Author: Visal
•10:20 e pasdites

Faik Miftari u lind në Prizren më 19 Maj 1963. Rrjedh nga  një familje zejtare por me një traditë të lartë  fetare e kombëtare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, pas shërbimit ushtarak të kryer në vitin 1983, vazhdoi studimet në Mitrovicë pranë fakultetit teknologjik të Universitetit të Prishtinës, të cilën me sukses e përfundoi dhe diplomoi në vitin 1989. Pas diplomimit u punësua në fabrikën e tekstilit ”Printex” në Prizren ku punoi vetëm 6 muaj, dhe qe i detyruar të lëshojë punën pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe zbatimit të masave të dhunshme nëpër fabrika anekënd Kosovës. Prej asaj kohe  ka punuar  punë të ndryshme për të mbajtur veten dhe familjen. Është i martuar me zonjën Nazane dhe ka dy fëmijë, vajzën Azire dhe djalin Fatihun. Jeton dhe vepron në Prizren, kryeqytetin shpirtëror të mbarë shqiptarëve.

 Qysh në moshën fëminore, Faiku tregoi një interesim të jashtëzakonshëm për lexim, e më vonë edhe për studim. Vazhdoi të lexoj edhe me të madhe, sidomos pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës. I nxitur nga një dashamir i tij i përafërt, filloi të merrej me shkrime dhe publicistikë që nga viti 1990. Shkrimet e tija u botuan në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX nëpër gazeta e revista të ndryshme të Kosovës, të cilët zgjonin vëmendjen e lexuesve meqë në to trajtoheshin temat interesante aktuale politike shqiptare dhe për kulturën Islame. Nga këto shkrime i përmblodhi disa prej punimeve më të rëndësishme në një libër me titull ”Pakës dritë për Kosovën” i cili u botua në Prizren në vitin 2001.

Pas përfundimit të luftës së Kosovës, vazhdoi edhe më me vrull, me shkrime dhe publikime, ashtu që tani lirisht mund të thuhet se është një publicist i ri në publicistikën shqiptare i cili çmohet si njohës i mirë i rrethanave politike, fetare, kulturore dhe historike të popullit shqiptar në Ballkan. Shkrimet  e tij që tani janë publikuar në rreth 40 gazeta e revista të ndryshme si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Sanxhak, Bosnjë dhe Turqi.
Librin ”Gjurmë në kohë” që e keni në dorë është libri i dytë i tij i botuar i cili në vete përmbledh disa prej punimeve më të rëndësishme të përzgjedhura nga opusi i tij krijues brenda periudhës kohore të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI.