Author: faik
•11:25 e pasdites
Ishte dita e njëzet a agresionit izraelit në Gaza, ora 3 e mëngjesit ishte kur u zgjova nga gjumi, mora abdes, fala dy reqate namaz dhe bëra dua për Gazën. Me të vërtet njeriu nuk mund të mos rrëqethej, e posaçërisht nëse është edhe i ndjeshëm pak më tepër se që duhej, nga pamjet rrëqethëse të pasojave të bombardimeve nga ajri, toka e deti, të një hapësire gjeografike prej 360km2, me gjatësi 36 km dhe gjerësi 10 km,në të cilën është vendosur popullata më e dendur në sipërfaqen e tokës, 1miljon gjysmë banorë palestinez. Viktimat e shumta civile, me një numër të madh fëmijësh dhe gra të pafajshëm, e ka tejkalua jashtë çdo mase të gjitha konventat e mundshme botërore për mbrojtjen e civilëve gjatë luftës.
Gaza medoemos na sfidoi edhe neve shqiptarëve mysliman nëpërgjithësi kudo çofshim , në të gjitha trojet tona shqiptare. Ithtarët e librit, ehli kitabët dhe të tjerët, përpilojnë plane të ndryshme strategjike, për të na dobësuar dhe pa fuqizuar sa më tepër që është e mundur, si pasojë e të cilëve është edhe gjendja aktuale në botë e myslimanëve në përgjithësi. Ndërsa, edhe pse në numër nuk jemi pak, por 1 miliard e gjysmë mysliman në botë, jemi të pafuqishëm, të prapambetur, të pazhvilluar, të ngecur në të gjitha aspektet shoqërore, politike, ekonomike, ushtarake, arsimore, kulturore, sportive e kështu me rrallë.
Më kujtohet si sot viti 1990, kur për herë të parë(dhe për fat të keq dhe të fundit), pas rrënjës së sistemit komunist në ish Jugosllavi, në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës, u organizua kuvendi apo takimi i rinisë myslimane nga të gjitha trojet e ish Jugosllavisë, gjatë së cilës kemi referuar për problemet e ndryshme islame gjatë të cilëve jemi ballafaquar dhe se në të ardhmen se si dhe në çfarë mënyre të përparojmë, të jetojmë, të ambientojmë dhe të ecim përpara me fenë islame si është më së miri . Ishin prezent të rinj mysliman që nga Sllovenia, Kroacia, BeH, Mali i Zi, Sanxhaku, Kosova dhe Maqedonia. Ka qenë një unitet i jashtëzakonshëm, të gjithë së bashku në namaz të përbashkët, të gjithë në një forme të njëjtë të faljes, atë të shkollës juridike hanefite që shekuj me rrallë është prezentë në këto hapësirat e Ballkanit.
Tërë energjinë tonë rinore e kemi shpenzuar se si dhe në ç’mënyrë do të mundem të kontribuojmë dhe të zhvillojmë dijen tonë në përpjekjet kreative dhe intelektuale drejt përparimit dhe zhvillimit të ideve islame në përgjithësi. Nuk ka pasur fare bisedime apo fërkime, apo humbje energjie kot në mes neve, se çfarë drejtimeve i takojmë, suni apo shii, selefi apo hanefi,sufi apo nurxhi e ku ta di unë tjetër çfarë, por të gjithë së bashku kemi qenë aplikues dhe zbatues të shkollës juridike hanefite të trashëguar brez pas brezi, shekull pas shekulli, qysh me përhapjen e islamit në trojet tona të Ballkanit nga Perandoria Osmane. Strategët largpamës, qysh atëherë e kanë vënë re këtë unitet të jashtëzakonshëm të rinjve mysliman të asaj kohe në hapësirat e ish Jugosllavisë. Pasuan luftërat e përgjakshme në ish Jugosllavi me ç’rast edhe u shpërbë ish Jugosllavia. I vetmi dallim në atë kuvend në mes neve pjesëmarrësve, ka qenë se të rinj mysliman nga Sllovenia, Kroacia, BeH kanë qenë në çdo aspekt dhe shumë përpara neve, ishin më të ngritur, më të zhvilluar, më të arsimuar, më kreativ me idetë e tyre dhe propozime konkrete islame në krahasim me neve që ishim nga Sanxhaku, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.
Me valët e reja të demokracisë, edhe në Ballkan depërtuan, të lejuar në heshtje dhe me një strategji të caktuar, rrymimet dhe lëvizjet e ndryshme islame që janë aktualisht prezent në botën islame, e që pas kësaj e tërë energjia dhe vrulli rinor tani e tutje të harxhohet në fërkimet dhe përplasjet e brendshme ndërmjet vetë neve,dhe largimi dhe evitimi nga problemet madhore me të cilët ballafaqohet ummeti islam në vigjile të shekullit XXI apo mileniumit të dytë.
Këto depërtime i kam parë dhe i shoh nga një kënd tjetër si mysliman , si numër të një spektri të gjerë të mozaikut të pasur islam botëror, i cili vetëm mund të plotësoj apo begatoj, e assesi të kundërshtoj apo armiqësoj një mysliman me tjetrin mysliman. Por sikurse kjo të shihej dhe pranohej ky këndvështrim, do të ishte në rregull dhe pa pasoja. Por kundërshtarët tonë, e kanë parë këtë segment, pas secilës do të pasojnë përplasje të forta të brendshme, duke marrë parasysh nivelin të ultë të zhvillimit mendor, politik, kulturor, fetar, ideor, kreativ, të myslimanëve në përgjithësi e shqiptarëve në veçanti në Ballkan. Sa për ilustrim të ceki se në Gjermani këto fërkime dhe përplasje të brendshme fetare i kanë tejkaluar para gati plot 4 shekujve, pas një lufte të brendshme të përgjakshme sektare fetare që ka zgjatur plot 30 vjet, prej vitit 1618 e gjer më 1648, në mes katolikëve dhe protestantëve gjerman. Sot gjermanët jetojnë në një harmoni të plotë fetare, edhe pse 60% janë protestant dhe 40% katolikë, pa marrë parasysh dallimet dhe botëkuptimet të brendshme në mes tyre.
Ndërsa në përgjithësi në botën islame këto zhvillime dhe konflikte aktuale brenda fetare të brendshme janë në vlugun më të madh të mundshëm me ç’rast kemi pasoja fatale në ummetin islam. Por kjo mund të evitohet vetëm me zhvillimin dhe zgjerimin e dijes tonë në përgjithësi, dhe me një tolerancë dhe mirëkuptim maksimal të treguar ndaj ideve apo mendimeve të ndryshme të botës islame.
Kohë më parë lexova një shkrim të shkëlqyer të Justit ”Probleme të ligjërimit islam të myslimanëve shqiptar” në të cilën e ka elaboruar me mjaft sukses temën në fjalë, që sipas mendimit tim, sikur që dikur ka qenë Manifesti i partisë komuniste për komunistët, lirisht mund të them se do të mund të ishte Manifest i ditëve të sodit për myslimanët shqiptar. Me të vërtet ka qenë një qasje shumë e qëlluar dhe me vend dhe në kohë të duhur për shqiptarët mysliman në përgjithësi. Por nuk do të thotë kjo, që me Justin në ndonjë segment edhe të mos pajtohem, por assesi apriori ta shpallë atë renegat apo armik( të më fal Justi që e apostrofova si shembull), por tek Justi me siguri do të gjeje mirëkuptim për mendim të shfaqur e që bie ndesh me mendimin eventual të tij. Çfarëdo çoftë myslimani me bindje të ndryshme, normal që nuk bie ndesh me parimet islame , çoftë ai, sunni apo shii, selefi apo hanefi, sufi apo nurgji, duhet pasur mirëkuptim dhe respekt të ndërsjell.
Neve që jetojmë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, e në pjesë tjera të Ballkanit të kontinentit evropian, duhet të kemi të qartë, duhet të bëjmë një hap përpara, drejt mënyrës së qasjes dhe organizimit tonë kundruall organizimeve legjitime të aplikuara dhe të zbatuara në kohën e sotshme.Pikësëpari, mendoj në zgjerimin absolut të dijes, në radhë të parë të të shprehurit të lexuarit e të shkruarit, të editimit dhe botimit të gazetave dhe revistave, të përkthimeve, publicistikës , të hapjes së radio difuzeve dhe mediave televizive, shtëpive botuese, web faqeve , organizimin dhe masivizimin e OJQ(NGO), e kështu me radhë.
Vallë, shtrohet pyetja, a thua nuk kemi kapacitet të mjaftueshëm njerëzor, intelektual, kreativ në mesin tonë për një gjë këtillë?. Po, unë kisha thënë, por ne ende si shoqëri muslimane në përgjithësi vuajmë nga sindromi i ”bajraktarizmit shqiptar”. Njashtu edhe si shoqëri myslimane në përgjithësi vuajmë edhe nga mungesa e kapacitetit të organizimeve të ndryshme në pikëpamje të mediave, elektronike, apo edhe të shkruara.
Një gjë duhet të jetë e çartë, për të pasur sukses të plotë dhe për të ecur përpara, për çfarëdo çoftë organizimi, dy tipare apo elemente bazike që duhet të posedojë individi apo njeriu janë: dija dhe guximi, njëra pa tjetrën nuk bën, poçese njëra mungon, rezultati do të jetë gjysmak, e sidomos po të mungojë guximi, sepse mungesa e dijes mund të kompensohet me ndihmën e të tjerëve, asistentëve apo këshilltarëve, mungesën e guximit, nuk mund të kompensojnë të tjerët, asistentët apo këshilltarët.Sidomos udhëheqësit apo ata që janë në krye të çfarëdo organizimi qeveritar, joqeveritar, partiak, fetar, sportiv, kulturor, medial, në rast atyre i mungon njëri apo tjetri tipar, me siguri rezultati nuk do të jetë i plotë. A thua nuk kemi individë apo personalitete të tillë në mesin tonë, si në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, që i posedojnë këto dy tipare. Mund të konkludojë lirisht se për momentin ka shumë pak, edhe të tillë që janë, nuk mund të vijnë në shprehje për shkak të sindromit të “bajraktarizmit shqiptar” apo edhe të xhelozisë dhe inatit, që vetë nuk i posedojnë dhe se për atë nuk i lejojnë edhe të tjerët si të tillë të vijnë në shprehje në çfarëdo forme çoftë të veprimit apo organizimit në fjalë.
Po rikthehem te Gaza, si shembull ekvualent, në të cilën kemi rënë të gjithë në detyrë, edhe si shoqëri njerëzore, humane, civilizuese,e aq më tepër si shoqëri myslimane, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, që për 22 ditë me radhë nuk ishim në gjendje të bëjmë një organizim të denjë në përkrahje të popullit palestinez si dhe në sensibilizim e agresionit izraelit në Gazë në trojet tona shqiptare në përgjithësi.
Edhe pse duke ditur se një gjë e tillë nuk do të pritej të ndodh nga institucionet qeveritare, shtetërore, subjekte politike, e aq më pak nga bashkësitë apo komunitetet islame, por as nga organizatat ndryshme joqeveritare një gjë e tillë nuk është bërë, as në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, përveç dy deklaratave për shtyp të Forumit Musliman Shqiptar dhe Forumit Musliman të Kosovës, përkundër organizimit dhe veprimit madhështor në Sanxhak, Bosnjë e Turqi, me mbajtjen e hytbeve të xhumasë për Gazën, tubimin e ndihmave në të holla nëpër xhamia, organizimin e demonstratave dhe protestave në përkrahje të popullit palestinez, dhe aksioneve të shumta humanitare, në ballë të të cilëve kanë qenë bashkësitë e tyre islame si në Sanxhak, Bosnjë e Turqi.Neve shqiptarëve mysliman si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, na ka munguar edhe guximi, por edhe mos dija e organizimit të çfarëdo çoftë aksioni humanitar, tubimi i mjeteve financiare për ndihmë popullit të përvuajtur të Gazës, të protestave dhe demonstratave në përkrahje të popullit palestinez. Ne si shembull për të mirë në Kosovë e kemi Lëvizjen Vetëvendosja si mostër e shkëlqyer i një organizimi të tillë . E për një organizim të tillë, duhet një para përgatitje e mirë, me ç’rast bëhet më parë sensibilizimi i shoqërisë me mbajtjen të një konferencës për shtyp, të shpërndarjes së lajmërimeve për njoftimin e datës, vendit dhe orës së mbajtjes së protestës, fjalimet e përgatitura më parë, sloganet që do të brohoriten, pankartat e shkruara, marshuta, fillimi dhe mbarimi i saj, kujdestaria e kujdestarëve të caktuar më parë, për të mos devijuar apo për të parandaluar depërtimin apo infiltrimin të personave të tjerë që do të mundohen të ja ndërrojnë karakterin paqësore, njoftimin me kohë të policisë, të mediave elektronike dhe të shkruara.
Por neve në përgjithësi për momentin si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, na mungon një qasje e tillë në shoqërinë myslimane çfarëdo çoftë ajo, të ngritjes së zërit në formë të organizuar të shkeljes së të drejtave njerëzore, fetare, kombëtare,civilizuese, në rastin konkret të palestinezëve, por edhe të rasteve të tjera në botë.
Po të mos ishte demonstrata spontane në Prizren,e mbajtur pas namazit të xhumasë në Shadërvan dhe marshuta e saj gjer në Namazgjah, me të vërtet ishim koritë, kundruall botës islame por edhe asaj perëndimore, duke marrë parasysh me qindra,mijëra,miliona demonstrues anekënd botës që kanë dalë në protesta kundër agresionit izraelit në Gazë që nga Xhakarta, Karaqi, Sana, Stamboll, Bejrut, Damask, Teheran, Ankara, Yenipazar, e Sarajevë, e gjer në Athinë, Osllo, Paris, Londër, Romë, Madrid,Vjenë, e Vashington.
Ruana Zot, mos të na ndodh prapë ”Devr Dynjaja”.


22.01.2009
Faik MIFTARI