Author: faik
•8:45 e pasdites
Në Prizren, me datë 24.01.2012 në amfiteatrin e Medresesë në Prizren me fillim në ora 10.oo u mbajt kuvendi i rregullt zgjedhor i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Në Kuvend morën pjesë gjithsejtë 204 delegatë të zgjedhur më parë nga të gjitha xhamitë e qytetit dhe fshatrat përreth që gravitojnë në komunën e Prizrenit, ashtu që nga çdo xhami kanë marrë pjesë nga 2 delegatë dhe imami i xhamisë përkatëse . Nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës si monitorues mori pjesë Ahmet ef. Sadriu anëtar i komisionit zgjedhor i caktuar për komunën e Prizrenit. Punimet e Kuvendit e hapi kryetari gjertanishëm i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef.Ballëku. Edhe pse e kishte përgatitur referatin e vet për punën e tij katërvjeçare , nuk u lejua të prezantojë nga monitoruesi i këtij Kuvendi, Ahmet Sadriu, pasi që kjo nuk ishte paraparë me rregulloren zgjedhore. Pas tij fjalën e mori Ahmet ef.Sadriu i cili i njoftoi të pranishmit delegat të kuvendit zgjedhor me mënyrën e procedimit zgjedhor për Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Për Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit do të zgjidhen gjithsejtë 10 anëtar, plus sipas pozitës kryemami e ka vendin e rezervuar në Këshill sipas normativave ligjore ekzistuese. Pas kësaj u zgjodh kryesia e punës në përbërje: Naser Kastrati, Fet’hi Is’haku dhe Rexheb Salihu të cilët më tutje udhëhoqën me punimet e kuvendit zgjedhor. Më tutje u zgjodh edhe komisioni kandidues në përbërje prej 3 anëtarësh: Fetah Bekolli, Nail Skenderi dhe Afrim Memaj. Komisioni kandidues u tërhoq dhe përpiloi listën prej 29 kandidatëve, të cilën ia propozuan kuvendit zgjedhor për miratim. Kjo listë pastaj u plotësua dhe u zgjerua edhe me kandidatë tjerë të propozuar direkt nga Kuvendi. Ashtu që lista përfundimtare arriti në 47, nga të cilët do të votohen 10 kandidatë me vota të fshehta për Këshillin e ri të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Pastaj pasoi pushimi prej 1 orë për drekë, me ç’rast u bë edhe printimi i fletëve votuese. Në ora 13.00 i vazhdoi punimet kuvendi zgjedhor. Monitoruesi i kuvendit Ahmet Sadriu i njoftoi delegatët se mund të votojnë prej një gjer në 10 kandidat , duke i rrumbullaksuar numrat para emrit të kandidatit, në rast se shënohen më tepër se 10 kandidat atëherë fletëvotimi shpallet i pavlefshëm. Për votim ishin përgatitur 6 vendvotime dhe 2 kuti votimi ku delegatët i hidhnin votat pas leximit një nga një të kandidatëve sipas renditjes së caktuar në listën e delegatëve prezent.
Pas përfundimit të votimit, kryesia e punës së kuvendit së bashku me monitoruesin para të gjithë delegatëve të pranishëm që kanë qëndruar gjer në fund të procesit përmbyllës të kuvendit zgjedhor, i kanë shpalos fletëvotimet një nga një dhe pas përfundimit të numërimit të tyre, kumtuan emrat e 10 anëtarëve të porsazgjedhur të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit nga 47 kandidatët të propozuar në listën votuese:

1. Lutfi ef.Ballëku.................................158 vota
2. Nail ef.Skenderi.................................112 vota
3. Daud ef.Lezi......................................105 vota
4. Bashkim ef.Spahiu............................. 80 vota
5. Omer ef. Huduti...................................73 vota
6. Mazllum ef.Mazllumi...........................59 vota
7. Kujtim ef.Bislimaj................................56 vota
8. Naser ef.Kastrati...................................55 vota
9. Anel ef.Avdiu ......................................55 vota
10. Murat ef.Mazreku.................................50 vota

Ali ef.Vezaj sipas pozitës së kryeimamit që e ka, automatikisht është edhe anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit sipas normativës kushtetuese ekzistuese të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Nga kjo listë e zgjedhur e anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës do të zgjedh edhe kryetarin e KBI të Prizrenit për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Në përfundim dua të ceki se edhe pse në nenin 39 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame shkruan se: “ së paku ½ e anëtarëve duhet të jenë imam”, sikurse kuvendi i mëparshëm zgjedhor para katër vite, ashtu edhe kuvendi zgjedhor i sotshëm i zgjodhi jo gjysmën por tërë Këshillin e ri të Bashkësisë Islame në përbërje 100% imamë, do të ishte e udhës që në kuvendin zgjedhor të radhës pas katër vitesh të thirren vetëm imamët (hoxhallarët) të xhamive të qytetit dhe fshatrave që gravitojnë, që të zgjedhin nga mesi i tyre 10 imamë që do të përfaqësojnë ata, fare pa pas nevojë të thirren edhe nga dy delegat nga radha e xhematëve të xhamive përkatëse, për të mos i munduar të hupin kohë tërë ditën kotë, dhe të shërbejnë vetëm si dekor për “demokracinë” e kuvendit zgjedhor të Prizrenit. Dhe se tani ky këshill i ri i zgjedhur nuk do të duhej të quhet Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit, por duhet të emërtohet Këshilli i Bashkësisë së Imamëve të Prizrenit.

Kuvendi zgjedhor përfundoi punimet në ora 19.oo.


25.01.2012
Faik MIFTARI

Author: faik
•12:01 e paradites
Këto ditë, saktësisht me fillim të vitit të ri, 2012, doli nga shtypi libri i ri i autorit, shkrimtarit, poetit, studiuesit, hulumtuesit, publicistit Mexhid Yvejsi nga Gjakova, nga Kosova, me titull ”Në dritë të njohjes”.
Në parathënien e librit, shkrimtari, Mexhid Yvejsi, nga Gjakova, e shënon një thënie të mrekullueshme të Ludwig Wittgensteini-it:
“ Feja është niveli më i thellë i detit që çdoherë mbetet i qetë, ndërsa në sipërfaqe të tij shihen valë të mëdha”.
Libri i ri i Mexhid Yvejsit ” Në dritë të njohjes” është një përmbledhje kumtesash të autorit, të lexuara në tryeza shkencore, tribuna shkencore, sesione shkencore, konferenca shkencore, simpozium kombëtar, simpozium shkencor, seminar shkencor ndërkombëtar, si të karakterit lokal e rajonal, ashtu edhe atij kombëtar e ndërkombëtar, në të cilin ka marr pjesë autori Mexhid Yvejsi nga Gjakova, të mbajtura në Gjakovë, Prishtinë, Prizren, Gjilan, Kavajë, Tiranë, Mashhad. Në këtë libër të ri me titull ”Në dritë të njohjes” janë të përmbledhura gjithsejtë 11 kumtesa.
Kumtesa e parë me titull: ”Rëndësia frymëzuese e Vehbijes” është lexuar në Tribunën shkencore të organizuar nga klubi letrar ”GJ.N.KAZAZI” të Gjakovës, “ Në përkujtim të Myderriz Tahir efendi Gjakovës dhe veprës së tij ”Vehbijes”, e cila është vepra e parë e shkruar shqip në gjuhën shqipe me alfabet arab në Kosovë, mbajtur në Gjakovë me datë 12 shkurt 1997.
Kumtesa e dytë me titull: ”Kontributi i revistës”Frymëzimi” të Gjakovës në edukimin e rinisë së Kosovës” është lexuar në Konferencën shkencore ” Shtypi Islam, dje, sot dhe nesër” organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajtur në Prishtinë prej datës 23-25 maj 2003.
Kumtesa e tretë me titull:”Orientalizmi dhe shqiptarët” është lexuar në Tryezën e rrumbullakët ”Orientalizmi dhe shqiptarët” organizuar nga Qendra Studimore Jehona dhe Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, mbajtur në Prishtinë prej datës 15-16 korrik 2005.
Kumtesa e katërt me titull: ”Islami ndër shqiptarë dhe integrimet euroatlantike” është lexuar në Simpoziumin kombëtar “Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim” organizuar nga Forumi Musliman i Shqipërisë, mbajtur në Kavajë me datë 2 shkurt 2008.
Kumtesa e pestë me titull: ” Roli i Ylemave në Lidhjen e Prizrenit(1878-1881)” është lexuar në Tryezën shkencore ”Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në raport me realitetin shqiptar sot”, organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajtur në Prizren me datë 10 qershor 2007.
Kumtesa e gjashtë me titull: ” Pse u vonuan shqiptarët në përkthimin e Kur’anit” është lexuar në Simpoziumin Shkencor ”Kur’ani tek shqiptarët” organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajtur në Prishtinë me datë 26-27 dhjetor 2005.
Kumtesa e shtatë me titull: ” Qëllimi i arsimimit dhe edukimit në Islam” është lexuar në Seminarin shkencor ndërkombëtar organizuar nga Kolegji Saadi dhe Fondacioni Rumi në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, mbajtur në Tiranë, me datë 31 maj 2008.
Kumtesa e tetë me titull: ” Filozofia dhe zhvillimet bashkëkohore” është lexuar në Seminarin Ndërkombëtar: ”Filozofia dhe shkenca në Kulturën Perëndimore dhe atë Lindore”, organizuar nga Fondacioni Rumi, Universiteti Ndërkombëtar el-Mustafa, Universiteti i Tiranës, Instituti iranian i filozofisë, Teheran, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë, Qendra për Islam dhe Shkencë në Kanada dhe UNESKO-ja, mbajtur në Tiranë, me datë 10 nëntor 2010.
Kumtesa e nëntë me titull: ” Rruga jetësore e Myderriz Hasan ef.Nahit” është lexuar në Sesionin Shkencor ”Myderriz Hasan ef.Nahi –jeta dhe vepra (1905-1991)”, organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajtur në Prishtinë me datë 2 shkurt 2011.
Kumtesa e dhjetë me titull: ”Kultura dhe Religjioni” është lexuar në Konferencën shkencore ”Dialogu i Kulturave”, organizuar nga Fondacioni ”Kur’ani” dhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjilanit, mbajtur në Gjilan, me datë 12 shkurt 2011.
Kumtesa e njëmbëdhjetë me titull: ” Kryengritja e Imam Hyseinit, tragjedia e Qerbelasë, ndikimi në botë dhe tek shqiptarët”, është lexuar në Konferencën Ndërkombëtare, organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Mash-hadit, mbajtur në Mash-had, me datë 5 mars 2011.
Në fund të këtij prezantimi të këtij librit të ri me titull” Në dritë të njohjes” do të shënoi edhe disa të dhëna biografike për autorin Mexhid Yvejsi.
Mexhid Yvejsi lindi më 13 korrik 1950 në Gjakovë, Kosovë. Mësimet fillestare dhe të mesme i kreu në Gjakovë, ndërsa në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, studioi gjuhën dhe letërsinë angleze. Ka botuar mbi 1000 punime të ndryshme anembanë trojeve shqiptare, si dhe në Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi e gjer në Australi. Ka shkruar mbi 25 libra, duke përshirë këtu edhe përkthimet e librave nga gjuha angleze.

Disa nga vepra autoriale dhe të përkthyera, të Mexhid Yvejsit janë:

1. “Prej errësirës në dritë”, Shkup, 1997;
2. “Në shërbim të Zotit, të popullit”, Gjakovë, 1998;
3. “Lavdi Zotit, Kosova do të jetojë”, Prizren, 1999;
4. “Ilaçi i lumturisë”, Gjakovë, 2000;
5. “Për Fe e Atdhe”, Gjakovë, 2001;
6. “Kështjella e gjakut tonë”, Gjakovë, 2002;
7. “Ylematë e Gjakovës - Mburojë e Kosovës” Gjakovë, 2003;
8. “Rrëfime të vërteta”, Prishtinë, 2004;
9. “99 - Emrat e bukur të Allahut”, Gjakovë, 2010;
10. “Prejardhja e festave”, Gjakovë, 20011.
........
“Në dritë të njohjes” është libri i tij i 15-të i botuar.

Dhashë Zoti që autori dhe shkrimtari Mexhid Yvejsi nga Gjakova, të ketë ymër, jetë, të arrijë të botojë edhe librin e 30-të ...
Mexhid Yvejsi jeton dhe vepron në Gjakovë, në Kosovë.


06. 01. 2012
Faik MIFTARI