Author: Visal
•3:57 e pasdites
Në Kosovë e majta ka një histori të saj që daton që nga veprimi i saj në ilegalitet që nga periudha e ish Jugosllavisë, apo më saktësisht që nga vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Aktiviteti i saj politik ka qenë në fillim me platformën për krijimin e Republikës së shqiptarëve në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi dhe barazimin me republikat tjera përbërëse të ish federatës jugosllave, e në fazën e dytë, me shkatërrimin e Jugosllavisë, bashkimi me shtetin e Shqipërisë. Në atë kohë koncepti i saj ka dalluar shumë nga e majta evropiane(partitë socialiste dhe socialdemokrate)koncepti i së cilëve ka qenë angazhimi dhe përqendrimi politik në mbrojtjen e shtresave më të ulëta, shtresave sociale, shtresave punëtore e kështu me rrallë. Koncepti i së majtës kosovare bazohej kryekëput në marksizëm, leninizëm, enverizëm, të rregullimit politik centralist apo diktatorial komunist ekzistuese të Evropës Lindore. Kjo ka qenë kopje apo imitimi regjimit të atëhershëm diktatorial komunist në Shqipëri në krye me diktatorin komunist Enver Hoxhën. E majta kosovare më tutje vazhdoi me LPK-në e viteve tetëdhjeta në ilegalitet të thellë në Kosovë e sidomos në diasporë(Zvicër), viteve nëntëdhjeta del edhe një krah nga gjiri i saj,LKÇK-ja, që më vonë të dy do të jenë edhe bartës të rezistencës së armatosur(UÇK-së). Pas luftës e majta kosovare, edhe pse asnjëherë zyrtarisht nuk e ka marrë përsipër atë mbi vete,PDK-ja është etiketuar si e majtë, pasi që ka dalë si trashëgimtare e luftës, dhe ka qenë e njohur për një bashkëpunim të fortë me Partinë Socialiste(PS) të Shqipërisë.
Kjo për arsye, se populli shqiptar i Kosovës dhe të trojeve tjera etnike të ish Jugosllavisë, janë të njohur me koncept djathtist, që daton qysh nga themelimi i Ballit Kombëtar gjatë luftës, e pastaj mas luftës NDSH-ja (nacionaldemokratja shqiptare) si organizatë djathtiste kundër sistemit ekzistues komunist të instaluar në Kosovë, edhe pse gjatë luftës në Kosovë, në gishta janë numëruar komunistët. Për dallim,në Shqipëri,kanë qenë më shumë, më të angazhuar dhe me ndihmën e faktorit të jashtëm arritën ta eliminojnë dhe ta zmbrapsin dhe të eliminojnë tërësisht të djathtën nga skena politike. PS dhe LSI e tanishme, si trashëgimtare e majtizmit në Shqipëri, janë të fortë, ashtu që e majta në zgjedhjet e fundit, të qershorit 2009, fitoi gjysmën e votave të elektoratit shqiptar.

Paraqitja apo formimi i Partisë Socialiste të Kosovës(PSK-së), duhet përshëndetur, e sidomos guximin e hapur të Emrush Xhemajlit,si nismëtar dhe ideator i saj, pasi që me këtë hap nisi profilizimi i partive politike në Kosovë, tani në skenën politike kosovare e kemi edhe të majtën kosovare. Edhe pse unë do të thosha, se kjo u bë në mënyrë direkte apo indirekte në bashkëkordinim me strukturat gjegjëse të PDK-së, pasi që me këtë hap definitivisht PDK-ja lirohet apo zhveshët nga koncepti i saj majtist, pasi që gjithherë ajo ka qëndruar mbi supet e saja që nga formimi i saj, pasi që themeluesit dhe iniciatorët e formimit të saj me dekada kanë pas koncept dhe të njohur si majtist. Tani, lirisht mund të profilizohen si parti e qendrës së djathtë. Por tani i mbetet PSK-së dhe kreatorit të saj Emrush Xhemajlit se sa do të mund të avancojë, zgjerojë dhe të forcojë të majtën kosovare, të afrojë rreth vetes edhe figura dhe personalitete të njohura nga gjiri i PDK-së si majtistë të shquar.
Sido që të jetë duhet përgëzuar Emrush Xhemajlin si iniciator për profilizimin e partive në skenën politike kosovare, e sidomos në themelimin e të majtës kosovare. Duke marrë parasysh që e majta në Shqipëri ka një traditë më të gjatë(PS-ja dhe LSI-ja), atëherë edhe në Kosovë mund të zhvillohet e majta kosovare, se sa do të ketë sukses dhe rezultat do të dëshmojë periudha që pason, e si testi i parë për PSK-në do të jenë zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009, në të cilën garon edhe ajo.
Në përfundim të kësaj analize, tani e tutje i mbetet që për të shkuar përpara, PSK-ja duhet të zhvillojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin me partitë simotra në rajon, në Ballkan, sikurse që është PS-ja dhe LSI-ja në Shqipëri, PDS-ja në Male të Zi, PSS-ja në Serbi, PASOK-u në Greqi, e kështu me rrallë, sikurse edhe anëtarësimi i saj i plotë në Internacionalen Socialiste, pasi që e majta evropiane(partitë socialiste dhe socialdemokrate), në shtetet e Evropës janë shumë të forta dhe me një traditë të gjatë të veprimit politik sikur në pozitë njashtu edhe në opozitë.


Faik MIFTARI
20.10.2009

Author: Visal
•10:48 e pasdites

Në këtë vështrim do të bëjë një krahasim të dy shkrimtarëve, publicistëve, intelektualëve më të mëdhenj të kombit shqiptar që me të vërtetë kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë, në fusha të ndryshme si në krijimtari letrare, letërsi, publicistikë, histori, politikë, janë këta Rexhep Qosja në Kosovë e Ismail Kadare në Shqipëri. Angazhimi apo krijimtaria e tyre përfshin gjysmën e dytë të shekullit XX apo periudhën e komunizmit, dhe vazhdon tani në fillim të shekullit XXI apo periudhën e ashtuquajtur demokratike.
Rexhep Qosja gjatë epokës së periudhës komuniste ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fillet e krijimtarisë e zhvillimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë së letërsisë apo në përgjithësi në fushën e albanologjisë, e sidomos gjatë viteve 1966-1981 në Kosovë kur kemi një zhvillim të hovshëm të institucioneve kosovare, sikurse ishin Universiteti i Prishtinës, Instituti albanologjik, Instituti i historisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nëpërgjithësi zhvillimi i hovshëm ekonomik, politik, shëndetësor, arsimor, në saje të politikës dhe klimës së krijuar pas Plenumit të Brioneve, dhe politik bërjes së krerëve udhëheqës shqiptar të asaj kohe si Fadil Hoxha, Xhavid Nimani, Mahmut Bakalli e tjerë, në suazat dhe rrethanat e atëhershme politiko-historike që kanë qenë prezent në ish Jugosllavi. Rexhep Qosja si intelektual dhe krijues shqiptar ka pas përkrahjen e plotë dhe ndihmën e tyre në avancimin dhe zhvillimin e kulturës dhe shoqërisë shqiptare në Kosovën e atëhershme, për të cilin ka respekt të plotë edhe sot e kësaj dite për kohën dhe rrethanat në të cilin kanë vepruar dhe jetuar.
Ismail Kadare si shkrimtar, publicist, intelektual, politikan gjatë periudhës komuniste në të cilin ka jetuar, krijuar dhe vepruar, me ç’rast ka qenë edhe i përkëledhuri i liderit komunist shqiptar Enver Hoxhës, apo shkrimtar i oborrit si njihej ndryshe në atë kohë, në kohën e tanishme në vend se të hesht bile , në rast se nuk mund të jetë falënderues, ai vjel vrer, mohon, kritikon, sulmon, atakon, periudhën komuniste të atëhershme në të cilin ka jetuar dhe vepruar si dhe ka qenë edhe protagonisti aktiv në garniturën e atëhershme partiake, shtetërore dhe krijues në fushën e realizmit socialist.
Pas rënies së komunizmit dhe suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin1989, Rexhep Qosja me tërë kapacitetin e tij intelektual e krijues u vu në mbrojtje të kauzulës shqiptare në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, e aktiviteti i tij pasoi fill pas vitit 1981 me takimet e njohura të asaj kohe të shkrimtarëve të ish Jugosllavisë. Tërë kapacitetin e tij intelektual e krijues e drejtoi në mbrojtjen e çështjes shqiptare nëpërgjithësi e të Kosovës në veçanti, ashtu që gjatë periudhës kohore 1989-1999 shkroi 10 libra lidhur me çështjen shqiptare dhe Kosovën. Gjatë tërë asaj kohe jetën e tij e vuri në rrezik si gjithë shqiptarët tjerë të Kosovës, dhe si i tillë edhe përjetoi dëbimin nga Kosova për në Maqedoni e më tej në Shqipëri, gjatë bombardimeve të NATO-së në pranverën e vitit 1999.
Pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1991, Ismail Kadare i mblodhi plaçkat e veta dhe iku nga Tirana për t’u vendosur në sarajet e Parisit. Në vend se të mbetet në atdhe, në Shqipëri, dhe me kapacitetin e tij intelektual e krijues, të kontribuojë gjatë periudhës transitore gjatë së cilës ka kaluar Shqipëria, të ketë sa më pak telashe, probleme të ndryshme shoqërore, e që kulmoi me rebelimin dhe rrëzimin e qeverisë në vitin 1997, ai u vendos në Paris ku vazhdoi me shkrimin e romaneve, fare duke mos e trazuar veten në sarajet e nxehta të Parisit.
Përderisa Rexhep Qosja me dinjitet të plotë e mbron identitetin e tij fetar si një akt i cili ka ndodhur gjatë një periudhe të caktuar kohore dhe historike dhe paraqet një pasuri të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Evropë, pasi që të tre fetë hyjnore si ajo hebraike, krishtere dhe islame e kanë burimin dhe zanafillën në Lindje( Orient). Ai në një çast e përkujton një moment të fëmijërisë së tij në librin e tij me dy vëllime:” Tronditja e shekullit I-II” citoj:” e dëgjojë jehonën e fjalëve të babait me Kur’an në dorë – “kanë të drejtë ata të luftojnë ata që janë të sulmuar sepse u është bërë e padrejtë. Dhe Allahu i plotfuqishëm do t’ju ndihmojë. Dhe Allahu i plotfuqishëm do t’ju ndihmojë atyre që janë dëbuar prej shtëpive të tyre pa të drejtë...Dhe, sikur Allahu të mos e mënjanonte të keqen që bëjnë njerëzit me ndihmën e njerëzve të tjerë, do të shkatërroheshin kishat e sinagogat e xhamitë, në të cilat shpesh përmendet emri i Zotit”.
Në anën tjetër Ismail Kadare sulmon, atakon dhe bën thirrje në kthim në fenë e të parëve, që është një klithje raciste, që bie ndesh me logjikën e tij intelektuale e njerëzore, pasi të sulmosh identitetin kulturor, fetar islam të 90% të shqiptarëve është iracionale e llojit të vet. Të jetosh në një vend evropian(Francë) me traditë të lashtë demokratike, e të sulmosh në mënyrë kolektive të drejtat njerëzore, kulturore, fetare të bashkëkombasëve të vet është nonsens llojit të vet, çoftë kjo edhe prej Ismail Kadaresë është e tepërt.
Në rast se shkrimtari dhe ideologu serb Dobrica Çosiqi, edhe përkundër tezave të ti’a të mirënjohura raciste kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve llogaritet si “baba” i kombit serb, pa mëdyshje këtë epitet e meriton Rexhep Qosja si baba i kombit shqiptar, pasi që tezat e ti’a janë në frymën kombëtare, fetare, atdhetare, humane, morale, njerëzore e civilizuese.
Në përmbyllje të këtij vështrimi mund të thuhet se ndoshta një vit Ismail Kadare do të fitojë çmimin e Nobelit për letërsi, por jam i sigurt se Rexhep Qosja nuk do të ketë rast as të hyjë në nominimin e lere më të fitojë ndonjëherë çmimin e Nobelit për letërsi.

Faik MIFTARI
11.10.2009 
Author: faik
•1:01 e pasdites
Kur u hap tuneli i Kalimashit, në një vështrim për të, përveç tjerash pata shkruar: “tani e tutje, nuk do të ngurojmë që një ditë Bajrami, një ditë Flamuri, apo ditë tjera festive të kalojmë në Shqipëri dhe të festojmë së bashku me vëllezërit tanë shqiptar”.
Vikendin që shkoi, së bashku me Fuadin, Halilin e Visarin ishim në Shqipëri për një vizitë të shkurtër nënës sonë Shqipëri dhe vëllezërve tanë shqiptar. U nisëm të shtunën në ora 9.oo nga Prizreni, ku së bashku me Visarin e pritëm Fuadin dhe Halilin që ishin nisur nga Prishtina. Para se me u nisë, hëngrëm mëngjesin në Prizren, unë dhe Visari nga një porcion të plotë byrek sarajeve me mish, ndërsa Halili dhe Fuadi nga një gjysmë porcioni( 125 gr.) byrek sarajeve me djathë. Morëm rrugën për në Tiranë, Fuadi si një shofer i mirë dhe me eksperiencë, dhe që ka qejf timonin, edhe pse ka dëshirë të vozit shpejtë, por unë e frenojsha nga pak, ashtu që nuk u ngutëm,vozitëm më ngadalë dhe komod dhe në Tiranë arritëm në ora 14.oo. Rrugës biseduam për autostradën Durrës – Kukës, dhe konkluduam se pas përfundimit të plotë të saj, nga Prizreni më parë do të arrijmë për në Tiranë sesa në Prishtinë. Me të vërtet është një vepër madhështore, edhe pse akoma punimet janë duke u zhvilluar me të madhe,duhet përgëzuar kryeministrin zotëri Sali Berishën për angazhimin dhe kontributin e tij të veçantë në ndërtimin e kësaj arterie jetike për kombin shqiptar nëpërgjithësi e për neve kosovarëve në veçanti. Pasi arritëm në Tiranë, Fuadi na braktisi neve të treve tek xhamia e Et-hem beut, pasi që vet iku për t’u taku me shokët dhe miqtë e vjetër të Tiranës . Në xhaminë e Et-hem beut falëm namazin e drekës dhe iqindisë, vetëm nga dy reqate pasi që ishim seferi (udhëtar). Pas ca kohe arriti Ermali dhe u nisëm drejt restorantit përball xhamisë së Dinë Hoxhës për të ngrënë drekë. Aty u takuam edhe me Algertin e Ahmed efendinë, dhe tog shkuam së bashku për drekë. Edhe pse ishim mysafir të Ermalit për drekë, po edhe të Algertit, por as i pari e as i dyti, por merreni me mend na qerasi drekën Ahmed efendiu, që për mua ishte një befasi e rrallë, pasi që tek neve është adet apo zakon që efendinë neve xhematlinjë ta qerasim jo drekën, por edhe një kafe çoftë turke, apo makiato, expreso apo capuchino italiane, në shenjë respekti që kemi, por ja në Tiranë ndodhi e kundërta, Ahmed efendiu na qerasi drekën, dhe nuk e la as Ermalin e as Algertin të paguaj. Me propozim të Ahmed efendiut hëngrëm edhe specialitetin e ëmbëlsirës në Shqipëri, trileqe, që me të vërtet ishte shumë e mirë, dhe se edhe në Kosovë ka depërtuar, ashtu që Halili pasi u kthyem në Prizren në ëmbëltoren e qytetit e shijoi trileqen. Pas namazit të iqindisë u përshëndetëm me Ahmed efendinë, dhe së bashku me Ermalin dhe Algertin shkuam në një kafe në katin e dytë, afër xhamisë së Dinë Hoxhës, nga e cila shihej rruga e Kavajës. Biseduam për tema nga më të ndryshme, me ç’rast Algerti na njoftoi edhe për fejesën e tij me një gocë tetovare, me ç’rast e përgëzuam dhe i dëshiruam jetë të gjatë e të lumtur bashkëshortore. Algerti më tërhoqi vërejtjen se gjatë takimit të parë në Kavajë para dy vitesh, e kisha ofenduar, dhe se Olsi tani shpesh e përdor këtë term për Algertin. Unë fare, duke mos ditur, i kisha thënë Algertit se ishte zeshkan dhe se po i përngjet sikurse të ishte prej Anadollit, që në Shqipëri termi”anadollak” përdorej në formën figurative si ahmak, i prapambetur, e kështu me rrallë, që fare nuk kam ditur, dhe i kërkoj falje publike Algertit për një gaf të tillë, që e paskam bërë pa dashje dhe pa vetëdije, dhe e lus Olsin që të mos e përdor këtë term më për Algertin. Ju thash në shaka, Ermalit dhe Algertit, se Merita Halili e këndon një këngë të bukur” goca të bukra ka Tirana” e neve sa ndejtëm së bashku nuk pamë as një gocë Tirane, po me siguri, pasi që ishte ditë e diel. Në ora 17.3o erdhi Fuadi për të na marrë, u përshëndetëm të gjithë së bashku me Ermalin dhe Algertin, dhe u nisëm drejt Kavajës. Në Kavajë arritëm pikërisht gjatë namazit të akshamit, në xhaminë në qendër të Kavajës, pasi që falëm namazin e akshamit, u takuam me Olsin, Fisnikun dhe Justin, dhe së bashku u nisëm drejt restorantit të Haverikëve, ku na pritën vëllezërit Aqifi, Nexhmiu dhe Remziu. Gjatë darkës, që enkas na shtruan për neve vëllezërit Haveriku, që me të vërtet ishte e begatshme dhe të cilin dinë më së miri vetëm ata të përgatisin, biseduam gjerë e gjatë për të gjitha problemet me të cilët ballafaqohemi neve në Kosovë e në Shqipëri, e sidomos për sulmet dhe atakimet nga më të ndryshmet që i bëhet identitetit tonë kulturor islam. Ishte një natë e mrekullueshme dhe e paharruar që kaluam në Kavajë. Njashtu për mua ishte hera e parë që ndeja së bashku me Justin, edhe pse vetëm njëherë ma përpara tërthorazi e pata takuar, por me të vërtet më la një përshtypje të veçantë, i cili me një urtësi, butësi, largpamësi, me mendime dhe ide koncize, intelektuale, racionale, kulturore, njerëzore, civilizuese, është një shembull se si duhet të jetë një ligjërues(predikues) islam shqiptar kundruall rrethanave në të cilën jetojmë dhe ballafaqohemi neve shqiptarëve mysliman në trojet tona shekullore. Kur para ca kohësh (vjet apo parvjet) Justi shkroi eseun apo vështrimin e tij me titull ” Probleme të ligjërimit islam të ligjëruesve shqiptar”, me plot gojë mund të them lirisht, është një
“ manifest” që duhet shërbejë për të gjithë ligjëruesit (hatibët) shqiptar, në bazë së cilit duhet përmbahen gjatë ligjërimit të tyre në hytbet e tyre, në të gjitha trojet shqiptare. Vetëm po të përmbaheshim këtij ”manifesti” të Justi efendisë, do të ishte e mjaftueshme për fillim, i cili do të sillte rezultate të duhura në të gjitha trojet tona, kundruall sulmeve dhe atakimeve që bëhen nga më të ndryshme kundër identitetit tonë kulturor islam.
Pasi u përshëndetëm dhe u falënderuam të gjithëve për kohën dhe respektin që treguan ndaj nesh, nikoqirët tanë, natën e kaluam në hotelin”Ignatia” në Kavajë.
Në ora 8.oo të mëngjesit u nisëm drejt Durrësit, ku u ndalëm për ca çaste për të ngrënë mëngjesin në Durrës, nga gjysmë porcioni çevaba, pasi që nuk ishim të unët, pas darkës që e patëm në Kavajë. Pas saj morëm rrugën drejt Shkodrës, dhe në ora 11.oo arritëm në Shkodër, në qendër të saj, para xhamisë së Parucës, ku na pritnin nikoqirët tanë shkodran Mirsadi dhe Ergysi. Pasi që ishte hera e parë që e vizitonim Shkodrën, nikoqirëve tanë i thamë, që për 5 orë sa kemi në dispozicion, pasi që për shkak tunelit që mbyllej në ora 19.oo, ishim të detyruar të nisemi maksimum në ora 16.oo nga Shkodra, për tu kthyer në Kosovë, pasi që të nesërmen na pritnin obligimet e punës dhe familjes. Për këtë kohë të shkurtër nuk arritëm të vizitojmë të gjitha vendet atraktive, pasi që me të vërtet Shkodra ishte e pasur plot, por mbetemi me shpresë se ndonjëherë tjetër do të na epet rasti të vizitojmë prapë Shkodrën dhe të kënaqemi me bukuritë e saja dhe me shkodranët në veçanti. Shkodra ishte qyteti i rrallë që Perëndia ia kishte dhuruar një pozicion të tillë gjeografik dhe gjeostrategjik të një rëndësie të veçantë, ishte e shtrirë në një rrafshinë të bukur e të gjerë, e rrethuar nga ana veriore me alpet shqiptare, e rrethuar me dy lumenj, Bunën dhe Drinin, si dhe me liqenin e Shkodrës, dhe se vetëm 15 km ishte pran detit Adriatik (Velipojë),ndërsa vetëm 13 km e kishte Muriqanin apo vendkalimin kufitar për në Male të Zi. Me Ergysin dhe Mirsadin u nisëm drejt kalasë së Rozafatës, e cila me të vërtet ishte një kështjellë e mrekullueshme që daton nga koha romake, e në të cilin gjatë periudhave të ndryshme kohore ka ndërruar perandori të ndryshme, kishte një pozitë strategjike dhe se Shkodra shihej nga lart si në pëllëmbë dore, aty i pamë edhe rrënojat e xhamisë së Fatihut, e cila me të vërtet ishte në pozitë e mjerë dhe se do të ishte e udhës nga organet kompetente të bëhet revitalizimi dhe konservimi i saj. Mirsadi na tregoi edhe legjendën e Rozafatës, të cilin e pata ditë edhe më përpara, por tani na rikujtoi në detaje nikoqiri ynë i dashur Mirsadi nga Shkodra. Pasi zbritëm nga Kalaja, fare pranë saj, buzë Drinit, gjendej xhamia e Plumbit, xhamia e parë e cila u hap pas shembjes së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991. Xhamisë së Plumbit i mungonte minarja, e cila ishte e rrënuar, gjendja e xhamisë së Plumbit ishte poashtu e mjerë, pasi që ishte e atakuar nga lagështia dhe uji nga lumi Dri. Do të ishte e udhës që në bashkëpunim në mes Myftinisë së Shkodrës dhe Bashkisë së Shkodrës, të bëhet restaurimi dhe konservimi i plotë i saj, në bashkëkordinim me ndonjë donator të jashtëm(si p.sh.TIKA nga Turqia), se bëhet fjalë për një objekt kulturo-fetar të një rëndësie të veçantë. Për drekë Mirsadi dhe Ergysi na çuan në një restorant ku përgatitej specialiteti i peshkut shkodran, me të vërtet ishte peshku i shijshëm, e sidomos ai liqenit të Shkodrës. Pas drekës vizituam xhaminë e Parucës, kaluam pran xhamisë së Hz.Ebu Bekrit, si dhe kishës katolike dhe ortodokse, u ndalëm te kompleksi i cili ishte në ndërtim të sipër të medresesë së meshkujve”Haxhi Sheh Shamia”,i cili ishte me të vërtet një vepër grandioze, dhe se duhet falënderuar publikisht shoqatën”Istanbull” për një goxha vepër të tillë, e sidomos ishte e veçantë xhamia e Medresesë, e cila ishte e stilit selçuk, kryesisht e punuar prej materialit të drurit, e sidomos shquhej për bukuri të rrallë mihrabi dhe mimberi i saj. Aty së bashku me nikoqirët tanë Mirsadin dhe Ergysin falëm namazin e drekës dhe iqinidsë. Pasi që u përshëndetëm me Mirsadin dhe Ergysin, u nisëm nëora 15.3o për në Kosovë, në pamundësi kohore mbetëm pa u takuar edhe me miqtë dhe vëllezërit tjerë shkodran si Selimi, Bujari, Hadiu dhe Vehbiu, për të cilin ju kërkoj falje dhe mirëkuptim. Në ora 18.30 arritëm në Prizren dhe pas një pushimi të shkurtër në ëmbëltoren e qytetit në Prizren, u përshëndetën me Fuadin dhe Halilin të cilët vazhduan rrugën për Prishtinë.
Merreni me mend, për një vikend në Shqipëri, mëngjesin e ngrënë në Prizren, drekën në Tiranë, darkën në Kavajë, të nesërmen mëngjesin në Durrës, drekën në Shkodër, darkën në Prishtinë, mendoj se me këtë fjali e thash të tërën dhe nuk do koment më tepër rëndësia e arteries shqiptare, të autostradës Durrës- Kukës.
Po e përmbyll këtë udhë përshkrim, se sa herë që vizitojë nënën Shqipëri, ajo dhjetëfish më tepër më bëhet më e bukur dhe më tërheqëse, ndërsa shokët, miqtë dhe vëllezërit tanë shqiptar më të përafërt. Ju shpreh falënderim dhe mirënjohje për tërë kujdesin dhe mikpritjen që na bëtë neve kosovarëve, nikoqirët tanë në Shqipëri, zotërinj Aqifi, Nexhmiu, Remziu, Justi, Ahmedi, Olsi, Fisniku, Ermali, Algerti, Mirsadi e Ergysi.

Zoti çoftë i kënaqur me juve dhe ju ruajt përherë. Amin!


9.10.2009

Faik MIFTARI
Author: faik
•4:22 e pasdites
Nga emisioni “Zona e debatit” në Klan Kosova të shfaqur para ca ditësh, ku mysafir i Baton Haxhiut ishte akademiku i nderuar Rexhep Qosja, arrita të nxjerr tri përfundime themelore të debatit të zhvilluar: identiteti kombëtar, identiteti fetar dhe identiteti gjuhësor.
Identiteti kombëtar – në kohët e fundit, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, janë shpeshtuar zërat për kombin kosovar, popullin kosovar apo etnosin kosovar. Me këtë medoemos dëshirohet të instalohet teza se me krijimin e shtetit krijohet edhe kombi, e cila në shumicën e rasteve qëndron, por ka edhe raste të përjashtimit të kësaj teze, si p.sh. në rastin konkret të Kosovës. Kjo në ish Jugosllavi ishte vendosur fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e kombit maqedonas, për t’u ndarë nga trungu i tyre bullgar, e dihet nga historia se termi Maqedoni është një nocion gjeografik i cili ka një shtrirje të gjerë hapësinore në Ballkan, dhe është i njohur me tri regjione:Maqedonia e Egjeut, Maqedonia e Pirineut dhe Maqedonia e Vardarit. Ky komb i ri i proklamuar, pas pavarësimit të Maqedonisë, edhe sot e kësaj dite ka probleme dhe paqëndrueshmëri, pasi kontestohet prej fqinjëve më të afërm, Greqia nuk e njeh emrin Republika e Maqedonisë, Bullgaria nuk e njeh gjuhën maqedone, Serbia nuk e njeh kishën ortodokse të saj, vetëm shqiptarët si në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, e kanë njohur atë me të gjitha atributet e saja shtetërore, edhe pse, përkundrazi, nuk do të duhej të njohin kombin maqedonas si komb në vehte, ashtu sikurse nuk duhej pranuar në asnjë mënyrë kombin kosovar.
Për krahasim merret Austria, e cila kurrqysh nuk mund të qëndrojë, sepse dihet nga historia që Perandoria Austriake shumë më heret ka ekzistuar si shtet dhe ka luajtur një rol dominant në Evropë, para shtetit gjerman i cili tek në shekullin XIX është arritur bashkimi i tij pas ndarjeve të principatave gjermane. Nuk e di pse nuk merret shembull Zvicra, e cila është e përbërë prej gjermanëve, francezëve dhe italianëve, janë shtetas zviceran, por me përkatësi kombëtare të ndryshme, apo ta marrim shembull Qiproja e cila përbëhet prej grekëve dhe turqve, janë shtetas qipriot, por me përkatësi kombëtare të ndryshme, apo si shembull më të ri Bosnja, e cila është e përbërë prej boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.Vallë, a thua mund të paramendoni se grekët dhe turqit do të distancoheshin nga përkatësia e tyre kombëtare për të formuar një komb inekzistent qipriot, apo serbët dhe kroatët të distancoheshin nga përkatësia e tyre kombëtare, për të formuar një komb inekzistent bosanac? As nuk mund të paramendohet e lere më të realizohet një gjë të tillë. Vallë, e pse në rastin e Kosovës, trumbetohet nga qarqet e caktuara një gjë e tillë, sepse dëshirohet që nga trungu shqiptar të ndahet një pjesë bukur e madhe e popullit shqiptar, të krijohet një komb i ri inekzistent kosovar, e që shkon për shtati qarqeve të caktuara në Ballkan e më gjërë, të coptohet një pjesë e kombit shqiptar, për të parandaluar rritjen e tij, zhvillimin e tij kulturor, ekonomik, shoqëror e kështu me rradhë. Po kjo sjell edhe një shqetësim tjetër, a thua se si do të ndienin veten e tyre shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Mali të Zi, do ishin shqiptar apo kosovar? Për një kohë të caktuar, për shkak të rrethanave të caktuara politike në skenën globale ndërkombëtare, mund të ekzistojnë dy shtete të një kombi, por gjithherë me dëshirë bashkimi, si në kuadër të integrimeve kombëtare, njashtu edhe ndërkombëtare. Kjo tezë bie ndesh, pasi që kjo përpjekje iracionale edhe nga një aspekt tjetër nuk qëndron, në rast se nisemi nga logjika e krijimit të kombeve me rastin e krijimit të shteteve, do të thotë që kombi shqiptar është krijuar tek në vitin 1913 me rastin e pranimit të pavarësisë së Shqipërisë, apo kombi boshnjak me rastin e pranimit të pavarësisë së BeH në vitin 1992, e dihet që këta dy popuj kanë një histori të përbashkët shumë më të gjatë dhe janë autokton në Ballkan, por për shkaqe dhe rrethana të caktuara politike kanë arritur të krijojnë shtetet e tyre në fillim të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI.
Identiteti fetar – gjatë historisë së kaluar shumë shekullore, e sidomos gjatë periudhës osmane, nga të gjithë popujt e Ballkanit, që kanë jetuar nën Perandorinë Osmane, si serbët, grekët, bullgarët, rumunët, malazezët, kroatët, hungarezët e tjerë, vetëm shqiptarët dhe boshnjakët e kanë pranuar me shumicë fenë Islame. A thua vallë, pse vetëm këta dy popuj autokton të Ballkanit kanë përqafuar Islamin? Po, për të shpëtuar nga kthetrat e asimilimit të vazhdueshëm që i është bërë boshnjakëve nga ana e serbëve dhe kroatëve, dhe shqiptarëve nga ana e serbëve dhe grekëve. Me pranimin e Islamit definitivisht është ndërprerë asimilimi i tyre edhe pse tendenca e tyre ka vazhduar pa ndërprerë gjer në ditët e sotme, por pa sukses, e me pranimin e pavarësisë së BeH dhe Kosovës, njëherë e përgjithmonë kjo ka marr fund. Kombi shqiptar i cili në shumicë absolute(90%) i takon identitetit Islam, tani në shekullin XXI, në këto valët e reja të demokracisë, në vend të angazhimit për mbrojtjen e lirive dhe drejtave njerëzore, kombëtare, fetare, kulturore, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore-fetare, nga qarqet e caktuara ndërkombëtare dhe kombëtare, sulmohet identiteti i tyre Islam dhe trumbetohet në kthimin e fesë së mëparme, që është racizëm i llojit të vet. Harmonia fetare dhe paqja brendashqiptare që ka mbretëruar shekuj me rradhë, është sajuar dhe mirëmbajtur në saje të respektit të treguar të shumicës myslimane shqiptare ndaj pakicës krishtere shqiptare(katolikë dhe ortodoks).Tani, individët dhe qarqet e caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare tentojnë të prishin këtë imazh dhe harmoni fetare shekullore, se kjo tendencë është shumë e rrezikshme me pasoja të papara, në të cilin vetë ata më parë do të humbin. Por, edhe kjo klithje në kthimin e fesë së përparme, nënkupton kthim në fenë ortodokse, pasi që pas ndarjes së kishës krishtere në vitin 1054, në kishën katolike me qendër në Romë, dhe kishën ortodokse me qendër në Kontantinopol, vija e Teodosit që ka përshkruar trojet shqiptare, ka rezultuar në atë që 90% të shqiptarëve të atëhershëm të takojnë ritit ortodoks e vetëm 10% ritit katolik. Pranimi apo përqafimi i fesë islame nga shqiptarët ka ndodhur në rrethana të caktuara politike dhe historike që ka mbretëruar në atë kohë në Ballkan, ka ndodhur si i tillë, tani është një realitet i tillë, dhe se është anakronike dhe iracionale të trumbetohet dhe të bëhet thirrje kundër identitetit Islam të shumicës së popullit shqiptar, dhe si e tillë nuk mund të ketë sukses.
Identiteti gjuhësor – Pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë në vitin 1972, ku është vendosur standardizimi dhe unifikimi i gjuhës së sotme letrare shqipe për tërë kombin shqiptar, tani, na paraqiten zëra të caktuara si në Kosovë, ashtu edhe Shqipëri, për thirrjen e një Kuvendi të ri, në të cilin do të riformulohet apo të ristandardizohet gjuha e sotshme letrare shqipe. Në atë kuvend është vendosur që dialekti toskë të ngadhënjejë mbi dialektin gegë, kjo ka ndodhur në një kohë të caktuar historike, në të cilën rrethanat aktuale politike kanë imponuar një gjë të tillë, me të cilën janë “pajtuar” gjuhëtarët apo albanologët pjesëmarrës në Kuvend. Por kjo ka sjell shumë dobi dhe ka qenë pozitive, pasi që prej vitit 1972, të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, përdorin shkrimin dhe gjuhën e njësuar letrare shqipe, duke mos ia cenuar askujt në jetën e përditshme të flasë në dialektin e tij, i cili dallon nga rajoni në rajon, psh. Opoja nga Hasi apo Llapi nga Gollaku, e të mos flasim për rajone dhe krahina të tëra në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Në vend se të shkohet dhe të punohet në përmirësimin dhe përparimin e gjuhës standarde shqipe, shkohet në tentim të minimizimit të një pajtimi gjuhësor që ka ndodhur në kohë të caktuar dhe në rrethana të caktuara historike, e që për mua është humbje kot energjije...
Po e përmbylli këtë vështrim me bindjen se intelektuali i vërtetë shqiptar është ai që mburret dhe mbron identitetin e tij kombëtar, fetar e gjuhësor, përkundër intelektualëve të caktuar shqiptarë, që për qëllime të caktuara janë në gjendje të heqin dorë edhe prej identitetit të vet kombëtar, fetar e gjuhësor.

3.10.2009

Faik MIFTARI