Author: faik
•12:58 e paradites
Kohë më parë, gjatë muajit tetor, isha në vizitë në Turqi, saktësisht në qytetin e Izmirit. Ishte hera e parë që e vizitoj këtë qytet, për dallim nga qytete tjera të Turqisë që kisha vizituar më parë, sikurse ishin Stambolli, Ankaraja, Bursa, Konja, Antalia, Edrenja, Jallova, Fet’hije dhe Ajvallëku. Qyteti i Izmirit gjendet në perëndim të Turqisë, është qyteti i tretë për nga madhësia në Turqi, pas Stambollit dhe Ankarasë, dhe se është i njohur edhe me limanin më të madh në brigjet e Detit Egje.
Është një qytet i vjetër, antik, me një histori 8500 vjeçare, llogaritet një prej qyteteve më të vjetra urbane në botë, emri i tij i vjetër nga koha antike ishte Smirna, e cila thuhet se ka qenë emri i një gruaje luftëtare dhe njëherit edhe mbretëreshë. Izmiri ka një popullsi prej afro 4 milion banorë, është qyteti kryesor i krahinës së Egjeut, ka limanin më të madh të tij, 16 komplekse industriale, 6 universitete, 2 zona të lira, dhe se llogaritet një nga qendrat ekonomike prodhuese të Turqisë. Njihet edhe si qytet me më së shumti investitor të huaj dhe kapital të jashtëm të investuar në Turqi. Pasi që ka një klimë të nxehtë mesdhetare, me rreth 300 ditë në vit me diell, është i njohur edhe si vend në të cilin preferojnë të kalojnë pushimet verore turistët e shumtë të huaj dhe vendor, dhe se janë të njohura vendet turistike përreth tij sikurse Selçuku, Bergama, Foça,Çeshme, Seferhisari etj. Në Izmir janë 2 universitete publike, Universiteti i Egjeut dhe i 9 shtatorit, në të cilin studiojnë rreth 80.000 studentë, në të cilin janë edhe 2000 studentë të huaj që studiojnë nga të gjitha vendet e botës, në mesin e të cilëve janë edhe studentë nga Kosova, shqiptarë, turq e boshnjak, me ç’rast pata rast të takohem me disa prej tyre si nga Prizreni, Prishtina dhe Mitrovica. Krahas këtyre janë edhe 4 universitete private apo komerciale. Shfrytëzova rastin të vizitojë qendrën apo kampusin universitar të Universitetit të Egjeut, në të cilin ishin të vendosur me dhjetëra fakultete dhe mijëra student banonin në konviktet që ishin brenda kampusit universitar. Izmiri si qytet i madh është i përbërë nga 17 komuna, dhe se në të gjitha komunat në pushtet lokal është partia opozitare CHP(Cumhuriyet Halk Partsi-Partia Republikane Popullore), dhe se është i vetmi qytet prej qyteteve të mëdha në të cilin pushtetin lokal e ka partia opozitare më e madhe në Turqi.
Edhe në Izmir, sikurse në tërë Turqinë, jetojnë shumë qytetarë të shpërngulur nga Ballkani që nga vitet 1878 e gjer në ditët e sotshme. Në Izmir dhe rrethinë më së shumti jetojnë boshnjak të shpërngulur që nga vitet 1878-1918, si dhe turqit nga Bullgaria që me dhunë u shpërngulën në vitin 1989 nga ana e regjimit të Todor Zhivkovit të Bullgarisë, me ç’rast në atë kohë janë shpërngulur rreth 250.000-300.00 turq, njashtu ka edhe shqiptarët të shpërngulur gjatë periudhave të ndryshme kohore. Do t’i ceki disa zona rurale në të cilin jetojnë të shpërngulurit nga Ballkani, në rregjionin e Izmirit, fshati Gylbahçe në të cilin jetojnë shqiptar nga Çamëria të shpërngulur gjatë viteve 1924-1925, fshati Halilbey i cili ka 1500 shtëpi, dhe të gjithë janë boshnjak me prejardhje e që ishin shpërngulur në vitin 1878, fshati Yenikyj me shqiptar të shpërngulur nga Kosova, si dhe fshati Alaçareiskyj në të cilin jetonin bashkërisht shqiptarët dhe boshnjakët të shpërngulur nga Ballkani. Poashtu edhe në vet qytetin, në Izmir jetojnë shqiptar, turq, boshnjak të shpërngulur nga Ballkani, në mesin e të cilëve ka qenë edhe Ahmet Prishtina, kryebashkiaku i Izmirit, i cili ishte shqiptar me prejardhje nga Prishtina, dhe ndërroi jetë gjatë mandatit të tij, për nder të cilit një shesh e mban emrin e tij si dhe muzeu i Izmirit. Llogaritet tani se nga popullsia e gjithëmbarshme e Turqisë, nga 75 milion, 10%, saktësisht 7-8 milion janë shtetas të shpërngulur nga Ballkani që nga viti 1878 e gjer më sot, sikurse shqiptarët, turqit, boshnjakët, ashtu dhe grupet etnike sikur pomakët, torbeshët dhe goranët. Gabim trashanik që gjatë shekullit të kaluar ka bërë diplomacia e jashtme turke, e sidomos pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani në vitin 1912, ka qenë që i ka pranuar muhagjerët, dhe ka bërë marrëveshje me shtetet e porsakrijuara të Ballkanit, sidomos me Greqinë, Jugosllavinë e Bullgarinë, për pranimin e muhaxherëve të larguar me dhunë nga shtetet e porsakrijuara, sikurse që ishin shqiptarët, turqit dhe boshnjakët, gjë që e thekson edhe kreatori i tanishëm i diplomacisë turke, ministri i punëve të jashtme të Turqisë z.Ahmet Davutogllu, në librin e vet “Thellësia strategjike” citoj:
“ Gabimi në të shkuarën i politikës së zbrazjes së Ballkanit me anë të rrugës së emigrimit duke i parë këto popullsi si barrë e politikës së jashtme turke, ka dalë sot në shesh në mënyrë krejt të hapur”. Po të mos ishin këto gabime të politikës turke, sot në Ballkan nuk do të ishin vetëm Shqipëria dhe Kosova me shumicë myslimane, porse do të ishin edhe Bosnja dhe Maqedonia me shumicë myslimane, si dhe Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia me një popullsi të konsiderueshme myslimane, qofshin ata shqiptar, turq apo boshnjak.
Izmiri si qytet i vjetër antik, i cili gjatë historisë së tij kishte ndërruar perandori të ndryshme, dhe i cili ka qenë i banuar me popujt të ndryshëm me kultura dhe fe të ndryshme, është i pajisur me trashëgimin e theksuar kulturore, të popujve dhe feve të ndryshme, të objekteve të kulteve fetare sikurse xhamia, kisha, sinagoga, por edhe me objekte tjera të trashëgimisë kulturore historike, të cilët disa prej tyre do t’i cek më poshtë me sa vijon:
Muzeu dhe arkivi i qytetit të Izmirit - i cili mban emrin e kryebashkiakut me prejardhje shqiptare Ahmet Prishtina i ndjerë, i cili e ka themeluar në vitin 2001 gjatë kohës sa ishte kryebashkiak i Izmirit.Muzeu i artit dhe historisë - i hapur në vitin 2004, në të cilin janë të ekspozuar pjesë nga epoka e gurit, pjesa e epokës së qeramikës si dhe pjesa e pajisjeve të çmuara. Muzeu arkeologjik i Izmirit - i themeluar në vitin 1927, ndërsa në vitin 1984 i vendosur në lokacionin e ri modern në të cilin gjendet. Është tre katesh, në të cilin është i ndarë sipas pjesëve apo kategorive të caktuara. Ka vepra arkeologjike që nga koha e vendbanimeve antike sikurse që ishin Iasos, Çandarli, Bergama, pastaj statuja, mermer, qeramika nga koha e Perandorisë romake e kështu me rrallë. Konaku shtetëror – është ndërtuar në vitin 1872. Ka një rëndësi të madhe me vlera theksuara arkitekture dhe historike, e sidomos me rastin e çlirimit të Izmirit me 9 shtator 1922 nga zgjedha greke, pas hyrjes së ushtrisë turke, ka qenë pikërisht konaku shtetëror në të cilin u ngrit flamuri turk. Sahatkulla e Izmirit – është ndërtuar në vitin 1901 me rastin e përvjetorit të 25-të të ardhjes në fron të Sulltan Abdylhamidit të II-të, të ndërtuar nga ana e kryeministrit(sadriazemit) të atëhershëm osman Mehmed Seit Pasha. Projektuesi i saj ishte Raymond Per dhe ishte ndërtuar në stilin barok. Është e lartë 25 metra, dhe në katër anët e saja gjenden nga një çeshme (krua). Sahati i Kullës është dhuruar nga Perandori i atëhershëm gjerman Vilhelmi i II-të. E veçanta e Sahat Kullës është se që nga ndërtimi i saj e gjer në ditën e sotshme sahati (ora) në asnjë çast nuk është ndalur së punuari. Kam pas rast të vizitojë sahat kulla të ndryshme, por me të vërtet sahat kullë më të bukur gjer tani nuk kam parë, sikur që ishte ajo, Sahat Kulla e Izmirit. Këzllaragasi hani – është ndërtuar në vitin 1744 nga ana e Haxhi Beshir agës gjatë kohës së Sulltan Mahmudit të I-rë, është i përbërë prej dy çarshive, në katin përdhes janë të ekspozuar për shitje prodhime të ndryshme nga guri, bakri, rruza, argjend etj, ndërsa në katin e dytë gjenden punëtori të ndryshme me prodhime punë dore. Në mes gjendet një kafe-çajtore për pushim ku shërbehet sidomos kafja dhe çaji. Ka edhe hane tjera në Izmir, por ky është më i njohuri dhe më i rëndësishëm i qytetit të Izmirit. Xhamia e Konakut – është një xhami e vogël në miniaturë, e cila gjendet pran Sahat Kullës në qendër të Izmirit. Është e tëra në formë oktagonale, e ndërtuar në vitin 1755 nga Ajshe hanmi, gjatë luftës së parë botërore ka pësuar dëmtime të mëdha, dhe se në vitin 1964 është rinovuar tërësisht. Me të vërtet kam vizituar shumë xhami të ndryshme nëpër vende dhe qytete të ndryshme, por xhami më të vogël dhe më karakteristike se xhamia e Konakut të Izmirit nuk kam parë gjer tani.Xhamia e Hisarit – gjendet në sheshin Kemeralti, e ka ndërtuar në vitin 1592 Jakub bej Ajdinogllu, është xhamia më e madhe e Izmirit. Ka kupolën qendrore në mes e përcjell anash me kupolat anësore. Enterieri i brendshëm i saj është një raritet i veçantë i kulturës dhe artit të periudhës osmane. Viteve të fundit është restauruar në tërësi dhe se me të vërtet është një xhami e bukur dhe monumentale. Kisha e Shën Gjonit – është një kishë anglikane e hapur në vitin 1902. Sinagoga e Bet Israelit – është faltore kryesore e hebrenjve të Izmirit, gjendet në lagjen e Karatashit dhe është hapur në vitin 1907 me ferman të Sulltan Abdylhamdit II-të dhënë kryeministrit të atëhershëm(sadriazemit) Qamil Pashës, me kërkesë të hebrenjve që jetonin në atë kohë në Izmir, për rituale fetare. Në vitin 1950 është bërë restaurimi i saj dhe se edhe sot është faltorja më e madhe hebraike në Izmir në të cilin kryejnë ritualet e tyre fetare. Përveç kishës së Shën Gjonit, janë edhe shumë kisha tjerë, ndër të cilët do të veçoja : kisha katolike e Shën Helenes, kisha katolike e Notër-Damit në Izmir, kisha katolike e Shën Marisë, kisha protestante britanike, kisha katolike e Shën Rosary e kështu me rrallë.
Në përfundim të këtij udhëpërshkrimi do të cek se me të vërtet ia vlen të vizitosh edhe qytetin e Izmirit, gjatë shkuarjes në Turqi, se ke çfarë të shohësh gjatë vizitës, një qytet antik me një trashëgimi shumë të pasur kulturore-historike të popujve dhe feve të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme kohore në të cilën kanë jetuar dhe vepruar.


18.11.2011
Faik MIFTARI