Author: faik
•11:43 e pasdites
Ka kohë që kam dashur të shkruaj një qasje për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK-u), jo për tërësinë e saj, por gjegjësisht për njësinë e distribucionit apo shpërndarjes së saj, porse disi rasti apo çasti prolongohej nga aktualitetet tjera, porse ngjarja që ndodhi këto ditë, bënë që kupa të mbushet, dhe vendosa të shkruaj për anomalitë brenda KEK-ut.
Pas luftës në Kosovë, në çastet e etheve dhe vlimeve patriotike, rastisi që një ditë, me ç’rast isha edhe vet prezent, vijnë dy punëtorë të KEK-ut, duke më porosit që orëmatësin (njehsorin) e rrymës elektrike që e kisha, duhet ndërruar, pasi që është i prodhimit serb (EI-Nish), dhe se si i tillë tregon më tepër kilovat të shpenzuar të energjisë elektrike se sa është gjendja reale, me orëmatësin e prodhimit slloven (Iskra-Kranj). Mirë ju thash, pasi është ashtu, a keni ndonjë vendim me shkrim nga KEK-u, apo ndonjë vendim intern të juaj , pasi që me dëshirë do ta kisha ndërruar orëmatësin, po të ishte i prodhimit shqiptar apo kosovar, për të kontribuar në prodhimin dhe zhvillimin vendor, me konsumimin e prodhimeve vendore, ndërsa sa i përket orëmatësit dhe ndërrimit të tij, do të shkojë në njësinë qendrore të KEK-ut në Prishtinë, për t’u konsultuar dhe sqaruar një veprim të tillë. Para se të kem orëmatësin serb të EI-Nishit, e kisha orëmatësin slloven Iskra –Kranjit, porse gjatë pushtetit serb, e ndërruan orëmatësin slloven me orëmatësin serb, por nuk më kujtohet saktësisht a ishte detyrim apo ndonjë prishje, që ke shkak për të ndërruar njehsorin. Në Prishtinë, në njësinë qendrore të KEK-ut, në takimin që e pata me një menaxher, të njërës nga divizionet e saj të shumtë, mora përgjigje të prerë se nuk ka pas kurrfarë urdhër për një veprim të tillë, dhe se fare nuk është e vërtetë se orëmatësi apo njehsori i prodhimit serb (EI-Nish) nuk tregon gjendjen reale, pos që ka ndonjë prishje eventuale në njehsor apo orëmatës. Punëtorët pa thënë një-dy u larguan, dhe se nuk erdhën fare më, por gjatë largimit e kishin ç’kyçur pllombën e njehsorit, që unë fare nuk e kisha vërejt, për t’u hakmarrë.
Pas një kohe erdhi kontrolla e KEK-ut për të kontrolluar orëmatësin dhe konstatoi se e kisha pllombën e ç’kyçyr, dhe se jam duke vjedhur rrymën, e unë jo që fare nuk di të manovrojë me rrymën elektrike, por edhe karakteri im njerëzor nuk më lejon diç të tillë të bëjë, e lere më të vjedh. Të zitë e ullirit kam hjekë, gjersa i kam bindur, duke ju argumentuar me fatura për vite me rradhë, sa jam duke shpenzuar mesatarisht në vit dhe pagesat që i kam bërë me rregull, varësisht prej shpenzimit dhe tarifës verore apo dimërore të saj.
Para dy vitesh patë ndërrua jetë babai im, dhe se si trashëgimtar i tij, me kohë desha të kryejë të gjitha formalitetet e nevojshme që si një qytetar i rregullt i shoqërisë kosovare dhe konsumator i shërbimeve të ofruara nga kompanitë siç janë, PTK, KEK-u, Hidroregjioni, Ekoregjioni etj.
Pasi që e nxora certifikatën e vdekjes së babait tim, e kopjova së bashku me kopjen e letërnjoftimit, dhe i hyra procedurës së ndërrimit të emrit në faturat për pagesë për shërbimet publike të ofruara. Pa kurrfarë problemi i rregullova në PTK, Hidroregjion dhe Ekoregjion, por kur shkova në KEK- njësinë rajonale në Prizren, sharra hasi në gozhdë, më thënë se nuk bën të ndërron emrin në faturë, për derisa nuk e paguan në tërësi borxhin paraprak, edhe pse borxhi im ndaj KEK-ut asnjëherë nuk ka kalua maksimalisht 200 euro, varësisht prej tarifës. Jam habitur me një veprim të tillë, dhe se nuk e kisha të qartë, se si mund të jetë kështu, pasi që është adresa e njëjtë, orëmatësi i njëjtë, tani të llogaritet si një konsumator i ri, i cili për herë të parë paguan, apo është një konsumator i ri që e ka blerë shtëpinë apo banesën.
Sivjet, gjatë pranverës, prapë erdhi kontrolla e KEK-ut në shtëpinë time, me pretekst të kyçjes ilegale, duke i parë kabllot në oborr për ndriçim dhe kuzhinën verore në oborr, që ishin të lidhur në mënyrë të rregullt në sistemin e rrymës elektrike, pas vërtetimit të gjendjes faktike reale dhe të rregullt, ju thash si s’ju vjen turp që të kontrolloni dhe shqetësoni për të satën herë, një konsumator të rregullt i cili me kohë, i kryen të gjitha pagesat dhe obligimet ndaj shërbimeve të ofruara, nuk bënë zë, duke parë veten fajtor nga (dez)informata e marrë për kontroll, për kyçje ilegale .
Para ca ditësh, shkova në KEK, të paguaj kistin mujor prej 50 eurosh që paguaj minimalisht, e kisti shkon edhe në 100 euro në muaj, varësisht prej shpenzimit të energjisë elektrike dhe tarifës së caktuar dimërore apo verore. Njëherit me këtë pagesë të kryer, edhe gjendja ime bëhej zero obligime ndaj KEK-ut, pa asnjë borxh. Pasi që nuk kam më borxh, shkova të kryej edhe ndërrimin e emrit të faturës nga babi im, shpirti i tij rahmet pastë, në emrin tim si trashëgues, të cilin veprim para dy vitesh nuk arrita të kryej. Pas pagesës së bërë, shkova te referentja e caktuar për këtë punë, dhe se pas ofrimit të kopjes së certifikatës së vdekjes, kopjes së letërnjoftimit, i mori shënime përkatëse të duhura dhe i regjistroi në kompjuter, pas së cilës më tha se tani obligohesh me pagesë shtesë prej 5.80 euro për shërbim të kryer si konsumator i ri. Mbeta pa tekst, nuk ishte shuma, vlera, ajo që më brengosi, por mënyra e veprimit të saj, e cila nuk kishte faj, pasi që ajo veç i zbatonte rregulloren apo aktin intern të kompanisë së saj, saktësisht të KEK-ut por e di, sa kam njohuri, se edhe në gjykatë kur vërtetohet trashëgimia apo ndërrimi i titullarit të pronës, nga babai tek i biri, nuk paguhet gjë, e merreni me mend në KEK ky parim nuk vlen. Po qoftë kjo edhe prej KEK-ut e tepërt është.
Në përfundim të kësaj qasjeje, mund të themi se në shoqërinë e tanishme shqiptare (kosovare), një qytetar apo konsumator i rregullt që i kryen me kohë obligimet dhe pagesat ndaj shërbimeve të ofruara, në vend se të shpërblehet me ndonjë certifikatë mirënjohjeje dhe të trajtohet si shembull i një qytetari ”par exellence” për obligimet e kryera me kohë ndaj kompanive që ofrojnë shërbime të caktuara qytetarëve, ai shikohet, trajtohet si një qytetar i dyshimtë, mëkati i së cilit është sepse do të jetojë dhe veprojë konform standardeve njerëzore dhe qytetare, si një qenie njerëzore, fisnik dhe besnik ndaj shtetit të tij, dhe i cili me kohë i kryen obligimet e veta çfarëdo qofshin. Pasi që së shpejti KEK-u, gjegjësisht njësia e distribucionit do të privatizohet, a thua kjo anomali e KEK-ut që tani është, do të vazhdoj edhe pas saj, ditët, muajt dhe vitet në vijim do të vërtetojnë këtë më së miri.

31.10.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•9:50 e pasdites
Para ca ditësh u ktheva nga Turqia, gjegjësisht nga qyteti i Izmirit, ku qëndrova një javë për arsye objektive (shëndetësore), dhe pashë të udhës të bëjë një këndëvështrim nga udhëtimi në Turqi.Turqia është duke përjetuar me të vërtetë një zhvillim të hovshëm ekonomik, politik, arsimor, shkencor, shëndetësor, ushtarak, diplomatik, të gjitha këto dukuri të theksuara mund të vërehen anekënd Turqisë, e veçanërisht në qytete të mëdha, sikurse që janë, Stambolli, Ankaraja, Izmiri, Bursa, Antalia e kështu me rradhë. Gjatë kohës sa isha atje, Turqia e shpalosi programin e zhvillimit ekonomik të saj për periudhën trevjeçare me ç’rast mesatarja e zhvillimit ekonomik parashihej të jetë 7,5%, GDP aktuale me mbi 10.000 dollar për krye banori (Turqia ka rreth 75 milion banorë) do të arrijë në 12.500 dollar për krye banori, ndërsa papunësia aktuale me 10% do të bie nën 10%, për herë të parë në historinë e re turke, diku rreth 8-9% . Njashtu gjatë atyre ditëve, Turqia filloi me projektin e ndërtimit të 100 helikopterëve të parë të prodhimit vendor, T-129, projekti ideor i ATAK-ut, me ç’rast parashihet që brenda 5 vitesh ky projekt të përfundojë dhe që helikopteri i parë turk vendor të fluturojë në qiell, pasi që Turqia zë vendin e 9-të në botë në përdorimin e helikopterëve.
Diplomacia turke është duke zhvilluar një aktivitet të gjerë diplomatik në të katër anët e botës, sikurse në Evropë e Amerikë, njashtu edhe Azi e Afrikë, sa isha në Turqi, rastisi që të jetë mysafir në Ankara ministri i punëve të jashtme të Suedisë z. Karl Bild, të cilin e priti homologu i tij nikoqir z.Ahmet Davutogllu. Në konferencën e mbajtur për shtyp, përveç tjerash ministri suedez i punëve të jashtme theksoi:“ Bashkësia Evropiane në botë ka dy ortak strategjik, njëra është SHBA-ja, dhe tjetra Turqia”, ndërsa homologu i tij turk z.Ahmet Davutogllu, përveç tjerash theksoi:” Para 100 vitesh misioni ishte që të përfundojë qeverisja osmane (otomane), 100 vite pas, baraspesha e forcës turke po rikthehet”.
Sikurse në botë, Evropë, Ballkan, Kosovë e Shqipëri, me të madhe është aktuale tema e rikthimit turk, apo siç e quajnë “ rikthimi neosman”, njëjtë edhe në Turqi është aktuale kjo temë, ashtu që nëpër gazeta e tyre shkruhen kolumne, shkrime, analiza të shumta rreth kësaj teme, nga të cilat do t’i veçoja disa sosh. Në intervistën e dhënë gazetës spanjolle ABC kryetari hungarez z.Pal Schmitt përveç tjerash theksoi:
” 150 vjet qeverisjeje nga turqit e shoh si një rast të mirë për neve, nga viti 1541e gjer në vitin 1686 për hungarezë ka qenë fatlume qeverisja osmane, po të ishte pushtuar Hungaria gjatë atyre viteve, nga ndonjë popull tjetër, neve do të na ndërronin edhe fenë edhe gjuhën, dhe se neve do të asimiloheshim, dhe se gjatë takimeve të shumta me politikan turq, kemi pas biseda të frytshme rreth të drejtës së Turqisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, jam i mendimit se Turqia si një shtet mysliman me afro 100 milion banorë në një të afërme të afërt, është e udhës dhe koha është që ajo të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”.
Gjatë vitit 1992, në New York, ish ministri i punëve të jashtme të Turqisë z.Hikmet Çetin, në një takim të mbajtur prej shumë takimeve lidhur me luftën e Bosnjës, ka theksuar:” M’u afrua një diplomat amerikan dhe në vesh më pëshpëriti, këtë bela të Zotit (lufta në Bosnje), nuk e di si ta zgjidhim, habitem se si keni qenë të suksesshëm 500 vjet këto troje (Ballkanin) ta udhëhiqeni me sukses”. Poashtu z.Hikmet Çetin, me rastin e vizitës së tij në Izrael, gjatë takimit kryeministri izraelit i afrohet dhe i tregon atij rastin që i ka ndodhur atij:
” Afër kufirit me Egjiptin, shkova të vizitoja një qytezë hebre, kryetari i asaj qyteze filloi të më ankohej, duke i fajësuar egjiptianët, pastaj m’u drejtua mua duke akuzuar edhe qeverinë tonë. I thash unë, po mirë, ti çdo kënd dhe çdo anë po e akuzon, po çfarë do ti atëherë?. Ai m’u përgjigj” e dua drejtësinë osmane pesëshekullore”.
Me 20 prill 2003 në intervistën dhënë televizive për CNN, kryetari i tanishëm aktual turk z.Abdullah Gyl, në pyetjen e gazetarit lidhur me Lindjen e Mesme, iu përgjigj:” në atë kohë si deputet që isha, shkova në një mbledhje në Jerusalem, ku isha i ftuar, në të cilin bisedohej për temën e Lindjes së Mesme, në të cilin mori fjalën edhe kryetari i tanishëm z.Shimon Peres i cili në fjalimin e tij akuzoi rëndë pothuajse të gjithë. Në diskutimin tim ceka përvojën e periudhës osmane si “per exellence” të qeverisjes së popujve të ndryshëm me kultura të ndryshme. Deputeti gjerman më afroi ngatë Shimon Peresit dhe më prezantoi, ky është zotëri Gyl, deputet turk. Ai mu drejtua me fjalët: Çfarë të bëjmë, a prapë të japim juve qeverisjen e tokave tona?. Unë iu përgjigja: ne 500 vjet në mënyrë të shkëlqyer e kemi udhëheqë dhe qeverisë, prapë mundemi në këtë mënyrë të qeverisim, qoftë nevoja”.
Pas hulumtimeve të studiuesve hungarez, kanë ardhur në përfundim se: ” Osmanët në Ballkan, shumë më tepër kanë investuar se sa që kanë vjelur tatimet, ndërsa pushtuesit perëndimor në shtetet që kanë pushtuar, çdo gjë që ka qenë, mbi dhe, dhe nën dhe, kanë plaçkitur dhe marr me vete. Nga shtetet e Afrikës i kanë marrë zezakët dhe i kanë dërguar dhe shitë si robër, dhe se tërë mineralet e çmuara sikurse edhe ari e stoli të ndryshme i kanë marrë me veti. Prapë në Ballkan, gjatë kohës së Perandorisë Osmane më së shumti kisha janë ndërtuar. Në Ballkan banorët apo shtetasit askujt me dhunë, nuk i kanë ndërruar fenë dhe gjuhën e tyre, prej asaj kohe hiç pa ndërruar dhe pa imponuar, janë në mejdan edhe sot e kësaj dite popujt e ndryshëm dhe fliten gjuhë të ndryshme në Ballkan. Kjo është e vërteta reale e Perandorisë Osmane”
Kjo qasje do të ishte përgjigje më e mirë se si duhet trajtuar në mënyrë objektive e reale të kaluarën tonë, edhe periudhën osmane, e jo të trajtohet njëanshëm dhe në mënyrë apriori dhe të pavërtetë, siç e bëri kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga në ” Takimet e Gjeçovit”, referatin e së cilës i ka përgatitur me siguri don Lush Gjergji apo don Shan Zefi, se këtë nuk e kanë përpiluar këshilltarët e saj, Ilir Deda apo Arbër Vllahiu, pasi që ata si të tillë kanë një kredo dhe një qasje objektive intelektuale e shkencore, e të cilin gjë e vërtetoi në fjalën përshëndetëse vet Ilir Deda me rastin e mbajtjes së manifestimit të “Ditës së Boshnjakëve” me 28 shtator në Prizren. Të glorifikosh një kanun të maleve, atë të Lekë Dukagjinit, në shekullin XXI, është me të vërtetë blasfemi e llojit të vet, i cili edhe sot e kësaj dite na sjell dëm të pariparueshëm, atë të gjakmarrjes brenda kombit tonë, e të mos flasim për drejtat që nuk i jep fare Kanuni femrës, që është një anashkalim total i femrës shqiptare, duke e përjashtuar atë nga të gjitha të drejtat e saja, e lere më, që të bëhet kryetare e Kosovës.

Po qoftë kjo edhe prej kryetares Atifete, e tepërt është.


21. 10.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•7:52 e pasdites
Me datë 30 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës solli aktvendimin për papranueshmëri në rastin nr. KI36/11 të parashtrueses Arjeta Halimi për vlerësimin e kushtetutshmërisë për mos-përmbarimit të pretenduar të Aktgjykimit CN Nr. 24/09 të datës 17 nëntor 2009 të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit dhe shkeljes së pretenduar të drejtave të njeriut të parashtresës së kërkesës.Parashtruesja e kërkesës ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë të mos-përmbarimit të Aktgjykimit CN. Nr. 24/09, të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit të 17 nëntorit 2009. Me atë aktgjykim padia e parashtrueses së kërkesës ishte miratuar dhe i padituri, pra Drejtoria Komunale për Arsim e Vitisë, ishte obliguar "t'ia njohe paditësit (pra parashtrueses se kërkesës) të gjitha të drejtat që burojnë nga statusi i nxënëses së rregullt në Gjimnazin "Kuvendi i Lezhës" në Viti". Përmes kërkesës së saj, parashtruesja e kërkesës kërkon të sigurojë që aktgjykimin e lartcekur, të nxjerrë nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, do ta për-mbarojë Drejtoria Komunale e Arsimit ne Viti. Parashtruesja e kërkesës pretendon se mos-përmbarimi i Aktgjykimit CN. nr. 24/09, te 17 nëntorit 2009 te Gjykatës se Qarkut ne Gjilan, asaj ia mohon te drejtën e arsimimit e cila garantohet me të gjitha aktet vendore dhe ndërkombëtare.
Në vend se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të duhej të sillet konform Kushtetutës së Kosovës, pasi që në nenin 113.al.7 e Kushtetutës së Kosovës decidivisht shkruan:” Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj” si dhe në bazë të nenit 20 dhe 47 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Kosovë si dhe nenit 36 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, apriori ka dashtë të refuzojë lëndën për shqyrtim, pasi që nuk janë shterur të gjitha mjetet e përcaktuara me ligj, fare pa hyrë në shqyrtimin e lëndës, me ç’rast ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Me këtë veprim të saj ajo i ka hyrë shqyrtimit të lëndës së parashtruar dhe ka sjell Aktgjykim i cili vetvetiu është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si dhe Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në të cilin thirret, pasi që këto nuk i japin të drejtë fare të shqyrtojë kërkesën e cila nuk i ka plotësuar kriteret e parapara për shqyrtim.
Me aktvendimin e saj ajo ka hedhë poshtë kërkesën e parashtrueses, edhe pse nuk janë shterur të gjitha mjetet juridike, dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka pas të drejtë as të hyjë as në komentimin e bazueshmërisë së kërkesës e sidomos duke cituar vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtave Njerëzore (GJEDNJ). Me këtë veprim të saj qytetarët e Kosovës kanë humb edhe më tej besimin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse në vend se të veprojë dhe gjykojë konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saja, ajo bie vendime dhe aktgjykime të njëanshme dhe bie pre e politikave aktuale ditore të Kosovës.
Prej aktgjykimit të saj shihet se nuk është kërkuar interpretimi i Kushtetutës apo përputhshmëria e ligjeve të caktuara me Kushtetutë, e të cilën drejtë kanë të parashtrojnë vetëm Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Avokati i Popullit , por se është kërkuar interpretimi i mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Viti. E dihet se kërkesën për vlefshmërinë apo interpretimin e një ligji apo vendimi nuk ka të drejtë të iniciojë individi apo personi, me ç’rast bëhet shkelje evidente e Kushtetutës së Kosovës.
Nëqoftëse se parashtruesja e kërkesës kërkon interpretimin e ekzekutimit të Aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, në të cilin ka vendosur që Arjeta Halimi ka të drejtën e shkollimit dhe se Drejtoria Komunale e Arsimit të Vitisë ka qenë e obliguar që të lejojë të vazhdojë shkollimin në gjimnaz, ndërsa aktgjykimi nuk është ekzekutuar sipas procedurës së paraparë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë vendimi do të merrte Gjykata Kushtetuese e Kosovës për realizimin e të drejtës së shkollimit të obliguar sipas Kushtetutës së Kosovës dhe të gjitha konventave ndërkombëtare për garantimin dhe mundësimin e shkollimit obligativ. Kontesti nuk ka qenë çështja e shamisë, si një e drejtë e garantuar njerëzore për lirinë e stilit të veshjes pa marrë parasysh bindjet politike, kulturore, tradicionale, fetare, por se humbja e drejtës së shkollimit të obliguar.
Në asnjë vend në botë, bile as në shtetet jodemokratike, Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte mund të bijë një vendim të tillë të interpretimit i cili do të ndalonte një të miture të humb të drejtën e shkollimit të obliguar për shkak të bindjeve të saja apo stilit të veshjes e që paraqet shkelje drastike e të drejtave dhe lirive njerëzore.
Në fund, sa i përket interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të drejtat dhe liritë themelore në pajtim me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat Njerëzore(GJEDNJ), saktësisht aktgjykimin Nr.27085/05 e datës 4 dhjetor 2008, që është nonsens i llojit të vet për krahasim, do të ndalem në një qasje të veçantë ditëve në vijim.

08.10.2011
Faik MIFTARI