Author: faik
•3:51 e pasdites
Ditë më parë, saktësisht me 20.12.2008 në Prishtinë në hotelin Grand, u mbajt konferenca shkencore”Alija Izetbegoviq ndërmjet lindjes dhe perëndimit” në organizim të organizatës”AKEA” dhe agjencionit”TIKA” me rastin e përvjetorit të pestë të ndërrimit jetë të intelektualit, politikanit, burrështetasit, presidentit të Bosnjës e Hercegovinës Alija Izetbegoviqit.
Në emër të organizatës”AKEA” të pranishmit në sallë i përshëndeti Hysamedin Abazi i cili në fjalën e tij përshëndetëse përveç tjerash ceku” më lejoni të falënderoj referuesit nga Bosnja, Turqia, Maqedonia e Kosova, të gjithë të pranishmit, mediat elektronike dhe të shkruara, e posaçërisht zotëri Adnan Ismaili si urë lidhëse me botën boshnjake dhe turke”. Në emër të agjensionit “TIKA” pjesëmarrësit i përshëndeti koordinatori i saj për Kosovën zotëri Kürşad Mahmat i cili përveç tjerash ceku se “ pesë shekuj me rrallë kanë jetuar dhe bashkëpunuar në harmoni dhe koekzistencë të plotë shqiptarët, turqit e boshnjakët. Alija ishte lider jo vetëm me përmasa kombëtare por edhe me përmasa botërore”.
Në emër të Fakultetit të Studimeve Islame përshëndeti prodekan i saj zotëri Qemajl Morina i cili ceku se” është me rëndësi si për popullin boshnjak ashtu edhe për popullin shqiptar, pasi që na lidh besimi i përbashkët”.
Muamer Zukorliq, myfti i Sanxhakut, përshëndeti të pranishmit, ndër tjerat ceku se
” falënderoj organizatorët e kësaj konference shkencore organizatën” AKEA” dhe agjencionin “TIKA”, për organizimin e këtij evenimenti kulturor me rëndësi të posaqshme për gjithë Ballkanin. Sot jemi takuar këtu, për të shënuar njeriun e madh për çështjen boshnjake, por përveç tjerash edhe njeriun e madh human e internacional”.
Emrush Azizoviç nga organizata”Edukatori” përshëndeti konferencën shkencore edhe në emër të boshnjakëve të Kosovës.
Pas fjalëve përshëndetëse pasoi filmi dokumentar i gazetarit turk Akif Emre”Intervista e fundit me Alijën”i cili tek pjesëmarrësit la përshtypje dhe mbresa të veçanta.
Kumtesa e parë në konferencën shkencore”Alija Izetbegoviq në mes lindjes dhe perëndimit” ishte e Adamir Jerkoviqit, ish këshilltar i Alija Izetbegoviqit,drejtor i arkivit të BeH, me titull”Kush ishte Alija Izetbegoviqi” i cili përveç tjerash ceku:” Për Alijën nuk është lehtë të flitet, Alija është trim mitik i shekullit XX, për diplomatët e huaj Alija ka qenë i urtë dhe tepër i shkathët, ka luftuar për lirinë dhe afirmimin e Islamit dhe popullit boshnjak. Lufta e tij për mbrojtjen e boshnjakëve dhe shtetit të BeH ishte edhe për te rezistuar makiavelizmit politik, shkatërrimit të BeH, konceptit qytetar të Alisë për shtetin qytetar, e që binte ndesh me konceptet e Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe. Bota e ka njohur Alinë si lider i urtë, njerëzor, human dhe civilizues edhe pse ishte një besimtar i devotshëm mysliman. Ka qenë i matur, në luftë e në paçe,në fitore e në humbje, në kritika e në lëvdata. Alija ishte antipod i Makijavelit, te ai qëllimi nuk e arsyeton mjetin, Alija ka gjetur në Islamin të gjitha rrjedhat kulturore, Alija ka qenë i veçantë”.

Kumtesa e dytë ishte e dr.Hysen Matoshit, nga Instituti Albanologjik, me titull”Alija dhe shqiptarët” ku përveç tjerash ceku:” Alija ishte në mes dy opsioneve, të pranonte robërinë, apo të luftonte për lirinë e popullit të vet, më së miri e kuptonte problemin e boshnjakëve dhe të tjerëve në BeH. Ai e zgjodhi luftën e imponuar për lirinë e popullit boshnjak dhe për mbrojtjen e pavarësisë së BeH, e jo të luftonte për interesat e Serbisë në frontet e Kroacisë kundër kroatëve, apo në frontet e Kosovës kundër shqiptarëve. Maksima e tij e njohur ishte, të bisedosh sa herë që ke mundësi, të luftosh vetëm kur je i detyruar, kurrë nuk i ka ngatërruar çetnikët me serbët, apo ustashët me kroatët. Ai është angazhuar përherë për Bosnjën multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore. Ka bërë një luftë titanike kundër ushtrive të shumta agresore në BeH, sikurse ishin ushtria jugosllave, ushtria serbe lokale, ushtria kroate, ushtria lokale HVO, ushtria tradhtare e Abdiqit, njësit e shumta paramilitare e kështu me rrallë. Gatishmëria e tij heroike për të rënë për atdheun, ishte edhe nga besimi i tij i plotë në Zotin e madhëruar.
Kur Millosheviqi e kishte nisur luftën në Kosovë, ai pat thënë se regjimi i Beogradit ka vendosur me luftë të zgjidh statusin politik të Kosovës, ashtu që duke i shpërngulur një milion shqiptar nga Kosova, me 7 prill 1999 dërgon një telegram Organizatës së Konferencës Islamike që mbante në atë kohë takimin në Gjenevë, me kërkesë për ndihmën urgjente për popullin shqiptar të Kosovës, e sidomos për refugjatët e shumtë shqiptar në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu nëpër botë të shkapërderdhur. Alija mbetet si shembull unik se pushteti pikësëpari është vetëm përgjegjësi e në asnjë mënyrë privilegj . Dha dorëheqje para kohe nga pozita e tij, nuk donte të vdiste në pushtet, por si njeri i rëndomtë, arriti të fitoj simpatinë e të gjithë popujve të Ballkanit, e sidomos të shqiptarëve”.
Kumtesa e radhës me titull”Alija, Ikball i perëndimit” ishte e dr.Xhemaludin Latiqit, bashkëpunëtorit të tij më të afërt dhe më të ngushtë të Alija Izetbegoviqit. Latiqi përveç tjerash theksoi:” gjendjen e vështirë aktuale të popujve mysliman në botë mund të ndërron vetëm një gjeneratë e re. Ai evokoi edhe takimin në burg në mes delegacionit boshnjak dhe të atij shqiptar. Ishim nga tre përfaqësues në të dyja palët. Delegacioni i të burgosurve shqiptar shtroi pyetjen se çfarë mendoni ju për çlirimin e popujve të shtypur. Alia si shef i delegacionit tonë iu përgjigj: ju shqiptarët jeni popull me shumicë myslimane, ne ju kishim përkrahur edhe si popull i shtypur, por ne jemi të obliguar edhe sipas besimit islam të përbashkët që kemi të ju përkrahim, ju nuk mund të flitni se juve nuk ju nevojitet islami, juve personalisht mund të thoni, por pjesa dërmuese e popullit të juaj janë besimtarë mysliman, por ideologjia marksiste e juaj fare nuk na intereson, prej të gjithë të burgosurve shqiptar prezent në burgun e Foçës, vetëm dy besonin në Zot. Pas një kohe të gjatë, me rastin e luftës në Kosovë, njëri prej tyre që në atë kohë ishte në rradhët e UÇK-së, na dërgoi një letër, të cilën ia lexova Alisë, në të cilën i bie pishman për ato fjalët e theksuara gjatë kohës së kaluar të përbashkët në burg dhe se për të ishte një inspirim i veçantë lufta e Alisë për BeH. Tri themelet bazë mbi të cilët ishte kryer gjenocidi mbi popullin boshnjak kanë qenë:” zhdukja e turqve sipas Njegoshit, Kroacia si pararojë e katolicizmit si dhe republika islame e BeH”. Diktati ushtarak në Dejton ka qenë për të pranuar të ashtuquajturën Republikën Serbe të krijuar në gjenocidin boshnjak, që s’do të thotë që në të ardhmen që do të duhej të ekzistojë edhe më tej kjo krijesë artificiale. E gjenocidi i kryer mbi popullin tim nga serbët, e në mënyrë të heshtur të lejuar edhe nga bota perëndimore, ka qenë pikësëpari pse jemi mysliman.
Alija ka qenë Ikballi i Perëndimit.
Civilizimi perëndimor nuk mund të jetë universal për botën, me të cilën përpiqet nëpërmjet globalizimit të imponohet, pasi ka shumë të meta të mëdha. I vetmi civilizim që mund të jetë universal për tërë botën është civilizimi islam i cili qëndron apo bazohet në tre vëllazëri parimore: e para, vëllazëria sipas prejardhjes njerëzore, pasi që tërë shoqëria njerëzore e ka prejardhjen prej Ademit(Adamit) e Havës(Avës), vëllazëria sipas ehlikitabit, që do të thotë, besimi në një Zot, si të hebrenjve, krishterëve dhe myslimanëve, dhe vëllazëria sipas islamit, që nënkupton besimtarët mysliman. Do ta përmbyll këtë ligjëratë timen me thënien e paharruar të Alija Izetbegoviqit, nga Deklarata Islame”Me besue dhe me luftue”.
Kumtesën e dr.Ismajl Bardhit me titull”Alija, shehid, shahid i kohës” e lexoi Mehmet Kalisi pasi që nuk ka mund të marrë pjesë për shkaqe objektive, në të cilin përveç tjerash ceku: “më tepër dihet për Alinë si politikan, por jo edhe si autor i shkrimeve të shumta apo publicistika e tij në përgjithësi. “Ikja ime në liri “është vetëm njëra prej veprave të shumta të tij, e cila aludon kohën e tij të kaluar në burg”.
Kumtesa e rrallës me titull”Bukuria dhe urtësia në botën e Alija Izetbegoviqit” ishte e autorit Sadik Yilmaz nga Turqia, i cili përveç tjerash ceku se: “Istanbulli është një urë lidhëse ne mes Lindjes dhe Perëndimit, ashtu edhe Alija Izetbegoviq si një personalitet i rrallë i cili u angazhua si lidhës në mes Lindjes dhe Perëndimit, në mes të dy kulturave apo civilizimeve. Ai çdo herë është angazhuar që të mos ketë aspak hakmarrje ndaj katolikëve e ortodoksëve, aspak ndaj civilëve, prijësve fetar apo faltoreve të tyre, kishave ortodokse apo katolike”.
Referuesi i rrallës ishte dr.Zejnullah Gruda me kumtesën e vet me titull”Lufta e rëndë e Izetbegoviqit për shtetësinë e BeH”i cili përveç tjerash ceku se:” Alija ka qenë një ndër figurat më të njohur të shekullit XX, personalitet më i çmuar i kombit boshnjak. Ka përjetuar dy përpjekje të gjenocidit ndaj popullit të tij, prej krimeve më të rënda në historinë njerëzore. Ka qenë sinonim për bashkëjetesë të kulturave të ndryshme. Alija ka bërë luftë në disa fusha, afirmimin e popullit boshnjak si një popull i veçantë nga serbët dhe kroatët, ruajtjen e BeH, pavarësisë dhe sovranitetit të saj, kundër planit serbokroat për ndarjen e BeH, në proporcion 66% për Serbinë dhe 34% për Kroacinë. Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare në rastin e BeH ka treguar një indiferencë të skajshme marramendëse. Sa për ilustrim do të ceki thënien e ish presidentit amerikan Richard Nikson,: po të kishin jetuar të krishterët apo hebrejët me shumicë në Sarajevë, kurrë nuk do të kishte ndodhur rrethimi i Sarajevës për 1200 ditë. Srebrenica një zonë e ndaluar dhe e mbrojtur nga OKB-ja, u dorëzua serbëve të cilët për 4 ditë vranë dhe masakruan rreth 8000 burra, të rinj dhe pleq, një gjenocid i paparë në mes të Evropës që nga lufta e dytë botërore. Beteja e fundit e Alisë ishte Dejtoni, të cilën u dashtë me e pranua për të shpëtuar popullin e vet. BeH ka dalë si shtet, por ka përjetuar një lindje tepër të rëndë”.
Referuesi i radhës ishte Bylent Yildirim me kumtesën me titull” Lider shembull, Alija” ku përveç tjerash ceku:” Alija ka qenë guximtar,një veprimtar i denjë për pavarësi. Ka qenë i urtë, i shkathët dhe me mjeshtëri e mençuri e ka përdorur mendjen. Edhe pse më shumë se 1000xhamia janë shkatërruar dhe rrënuar gjatë luftës në BeH, në asnjë moment nuk ka lejuar të rrënohen kishat katolike dhe ortodokse. Alija ka qenë gjithherë pjesë e Islamit universal dhe ummetit mysliman. Ka qenë prore me popullin e vet, ka jetuar si një njeri i rëndomtë çdo herë i gatshëm të pranojë vizitat e ndryshme, ka vizituar shumë shtete, dhe se ka shpresuar se pas një kohe dhe mundimi do të dal fitimtar.
Vepra e Aliut nuk ka qenë vetëm për Bosnjë por për tërë civilizimin botëror. Udhëheqësit turk edhe sot e kësaj dite janë të impresionuar me idetë dhe këshillat e Alisë”.
Referuesi i fundit ka qenë Akif Emre me kumtesën me titull”Prijës, urtar Alija” me ç’rast theksoi : “Alija ka qenë shembull më i mirë i njohjes dhe bashkëjetesës apo koekzistencës të dy civilizimeve, asaj perëndimore dhe lindore, islame dhe kristijane. Gjenocidi i kryer ndaj boshnjakëve nga ana e serbëve, u bë edhe me miratim të heshtur të qarqeve të caktuara ndërkombëtare. Ishte njëri prej liderëve më të mëdhenj të botës islame në 100 vitet e fundit, apo të shekullit XX”.
Mr.Adnan Ismaili nga Maqedonia e ka dorëzuar kumtesën e vet për botim, pasi për shkak të shkaqeve personale nuk ka mund të qëndrojë më gjatë në Prishtinë.
Në përmbyllje organizatorët ndanë nga një mirënjohje për referuesit të pranishëm. Konferenca shkencore përfundoi punimet në ora 17.00.

28.12.2008
Faik MIFTARI

Author: faik
•2:26 e pasdites
Sonte jemi tubuar këtu në qytetin tonë të lashtë të Prizrenit, i njohur përveç tjerash edhe si qytet i kulturës, për të promovuar librin e memoarëve të intelektualit, politikanit, burrështetasit, presidentit, strategut të kombit boshnjak, besimtarit të devotshëm musliman, themeluesit të shtetit të BeH, “Kujtime” të Alija Izetbegoviçit.
“ Prezantimi i një libri të ri është një ngjarje e shenuar në jetën kulturore, është një kënaqësi e veçantë për pjesëmarrësit, është një përgjegjësi morale e shkencore për diskutantët, është një nderim qytetar e intelektual për autorin dhe përkthyesin”janë fjalët e cituara të pedagogut të mirënjohur nga Shkodra Faik Luli. Shfrytëzoj rastin të përgëzoj Organizatën “AKEA” dhe Agjencionin”TIKA” për organizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm kulturor për qytetin tonë e që është në kuadër të shenimit të pesëvjetorit të ndërrimit jetë të ish presidentit boshnjak, dhe Konferencës shkencore”Alija Izetbegoviçi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” të mbajtur dje në Prishtinë. Për meritat dhe vlerat e tija si në rrafshin intelektual, politik, diplomatik, njerëzor, human, civilizues do të citojë disa nga thëniet e shumta për personalitetin dhe figurën e Alija Izetbegoviçit:
“Po të mos ishte Alija, BeH nuk do të ekzistojë, ai është shkaku i ekzistimit të BeH”- Richard Holbruk, kreator i Marrëveshjes së Dejtonit.
“Ka qenë zëri i Bosnjës i cili ka luftuar për mbijetesën e saj. Ka udhëhequr rezistencën nga kryeqyteti i rrethuar i Sarajevës dhe me përkushtim maksimal ka punuar që të shpëtohet pavarësia dhe sovraniteti i BeH” – George Robertson ish sekretar gjeneral i NATO-së.
“ Për vlerat të cilët ka besuar, për shtetin dhe popullin e vet, ai është burim i pashtershëm i trimërisë dhe i vlerave të veçanta të humanizmit njerëzor”- Receb Tayyib Erdogan kryeministri aktual i Turqisë.
“ Alija Izetbegoviçi ka qenë lideri i madh i BeH i cili tërë jetën ka shërbyer për prosperitetin e popullit të vet” Muhamed Mahathir ish kryeministri i Malejzisë.
“ Alija me personalitetin dhe veprimin politik të tij të fuqishëm ka shenuar ngjarjet në BeH. Tërë jetën e tij i ka kushtuar veprimit politik dhe nuk e kanë thyer as vitet të tëra të kaluara në burgje”- Stjepan Mesiç kryetar aktual i Kroacisë.
“Ai ka preferuar Islamin tolerant, Islamin qytetar, por ne nuk e kemi ndëgjuar.Ai nëvitin 1992 e ka lutur Europën që të intervenojë, ja ka tërhjequr vërejtjen Fransoa Miteranit, Fransoa Miterani nuk ka dashur të ndëgjojë. Ne nuk e kemi ndëgjuar Alinë, atëherë janë vrarë 200.000 njerëz në Bosnjë dhe erdhi lufta në Kosovë, të cilën kemi mundur ta evitojmë po ta kishim ndëgjuar atë. Ai ishte De Goli i Bosnjës.Maksima e tij ka qenë Islami, por edhe demokracia dhe multietniciteti”- Bernard Henry Levi, filozof dhe shkrimtar i mirënjohur françez.
Ja që sonte e kemi të përkthyer edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe “Kujtimet” e Alija Izetbegoviçit falë punës së palodhur të përkthyesit, këtë libër do ta preferoja për lexim çdo lexuesi shqiptar kudo çoftë, e veçanërisht atyre që merren me politikë në mënyrë direkte apo indirekte, analistëve poltik, studjuesve politik, futurologëve politik e kështu me rrallë, dhe se posa ta merrë në dorë lexuesi për lexim, nuk do të mund të le anash pa përfunduar leximin në tërësi, dhe prej të cilit do të përfitojnë shumë si në aspektin kulturor e shkencor, ashtu edhe atij historik e politik.
Do ta përmbylli këtë diskutim me fjalët e paharruara të Alija Izetbegoviçit, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit,të cilët përherë do të mbesin të shënuara në analet e diplomacisë botërore:
“ Kjo nuk është paçe e drejtë, por është më e drejtë se vazhdimi i luftës.Në situatën çfarë është, në botën çfarë është, në tëcilin është e mundur të fillohet një luftë e padrejtë dhe të imponohet një paçe e padrejtë, paçja më e mirrë nuk do të arrihej. Zotin e kemi dëshmitar se kemi bërë çdogjë çfarë ka qenë në duart tona, që padrejtësia për popullin tim dhe shtetin tim të jetë më e vogla”.

Ju faleminderit për vëmendje!
21.12.2008
Faik MIFTARI
Author: faik
•9:18 e pasdites
Para ca ditësh u mbushën plot 40 vjet prej kohës kur populli shqiptar në përgjithësi në trojet e veta etnike në ish Jugosllavi, e në veçanti shqiptarët në Kosovë ngritën për herë të parë në demonstrata publike me kërkesat për drejtat e tyre kombëtare. Pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966 në të cilën ra klika e Rankoviqit, populli shqiptar në ish Jugosllavi, e në veçanti në Kosovë filloi pakëz të frymojë më lirë pas një periudhe20vjeçare të nëpërkëmbjes së dinjitetit shqiptar.
Në nëntor të vitit 1968 gjithandej Kosovës, e në veçanti në Prishtinë me 27 nëntor 1968 u organizuan demonstratat publike me kërkesat për përdorimin e flamurit kombëtar, për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe, për pozitën e barabartë të popullit shqiptar me popujt tjerë, gjer në kërkesën sublime për Kosovën Republikë, si pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave. Këto demonstrata e para publike në Prishtinë u shuan me përdorimin e dhunës së paparaparë nga forcat e rendit publik serb, si pasojë e së cilit ra edhe dëshmori i parë i demonstratave nxënësi Murat Mehmeti, si dhe dhjetëra të lënduar . Por kjo demonstratë publike inicioi rezultatet e para të përmirësimit të pozitës së popullit shqiptar, nga përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, hapjen e Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, diskutimet publike për amendamentet kushtetuese që sollën avancimin e pozitës juridike të Kosovës që u kurorëzua me miratimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974, që e avancoi Kosovën si pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave, por me një dualizëm juridik që në të njëjtën kohë Kosova ishte edhe në përbërje të Serbisë por edhe të Jugosllavisë. Ky ishte maksimumi i avancimit të pozitës juridike kushtetuese të Kosovës në ish Jugosllavinë socialiste. Me të vërtetë dekada 1971-1981 ishte periudha e lulëzimit të Kosovës gjatë së cilës përjetoi një zhvillim të hovshëm si në aspektin politik, ekonomik, arsimit, kulturës etj. Por ku dualizëm juridik i Kosovës nuk ishte një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjate. Me 11 mars 1981 shpërthyen demonstratat studentore në Prishtinë, të cilët me të shpejtë u përhapën gjithandej Kosovës gjatë muajve mars dhe prill, me ç’rast iu bashkëngjit edhe klasa punëtore, me kërkesën sublime për Republikën e Kosovës. Me të vërtetë këto ishin demonstratat madhështore dhe masive të papara gjer atëherë në ish Jugosllavinë socialiste. Edhe këto demonstrata u shuan me një dhunë të paparë me ç’rast pati dhjetë të vrarë e qindra të lënduar e të plagosur. Sa ishte me rëndësi strategjike dhe me planifikim largpamës kërkesa e popullit shqiptar për Kosovën Republikë, u pa, vetëm pas shpartallimit të ish Jugosllavisë, në vitin 1991, kur Badinteri ia njohu vetëm 6 republikave përbërëse të ish Jugosllavisë, të drejtën e vetëvendosjes,ndërsa në rastin e Kosovës ia mohoi, dhe ky fakt i hidhur edhe sot e kësaj dite po reflektohet, në të cilin thirret Serbia, duke qenë Kosova në përbërje “de jure” të saj sipas Rezolutës aktuale në fuqi të KS të OKB-së 1244, dhe në të cilin shpreson Serbia se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta merr parasysh, vitin e ardhshëm, gjatë përcaktimit të vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga aspekti i drejtës ndërkombëtare. Pas këtyre demonstratave nisi tatëpjeta për popullin shqiptar dhe për pozitën juridike kushtetuese të Kosovës, me ç’rast Serbia inicioi amendamentet kushtetuese sipas së cilës suprimohet autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Pas presionit të paparë mbi ish udhëheqjen aktuale politike, me 17 nëntor shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar,por kësaj here, me kërkesën për ruajtjen e pozitës kushtetuese juridike të Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Në mars të vitit 1989 Serbia arriti ta suprimoi autonominë e Kosovës dhe ta rimarr sovranitetin edhe de jure mbi Kosovën. Demonstratat dhe protestat e popullit shqiptar vazhduan përgjatë tërë vitit 1989 me ç’rast pati me dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Viti1989 ishte edhe viti i shembjes së sistemit komunist në tërë Evropën Juglindore, pas së cilës fill pasoi edhe shpërbërja e ish federatës jugosllave me luftëra të përgjakshme duke u nisur nga Sllovenia,Kroacia, Bosnja e Herecegovina . Pas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, në të cilin Kosova as që u përmend, në vitin 1996 pasojnë aksionet e para guerile të njësiteve të UÇK-së, i cili solli një ndryshim radikal në skenën kosovare të gjerë atëhershme, kalimi atë nga rezistenca pasive në atë aktive. Prapë ishin studentët që bënë një kthesë radikale, ashtu që me 1 tetor 1997 organizuan një demonstratë madhështore që ia ktheu dinjitetin e rimëkëmbur popullit shqiptar pas një amullie 7 vjeçare. Në prag të fillimit të vitit të ri akademik studentor demonstratat i prinë studentët Albin Kurti, Bujar Dugolli, Muhamed Mavraj etj. me rektorin e ndjerë dr.Ejup Statovci. Kjo ishte një kthesë e madhe, pas së cilës pasoi lufta heroike e Jasharajve në Prekaz të Drenicës më mars të vitit 1998, pas së cilës shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar në përkrahje të luftës heroike të UÇK-së. Lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999 pas” intervenimit humanitar” të NATO-së për ndërprerjen e zhdukjes së popullit shqiptar dhe eksodit të paparë në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Pas një periudhe 7 vjeçare, e ashtuquajtur periudha e UNMIK-ut, gjatë secilës u krye rindërtimi dhe ri konsolidimi i Kosovës nga lufta e vitit 1998-1999, prapë me 2 shkurt Lëvizja Vetënendosje në krye me AlbinKurtin organizoi demonstratën madhështore në mbrojtje të Kosovës nga decentralizimi i paraparë sipas pakos së Ahtisarit, që ishte një kompromis tepër i rëndë drejt pavarësisë së Kosovës. Edhe këto demonstrata u shuan me dhunë nga policia e UNMIK-ut , me ç’rast pati dy të vrarë e 80 të plagosur e të lënduar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 populli shqiptar i Kosovës më në fund pas përpjekjes një shekullore arriti të realizojë mëvetësinë që të jetë i lirë dhe sovran si të gjithë popujt tjerë të Ballkanit.
Por, si “bubullimë nga qielli i kthjellëtr” erdhi propozimi 6pikësh i Ban Ki-munnit i cili bie ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës si edhe me pakon e Ahtisarit, dhe e bën ndarjen administrative apo funksionale në mes komunitetit shumicë shqiptar dhe komunitetit pakicë serb. Prapë ishte Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin që me 19 nëntor dhe 2 dhjetor 2008 organizuan demonstrata madhështore kundër planit 6 pikësh të Ban Ki-munnit e në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës ku morën pjesë me dhjetëra mijëra qytetarë.
U mbushën plot 40 vjet që neve shqiptarët në Kosovë jemi prore në demonstrata, a thua vallë edhe sa vite do të kalojmë në demonstrata, vetëm i madhi Zot e di.

8.12.2008
Faik MIFTARI