Author: faik
•11:15 e pasdites
I nderuari kryetar!
E nderuara kryesi!
Të nderuar këshilltarë!
Sot, me datë 10 qershor 2008, ne përfaqësuesit e zgjedhur të komunës së Prizrenit, jemi tubuar në këtë seancë solemne të Kuvendit të Komunës, për të shënuar 10 qershorin - ditën e Lidhjes së Prizrenit si dhe 12 qershorin - ditën e Çlirimit të Prizrenit. Njashtu si sot, në këtë ditë, para 130 vjetësh, me 10 qershor 1878, pikërisht këtu në Prizren, në xhaminë e Bajraklisë, janë tubuar përfaqësuesit autoritativ të popullit për të mbajtur Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, mu në prag të mbajtjes së Kongresit të Berlinit me 13 qershor 1878.Lidhja e Prizrenit(1878-1881) ishte ngjarje e rëndësishme për popullin shqiptar dhe të tjerë. Rëndësia e madhe historike e Lidhjes së Prizrenit shtrihet jo vetëm në të gjitha trojet shqiptare, por edhe më gjerë në Ballkan. Lidhja e Prizrenit e zgjoi, e zhvilloi dhe e përparoi vetëdijen kombëtare shqiptare. Lidhja e Prizrenit e ngriti për herë të parë çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Trajtimi i drejtë i Lidhjes së Prizrenit përmban njohjen e kushteve dhe marrëdhënieve politike, shoqërore, kulturore e fetare në kohën e mbajtjes së saj. Për të njohur Lidhjen e Prizrenit apo me emrin e saj origjinal “Prizren Ittifaki” duhet prezantuar dhe njohur anën e vërtet të saj. Ndikimi i sistemit monist gjysmë shekullor dhe i mendësisë së shkollës sllavo-ortodokse e kanë pamundësuar njohurit nga burimet arkivore të Londrës, Stambollit e Vjenës rreth Lidhjes së Prizrenit. Sa për ilustrim do të ceki vetëm dy nga 16 pikat e Kararnames së Lidhjes së Prizrenit të aprovuar me 18 qershor 1878 dhe të firmosur nga 47 delegat të pranishëm në Kuvend:
1. "Lidhja jonë është formuar me qëllim që të mos njoh asnjë qeveri tjetër, përveç Perandorisë Osmane, dhe të mbrojë integritetin tokësor të saj me të gjitha mjetet".
6. "Ne nuk do të njohim në asnjë mënyrë Bullgarinë dhe as duam t’ia dëgjojmë emrin, edhe Serbia në rast se nuk i dorëzon tokat më të mira që na ka marrë, do të dërgojmë kundër saj një fuqi dhe t’ia marrim me pushkë. Edhe kundër Malit të Zi do të veprojmë në të njëjtën mënyrë".
Jakob Landau, historiani anglez e klasifikoi Lidhjen si një organizatë e nxitur indirekt nga vetë sulltan Abdylhamidi i dytë për të mobilizuar popullsinë që të mbrohet nga pushtimi i fqijve sllavo-grek. Historiani tjetër anglez Noel Malkolmi në librin e e vet”Kosovo a short history” cek se Lëvizja është më shumë një lëvizje fetare sesa sekulare, dhe se udhëhiqet nga myftilerë, ulematë dhe kaditë, dhe se Porta e Lartë dhe Lidhja e Prizrenit janë në njëmendje, dhe se punojnë për të arritur një qëllim të përbashkët, mbrojtjen e provincës”. Në telegramin dërguar ambasadorëve të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Austrohungarisë me 12maj 1878, i cili telegram ruhet në Muzeumin Britanik të Londrës, nga banorët e Prizrenit, përveç tjerash shkruan:” ne nuk do të nënshtrohemi administratës serbe dhe bullgare, ne nuk njohim asnjë qeveri tjetër, përveç asaj osmane, dhe jemi të gatshëm për çdo flijim, çoftë edhe të vdesim, për të mbrojtur të drejtën tonë të pacenueshme”. Poeti i madh shqiptar,njëkohësisht edhe prifti katolik At Gjergj Fishta, në Lahutën e Malësisë përshkruan Sulltanin, Stambollin dhe Perandorinë Osmane, në atë periudhë të vështirë për shqiptarët dhe trojet e tyre etnike, si i vetmi shpëtimtar dhe si një faktor bashkimi kombëtar përball rrezikut të fqinjëve serbo-malazez. Historianët shqiptar Xhafer Belegu e Eqrem bej Vlora në shkrimet e tyre theksojnë se qeveria qendrore në Stamboll jo vetëm që u tregua dashamirëse ndaj idesë, por mori pjesë aktive në themelimin e Lidhjes në Prizren,dhe ju urdhëroi komandantëve ushtarakë në Shqipëri që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes. Ali Pashë Gusia për mbrojtjen me sukses të Plavës dhe Gusisë nga sulmet malazeze, personalisht u shpërblye me çifliçe në rrethinën e Shkupit nga ana e vet Sulltanit dhe se gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit ishte jo më pak se tetë herë në audiencë te sulltan Abdylhamidi i dytë në Stamboll.Në këtë vit jubilar të shënimit të 130 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit , jemi të privilegjuar të shënojmë dhe të festojmë për herë të parë këtë jubile në shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, dhe se me 12qershor do të festojmë edhe ditën e çlirimit të Prizrenit dhe Kosovës nga Serbia, falë luftës së UÇK-së në bashkëveprim dhe bashkëkordinim të plotë me Aleancën Veriatlantike të NATO-së, për të cilën akademiku ynë i nderuar Rexhep Qosja pat thënë:” Ndërhyrja e NATO-së ishte dhurata e Zotit, e dhuruar, ndoshta si shfajësim i fuqive të mëdha, për të gjitha cenimet që na janë bërë me pajtimin e tyre gjatë historisë së re”.
Në fund më lejoni të përmbylli këtë fjalë përshëndetëse, duke ju uruar të gjithëve suksese në punë dhe jetë të gjatë që të përjetoni edhe jubile tjera të shumta, me thënien e shkrimtarit dhe diplomatit të shquar Faik bej Konica: “ Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës”
Ju falënderoj për vëmendje!
10.06.2008
Faik MIFTARI
Author: faik
•10:50 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht më 23 Maj 2008 Kuvendi i Kosovës në seancën e radhës e miratoi Ligjin për festat zyrtare në Kosovë. Në rrjedhat normale të demokracisë parlamentare , Parlamenti është organ i cili përfaqëson popullin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur të cilët i përfaqësojnë interesat legjitime të atyre që i zgjedhin. Por, në Kuvendin e Kosovës, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit (deputetët) pas presioneve jashtëzakonisht të fuqishme nga qeveria Thaqi dhe faktori ndërkombëtar nëpërkëmbën interesat e popullit, për hir të zbatimit të urdhrave të qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar.Ligji i aprovuar për festat zyrtare në Kosovë parasheh 21 festa shtetërore në Kosovë. Me të vërtet kjo me siguri ka për të hyre në librin e rekordeve botërore të Ginisit. Nuk kam njohuri se a ekziston në ndonjë shtet në Evropë apo edhe në botë me aq festa zyrtare në nivel shtetëror. Edhe pse gjithmonë duke u thirrur në planin gjithëpërfshirës të Ahtisarit, me sa dijë aty nuk ceket as numri e as cilat festa duhet shënuar në Kosovë.1 dhe 2 janari Festa e Vitit te Ri, në shumicën e shteteve festohet vetëm 1 ditë, e te ne në Kosovë 2 ditë, 17 shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës, është festë normale dhe e zakonshme për të shënuar ditën në të cilin u proklamua pavarësia e Kosovës. Dita e Kushtetutës si festë është e tepërt, pasi që Kushtetuta mundet të ndërrohet apo të amandamentohet dhe se prapë duhet ndryshuar ditën e Kushtetutës, dita e aprovimit të Kushtetutës mund të shënohet por nuk domethënë edhe të festohet. 9 Maji Dita e Evropës, kjo nuk duhet të jetë festë shtetërore, por mund të shënohet, e pas hyrjes së Kosovës në Bashkimin Evropian, atëherë medoemos do të jetë zyrtare edhe në Kosovë, ajo ditë që shënohet si festë shtetërore në nivel evropian, gjegjësisht ne 27 shtetet e sotshme që e përbejnë këtë Bashkësi Evropiane.1 Maji- Dita e punëtorëve, në shumicën e shteteve në botë nuk është festë shtetërore, por shënohet si dita e punëtorëve, po kjo edhe mund të nënkuptohet disi si trashëgimi nga e kaluar komuniste ku me pompozitet më të madh shenohej si ditë e punëtorëve me refrenin e njohur”Maji i kuq, çlirimtar, festë punëtori e bashkimit të popullit mbarë”.Festa e Bajramit të Madh dhe të Vogël, është një gabim trashanik në emërtim nga propozuesi në fjalë, gjegjësisht qeveria Thaqi, Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël përdoret në gjuhën e popullit, por në Ligjin e aprovuar në fjalë duhet të qëndrojë Festa e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, në rast se nuk e kanë ditur, nuk e kanë pas larg të konsultohen me myftiun e Kosovës apo kryeimamin e Kosovës, por ja që ata fare nuk konsultohen as në aspektin profesional teologjik e lere më për diç tjetër më të rëndësishme.Është normale dhe e logjikshme që Festa e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit të shënohen si festa shtetërore pasi që pjesa absolute e popullit shqiptar të Kosovës e festojnë, e njëkohësisht krahas tyre e festojnë edhe komuniteti boshnjak, turk e rom. Por është absurde dhe pa sens, që festat fetare të 2 % katolikëve në Kosovë, apo 5% të ortodokseve në Kosovë, të festojnë edhe 95% të myslimanëve në Kosovë. Është e drejtë e plotë e tyre, si të katolikëve ashtu edhe të ortodokseve, të festojnë Pashkët dhe Krishtlindjet e tyre, por jo edhe të imponohet me Ligj që edhe këtë të festojnë pjesa dërmuese 95% myslimane në Kosovë. Poashtu nuk duhet imponuar edhe katolikëve dhe ortodoksëve të festojnë Fitër Bajramin apo Kurban Bajramin. Kulminacioni i festave zyrtare në Kosovë ishte mos propozimi apo mos futja e shënimit si festë shtetërore në Kosovë të 28 Nëntorit- Dita e Flamurit, 12 Qershori-Dita e Çlirimit dhe 6 Marsi- Dita e Dëshmorëve. Por pas presionit të madh nga ana e grupeve parlamentare, u bë edhe një kompromis edhe më i dhimbshëm, që këto të shënohen si ditë zyrtare, por me emërtime të tjera që bien ndesh me logjikën e shëndosh njerëzore dhe një goditje për popullin shqiptar të Kosovës. Është aprovuar që 28 Nëntori të festohej si ditë e shqiptarëve, 6 Marsi si Ditë e Përkujtimit dhe Respektit për Veteranët si dhe 12 Qershori si Ditë e Paqes. Më mirë do të ishte fare të mos miratohen nga ana e deputetëve të Kosovës, me arsyen e mos lejimit nga ana e faktorit ndërkombëtar se sa të mjegullohen në trurin e shqiptarëve këto data të rëndësishme historike për popullin shqiptar të Kosovës. Krahas kësaj janë futur si festa zyrtare në nivel shtetëror edhe të komuniteteve në Kosovë,që nuk ka ndodhur askund tjetër ë botë, që është lloj i presedanit të veçantë. Komunitetit serb,bile bile i është lejuar të shënohen 2 ditë, dhe nuk është çudi që nesër ta festojmë Vidovdanin apo Sveti Saven apo 28 marsin. Vallë, duke u thirrur gjithmonë në planin gjithëpërfshirës të Ahtisarit, do të duhej që prej faktorit vendimmarrës ndërkombëtar të marrim leje se sa herë në javë,apo edhe në cilët ditët e javës, duhet të bëjmë edhe seks.

28.5.2008
Faik MIFTARI