Author: faik
•10:24 e pasdites
Edhe gjatë këtyre ditëve, është duke vazhduar revolucioni demokratik arab anembanë botës arabe. Revolucioni demokratik arab i cili nisi së pari në Tunizi, vazhdoi në Egjipt, është duke u zhvilluar në Libi, e njëkohësisht edhe në Jemen, Bahrein, Algjeri, Marok me tendencë zgjerimi në tërë botën arabe. Pas revolucionit demokratik të vitit 1989, në Evropën Juglindore, pas shembjes së murit të Berlinit, pas së cilës një nga një binin diktatorët dhe diktaturat komuniste që sunduan për afro gjysmë shekulli, është pritur se kjo valë e revolucioneve demokratike do të përhapej edhe në anët tjera të globit, e sidomos në botën arabe ku me dorë të hekurt është sunduar me shtetet e botës arabe në një periudhë kohore 20, 30, 40, 50 vjeçare nga diktatorët e ndryshëm arab, pas çlirimit të tyre nga sistemi kolonialist. Lirisht mund të quhet ky revolucion i vonuar demokratik arab, edhe pse është pritur më herët të ndodh, por për shkak të rrethanave të caktuara politike në arenën ndërkombëtare, e që i konvenonte edhe faktorëve politik vendimmarrës botëror, kjo u vonua plot një dekadë. Me rritjen dhe zhvillimin e hovshëm dhe forcimin e dy shteteve me rëndësi dhe me ndikim të rëndësishëm në Lindjen e afërt dhe të mesme Turqisë dhe Iranit, si dhe ndikimit dhe rolit të rëndësishëm të magnatit medial në botën arabo-islame El Xhezirës e cila është një dritare e hapur e cila gradualisht dhe me kohë i ka çarë dalëngadalë cenzurat që kanë qenë prezentë në mediat në botën arabe, e njashtu rol të rëndësishëm nëpërmjet internetit kanë luajtur rrjetet sociale sikurse ishin Facebooku dhe Twiteri. Lirisht mund të thuhet se El Xhezira për botën arabe është tani, sikurse që janë CNN dhe BBC për botën anglo-amerikane.
Pas zgjedhjeve të mbajtura demokratike në vitin 1992 në një shtet arab siç ishte Algjeria, me ç’rast FIS-i(Fronti Islamik i Shpëtimit) i fitoi zgjedhjet, me miratimin e heshtur edhe të faktorit ndërkombëtar(Francës), u bë grushtet dhe nuk u lejua të zbatohet vullneti i popullit, por u nëpërkëmb, pas së cilës pasoi një gjakderdhje e llahtarshme vite me rrallë. E duke marrë parasysh se në vitin 1979 me revolucion islamik në Iran u përmbys diktatura e shah Riza Pahllavit, u bë e ditur se nuk mund të përmbysen diktatorët dhe diktaturat arabe me zgjedhje të lira demokratike, porse mbetet e vetmja mënyrë me organizimin e revolucioneve demokratike, duke u bë kurban me jetë për arritjen e qëllimeve fisnike për të jetuar i lirë dhe për të zgjedhur dhe votuar sikurse që votohet dhe zgjidhet në vendet me traditë të organizimit dhe zhvillimit demokratik. Kur ditën e xhumasë, pas faljes së namazit të xhumasë, u tubuan rreth 4 milion në sheshin Tahrir në Kajro, dhe rreth 10 milion protestues në mbarë Egjiptin, kanë qenë në pyetje vetëm ditët se kur do të dorëzohet dhe largohet kryetari egjiptian Hysni Mubaraku i cili udhëhoqi plot 30 vjet dhe me gjendje të shpallur të jashtëzakonshme që nga vitin 1981 e gjer tani. Pas rrëzimit të pushtetit në Egjipt ka qenë e ditur se kjo do të ketë efekt domino në tërë botën arabe, pasi që Egjipti e mban bajrakun apo e ka rolin udhëheqës në botën arabe prej 22 shteteve.
Tani, në botën islame, nga afro 60 shtete, nga 193 shtete ekzistuese, apo të shtrirjes së tyre në tre kontinente, Evropë, Azi dhe Afrikë, të cilët përbëjnë ¼ e popullsisë së gjithmbarshme botërore, merreth 1,5 miliard banor, janë 3 qendra apo shtete të rëndësishme të cilën kanë rolin kyç dhe lirisht mund të thuhen janë avangardë të botës islame, dhe kanë ndikim në proceset dhe konceptet politike, strategjike, ekonomike, ushtarake, kulturore rajonale dhe kontinentale. E para, është Turqia, ( si trashëgimtare e Perandorisë Osmane), e cila ka ndikim të rëndësishëm si në Ballkan, Kavkaz, në Lindjen e Afërt, Lindjen e Mesme( ish shtetet turko-myslimane të ish Bashkimit Sovjetik) si dhe në përgjithësi në botën Islame. Forcimi dhe zhvillimi i saj demokratik, ekonomik, politik, ushtarak e kanë shndërruar atë në një shtet e cila tani e tutje do të ketë ndikim të rëndësishëm në proceset nëpër të cilën do të zhvillohen në rajon dhe botë. I dyti është Irani, ( si trashëgues i Perandorisë Persiane), i cili pas ngadhënjimit të revolucionit islamik të vitit 1979 dhe përfundimit të luftës irako-iraniane në vitin 1988, është një shtet në rritje dhe me zhvillim të hovshëm ekonomik, politik, ushtarak, kulturor, shkencor, dhe si i tillë medoemos ka ndikim në proceset që janë duke u zhvilluar në rajon e në botë, e sidomos mbi myslimanët shiit anekënd botës islame, e posaçërisht në Irak, Siri, Liban, Bahrein, Jemen etj. Krahas Turqisë, edhe në Iran, edhe pse nuk mund të themi se është një sistem i përkryer demokratik, rregullisht organizohen dhe zhvillohen zgjedhjet e lira demokratike për parlamentin dhe kryetarin e Iranit, në të cilën kryetari i njëjtë mund të zgjidhet në vetëm dy mandate dhe se vetëm lideri i saj shpirtëror ajatollah Hamnei e ka mandatin të përjetshëm, sikurse papa i Vatikanit për katolikët, dhe si i tillë ka ndikim parësor në hierarkinë shiite myslimane. I treti është Egjipti( si trashëgues i Perandorisë Arabe) i cili ka ndikim dhe rol kyç në botën arabe, dhe se çfarëdo që ndodh në te, apriori reflektohet në tërë botën arabe. Poashtu nga Egjipti është edhe shejhul islam Jusuf Kardawi, i cili për shkak presionit nga pushteti u detyrua të braktis Egjiptin dhe të vendoset në Katar, dhe i cili ka ndikim të madh në botën myslimane sunite. Lirisht mund të thuhet se fjala apo fetvaja e tij çon peshë në botën islame sunite, njashtu sikurse fjala apo fetvaja e ajatollah Hamneit që çonë peshë në botën myslimane shiite.
Sido që të jetë dhe pavarësisht sa do të zgjat kjo pranverë e hershme e zhvillimeve apo revolucioneve të vonuara demokratike arabe, kjo do të sjell medoemos risi dhe ndërrime të mëdha në sistemet aktuale politike arabe. Tani e tutje, medoemos dhe pashmangshëm do të organizohen varësisht prej periudhës kohore, zgjedhjet e lira demokratike në të cilën me votën e lirë qytetarët apo shtetasit arab do të vendosin për subjektet politike të caktuara që do të trashëgojnë pushtetet diktatoriale arabe. Pa marr parasysh se cili do subjekt politik që do të fitojë i majtë apo i djathtë, liberal apo radikal, social apo kapital, laik apo islam, një është e ditur se cilido subjekt politik që do të fitojë, mund të fitojë 20, 30, 40, 50, apo 60% të votave të elektoratit të gjithmbarshëm, por assesi nuk do të mund të fitojë 90% të votave si ka qenë praktikë e gjertanishme në botën arabe, për zgjedhjen e kryetarit apo të qeverisë, dhe se të tillë po nuk treguan sukses gjatë një mandati, do të humbin medoemos në mandatin tjetër pa marr parasysh cilido subjekt apo parti politike çoftë ajo, me orientim të majtë apo të djathtë, liberal apo radikal, laik apo islam. Kjo do të ishte një shtytje përpara i cili do të avancon proceset demokratike në botë, pasi që do të vijnë në shprehje në garë të barabartë politike spektrat e ndryshëm politik me këndvështrime të ndryshme politike të cilët me kalimin e kohës do të sistematizohen dhe ambientohen si të tillë në botën arabe.
Në përfundim të kësaj qasjeje aktuale dua të konkludojë se sikur Perëndimi ashtu edhe Lindja nuk duhet të frikohen dhe të marrin me skepticizëm revolucionin e vonuar demokratik arab, dhe se pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike që do të mbahen, edhe pse nga praktika e gjer tanishme në pushtet mund të vijnë subjektet politike të ashtuquajtura proislame sikurse që ka ndodh në Turqi, Iran, Algjeri, Gazë, por duhet të respektojnë dhe të pranojnë dëshirën e votuesit arab i cili i zgjedh në mënyrë demokratike përfaqësuesit e vet legjitim dhe legal, dhe se ata do të duan një bashkëpunim si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen, tani e tutje, si partner të barabartë e jo si vazal të gjertanishëm. Këtu është esenca apo thelbi i problemit. A do të arrijë bota arabe që me këtë revolucion demokratik arab të shkëputet nga modelet e ndryshme diktatoriale që ishin servil ndaj Perëndimit apo Lindjes, dhe në mënyrë autoktone të qeverisin me popujt e tyre dhe me shtetet e tyre, pa marr parasysh se cili spektër politik del fitues, dhe të jenë partner të barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin, duke marrë për bazë vlerat e mirëfillta demokratike, pritet të shohim gjatë periudhës në vijim.

27.02.2011
Faik MIFTARI