Author: faik
•1:39 e pasdites
Me datë 5 shtator 2010, ditë e diel, ishte nata e 27-të e muajit të shenjtë të Ramazanit, nata e lejletul Kadrit, natë më e vlefshme se 1000 muaj tjerë, natë në të cilin ka filluar zbritja e Kur’anit dhe atë me fjalën e parë urdhërore në gjuhën arabe”Ikre” që në shqip do të thotë: “ lexo, mëso, studio”.
Nata e Kadrit sikurse në tërë botën islame, ashtu edhe në trojet shqiptare, por edhe në Prizren u shënua në një atmosferë dhe ambient të veçantë. Prizreni është i njohur përveç tjerash edhe si djep i kulturës dhe civilizimit islam, me të vërtet në nënqiellin e tij të hapur stoik tani qëndrojnë 30 minaret, dhe se është i njohur edhe si qytet me më së shumti xhami në Kosovë. Në vigjilje të Ramazanit janë hapur edhe dy xhami të reja, dhe se për momentin janë aktualisht 30 xhami në Prizren, ndërsa në ndërtim të sipër janë edhe dy xhami të reja në Prizren, dhe shpejtë do të vjen koha që Prizreni do të arrijë të ketë 36 xhamia në qytet, sikurse që i ka pas gjatë periudhës së kaluar dikur Shkodra në Shqipëri.
Sikurse që Ramazani me specifikat e veta që i ka Prizreni, dallon prej qyteteve tjera, njashtu edhe nata e Kadrit i ka veçoritë e veta, e cila ka kalua në një organizim të bukur që ka zgjatur gjatë tërë natës gjer në kohën e syfyrit . Pas faljes së teravisë në të gjitha xhamitë e Prizrenit, të cilët enkas për këtë natë ishin plot e përplot me besimtarë dhe besimtare mysliman, pasuan hedhjet e fishekzjarrëve të cilët e shndritnin nënqiellin e bukur të Prizrenit në këtë natë të madhe të Kadrit, pas së cilës rrugët e qytetit gumëzhinin nga hapat e besimtarëve dhe besimtareve musliman nga anët e ndryshme të qytetit dhe rrethinës të cilët ishin nisur drejt xhamisë së Bajraklisë dhe xhamisë së Emin Pashës në të cilët ishte parapa të mbahej manifestimi fetar për nder të natës së madhe të Kadrit. Njëkohësisht në ora 24.oo filloi programi i paraparë enkas për këtë natë të mrekullueshme në të dy xhamitë e Prizrenit në qendër të qytetit, në të cilën morën pjesë me qindra e qindra burra e gra, pleq e të rinj, pothuajse të të gjitha moshave prej 15 e gjer në 85 vjeç të besimtarëve dhe besimtareve musliman të Prizrenit.
Në xhaminë qendrore të qytetit të Prizrenit, në xhaminë e Bajraklisë, u mbajt edhe manifestimi qendror i organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit në krye me kryetarin e Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef. Ballëku me stafin e tij dhe imamë tjerë prizrenas. Viteve të fundit në Prizren është përhap një traditë e bukur që më parë nuk ka qenë e pranishme, ashtu që në 10 netët e fundit të Ramazanit praktikohej falja e përbashkët e namazit të natës që nis në orën 24.oo, ndërsa kulminacioni i i namazit të përbashkët të namazit të natës arrin natën e 27-të, e i cili zgjat gjer në orët e hershme të mëngjesit. Namazi i natës karakterizohet me faljen e nga dy reqateve namaz, në të cilin zakonisht në kijam lexohen sure më të gjata nga Kur’ani dhe se ka qëndrim më të zgjatur në ruku dhe sexhde. Një veçori tjerët e viteve të fundit është edhe qëndrimi në itikaf i besimtarëve në xhaminë e Bajraklisë, të cilën më kujtohet nga baba im se dikur viteve gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar ka qenë myezini i xhamisë së Bajraklisë haxhi Rexhebi, rahmet i pastë shpirti, që për çdo Ramazan në 10 ditët e fundit të Ramazanit rregullisht ka qëndruar në itikaf. Krahas namazit të natës, janë mbajtur edhe ligjërata me tematikë për rëndësinë e natës së madhe të Kadrit, janë lexuar ashere(pjesë nga Kur’ani), si dhe janë kënduar salavate dhe tekbiret teshtik si dhe në fund është bërë duaja e lutjes së natës së madhe.
Krahas xhamisë së Bajraklisë edhe në xhaminë e Emin Pashës është mbajtur një manifestim i tillë fetar për nder të natës së Kadrit, e cila sivjet për dallim nga xhamitë tjera është veçuar pasi që gjatë gjithë muajit të Ramazanit ka qenë plot e përplot me xhemat gjatë gjithë muajit të Ramazanit. Edhe këtu pikërisht në ora 24.oo filloi me namazin e natës të cilën e udhëhoqi imami i xhamisë Hafiz Daud Lezi i cili edhe e udhëhoqi manifestimin në xhaminë e Emin Pashës, poashtu u kënduan edhe tekbiret teshtik, salavatet si dhe ilahi e recitale nga të rinj e të rejat prizrenas. Me të vërtet ishte një atmosferë më e veçantë në xhaminë e Emin Pashës, në saje edhe të transmetimit të drejtpërdrejtë të programit të natës së Kadrit nëpërmjet RTV Ballkan, të cilën kanë mundur ta përcjellin jo vetëm teleshikuesit e Prizrenit, por edhe teleshikuesit anembanë Kosovës të cilët kanë pas kyçje kabllovike. Krahas kësaj edhe këtu kanë ligjëruar edhe imamët mysafir për rëndësinë dhe vlerat e mëdha që jep nata e Kadrit. Programi në të dy xhamitë përfundoi me përgatitjen e syfyrit për të gjithë të pranishmit besimtar musliman në të dy xhamitë për të cilin ishte përkujdesur kësaj radhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit, të cilin duhet falënderuar posaçërisht për një gjest të tillë.
Ndoshta sipas mendimit tim e veçanta specifike e Ramazanit dhe e natës së Kadrit në Prizren qëndron edhe në atë, krahasimin e Prizrenit me Stambollin, pasi që ishte vet Sulltan Fatihu i cili e çliroi Stambollin nga zgjedha bizantine me 29 maj 1453, ndërsa dy vjet më vonë hyri triumfalisht edhe në Prizren me 21 qershor 1455 të cilën e çliroi nga zgjedha serbe, dhe se inshallah nuri(drita) e Islamit do të jetë e gjallë gjer në ditën e Kijametit, me të cilin edhe përfundon kohëzgjatja e kësaj bote .


06.09.2010
Faik MIFTARI