Author: faik
•12:13 e paradites
Në këto ditët e shkrirjes së borës, pas një muaji të gjatë dimri me borë të madhe dhe acar të madh, erdhi marrëveshja shumë e përfolur, e arritur në relacion Beograd-Prishtinë, me ndërmjetësim të Brukselit, për përfaqësimin e Kosovës në takime rajonale me fusnotën e arritur famoze „Ky emërtim nuk ndikon në qëndrimin për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB – së dhe me mendimin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës” e cila për Kosovën dhe popullin e saj do të jetë tani e tutje një fjollë bore e cila do të ngrihet për një kohë të gjatë dhe se shumë dimra do të kalojnë gjersa të shkrihet, përkundër ”fjollës së borës e cila do të shkrihet me kalimin e këtij dimrit” të znj.Edita Tahirit.
Nuk mundem, dhe assesi si shqiptar që jam, të qëndroj indiferent, sikurse të isha diku larg në Australi, e jo që jam në Kosovë, të mos e shpreh brengën dhe opinionin tim se çfarë na prêt më tutje, duke marrë parasysh thënien e bukur të Albert Ajnshtajnit ” Nuk janë fajtorët vetëm keqbërësit por edhe ato që i shohin dhe nuk reagojnë” e cila si e tillë fare nuk do koment.
Kosova gjatë gjithë historisë së saj ka qenë arenë e shumë luftërave dhe konfrontimeve të perandorive apo shteteve të ndryshme, e me një theks të posaçshëm gjatë periudhës së viteve 1389-1999, që nga lufta e Kosovës e gjer tek bombardimet e NATO-së. Në këtë qasje time, do të ndalem vetëm në dy ngjarje të historisë më të re të Kosovës për të bërë një krahasim me ngjarjen e tanishme aktuale në Kosovë.
Rasti i pare ishte se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Konferencën e Bujanit delegatët e atëhershëm pjesëmarrës aprovuan një Rezolutë në të cilin shprehet dëshira dhe vullneti i popullit të Kosovë për bashkimin me Shqipëri pas përfundimit të luftës, por menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1945, në vend se të zbatohet vullneti i popullit, kjo Rezolutë u anashkalua nën presionin dhe trusninë e Beogradit, ashtu që në Kuvendin e Prizrenit të mbajtur në vitin 1945 në Prizren, delegatët, përfaqësuesit e popullit, morën vendimin jo për bashkimin me Shqipërinë, por për bashkimin e Kosovës me Serbinë.
Pas mbajtjes së Plenumit të Brioneve në vitin 1966, dhe amendamenteve të vitit 1968, dhe pas përpjekjeve disavjeçare të lidershipit të atëhershëm kosovar (F.Hoxha, M.Bakalli, I.Kurteshi etj.) dhe me miratimin dhe pajtimin e mareshal Titos, në vitin 1974 delegatët e Kuvendit të Kosovës aprovuar Kushtetutën e vitit 1974, që solli një avancimin të duhur të pozitës kushtetuese juridike të Kosovës, në raport me Serbinë dhe ish federatën e atëhershme të Jugosllavisë. Kjo Kushtetutë e vitit 1974 ishte një ”sui generis” i llojit të vet, pasi që Kosova kishte fituar një dualizëm politiko-juridik, ishte de jure në kuadër të Serbisë, por de fakto edhe pjesë përbërëse e ish federatës së atëhershme jugosllave, si dhe kishte drejtën e vetos në çështje të caktuara si kundruall Serbisë, ashtu edhe Jugosllavisë. Për këtë dualizëm politik, Serbia assesi nuk ishte e pajtimit dhe vetëm pritte momentin e duhur që të hidhej në sulm për ta zhbërë këtë dualizëm politik, e këtë e shfrytëzoi si alibi, pas vdekjes së mareshal Titos në vitin 1980 si dhe demonstratave në Kosovë të vitit 1981, për statusin e Republikës së Kosovës. Pas përpjekjeve disavjeçare të përdorimit të të gjitha mjeteve politike si dhe trusnisë dhe forcës, arriti që në vitin 1989 Serbia ta zhbëjë të drejtën e vetos së Kosovës me amendamentet e aprovuara, me ç’rast Kosovën prap e riktheu në sistemin e saj juridik dhe kushtetues. Edhe pse lidershipi i atëhershëm shqiptar (A.Vllasi, K. Jashari, E. Arifi etj.), klasa punëtore, studentore, intelektuale dhe populli në përgjithësi, u çua në demostrtata masive gjithëpopullore, në fillim arriti të rezistojë, pas së cilës vijnë në shprehje lidershipi i ndërruar politik (R.Morina, H.Azemi, A.Shukria etj.) dhe intelektualët që rënë në grackën dhe trusninë e Beogradit duke mashtruar opinionin me dokrra dhe broçkulla të tipit më të ultë, kinse me këto amendamente Kosova nuk hup kurrgjë nga substanca e vet dhe pozitën juridiko kushtetuese që e kishte gjer atëherë sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 23 mars 1989 vendosi me shumicë absolute të delegatëve, me përjashtim të 12-13 delegatëve që votuan kundër, për të cilin edhe sot e kësaj dite kam një respekt të thellë, në vend se të shkojnë një hap përpara dhe të shpallin Republikën e Kosovës, ata ndërmorën hapin mbrapa dhe e kthyen Kosovën në sistemin juridik kushtetues të Serbisë, duke ja zhveshur të gjitha atributet e shtetësisë që e kishte duke përfshirë edhe të drejtën e vetos në raport me Serbinë.
Kushtetuta e vitit 1974 që ishte ”sui generis” e llojit të vet, pasi që Kosovën e përcaktonte me pozitë të dyfishtë juridike, dhe si i e tillë solli pasoja të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, pas shpërbërje së Jugosllavisë dhe luftërave që u zhvilluan prej vitit 1991-1999 në hapësirën e ish Jugosllavisë. Në vitin 1991 Badinteri solli vendimin që republikat e atëhershme ekzistuese kanë të drejtë të organizojnë referendume dhe të vendosin për të ardhmen e tyre, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërsa Kosovës një gjë e tillë iu mohua, pasi që nuk ishte Republikë, por krahinë autonome në përbërje të Serbisë dhe Jugosllavisë.
Pas luftës guerile të zhvilluar të UÇK-së dhe bombardimeve të kryera të NATO-së mbi Serbinë, për shkak të mos pranimit të marrëveshjes së Rambujes nga ana e Millosheviçit dhe Serbisë, me 9 qershor 1999 u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës në mes NATO-së dhe ish ushtrisë së atëhershme jugosllave për përfundimin e bombardimeve, ndërsa me 10 qershor KS i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 të harmonizuar në mes Grupit të Kontaktit dhe Serbisë. Pas periudhës transitore të UNMIK-ut dhe bisedimeve të zhvilluara në Vjenë në mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësim të Presidentit Ahtisari, u arrit marrëveshja e ashtuquajtura e Pakosë së Ahtisarit, e cila prapë u refuzua nga Serbia, ndërsa u pranua nga Kosova e cila ia mundësonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës në seancën solemne të mbajtur me 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë e njëanshme të Kosovës në bashkëkordinim të plotë me faktorin politik ndërkombëtar vendimmarrës Bruksel-Washington e cila pavarësi gjer më sot u pranua nga 88 shtetet e botës. Por, që nga viti 2008, Kosova nuk pati rast të përjetojë fatin e shteteve të pavarura sikur Timori Lindor dhe Sudani Jugor, por po përjeton fatin e Palestinës dhe Tajvanit, pasi që për shkak të Rezolutës 1244, Rusia nuk e lejon të zhbëhet kjo Rezolutë në KS të OKB-së pa pajtimin e Serbisë në Kombet e Bashkuara,sipas të cilës Kosova nuk po mund të anëtarësohet në OKB.
Marrëveshja e tanishme e arritur në mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Brukselit është një kthim prapa nga pavarësia e shpallur e Kosovës, që do të sjell pasoja të paparashikueshme dhe shumë të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, pasi që kjo si e tillë, e degradon pavarësinë e shpallur dhe e kthen në pozitën e saj të papërcaktuar dhe të padefinuar, pasi që edhe fusnota si e tillë prapë është një “ sui generis” e llojit të vet, në të cilin figuron Rezoluta 1244 e cila është valide dhe obliguese për KS të OKB-së, dhe opinioni i GJND-së që është këshillëdhënës, ndërsa Deklarata e Pavarësisë që kryeministri Thaçi një natë përpara publikisht në televizion kumtoi se nuk do të hjek dorë assesi, ajo si e tillë as që figuron ndaras siç ka kërkuar kryeministri Thaçi.
Ky kompromis i arritur, përveç që Serbisë i mundëson fitimin e kandidatit anëtar për në Bashkësinë Evropiane, për të cilën Kosovën e bënë kurban faktori politik vendimmarrës Bruksel-Vashington, ka edhe një prapavi tjetër edhe më të rrezikshme, atë të kthimit prapa dhe nisjes së negociatave të reja politike në mes Kosovës dhe Serbisë, për gjetjen e një zgjidhjeje të dyanshme të pajtueshme, e cila do të jetë shumë e dhimbshme dhe e dëmshme për Kosovë. Faktori politik vendimmarrës në relacionin Bruksel- Washington, pasi që e pa që projekti i pranimit të pavarësisë së Kosovë hasi sikurse ”sharra në gozhdë” për shkak të mos pranimit të 5 shteteve të Bashkësisë Evropiane (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja) si dhe të mos pranimit të Kosovës në OKB, për shkak te vetos ruse në KS të OKB pa pajtimin paraprak të Serbisë, vendosi kthim mbrapa për Kosovën, dhe se tani faktori politik vendimmarrës Bruksel- Washington do të organizojë bisedime të reja politike në relacionin Beograd- Prishtinë me ndërmjetësimin e Brukselit dhe Washingtonit për gjetjen e një zgjidhjeje të pajtueshme dhe të pranueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Zotërinjë të nderuar, faktor vendimmarrës të Brukselit dhe Washingtonit, e njohim mirë forcën e juaj që posedoni, fuqinë ekonomike, politike, ushtarake dhe mekanizmat që i posedoni për të zbatuar atë që e keni paracaktuar, pasi që jo vetëm Kosova si një shtet i brishtë dhe i sabotuar nga Serbia që nga fillimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me miratim të heshtur edhe të disa faktorëve të juaj, por edhe shtetet tjera më të forta nuk mund të përballojnë dhe detyrohem të nënshtrohen diktatit të juaj, pasi që në politikë nuk ka dominuar, as që dominon, por edhe as që do të dominojë drejtësia, por forca e cila balancon raportet dhe marrëdhëniet globale në sipërfaqen e tokës. Por, ama, na lejoni dhe mos na bombardoni me deklarata së bashku me lidershipin aktual të Prishtinës dhe Tiranës, me dokrra dhe broçkulla të formës që deklaroni ” se kjo është marrëveshje në dobi të Kosovës, se ajo përforcon dhe nuk e cenon integritetin dhe sovranitetin Kosovës, se Rezoluta 1244 është e vdekur, është një relike e arkivit, një letër e vdekur, se me këtë marrëveshje Serbia e njohu pavarësinë e Kosovës, e kështu me rradhë”. Mos vallë mendoni se neve shqiptarët e Kosovës jemi akoma në fazën e periudhës” kur kemi qenë sharraxhi dhe hamallxhi për të shërbyer zotërinjve të Beogradit për të prerë dru, për të mbajtur thëngjill apo për të pastruar rrugët e Beogradit”, nuk i kuptojmë këto fraza boshe politike, pa sens politik e diplomatik, apo si i thonë neve në popull ”pa kripë”. Por, ama, shpresat, lutjet dhe besimin në Zot që kemi, si dhe përpjekjet tona nuk do të ndalen përherë për forcimin e pavarësisë e Kosovës, ashtu që Kosova të përngjajë sikurse shteteve tjera të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Në fund do të përmbyll këtë opinion me një thënie që më ka treguar miku im Abdullah Çeku, e cila si tillë ka një domethënie shumë largpamëse dhe me vlerë edhe nëpër çastet nëpër të cilin Kosova, pavarësisht nga koha kur është thënë për herë të parë dhe është trashëguar brez pas brezi. Thënia në origjinal në gjuhën turke thotë: ” Kosova Vilayeti, belali Vilayet, her kes der benim, kim biler kimin “, që në përkthim në gjuhën tonë të bukur shqipe do të thotë:” Vilajeti i Kosovës, Vilajeti me bela (sherr), çdo kush thotë i imi, por kush e di e kujt është”.

26.02.2012
Faik MIFTARI

Author: faik
•1:58 e paradites
Gjatë këtyre ditëve të dimrit me acar dhe borë të madh si në Kosovë ashtu edhe anekënd Evropës, që si e tillë na e përkujton dimrin e vitit 1985, janë aktuale përpjekjet diplomatike në relacionin Beograd-Prishtinë lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje të dyanshme për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Edhe pse po afrohet data e 1 marsit 2012 kur Bashkësia Evropiane duhet të vendos që a të jepet apo jo statusi i kandidatit anëtarë të Serbisë për Bashkimin Evropian, gjithnjë e më tepër është në rritje tensioni politik në relacionin Bruksel-Beograd-Prishtinë. Prej katër kushteve të parapara nga takimi i mëparshëm i dhjetorit 2011 i Bashkësisë Evropiane, tani insistohet vetëm në plotësimin e një kushti për Serbinë, kurse të tjerat janë harruar apo neglizhuar me apo pa dashje. Kushti i vetëm është arritje e një të vetmeje marrëveshjeje në relacion Beograd-Prishtinë për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale. Edhe pse në vend se do të duhej të bëhej trusni të drejtpërdrejtë mbi Beogradin, i cili duhet të tregoj mirëkuptim dhe kompromis politik, pasi që është në pyetje Serbia e cila do të përfitojë, të marrjes së statusit të kandidatit anëtar të BE-së, nga faktori politik i BE-së vendimmarrës, i përfaqësuar nëpërmjet Robert Cooperit, si ndërmjetësues apo lehtësues i bisedimeve, po bëhet trusni e madhe mbi Kosovën që të pranojë kushtet e diktuara nga Beogradi, kinse është në pyetje Kosova dhe përfitimi i saj, statusit kandidatit anëtar të BE-së, e sipas kësaj logjike jo racionale dhe jo politike, duhet bërë kurban Kosovën për hatër të Serbisë, që më në fund Serbia të merr statusin e kandidatit anëtar të BE-së, po qoftë kjo edhe prej diplomacisë ndërkombëtare është non sens i llojit të vet. Edhe pse Kosova ka pranuar që në takime rajonale të prezantohet pa fjalën republikë dhe me fusnotën” nuk paragjykohet qëndrimi i shteteve karshi statusit të Kosovës”, prapëseprapë kjo nuk është e mjaftueshme dhe tani bëhet trusni që të figurojë edhe rezoluta 1244. Nuk e di se në bisedimet bilaterale Beograd-Prishtinë, që janë nën udhëheqjen e Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviçit, e me ndërmjetësim të Robert Cooperit, si mund të arrihet një marrëveshje e pajtueshme dyanëshe, kur Robert Cooper merr krahun e Serbisë dhe deklaron” marrëveshjet për bashkëpunim rajonal si dhe të gjitha marrëveshjet tjera duhet të respektojnë Kushtetutën e Serbisë”. E dihet se kushtetuta e Serbisë e përshkruan Kosovën si pjesë e saj si dhe Rezoluta 1244 e përshkruan Kosovën si pjesë e ish RJF-së( tani Serbisë).
E kur merret parasysh edhe deklarata e Borisllav Stefanoviçit dhënë të përditshme serbe me renome “Politika”, i cili në mes tjerash thotë:” Pala serbe ka hyrë me mençuri dhe esëll në këtë proces, duke ruajtur interesin kombëtar dhe Rezolutën 1244 dhe se aktivitetet ndërkombëtare tani janë të përqendruara në Prishtinë”. Pas kësaj nuk ka nevojë fare për të përdorur syzat me dioptri për të lexuar më tutje, pasi që është krejtësisht e qartë. E tani është topi në anën e Kosovës, dhe poqese Kosova tani nënshtrohet, atëherë vaj halli për neve më tutje se çfarë na pret hap mbas hapi. Ndërsa tri kushte tjera që janë dhënë nga Bashkësia Evropiane në dhjetor të vitit të kaluar, për t’i plotësuar për marrjen e statusit kandidat anëtar të Serbisë për BE, tani anashkalohen, e që ishin: shpërndarja e strukturave policore dhe të sigurisë në veri të Kosovës, largimi i barrikadave dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialog, jo që asnjëra prej këtyre nuk është plotësuar, por është qesharake dhe joserioze për vet politikën e Bashkësisë Evropiane, riformulimi i tyre ndaj Serbisë në këtë mënyre:” të përmenden deklaratat politike të autoriteteve të Beogradit kundër referendumit në veri të Kosovës, thirrjet për heqjen e barrikadave dhe gatishmëria për të përmbushur marrëveshjet e arritura në dialog”. Po qoftë kjo edhe prej Bashkësisë Evropiane e tepërt është.
Krejt kjo e ka burimin apo zanafillën në Rezolutën 1244 të aprovuar në Këshillin e Sigurimit të organizatës së Kombeve të Bashkuara me 10 qershor 1999, dhe si i tillë është legale dhe valide, si dhe ka karakter juridik obligues për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, ndërsa të gjitha vendimet tjera, sikurse vendimi i GJND-së, janë këshidhënëse, dhe jo të obligueshme për shtetet anëtare të OKB-së. Si sot më kujtohet para plot 10 vitesh, bashkëbiseda me shokun dhe kolegun Idriz Vuçitërna, gjatë vitit 2001, i cili ndërkohë ndërroi jetë tragjikisht në vitin 2004, shpirti i tij rahmet i pastë, dhe se për nder të tij gjatë vitit 2011 iu botua libri post mortum, me përmbledhje punimesh me titull” Aspekte fetare dhe kulturore” i cili ia vlen të lexohet nga opinioni publik. Në njërën prej bashkëbisedimeve të shumta dhe të rregullta që kishim, i cili me të vërtet ishte njeri i matur, largpamës dhe me një njohuri politike pragmatike , dhe i cili si i tillë ishte me të vërtet një futurolog politik, të cilët Kosovës i mungojnë për momentin futurologët politik, pasi që politika shtetërore dhe diplomatike e Kosovës sajohet më shumë “ad hock” aty për aty, pa ndonjë plan dhe strategji të duhur afatshkurtër apo afatgjatë, më ka porositë:” Shok dhe mik i dashur, mbaje këtë që të them në mend mirë, unë ndoshta nuk do të përjetojë pavarësinë e Kosovës, por ti me siguri po, pasi që je më i ri se unë, se kjo Rezolutë 1244 ka për të na mbajtur peng për shumë kohë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në bashkërendim me faktorët politik vendimmarrës, por pa pëlqimin e Serbisë, dhe se ajo çdoherë do të thirret në Rezolutën 1244 si dokument juridik politik i aprovuar nga KS i OKB-së, i cili de jure e përcakton Kosovën si pjesë të ish RFJ-së(tani Serbisë), dhe se pa pëlqimin e saj, statusi i Kosovës do të jetë i varur në mes qiellit dhe tokës, pasi që pa pajtimin e Serbisë, Kosova nuk do të mund të pranohet në të gjitha institucionet dhe organizatat evropiane me ç’rast Greqia (nuk është vetëm ajo tani, por edhe Qiproja, Sllovakia, Spanja dhe Rumania, plotësim), nuk do të lejojë dhe do të bllokojë të gjitha iniciativat e tillë, ashtu edhe në KS të OKB-së do të jetë gjithherë Rusia e cila do të bllokojë çdo iniciativë lidhur me Kosovë, dhe asesi nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në OKB pa pëlqimin e Serbisë, pasi që ajo do të vejë veto çdoherë në ndonjë rezolutë eventuale lidhur me Kosovën pa pajtimin e Serbisë. Statusi i Kosovës do të jetë sikurse i Tajvanit dhe Palestinës, me ç’rast shumë vështirë do të jetë, bile as teoretikisht nuk do të ketë gjasa që Kosova të anëtarësohet nëpërmjet Asamblesë të OKB-së , për të cilin duhet votimi i 2/3 anëtarëve të OKB-së(129 shtete anëtare), pasi që pa rekomandimin e KS të OKB-së është vështirë të arrihej( përpjekja e Palestinës gjatë vitit 2011 për anëtarësim nëpërmjet 2/3 e votave, dështoi, plotësim), edhe po të arrihej, nuk është anëtarësim i plotë.” Në insistimin tim, po si u arrit që të zgjidhej shpejt dhe nëpërmjet KS të OKB-ës rasti i Timorit Lindor që ishte aktual gjatë vitit 2001, ai ceku :” Është dallim i madh në mes Timorit Lindor dhe Kosovës. Pasi që në rastin e Timorit Lindor , referendumi apo plebishiti i popullit të Timorit Lindor është bërë me rekomandimin e KS të OKB-së dhe pajtimin e Indonezisë, ndërsa në rastin e popullit të Kosovës, po edhe po të doje të organizojë referendumin, plebishitin, nuk do të kishte legjimitet ndërkombëtar, pasi që nuk do të arrijë të sigurojë rekomandimin e KS të OKB-së(vetoja ruse) dhe asesi pajtimin e Serbisë për një gjë të tillë, ndërsa populli i Kosovës sa herë që do mund të organizojë referendum për pavarësinë e saj, por pa kurrfarë efekti juridik dhe legjimitet të pranuar ndërkombëtar, sikurse që ishte referendumi i mbajtur gjatë vitit 1991, në Kosovë, por pa pajtim dhe rekomandim të Badinterit, i cili një gjë të tillë iu rekomandua dhe mundësua vetëm republikave të atëhershme të ish Jugosllavisë”. Në pyetjen time por si do të jetë atëherë zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovë, morra një përgjigje me një ton të matur, dhe të qetë:” Po, një ditë edhe Serbia do të pajtohet që të pranojë pavarësinë e Kosovës, për shkak të trusnisë së madhe ndërkombëtare dhe anëtarësimit të saj në Bashkësinë Evropiane, pasi që nëse nuk do të arrijë që të ndajë de jure Kosovën, atëherë do të kënaqet me ndarjen e brendshme territoriale të Kosovës, të veriut të saj, i cili de jure do të jetë pjesë e Kosovës, por de fakto nën kontroll të zgjeruar të Serbisë, ashtu sikurse që është Republika Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, de jure është në BeH por de fakto nën kontroll të zgjeruar të Serbisë, pasi që Sarajeva nuk ka kurrfarë kompetenca apo kompetenca minimale në pjesën e saj serbe të Republika Sërpskës”.
Pas plot 10 vitesh, tani kjo “profeci” apo më mirë kisha thënë parashikim politik (futurologji politike) të ish shokut dhe kolegut tim, tani të ndjerë, Idriz Vuçitërnës, po realizohet dita më ditë, hap pas hapi edhe praktikisht në Kosovë.
12.02.2012
Faik MIFTARI