Author: faik
•3:21 e pasdites
Para ca ditësh, saktësisht 15 shtatori 2009, ishte dita e fundit për çertifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre të cilët do të garojnë për anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetar komune për zgjedhjet lokale të cilët do të mbahen me 15 nëntor 2009.
Do të ceki synimet e subjekteve kryesore politike parlamentare në Kosovë në zgjedhjet lokale 2009, e që janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja), Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK-ja), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-ja), Aleanca për Kosovën e Re(AKR-ja) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD-ja).
PDK-ja në zgjedhjet lokale do të synojë medoemos të ruaj rezultatin e arritur nga zgjedhjet e vitit 2007, në të cilin doli fituese në shumicën e komunave të Kosovës si në nivel të kryetarëve të komunave ashtu edhe të kuvendeve komunale. Edhe pse gjatë mandatit aktual qeverisës komunal kanë arritur suksese vetëm në infrastrukturën rrugore dhe shkollore, gjegjësisht në ndërtimin e rrugëve dhe shkollave të reja, e i cili ishte premtimi i programit qeverisës qendror të PDK-së në zgjedhjet e vitit 2007, nga ana tjetër konfliktet e tyre brenda partiake nëpër degët nëpër Kosovë, e sidomos ato më të theksuara në degët e Prizrenit dhe Gjilanit, që janë hasur që në fillim të qeverisjes së tyre komunale, e kanë zbehur tej mase rezultatet e synuara të tyre. Në vend se për dy vjet qeverisje të japin maksimumin e tyre drejt realizimit të programeve të tyre zgjedhore, për të treguar veten e tyre para elektoratit, të suksesshëm dhe për të përfituar edhe një mandat qeverisës katërvjeçar, ata janë katandisur në mes vete, ashtu që ju kanoset rreziku i humbjes së pushtetit lokal në disa komuna të caktuara. Për shkak të këtyre fërkimeve të brendshme brenda partiake, lideri i saj politik z.Hashim Thaqi ishte i detyruar të bëjë kompromise të caktuara, duke rikandiduar edhe për një mandat kryetarët aktual në të cilin PDK-ja ka fituar komunat, përveç z.Bajram Rexhebi i cili hoqi dorë vetë prej rikandidimit. Se sa do të jetë i suksesshëm ky kompromis i liderit të PDK-së do të shihet nga rezultatet e arritura në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2007. Sido që të jetë do të apostrofojë fjalët e një kolegut tim:” PDK-ja shumë më e fortë ishte gjersa ishte në opozitë, tani po shihet që akoma nuk ka qenë e përgatitur për të qeverisur dhe menaxhuar me komunat në Kosovë”.
LDK- ja do të synojë që në zgjedhjet lokale 2009 të nisi të rikthejë imazhin e saj të dikurshëm, si parti kryesore e Kosovës me një traditë më të gjatë partiake. Kjo do të shërbejë asaj për të parë veten e saj, ku gjendet, dhe se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2011, të rikthej pozitën e saj të dikurshme, si parti numër një në Kosovë. Synimi i saj kryesor do të jetë mbajtja e pushtetit lokal në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, si dhe kthimin e dy qendrave rajonale të saja të dikurshme(Prizren, Gjilan apo Mitrovicë) si dhe tre komunave tjera të Kosovës, që do të ishte shenjë e rimëkëmbjes së saj politike, pas disfatës së pësuar në zgjedhjet e vitit 2007 në të tria nivelet, si në nivelin qendror, komunal dhe kryetar komune. Edhe poçese eventualisht arrin këtë sukses, ky do të jetë më tepër rezultat i mos përgatitjes qeverisëse komunale dhe fërkimeve aktuale brenda PDK-së, se sa i ndonjë fryme të re brenda LDK-së, edhe pse me të madhe është trumbetuar për reforma brenda saj, dhe freskimin e radhëve të saja me anëtar dhe kuadro të reja, pas përplasjeve që ndodhën në Kuvendin e saj të fundit zgjedhor, kjo për momentin mbeti vetëm fjalë në letër, ndoshta pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009 do të ketë shenja edhe të zbatimit në praktikë të reformave të parapara.
AAK-ja, nga të gjitha partitë tjera aktuale politike, ka treguar një aktivitet të shtuar gjatë kësaj periudhe dyvjeçare, e cila ka investuar me të madhe drejt afrimit dhe kyçjes së anëtarëve, kuadrove dhe personaliteteve të njohura në gjirin e saj, dhe se pritet që të shënojë rezultatet e duhura në krahasim me zgjedhjet e kaluara të vitit 2007, dhe se sipas mendimit tim do të jetë e vetmja që do të ketë një rritje të shtuar dhe rikthimi i saj në pozitën e tretë në skenën aktuale politike kosovare. Synimi i saj kryesor do të jetë në këto zgjedhje lokale, mbajtja e pushtetit aktual komunal në tre komuna(Pejë, Gjakovë dhe Deçan), si dhe fitimi i tre komunave tjera në Kosovë, jashtë rrafshit të Dukagjinit, që do të ishte një rezultat solid si dhe një shtytje e fortë drejt përgatitjes dhe arritjes së rezultateve edhe më të mira në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vitin 2011.
AKR-ja si subjekt i ri politik që doli në skenën politike kosovare dhe korrjes së rezultateve mjaft të suksesshme në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2007, me ç’rast edhe e legjitimoi veten si lider politik z. Behgjet Pacolli. AKR-ja në vend se të vazhdojë me aktivitetet e saja drejt zgjerimit dhe masivizimit të saj nëpër Kosovë, u kaplua me vetëkënaqsi, duke u renditur me qëndrimet e saja politike herë me pozitën e herë me opozitën, sipas nevojës apo momentit aktual. Relacioni qendra-baza pothuajse u këput fare, duke i lënë degët e saja në mëshirën e tyre, fare pa treguar interesim dhe investim të mëtutjeshëm drejt konsolidimit dhe zgjerimit të mëtutjemë.
Lideri i saj politik z.Behgjet Pacolli, apo më mirë me thënë bashkëpunëtorët e tij e “tradhtuan” dhe e neglizhuan këtë aspekt, lënja pas dore e degëve, dhe se për një kohë të shkurtër si rezultat i kësaj neglizhence kemi braktisje të dhjetëra e dhjetëra rasteve të radhëve të AKR-së si dhe kalime të tyre nëpër subjekte tjera politike, që nga tre deputetët e Kuvendit të Kosovës, e të mos flasim për kryetar degësh, nëndegësh, anëtar të kryesive të degëve e nëndegëve, drejtorëve të drejtoratëve të caktuar si dhe anëtarëve të kuvendeve komunale. Kjo si pasojë do të sjell medoemos rezultate shumë të ulëta në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 kundruall atyre rezultateve mjaft të mira të arritura në zgjedhjet e vitit 2007.
LDD-ja si subjekt i ri politik që doli në skenën politike nga përçarjet e brendshme në Kuvendin zgjedhor të fundit të LDK-së në vitin 2006, do të synojë të mbajë rezultatet e arritura gjatë zgjedhjeve të vitit 2007. Synimi saj kryesor do të jetë medoemos fitimi bile i një komune të vetme në Kosovë në të cilin do të aplikojë qeverisjen e saj komunale, në të kundërtën i kanoset rreziku drejt kthimit apo bashkimit të anëtarësisë të saj drejt LDK-së, rasti i prononcimit të Berim Ramosaj. Edhe koalicionin e arritur në mes AKR-së e LDD-së duhet parë në atë aspekt, më tepër drejt mbajtjes së pozitave të tyre në skenën aktuale politike kosovare.

23.9.2009
Faik MIFTARI
Author: faik
•11:49 e pasdites
Prizreni është i njohur jo vetëm si qytet me rëndësi të veqantë historike, në të cilin u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, në xhaminë e Bajraklisë, porse është i njohur edhe si qytet i xhamive dhe minareve të shumta që e zbukurojnë këtë nënqiell të hapur.
Edhe muaji i bekuar i Ramazanit në Prizren kalon në një atmosferë dhe ambient të veqantë që dallon prej qyteteve tjera dhe trojeve tjera shqiptare që nga Presheva e Preveza e gjer te Shkodra e Shkupi.Do të bëjë një krahasim të ditëve dhe netëve të Ramazanit që janë përjetuar dikur dhe që përjetohen tani në të cilin gjendemi në qytetin tonë të bukur të Prizrenit.
Në periudhën e komunizmit edhe pse feja me të madhe është atakuar dhe sulmuar kinse si një “opijum i popullit”, prizrenasit me një fanatizëm të rrallë i kanë ruajtur ndjenjat e tyre fetare dhe se gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit kanë treguar respekt të plotë duke agjëruar, si shenjë e përkatësisë së tyre islame me një traditë të bujshme shumëshekullore. Komunistët e atëhershëm fanatik, e sidomos dalloheshin mësuesit dhe arsimtarët nëpër shkolla, të cilët iu kanë prishur agjërimin nxënësve të tyre, për të treguar vehten si komunist të devotshëm, jo sepse kanë pas ndonjë urdhër të prerë, por më shumë nga “verbëria” e tyre komuniste. Por edhe përkundër tentativave të tyre nuk kanë arritur të thyejnë nijetin (vendosmërinë) e çeliktë të nxënësve, studentëve, dhe punëtorëve për të agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit.Gjatë periudhës komuniste, nga 28 xhamitë e dikurshme që kanë qenë gjatë periudhës osmane, kanë mbetur vetëm 20 xhami, disa prej xhamive janë rrënuar apo janë shëndrruar edhe në depo gjatë sundimit të tyre, por prapseprap në ato xhamitë ekzistuese kanë frekuentuar besimtarët për teravitë(falja që kryhet enkas për Ramazan) në netët e bukura të Ramazanit. Struktura e besimtarëve musliman që kanë frekuentuar xhamitë gjatë Ramazanit ka qenë në favor apo pro gjeneratës së vjetër kundruall gjeneratës së re. Edhe një traditë të bukur që ka pas Prizreni gjatë shekujve për Ramazan, ka qenë sinjalizimi i kohës së iftarit(ndërprerjes së agjerimit) me gjëmimin e topit nga Kalaja e Prizrenit, e cila është ndërprerë në vitin 1950 nga ana e rexhimit komunist, të cilin me një fanatizëm të rrallë e ka mbajtur plot 5 vite nga viti 1945-1950, hafizi, atdhetari, imami, nacionalisti i njohur prizrenas Hafiz Jakub ef.Muqeziu i ndjerë, me burgosjen dhe dënimin e tij në vitin 1950 përfundoi edhe epoka e topit nga Kalaja. Është e udhës që Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit së bashku me strukturat komunale gjegjëse që në vitin 2010 të riaktivizojnë këtë traditë të bukur që e ka pas Prizreni gjatë shekujve, dhe që në 60 vjetorin e mosfunksionimit të topit, prap ta hudhin në përdorim topin i cili akoma gjendet në vendin e duhur në Kala. Kjo do të ishte i një rëndësie të veqantë, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në aspektin kulturor, pasi që do të paraqite një hap më shumë drejt përmbushjes së kushteve që Prizreni të shpallet qytet i mbrojtur nga UNESKO-ja për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimis së pasur kulturore të qytetit.Në familjet e shumta me të madhe janë bërë pregaditjet për Ramazan, bile bile me kohë dhe një mauj përpara, për pritjen e mysafirit të dashur që çdo vjet njëher në vit vie, muaji i bekuar i Ramazanit. Është kryer pastrimi gjeneral i shtëpive dhe banesave si dhe gëlqerosja e oborreve të tyre.Një karakteristikë tjetër e Prizrenit për Ramazan, ishte edhe pregaditja e pitajkave(llojë brumi) me vezë për iftar në furrat e qytetit, traditë e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon për Ramazan, porse atëherë kanë qenë më të shijshme pasi janë pjekur me dru. Rreshtat e gjata dhe aroma e tyre para furrave të Prizrenit, gjatë Ramazanit është diq impresive, që vetëm mund të përjetohet . Bile bile edhe të krishterët i porositnin dhe i pregaditnin pitajka me vezë për të shijuar dhe kënaqur me shijen dhe shijshmërinë e tyre, normal për darkën e tyre gjatë Ramazanit.Një karakteristikë tjetër e Prizrenit ishte që xhamia e Bajraklisë, si xhami qendrore e Prizrenit, ka qenë e para që ka dhënë shenjën e iftarit, ashtu që mujezini(asistenti i imamit) i saj haxhi Rexhebi i ndjerë, e thirte ezanin dhe i ndizte kandilat( dritat në minare), pas së cilit pasonin ezanat dhe kandilat edhe në xhamitë tjera të Prizrenit. Në të kaluarën është ngritur edhe flamuri në maje të minares së saj, për ç’gjë njihet në popull si xhamia e Bajraklisë, pasi që emri origjinal i saj është xhamia e Gazi Mehmed Pashës. Poashtu xhamia e Bajraklisë e ka pas burimin e ujit të posaqshëm, me të cilin u furnizojke jo vetëm xhamia, por edhe lagjet përreth, dhe se kur ka ndodhur që tërë qyteti i Prizrenit të mos ketë ujë për shkak të ndonjë prishje apo havarie, prizrenasit u furnizonin prej 8 qeshmeve(kroneve) ekzistuese në xhami si dhe çeshmes së Gani tadës. Edhe ky sistem i burimit të ujit për xhami, viteve nëntëdhjeta u ndërpre, dhe u kyq në ujësjllesin e qytetit dhe se tani xhamia furnizohet me ujë nga ujësjesllsi i njejtë për tërë qytetin.Para iftarit ka qenë karakteristikë e asaj kohe që ujin për iftar qytetarët e shumtë të furnizohen nga 8 çeshmet e xhamisë së Bajraklisë, me të vërtet uji ka pas një shije të posaqshme, dhe se verës ishte shumë i ftohtë, ndërsa dimrit më i nxehtë. Gjatë muajit të Ramazanit traditë është edhe këndimi i mukabeles( leximi i Kur’anit prej fillimit gjer në fund gjatë Ramazanit) para namazit(faljes) së drekës në xhaminë e Bajraklisë, ndërsa para namazit të iqindisë në xhaminë e Levishës, nga dy hafizët eminent të Prizrenit, Hafiz Abdullah ef.Sagdati dhe Hafiz Maksut ef.Spahiu, të ndjerë, në asistencë edhe hafizët tjerë.
Gjatë kohës së iftarit, Prizreni boshatiset, njeri i gjallë nuk vërehej, përveq ndonjerit që shpejtonte për të arritur në shtëpi, apo ndonjë rast urgjente të ndonjë nevojtari eventual. Pas gjysëm orësh Prizreni prap ringjallet, burra e gra shpejtojnë hapat e tyre për të zënë vend ma përpara në xhami për të falur namazin e teravisë, të rinjë dhe të reja dilnin për të bërë një xhiro(shetitje) në Korzon e dikurshme të Prizrenit. Kurora e Ramazanit dikur ishte në natën e 27-të, natën e Kadrit, natë në të cilin filloi zbritja e shpalljes së verseteve kur’anore, nata më e vlefshme se 1000 muaj tjerë, me të vërtet frekuentimi i besimtarëve në xhaminë së Bajraklisë, në të cilin mbahej manifestimi përmbyllës për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka qenë i tillë sa që as në ditët e sotshme nuk përsëritet.Në fund të konkludoj, se gjatë periudhës komuniste muaji i shenjtë i Ramazanit është përjetuar dhe festuar vetëm brenda 4 mureve të shtëpive dhe xhamive, ndërsa në aspektin publik, medial,shoqëror një gjë e tillë as që ka mundur të paramendohej.
Për dallim nga periudha komuniste, në kohën e tanishme të demokracisë, përjetimi dhe festimi imuajit të bekuar të Ramazaniti ka tejkaluar 4 muret e xhamive dhe shtëpive dhe se tani është prezent edhe në aspektin publik, mediatik, shoqëror. Nga minaret me kandila, tani i kemi minaret me zbukurime të llojllojshme dhe drita të nduardryshme. Mu në prag të Ramazanit është mbajtur në qendrën sportive të qytetit “Mbrëmja kur’anore”, ku shkëlqeu dhe ishte ylli i mbrëmjes Hafiz Hakim ef. Iljazi, i cili me zërin e tij të mrekullueshëm dhe këndimin e bukur të Kur’anit, ngriti pallatin e stërmbushur në këmbë të cilët me duartrokitje dhe ovacione “Allahu ekber” e përshëndetën këtë këndim të mrrekullueshëm të hafizit të ri nga Prishtina. Në natën që u mbajt mbrëmja kur’anore gjatë ditës u vendos edhe guri themeltar i xhamisë së re në lagjen Ortakoll, e vetmja lagje e Prizrenit, edhe pse me kohë e urbanizuar, nuk ka pas gjer tani xhami, e që është dhuratë(donacion) nga qyteti i Antaljasë së Turqisë, dhe se do të njifet si xhamia e Antaljasë. Përkundër 28 xhamive të dikurshme gjatë periudhës osmane, dhe 20 xhamive ekzistuese gjatë periudhës komuniste, tani në Prizren janë momentalisht 30 xhami, dhe me xhaminë e Antaljasë po bëhen 31 xhami dhe se lirisht mund të thuhet që nëse Prizreni nuk do të mund të ketë xhamia sa ka pas gjatë kohës së vet Shkupi apo Selaniku, bile bile së shpejti do ta arrijë Shkodrën e dikurshme me 36 xhami. Gjatë këtij Ramazani hendikep është mos funksionimi i xhamisë së Sinan Pashës, perlës së qytetit të Prizrenit, Kosovës dhe Ballkanit, e cila është në fazën e punimeve për restaurimin dhe konzervimin e saj.
Për nder të Ramazanit tani, organizatat, shoqatat, subjektet politike të ndryshme organizojnë iftare(darka) tradicionale në të cilin marrin pjesë me qindra dhe mijra qytetar nëpër restorantet e ndryshme të qytetit.Poashtu edhe komuna e Bajram Pashës e Stambollit shtroi iftarin tradicional në Shadërvan, pran kejit të Lumbardhit, i pesti me rrallë, i njohur si Karvani i bereqetit që nuk njeh kufijë, i cili shtrihet në qytete të ndryshme të shteteteve të Ballkanit, si Bullgari, Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Sanxhak (Serbi). Njashtu edhe Kfori-turk tradicionalisht për çdo vit organizon tendën e iftarit, në sheshin e dëshmorëve, në të cilin mund të prezentoj çdo qytetar pa kurfarë ftese paraprake. Nismëtare e iftareve tradicionale të qytetit të Prizrenit, ishte shoqata e zejtarëve dhe afaristëve të Prizrenit”ESNAF”e cila e para, që nga viti 1995, organizoi iftarin e parë të përbashkët në hotelin”Theranda” të Prizrenit, dhe se sivjet ishte iftari i 15-të me rrallë që organizoi për anëtarsinë e saj dhe qytetarë tjerë. Pashtu gjatë tërë Ramazanit organizohen aktivitetet e ndryshme fetare, kulturore, humanitare, sportive, muzikore nga organizatat dhe shoqatat e ndryshme. Çdo natë, në kejin e Lumbardhit, tek burimi i ujit të Topuklisë, tek 6 çeshmet (kronet) e Topuklisë, mbahen mbrëmjet muzikore, recitale, ilahi e kaside.Prijëtare e aktiviteteve të ndryshme,pamëdyshje është, organizata joqeveritare”AKEA”, e cila shquhet për një organizim të jashtëzakonshëm të nivelit më të lartë. Do të përmendi vetëm disa ngaaktivitetet e shumta të saja: shporta tradicionale humanitare e Ramazanit për të varfërit dhe skamnorët e qytetit, turneu tradicional i Ramazanit në futboll të vogël që mbahet gjatë netëve të Ramazanit në qendrën rekreative sportive ”ANDRRA” në Marash, iftari tradicional në të cilin sivjet qenë prezent edhe aktorët e serialit”Lugina e ujqërve” si mysafir special të mbrëmjes, panairi kulturor që mbahet netëve të Ramazanit në oborrin e hamamit të Gazi Mehmed Pashës, vendosja e 4 panove “Urime Ramazani” në hyrje-dalje të Prizrenit për Prishtinë, Gjakovë, Kukës si dhe panoja e katërt tek hamami në qytet. Sinjalizimi i iftarit tani bëhet nëpërmjet daullxhinjve të shumtë të cilët me rrahjet e tyre e bëjnë të ndihet sa më gazmor muaji i bekuar i Ramazanit. Në ditët e tanishme frekuentimi i xhamive është në favor të gjeneratës së re kundruall asaj gjeneratës së vjetër të besimtarëve. Këndimi i mukabeles, (leximi i Kur’anit) nga hafizët vendas dhe mysafir, mbahet në 5 xhamitë e qytetit, në Bajrakli, Emin Pashë, Levishë, Marash dhe në xhaminë e Toskës. Risi sivjet është edhe këndimi i mukabeles(leximi i Kur’anit) edhe për femra,i cili mbahet në xhaminë e Emin Pashës, para namazit(faljes) së drekës, në të cilin marrin pjesë dhe asistojnë një numër i madh femrash.
Në përfundim të kësaj mund të konkludojë se netët e Ramazanit dikur në disa aspekte kanë qenë më impresive, ndërsa në disa aspekte tjera në ditët e sotshme janë më të bukura, sidoqë të jetë me të vërtet netët e Ramazanit janë të veqanta në qytetin e bukur të Prizrenit.


9.9.2009
Faik MIFTARI