Author: Visal
•11:37 e pasdites
Në Prizren, para ca ditësh u krye një akcion i furishëm i policisë i koduar me emrin “Renea” në të cilën morën pjesë 120 policë, me ç’rast prangosën 5 persona të ashtuquajtur ”vehabi” me dyshimin e bazuar” në armëmbajtje pa leje dhe përgatitjes së veprave penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”.” Dyshohet edhe se të arrestuarit janë anëtarë të Shoqatës ”Sinqeriteti” dhe kanë lidhje me ta, dhe se disa prej tyre kanë marrë pjesë në një samit islamik në Bosnjë dhe se mund të jenë të involvuar edhe në sulmin dhe rrahjen e Besim Ajetit, një të konvertuari protestant”.
Mediat e caktuara elektronike dhe të shkruara e përcollën me pompozitet maksimal lajmin, dhe se disa ditë me radhë i informonin lexuesit dhe shikuesit me aksionin e kryer në fjalë. Kjo me dashje, a pa dashje, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së opinionit të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar nga aktualitetet momentale me të cilët është duke u ballafaquar për momentin Kosova, sikurse që janë, krimi i organizuar, korrupsioni, situata e vështirë ekonomike, e mbi të gjitha situata politike e ndjerë në pjesën veriore të Kosovës, ku Koshtunica me kompaninë e vet bënë fushatë elektorale sikurse të ishte në “ bahçe të babës së vet”.
Sjellja e policisë gjatë aksionit në fjalë në momente të caktuara ishte joprofesionale dhe shumë e ashpër, duke ndërhyrë me forcë e demoluar dyert e hyrjes, me ç’rast ka lënë trauma dhe pasoja në mesin e familjarëve, e posaçërisht në bashkëshorten e një të dyshuari, e cila ishte me foshnjën njëmuajshe, po ashtu ka pësuar pa pikë faji edhe një kalimtar i rastit i cili në atë moment ishte duke kaluar pranë Shoqatës ”Sinqeriteti”, duke mos ditur se ç’është duke ndodhur. Kjo me të vërtetë ka lënë një njollë të keqe në sytë e qytetarëve dhe familjarëve për një shërbim profesional të policisë të Republikës së Kosovës.
Edhe pse gjatë bastisjes tek të dyshuarit është gjetur nga armatimi, një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie, një pistolet, një pushkë e çmomtuar karabin dhe një kallash, pajisje të ndryshme të gjuetisë, thikë, dylbi, jeleka, uniformë, suvenire, etj, edhe pse për disa armë të tilla kanë poseduar leje apo edhe kanë aplikuar për leje. Kjo nuk është hera e parë, por lirisht mund të themi se ka pasë me dhjetëra apo edhe qindra raste të gjetjes së armëve me leje apo pa leje gjithandej Kosovës. Por, krahas tyre janë konfiskuar për momentin edhe CD-ja, DVD të Kur’anit dhe të tjera, si kompjuterë, llaptopa, telefona celularë, si të dyshimtë dhe me rrezikshmëri të lartë, e këto pajisje elektronike mund të gjenden pothuajse në të gjitha shtëpitë, banesat, apo nëpër zyret, kudo në Kosovë.
Se qenkan anëtarë apo kanë pas lidhje me Shoqatën “Sinqeriteti” na qenka e dyshimtë dhe e rrezikshme, dua të ceki vetëm nenin 3 al.1 të Ligjit për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare të Kosovës, e që si të tilla janë me qindra e mijëra OJQ të regjistruara në Kosovë, ku thuhet: ”Çdo person në Kosovë gëzon të drejtën e plotë për t’u asociua dhe të themelojë OJQ-në”, apo neni 5 al.2 i cili thotë: ”Shoqata është një organizatë e anëtarësisë. Shoqatën mund të themelojë të paktën 3 ose më shumë persona”. Në rast se qenka e dyshimtë të jesh anëtar i një shoqate atëherë, shumica e kosovarëve si të tillë dalin se janë të dyshimtë, pasi që çdo njeri prej nesh është anëtar i një shoqate çfarëdo qoftë ajo.
Dyshimi se kanë marrë pjesë disa të arrestuar në një samit islamik në Bosnjë, bie ndesh me nenin 13 al.1 e 2 të Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat njerëzore e cila thotë: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet”. A thua vallë edhe presidenti i Kosovës z. Fatmir Sejdiu i cili sapo u kthye nga një samit ekonomik islamik të mbajtur në Malejzi, apo edhe të nesërmen kur Kosova do të anëtarësohet në Organizatën e Konferencës Islamike, dhe do të ftohet të merr pjesë në samitin islamik të saj kryeministri i Kosovës z.Hashim Thaçi, do të dyshohen për pjesëmarrje të tillë në samite islamike.
Dyshimi se këta të pesë të arrestuar ”vehabi” mund të kenë gisht edhe në rrahjen e Besim Ajetit, një të konvertuari protestant, i cili paska deklaruar se mund të kenë rrahur “ekstremistët islamik” edhe pse vetë ai nuk i ka parë, sipas fjalëve të tij, del se atë vepër çdo njeri mund të kishte bërë, pa u vërtetua akoma autorësia e kryerësit të një vepre të tillë.
Edhe pse jemi duke jetuar në shekullin XXI, në këto valet e demokracisë, këto dyshime, supozime, insinuata pa pasur prova dhe argumente të tilla, ndërsa procesi i hetimeve dhe sesioni i gjykimit do të vërtetojë se sa janë të qëndrueshme apo jo, këto akuza të tilla, duke marrë parasysh nenin 11 al.1 e 2 e Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat njerëzore e cili thotë: ”Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia në bazë të ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet. Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilët nuk përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në kohën kur janë kryer”.
Kjo më përkujton vitet e tetëdhjeta, pas demonstratave të vitit 1981, kur çdo shqiptar i Kosovës dhe i trojeve tjera shqiptare të ish Jugosllavisë, prezantohej si i dyshimtë dhe dënohej pa masë nga gjykatat e atëhershme shtetërore, edhe për një fjalë më të vogël të thënë në mbrojtje të kauzulës shqiptare, etiketohej si nacionalist, irredentist, seperatist, kontrarevolucionar, secesionist, armik i përbetuar i vëllazërim bashkimit e lloj-lloj etiketimesh tjera. Tani mjafton të jesh musliman, pjesëtar i fesë islame, dhe je fajtor kujdestar i shoqërisë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi dhe je i etiketuar dhe i dyshimtë si ekstremistë, fundamentalist, terroristë dhe si i tillë automatikisht je kundër pushtetit, shtetit, rregullimit kushtetues si armik potencial i tij. Dua të përkujtoj thënjën e të famshmit Hafiz Ali Korça:
”Atdhetar jam, por edhe fetar si duhet. Atdhetari përse turp të ketë tek thotë e dua me shpirt fenë e vet”.
Përse një musliman i mirëfilltë shqiptar që e praktikon dhe e do fenë e vetë, ai patjetër e do dhe ka obligim të dojë shtetin e vetë, atdheun e vetë, qoftë Kosova apo Shqipëria, apo shqiptaria në përgjithësi, dhe se nuk ka as gjasa teorike e lere më praktike të jetë armik i atdheut apo shtetit të vet. Sa për ilustrim do të ceki nenin 18 të Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat e njeriut i cili thotë: ”Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit, kjo e drejtë përfshinë lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht besimin ose bindjen e vetë me anë të dhënjes së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare”, apo nenin 3 të Ligjit për lirinë fetare të Kosovës i cili thotë: ”Të gjithë personat pavarësisht nga besimi ose bindja e tyre, pavarësisht nga përkatësia në ndonjë bashkësi fetare ose pjesëmarrje në ndonjë ceremoni fetare janë të barabartë para ligjit dhe gëzojnë të drejta të njëjta në jetën civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Të gjithë personat juridik dhe fizik gëzojnë mbrojtje të njëjtë para ligjit”, apo edhe nenin 2 të Ligjit kundër diskriminimit në Kosovë i cili thotë: ”Parimin e trajtimit të barabartë që nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të drejtpërdrejt apo të tërthortë ndaj personit, në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes martesore, gjuhës, paaftësisë fizike, apo mendore, orientimit seksual, kombit, mendimit apo bindjes, religjionit apo besimit, përkatësisë etnike apo sociale, racës, pronës, lindjes ose statuseve tjera”.
Në rastin konkret, si shembull po e cek, nëse Besim Ajeti, paska të drejtë të konvertohet në protestant, e drejta e tij e pamohueshme, edhe pse është për çudi, duke pas parasysh se bashkëkombësit tonë shqiptar të krishterë janë të ritit katolik e ortodoks, e aspak protestant, është diç normale, demokratike, bashkëkohore, ndërsa një musliman në rast se bindjet e veta islame i percepton dhe zbaton apo i aplikon nga një këndvështrim hanefi, nurxhi, selefi, vehabi, shii, teblik etj. automatikisht na del i dyshimtë, jonormal, antidemokratik, i prapambetur etj.
E kjo bie ndesh me të gjitha nenet e cekura më lartë për të drejtën e tij personale në bindjen dhe përkatësin e tij fetare.
Por një gjë më shqetësuese që është për shoqërinë tonë kosovare, për një rast të tillë, është një heshtje absolute pikësëpari e shoqërisë civile të Kosovës, që nuk bëzon fare dhe është vu në heshtje totale, sikur OJQ-të e ndryshme dhe të shumta kosovare, shoqatat e dala nga lufta, këshillat, lëvizjet, klubet e nduarndryshme, të gjithë tog së bashku janë vu në heshtje, sikurse kjo po ndodh në planetin e Marsit, e jo para syve të tyre, ndërsa kur ndodhi rasti i dom Anton Kçirës, një fjalim racist i paparë gjer më sot në shoqërinë shqiptare, u çuen peshë të gjithë, pothuajse i vogël i madh, duke e minimizuar apo mbrojtur, duke i dhënë hapsirë maksimale në mediat e shkruara dhe elektronike, për të arsyetuar dhe deklaruar se kinse këtë i kanë montuar, apo ka deklaruar në gjendje afekti, e lloj lloj arsyetime tjera.
Sido që të jetë do ta përmbyll këtë qasje me një sllogan në gjuhën angleze i cili ishte i përhapur nëpër botë para ca kohësh: ”Do not panic, I am muslim” që në gjuhën shqipe do të thotë: ”Mos keni panik, unë jam musliman”.

Autor: Faik Miftari 
Author: Visal
•11:19 e pasdites
Pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit të mbajtur ditë më parë me rastin e mocionit (votëbesimit) për kryesuesin e kuvendit komunal Nijazi Kryeziun, pushteti legjislativ ky hyrë në çorsokak në Prizren dhe se është vështirë se si do të dalë nga kjo rrugë pa shtegdalje. Edhe pse rezultai i votimit ka qenë i tillë, i cili për shkak të zbrazsirës ligjore, le paqartësi dhe interpretime të ndryshme mvarsisht se cilit kah i takojnë oponentët politik në Prizren. Ligji mbi vetëqeverisjen lokale fare nuk e sqaron mënyrën e mundësisës së shkarkimit të kryesuesit komunal, dhe se i tillë si është ka të meta dhe zbrazësira, dhe se duhet sa më parë të amandamentohet dhe të plotësohet, ndërsa statuti komunal vetëm me një aline cek se”mënyra e shkarkimit e kryesusesit është e njejtë sikurse e zgjedhjes”, edhe pse edhe këtu statuti nuk është i qartë dhe decidiv, por me këtë vetvetiu nënkuptohet se për shkarkim nevojiten 21 vota, sikurse që duhen 21 vota për zgjedhjen e kryesuesit, në rastin konkret kryesuesi për një votë ka shpëtuar nga shkarkimi i tij nga detyra e kryesuesit. Për daljen nga ky çorsokak politik në Prizren në të cilin është zhytyr legjislativi aktual ekzostojnë 3 rrugëdalje apo alternativa për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
E para, mocioni i votëbesimit të kryesuesit të kuvendiot komunal të Prizrenit ka hedh në dritë se pozita aktuale qeverisëse në Prizren, në legjislativ nuk e ka shumicën e votave, edhe pse së paku duhet të ketë 21 vota, ajo për momentin i ka pas 16 vota, ndërsa në anën tjetër blloku opozitar(LDK-ja, AAK-ja dhe LDD-ja) e ka maksimumin e votave të qenurit në opozitë, gjihsejt 20 vota. 4 vota abstenime ishin votat e kuvendarëve që e përkrahin apo janë në linjë të njejtë me ish kryetarin e degës së PDK-së në Prizren Zafir Berishën, i cili para do kohe ka dhënë dorëhjeqeje të parevokueshme nga të gjitha pozitat si dhe nga anëtarësia e PDK-së. Votimi më pah ka treguar se këto 4 vota kanë qenë abstenime, e jo vota kundër, që aludon në, e që përflitet në kuloare politike të Prizrenit, se ata janë në negociata për rikthim në trungun përkatës, saktësisht në PDK, dhe se janë duke u zhvilluar pazaret. Por edhe të ndodh kjo, PDK-sa së bashku me partnerët e vet të koalicionit prapëseprap nuk e ka shumicën e votave, duke marrë parasysh se një kuvendare është deklaruar si e pavarur për momentin. Poashtu është vështirë të sigurohet edhe kuorumi, në rast të bojkotimit të kuvendit nga blloku opozitar, sepse për shkaqet e ndryshme objektive apo subjektive, ndodh shpesh që më së paku 1 por ka raste që edhe 3-4 kuvendar të mungojnë në seanca.
E dyta, PDK-ja duhet të sigurojë më së paku edhe mbështetjen e një force poltike për të siguruar bllokun pozitar në kuvend, për të pasur një qëndrueshmëri stabile të miratimit të propozimeve dhe rregulloreve të ndryshme që i miraton kuvendi komunal në bazë të kompetencave legjislative të përcaktuara sipas normativës ligjore dhe statutit në fuqi, dhe se ky mandat është 4 vjeqar, e jo 2 vjeçar siq ka qenë mandati paraprak i legjisltaivit në fjalë.
Shumë më lehtë do të kishte po të kishte gjetur partnerin në rradhët e subjekteve më të vogla opozitare siq janë AAK-ja dhe LDD-ja, që e para i ka 5 kuvendar, ndërsa e dyta 3 kuvendar, edhe pse për momentin ata të dytë e kanë refuzuar një gjë të tillë, dhe se vështirë do të jetë që këto 2 subjekte do të mund të mbështesin PDK-në, pasi që për momentin fortë qëndrojnë si bllok opozitar në Prizren.
E treta, është hyrja e LDK-së në koalicion me PDK-në në Prizren, edhe pse për momentin LDK-ja e ka refuzuar një ofertë të tillë nga PDK-ja për bashkëqeverisje, por për të dal nga ky çorsokak politik në Prizren është e vetmja LDK-ja që mundet me zgjidh këtë çështje për hirë të mirëqenjes së qytetarëve të Prizrenit dhe mbarëvajtjes së proçesit politik dhe kapërcimit të krizës aktuale në të cilin gjendet Prizreni. Tani e tutje, sa herë që të doje blloku opozitar është në gjendje për të bllokuar punën e kuvendit komunal, pasi që pozita shumë vështirë do të ketë të sigurojë kuorumin e nevojshëm prej 21 votave për mbajtjen e seancave të rregullta. Për demokracinë në përgjithsi fare nuk është e pëlqyeshme që këto dy subjekte kryesore politike rivale të jenë në koalicion, pasi që atëherë nuk do të kishte opozitë të mirëfilltë, edhe pse opozitë do të ketë por do të jetë me numrë të vogël dhe jo me peshë sa duhet. Por paraqiten momente të caktuara në politikë që edhe pse jo me dëshirë për të zhbllokuar procesin e pikësëpari për interesin e qytetatëve, LDK-ja me PDK-në të hyjnë në koalicion. Po të insistohet të shkohet në zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe pse në majë të hundës ju kanë ardhur elektoratit odiseada e zgjedhjeve lokale e nisur nga nëntori i vitit të kaluar e që përfunduan ditë më parë në Istok, e që zgjatën plot 6 muaj, atëherë ato do të organizoheshin vetëm për kuvendin komunal, e që nuk kanë efekt, pasi që kryetari aktual i Prizrenit z.Ramadan Muja as që ka gjasa me u ndrue e as që i shkon mendja për të dhënë dorëhjeqje eventuale, pasi që me ekzekutivin që e ka zgjedh ai është duke punuar dhe vepruar, e sa është efikase dhe kuptimplotë kjo qeverisje pa funksionimin e legjislativit komunal është diq tjetër.
Për këtë arsye për zhbllokimin dhe funksionalizimin e legjislativit, për të mirën e qytetarëve të Prizrenit, i takon strukturave gjegjese të LDK-së në Prizren të bëjnë”zemrën gurë” dhe të bëhen”kurban” për hirë të interesit të gjerë shoqëror të Prizrenit dhe qytetarëve të tij, pasi që kjo nuk është kurfarë risie, meqense në nivelin qendror janë në koalicion PDK-ja me LDK-në, e pse nuk mund të jenë në koalicion LDK-ja me PDK-në edhe nivelin lokal në Prizren.
Do e përmbyll këtë vështrim me një konstatim ndryshe nga Zafir Berisha ish kryetar i degës së PDK-së në Prizren, i cili kishte adet me thënë shpesh” ne me LDK-në në Prizren as në xhenet nuk shkojmë”, tani do kisha thënë” LDK-ja së bashku me PDK-në në Prizren, a do të shkojnë në xhenet, apo në xhenem, mvaret prej tyre”, por një është e sigurtë se qytetarët e Prizrenit e meritojnë xhenetin.

Autor: Faik Miftari 
Author: Visal
•11:27 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht me datë 30 prill 2010, ditë e premte, ora 20.oo në shtëpinë e kulturës”Xhemajli Berisha” në Prizren, Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore”Zëri ynë” organizoi një tribunë kulturore me rastin e përvjetorit të 25-të (çerek shekullit) të përkthimit të parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga akad. Feti Mehdiu.Në këtë mbrëmje kur’anore me kumtesat e veta morën pjesë 5 referues të nderuar: dr.Mehmet Halimi, Nexhat Ibrahimi prof., Mr.Sadik Mehmeti, Emine Vezaj prof., dhe Mr. Jahja Hondozi. Moderator i mbrëmjes ishte Mr.Ajni Sinani. Hapjen e mbrëmjes kur’anore e bëri Edon Thaçi, nxënës i Medresesë së Prizrenit me këndimin e bukur të disa verseteve kur’anore.Tribunën e përshëndeti me një fjalë rasti kryetari i Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef.Ballëku i cili përveç tjerash ceku rëndësinë tejet të madhe të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga profesori i nderuar dr.Feti Mehdiu për mbarë lexuesit shqiptar.
Kumtesën e parë e mbajti dr.Mehmet Halimi me titull ”25 vjetori i përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe” i cili në mes tjerash ceku: ”Përkthimi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe, po e mbush një çerek shekull, që nuk është edhe pak, kjo vepër e madhe e plotësoi një boshllëk të madh në kulturën shqiptare, ka një rol të rëndësishëm si në aspektin fetar ashtu edhe atij kombëtar, me një ndërgjegje të lartë kombëtare e fetare. Më është dhënë rasti të bëjë lektorimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, që për mua ishte një nder i madh, edhe pse isha i qortuar dhe i kritikuar nga kolegët e mi të atëhershëm shkencor e kulturor, duke më thënë s: ” Si ke guxim të bashkëpunosh me klerin fetar, o mulla Mehmet”. Redakturën gjuhësore e bëra në gjuhën e unisuar letrare shqipe me ç’rast gjuha letrare shqipe fitoi edhe një dimension shtesë mbarëkombëtar. E përshëndes dhe e përgëzoj veçanërisht prof.dr.Feti Mehdiu për një punë kaq madhështore e cila ka vlera të veçanta morale, kulturore, fetare, kombëtare për popullin shqiptar në përgjithësi”.
Referuesi i dytë i mbrëmjes ishte prof.Nexhat Ibrahimi me kumtesën ”Universi i Kur’anit” në të cilin përveç tjerash theksoi se: ”Kur’ani është shpallja e fundit hyjnore për civilizimin njerëzor, Allahu i madhëruar i ka zbritur fletëlajmërimet të të dërguarëve të Zotit, gjatë etapave të ndryshme kohore. Islami i pranon të gjitha shpalljet hyjnore, ndërsa Muhamedi a.s. është përfundimi i ciklit të të dërguarëve të Zotit që nga Ademi e gjer te Muhamedi, dhe se Kur’ani është shpallja përfundimtare”.
Kumtesa e prof.Nexhat Ibrahimit ishte me të vërtet e një stili të lartë dhe nivelit të veçantë dedikuar lirisht mund të them një simpoziumi apo sesioni më të lartë shkencor.
Referuesi i rradhës ishte Mr.Sadik Mehmeti me kumtesën e tij: ”Jehona e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe” në të cilin përve tjerash ceku se: ” Shtypi i atëhershëm shqiptar pothuajse nuk i kushtoi fare vëmendje përkthimit të parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga prof.dr.Feti Mehdiu. Jehonën e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe e kam ndarë në dy etapa: etapa e parë, vitet 1985-1992, dhe etapa e dytë, vitet 1992 e tutje. Në etapën e parë kemi vetëm dy shkrime në publicistikën shqiptare për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, ndërsa në etapën e dytë kemi një mori shkrimesh rreth përkthimit të Kur’anit. Shkrimi i parë lidhur me përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe ishte “Duke lexuar Kur’anin” i dr. Engjëll Sedajt i cili ishte një shembull i lartë njerëzor, kulturor, me kanotacion ndërkonfesional, i cili si i tillë meriton çdo lavdatë dhe një përurim të veçantë për shkrimin në fjalë.Shkrimi i dytë ishte i prof:Emin Behramit i cili kishte bërë një vështrim kritik rreth përkthimit të parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe. Ndërsa prej vitit 1992 e këndej kemi një mori shkrimesh rreth përkthimit të Kur’anit, në vitin 1999 doli edhe botimi i dytë i përkthimit të Kur’anit nga Feti Mehdiu, i plotësuar edhe me tekstin origjinal të Kur’anit në gjuhën arabe me titull”Kur’ani dhe hija e tij shqip” me ç’rast shkruan pothuajse të gjitha gazetat shqip në Kosovë. Me rastin e 20 vjetorit të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe në Prishtinë në vitin 2005 u organizua edhe një seminar shkencor me titull ”Kur’ani tek shqiptarët”.
Referuesja e rrallës ishte prof.Emine Vezaj me kumtesën” Gruaja muslimane shqiptare dhe Kur’ani” në të cilin përveç tjerash ceku “ Rolin e gruas muslimane shqiptare, duke marrë si shembull h.Aishen”.Më i mirë prej jush është ai që lexon Kur’anin”, është një thënje profetike, dhe për këtë merita të posaçme përveq hoxhallarëve (imamëve) të cilët shekuj me rradhë e kanë transmetuar dhe cekur fjalët e Kur’anit, kanë edhe përkthyesit e Kur’anit që e kanë mundësur që Kur’ani të lexohet dhe të kuptrohet nga çdo njeri dhe në çdo shtëpi”.
Referuesi i fundit ishte Mr.Jahja Hondozi me kumtesën” Jehona e përkthimit të Kur’anit shqip në gjuhët joshqipe” në të cilën përveç tjerash ceku disa momente të jehonës së përkthimit të Kur’anit në botë. E para ishte revista “Gllasnik “ e Sarajevës së Bosnjës, e cila i informoi lexuesit e vet të proviencës boshnjake për botimin e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga dr.Feti Mehdiu.Poashtu ishte edhe Idriz Demiroviçi nga Mali I Zi i cili shkroi për përkthimin e Kur’anit shqip.
Muhamed Mufaku( me origjinë shqipare) i pari shkroi në gjuhën arabe me ç’rast njoftoi botën arabe lidhur me daljen në dritë të përkthimit të Kur’anit shqip, poashtu edhe orientalisti serb dr.Darko Tanaskoviq shkroi në gjuhën serbe lidhur me përkthimin e Kur’anit në shqip”.
Pastaj mori fjalën ish kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Jetish ef.Bajrami i cili falenderoi nga zemra punën e palodhshme dhe kontributin jashtëzakonisht të posaçëm të dr.Feti Mehdiut, dhe se ai pa hamendje dhe hezitime e ka përkrahur një projekt të tillë dhe se në atë kohë në rrethanat në të cilat ishim atëherë, arritëm ta botojmë në tirazhin prej 10.000 kopje në Prishtinë, që me të vërtet për kohën që ishte, sasi bukur e madhe.
Në fjalën përmbyllëse Akad. Feti Mehdiu ceku:” Përkthimi i Kur’anit në shqip ishte një shënim i rrallë për kulturën islame në përgjithësi dhe kulturën shqiptare në veçanti, i falenderoi recensentët, lektorët dhe korrektorët, për ndihmesën e pakursyer të dhënë, e posaçërisht falenderoi ish kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Jetish ef.Bajrami, për guximin e tij të pamasë në suazat e atëhershme kohore në të cilin gjendeshim, që të botohet përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe në Prishtinë”.
Në përfundim të këtij shkrimi dua të ceki se me vërtet kaluam çaste të bukura, gjatë dy orëve sa zgjati ky eveniment i rëndësishëm kulturor i mbrëmjes kur’anore, me ç’rast Akademiku Feti Mehdiu përveç tjerash , ka hyrë në analet e letërisë shqipe dhe se do të mbetet si i tillë përherë në publicistikën shqiptare apo kulturën shqiptare në përgjithësi si përkthyes i parë i plotë i Kur’anit në gjuhën shqipe.

Autor: Faik Miftari 
Author: Visal
•11:34 e pasdites
(Udhëpërshkrim nga Gjermania)

Në kuadër të bashkëpunimit të krahinës gjermane Rajnhald-Pfalc dhe Evropës Juglindore, Zyra Ballkanike për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla me seli në Sofje, partnere e Dhomës Zejtare të Koblencit, anëtare aktive e së cilës është edhe Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit organizoi në Arvajler (Ahrweiler) të Gjermanisë një trajnim në fushën e konsulencës (komunikimit) të bashkëpunëtorëve të organizatave anëtare të Zyrës Ballkanike në të cilin mora pjesë prej datës 11.04 e gjer më 14.04.2010. Së bashku udhëtuam me 14 kandidatët tjerë të cilët kishin për të mbajtur modulin praktik të fotovoltaikës në Koblenc të Gjermanisë (përfitimi i energjisë elektrike nga rrezet e dritës, që është energji e re elektrike krahas asaj të përfituar nga mullinjtë me erë, biomasa, hidro, e të cilët së bashku hyjnë në energjinë e ripërtërishme që duhej të arrijë nivelin e 20% të tërë energjisë elektrike të prodhuar sipas një standardi të Bashkimit Evropian).
Dy modulet e para të trajnimit janë mbajtur në Prizren para ca kohësh në bashkëorganizim dhe koordinim të Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit dhe Zyrës Ballkanike në Sofje. Nisja e grupit u bë në ora 12.oo nga rrethi në Bazhdarhanë të Prizrenit me datë 11.04.2010, ditë e diel, ndërsa fluturuam me aeroplan nga Prishtina në ora 15.05 nëpërmjet Budapestit për në Frankfurt me kompaninë Malev të Hungarisë, pas kryerjes së të gjitha procedurave paraprake, marrjes së vizave në ambasadën gjermane në Prishtinë, rezervimit të biletave të aeroplanit si dhe sigurimin shëndetësor. Rreth orës 20.00 arritëm në aeroportin e Frankfurtit të Gjermanisë i cili është aeroporti më i madh në Evropë, ku ateronin dhe fluturonim me qindra e mijëra aeroplan në ditë, me të vërtetë kishte një hapësirë shumë të madhe, dhe ishte një ndërmarrje gjigante në vete në të cilin punonin, merreni me mend 65.000 punëtor. Në terminalin nr. 2 të aeroportit të Frankfurtit u ndamë prej grupit prej 14 kandidatësh nga Prizreni, të cilëve iu bashkëngjit në Budapest edhe përkthyesi nga Shkupi, Muharemi, që ishte një njeri me të vërtet shumë komunikativ dhe i shoqërueshëm me tipare dhe virtyte me të vërtet njerëzore, humane, shoqërore si i ka hije një shqiptari nga Shkupi. Grupi në përbërje të së cilës ishin Bujari, Kemali, Muniri, Rashidi, Osmani, Samiri, Vahidini, Vahdeti, Gëzimi, Artani, Nehariu, Remziu, Maliqi, Esadi, udhëtuan për në Koblenc ku ishte paraparë të mbahej moduli praktik i fotovoltaikës prej datës 12.04 e gjer më datë 16.04.2010 (e hëne – e premte).
Iu bashkëngjita grupit të sapoardhur nga Shqipëria, Maqedoni, Bullgaria dhe tog së bashku udhëtuam me një furgon për në Arvajler, distanca prej Frankfurtit në Koblenc ishte 160 km, ndërsa prej Koblencit për në Arvajler i 53 km, që gjithsejtë ishte 213 km. Me të vërtet udhëtimi nga Frankfurti gjer në Arvajler kaloi në një atmosferë të bukur, edhe pse në furgon ishim gjithsejtë 8 veta, në mes vete flitnim në 6 gjuhë: shqip, turqisht, maqedonisht, bullgarisht, anglisht e gjermanisht. Shoferi (vozitësi) i furgonit ishte turk që punonte plot 35 vjet në Gjermani, në Arvajler arritëm në ora 23.00 pas një udhëtimi 3 orësh dhe një pushimi të shkurtër kafeje gjatë rrugës. U vendosëm në hotelin Dorint në Arvajler, i cili kishte një pozitë shumë të mirë gjeografike, ishte i vendosur pranë lumit, i rrethuar me një gjelbërim të paparë dhe plot lule të bukura e lisa të gjata. Hoteli ishte me të vërtet i kategorisë më të lartë dhe i posedonte të gjitha objektet përcjellëse të saja, pishinën, saunën, restorantet, salla për seminare, konferenca e kongrese, e kështu me rrallë.
Të nesërmen në ora 9.30 pas mëngjesit, shkuam në akademinë e porsahapur të Dhomës Zejtare të Koblencit ku do të mbahej trajnimi apo seminari i paraparë. Për të gjitha temat e parapara me program ligjëruesit ishin gjerman, me të vërtet gjermanët ishin tipik si njihen, me plot energji, vullnet dhe zell për punë dhe tejet të disiplinuar dhe të përkushtuar e të përpiktë në zbatimin e detyrave të tyre. Në seminar morën pjesë përfaqësuesit e shoqatave anëtare të Zyrës Ballkanike me seli në Sofje nga shtetet e Evropës Juglindore si nga Moldavia, Rumania, Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, munguan vetëm përfaqësuesit nga Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia. Në mesin e 20 pjesëmarrësve me të vërtet u shoqëruam me të gjithë, por normal dhe veçantë ishte shoqërimi me përfaqësueset nga Shqipëria, shoqet Linda, Mira dhe Blerta, për të cilin Linda kishte një thënie të bukur”shoqërimi shqip-shqip”. Me të vërtet pjesëmarrëset nga Shqipëria ishin inteligjente, të shkathtë, të afta me një dije të nivelit, dhe me një njohuri të gjuhëve përveç gjuhës shqipe, edhe të italishtes, anglishtes, gjermanishtes e bile edhe të spanjollishtes. Gjatë shoqërimit tonë bashkëbiseduam për tema të ndryshme shoqërore sikurse që ishin, dallimet gjeografike të shqiptarëve të Kosovës(apo kosovarëve) dhe shqiptarëve të Shqipërisë, për dashurinë tonë të pamasë ndaj nënës sonë të dashur Shqipëri, për këndvështrimet dhe perceptimet apo edhe dallimet në mes botës mashkullore dhe botës femërore, për rolin dhe pozitën e gjinisë femërore në shoqërinë aktuale shqiptare, për “tironcin dhe tironcen”, për dashurinë e parealizuar, për mbretëreshën dhe robëreshën, për rolin e fesë si një spektër kulturash në mozaikun shqiptar, për zemrën me shumë xhepa në të cilin një xhep përherë lëngon, për origjinalitetin apo shtirjen e individit si qenie shoqërore e kështu me rrallë. Gjersa ishim në Arvajler vetëm një ditë patëm kohë të lirë prej orës 17-19h, për shkak të programit të ngjeshur, me ç’rast së bashku në “shoqërinë shqip-shqip” me Lindën, Mirën dhe Blertën dolëm në qytet për të vizituar . Arvajler ishte një qytet i bukur, i qetë, i njohur më tepër si qytet i vogël enkas për gjermanët në të cilin gjatë fundjavave vijnë për të pushuar dhe relaksuar nga punët e përditshme dinamike të jetës shoqërore gjermane. Kishte shumë parqe apo oaza të gjelbërta, një lumë me ujë të rrjedhshëm, plot lisa dhe shtigje të posaqshme për vrapim dhe shëtitje përskaj lumit. Kahdo që lëviz në Gjermani, më ra në sy që kishte plot e përplot kisha, pothuajse të panumërta, në çdo hap, që për mua ishte një befasi e madhe, pasi isha në dijeni se gjermanët nuk janë të njohur si praktikantë të duhur të fesë së tyre si p.sh. italianët, spanjollët, polakët apo kroatët. Kishat kishin stile të posaqshme dhe me një arkitekturë të jashtëzakonshëm ndërtimi të cilët datonin nga periudhat e ndryshme sikurse ato që ishin të ritit katolik ashtu edhe protestant. Në Gjermani aktualisht përbërja fetare e gjermanëve ishte rreth 55% protestant dhe 45% katolikë, ndërsa nga numri i gjithmbarshëm i popullatës që jetojnë në Gjermani 5% ishin musliman. Këto të dhëna që i kisha në dijeni paraprakisht, i prezantoi edhe gjatë ligjërimit në seminar po të njëjtat shifrat edhe ligjëruesi gjerman. Edhe pse nga historia është i njohur fakti se plot 30 vjet, saktësisht prej vitit 1615 e gjer në vitin 1645 janë zhvilluar luftëra të përgjakshme në mes katolikëve dhe protestantëve në të cilin kanë humbur jetërat me qindra e mijëra gjerman, por kjo ka qenë koha e kaluar me ç’rast një fjalë e urtë thotë” e kaluara, e harruara” dhe se sot është një shembull “par exellence “ se si gjermanët sot jetojnë në një harmoni të plotë fetare në mes vete, edhe pse pothuajse janë të ndarë sipas bindjeve të tyre fetare ”fifti-fifti” në protestant e katolik. Dita e dytë e seminarit ka qenë më interesant, pasi që edhe neve pjesëmarrësit me shembujt praktik prezantuam apo demonstruam në trajnim. Do të ceki vetëm disa detaje nga seminari që ia vlen të përmenden. Edhe pse gjatë ligjërimit ne e kishin përkthimet simultane në gjuhët e pjesëmarrësve , ligjëruesi gjerman tha se edhe disa vjet këta përkthyes që janë mbrapa, nuk do të jenë, më nuk do të ketë nevojë për përkthim, pasi që të gjithë do të flasim gjuhën angleze si gjuhë komunikimi universale botërore në mes vete. Zona e Koblencit është e njohur si vend me numër më të vogël të papunësuarve, ku është zhvilluar turizmi, vreshtaria si dhe artizanatet. Shkenca e komunikimit ndërkulturor daton nga vitet e 60-ta të shekullit XX në SHBA, tregtia është bazë e komunikimit ndërkulturor në nivel botëror. Shteti gjerman është i njohur si shtet social i cili i jep rëndësi të madhe mbrojtjes së të papunësuarve si dhe e ka të rregulluar në mënyrë shumë të mirë sigurimin shëndetësor, përkundër shtetit amerikan i cili para pak kohësh e ka aprovuar Ligjin mbi sigurimin shëndetësor të qytetarëve amerikan. Zejtaria është një degë shumë e rëndësishme e ekonomisë gjermane, në Gjermani janë të regjistruara 1 milion ndërmarrje zanatesh me 4.7 milion të punësuar. Tani për momentin në Gjermani është aktuale fushata për sensibilizimin e opinionit gjerman lidhur me rëndësinë e zejtarisë, e cila do të zgjas 5 vjet në të cilin do të investohen 50 milion euro. “ Në fillim Zoti krijoi qiejt dhe tokën, pastaj njeriun, i cili në etapa dhe kohë dalëngadalë ndërtoi, avancoi dhe zhvilloi botën dhe se tani jemi në gjendjen ku jemi ” ishte motoja e këtij sensibilizimi të opinionit publik gjerman. Pas përfundimit të seminarit iu nënshtruam edhe testit apo provimit, të cilin të gjithë pjesëmarrësit e kaluam me sukses dhe në përfundim të kësaj zonja Evelina ndau çertifikatat për përfundim të suksesshëm të seminarit. Në ora 17.00 u përshëndeta me të gjithë pjesëmarrësit e posaçërisht me “shoqërinë shqip shqip”gjegjësisht me Lindën, Mirën dhe Blertën, pasi që në ora 18.oo isha i ftuar nga zonja Evelina për të marrë pjesë në ceremonialin e dorëzimit të çertifikatave të 14 kandidatëve për kryerjen me sukses të seminarit të fotovoltaikës në Koblenc, të cilit atë ditë ishin nënshtruar provimit dhe se të gjithë e kishin kaluar me sukses mesatar, që me të vërtet ishte për të përshëndetur pasi që kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm gjatë tërë kohës së ndjekjes së tre moduleve dhe se nga ligjëruesi i tyre Kristian Synwold janë cilësuar si nxënës apo studentë të sjellshëm, të urtë, të ndërgjegjshëm. Nuk mund e të mos i cek edhe disa thënie apo aforizma nga Linda të cilët përveç tjerash lënë përshtypje të veçantë: ”Jepi, jepi se nuk e ke nga xhepi”, “Ma ke tullën si fushë aerodromi”, “Pamja e të trashit si thes byku”, “Ma ke gojën si çark miu”,”E ke belin si kavanoz reçeli”, “Flokët si gardh jevxhish”,”Vetullat si fitilë fërnele”. Çertifikatat i ndau personalisht kryetari i Dhomës Zejtare të Koblencit z. Baden, ndërsa kandidati Samir Ahmetaj u shpërblye edhe me një mirënjohje shtesë si kandidati më i suksesshëm i grupit apo maestro i seminarit të fotovoltaikës. Në ora 19.00 nga nikoqirët tonë gjerman u shtrua një darkë e përbashkët për të gjithë kandidatët.
Gjatë kohës sa qëndruam në Gjermani, e lexova edhe librin më të ri të sapo botuar të Shkëlzen Gashit për kolosin tonë të madh politik, intelektual, letrar, z.Adem Demaçi, me titull ”Adem Demaçi, biografi” në të cilin përveç tjerash do të ceki vetëm një detaj që meriton. Adem Demaçi gjersa ishte nxënës në shkollën filloren në Prishtinë, mësuesja e tij zonja Vezire (e cila akoma jeton në Tiranë), nxënësve para se të filloj mësimi iu kërkonte gjithmonë të këndojnë “Hymnin e Flamurit” si dhe këngën, vargjet e së cilës ishin:

“Po çka je o djalë i bardhë
besa, besë unë jam shqiptar
se Shqipëria më tha një fjalë
më ke nënë e të kam djalë”.

Ditën e mërkurë, me datë 14.04.2010 me autobus udhëtuam drejt qytetit Oberhausen, i cili ishte rreth 180 km nga Koblenci. Rrugës duke udhëtuar pamë shumë pejsazhe të bukura, me gjelbërime të shumta, arat e punuara, vreshtat nëpër kodrina,askund nuk mund të vërehej djerrinë, çdo skutë në Gjermani ishte i shfrytëzuar maksimalisht dhe aspak i lënë anash. Një karakteristikë tjetër qe e vërejta në Gjermani ishte se hardhitë e rrushit ishin vetëm nga një fije, ndërsa të tjera të krasitura, pasi që me të vërtetë rendimentet ishin më të ulëta por kualiteti i rrushit ishte shumë i lartë. Në ora 11.oo arritëm në kolegjin “Hans-Sachs” i cili ishte një shkollë profesionale për disa zeje si automekanik, autollamarinë, metalpërpunues, elektroinstalues, instalues i gasit dhe ujit si dhe energjia solare në të cilët nxënësit mësonin dhe ushtronin pjesën praktike të instalimit të energjisë solare për nxehjen e ujit. Në këtë kolegj mësimet i ndjekin 2500 nxënës me sistem dual shkollimi, në ndërmarrje dhe në kolegj, dhe se pas 3,5 vite të kaluara i nënshtrohen provimit teorik dhe praktik dhe se pas përfundimit me sukses marrin diplomën e çirakut.
Në Gjermani me të madh është duke u punuar në instalimin apo prodhimin e energjisë së ripërtërishme elektrike, me ç’rast sidomos në kodrina ishin instaluar me qindra mullinj me erë për prodhimin e energjisë elektrike. Nga njëra shtyllë e vendosur mund të prodhohet edhe gjer në 2-3 megavat rrymë elektrike, ato ndërronin varësisht prej madhësisë edhe kapacitetit të tyre ishte i shumëllojshëm. Kostoja e një shtylle ere të tillë prej 1mgwh është 1 milion euro. Sipas standardeve të bashkimit Evropian është paraparë që gjer më vitin 2020 nga energjia e gjithmbarshme elektrike 20% të energjisë elektrike të gjithëmbarshme të prodhohet nga burimet tjera që nuk e ndotin ambientin dhe nuk lirojnë CO2, dhe janë ekologjik. Pjesa më e rëndësishme në Gjermani për prodhimin e energjisë elektrike në saje të mullinjve të erës është pjesa veriore apo zona e Hamburgut në të cilin prodhohet 30—40% të energjisë së gjithmbarshme elektrike nga mullinj me erë pasi që në këtë zonë gjatë shumë ditëve të vitit ka erë të vazhdueshëm. Gjer tani në Gjermani është arritur kuota prej 18% të energjisë së përfituar elektrike nga burimet alternative apo energji e ripërtërishëm, dhe atë 5% nga hidro, 8% nga mullinj me erë, 3-4% nga biomasa dhe se vetëm 1% nga fotovoltaika (rrezet e dritës) e cila është në fazën fillestare të prodhimit të energjisë elektrike. Vizituam edhe një fabrikë për prodhimin e pajisjeve të fotovoltaikës, “BAUER” në të cilin në hyrje të saj ishte një reklamë e madhe në të cilin shkruante”Kulmi im fiton para” që asocijonte në atë që kolektorët që vendosen në kulmet e objekteve mund të sjellin para, saktësisht energjinë e elektrike të prodhuar mund të shitet distribucioneve shpërndarës me ç’rast edhe përfitohet paraja, gjë që ishte shkas për të dhënë titullin e këtij udhëpërshkrimi. Në Gjermani është rregulluar edhe me normativat ligjore në fuqi që të gjithë personat çoftë fizik apo juridik që prodhojnë energjinë elektrike nga burimet tjera alternative, e tërë energjia elektrike e përfituar automatikisht është e lidhur me distribucionin më të përafërt dhe se e tërë energjia elektrike e përfituar e ka edhe të garantuar plasimin apo shitjen e saj shpenzuesit të fundit. Të enjten, me 15.04.2010 vizituam qytetin e Frajburgut i cili gjendej 400 km larg Koblencit, udhëtimi ishte shumë i këndshëm dhe pa lodhje pasi që të nëpër të gjitha rrugët që udhëtuam në Gjermani ishin autostrada dhe se pa kurrfarë problemi udhëtohej minimum 100 km në orë me autobus e me vetura edhe gjer në 120-13o km në orë dhe se kalohej vetëm për 3-4 orë kjo distancë duke marr parasysh edhe ndalimet për pushime të shkurtra. Frajburgu gjendej në jug të Gjermanisë, vetëm gjysmë ore larg Zvicrës,koha dhe klima ishte më e butë dhe më e nxehtë përkundër viseve tjera gjermane,Frajburgu i kishte gjithsejtë 216.000 banorë, një e treta e popullatës në Frajburg si mjet udhëtimi i përdornin biçikletat e tyre, vizituam shumë pajisje të fotovoltaikës të vendosura në objektet e ndryshme, njëra prej të cilave ishte kazerma e dikurshme franceze e braktisur në vitin 1992 pas bashkimit të Gjermanisë dhe largimit të ushtarëve francez, e qe tani ishte shndërruar në zonë banimi në të cilin ishin vendosur sisteme të shumta solare dhe fotovoltaike. Të premten pasdite me 16.04.2010 udhëtuam drejt Majncit që ishte në një distancë prej 300 km dhe se ishte vendqëndrimi ynë i fundit në Gjermani. Pas akomodimit në hotelin Ibiz dolëm në mbrëmje në qytet për të vizituar këtë qytet të bukur. Majnci ishte kryeqyteti i krahinës gjermane Rajnhald-Pfalc në të cilin ishte vendosura administrata qeveritare e krahinës në fjalë. Majnci ishte një qytet jashtëzakonisht i bukur dhe prej të gjithë pesë qyteteve që vizituam, Arvajlerit, Koblencit, Oberhausenit, Frajburgut,më la përshtypje më së tepërmi. Majnci kishte gjithsejtë 250.000 banor dhe se ishte vetëm 30 km larg Frankfurtit, ishte i vendosur pran lumenjve Rajna dhe Majna, kishte një arkitekturë të jashtëzakonshme, i cili ishte i pasur edhe me një trashëgimi kulturore fetare të pasur që datonte nga shekujt e ndryshëm të mesjetës. Kishte përplot kisha si katolike ashtu edhe protestante si dhe shtëpitë e vjetra të stileve të ndryshme të ruajtura bukur mirë. Pas pesë ditëve të kaluara në Gjermani me ç’rast patëm rast të njoftohemi dhe të vizitojmë pesë qytete, dhe se për pesë ditë kaluam mbi 1500 km nëpër Gjermani, të shtunën në ora 10.30, saktësisht me datë 17.04.2010 e kishim të rezervuar kthimin me aeroplan nga Frankfurti nëpër Budapest për në Prishtinë. Në mbrëmje sapo morëm lajmin se për shkak të shpërthimit të vullkanit në Islandë dhe zgjerimit të hirit vullkanik në atmosferë, ishin mbyllur pothuajse të gjitha aeroportet në Evropë dhe se ishin ndaluar fluturimet e aeroplanëve. Ditën e shtunë udhëheqësi që na shoqëroi z.Matiasi, një gjerman i cili kishte diplomuar shkencat politike dhe kishte magjistruar në temën” Pavarësia e Kroacisë” dhe se ishte njohës i mirë i problematikës politike të Ballkanit apo të Evropës Juglindore, me të cilin patëm një bisedë të frytshme për rrjedhat aktuale politike, shoqërore, ekonomike si në Ballkan ashtu edhe në Gjermani, pasi që njihte nga pak gjuhën kroate dhe se ishim në gjendje të komunikonim drejtpërsëdrejti, ai bëri çmos dhe arriti për të aranzhuar një autobus për të u kthyer neve në Kosovë, pasi që e vetmja alternativë ishte për t’u kthyer nëpërmjet Italisë, pasi që nëpërmjet Kroacisë dhe Serbisë nuk kishte fare gjasa, për shkak të vizës në Kroaci dhe mosnjohjes së pasaportave kosovare nga Serbia. Pas të gjitha përgatitjeve dhe kompletimit të grupit në ora 16.00 ditë e shtune u nisëm me autobus nga Majnci i Gjermanisë. Kaluam nëpër Frankfurt pasi që ishte shumë afër Majncit, Frankfurti ishte i njohur edhe me emrin Frankfurti mbi Majnin, pasi që nëpërmjet tij kalon lumi i madh Majn. Frankurti ishte një metropol i madh me shumë ndërtesa dhe objekte të larta, grandioze, me plot gjallëri dhe dinamikë të paparë, vazhduam rrugën drejt Munihut, Austrinë e kaluam natën, ashtu që në Itali arrimë në agun e mëngjesit të së dielës. E përshkruam Italinë për së gjati rreth 1000 km nga veriu për në jug, me ç’rast arrimë në ora 17.oo në portin e Barit të Italisë, pasi që u pajisëm me bileta për trajekt, në ora 20.oo. hipëm në trajekt i cili udhëtonte nga ora 23.oo për në portin e Durrësit. Para se të hynim në trajekt një befasi e këndshme na ndodhi, pasi që aty e takuam edhe kryetarin e qytetit tonë të Prizrenit zotëri Ramadan Mujën, i cili ishte duke u kthyer nga një takim në Hamburg të organizuar nga GTZ-ja, me një delegacion, dhe se edhe ai ishte bllokuar për shkak të ndalimit të fluturimeve të aeroplanëve. Pasi që u përshëndetëm me kryetarin, vazhduam rrugën me trajekt me të cilin arrimë në ora 8.oo të mëngjesit në portin e Durrësit në Shqipëri. Rruga e gjatë e udhëtimit nëpër detin Adriatik me trajekt e cila zgjati plot 10 orë kaloi në çastet e bukura me shakatë dhe barsoletat e Osmanit, i cili me të vërtet ishte njeri i veçantë me karakter human e njerëzor , mbi të gjitha një intelektual i rrallë, që të bënte të harrosh dhe të këndellesh, nga një udhëtim i stërzgjatur i kthimit në Kosovë.
Edhe pse ishte autobusi enkas i rezervuar dhe i paguar vetëm për neve, rrugës vozitësit i morën edhe 15 udhëtar tjerë, krahas neve që ishim , kësaj i thonë punë shqiptarie për të përfituar pa masë, e që është larg çdo standardi evropian në të cilin synojmë të arrijmë.
Nga Durrësi u nisëm në ora 9.oo dhe se nëpërmjet Maqedonisë, pas një itinerari të gjatë udhëtimi prej 53 orësh më në fund arritëm në Prizren në ora 21.oo, ditë e hënë, datë 19.04.2010.
Do e përfundojë këtë udhëpërshkrim të gjatë me një thënie profetike të profetit tonë të dashur Muhamed: ”kërkoni dijen kudo çoftë, çoftë edhe në Kinë”, porse gjithherë duke pasur kujdes që të ruajmë vlerat tona gjuhësore, kulturore, kombëtare fetare që i posedojmë si popull shqiptar.

Autor: Faik Miftari