Author: Visal
•9:26 e paradites
Sa më shumë që kalojnë ditët, aq më neveritshëm dhe më i çuditshëm bëhet Ekipi i Unitetit. Ekipi i Unitetit që nga themelimi i tij, para 2 vitesh, gjatë tërë kohës tregoi papjekuri dhe diletantizëm politik, me punën apo më mirë të themi jo punën e tij, arriti në një qorrsokak prej nga s’ka ku t’ia mbajë dhe se vet nuk di si të veprojë më tutje. Pas atyre fjalëve boshe dhe premtimeve të mëdha dhënë popullit të Kosovës, se pavarësia e Kosovës, është akti i kryer, dhe se pritet vetëm momenti i njohjes formale të saj, të gjitha afatet kohore të dhëna janë tejkaluar dhe se tani nuk ka më afat kohor se kur do të vijë ajo ditë, shumë e premtuar, shumë e bekuar, shumë e përfolur nga na e tyre për popullin shumë të përvuajtur të Kosovës. Ekipi i Unitetit tani mbet me gishta në gojë, pa fjalë, pa koment, pa ide për punën e mëtejmë. Në vend se të dalë para popullit Ekipi i Unitetit dhe të kërkojë falje dhe të jap dorëheqje momentale si një akt moral duke i thënë popullit se gjatë gjithë kësaj kohe ne vetëm ju kemi premtuar boshë, pasi që zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës nuk është në kompetencat tona, por në duart e faktorëve vendimmarrës botëror, ata edhe më tutje gjejnë mbështetje tek Kuvendi i Kosovës i cili ia vazhdon mandatin e tyre të mëtejmë për të vazhduar me agoninë e tyre drejt humnerës.
Pas vendimit të Bashkësisë Evropiane dhe SHBA-ve që të vazhdojnë bisedimet edhe për 120 ditë ne relacion Prishtinë- Beograd me shpresë të gjetjes së pajtueshmërisë së dyanshme, edhe pse kjo pajtueshmëri nuk u gjind as pas plot 18 muajsh bisedime në Vjenë. Edhe projektrezoluta e tretë e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga SHBA-ja dhe vendet evropiane prapë hasi në kundërshtim dhe refuzim të plotë nga ana e Rusisë. Tani, në këtë kohë, i tërë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar është përqendruar në takimin e paraparë Bush-Putin që do të mbahet me 1 dhe 2 korrik në SHBA-ës me shpresë se aty do të gjendet një kompromis i mundshëm për zgjidhjen e çështjes së statusit politik të Kosovës. Bashkësia Evropiane nga njëra anë e mbështet propozimin e Ahtisarit, ndërsa në anën tjetër bënë thirrje që të dy palëve për negociata të reja. Ashiqare shihet se iu nënshtrua kërkesës ruso-serbe për vazhdimin e negociatave të reja në relacionin Beograd-Prishtinë dhe të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të 2 palët, me të vetmin ndryshim që u përcaktua afati kohor prej 4 muajsh, për dallim nga afati i papërcaktuar kohor që ishte kërkuar nga pala ruso-serbe. Pas kësaj fshehët plani ruso-serb për bisedat e mëtutjeshme i cili do të sjell përfundimisht ndarjen e Kosovës në vija ndarëse apo në krijimin e dy entiteteve të barabarta në Kosovë, atij shqiptar dhe serb, sikurse në rastin e Bosnjës e Hercegovinës, e në fazën e mëvonshme të bashkimit të saj me Serbinë.
Pasi që bashkësia ndërkombëtare insiston dhe imponon që të rinisin negociata të reja, atëherë jo Ekipi i Unitetit sepse as që mundet dhe as që ka forcë për te, por forca tjera progresive atdhetare duhet të rinisin idenë dhe të bëjnë trysni në faktorin vendimmarrës botëror, në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, që të thirret një konferencë e re të tipit të Berlinit, Londrës, Parisit, në Vjenë si shembull apo diku tjetër, në të cilin do të marrin pjesë shtetet e Grupit të Kontaktit(SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Gjermania dhe Italia), si dhe shtetet ballkanike duke u nisur që nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Turqia dhe Greqia. Në këtë konferencë do të duhej bëhej ri kompozimi dhe ri përcaktimi i kufijve të shteteve të Ballkanit, me ç’rast përherë do të zgjidhej çështja e pazgjidhur shqiptare, boshnjake, serbe dhe kroate, në pajtueshmëri të plotë, pasi që nga përvoja është treguar se shtetet etnike(nacionale) janë treguar shumë më të qëndrueshme si p.sh,Greqia, Sllovenia, Kroacia, kundruall shteteve tjera ballkanike të porsakrijuara multietnike(multinacionale) siç insistohej në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë e Maqedoni.
Pasi që ka shumë ide dhe kërkesa si nga Serbia, Kroacia, Maqedonia, dhe nga faktorët relevant ndërkombëtar që me marrëveshje dhe pa dhunë të bëhet ridefinimi i kufijve të Ballkanit, atëherë pse vetëm ne shqiptarët të strukemi e të mos insistojmë dhe të ngulim këmbë në drejtën tonë të bashkimit të trojeve tona si në Male të Zi, Luginë të Preshevës, Maqedoni, Kosovë me shtetin amë Shqipëri që është edhe dëshira e vetme përfundimtare e tërë kombit shqiptar në përgjithësi për një shtet, një komb, një flamur.


25.06.2007

Faik MIFTARI


Author: Visal
•4:25 e pasdites
Me rastin e 129 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Kryesie e Bashkësisë Islame të Kosovës organizoi në Prizren me 12 qershor 2007 në sallën e Vakëfit të Prizrenit Tryezën shkencore me titull”Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në raport me realitetin shqiptar sot”. Në këtë sesion morën pjesë hulumtues shkencor nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, janë paraqitur gjithsejtë 20 kumtesa ndërsa u lexuan 17 kumtesa në sesion.
U mbajtën 2 seanca, seanca e paradites të cilin e udhëhoqi kryesia e punës në përbërje:dr.Gazmend Shpuza, ak.Jashar Rexhepagiqi dhe dr.Muhamed Mufaku dhe seanca e pas ditës të cilën e udhëhoqi kryesia e punës në përbërje:dr.Muhamed Piraku, dr.Jusuf Osmani dhe Mr.Qemajl Morina.
Myftiu i Kosovës Mr.Naim efendi Tërnava në fjalën e tij përshëndetëse përveç tjerash ceku “për nder të 129 vjetorit të LSHP e organizuam këtë tryezë për të shënuar përvjetorin e saj dhe për të përkujtuar rolin dhe rëndësinë e saj në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit shqiptar”.
Kumtesën e parë e paraqiti dr.Pajazit Nushi nga Prishtina me titull”Lidhja Shqiptare e Prizrenit pas 129 vjetëve” ku përveç tjerash ceku” edhe pas 129 vjetëve nga mbajtja e LSHP-it çështja shqiptare hyri në shekullin XXI si çështje ende e pazgjidhur. Shqiptarët e viseve jashtë Shqipërisë janë dënuar dhe persekutuar vazhdimisht për programin e LSHP-it. Shënimi i 90 vjetorit të LSHP-it bëri jehonë të madhe dhe solli inspirim edhe për demonstratat e vitit 1968 në Kosovës, ndërsa shënimi i 100 vjetorit të LSHP-it u me manifestime të shumta në Tiranë dhe Prishtinë bëri jehonë edhe më të madhe dhe se vetëm pas 3 vitesh rinia studentore e Kosovës u çua në demonstrata masive me kërkesën për Kosovën Republikë”, dhe se akoma pas 129 vitesh vazhdon ideja e LSHP-it”. Kumtesën e dytë e prezantoi .dr.Gazmend Shpuza nga Tirana me titull”Përmasat historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” ku përveç tjerash ceku”delegatët u mblodhën në Prizren ku miratuan edhe programin apo dokumentin bazë të LSHP-it. Themeluesit e saj që të gjithë nga Kosova janë zhveshur nga efekti historik, në kundërshtime me realitetin në fjalë dhe me mjaft paragjykime përfaqësuesit e saj kosovar edhe sot e kësaj dite janë të mënjanuar dhe lënë anash”. Akademik Jashar Rexhepagiqi nga Prishtina në kumtesën e vet me titull”Vlerat pedagogjike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” ceku”rëndësinë e LSHP-it në zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe shkollave shqipe në trojet shqiptare. Hapja e shkollave shqipe, përpilimi i librave shkollor sikur abetarja, libër lexime e pjesë të ndryshme të njohuri natyre zë fill pas LSHP-it. LSHP-it insistonte që nëpunësit duhet të njohin gjuhën shqipe, gjuhën të cilin shumica e popullatës vendase e flasin, në shkolla të mësohej edhe gjuha shqipe dhe të japin mësim mësuesit dhe pedagogët më të rëndësishëm të asaj kohe”.dr. Muhamed Mufaku nga Amani në kumtesën e tij me titull” Figura e Ismajl Qemajlit në shtypin egjiptian si simbol i lëvizjes kombëtare shqiptare 1878-1912” ceku përveç tjerash” në shtypin arab(egjiptian) vetëm pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bë e njohur çështja shqiptare dhe populli shqiptar dhe se figura më e çmuar në formimin e shtetit shqiptar Ismaj Qemajl be Vlora i cili edhe e vizitoi dy herë Egjiptin. Në seancën e para ditës kumtesat e veta i paraqitën edhe dr.Masar Rizvanolli”Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika serbe ndaj saj”, dr.VehbiXhemajli”Kontributi i tetovarëve në Lidhjen e Prizrenit”, Nehat Krasniqi” Të dhëna të reja dhe dilema për haxhi Ymer Prizrenin”, dr.Hysen Matoshi”Karakteri antishqiptar i Republikës së Mirditës”, dr.Iljaz Rexha”Kërkesa e popullit shqiptar për autonomi acaroi marrëdhanjet me portën e lartë”, si dhe akademik Enver Gjerqeku me kumtesën”Sonetet kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
Në seancën e pasdites kumtesën e parë e prezantoi dr.Muhamed Piraku nga Prishtina me titull”Roli i Myderriz efendi Podgoricës në afirmimin e çështjes shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Pas këtij kumtesën e prezantoi Mexhid Yvejsi nga Gjakova me titull”Roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit(1878- 1881)” ku përveç tjerash theksoi”LSHP- it e çoj, e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ulematë shqiptare, jo vetëm që nuk janë përfillur, por janë përbuzur, janë nënçmuar, madje edhe janë akuzuar si “turkoshak,turkofil, turkoman, sulltanistë”edhe me emra tjerë edhe më të pistë. E vërteta është se, ulematë shqiptare ishin mendja, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ulematë shqiptarë filluan përgatitjet për themelimin e një lëvizje politike-ushtarake, që në muajin mars të vitit 1878. Kuvendi themelues, Kuvendi i përgjithshëm i LSHP-it u organizua prej ulemave. Të gjitha komitetet e Lidhjes, apo degët e saj, që ishin themeluar në të gjitha qytetet shqiptare, ishin organizuar prej ulemave, prej Gjakovës deri në Shkodër, nga Prishtina deri në Dibër,që u përhapën me të shpejtë edhe në Shqipërinë e jugut, gjer në Janinë. Dega e Gjakovës përfaqësohej prej kadiut Ahmet efendi Korenica, myftiut të Gjakovës Ismail efendi Yvejsi, myderriz Hasan efendi Shlaku, dega e Shkodrës kryesohej nga myderriz Daut efendi Boriqi dhe i mbështetir nga myftiu i Shkodrës Jusuf efendi Tabaku, dega e Ulqinit në kryesi kishte Hafiz Salih Hylja dhe hafiz Tamizin, dega e Pejës përfaqësohej nga myderriz Haxhi Zeka, dega e Prizrenit kryesohej nga myderriz Ymer efendi Prizreni, dega e Mitrovicës nga myderriz Osman efendiu dhe myderriz Ali efendiu, dega e Prishtinës përfaqësohej nga myftiu Zejnel Abedini, dega e Tetovës përfaqësohej nga shejh Mustafa, dega e Dibrës kishte veprimtarë hoxhë Moglicën dhe shejh Hysenin, dega e Shkupit veprimtar të dalluar kishte myderriz Abdyl efendiu. Në të gjitha degët e LSHP-it, në të katër vilajete shqiptare, ulematë ishin shtylla kryesore, disa ishin, siç thuhet sot, më të moderuar, disa më konservatorë, disa më radikal, por secili prej tyre ishte i veçantë. Ulematë ishin ata që i shkruan, hartuan, përpiluan Kararnamen(aktvendi met), Talimatin(urdhë resat), peticionet, memorandumet e kështu me rrallë. Me pak fjalë, ky ishte roli i ulemave në LSHP-t, këtë nuk duhet harruar, as nuk duhet lejuar të tjerët ta harrojnë, sepse e harrojmë vetveten”.
Olsi Jazexhiu nga Tirana në kumtesën e tij me titull”Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e sulltan Abdylhamidit të II-të” përveç tjerash ceku”Lidhjen e Prizrenit të cilën nëpër shkollat tona fëmijët e mësojnë si një Lidhje sa anti-turke aq edhe kombëtare, historiani britanik Jakob Landau e klasifikon si një organizatë të nxitur nga vetë sulltan Abdylhamdi i II-të, për të mobilizuar myslimanët e Ballkanit që të mbrohen nga pushtimi i fuqive të krishtera. Mbi karakterin islamik të Lidhjes së Prizrenit shkruan edhe Noel Malkolmi i cili në librin”Kosovo a short histori”kujton citimet e një zyrtari britanik në Kosovë më 1878”Lëvizja është më shumë një lëvizje fetare sesa shekullare, dhe udhëhiqet nga myftilerë, ulematë dhe kadijtë,...Jam i mendimit se tashmë është më se e qartë se Porta e Lartë dhe Lidhja janë në një mendje, dhe po punojnë për të arritur një qëllim të përbashkët- mbrojtjen e provincës”. Këta dy paragrafë më kanë bërë që përpara shumë vitesh të kërkoja dhe të kuptoj përse në librat tanë të historisë, Lidhja e Prizrenit, ashtu si shumë pjesë të tjera të historisë sonë është trajtuar sipas mendësisë së shkollës sllavo-greke në Ballkan e cila pre supozon se popujt e Ballkanit vuajtën nën tiraninë turke.
Ndërsa Kristo Frashëri e imagjinon Lidhjen e Prizrenit si një organizatë antiislamike dhe laiko-kombëtare, Jakob Landau, Peter Barlt, Kirby Green, Peter Barlt, Xhafer Belegu, Eqrem bej Vlora dhe një numër i madh historianësh botërorë e shohin si një organizatë islamike të ndërtuar nga myslimanët e Gegërisë dhe Bosnjës me mbështetjen e sulltan Abdulhamidit II-të, për të mbrojtur myslimanët ballkanas pas Kongresit të Berlinit. Përpjekjet në librat e historisë në Shqipëri që manipulojnë historinë, duke shpikur konceptin e kombit laik në çdo ndodhi historike, sipas Noel Malkolmit janë një rrëfim i varfër i historisë. Xhafer Belegu në librin”Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë”thotë në rrjedhën e ngjarjeve kishte hyrë vetë sulltan Abdylhamiti II-të, ai i kishte thirr në Stamboll shejh Mustafa Tetovën dhe Abdyl bej Frashërin për t’i udhëzuar për zhvillimin e lëvizjes, ndërsa ju dha urdhër komandantëve ushtarak që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes. Këtë fakt e përmend edhe Eqrem bej Vlora i cili thotë se qeveria qendrore në Stamboll jo vetëm që u tregua dashamire ndaj idesë, por mori pjesë aktive në themelimin e Lidhjes në Prizren, pasi ishte në interesin e saj të nxiste një lëvizje kundër kërkesave sllave e pak më vonë edhe kundër atyre greke...që të tërhiqte vëmendjen e Evropës. Lidhja e Prizrenit i zhvilloi takimet e saj në datën 10 qershor 1878 në xhaminë e Bajraklisë dhe Medresenë e Mehmed Pashës pranë saj. Në Prizren por edhe mbarë Kosovën, krijimi dhe organizimi i Lidhjes u njoh me emrin e saj osman, Prizren Ittifaki.
Pra, nëse duam të kuptojmë identitetin dhe karakterin e organizatorë të Lidhjes së Prizrenit sipas konsullit Kirby Green dhe jo Kristo Frashëri, i bie që Lëvizja shqiptare duhet parë si një përpjekje e miletit islamik apo kombit osman i cili e shikonte fatin e tij të njëjtë me atë myslimanëve të tjerë të Perandorisë dhe sulltanit kalif, dhe jo sipas skemave”politikisht korrekt”që ideologjia nacional-komuniste e Akademisë së shkencave mundohet të ndërtojë mbi identitetin e pashallarëve, bejlerëve dhe ulemave islamik të Gegërisë që formuan Lidhjen e Prizrenit në fund shekullit XIX”.
Nexhat Ibrahimi nga Prizreni në kumtesën e vet me titull”Backgroundi evropian antiosman-antiislam dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878” përveç tjerash theksoi” Gjysma e dytë e shekullit XIX, e sidomos para dhe pas Lidhjes së Prizrenit, për shqiptarët paraqet një ndër periudhat më të rëndësishme gjatë dy shekujve të fundit në pikëpamje nacionale, religjioze, gjeostrategjike e të tjera.
Por, Kongresi i Berlinit nuk solli ndonjë dobi të dukshme në llogari të trojeve shqiptare. Peter Bartl këtë e thotë kështu: “Në Kongresin e Berlinit qenë marrë parasysh interesat e të gjithë popujve të Ballkanit me një përjashtim të vetëm të shqiptarëve.” Ai këtë e arsyeton me faktin se shqiptarët nuk gjetën ndonjë protektor të fortë në mesin e fuqive të mëdha për të mbrojtur interesat e tyre, por edhe për arsye se shumica dërmuese shqiptare i përkisnin fesë myslimane dhe ishin lojalë ndaj Perandorisë Osmane. Po ashtu, shqiptarët shihnin te Perandorinë Osmane edhe garancionin e mbijetesës së tyre fizike përballë synimeve shfarosëse të popujve fqinjë kristianë. Këtë e pohon edhe një dokument i asaj kohe: “Vetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte krijuar për të kundërshtuar politikën shoviniste serbe, malazeze, greke dhe bullgare, e jo atë turke”.
[1]
Me Lidhjen e Prizrenit abuzuan institucione dhe individë. Ajo vazhdon të përshkruhet si një veprim kryekëput shqiptar, i ndërtuar dhe nxitur nga elementi anti-turk, i cili ishte në konflikt të hapur dhe të egër me osmanët dhe identitetin islam të shqiptarëve e jo me pushtuesit serbë në veri dhe grekë në jug Madje, nga shtypi boshnjak i kohës së Lidhjes së Prizrenit mësojmë se propaganda greke nxiti konflikte të rënda te ortodoksët e jugut etj. më 1883, me qëllim të aneksimit të shumë trojeve shqiptare në llogari të grekëve.
Në grupin e atyre shkencëtarëve që kanë ndjekur kursin antiosman kemi një varg historianësh të njohur. Ali Hadri përmend se Lidhja “ka pasur tri programe. Programi i parë dhe i dytë ishin bukur shumë në frymën panislamiste, ndërsa programi i tretë ka qenë shumë më përparimtar,” duke e hedhur poshtë si anakronik dhe regresiv mendimin e shumicës së popullsisë dhe të shumicës së delegatëve të pranishëm. Qartë, mendimi i tij është i ngjyrosur me ideologjinë e kohës kur Ali Hadri jetoi dhe veproi.
Kurse njohësi i rrethanave shqiptare-boshnjake , dr. Haris Sillajxhiq mendon se fati pak a shumë i përbashkët i këtyre dy popujve në të kaluarën e deri sot duhet të hulumtohet për të ndriçuar aspekte të panjohura.
Hulumtuesit nuk duhet t’i tremb elementi islam i Lidhjes, sepse në të nuk ka asnjë të keqe për çështjen kombëtare. Përkundrazi, fetarja dhe kombëtarja mund të bashkëveprojnë në mënyrë të përkryer drejt së ardhmes. Me kalimin e kohës, e nën trysnitë nacionaliste si trend i kohës së shekullit XIX, ndikimi i Lidhjes së Prizrenit shkonte në favor të shekullares (kombëtares) kurse në dëm të hyjnores (fetares) dhe të përkeqësimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. Pikërisht trajtimi i njëanshëm dhe i pjesërishëm i kësaj teme imponon domosdoshmërinë për hulumtime më të hollësishme dhe më objektive në të ardhmen, që të mësojmë një histori pak më reale, për të ndërtuar vetë një histori autoktone të këtij populli dhe të këtyre trojeve, të liruar nga prangat dhe kufizimet e ndryshme ideologjike”.
Parim Kosova nga Prizreni në kumtesën e tij me titull”Objektet fetare islame në shërbim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” përveç tjerash ceku” në objektet fetare islame si xhamitë, medresetë, teqetë, mejtepet janë mbajtur tubime, mbledhje, strehimore për refugjatë, shërimi i të plagosurve dhe është kryer mobilizimi i forcave për luftë për mbrojtjen e trojeve tona. Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit është një “per exellenc” ku në xhaminë e Bajraklisë u mbajt Kuvendi i Lidhjes, ndërsa në medresenë pranë saj kanë qenë të vendosur dikasteret e qeverisë së Lidhjes së Prizrenit. Në vitin 1968 ders-hanja apo mësonjëtorja u shndërrua në muze, ndërsa në vitin 1978 me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe objekti i Medresesë së Gazi Mehmed Pashës iu bashkëngjitë kompleksit, ashtu që në katin e parë janë te vendosur kostumet e veshjeve kombëtare, ndërsa në katin e dytë galeria. Më 28 mars 1999 forcat serbe e dogjën dhe rrafshuan me tokë ders-hanen apo godinën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe se pas çlirimit të Kosovës ajo menjëherë u rindërtua ashtu si a qenë në formën e mëparshme të saj. Sot me datë 12 qershor 2007 zbulimi i pllakës përkujtimore në xhaminë e Bajraklisë është një kontribut më tepër në evokimin e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u mbajt para 129 vitesh në këtë xhami”. Me kumtesat e veta prezantuan edhe dr. Jusuf Osmani “Dokumentet arkivore për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, Adrian Muhaj”Autonomia e territoreve shqiptare në kontekstin ballkanik”, dr.Riza Sadiku”Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin e mërgatës shqiptare” dhe Mr.Qemajl Morina”Faktori fe në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sot”.
Pas përfundimit të prezantimit të kumtesave pasuan diskutimet, polemikat dhe replikat lidhur me temën në fjalë, në të cilin u shfaqën dy qëndrime apo dy këndvështrime të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri qëndrim mbronte tezën se Lidhja e Prizrenit ka pas karakter prokombëtar, profetar, proosman ndërsa anti serb,antimalazez, antigrek dhe antibullgar, dhe se qëndrimi i dytë mbronin tezën se Lidhja e Prizrenit ka pas karakter prokombëtar, pro laik, proshekullar ndërsa antiosman, antisllav e antigrek.
Në përfundim të kësaj mund të konkludojë se duhet bërë rivlerësimin në përgjithësi të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke mënjanuar ndikimin e ideologjisë komuniste në tekstet shkollor të historisë dhe të ndikimeve të frymës sllavo-greke në te, e duke marr parasysh pikësëpari mbështetjen në hulumtimet arkivore të arkivave të Londrës, Stambollit e Vjenës, kundruall atyre ekzistuese të burimeve arkivore të Beogradit, Moskës dhe Athinës.


17.06.2007
Faik MIFTARI
Author: Visal
•10:42 e pasdites
Me rastin e shënimit të ditës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit sot në Prizren në xhaminë e Bajraklisë u zbulua pllaka përkujtimore me të cilin u shënua vendi në të cilin u mbajt kuvendi i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit. Zbulimin e pllakës përkujtimore e bënë Myftiu i Kosovës Mr.Naim Tërnava dhe pr.dr.Pajazit Nushi. Në fjalën e tij Myftiu i Kosovës përveç tjerash ceku se” ja në këtë vend para 129 vitesh, në këtë xhami u mblodhën burrat për të ngrit zërat në mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe të territoreve shqiptare. Edhe sot pas 129 vitesh çështja shqiptare përsëri është në fokus të tryezave ndërkombëtare vendimmarrëse. Shpresojmë dhe besojmë që gjatë kësaj kohe të zgjidhet drejt çështja e Kosovës dhe të pranohet e të njihet ndërkombëtarisht Kosova si shtet i pavarur dhe sovran.” . Pas kësaj në lokalet e Bashkësisë Islame të Prizrenit në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës u mbajt Tryeza shkencore me titull”Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në raport me realitetin shqiptar sot” ku me punimet e tyre shkencore asistuan hulumtuesit shkencor nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

12.06.2007
Faik MIFTARI
Author: Visal
•9:34 e pasdites
Me 12 qershor 2007 mbushen plot 8 vjet që kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë , pas bombardimeve të vazhdueshme plot 77 ditë të pandërprerë të aleancës veriatlantike të NATO-së në misionin e tyre të quajtur humanitar për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.Në historinë e mijëvjeçarit të dytë të Kosovës, ushtrinë serbe dhe pushtetin shtetëror serb mbi Kosovën e shporrën, për herë të parë perandoria osmane në vitin 1389, për herë të dytë perandoria austrohungareze në vitin 1915, për herë të tretë perandoria gjermane në vitin 1941, dhe për herë të katërt, të fundit dhashë Zoti, perandoria amerikane në vitin 1999. 8 vite pas, në ditën e 12 qershorit, më bien ndërmend kujtimet e hidhura të periudhës më të vështirë të luftës në Kosovës, koha prej 24 marsit e gjer më 12 qershor 1999, si njëri ndër aktorët e shumtë të popullit shqiptar, që përjetuam”live” këtë tmerr e terror të paparë në Kosovë. Me të vërtetë këto 77 ditë të përjetuara në ankth, më sillen vërdallë në kokë, çdoherë kur afrohet 12 qershori, një ditë me rëndësi të madhe historike për Kosovën. Shpeshherë mendohem, vallë a thua do të ishte më mirë të ishim larguar në atë kohë nga Kosova, se sa që mbetëm neve të ngujuar dhe në ankthin e pritjes së vdekjes dita më ditë. Tani, pas kësaj distance kohore të kaluar, me të vërtet kemi qenë o të “çmendur” që qëndruam dhe përjetuam në atë kohë tërë presionin psikologjik të luftës së Kosovës. Më mirë do të ishte sikur të ishim në njërën prej kampeve të refugjatëve në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, apo gjeti në botë apo me pushkë në dorë në radhët e UÇK-së diku në mal, e cila fal aktivitetit pacifik të strukturave të atëhershme politike pacifiste në vend të masivizimit dhe favorizimit të luftës, propagandohej edhe më tej në rezistencë pacifike, që bëri që të zbehej dhe të dobësohej kjo rezistencë e armatosur e UÇK-së. Prizreni për krahasim nga qytetet tjera të Kosovës gjatë luftës në Kosovë ka përjetuar më pak dëme materiale dhe humbje në njerëz. Me siguri, kjo ishte dhunti nga Zoti i madh, por edhe një karakteristikë tjetër e Prizrenit ka qenë, se gjatë tërë periudhës së bombardimeve prej datës 24 mars e gjer më 12 qershor 1999, ka vepruar me plot sukses, me sulmet e befasishme guerile komandant Hoxha me njësitin e vet i cili ju solli humbje të mëdha në njerëz armikut serb dhe ju shkaktoi dëme materiale dhe solli kokëçarje të mëdha në radhët e tyre. Gjatë gjithë kohës sa ishim të ngujuar në qytet, pëshpëritej me të madhe se në qytet është duke vepruar një komandant me pseudonimin”Hoxha” , duke mos ditur fare se ai ishte shoku dhe kolegu që nga studimet e kaluara në Mitrovicë Samidin Xhezairi që për mua ishte një befasi e këndshme, pasi kisha njohuri se shumë kohë gjendej me punë larg Kosovës në perëndim. Me të vërtet takimi im me të, pas shumë vitesh, në namazin e parë të xhumasë në xhaminë e Bajraklisë, në Prizrenin e sapoçliruar, ashtu me uniformë dhe me armë në dorë, ka lënë përshtypje dhe mbresa të thellë që përherë do i kem në kujtim. U përshëndetëm, dhe iu drejtova në shaka me fjalët:” a ti qenke ai “Hoxhë” fantazmë i Prizrenit, po pse ore, nuk ja çove selamin shokut tënd dhe kolegut në studime për t’ju bashkëngjitë”.Çast më të pakëndshëm gjatë gjithë kohës së bombardimeve ka qenë dita kur ushtria dhe policia bënë bastisjen e shtëpive për ti mbledhur të rinj shqiptar për të dërguar në hapjen e kanaleve dhe istikameve në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar. Vetëm një Zot i madh na shpëtoi për të mos bjerë në duart e tyre, së bashku me nipat e mi që ishim strehuar në një vend prapa shtëpisë, edhe pse u afruan shumë afër nuk na diktuan. Pas këtij aksioni plot 30 ditë të tjera i kam kaluar në burg shtëpiak hiq pa dalë gjer në muzgun e 12 qershorit të vitit 2007.13 qershor 1999, ditë e cila do të mbetet e shënuar me shkronja të arta në historinë më të re të qytetit të Prizrenit, ditë kur trupat e KFOR-it gjerman hynë në Prizren, ka qenë ditë që vetëm mund të përjetohet e assesi nuk mund të përshkruhet, ai erupsion i shpërthimeve të vullnetit të qytetarëve prizrenas pas plot 77 ditësh të ngujimit dhe të pritjes në ankth të lirisë. Gjatë gjithë jetës sime janë 3 ngjarje që kanë mbetur në kujtesë dhe kanë lënë mbresa të përhershme, e para, dita kur kam kryer shërbimin ushtarak në ish armatën jugosllave,e dyta, dita kur kam diplomuar në fakultet, treta, dita kur kam përjetuar çlirimin e qytetit tim dhe të Kosovës në përgjithësi. Kjo ditë, 13 qershori 1999, për babën tim ishte gëzimi dhe çasti dytë i përjetimit të çlirimit të qytetit të Prizrenit nga ushtria gjermane, hera e parë ka qenë viti 1941 kur Qazim Bllaca së bashku me trupat gjermane nga Ferizaj hynë dhe çliruan Prizrenin nga ushtria serbe e cila me të madhe veç ja kishte nisur me djeg qytetin, hera e dytë ishte përjetimi i tij në moshë të shtyre i çlirimit të Prizrenit me 13 qershor 1999 përsëri nga ushtria gjermane. Si sot më kujtohen shpesh fjalët e babait tim, për ngjarjen e rrëfyer në fillim të vitit 1944 në Prizren. Atë ditë në Shatërvan të Prizrenit para masës së tubuar të popullatës së qytetit, iu drejtua me një fjalim koloneli Shmithuber i divizionit “Skënderbe” dëgjoni këto fjalët e mi, të dashur qytetarë shqiptar të Prizrenit, le të dini gjersa të jetë prezentë këtu këmba e gjermanit, do të jetë këtu Shqipëri, atë ditë që këmba e gjermanit nga këtu do largohet, do të kthehet prapë Serbia(Jugosllavia)” . Me të vërtetë edhe ashtu ndodhi, nuk kaluan as 6 muaj në nëntor të vitit 1944 përsëri u kthye Serbia(Jugosllavia) . Kur jem këtu nuk mund e të mos e përmend edhe hoxhën dhe atdhetarin e dalluar prizrenas Hafëz Abdullah Sagdatin, ish major për çështje fetare në divizionin “Skënderbe”, i cili gjatë gjithë jetës së kaluar të tij, nuk ka fol për të kaluarën e tij, pasi ka qenë përherë i anatemuar nga komunistët, dhe falë fshatarëve të Kabashit të Prizrenit të cilën e kanë fshehur dhe strehuar, ka arritur të shpëtojë dhe më vonë pas amnistisë së përgjithshme të asaj kohë është lënë i qetë të jetojë. Në një çast pak para se të ndërrojë jetë në një të pame, e pyesin hafëzin e nderuar, t’ju tregojë, i cili ka jetuar plot 80 vite, çastet më të lumtura të jetës. Hafëzi i nderuar iu përgjigj me këto fjalët:” gjatë jetës sime 80 vjeçare, vetëm gjatë 3viteve kam përjetuar çastet më të lumtura, dhe atë periudhën e viteve 1941-1944 kur kanë qenë gjermanët, dhe kur kemi qenë së bashku me nënën Shqipëri”.Ne shqiptarët në përgjithësi do të jemi përherë falënderues për ndihmën e ofruar të aleatëve tanë dhe asnjëherë nuk do të harrojmë çastet më të vështira në historinë më të re të Kosovës si dhe misionin humanitar të tyre që ndërmorën për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës.Në përfundim të këtij shënimi të përvjetorit do e përmbyll me fjalët e ish presidentit amerikan Bill Klinton , njeriun më të merituar për ndihmën ofruar popullit shqiptar, nën udhëheqjen e së cilës u ndërmor aksioni humanitare në Kosovë për ndaljen e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës:” nuk do të lejojmë më që në Evropë njeriu të vritet vetëm se për shkak të mënyrës së falurit tek Zoti. Njeriu nuk do të vlerësohet vetëm për shkak të përkatësisë etnike, racore, fetare, por për karakterin dhe devotshmërinë ndaj Zotit dhe humanitetit të treguar ndaj popujve tjerë”.


Faik MIFTARI
Author: Visal
•2:43 e pasdites
Pas rrënjës së sistemit socialist vetëqeverisës në ish Jugosllavi, në Sarajevë të BeH me 29 dhe 30 nëntor të vitit 1990 u mbajtën takimet e para rinore(njëkohë sisht qenë edhe të fundit) të rinisë myslimane nga të gjitha hapësirat e ish Jugosllavisë. Për dy ditë rresht në një vend u mblodhën të rinj e të rejat që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Serbia(Sanxhaku) , Kosova dhe Maqedonia. Edhe nga Prizreni morën pjesë një delegacion në përbërje prej 5 të rinjsh, në mesin e të cilëve isha edhe unë. U vendosën në konviktin e Medresesë së Gazi Husrev beut ku edhe në mensën e saj ushqeheshim si mysafirë të ftuar. Për dy ditë sa zgjatën takimet e para rinore, programi ishte aq i ngjeshur me njoftime, ligjërata, sesione të veçanta, mbrëmje poezish, mbrëmje shoqërore e kështu me rrallë. Na ligjëruan ligjëruesit më eminentë boshnjak rreth tematikave dhe problemeve me të cilët do të ballafaqohen të rinj dhe të rejat gjatë fazës së tyre të ardhshme. Ligjëratat dhe sesionet mbaheshin në amfiteatrin e fakultetit të studimeve islame, ku edhe në sesione të veçanta u kumtuan referatet në emër të delegacioneve nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë. . Pas referateve u shtronin pyetje dhe përgjigje, debate dhe polemika të ndryshme me problemet me të cilët ballafaqoheshin të rinj dhe të rejat mysliman pas rrënje së sistemit komunist dhe fazës së tranzicionit në të cilin gjendeshin drejt një sistemi të ri demokratik pluralist. Dëshirat, vullneti, guximi, idealet gufonin nga zemrat rinore drejt një ardhmërie më të lumtur në zbatimin dhe praktikimin e principeve dhe parimeve islame.

Në atë kohë sapo kishin përfunduar zgjedhjet e para parlamentare shumëpartiake në hapësirat e ish Jugosllavisë, përveç në Kosovë të cilët u bojkotuan nga shqiptarët, për shkak të suprimimit të autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Në BeH fitoi Partia e Aksionit Demokratik(SDA- ja) në krye me liderin e saj(tani të ndjerë) Alia Izetbegoviqin i cili u zgjodh edhe kryetar i parë i Bosnjës pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në sistemin e ri të ashtuquajtur demokratik. Si sot, më kujtohet sa ishim ato ditë në Sarajevë, buçitke në të katër anët e BeH kënga triumfuese ”Gëzohu HercegBosnjë, prijës e kemi Alinë”. Me të vërtet çastet ishin të lumtura për popullin boshnjak dhe udhëheqësin e saj Alia Izetbegoviqin, por që këto çaste zgjatën shumë pak, vetëm një vjet e gjysmë pas saj, do të shndërrohet në një luftë të paparë gjer atëherë në Evropë që nga përfundimi i luftës së dytë botërore, luftë e cila do të përfundojë me gjenocid të kryer nga ana e Serbisë dhe serbëve lokal të Bosnjës. Edhe pse ish kryetari boshnjak Alia Izetbegoviqi u mundua që me çdo kusht të evitojë gjakderdhjen e popullit të vet, por nuk ia arriti pasi për kundërshtar e pati përball një kasap dhe gjakpirës të paparë gjerë atëherë Millosheviqin.

Në hapjen e takimeve rinore mori pjesë edhe kryetari i sapozgjedhur boshnjak Alia Izetbegoviqi i cili me një fjalim të shkurtër i përshëndeti të pranishmit të rinj dhe të rejat, duke dëshiruar që dëshirat tona rinore të realizohen dhe se gjithmonë të qëndronim stoik dhe ballëhapur në rrugën e Islamit dhe në besim të plotë në Allahun e madhëruar.

Pas këtyre fjalëve të bukura në amfiteatrin e përmbushur plot shpërthyen ovacionet pa ndarë”Alia,Alia”. Këtu nuk mund e të mos e përmend edhe profesorin e nderuar Mr. Nijaz Shukriqin i cili mbajti një ligjëratë rreth historisë së shndritshme Islame, i cili një vit më parë para këtyre takimeve qe në vizitë në Kosovë, dhe i cili u vra në vitin 1992 nga dora gjakatare serbe gjatë agresionit serbomadh në vitin 1992.

Për dy ditë sa kaluam së bashku krijuam shoqëri dhe u njoftuam me të rinj dhe të rejat nga hapësirat e ish Jugosllavisë, gjatë të cilëve debatonim për temat e ndryshme rinore dhe preokupimet tona në atë kohë, që nga ndjenjat tona të dashurisë e gjer në perspektivat e shndritshme për të cilët ëndërronim, por për fat të keq të gjitha këto veç pas një kohe të shkurtër do të ndërpriten, sepse pas këtyre takimeve rinore realiteti jetësor mori rrugën krejtësisht të kundërt.

Edhe gjatë këtyre takimeve rinore u vërejtën dy këndvështrime të shikimeve dhe perspektivës islame, ajo e rrymës tradicionale që e përbënin pjesa e të rinjve dhe të rejave që vinin nga Sanxhaku, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, nga prizmi i traditës islame dhe e mbronin fort e me përkushtim, si dhe këndvështrimin tjetër i Islamit që e përfaqësonin të rinj dhe të rejat mysliman nga pjesa veriore e hapësirës së ish Jugosllavisë, nga Sllovenia, Kroacia dhe BeH që anonin më tepër në logjikshmërin dhe aspektin shkencor e kulturor të Islamit, që në një të ardhme të afërt që të dyja këto këndvështrime do të gërshetohen dhe mishërohen në mes vehte. Pikë e veçantë e kësaj ka qenë unanimiteti i plot i takimeve rinore në aplikimin dhe zbatueshmërinë e Islamit autokton tradicional që shekuj me rrallë ka qenë prezent dhe dominues në hapësirat e Ballkanit, për krahasim të ditëve të sotshme që kemi një laramani të bindjeve, shikimeve, komenteve, rrymimeve, drejtimeve të ndryshme, që në vend të pasurimit të mozaikut islam, ato po shkaktojnë debate të panevojshme dhe të pa arsyeshme të logjikës së shëndosh islame dhe se humbet energji e kotë dhe sjell huti në mesin e myslimanëve.

Në përmbyllje të takimeve të para rinore mori pjesë edhe ish ministri i punëve të jashtme, ish kryeministri e tani anëtar aktual i kryesisës së BeH Haris Sillajxhiqi, njohës i mirë i çështjes shqiptare, i cili ka doktorua në çështjen shqiptare në tezën” Shqipëria dhe SHBA-ja nëpër arkivat e Vashingtonit” , i cili mbajti një fjalë rasti.

Në përmbyllje të këtij vështrimi, këto takimet e para rinore na inspiruan, na dhanë kurajo, vetëbesim dhe një udhëzim të shkëlqyer në të ardhmen se si të lundrojmë në vale të trazuar të oqeanit por pa përmbytur në te, në saje të përmbajtjes dhe zbatimit të parimeve islame në praktikë.



03.06.2007

Faik MIFTARI