Author: faik
•3:56 e pasdites
Pas arritjes së marrëveshjes së shumëpërfolur rreth fusnotës me të cilin Kosova tani e tutje do të përfaqësohet në takimet rajonale, si dhe në konkluzat dhe dokumente që dalin nga këto takime, Kosova ka hyrë në një fazë të re politike me ç’rast do të ballafaqohet në një të ardhme të afërt dhe të largët me shumë sfida të ndryshme para vetes në rrugëtimin e saj drejt Evropës dhe botës. Këtë periudhë të shkurtër kohore, prej 3- 6 muaj, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale që do të mbahen në Serbi, e besa edhe në Kosovë, Kosova duhet të shfrytëzojë mirë e mirë për të hartuar një plan afatshkurtër dhe afatgjatë, duke përfshirë jo vetëm lidershipin aktual qeverisës, por edhe atë opozitar, si dhe të gjithë të tjerët që me aftësitë e veta kreative, intelektuale dhe politike mund të kontribuojnë në hartimin e një strategjie politike të përbashkët, pasi që kjo gjer tani ka munguar dhe të cilin Kosova shtrenjtë e ka paguar. Kosova duhet të dijë se çdo të kërkojë, të pozicionohet qartë, çfarë pret më tutje dhe çfarë mund të realizojë në të ardhmen në bashkërenditje të plotë me faktorët vendimmarrës politik në Bruksel e Uashington. Strategjia e hartuar e përbashkët, sipas mendimit tim, duhet të ketë dy premisa apo koncepte themelore bazë, prej të cilave mund të dalin apo rrjedhin konkluzat e mëtejmë. E para, a duhet të vazhdohet me politikën e gjertanishme aktuale e cila bazohej në proklamimin dhe mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në bazë të planit Ahtisari, e cila që nga dita e shpalljes së pavarësisë së njëanshme të Kosovës në bashkërendim të plotë me linjën Bruksel e Uashington, ka has në vështërësi të shumta si në Bashkësinë Evropiane ashtu edhe në KS të OKB-së, dhe si e tillë dita më ditë mund të sjell degradimin dhe tkurrjen e mëtejmë të integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës, tani me fusnotë. E dyta, apo të kalohet në planin B, si hap i natyrshëm i ardhshëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e që është bashkimi kombëtar, që është i mundshëm, real, i natyrshëm dhe i arsyeshëm për popullin shqiptar, normal në suaza të bashkëkordinimit të plotë me faktorin politik vendimmarrës Uashinton - Bruksel.
Në rrugëtimin e saj politik, Kosova duhet të ketë edhe alternativën e vet, krahas inkuadrimit evro-atlantik, të mbështetet në aleatin e vet natyror Turqinë, si faktor politik, strategjik, ekonomik, ushtarak me zhvillim të hovshëm, i cili krahas faktorit amerikan, tani e tutje në Ballkan do të jetë faktor garantues i stabilitetit, qëndrueshmërisë, ekzistencës dhe mbijetesës së popullit shqiptar në trojet e veta në të cilin shtrihen dhe jetojnë në Ballkan.
Ashtu sikurse Serbia luan në kartën e Rusisë, si alternativë, e integrimeve evro-atlantike, edhe Kosova duhet të luajë në kartën e Turqisë si alternativë e saj. Edhe pse shumica në Kosovë thonë se Serbia e ka Rusinë, si xhoker, ndërsa Kosova nuk e ka, gabojnë rëndë pasi që edhe Kosova mund ta ketë Turqinë, si xhoker, aleatin e vetëm natyror dhe besnik, pasi që tani e tutje ajo nuk do ta lejë në baltë popullin shqiptar në Ballkan. Tjetër punë është se a do lidershipi aktual qeverisës në Kosovë, të shfrytëzojë këtë xhoker dhe të luaj në këtë letër, porse në rast se nuk e do lidershipi aktual qeverisës, populli shqiptar këtë përpjekje dhe angazhim të Turqisë e mirëpret.
Këtë kur e them, e kam parasysh se me rastin e vizitave në Kosovë të kryeministrit aktual të Turqisë z.Rexheb Tajib Erdogan si dhe ministrit të punëve të jashtme të Turqisë z.Ahmet Davutogllu, në Prizren patën deklaruar se tani e tutje, Turqinë do ta keni pran jush, dhe do të jetë e gatshme t’ju ofrojë ndihmë në të gjitha fushat për çfarë keni nevojë. Pas kësaj hedhjeje , tani topi është në duart e shqiptarëve, a donë ta shfrytëzojnë apo jo, tani e tutje çasti është vendimtar, për një ardhme më të ndritshme të popullit shqiptar në përgjithësi e Kosovës në veçanti, po nuk e shfrytëzove, historia nuk do të falë, pasi që me vetëdije të plotë, të anashkalosh dorën e zgjatur të një aleati natyror dhe të mikut më të përafërt të popullit shqiptar, e ta refuzosh atë, do të thotë një “vetëvrasje politike, kombëtare me reperkusione të paparashikueshme për popullin shqiptar” që mund të bëjë një gjë të tillë një lidership politik popullit të vet, kush do qoftë ai në pushtet në Kosovë.
Duke marrë parasysh se kontingjentet e KFOR-it që janë prezent në Kosovë, plot 12 vite, që nga viti 1999, dita më ditë po zvogëlohen dhe se nuk është çudi që në një të ardhme të afërt plotësisht edhe të largohen, e para që duhet bërë Kosova në rrafshin e sigurisë dhe të ruajtjes së tërësisë territoriale dhe sovranitetit të saj, të lidhë marrëveshje ushtarake me Turqinë, për stacionimin e një numri të konsiderueshëm të ushtarëve turq, për një kohë të caktuar, gjersa Kosova të ketë mundësi të krijojë ushtrinë e saj, të aftësojë, të armatos dhe të jetë e aftë për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin territorial të saj nga ndonjë sulm eventual apo invadim të Serbisë.
E në rast se dikush mendon, e pikësëpari duhet të ketë të qartë ministri aktual i FSK-së, gjenerali Agim Çeku, ish ushtarak profesional i ish armatës jugosllave, se mund të mbrohet Kosova me 2500 trupat e saj të rregullt dhe 800 trupa rezervë me posedim të armatimit personal të vetëm gjer në kalibër 12,7 mm, kundruall një force ushtarake të Serbisë e cila numëron rreth 40.000 trupa të rregullt si dhe 100.000 trupa rezervë me kapacitetin më të sofistikuar sulmues luftarak, dhe nëpër gjendjen e vështirë ekonomike me të cilën përballet Serbia aktualisht, prap se prap është një forcë respektabile dhe më e fuqishme në rajon, duke marrë parasysh se eksporton apo shet armatim në vlerë prej 500 milion euro në vit si dhe buxheti ushtarak i saj vjetor kap shumën prej 650 milion euro në vit, se çfarë disbalanc aktual është tani në mes Kosovës dhe Serbisë, për çdo njeri në Kosovë duhet të jetë e qartë.
Kur e them këtë, e kam parasysh edhe faktin që shteti ynë amë, Shqipëria, në historinë e saj më të re, e ka shfrytëzuar dhe përdorur aleatin e saj natyror, Turqinë, e cila ia ka garantuar dhe mbrojtur tërësinë territoriale të saj, gjatë vitit 1997 dhe vitit 1999. Në rastin e parë, gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri, ka qenë pikërisht Turqia si dhe kryeministra e atëhershme znj.Tansu Çiler e cila ka garantuar sovranitetin territorial të Shqipërisë, në rast invadimi eventual grek në jug të Shqipërisë, si dhe në vitin 1999 me rastin e bombardimeve të NATOS në Kosovë, ka qenë Turqia si dhe kryeministri i atëhershëm turk z.Bylent Exheviti i ndjerë, i cili e ka zmbrapsur invadimin e ish ushtrisë jugosllave (serbe) e cila ka shkel territorin shqiptar dhe ka hyrë 10 km në brendi të saj në rrethin e Hasit të Krumës, të cilin e rrëfeu në ditarin e tij ish atasheu ushtarak shqiptar pran ambasadës shqiptare në Ankara të Turqisë me rastin e 10 vjetorit të luftës së Kosovës, në vitin 2009, në të cilin në mes tjerash ka shkruar: ” Por edhe Shqipërisë asnjë shtet që pretendonte se ishte aleat nuk po i përgjigjej pozitivisht për një mbështetje ushtarake, nëse Tirana do të hynte në luftë për çlirimin e Kosovës. Kryeministri Majko e ndjente përgjegjësinë historike të Tiranës dhe kishte vënë në lëvizje të gjithë arsenalin e afërt politik dhe diplomatik. Ai shpresat i kishte kthyer plotësisht nga Ankaraja ...zoti Pandeli Majko. Nxitova tek telefoni dhe menjëherë ju përgjigja : `Urdhëroni, zoti Kryeministër !”. “zoti kolonel” ,m’u përgjigj Ai nga ana tjetër. “Realizoni një takim urgjent me kryeministrin Exhevit dhe mbasi t’i shpjegoni situatën në Veri të Shqipërisë... I kërkoni Atij, të bëjë një deklaratë të fortë për media, ku të shprehë qartësisht mbështetjen reale të Shtetit dhe të Forcave të Armatosura të Turqisë në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe pastaj i parashtroni Atij nevojat urgjente të Forcave tona të Armatosura për mbështetje logjistike….E përshëndetëm dhe e uruam për festën e Bajramit, pastaj fillova me një here t’i transmetoja mesazhet e kryeministrit tonë, Zotit Majko: “Vëllai juaj i vogël, kryeministri Majko, ju dërgon nga Tirana të falat dhe përshëndetjet me të mira “, e fillova bisedën me Të . Duke ditur marrëdhëniet e tyre kofidenciale, e fillova takimin pikërisht me të falat e “vëllait të vogël”, siç e konsideronte kryeministri Exhevit, kryeministrin tonë, z.Majko. Pastaj i shpjegova Atij situatën politiko-ushtarake në kufijtë verior të Shqipërisë, ku reparte të ushtrisë serbe bombardonin me artileri në thellësi të territorit tonë ,ndërsa nënreparte të zbulimit dhe të trupave komando të ushtrisë serbe hynin në thellësi të kufijve tanë deri 10 kilometra….Në ketë kohë, kryeministri Exhevit shtypi butonin e kuq të linjës telefonike qe kishte përpara dhe në anën tjetër i’u përgjigj Komandanti Forcave të Armatosura dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneral-Armate, Huseyin Kevrekoglu…..Ai,me atë qetësinë e tij natyrale nënvizoi se “ Shteti dhe Forcat e Armatosura të Turqisë janë në krah të popullit vëlla shqiptar dhe nuk do të lejojnë askënd të prekë kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Në rast nevoje, vazhdoi Ai, Turqia do të mbrojë se bashku me Shqipërinë sovranitetin dhe pavarësinë e popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë”. Kjo ishte një deklaratë , e cila u bë në kohën, vendin dhe formën e duhur. Ajo u transmetua në të gjitha agjencitë e lajmeve të botës dhe u botua në shtypin kryesor të shumë vendeve…”Atëherë, zoti Atashe “,mu drejtua Drejtori i Përgjithshëm i Logjistikes , “ ne sonte do të hapim rezervat e Armatës në Ankara dhe nesër në mëngjes do të nisen avionët e parë të transportit ushtarak me pajisjet përkatëse, për t’i zbarkuar në aeroportet e Shqipërisë”. Duke më dhënë dorën, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, shtoi ;“ miku i mirë njihet në ditë të vështira,
apo jo zoti Kolonel”. Dhe ashtu ndodhi. Në agimin e të nesërmes nga aeroporti ushtarak i Ankarasë u nisën drejt Shqipërisë avionët e transportit ushtarak…Pra Turqia, nga Lindja e Mesme,i kishte dale garant Shqipërisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë se saj nga një sulm i mundshëm ushtarak i përmasave të gjera të Serbisë. Ishte i vetmi vend që në atë kohë debatesh dhe diskutimesh për ndërhyrjen ose mos ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, që garantoi Shqipërinë se do ta mbështeste direkt me forca ushtarake dhe armatime për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe shmangien e një gjenocidi serb në Kosove”.
Në fund të kësaj qasjeje, do të përmbyll me ngjarjen, dëshmitar i të cilës kam qenë vet, para plot 30 vitesh, në vitin 1982, gjatë kohës së shërbimit tim ushtarak në Shkup, më rastisi që të jem pjesëtar i batalionit të nderit, enkas të themeluar për të shprehur nderime ushtarake ish kryetarit të Turqisë, gjeneralit Kenan Evren, i cili në atë kohë në verë të vitit 1982 erdhi për vizitë në ish Jugosllave, dhe sipas protokollit të caktuar, ishte parapa të kthehet në Turqi nga aeroporti i Shkupit. Një ditë para se të rreshtohemi në aeroportin e Shkupit, për të nderuar me nderime ushtarake ish kryetarin e Turqisë z.Kenan Evren, ishim të rreshtuar gatitu në poligonin ushtarak të kazermës në Shkup, me ç’rast erdhi enkas, personalisht gjeneralkoloneli Stevan Mirkoviq, komandanti i zonës së tretë ushtarake jugosllave me seli në Shkup, para neve të rreshtuarve të batalionit të nderit, mbajti një fjalim rasti me ç’rast përveç tjerash tha:” ushtarët e mi, nuk guxoni të na koritni si ushtri që jemi, se nuk jeni duke bërë nder një kryetari civil shteti, por jeni duke bërë nder një gjenerali turk i cili më parë për shumë vite ka qenë komandant i 1 milion ushtarëve të forcave ushtarake të Turqisë, e cila është pasardhëse krenare e armatës së famshme të Perandorisë Osmane e cila ka sundua dhe dërmua si perandori më e fuqishme botërore në histori, jo 5 vjet, as 50 vjet, por mbi 500 vjet në të tri kontinentet e botës , në Azi, Evropë dhe Afrikë që nga brigjet e Oqeanit Indian e gjer në brigjet e Oqeanit Atlantik”.


11.03.2012
Faik MIFTARI