Author: faik
•1:56 e pasdites
Edhe pse kanë kaluar plot 20 vjet nga përmbysja e sistemit komunist në Evropën Juglindore, akoma vazhdon avazi i vjetër, mos lejimi i ndërtimit të xhamive qendrore në të tri kryeqendrat shqiptare, si në Tiranë, njashtu edhe në Prishtinë e Shkup. Edhe pse në të tri qytetet është nevojë imediate që prej kohësh, ndërtimi i xhamive qendrore, pasi që nuk ka hapësirë të mjaftueshme për faljen e namazit të xhumasë, e të mos flasim për faljen e dy bajrameve vjetore, me ç’rast vërshojnë besimtarët mysliman nëpër rrugë, trotuare e sheshe rreth e përqark xhamive për të gjetur sado pak vend për të falur namazin. Në tri kryeqendrat shqiptare jetojnë afro 1 milion mysliman shqiptar, në Tiranë rreth 500.000 mysliman, në Prishtinë rreth 300.000 mysliman dhe në Shkup rreth 200.000 mysliman , ashtu që ndodh që besimtarët të falin namazin e xhumasë verës nën rrezet e nxehta të diellit, e në dimër nëpër borë e shi, për shkak të mungesës së hapësirave të mjaftueshme për falje.
Edhe pse jemi duke jetuar në shekullin XXI, dhe thirremi me plotë gojë në plotësimin e drejtave elementare njerëzore, njëherit janë edhe kritere për plotësimin e kushteve për aderim, asocijim apo anëtarësim në Bashkimin Evropian, në praktik veprojmë diç tjetër duke mos plotësuar këto standarde elementare të të drejtave të garantuara njerëzore. Edhe pse me vite të tëra kjo temë është aktuale, dhe flitet për nevojën e ndërtimit të këtyre tri xhamive qendrore në këto tri kryeqendra shqiptare, të cilët sado pak për momentin do të kishin plotësuar nevojat elementare të besimtarëve mysliman për kryerjen apo faljen e namazit të xhumasë në mënyrë dinjitoze si i ka hije një qytetari. Por, pushtetmbajtësit si në nivel qendror, ashtu edhe atij komunal, akoma janë duke zvarritur këtë iniciativë me mos lejimin e trojeve apo parcelave të nevojshme dhe mos pajisjen e tyre me leje përkatëse, për ndërtimin e xhamive në qendrat e qytetit të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.Subjektet politike shqiptare kryesore si bartësit e pushteteve qendrore dhe vendore, në Tiranë, PD-ja dhe PS-ja, në Prishtinë, PDK-ja dhe LDK-ja dhe në Shkup BDI-ja dhe PDSH-ja, vetëm gjatë fushatave zgjedhore për zgjedhjet vendore apo lokale, premtojnë se do të japin leje dhe troje përkatëse për ndërtimin e xhamive qendrore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, për të përfituar votat e besimtarëve dhe xhematëve mysliman, sapo përfundojnë zgjedhjet premtimet mbesin boshe dhe të parealizuara gjer tani. Edhe pse në Tiranë, ekziston akoma prona e Vakëfit, ish Namazgjaja, në të cilin është vendi ideal, dhe nuk ka kontest pronësor, ngurohet me apo pa dashje për t’u dal dhe për të realizuar ndërtimin e xhamisë qendrore në Tiranë si nevojë imediate e besimtarëve mysliman. E që prej kohësh, në Tiranë është ndërtuar katedralja, dhe se tani edhe kisha ortodokse në oborr apo pranë Ministrisë së Mbrojtjes së shtetit shqiptar mu në qendër të Tiranës. Edhe pse apriori nuk është diç e keqe, por një e drejtë themelore e plotësimit të nevojave të tyre fetare, të pakicës krishtere shqiptare, si katolike ashtu edhe ortodokse, pasi që dihet se në Shqipëri rreth 70% të shqiptarëve i përkasin fesë Islame, në Kosovë rreth 98% të shqiptarëve i përkasin fesë Islame, ndërsa afro 100% të shqiptarëve në Maqedoni i përkasin fesë Islame, mos plotësimi i drejtave të tyre elementare fetare si shumicë absolute që janë është atak në harmoninë fetare dhe identitetin e tyre fetar.
Në Prishtinë në qendër të qytetit është ndërtuar kisha ortodokse serbe,
për qëllime politike, në kompleksin universitar, pranë Bibliotekës Popullore dhe Universitare të Kosovës, kohë më parë, në qendër të Prishtinës u ndërtua katedralja katolike, për qëllime politike, edhe atë duke rrënuar gjimnazin me renome në Prishtinë, dhe në vend të tij u ndërtua katedralja katolike. Kur them politike, mendoj për atë se nuk ka qenë nevojë imediate e plotësimit të nevojave elementare njerëzore fetare, pasi që në Prishtinë jetojnë një numër tejet i vogël dhe i papërfillshëm të besimtarëve katolik dhe ortodoks, dhe se kishat ekzistuese katolike dhe ortodokse si të tilla kanë qenë të mjaftueshme për momentin. Por sido që të jetë, qofshin ato edhe politike si të tilla, janë ndërtuar dhe do të jenë në shërbim të plotësimit të nevojave të tyre elementare njerëzore fetare, qofshin katolike apo ortodokse.
Kërkesa për ndërtimin e xhamisë qendrore në qendër të Prishtinës, me vite të tëra është duke u zvarrit, me apo pa dashje, akoma nuk është dhënë as trolli e as leja për ndërtimin e saj në qendër të Prishtinës, si nevojë imediate e besimtarëve mysliman, pasi që e premtja është ditë pune dhe se shumica e besimtarëve mysliman që punojnë, apo studiojnë apo mësojnë, me mund të madh ndajnë një orë për të kryer namazin e xhumasë, i cili si i tillë patjetër duhet kryer në kohën e caktuar, në mes ditë, dimrit në ora 12.oo, verës në ora 13.oo, dhe atë patjetër në xhami, për dallim prej namazeve tjerë, të cilët në pa mundësi për t’u falur në xhami, mund të falen edhe në shtëpi, punë, zyre, apo çfarëdo vendi tjetër përkatës. I njëjti problem qëndron edhe në Shkup, krahas katedrales ekzistuese, është ndërtuar kisha e re ortodokse qendrore maqedone mu në qendër të Shkupit, ndërsa jo që nuk lejohet që të ndërtohet xhamia qendrore në qendër të Shkupit, por nuk ekziston as vullneti që të rindërtohet bile Burmali xhamia në qendër të Shkupit e cila është rrënuar në vitin 1925 nga pushteti i atëhershëm serb. Faktori politik shqiptar, si bashkëpjesëmarrës i qeverisë, qoftë BDI-ja, qoftë PDSH-ja, gjer tani fare nuk ka qenë e interesuar, që të ushtoj trusni tek partneri i vet bashkëqeverisës maqedon që të plotësoj një kërkesë imediate e besimtarëve mysliman të Shkupit.
Sa për ilustrim, do të ceki, shembullin”per exellenc”në qytetin tim të Prizrenit, gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Në qendër të qytetit, në Shadërvan gjendet xhamia e Sinan Pashës, e cila tani është duke u restauruar, afër saj në një distancë prej 50 m gjendet kisha ortodokse serbe, 50 m afër kishës ortodokse serbe gjendet edhe kisha katolike, që të dyja të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Krahas kishave ekzistuese në Prizren, pushteti i atëhershëm osman, pa kurrfarë problemi ju ka lejuar që të ndërtojnë kishat e tyre në qendër të qytetit të Prizrenit, në Shadërvan, bile bile i ka ndihmuar materialisht dhe financiarisht ndërtimin e tyre sipas arkivave burimore osmane.
Por fajtorët për mos lejimin apo zvarritjen e ndërtimit të xhamive qendrore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, sipas mendimit tim, nuk janë pushtetmbajtësit aktual qendror dhe lokal, por janë vet besimtarët mysliman shqiptar si dhe institucionet legale që udhëheqin në aspektin shpirtëror besimtarët mysliman, sikurse KMSH-ja në Tiranë (Komuniteti Musliman Shqiptar), BIK-u në Prishtinë (Bashkësia Islame e Kosovës), si dhe BFIM-ja në Shkup (Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë). Prijësit e tyre, Selim ef. Muqa në Tiranë, Naim ef.Tërnava në Prishtinë si dhe Sylejman ef. Rexhebi në Shkup, duhet të kenë të qartë, që amanetin që e kanë marrë mbi supet e veta, për të udhëhequr këto institucione fetare të shenjta, nuk do të thotë privilegj, por pikësëpari përgjegjësi, llogarinë e të cilit do të japin para Krijuesit fuqiplotë në ditën e gjykimit. Pikësëpari përgjegjësia i bie atyre si udhëheqës të institucioneve legale myslimane si mbarëvajtës të tyre, në zgjidhjen e problemeve akute me të cilët ballafaqohen për momentin myslimanët shqiptar, sikurse që është edhe mos lejimi i ndërtimit te xhamive qendrore, mos lejimi i shamisë, mos aplikimi i lëndës së mësimbesimit fetar në shkollat publike e kështu me rradhë. Në vend se të vihen në ballë të këtyre nismave imediate të besimtarëve mysliman, të ndërtimit të xhamive qendrore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, ata hezitojnë, ngurojnë, apo akoma i besojnë premtimeve boshe të pushteteve qendrore apo lokale, e drejta e tyre individuale dhe njerëzore është të kenë qëndrimet e tyre, ama, kur të jesh në krye të një institucioni të tillë të shenjtë, atëherë duhet të jesh gati të ballafaqohesh dhe të realizosh interesat e besimtarëve mysliman. Sikur të bëjë thirrje për protestë dhe të vihej në ballë, Naim ef. Tërnava, pas apelit imamëve dhe xhematëve të Kosovës, ditën e premte, pas namazit të xhumasë, me siguri do të tuboheshin 200.000 besimtar mysliman në Prishtinë, njashtu po të bëjë thirrje për protestë dhe të vihej në ballë, Sylejman ef. Rexhebi, pas apelit të imamëve dhe xhematëve, ditën e premte, pas namazit të xhumasë, me siguri do të tuboheshin 100.000 besimtar mysliman në Shkup, njashtu po të bëjë thirrje për protestë dhe të vihej në ballë, pas apelit imamëve dhe xhematëve të Shqipërisë, do të tuboheshin 50.000 besimtar mysliman në Tiranë, kjo punë do të realizohej dhe do të plotësoheshin kushtet elementare për faljen e namazit të xhumasë dhe gjer tani me siguri do të ishin të ndërtuara xhamit qendrore si në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Por kurrë prijësit tanë fetar legal dhe legjitim nuk ndërmarrin aksione të tilla, atëherë nuk mbetet gjë tjetër, por që individët, besimtarët, xhematët, organizatat dhe shoqatat e ndryshme të shoqërisë civile myslimane, të vihen në ballë për sensibilizimin dhe realizimin e drejtave themelore fetare të tyre, qoftë nëpërmjet peticioneve, thirrjeve, protestave apo formave të ndryshme demokratike, sikurse që ishte edhe falja e namazit të xhumasë në rrugë përball xhamisë së Çarshisë, në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, me 17 qershor 2011.
Por tani e tutje, ka ardhur koha që shqiptarët mysliman që të organizohen edhe politikisht dhe të formojnë subjektin e tyre politik, si në Tiranë, Prishtinë e Shkup, që t’i realizojnë pikësëpari konceptin programor të të drejtave elementare, njerëzore, kulturore, shoqërore, fetare, politike, ekonomike, e assesi të realizimit të qëllimeve individuale apo personale të individëve, kushdo qoftë ai, dhe që të bëhen faktor politik që do të ndikojn në shoqërinë shqiptare duke garuar me subjekte tjera politike në garat elektorale si në nivelin kombëtar (qendror) ashtu edhe atij vendor (lokal), e jo si gjer tani, votat e besimtarëve mysliman i kanë shkuar subjekteve të ndryshme, prej të cilëve nuk ja kanë pa hairin për kurrgjë. E dihet se në demokraci mund të vjen rasti apo momenti që edhe me 5-6 deputet subjekti politik mund të ketë rolin vendimtar në formimin e koalicionit qeveritar, njashtu që për momentin ndodhi me LSI-në në Tiranë, apo me AKR-në në Prishtinë, dhe atëherë jo që do të realizohen të gjitha kërkesat e parashtruara të besimtarëve mysliman, por do të pyesin se edhe në ç’vend dëshiron ta ndërtosh xhaminë qendrore qoftë në Tiranë, Prishtinë apo Shkup.




20.06.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•11:53 e paradites
Në një kolumne që pata shkruar me rastin e hapjes së tunelit të Kalimashit, përveç tjerash pata thënë se tani e tutje shqiptarët për vikend, mëngjesin do të mund të ngrënë në Prishtinë, drekën në Prizren, darkën në Tiranë, mëngjesin në Durrës, drekën në Vlorë dhe darkën prapë në Prishtinë.Pasi që u hap tuneli, ne vendosëm që tani e tutje, bile së paku nga dy vikende të kalojmë, në vizitë tek Nëna Shqipëri, një në pranverë, e një në vjeshtë. Edhe pse e kemi planifikuar që në prill të shkojmë, për shkak të rrethanave subjektive e objektive, tek në qershor, me datë 11 e 12 qershor, shkuam për vikend, të shtunën e dielën, pas festimit të 10 qershorit, saktësisht të 133 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, me propozim të Fuad Ramiqit, së bashku me Halil Ibrahimin dhe Mexhid Yvejsin u nisëm ditën e shtunë, drejt Nënës Shqipëri nga Prishtina, në ora 9.30. Në Prizren arrimë në ora 11.00, ku e morëm edhe Mexhid Yvejsin nga Gjakova i cili na priti tek Ben-af-i pranë stacionit të autobusëve në Prizren dhe u nisëm drejt Shqipërisë. Kaluam për disa çaste kufirin, në të cilin akoma kontrolli i dokumentacionit bëhej në të dy anët e kufirit, dhe pastaj vazhduam nëpër autostradën e bukur, e që kulminacioni ishte kur kalonim tunelin e Kalimashit më dukej se ishim duke udhëtuar nëpër ndonjë tunel të Zvicrës apo Austrisë. Rreth orës 14.oo arritëm në Fushë Krujë, edhe pse patëm planifikuar të shkojmë në Tiranë, por pasi që Mexhidi e Halili nuk e kishin vizituar më parë Krujën, shprehën dëshirë që të vizitojnë Krujën, dhe se Fuadi si shofer që ishte e ktheu veturën në drejtim të Krujës. Për më pak se gjysmë ore arrimë në Krujë, veturën e parkuam në parkingun afër Çarshisë apo Pazarit të Krujës. Kruja është me të vërtet një qytet i vjetër dhe i bukur që karakterizohet me Kalanë e Skënderbeut. Kruja ka 20.000 banorë, gjendet në një lartësi mbidetare prej 586m, është një karakteristikë e rrallë për Shqipërinë, se të gjithë banorët e Krujës janë shqiptar musliman. E ka të bukur pazarin të cilin e vizituam dhe i cili ishte përplot me suvenire të llojllojshme dhe me një vlerë të çmuar artistike. Në mes pazarit gjendet xhamia e vjetër që daton nga periudha osmane, në të cilin falëm namazin e drekës dhe iqindisë, me dimensione ishte e vogël, por shumë karakteristike, me një oborr të vogël në të cilin gjendej edhe bunari në mes të oborrit. Një zonjë që punonte në një dyqan të pazarit na rrëfeu se në kohën e Perandorisë Osmane,” pazari ishte i ndërtuar në një simetri të duhur, ashtu që edhe macja kur hipte mbi pullazet e dyqaneve me qeramidhe të kuqe të shtruara, arrinte gjer në fund të pazarit pa kurrfarë pengese apo barriere në mes vete si nga ana e djathtë ashtu edhe të majtë”. Pas vizitës së pazarit u ngjitëm në Kalanë e Krujës. Me të vërtetë është e bukur Kalaja e Krujës dhe e rregulluar mirë, të cilin e vizitojnë vizitorët e ndryshëm nga të gjitha anët e botës, aty rastisëm edhe një ekip televiziv nga Turqia, të kanalit shtetëror TRT, të cilin incizonin një reportazh me një djalosh të ri shkodran i cili na mahniti me mjeshtërinë e rrallë të ekzekutimit të violinës, me të vërtet ishte i veçantë dhe se kur të arrijë pjekurinë do të bëhej me siguri një maestro i artit muzikor të violinës, siç është tani maestro i mirënjohur kosovar i kitarës Petrit Çeku nga Prizreni. Në kompleksin e Kalasë së Krujës gjendet Sahat Kulla e dikurshme e cila shërbente dikur edhe si kullë vrojtimi, e cila ishte restauruar në vitin 1981. Po ashtu gjenden edhe themelet apo rrënojat e Xhamisë së Fatihut, të cilën në vitin 1948 e kishte rrënuar sistemi komunist, dhe se për çudi akoma nuk ishte e restauruar, dhe si i tillë ishte i vetmi objekt kulturor i cili ishte në gjendje të mjerë në Kalanë e Krujës, mendoj që institucionet komunale përkatëse dhe shtetërore duhet të punojnë drejt restaurimit të xhamisë që si i tillë, të rrumbullaksohet kompleksi i kalasë së Krujës. Muzeu Etnografik ishte i veçantë dhe shumë i bukur, i cili kishte një vlerë të posaçme kulturore, poashtu gjendet edhe Teqeja Bektashiane e ashtuquajtur e “Dollma Teqe”, brenda kalasë, gjithashtu ishte edhe një kishë e vogël e vjetër, njashtu edhe një pllakë që tregonte ujësjellësin e vjetër mesjetar të shekullit XV-të. Brenda kompleksit gjenden edhe disa shtëpi karakteristike të periudhës osmane, të cilët tani janë shndërruar në restorante apo bare atraktive për turistë. Kurora e kalasë së Krujës është Muzeu Kombëtar i Skënderbeut i ndërtuar gjatë kohës së sistemit komunist, në të cilën përveç tjerash gjendet edhe kopja e shpatës së Skënderbeut, origjinali i së cilës gjendet në muzeun e Vjenës. Herën e parë kur e vizitova Krujën, ishte viti 2000, menjëherë pas luftës në Kosovë, m’u dha rasti që për herë të parë që të vizitojë Nënën Shqipëri, së bashku me një shok dhe mik timin nga rrethi i Kukësit, pasi që atëherë vizitova edhe profesorin tim të dikurshëm në fakultet Zeki Loxha, i cili gjendej në atë kohë në Tiranë, më preferoi që të vizitojë edhe Krujën dhe kalanë e Skënderbeut, të cilin rekomandim me plotë dëshirë e mirëprita, dhe se bashku me shokun tim u nisëm drejt Krujës, kur arritëm në kala, hymë në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut, dhe në atë moment kur e pashë shpatën e Skënderbeut mu duk sikurse “ në Krujë e pashë Skënderbenë”, që për neve kosovarët, ishte një ngjarje madhore, pasi që ishim të mësuar e të edukuar me mitin e Skënderbeut, dhe e paramendonim, të shenjtë epokën dhe rezistencën e tij, të stërmadhuar dhe të ngritur në majë të qiellit, miti i Skënderbeut... Pasi që e kryem vizitën e Kalasë së Skënderbeut, u nisëm drejt rrugës së vjetër për në Kosovë, rrugës shoku dhe miku im më mbajti një ligjëratë, të cilin kurrë nuk do të harroj dot, dhe që nga ai moment tek unë e zhveshi mitin e Skënderbeut të ngulitur thellë në mendjen time. ” Ju kosovarët, jeni me të vërtet interesant, akoma jetoni dhe ushqeheni me mite, me të vërtet Skënderbeu ka qenë një trim i vërtetë, por ahmak në mend, në strategjinë e tij luftarake, sapo ke parë Krujën, dhe se e shohësh se ku është e vendosur, në çfarë lartësie mbidetare dhe përfundi këtyre maleve të larta, ku as zogu nuk ka mund të bërë venë, po si mendon, ore ti kosovar i shkretë, se me të vërtet sulltan Fatihu dhe Perandoria Osmane, si superfuqi e atëhershme botërore, nuk kanë mund të marrin Krujën, po ai, sulltan Fatihu në vitin 1453 e morri Konstantinopojën, Stambollin e sotshëm, dhe e shembi Perandorinë njëmijëvjeçare bizantine. Po ti e sheh se sa e vogël është edhe tani Kruja, dhe se në çfarë pozite gjendet, e lere më në atë kohë, në ato kushte dhe rrethana të atëhershme. Perandorisë Osmane nuk kanë mundur t’i rezistojnë perandori dhe mbretëri më të njohura të asaj kohe, e lere më të mund të rezistojë Skënderbeu. Më thuaj ore mik im i dashur, a do të ishte tani strategji apo mençuri që kjo Shqipëri e jona që është të luftojë kundër super fuqisë së tanishme botërore, SHBA-ve, me siguri do të na bënte shkrumb e hi, a është trimëri apo budallaki më thuaj, më mirë është të jesh aleat dhe të bashkëpunosh, se sa të rezistosh kundër superfuqisë momentale aktuale botërore”. Pas kësaj me të vërtetë kur e logjikova dhe analizova më thellë pas kthimit tim në Kosovë, qëndrimi i mikut tim ishte me të vërtet plotësisht me vend.Njashtu edhe pas luftës në Kosovë, kur me iniciativën e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugovën të ndjerë, dhe të mbështetur nga Dr.Mark Krasniqi, u vendos shtatorja e Skënderbeut në qendër të Prishtinës, i njëjti mik më pat thënë” ore mik, ju akoma po ushqeheni me mite nga e kaluara, sa i përket neve, ne jemi në gjendje me ju eksportue me dhjetëra shtatore të tillë të Skënderbeut në Kosovë, por se kjo nuk është me vend, sepse në vend se të vendosni shtatoren e Adem Jasharit në qendër të Prishtinës, i cili ka sakrifikua veten dhe tërë familjen e tij për lirinë e Kosovës, e vendosni shtatoren e Skënderbeut, i cili si i tillë me kurrgjë nuk karakterizohet me Kosovën, pasi që ka udhëheq rezistencën vetëm me Krujën, dhe se në vitin 1389 Perandoria Osmane në fushën e Kosovës ka ngadhënjyer dhe ka shpor Perandorinë Serbe të car Dushanit”. Historiani zviceran Oliver Shmitt në librin e tij për Skënderbeun cekë, përveç tjerash se “ gjatë stinës së verës Skënderbeu e ka pas pushtetin vetëm në Krujë, ndërsa gjatë stinës së dimrit e zgjeronte pushtetin e tij edhe në fushën përreth Krujës, pasi që osmanët largoheshin dhe vendoseshin me taborret e tyre në kazermat brenda qyteteve gjatë stinës së dimrit”.
Pas Krujës vazhduam rrugën për në Durrës, ku pran brigjeve të Adriatikut, në paralele të njëjtë me vilën e mbretit Zog, pushuam disa çaste duke pirë nga një makiato në tarracën e restorantit të bukur. Pas kësaj vazhduam rrugën për në Kavajë, ku arritëm në ora 19.00 dhe pasi që falëm namazin e akshamit në xhaminë e cila gjendet në qendër të Kavajës, në restorantin e bukur të Haverikëve, kaluam një mbrëmje të bukur me vëllezërit Haveriku, të cilët me të vërtetë janë të mrekullueshëm, por që tani në shoqëri e kishim edhe ish futbollistin e njohur të viteve pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta, të ekipit të Besës së Kavajës, e pastaj të Dinamos së Tiranës dhe kombëtares shqiptare Selim Gjoci, i cili me rrëfimet e tij për kohën e kaluar të aktivitetit sportiv, gjatë regjimit të Enver Hoxhës, dha një histori tepër interesante dhe të tmerrshme të kohës së kaluar. Pasi që natën kaluam në Hotelin Egnatia të Kavajës, të dielën pasi që u përshëndetëm me Nexhmiun dhe djalin e tij Ilirin, në ora 10.00 vazhduam rrugën për në Durrës, rrugës u ndalëm në plazhin e Malit të Robit, ku menduam të lahemi në detin e bukur, Adriatik, por uji ishte akoma i ftohtë dhe koha ishte e freskët dhe nuk na muar mendja të hyjmë në ujë, pas kësaj vazhduam për në Shkëmbin e Kavajës, ku u ndalëm në Hotelin” Ylli i Detit” me ç’rast u përshëndeta me Lindën dhe Ardin, pronarët e hotelit, dhe pasi që pimë nga një kafe dhe lëng, vazhduam rrugën për Kosovë. Në Prizren arritëm në ora 16.00, ku Mexhid Yvejsin e vendosëm në autobus për të vazhduar rrugën në Gjakovë, ndërsa neve të tre së bashku, shkuam në xhaminë e Bajraklisë, ku falëm drekën dhe iqindinë, pas së cilës së bashku shkuam për drekë te qebaptorja e njohur e Prizrenit ”Te Syla”. Pas kësaj në ëmbëltoren e qytetit pimë nga një makiato, dhe se në ora 18.oo e përcolla Fuadin dhe Halilin për në Prishtinë.
Përfundoi në këtë mënyrë edhe një vikend i bukur nga vizita tek Nëna Shqipëri, dhe sa herë që shkojë në vizitë, aq më e bukur më duket Nëna jonë e dashur Shqipëri.

15.06.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•11:46 e paradites
Fillimi i shekullit XIII të epokës së re paraqet një kthesë historike në të cilin lindi dhe më pas me një shpejtësi më të madhe u përhap dhe u zgjerua në të tri kontinente, në Azi, Afrikë dhe Evropë, Perandoria Osmane e cila më tutje gjatë ekzistimit të saj 623 vjeçare ishte një model ”per exellenc” në të cilin nën ombrellën e saj kanë jetuar në një sipërfaqe prej 24 milion km2 popujt e ndryshëm me kultura të ndryshme. Dua të cek vetëm një shembull të një humanizmi të paparë gjer atëherë që ka treguar Perandoria Osmane në vitin 1492, kur më në fund pas gati plot 8 shekujve ra Granada qyteti i fundit i Andaluzisë së dikurshme apo i Spanjës së sotshme, pas së cilës muslimanët dhe hebrejët iu nënshtruan masivisht vrasjeve, përndjekjeve dhe dëbimeve, të cilët shpëtimin e gjetën në Perandorinë Osmane e cila i hapi dyert e saj për këta të shkretët dhe se u vendosën gjerë e gjatë Perandorisë Osmane me të gjitha të drejtat dhe liritë e tyre fetare e kulturore. Pas luftës së Dytë Botërore popujt e Evropës pas qindra viteve të kaluara në luftërat e përgjakshme në mes vete, arritën të krijojnë konturat për një bashkësi e cila sot quhet Unioni Evropian në gjirin e së cilës për momentin janë 27 shtetet në bashkësi të cilët sot mëtojnë të jetojnë të lirë në një konglomerat të një unioni me popuj, me kultura të ndryshme, të cilët po mendohen që të arrijnë një harmoni jetësore sikurse që ishte dikur në Perandorinë Osmane. Sipas një hulumtimi të një studiuesi francez dhe gjerman, pas një analize të gjerë studimi të kryer mbi Perandorisë Osmane, kanë ardhur në përfundim se cilat ishin arsyet arsyet e suksesit të gjatë të qëndrimit të Perandorisë Osmane.
Do të veçoja vetëm tri elemente, dhe atë të aspektit ekonomik dhe zhvillimit të Perandorisë Osmane, sipas këtij hulumtimi të kryer. E para, ishte, se popujt e ndryshëm në Perandorinë Osmane e kanë mirëpritur me padurim ardhjen e osmanlinjve në trevat e tyre, pasi që reformën agrare osmanlinjtë e ri e kishin të rregulluar në një stad më të lartë dhe më të zhvilluar dhe me një perfomancë të duhur, sidomos raportin në mes bujkrobërit dhe feudalit, apo çifçiut dhe spahiut. Gjersa para ardhjes së osmanlinjve, bujqit kanë punuar dhe mbjell pronat e feudalëve në atë mënyrë, ashtu që pjesën më të madhe të korrave dhe fryteve i merrnin feudalët ndërsa pjesën më të vogël, vetë bujkrobërit, që mezi me atë arrinin të mbijetojnë, me ardhjen e osmanlinjve ky raport u ndërrua në të mirën e çifçinjve, ashtu që pjesën më të madhe të të korrave dhe vreshtave i merrnin vetë ata çifçinj, ndërsa pjesën më të vogël e merrnin spahinjtë e rinj. E dyta, ishte se në lëmin e zejtarisë, në ato qytete në të cilin mungonte zeja e caktuar, osmanlinjtë e rinj i binin mjeshtërit nga qytetet e ndryshme të Perandorisë për të mësuar kallfët dhe shegertët për të ditur dhe ushtruar më tutje zejen përkatëse e cila i mungonte një qyteti apo vendbanimi të caktuar. E treta, ishte se në lëmin e tregtisë osmanlinjtë kanë zhvilluar një tregti të përsosur ashtu që nga skaji më i largët i Lindjes, nga Kina dhe Japonia, p.sh. kanë tregtuar me mëndafshin dhe i cili nëpërmjet Azisë së mesme kanë arritur ta bijën gjer në portin e Hamburgut apo edhe të Selanikut, në saje të ndërtimit të karvansarajeve të shumta gjatë rrugëve nëpër të cilët përshkonte kjo tregti , ashtu që në këto karvansaraje gjer në 3 ditë tregtarët me karvanët e tyre mund të qëndronin gratis duke u ushqyer dhe pushuar, gjë që e ka bërë koston shumë më të kapshëm për tregun e tillë anekënd Perandorisë Osmane, do të thotë pa kurrfarë barriere taksash apo doganash të cilët do të vështirësonin dhe do të rrisin koston e mallrave të ndryshme tregtare.
Turqit e sotshëm si trashëgues të osmanlinjve të dikurshëm, pas përmbysjes së Perandorisë Osmane në vitin 1923, pas gati afro një shekulli me të madhe janë duke u rimëkëmbur në aspektin e zhvillimit ekonomik të tyre, me ç’rast janë duke shënuar kohën më të artë në historinë e ekzistimit të Turqisë moderne nga viti 1923, dhe se kanë shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropë gjatë vitit 2010, ndërsa në botë, pasojnë pas Kinës, ashtu që për momentin janë të renditur në vendin e 16-të të shteteve më të zhvilluar ekonomike të botës nga 193 shtete ekzistuese, dhe se sipas kësaj dinamike të paparë gjer tani në ekonomin e Turqisë, pritet që gjer kah mesi i shekullit XXI të jenë në mesin e 10 shteteve më të zhvilluara ekonomike të botës. Suksesi i tyre pikësëpari është edhe në strategjinë e paraparë për një Turqi ekonomike të fortë, në saje të bashkëpunimit dhe mënjanimit të barrierave dhe konflikteve nga e kaluara, duke ofruar bashkëpunim me të gjitha shtetet pa marr parasysh se ku janë të shtrirë, e në saje edhe të mënjanimit të vizave të ndërsjella, për një qarkullim të lirë të kapitalit, mallit dhe njerëzve. Poashtu zhvillon një politikë të balancuar si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin. Edhe pse ka shumë kohë që do të aderojë në Bashkimin Evropian, edhe pse kjo po shkon me shumë vështërsi, për shkak të refuzimit të disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, pikësëpari të Francës dhe Gjermanisë, në anën tjetër me shtetet e Lindjes është duke bashkëpunuar me të madhe në të gjitha sferat e që kanë ndikuar që me të madhe të rritet zhvillimi ekonomik i saj, duke rritur prodhimtarinë e vet në të gjitha lëmenj si dhe duke zhvilluar cilësinë apo kualitetin e produkteve të saja. Edhe pse shtetet e Bashkimit Evropian kanë arritur një zhvillim ekonomik të përsosur, e në saje të Gjermanisë si alfa dhe omega e zhvillimit ekonomik të Evropës, disa shtete anëtare janë ballafaquar me kriza të rënda financiare, sikurse Greqia, Islanda, Portugalia, e të cilët në saje të shpirtëgjerësësisë të Gjermanisë, do të jenë në gjendje të sanojnë dhe të dalin nga situata në të cilën janë katandisur. Problemi tjetër me të cilën po ballafaqohet ekonomia evropiane, është mungesa e fuqisë kreative punëtore, si pasojë e të së cilës është e shtrënguar të pajiset me fuqi punëtore, tani edhe nga Afrika, pasi që mundësit për t’u pajisur me fuqi punëtore nga Evropa janë shterë apo janë në fazën e fundit të shterjes, dhe se parashihet që në vitin 2050 fuqia aktive për punë në Turqi nga mosha 16 e gjer në moshën 64 vjeçare të arrijë gjysmën e fuqisë potenciale kreative për punë të 5 shteteve të tanishme evropiane të Bashkimit Evropian, gjegjësisht të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Spanjë. Gjer në fund të kësaj dekade pritet që GDP-ja për kokë banori në Turqi të arrijë shifrën prej 20.000 Euro që me të vërtet do të jetë një sukses jashtëzakonisht i madh nëse arrihet që kjo të realizohet për këtë periudhë. Të gjitha këto parametra e bëjnë që Turqia dhe turqit krahas zhvillimit të hovshëm ekonomik të kenë rol dhe ndikim edhe në sferat e tjera të fushave, si në politikë, shkencë, kulturë, sport, e të mos flasim për rolin e saj ushtarak si një fuqi respektabile si në rajon ashtu edhe në botë.
Në përfundim të kësaj qasjeje do të konkludoja se disa analistët tanë shqiptar në vend se të shikojnë me një admirim këtë zhvillim të hovshëm të turqëve të sotshëm, i ka zënë paniku, ashtu që njëri prej për kundër vënien e këtij zhvillimi ekonomit të turqve, apo kundër ”neotomanizmit” të rinj, propozon merreni me mend, absurd të llojit të vet, lidhjen e aleancës jo- natyrore me serbët dhe grekët për kundërvënie këtij zhvillimi të turqëve, e dihet se gjatë tërë historisë që prej largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani në vitin 1912 dhe pavarësisë së Shqipërisë, plot një shekull që me të gjitha metodat e mundshme janë pikërisht grekët dhe serbët, që luftojnë kundër popullit shqiptar, mjafton të përkujtojmë vetëm vitet 1997 e 1999, kur dihet se kush u vu në mbrojtje të Shqipërisë, ka qenë pikërisht Turqia dhe populli turk, dhe se shqiptarët në përgjithësi do të din me u rreshtua me aleatin natyror të saj, Turqinë, në bashkëkordinim të plotë me faktorin amerikan, si garant të mbijetesës dhe zhvillimit të mëtejmë të popullit shqiptar në Ballkan.



03.06.2011
Faik MIFTARI