im i nderuar do të duhej të nënshkruante indeksat, në vend se të kemi nënshkrimin e tij në indeksat tona, ne atë ditë e përcollën në jetën e përhershme, pasi befasisht ndërroi jetë. Në mendjen time do të mbetet përherë porosia e tij e paharruar neve studentëve që i ndjekëm mësimet tek ai: ” Kolegë të nderuar, dëgjoni me vëmendje këtë që do t’ua them, të mbani mend sepse kjo do të ju përcjell gjatë tërë jetës së juaj. Atë ditë që e kryeni fakultetin dhe pajiseni me diplomë, mos mendoni se u krye e tëra, nga ai moment fillon sprova e jetës së juaj e mëtutjeshme, diploma e juaj do t’ju shërbej vetëm si biletë hyrëse për të shkuar në teatër ku do të shfaqej shfaqja”Tragjikomedia e jetës” e prej juve varet se a do të luani rolin kryesor, rolin sekondar apo do të jeni vetëm një shikues i thjeshtë në sallën në të cilin gjendeni”.
I gjashti, ka qenë mentori im, zotëri Riza Gashi, apo Riza abej si e quanim neve, gjatë studimeve të kaluara në Mitrovicë. Ka qenë njeri i rrallë për kohën në të cilin ka jetuar dhe vepruar. Mbrëmjeve të shumta me të cilën kam pas rast të qëndojë, më ka mësuar shumë dhe më ka dhënë njohuri të çmuara si në aspektin kombëtar ashtu dhe atij fetar. Do të cek vetëm një porosi të tij, para juve, audiencë e respektuar, ” më dëgjo Faik, unë jam plak, dhe me siguri unë nuk do të përjetojë kohën që do të vjen, por ti je i rri dhe me siguri do të përjetosh kohën që do të vjen. Jemi duke jetuar për momentin në një shoqëri socialiste ku, përveç tjerash edhe feja Islame është e lejuar vetëm në hapësirën brenda 4 mureve të xhamisë dhe shtëpisë, por një ditë, do të vjen sistemi i shoqërisë demokratike, të cilën do kesh rast ta përjetosh, ku përveç tjerash edhe feja Islame do të dalë nga 4 muret e xhamisë dhe shtëpisë dhe do të jetë prezentë kudo në opinionin publik, si në shoqërori, shkolla publike, institucione shtetërore, entet kulturore, biblioteka, media të shkruara dhe elektronike etj, dhe se në demokraci çdo kush do të ketë të drejtën e lirë të shpreh ndjenjat e t’ia politike, fetare, kulturore, shoqërore pa asnjë imponim dhe kufizim, dhe se varet prej teje sa do të jesh i aftë që të shfrytëzosh këto të drejta të garantuara, e mbi të gjitha këto, vlera më e madhe e demokracisë është liria e të shprehurit dhe të shkruarit të lirë atë që mendon, dhe se për një gjë të tillë nuk do të mund as të burgosesh, as të dënohesh, e as të vritesh, po edhe po të ndodh diku ndonjë rast i tillë i izoluar, atëherë në mbrojtjen e fjalës së lirë të shprehur dhe të shkruar do të ngritën në këmbë gazetarë, publicistë dhe shkrimtar anekënd botës”.
Këto që e ceka më lartë, nuk kam pas për qëllim të lavdërimit të ndonjë prej personaliteteve të lartpërmendur, edhe pse si të tillë e meritojnë, por me qëllim të zbatimit në krijimtarinë time publicistike, të thënies së urtë të publicistit dhe kronistit boshnjak mulla Mustafa Basheskisë i cili pat thënë: ” Çdo send që shënohet mbetet, çdo send që mbahet mend harrohet” që sipas mendimit tim neve shqiptarëve është më se e nevojshme ta zbatojmë sa më shumë që mundemi në praktikë këtë thënie të urtë .
Në përmbyllje të këtij fjalim rasti, më lejoni që të falënderoj redaktorin e librit, z.Mexhid Yvejsi, i cili e ka pas barrën më të madhe mbi veti me rastin e përgatitjes së këtij librit tim për botim, recensentët z.Fuad Ramiqi dhe z.Halil Ibrahimi për kumtesat e paraqitura, moderatorin Visar Korenica, i cili njëherit ishte edhe autor i ballinës së librit si dhe radhitjes kompjuterike, pronarin e shtypshkronjës”Pena”z. Mensur Bytyqi për punën e kryer me rastin e shtypjes së librit, si dhe një falënderim të posaçëm shkon për sponsorët e këtij libri pa ndihmën e të cilëve ky libër nuk do të shihte dritën e botimit.
Në fund falënderoj edhe audiencën e gjerë të pranishëm në këtë amfiteatër të bukur të medresesë së qytetit tonë e cila tregoi durim dhe qasje kulturore gjatë promovimit të librit tim ”Gjurmë në kohë”.

Ju faleminderit për vëmendje!


26.03.2011
Faik Miftari
Author: faik
•10:18 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht me datë 14-15 mars 2011, në Prishtinë, në Hotel Grand, nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe nën patronatin e myftiut, Mr. Naim ef.Tërnava, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me temën ”Mësimi mbi fenë në institucionet publike të arsimit – përvojat nga rajoni dhe modalitetet e përshtatshme për Kosovën”.Gjatë punimeve dyditore, sa zgjati konferenca janë mbajtur 6 seanca me gjithsejtë 15 panelistë, vendor e ndërkombëtar. Më poshtë vijon lista e mbajtjes së seancave dhe kumtesave të lexuara sipas renditjes:
Seanca e I –rë – moderatore Mr. Besa Ismaili
Stephen Batalden(SHBA) – “ Religjioni dhe arsimi publik në SHBA. Modelet kundërthënëse për mësimin e religjionit në sferën publike”.
Zilka Spahiç-Shijak(B&H) – “Mësim-besimi dhe perspektiva gjinore –ndikimi i mësimeve mbi fenë në baraspeshimin mes gjinive”.
Seanca e II-të – moderator Resul Rexhepi
Mr. Ahmed Alibashiç (B&H) – “Mësimet e religjionit, organizimi, kapacitetet, planprogramet, metodologjitë dhe sfidat – rasti i B&H”.
Dr. Aziz Hasanoviç (Kroaci) – “Mësimet e religjionit, organizimi, kapacitetet, planprogramet dhe metodologjitë – rasti i Kroacisë”.
Seanca e III-të – moderator Dr. Nazmi Maliqi
Altin Shima(Shqipëri) – “Çështja e mësimeve të fesë në Republikën e Shqipërisë”.
Omer Kajoshaj(Mali i Zi) – “Çështja e mësimeve të fesë në Republikën e Malit të Zi”.
Afrim Tahiri(Maqedoni) – “Çështja e mësimeve të fesë në Republikën e Maqedonisë”.
Seanca e IV- të – moderator Dr. Qazim Qazimi
Dr. Milazim Krasniqi (Kosova) – “Sfidat e tjetërsimit fetar dhe kulturor”.
Dr. Nexhmedin Spahiu (Kosova) – “Roli i fesë në komb-ndërtim”.
Seanca e V-të – moderator Fahredin Shehu
Dr. Ferid Agani (Kosova) – “ Nevojat dhe dobitë e aplikimit të lëndës së mësim besim besimit në shkollat publike në Kosovë”.
Dr. Shahin Berisha (SHBA) – “ Komuniteti shqiptar në Arizona, mësimet e gjuhës shqipe dhe organizimi i komunitetit musliman shqiptar në Arizona të SHBA-së”.
Mr. Muhidin Ahmeti (Austri) –“ Roli dhe mbështetja e shtetit të Austrisë në përgatitjen e mësimdhënësve për mësimet mbi religjionin në shkollat publike”.
Seanca e VI- të – moderator Akademik Feti Mehdiu
Dr. Adnan Ahmedi – “Mësim besimi në Luginën e Preshevës”.
Mr.Halil Ibrahimi – “ Religjioni në shkollat publike – vlerësimi i nevojave dhe kapaciteteve”.
Sabri Bajgora – “Elaborati i Bashkësisë Islame të Kosovës për futjen e mësim-besimit në sistemin arsimor rë Kosovës”.
Hapjen e konferencës e bëri kryemami i Kosovës Sabri Bajgora.
Myftiu i Kosovës, Mr.Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij përshëndetëse, përveç tjerash theksoi ” Bashkësia Islame e Kosovë, shtroi nevojën imediate për aplikimin e lëndës fetare në sistemi arsimor shkollor të Kosovës. Shoqëria kosovare ka nevojë për aplikimin e lëndës fetare në shkollat publike të Kosovës pasi që aplikimi i tij është nevojë kohe dhe detyrë sublime e institucioneve tona shtetërore të Kosovës. Me aplikimin e mësimit për fenë në sistemin publik arrihet që të shmanget mësimi informal për fenë dhe arrihet që rinia jonë të ruhet nga ndikimet e ndryshme që nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe traditën në të kaluarën tonë. Përmes kësaj forme të mësimit për fenë arrihet që të ruhet doktrina hanefite në jurisprudencën islame, mbi të cilën është zhvilluar këtu e 600 vjet feja islame në këto troje, e që njihet për tolerancë e mirëkuptim si dhe për interpretim racional të mësimeve për fenë Islame. Me këtë të rinjve u plotësohet një e drejtë themelore njerëzore, mësimi për fenë, pasi që është një boshllëk, për shkak të periudhës 50 vjeçare të mohimit të fesë në sistemin komunist. Çdo komb që dëshiron të sigurojë të ardhmen e sigurt duhet që rininë krahas arsimimit të përgjithshëm të pajisë edhe me edukatë të lëndës fetare, duke harxhuar energji të vazhdueshme për të rritur brezin e ri me këtë frymë”.
Pas fjalës përshëndetëse të myftiut, nisi puna e konferencës me ç’rast panelistët sipas rendit të caktuar paraqitën kumtesat e tyre, po për shkak të natyrës së shkrimit do të paraqes për një njoftim lexuesve vetëm disa prej tyre të cilët lenë përshtypje të veçantë audiencës së gjerë të pranishëm në sallë.
Mr.Halil Ibrahimi në kumtesën e tij: “Religjioni në shkollat publike-vlerësimi i nevojave dhe kapaciteteve” në mes tjerash theksoi:
“Bazuar në natyrën e zhvillimit të çështjeve që kanë të bëjnë me fenë në shoqërinë shqiptare dhe kosovare, mendoj se nyja e problemit duhet të shqyrtohet nga dy aspekte tërësisht të ndara, e ato janë: 1. mënyra e prezantimit të fesë në kurrikulat ekzistuese të historisë, letërsisë, gjuhës shqipe, muzikës etj dhe 2. çështja e mësimit të besimit fetar në çfarëdo forme qoftë në kurrikulën e shkollave publike. Në epokën komuniste identiteti islam i shqiptarëve është luftuar nën maskën e prapambeturisë, të betejës së klasave dhe proletariatit të ri socialist. Në këtë mënyrë të jesh i brumosur me traditë kulturore dhe fetare muslimane është konsideruar edhe prapanike, edhe e ulët edhe anakronike. Pas viteve të nëntëdhjeta nomenklatura e njëjtë e frazeologjisë luftuese kundër identitetit musliman të shqiptarëve është përdorur duke e ndërruar vetëm petkun e destinimit. Tani, kjo luftë në vend të vlerave socialiste dhe komuniste është tentuar të kryhet në emër të patriotizmave kombëtare dhe nacionaliste. Kurrikula shkollore e të gjitha niveleve, bashkë me kulturën dhe historinë fatkeqësisht ende vuajnë nga kjo fobi e krijuar gjatë një gjysmëshekulli të tërë. Shqiptari i ri që po tentohet të krijohet është një palo evropian, i cili e urren të kaluarën e tij më të afërt, ka një vakum shpirtëror, nuk e di cili është identiteti i tij, dhe i cili tenton që ta gllabërojë një kulturë, fe apo fe kulturore të tjetrit vetëm për të qenë i pranuar në sytë e tij. Për Evropianin dhe Perëndimorin mesatar ky është soji i fundit i njeriut apo kombit të cilin ata do ta donin në gjirin e tyre. Filozofia, intelektualia, letërsia dhe kulturaliteti i Perëndimit gjatë shekujve e sidomos dekadave të fundit në thelb të gjithçkaje e ka respektimin e denjë të diversitetit. Çfarëdo tentimi për dhënin e vendit të duhur identitetit islam te shqiptarët apo inkorporimin e mësim besimit nëpër shkollat pubike, ka hasur në barrierë të ashpër nga dy drejtime. I pari është ai që u përmend më lart, nomenklatura e politikanëve, intelektualëve dhe udhëheqësve, të cilët duke pasur për veti kriza identiteti janë vënë edhe vetë në ballë të krijimit të një identiteti të sajuar të shqiptarit të ri i cili e përjashton çfarëdo vlere shpirtërore muslimane dhe i cili është i lakueshëm në varshmëri nga politikat ditore, kërkesat e imagjinuara që vijnë nga pika të fuqishme referimi në botë apo çfarëdo arsyeje tjetër e përkohshmërisë. Për çudinë më të madhe drejtimi i dytë prej nga tentimi për futjen e mësim besimit ka hasur në kundërshti janë bashkësitë fetare katolike dhe protestante në Kosovë.Edhe pse në shumicën e vendeve Evropiane ku katolikët dhe protestantët e përbëjnë shumicën, bashkësitë e tyre përkatëse janë me tërë veprimtarinë e tyre pro edukimit shpirtëror e fetar dhe kyçjes së arsimimit fetar nëpër shkolla publike, për çudinë më të madhe në Kosovë ndodhë e kundërta.Përfundimisht, edukimi fetar në shkollat publike në Kosovë është domosdoshmëri, ndërsa sa i përket mënyrës së inkorporimit të tij kjo ngelet për t’u studiuar mirë dhe për t’u marrë ai model i cili i përgjigjet më së shumti këtij nënqielli. Si orientim, modeli gjerman, austriak dhe i disa vendeve të tjera të Evropës Perëndimore i përshtatet Kosovës më së shumti”.
Mr. Muhidin Ahmeti në kumtesën e tij”Roli dhe mbështetja e shtetit të Austrisë e tij në përgatitjen e mësimdhënësve për mësimet mbi religjionin në shkollat publike” përveç tjerash tha:“ Në Austri momentalisht jetojnë 500.000 musliman. Austria ka pas një periudhë të gjatë ndërveprimi apo kontakti me mysliman qysh nga shekulli XV, nga viti 1912 në Austri është njohur Islami si fe zyrtare dhe nga atëherë gëzon liri të madhe fetare. Bashkësia Islame në Austri është themeluar në vitin 1979, janë gjithsejtë 12 qendra islamike shqiptare, plot 30 vjet mësohet lënda fetare në Austri, janë gjithsejtë 430 mësimdhënës në 2800 shkolla publike të Austrisë, mësimi është i obliguar në shkollat fillore, mësohet me sistemin konfesional të lëndës fetare, kurikulat shkollore përpilohen nga bashkësitë fetare konfesionale, ndërsa shteti austriak e financon dhe paguan nga buxheti të gjitha shpenzimet për lëndën e edukatës fetare. Mendimi im për mësim fetar në shkollat publike të Kosovës është që ideja për njohjen e Zotit si krijues dhe i vlerave fetare që do të mësohen në shkollat publike, nuk paraqet problem, por është pjesë e zgjidhjes. Në kërkim të modelit duhet përpiluar sistemin më të preferuar në Kosovë, me rëndësi është që fëmijët të mësojnë dhe të orientohen sipas bindjeve të tyre fetare”.
Mr. Ahmed Alibashiç në kumtesën “Mësimet e religjionit, organizimi, kapacitetet, planprogramet, metodologjitë dhe sfidat – rasti i B&H”, në mes tjerash ceku:
“ Mësim besimi në B&H ka filluar në vitin 1991/92, në shkollat fillore lënda e edukatës fetare mësohet nga 2 orë në javë, ndërsa në shkollat e mesme nga 1 orë në javë. Shteti është i obliguar të sigurojë rrogat mësimdhënësve, ndërsa Bashkësia Islame është e obliguar të përgatit kuadrot, kurikulat dhe tekstet shkollore. Mësim besimi mbahet sipas modelit konfesional, dhe atë musliman, katolik, ortodoks, shumica absolute e fëmijëve e ndjekin lëndën e mësim besimit, ndërsa shumë pak fëmijë nuk e ndjekin lëndën e mësim besimit. Mësim besimi është një e drejtë themelore njerëzore, 50 vjet kemi qenë larg nga feja për shkak të sistemit autoritar komunist, dhe se tani vetëm 4% që nuk e ndjekin mësimin nuk kanë kurrfarë drejte që të na kushtëzojnë, të mësojmë fenë në shkollat tona, dhe se kjo në shoqëri demokratike quhet tirania e pakicës ndaj shumicës, e në një shoqëri demokratike me vlera demokratike nënkuptohet parimi i vendosjes së shumicës. Çdo shoqëri apo shtet duhet të sigurojë formën më të mirë të duhur të përshtatjes së tyre rreth mësim besimit, dhe se mësim besimi i ndihmon fëmijët që përveç arsimimit në shkollë të edukohen dhe të mësojnë për fenë të cilët i përkasin”.
Dr. Aziz Hasanoviç në kumtesën e vet “Mësimet e religjionit, organizimi, kapacitetet, planprogramet dhe metodologjitë – rasti i Kroacisë”, përveç tjerash ceku:
“ Në Kroaci mësim-besimi mësohet qysh nga viti 1992 në shkollat publike, dhe se këtu në këtë konferencë shkencore të organizuar do t’iu përcjelli përvojat e mia si koordinator i kësaj problematike në shkollat publike të Kroacisë. Meshihati (Kryesia) e Bashkësisë Islame në Kroaci në vitin 2002 ka nënshkruar me qeverinë e Kroacisë, marrëveshjen për të drejtat fetare të mulimanëve në Kroaci si dhe mësim besimin në shkollat publike. Mësohet 2 orë në javë, lënda e edukatës fetare është e obligueshme sikurse lëndët tjera, për shkollat fillore gjer në moshën 15 vjeçar pëlqimin për të ndjekur lëndën fetare e jep prindi, ndërsa pas moshës 15 vjeçare pëlqimin për të ndjekur lëndën fetare e jep edhe vet vetë nxënësi dhe prindi. Alternativa për lëndën fetare është Kultura religjioze, po nuk është treguar ndonjë interesim të duhur për këtë. Kusht për të ndjekur mësimin është të jenë 7 nxënës, të cilët formojnë një paralele të caktuar, ku edhe mësojnë lëndën e Edukatës fetare. Planprogramin e lëndës fetare e bën Meshihati (Kryesia) e Bashkësisë Islame ndërsa pëlqimin e jep Ministria e Arsimit e Kroacisë”.
Dr. Ferid Agani, në kumtesën“ Nevojat dhe dobitë e aplikimit të lëndës së mësim besim besimit në shkollat publike në Kosovë”, përveç tjerash tha: “Aspekti i rëndësisë së zbatimit të kësaj lënde në personalitetin e njeriut në shumicën e shteteve evropiane është e pranishme dhe në asnjë mënyrë nuk është shkelje kushtetuese. Feja është e një rëndësie të gjërë për një shoqëri të lirë demokratike. Zbatimi i lëndës fetare do të ndikojë në fuqizimin e dijes dhe njohurisë, moralit, shëndetit dhe do të ndikojë në parandalimin e narkomanisë, alkoolit, vetëvrasjeve dhe marrëdhënieve të hershme seksuale. Në periudhën e pas luftës në Kosovë, pas vitit 1999 kemi një shtim të theksuar të dukurisë së vetëvrasjeve në Kosovë, si pasojë e zbehjes së elementit fetar në Kosovë, dhe rritjes rapide të degradimit të shoqërisë kosovare. Nga një studim i kryer në Suedi lidhur me dallimin në mes nxënësve suedez dhe turq, që ndjekin mësimin e lëndës fetare dhe atyre që nuk ndjekin mësimin e lëndës fetare, ka rezultuar se të gjithë ata nxënës që mësojnë lëndën fetare prirja për dukurit e ndryshme të devijimeve delikuent është në një masë shumë më të vogël se tek ata nxënës që nuk e ndjekin mësim besimin dhe kanë bazamentin fetar të dobët, është në një masë shumë më të madhe. Realiteti ynë social dhe politik në Kosovë, ka bazament shkencor e social, arsyeshmëria në një shoqëri demokratike kosovare është qasja me fakte shkencore, racionale dhe të arsyeshme me sesione, debate, shkrime për sensibilizimin e opinionit të gjerë kosovar, e jo apriori në mënyrë iracionale të ketë qasje refuzuese ndaj kësaj kërkese të drejtë sa njerëzore e humane aq edhe edukative dhe arsimore”.
Sabri Bajgora, në kumtesën përmbyllëse “Elaborati i Bashkësisë Islame të Kosovës për futjen e mësim-besimit në sistemin arsimor të Kosovës”, në mes tjerash tha:
“Bashkësia Islame e Kosovës e sheh aplikimin e lëndës fetare si një projekt i një rëndësie të veçantë kombëtare dhe fetare, duke marrë njohuri për bazat e fesë të cilët i përkasin. Lënda e Edukatës Fetare duhet të analizohet dhe studiohet mirë, të përpilohen kurikulat e mirëfillta për parandalimin e dukurive negative që e kanë kapluar shoqërinë tonë kosovare. Mund të merret për bazë modeli i mësim besimit që aplikohet në Austri, Kroaci apo Bosnjë, duke i përshtatur specifikave tona të shoqërisë kosovare, me ç’rast rinia jonë do të ishte sa më larg alkoolit, drogës e prostitucionit. Fëmijët tanë lirshëm duhet të mësojnë për fenë e tyre të cilët i përkasin, me ç’rast do të kthejnë vetëbesimin e tyre të nëpërkëmbur”.
Pas përfundimit të seancave është zhvilluar një diskutim shumë i hapur dhe i suksesshëm në mes panelistëve dhe audiencës së gjerë në të cilin kanë marrë pjesë shumë diskututues, sikur Fuad Ramiqi, Ajni Sinani, Besa Ismajli, Feti Mehdiu, Pajazit Nushi, Mexhid Yvejsi, Fahrush Rexhepi, etj.
Në përfundim të kësaj konference Mr.Jakup Çunaku lexoi konkluzat e dala nga kjo konferencë shkencore dyditore të mbajtur në Prishtinë.
1. Kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që të rregullojë çështjen juridike të pozitës së bashkësive fetare në Kosovë.
2. Rekomandohet bashkëpunimi i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës.
3. Përfshirja e lëndës fetare në shkollat publike të Kosovës si rëndësi shoqërore , etike, njerëzore në mirëkuptim të tolerancës fetare për të ruajtur kohezionin e shoqërisë kosovare.
4. Bashkësia Islame e Kosovës është e gatshme për përpilimin e plan programeve dhe teksteve shkollore.
5. Përvoja nga aplikimi i lëndës fetare nga rajoni do të ndihmon për të nxjerr mësimet më të mira për lëndën e edukatës fetare.
Përmbylljen e konferencës shkencore e bëri Mr. Besa Ismajli.
Në përmbyllje të këtij prezantimi të kësaj konference shkencore të mbajtur në Prishtinë, do të shtoja se me të vërtet kjo konferencë shkencore dyditore e mbajtur në Prishtinë ka qenë me suksesshmja dhe më e organizuar në të gjitha aspektet nga të gjitha sesionet, simpoziumet dhe konferencat e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë e gjer në ditën e sotme.


17.03.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•10:08 e pasdites
Hafiz Abdylaziz ef. Hoxhallari, u lind në vitin 1922 në Prizren nga i ati Destan Hoxhallari dhe e ëma Lejla Hoxhallari. Rrjedh nga një familje qytetare me traditë fetare. Shkollën fillore 5 vjeçare e kreu në vendlindje. Hifzin e kreu tek muhafizi i tij Beqir Kajserliu në mejtepin e xhamisë së Emin Pashës ku edhe ishte imam në xhaminë e Emin Pahsës. Ndjeku mësimet në medresenë e Gazi Mehmed Pashës tek myderrizi i shquar Hasan ef. Nahi, dhe se u detyrua të ndërpres mësimet si dhe shumë talebe (nxënës) tjerë për shkak të mbylljes së medresesë nga ana e regjimit komunist në vitin 1947. Shërbeu si imam në xhamitë e ndryshme të qytetit të Prizrenit si në xhaminë e Jenimahallës , Emin Pashës, Gazi Mehmed Pashës(Bajraklisë), Qatip Sinanit(Levishës) dhe së fundi në xhaminë e Terxhuman Skenderit(Dragomanit ) ku edhe u pensionua në vitin 1987, njashtu ka shërbyer edhe në xhamitë e tjera sipas nevojës.Hafiz Aziz ef.Hoxhallari( në popull ka qenë i njohur me emërtimin hafiz Azizi) ka dhënë një kontribut të madh në edukimin e brezave të ri deri në pleqëri të thellë, pasi që gjatë gjithë kohës ka mësuar talebe (nxënës) të ndryshëm përveç xhamive në të cilin ka shërbyer, nuk ka pritue herë herë edhe në shtëpi për të mësuar, përveç tjerash tek ai kanë mësuar kohë pas kohe edhe hafiz Mersad Ajvazi, hafiz Ardiana Alishani, hafiz Xhengiz Igxhiu. Viteve pesëdhjeta nën trusninë e pushtetit serb ka pas qëllim me shkue në Turqi, bile edhe e pat shitë shtëpinë e vet, por për shkaqe objektive nuk iu realizua qëllimi për të shkuar në Turqi, që ishte shumë më mirë që mbeti dhe dha një kontribut të çmuar në shërbim fesë dhe qytetarëve prizrenas. Krahas shërbimit në xhami, gjatë gjithë kohës sa ka pas mundësi është marrë me punët e bujqësisë në arat e tij, për të mbjatur veten dhe familjen e tij. Ka qenë shumë modest, dhe se gjatë gjithë jetës ka qenë i kënaqur me riskun që e ka pas. Gjatë mobilizimit sa ka qenë ushtar gjatë kohës së Ramazanit i ka falur teravitë në një fshat të Kërqovës, gjatë kohës që ishte në shërbim ushtarak. Pas luftës kur janë formuar frontet(këshillat socialist) sa herë që është ftuar, nuk shkonte dhe gjente arsyet të ndryshme për të mos marr pjesë pasi ka qenë kundër sistemit komunist të kohës gjatë së cilës ka jetuar dhe vepruar. Shërbimet fetare i kryente te çdonjëri që e ka ftuar, pa pyetur dhe se shumë herë edhe pa pagesë, pasi që ndaj çdo njerit pa marr parasysh se çfarë ka qenë, ka qenë i nyejt dhe i përafërt me ta. I ka respektuar hoxhallarët dhe kolegët e vet, e sidomos hierarkinë fetare dhe myftiun e Prizrenit hafiz Safet ef.Basha dhe nuk e ka kundërshtuar, por me plot dëshirë e ka pranuar çdo emërim të tij në detyrë pa pa marr parasysh se në çfarë xhamie është caktuar për ta kryer shërbimin. Ka qenë pedant në veshjen e tij, dhe se ka qenë shumë i përafërt me besimtarët dhe se me ligjëratat dhe nasihatet e tij si gjatë ligjëratave javore, mujore, vjetore, mevludeve dhe takimeve të ndryshme do të mbetet përherë në kujtimet e qytetarëve dhe besimtarëve prizrenas. Ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare pas një pleqërie të gjatë të kaluar me datë 04.02.2011. U varros në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit me datë 05.02.2011, pas namazit të drekës në xhaminë e Bajraklisë iu këndua hatma, dhe se xhenazen ja fali kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef.Ballëku, nga xhamia e Bajraklisë gjer në varrezat u përcjell nga besimtarët dhe qytetarër e shumtë prizrenas si dhe hoxhallarët dhe kolegët e tij të shumtë të qytetit të Prizrenit, si dhe imamët mysafir nga Turqi, në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit u nda nga ai kryetari i saj Lutfi ef.Ballëku, ndërsa duanë(lutjen e fundit) ia bëri imami i xhamisë së Maksut Pashës(Marashit) hoxha Muharem Haxhiu. Lus Allahun xheleshanuhu ta shpërblejë me gradat më të larta të xhenetit firdevs.Amin.

06.02.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•8:54 e pasdites
Para ca ditësh, saktësisht me datë 8 mars 2011, në gazetën KOHA Ditore si çdoherë që i përcjelli kolumnet apo shkrimet e juaja, e lexova kolumnen tuaj me titull”Lojë me zjarr pa zjarrfikës”, edhe pse kam respekt të plotë për shkrimet e juaja interesante, madje edhe nëse apriori nuk kam qenë dakord me disa qasje apo këndvështrime të juaja, në shenjë respekti dhe duke marrë për bazë lirinë e të shprehurit dhe të shkruarit nuk kam reaguar, por me këtë kolumne të shkruar me të vërtet e ke tepruar, qoftë kjo edhe prej Enverit Robellit.
Duke marrë për shkas ngjarjen tragjike që ndodhi në Frankurt të Gjermanisë me ç’rast Arid Uka në mënyrë të paskrupullt vrau dy ushtarë amerikanë, që ishin nisur për udhëtim në Afganistan dhe dy i plagosi, i cili ishte shtetas i Gjermanisë, por me prejardhje nga Kosova. Normal që akti i tillë i kryer është për çdo dënim, dhe se ai për këtë vepër të kryer do të përgjigjet para gjykatës përkatëse në Gjermani, ku do të dalin në pah të gjitha motivet që e kanë shtyrë të kryej një krim të tillë. E tani, për një krim të tillë të kryer individualisht, si zakonisht fajtor kujdestar duhet të jetë Islami dhe muslimanët pa marr parasysh ku jetojnë dhe gjenden. Edhe pse ai ka jetuar dhe punuar gjatë gjithë kohës në Gjermani, tani neve shqiptarëve që jetojmë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetiu, nënkuptohet musliman, duhet të gjithë të dalim para gjyqit dhe të dënohemi për kryerjen e një akti të tillë individual.Kjo bile bile, e tejkalon edhe kohën e komunizmit, ku një kundërshtar i komunizmit, jo vetëm që vritej, persekutohej, burgosej, por bashkë me të dënohej edhe e tërë familja e tij e afërt dhe e largët, lagja apo edhe fisi dhe për këtë internohej apo burgosej me dekada të tëra në kampe dhe burgje. Por, vetëm po të lexoje komentet e shumta nëpër ueb faqet e ndryshme, të përkujton se kinse jemi duke jetuar në shekujt e mesjetës e jo në shekullin XXI, sepse kërkohej dënimi kolektiv i shqiptarëve musliman për një akt individual të kryer nga Arid Uka shtetas i Gjermanisë, me prejardhje nga Kosova.
Kjo i përngjet klithmës rrëqethëse ”kush nuk është me neve, është kundër nesh”, e cila bie ndesh me vlerat e një shoqërie demokratike për të cilën angazhohet shoqëria njerëzore në përgjithësi duke mos përjashtuar edhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi apo shoqërinë kosovare në veçanti.
Enver Robelli i bënë thirrje të hapur,z. Bajram Rexhepit, ministër i punëve të brendshme, z.Reshat Maliqit, drejtor policie të Kosovës, si dhe z.Ramë Bujës, ministrit të arsimit, edhe pse apriori në shkrimet e tija gjatë fushatës zgjedhore ka qenë kundërshtar i hapur i PDK-së, partisë së tanishme në pushtet, me koalicionin qeverisës aktual. Kërkon nga ata që në bashkëveprim me shtetet evropiane dhe SHBA-ve të luftojnë elementët që përdorin fenë për qëllime politike, shamitë në shkolla publike, shtypjen shoqërore të femrës. Këtë apel të tillë të Enverit, nuk mund të kuptojë ndryshe, përveç se thirrje për linçimin, lëçitjen dhe luftimin, e çdo gjëje që është islame. Duke jetuar në Perëndim, Enver Robelli e di shumë mirë se sa shumë subjekte politike me prefikse kristiane apo demokristiane garojnë lirshëm në zgjedhjet parlamentare nëpër vendet e ndryshme evropiane dhe se në shumë vende madje edhe udhëheqin ,veçmas apo së bashku me koalicione. Edhe pse në Kosovë nuk kemi për momentin as një subjekt politik me prefiks islam apo demoislam, në rast se aludon në Partinë e Drejtësisë e ke gabim, se ajo nuk është e tillë, por nuk do të thotë që një të ardhme të mos ketë ndonjë subjekt politik me prefiks islam apo demoislam në Kosovë, i cili do të garojë lirshëm me subjekte tjera politike qoftë në zgjedhje vendore apo nacionale. Por sipas Enver Robellit, kjo nuk do të lejohet, por a thua vallë, atëherë kjo është liri dhe demokraci, assesi, po kjo liri atëherë shëndrohet në liri të njëanshme dhe demokraci të kushtëzuar.
Askush nuk është kundër që shqiptarët që jetojnë në vendet e ndryshme evropiane të mos integrohen sepse po të mos integroheshin ata nuk do të kishin as perspektivën e shkollimit, studimit, të punës e të jetesës. Por tani Enver Robelli shpik diçka të re gjer tani të panjohur, kërkon që prindërit të mësojnë fëmijët e tyre së pari gjuhën e shtetit nikoqir në të cilin jetojnë. Mirëpo dihet se fëmiu e mëson së pari gjuhën e nënës, e gjuha e nënës është e tillë se çfarë përkatësie kombëtare i takon, normal që nënat shqiptare do të mësojnë fëmijët e tyre gjuhën shqipe, e pastaj me rritjen e tyre, shkollimin dhe shoqërimin e tyre dhe ambientimin do të mësojnë edhe gjuhën e nikoqirit në të cilin jetojnë dhe veprojnë. Kjo tezë le të mbetet si ide me të cilin do të mund të merren sociologët dhe psikologët në të ardhmen. Por tani kërkon prej kryeministrit z.Hashim Thaçi, të cilin nuk e ke lënë vend e hapësirë pa e kritikuar gjatë fushatës zgjedhore, që të bëjë apel bashkëkombësve të vet për integrim në shtetet në të cilin gjenden. Të integrohen po, pse jo, ama kryeministri nuk mund të bëjë thirrje për asimilim dhe humbje të identitet si kombëtar ashtu edhe fetar, është jashtë çdo logjike të menduarit të tillë e lere më të vepruarit. E apelin që e bënë Enver Robelli shkon në atë drejtim. Dua t’ia përkujtoj se gjatë kohës së shpërnguljes së shqiptarëve, turqve dhe boshnjakëve, pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912 nga Ballkani, me kohë gradualisht është zhvilluar edhe asimilimi i tyre, edhe pse akoma ka raste që e ndiejnë veten shqiptar dhe janë krenar me prejardhjen e tyre shqiptare, por se këtu kanë qenë musliman, por edhe në Turqi kanë mbet musliman si të tillë, ndërsa rreziku i apelit sipas kutit të Enverit është se shqiptarët që tani jetojnë anembanë botës, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë, me kalimin e kohës janë të kërcënuar drejt asimilimit total si atij kombëtar ashtu edhe atij fetar. Këtë kur po e them, bazohem në të dhënat nga të afërmit, miqtë, shokët e shoqet, që jetojnë aktualisht në diasporë, dhe kam ardhur në përfundim se gjenerata e parë, gjegjësisht nëna dhe babai e kanë ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe fetar, fëmijët e tyre e ndiejnë veten si shqiptar dhe musliman, nipat dhe mbesat e ndiejnë veten me prejardhje shqiptare dhe muslimane, ndërsa stërnipat dhe stërmbesat do të asimilohen gradualisht si në aspektin kombëtar shqiptar edhe atij fetar musliman.
Sa i përket akuzave ndaj kryeministrit të Turqisë z.Rexheb Tajib Erdogan, unë nuk kam pasur rast të përcjell mediat në gjuhën gjermane pasi për fat të keq nuk e njoh gjuhën gjermane, por në mediat turke që i kam përcjell, pasi për fat të mirë e njoh gjuhën turke, dhe se nuk është e vërtetë se kryeministri i Turqisë ju ka thënë bashkëkombësve të vet të mos integrohen në shtetin në të cilin jetojnë në Gjermani, gjatë takimit që ka pasur me bashkëkombësit e vet që jetojnë në Gjermani , përkundrazi ju ka thënë që e keni obligim, të integroheni në shoqërinë gjermane, dhe të mësoni gjuhën gjermane, por normal ju ka bërë apel që assesi të mos lejoni të asimiloheni dhe me fanatizëm të ruani edhe gjuhën e vet amtare turke, kombin turk, si dhe kulturën apo qytetërimin islam. Sa është e drejta juaj, të zemëroheni nga lindja e një “Sulltani të shek. XXI” e drejta ime është të krenohem me lindjen e një” Sulltani të shek. XXI”. Pajtohem me juve që edhe Kosova duhet të ec drejt integrimeve evropiane, por jo duke përvetësuar vlerat tradicionale evropiane, por duke i ruajtur vlerat e veta tradicionale kombëtare shqiptare dhe fetare muslimane në një Evropë të integruar bashkërisht me një spektër të gjerë të mozaikut të kulturave, gjuhëve, kombeve dhe qytetërimeve. Sipas juve shoqëria kosovare dhe politikanët e saj duhet të jenë të shqetësuar me rastin e një rrahjeje të një qytetari shqiptar i cili tani është konvertuar në protestant dhe shpërndante Bibla, personi i tillë është rrahur, edhe pse gjer tani, sa kam njohuri, policia nuk i ka identifikuar personat e tillë, sipas së cilës sipas jush apriori medoemos duhet të jenë musliman të tipit radikal, vehabist, ekstremist, fundamentalist. Por shoqëria kosovare dhe politikanët sipas jush nuk duhet shqetësohen fare, për aksionin spektakular të koduar me shifrën ‘’Renea’’ të ndërmarrë vitin e kaluar në Prizren, në të cilin morën pjesë 120 pjesëtarë të njësisë speciale të policisë së Kosovës së bashku me kamerat televizive me ç’rast janë burgosur 5 muslimanë të ashtuquajtur”vehabi”, me skena brutale të ndërhyrjes dhe veprimit me forcë, me ç’rast kanë pësuar edhe kalimtarët e rastit, e të mos flasim për traumat dhe shqetësimet e përjetuar të papara të familjarëve të tyre, me ç’rast kanë lënë pasoja të thella, dhe si rezultat i kësaj ka mbet që vëllai i vogël i një të burgosuri në moshën 12 vjeçar, është traumatizuar tej mase dhe ndien akoma pasojat e saj, të cilët ndoshta do të vuaj gjatë tërë jetës së tij. Edhe pse të dyshuarit janë liruar dhe shpall të pafajshëm, pasi që tek ata janë gjet vetëm një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie, një pushkë karabin gjuetie të çmontuar, të gjitha me lejet përkatëse dhe me kartelë anëtarësie të shoqatës së gjuetarëve, përveç njërit që është dënuar me të holla për shkak të posedimit të një revoleje pa leje. Nuk është hera e parë, por me qindra herë janë bastisë dhe janë sekuestrue armë të tilla pa leje gjithandej Kosovës. Por kjo po të kishte ndodh në ndonjë vend evropian ku sundon ligji i barabartë për të gjitha, pa fakte dhe pa argumente të burgosen njerëz dhe të etiketohen si të rrezikshëm , me siguri e tërë shoqëria e atij shteti do të dënonte një veprim të tillë dhe me prefikse nga më të ndryshmet që mund të jenë, dhe se më së paku urdhërdhënësi i këtij aksioni spektakular ”Renea” do të ishte i detyruar të jepte dorëheqje, dhe se shteti kishte paguar dëmshpërblim të madh të burgosurve të pafajshëm pa fakte dhe argumente për një veprim të tillë, si dhe do të kompensonte familjarët nga traumat dhe shqetësimet e përjetuara, por se në shoqërinë kosovare, jo që askush nuk jep llogari, as politikanë, as shoqëria, as shteti, porse as mediat elektronike dhe të shkruara nuk lajmërojnë për shpalljen dhe lirimin e të burgosurve të pafajshëm gjatë operacionit të kryer” Renea” në Prizren.
Enver Robelli e akuzon edhe imamin, dr. Shefqet Krasniqi, cili ka komentuar sipas logjikës teologjike veprimtarinë e Nënë Terezës, edhe pse e panevojshme një gjë e tillë sipas mendimit tim, dhe se akuzon si të përafërt herë me PDK-në, AKR-në apo PD-në, dhe se paska lobuar apo propaguar për një subjekt të caktuar politik, nuk e kam të qartë për cilin, PDK-në, AKR-në apo PD-në dhe se sipas juve kjo nuk lejohet dhe nuk është e drejtë e tij, kinse ai nuk është qytetar i Kosovës me drejtë vote, e vetëm t’ju përkujtoj juve se peshkopët në Angli janë anëtarë edhe të dhomës së lordëve, sa për krahasim, ndërsa sa i përket rrëfimit për profetin tonë të dashur Muhamedin a.s, dallimi është në mes juve dhe neve se ne e ndiejmë profetin tonë të dashur Muhamed, edhe pse nuk e kemi parë apo takuar, por ju nuk e ndieni pasi nuk i besoni, që normalisht është e drejta jote e patjetërsueshme të besoni në ndonjë prej feve hyjnore, apo fare të mos besoni, të jeni deistë, agnostik apo ateistë. E që paska shkuar në Preshevë imami, dr. Shefqet Krasniqi, para ca kohësh ka qenë mysafir edhe tek juve ku jetoni në Zvicër dhe se nuk u bë nami, dhe se mund të shkojë edhe myftiu Naim Tërnava në Preshevë, pse jo pasi edhe Lugina e Preshevës i përket hierarkisë fetare të tij, me pasaportë apo pa pasaportë, por apriori nuk mund të gjykosh një veprim të tillë pa e siguruar informatën e duhur se si ka shkuar . Edhe Ylber Hysa kohë më parë ka shkuar në Beograd, me pasaportë të Kosovës, sipas deklarimit të tij, dhe se nami nuk u bë fare, dhe se edhe juve mund të shkoni nesër në Beograd me pasaportën zvicerane në rast e posedoni, dhe se a duhet akuzuar edhe juve për një veprim të tillë.
Edhe pse në shkrimin e juaj keni deklaruar se nuk pritni ndonjë reagim logjik, ja që unë reagoj me këtë letër të hapur ndaj jush, si një lexues i rregullt i shkrimeve të juaja, e ju jeni plotësisht të lirë se si do ta vlerësoni këtë reagim, si logjik, racional, demokratik, radikal, ekstremist. Por jam një qytetar i Kosovës, një shqiptar musliman që po mundohem të kontribuojë për një shoqëri të lirë demokratike në Kosovë, ku secili të jetë i lirë të jetojë dhe të veprojë sipas bindjeve të t’ia politike, fetare, shoqërore, kulturore, islame, katolike, ortodokse, e pse jo edhe deiste, agnostike, ateiste. Republika e Kosovës mund të zhvillohet si një shtet sekular me shoqëri demokratike të tipit angloamerikan, e assesi Kosova nuk mund të jetë një shtet sekular me shoqëri sekulare të tipit francez.
Thirrja jote ”Deri më tani piromanët fetarë kanë vepruar gati të papenguar , sepse në Kosovë mungojnë zjarrfikësit që e mbrojnë shtetin” është një klithje tepër e rrezikshme, e ngjashme me nazistët e viteve tridhjeta siç e parafrazoni, sepse sipas jush çdo gjë që është islame, bile bile edhe liria e shamisë, inkorporimi i Edukatës Fetare në shkollat publike apo edhe ndërtimi i xhamisë qendrore në Prishtinë, përveç tjerash, na qenka krim që duhet shteti me e luftue dhe mos me lejua një të drejtë themelore të përcaktuar me konventat dhe standardet ndërkombëtare dhe të aplikuar në shtetet me tradita të gjata demokratike. Sa i përket vizitës së “Sulltanit të shek. XXI” para ca kohësh në Kosovë, dua të të përkujtojë, se nuk ke pas rast të përjetosh pritjen e tij madhështore në Prizren që për krahasim me Prishtinën, dallimi ka qenë si nata me ditën, kur me dhjetëra mijëra qytetarë i bënë pritje “Sulltanit të shekullit XXI” kryeministrit z.Rexheb Tajib Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi. Sa për konkludimin tënd se feja Islame po del haptas në skenën publike të Kosovës, do të përgjigjem duke parafrazuar mentorin tim të ndjerë, shpirti i tij rahmet pastë, gjatë kohës së kaluar të studimeve, para gati plot 3o viteve: “Unë nuk do të përjetojë me siguri kohën e demokracisë që do të vijë, pasi jam në moshë, tani në shoqërinë socialiste (komuniste), feja Islame është e përkufizuar vetëm brenda katër mureve të xhamisë, por do të vjen koha, ti do ta përjetosh me siguri, kohën e demokracisë, kur feja Islame do të jetë e lirë dhe publike në shoqëri, si në shkolla, institucione, media elektronike dhe të shkruara, skenën politike, dhe se nuk ka gjasa as teorike e lere më praktike që të ndalohet si e tillë, pasi ajo atëherë klasifikohet si shkelje e parimeve demokratike që nuk mund të zgjat e as të ndalet me çfarëdo ligje diskriminuese, pasi që ato do të jenë atak në drejtën demokratike të shprehurit të lirë të veprimit politik, kulturor, fetar, shoqëror, e mbi të gjitha vlera më e madhe e demokracisë është liria e të shprehurit dhe të shkruarit të fjalës së lirë, për të cilin as nuk do të mund të dënohesh, burgosesh apo të vritesh, por edhe po të ndodh si i tillë ndonjë rast i izoluar, atëherë në mbrojtje të fjalës së lirë të shprehurit dhe të shkruarit do të ngritin zërin e tyre, gazetarët, publicistët, shkrimtarët dhe asociacionet e ndryshme nga mbarë bota”. Nuk kanë kaluar as 20 vite dhe këto parashikimet e mentorit tim të ndjerë janë realizuar. Ka pas Kosova shqiptarë atdhetar e fetar, ka dhe do të ketë por për fat të keq nuk mund të vijnë në shprehje për shkak të bllokimit të vendorëve por edhe ndërkombëtarëve, të cilëve iu pamundësohet për të kontribuar dhe angazhuar për të mirën e vendit, shtetit, shoqërisë njerëzore si dhe civilizimit në përgjithësi.
Nuk e ke lënë pa apostrofuar edhe ministrin aktual të shëndetësisë dr.Ferid Agani, i cili nga aspekti i tij profesional, neuropsikiatër që është, homoseksualizmin e ka trajtuar si sëmundje mendore. Në një shoqëri demokratike, në rast se sipas jush homoseksualizmi qenka dukuri normale, sipas meje është dukuri abnormale, apo në rast se e drejta e homoseksualëve për të mbajtur ” gej parada” qenka normale, e drejtë demokratike është e dhe e kundërshtarëve të protestojnë kundër ” gej paradave” Nuk e lë pa marr në shënjestër edhe ministrin e kulturës z.Memli Krasniqi të cilin e sulmon, bile bile prej qarqeve të caktuara kërkohet edhe shkarkimi i tij, për arsye se paska hjek fotot e Ibrahim Rugovës dhe nënë Terezës, se paska bë një krim apo vepër antiligjore, e sa kam njohuri për momentin nuk ka Ligj në Kosovë që përcakton se cilët foto duhet mbajtur ne zyre të institucioneve publike apo shtetërore, e gjersa nuk e kemi një rregullim të tillë ligjor, është shija e lirë e tij, e ministrit të kulturës z.Memli Krasniqi që në zyrën e tij në vend të fotove të Ibrahim Rugovës dhe Nënës Terezë, të vendos fotot p.sh. të Adem Jasharit apo Hashim Thaçit, e pse jo edhe të myftiut, Naim Tërnava.
Do të përmbyll këtë letër të hapur për opinion, z.Enver Robelli, se me ëndje do të vazhdojë edhe më tej të lexojë kolumnet e tua, të qëlluara, të mprehta dhe pa dorëza, por apriori nuk do të pajtohem gjithherë.
Ju dëshiroj shëndet, jetë të gjatë dhe suksese në punë, z.Enver Robelli.

13.03.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•12:08 e paradites
Me datë 6 mars 2011, ditë e diel, në Stamboll u mbajt ” Konferenca ndërkombëtare mbi islamofobinë në Azerbajxhan” organizuar nga Islamic Human Rights Commision (IHCR) nga Londra, në të cilin morën pjesë organizata të ndryshme joqeveritare (NGO) nga vende të ndryshme të botës, të cilat merren me mbrojtjen dhe monitorimin e të drejtave njerëzore të muslimanëve.
Konferenca u mbajt në Hotel Akgun dhe zgjati një ditë, në të cilin morën pjesë përfaqësues të OJQ-vë nga SHBA-ja, Kanadaja, Anglia, Turqia, Kosova, Malajzia, Azerbajxhani, Ukraina, Gjeorgjia, etj. Konferenca u zhvillua në tri panele me nga 5 pjesëmarrës, të cilët i kishin nga 10 minuta në dispozicion për të paraqitur ekspozetë apo këndvështrimet e tyre. Pjesëmarrësit theksuan posaçërisht problemin e ndalimit të mbajtjes së shamisë si një shkelje flagrante e të drejtave njerëzore, të gjinisë femërore nga ana e diktatorit azerbajxhanas Ilham Alijev, si dhe ngritjes së zërit ndaj burgosjes së aktivistëve për mbrojtjen e drejtave njerëzore në Azerbajxhan sikurse që është Dr.Muhsin Samedov, Zylfikar Mikajilzade e shumë të tjerë. Në përfundim të konferencës u lexua deklarata e përbashkët e pjesëmarrësve të konferencës në të cilin kërkohet nga strukturat shtetërore dhe institucionet relevante të Azerbajxhanit të epet fund ndalimit të bartjes së shamisë në institucionet publike si dhe të lirohen aktivistët nga burgu të cilët janë angazhuar për mbrojtjen e drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Konferencën e hapi kryetari i Komisionit Islamik të Drejtave Njerëzore me seli në Londër, Mahsud Shadjareh, i cili përveç tjerash ceku: ”Jemi tubuar sot në këtë konferencë në Stamboll, për të ngritur zërin në mbrojtjen e drejtave njerëzore, me rastin e ndalimit të mbajtjes së shamisë si dhe burgosjes së aktivistëve në Azerbajxhan. Të drejtat themelore njerëzore të muslimanëve po shkelen anembanë botës. Ndalimi i mbajtjes së shamisë është vetëm njëra prej drejtave themelore. Çdo herë dhe në çdo kohë të drejtat duhet mbrojtur si parim themelor i shoqërisë njerëzore”. Më pas Faik Velizade, kryetar i komitetit për mbrojtjen e shamisë në Azerbajxhan në ekspozeun e tij përveç tjerash ceku:”Në fillim në Azerbajxhan nisi me mbylljen apo diku edhe me rrënimin e xhamive si dhe me ndaljen e ezanit nëpër minaret e xhamive, por populli u ngrit dhe doli në mbrojtje të xhamisë dhe ezanit, pasi që kjo i dështoi pushtetit, tani vazhdoi me avazin tjetër, duke pru vendimin për ndalimin e mbajtjes së shamisë në Azerbajxhan. Neve në vitin 1990 pas luftës së bërë me ç’rast kemi dhënë me qindra e mijëra dëshmorë, për t’u çliruar nga pushtimi sovjetik në të cilin ishim, ja që tani po përballemi me shkeljen e të drejtave themelore të lirive njerëzore nga ana e pushtetarëve tanë”.
Muhidin Abdylkadir, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave Njerëzore në Malajzi, përveç tjerash tha:” Për mbrojtjen dhe lejimin e drejtës themelore të mbajtjes së shamisë do të sensibilizojmë opinionin publik ndërkombëtar, dhe se unë në këtë aspekt do të japi maksimumin tim në angazhimin rreth kësaj çështjeje. Në shtete të ndryshme të botës, me rastin e shkeljeve të drejtave njerëzore, në momente kur është arritur një bashkëpunim dhe bashkëkordinim në mes OJQ-ve të ndryshme që merren me të drejtat njerëzore, kanë sjell sukses. Hixhabi (shamia) nuk është vetëm një veshje fetare, ajo simbolizon një parim islam.
Zonja Nixhar Gymrykçioglu nga organizata Platforma e shamisë nga Turqia, në vështrimin e saj foli për përvojën e saj katërvjeçare me rastin e mbrojtjes së të drejtës së shamisë në Turqi, për përpjekjet dhe vështirësitë e saja, duke kaluar nëpër faza të ndryshme të veprimit sipas platformës së organizimit, i cili tani ka dhënë një sukses parcial, jo të plotë, por të cilin shpresojmë se në një kohë të afërm do të kurorëzohet me sukses problemi i lejimit të mbajtjes apo përdorimit të shamisë në jetën publike të Turqisë”.
Muhamed el Asi, drejtor i Qendrës Kulturore Islame në Uashington, në fjalën e tij përveç tjerash tha: ”Hixhabi (shamia) në shikim të parë duket si një problem i vogël, por nuk është ashtu, pasi që shaminë në mbarë botën islame e mbajnë me dhjetëra e qindra milion femra myslimane, dhe se ky nuk paraqet një problem të vogël, por një problem primar ekzistencial të shoqërisë njerëzore të gjinisë femërore, pasi që shamia është një prej parimeve islame. Për atë zërin duhet ngritur lartë, në mbrojtje të një e drejte themelore njerëzore”.
Fuad Ramiqi, kryetari Forumit Musliman të Kosovës, në ekspozeun e tij përveç tjerash tha: “ Problemi i ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkollat dhe institucionet publike nuk është prezent vetëm në Turqi apo Azerbajxhan, por është një problem i cili është prezent si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Sa i përket kësaj, Forumi Musliman i Kosovës e ka ngritë zërin vazhdimisht, për njoftimin dhe sensibilizimin e opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar, në mbrojtjen e një drejte themelore njerëzore, e posaçërisht që ka të bëjë me gjininë femërore, që është një detyrim shtesë sa i përket kësaj çështjeje.
Në Kosovë është një nxjerr një udhëzim administrativ nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i cili ndalon lejimin e përdorimit të shamisë në shkolla publike, i cili solli reagime të shoqërisë muslimane, dhe se organizata të ndryshme të shoqërisë civile muslimane organizuan tri protesta në Prishtinë, të cilat i mbështeti Forumi Musliman i Kosovës, në dy protestat e para morën pjesë mbi dhjetë mijë protestues, kurse në protestën e tretë morën pjesë mbi një mijë, një numër më i vogël, sepse ndikojë urdhëri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi si dhe i kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim ef. Tërnava, se kjo çështje do të zgjidhet në bashkëkordinimin dhe bashkëveprimin në mes Bashkësisë Islame të Kosovë dhe institucioneve relevante shtetërore të Kosovës. Por, akoma gjer në ditën e sotme problemi qëndron si i tillë i pazgjidhur, dhe se premtimet e tyre akoma nuk janë realizuar. Kosova për momentin ballafaqohet me tri çështje esenciale apo akute islame, nga të cilat unë si kryetar i Forumit Musliman të Kosovës nuk do të hjeki dorë assesi dhe me asnjë çmim, dhe se vetëm edhe më tepër në të ardhmen do të angazhohem dhe veprojë në drejtim të realizimit të tyre. E para, lejimi i mbajtjes së lirë të shamisë së vajzave muslimane, jo vetëm në shkolla publike, por kudo në institucione publike, e dyta, inkorporimi i lëndës së Edukatës Fetare në shkollat publike, edhe pse në gjithë Ballkanin praktikohet, vetëm në Kosovë dhe Shqipëri kjo nuk lejohet, ndërsa në shtetet tjera të Ballkanit, kjo e drejtë themelore mësohet në shkollat publike për nxënës të konfesioneve të ndryshme si katolike, ortodokse dhe muslimane. E treta, Prishtina si kryeqendër e Kosovës, e cila ka një popullsi mbi 500.000 banorë, akoma nuk ju epet leje dhe nuk lejohet të ndërtohet një xhami qendrore, për të përmbushur nevojat e besimtarëve muslimanë, të cilët gjatë stinës së dimrit janë të detyruar të falin namazin e xhumasë nëpër borë e shi, rreth e përqark xhamisë, ndërsa verës në temperaturë të papërballueshme nga rrezet e diellit në ambientin e hapur, ndërsa merreni me mend për vetëm 987 katolik që jetojnë në Prishtinë është ndërtuar katedralja grandioze në qendër të Prishtinës, pa kurrfarë problemi dhe leje paraprake, bile bile duke rrënuar shkollën (Gjimnazin) , për të liruar hapësirën për ndërtim të katedrales gjigande. Në Kosovë edhe pse mbi 90% të popullsisë janë muslimanë dhe në Shqipëri mbi 70% të popullsisë janë muslimanë, porse, muslimanët janë të vetmit të diskriminuar, edhe atë tani në këto valët e reja demokratike, pa pasur mundësi për të realizuar të drejtat e tyre minimale themelore njerëzore e fetare”.
Në përfundim të këtij përshkrimi do të shtoja, se pas propozimit të ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm në shkollat publike në Shqipëri, i cili pas fazës së kryer të diskutimit publik, dhe premtimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës për plotësimin e saj, pritet që të dal në Parlament për miratim, si dhe premtimeve të subjekteve të caktuara politike në fushatën zgjedhore në zgjedhjet e mbajtura parlamentare në Kosovë si dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim ef. Tërnava, se këto shkelje apo mos lejime të vajzave me shami që të ndjekin mësimet në shkolla publike dhe femrave muslimane me shami të lejohen të punojnë në institucione publike do të realizohen, ditëve në vijim, do të shohim se premtimet e dhëna si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, besoj se do të realizohen, në të kundërtën pritet që Komisioni Islamik i të Drejtave Njerëzore me seli në Londër (IHCR) të organizojë konferenca të tilla jo në Stamboll, por në Prishtinë dhe Tiranë për të sensibilizuar jo vetëm opinionin kombëtar në Kosovë dhe në Shqipëri, por edhe opinionin publik ndërkombëtar në mbrojtje të një drejte të garantuar të lirive njerëzore në bazë të konventave ndërkombëtare.


09.03.2011
Faik MIFTARI