Author: faik
•10:06 e paradites
Parlamenti Evropian më 17 janar 2009 ka miratuar Rezolutën për Srebrenicë me ç’rast 11 korrikun shpalli ditë evropiane në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Në letrën dërguar anëtarëve të Parlamentit Evropian propozuesit e Rezolutës për Srebrenicë deputetët Walles nga Britanie e Madhe dhe Kacin nga Sllovenia përveç tjerash kanë shkruar:” Kushërinjtë e viktimave të gjenocidit në BeH, i bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian që në ditët e para të korrikut në reveret e tyre të mbajnë lulen e bardhë me 11 petë në shenjë përkujtimi me gjenocidin e kryer në Srebrenicë, me ç’rast do të konfirmojnë lidhshmërinë me Rezolutën. Njëherit do të shprehin edhe ngushëllime familjeve të 613 viktimave, të mbetjeve të tyre mortore, të cilët me 11korrik 2011do të varrosen në kompleksin memorial në Potoçare të Srebrenicës. Nënat e Srebrenicës përshëndesin vullnetin e mirë dhe kontributin që jep Parlamenti Evropian dhe se besojnë në ardhmërinë”.
Me këtë rast anembanë Evropës dhe botës po mbahen aktivitetet e shumta për shënimin e 11 korrikut-ditës evropiane të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Si çdo vjet, ashtu edhe sivjet organizohet “marshi i paqes” në shenjë përkujtimi me të shpëtuarit të paktë të cilët kanë ec në këmbë, ditë me rrallë, për të arritur në territorin e lirë boshnjak. Sivjet marrin pjesë 6500 pjesëmarrës nga Bosnja, në mesin e të cilëve gjenden edhe 1000 pjesëmarrës nga mbarë bota. Aktivitetet e shumta po mbahen jo vetëm në BeH, Kroaci, Slloveni, Sanxhak por edhe në shumë shtete të Evropës dhe Amerikës Veriore, gjegjësisht SHBA dhe Kanada, të quajtura “Ditët e Srebrenicës”.
Me 8 korrik 2011, është lexuar hytbja(ligjërata) e xhumasë,nga ana e Reisit të Bosnjës dr.Mustafa ef.Ceriçit në të gjitha xhamitë e Bosnjës, Sanxhakut dhe në mbarë diasporën boshnjake, njëherit është lexuar edhe në Xhaminë e Madhe të Londrës si dhe në sesionin shkencor të mbajtur në Teheran lidhur me gjenocidin në Srebrenicë. Hytbja(ligjërata) e xhumasë e Reisit të Bosnjës është kushtuar viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë dhe Bosnjë, në të cilën përveç tjerash dr.Mustafa Ceriç shkruan:
“Padyshim, shekulli i fundit ka qenë shekull më i përgjakshëm në historinë moderne, shumë më tepër dhunë si në aspektin relativ ashtu edhe atij absolut, nga era e mëparshme. Ajo, që shekulli i XX ka qenë i dhunshëm dhe pa precedan mund të duket paradoksal. A nuk janë 100 vitet e fundit, kohë e progresit të madh?. Për atdheun tonë, Bosnjën dhe Hercegovinën, shekulli XX do të mbetet në kujtim të hidhur, për faktin se klithma”never again” (kurrë më), është tradhtuar, pasi që Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk ka qenë në gjendje të kryej misionin e vet të mbrojtjes së popullit tonë nga gjenocidi.
Të gjithë duhet të mësojmë për holokaustin dhe gjenocidin jo vetëm si fakte historike, por si mënyrë për të mësuar fëmijët tanë nga rreziku i racizmit, antisemitizmit, islamofobisë dhe shembujve tjerë të jo tolerancës njerëzore. Duhet të mësojmë gjeneratat e reja të çmojnë demokracinë dhe drejtat njerëzore, dhe t’i mësojmë që të largojnë urrejtjen, jo tolerancën dhe konfliktet etnike. Duhet t’i mësojmë të respektojnë vlerën e jetës njerëzore, integritetin e njeriut, të respektojnë religjionin dhe dallimet e përkatësive fetare, të respektojnë lirinë dhe kufijtë e lirisë njerëzore, sepse liria ime ndalet aty ku fillon liria e tjetrit, duhet të respektojmë mallin dhe pronën e tjetërkujt, të respektojmë vlerat e besës njerëzore dhe dallimet tek njeriu tjetër.
Srebrenica është qyteti në të cilin është lejuar që njeriu i pafuqishëm të dëbohet nga shtëpia e vet dhe të vritet i pafajshëm vetëm sepse ishte mysliman. Nga 11 korriku 1995 e më tutje, Srebrenica është më tepër se qyteti dhe më shumë se emri i vet. Srebrenica është vendi i provimit të ndërgjegjes njerëzore për të gjithë ata të cilët kanë mundur e nuk e kanë parandaluar krimin ndaj njeriut të pafajshëm. Srebrenica është emër i cili sot rrotullohet rreth botës që të zgjojë ndërgjegjen njerëzore e cila duhet ballafaqohet me vetveten ndërmjet të mirës dhe të keqes, të zgjedh të mirën. Pasi që tjetër rrugëdalje nuk ka për shoqërinë njerëzore, në rast se do të jetojë në mirësinë e frytit të vet”.
Manifestimi qendror i përkujtimit të 11 korrikut- të gjenocidit në Srebrencië në SHBA do të mbahet në New York, me ç’rast përveç tjerash do të shfaqen edhe filmat”Engjëlli i Srebrenicës” të autorit Ade Hasoviq, “Deklarata 710399” të autorit Refik Haxhiq,”Munira” të autorit Rudi Urana, dhe “Nëna” të autorit Elmir Jukiq. Në Gjermani do të mbahen akademi të shumta, sesione shkencore, debate rreth gjenocidit në Srebrenicë, përveç tjerash do të shfaqet edhe filmi dokumentar”360*” të autoreve Koni Kipfer dhe Renate Mecger. Në Austri do të shënohet me organizimin e debateve në të cilin pjesëmarrësit do të prezantojnë gjenocidin në Srebrenicë nëpërmjet reflektimit të artit, fotos, fotografive dhe poezive , dhe se vet Srebrenicës do të japin një ngjyrim të gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Do të jetë edhe ekspozita e shfaqur me titull” Të shohësh, të dijësh dhe të mban mend” në të cilin shikuesit do të shohin tragjedinë e Srebrenicës nëpërmjet fotove të shumta të ekspozuara me rastin e gjenocidit të kryer në Srebrenicë.
Në Turqi, saktësish në Stamboll do të shënohet dita e përkujtimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, në sheshin qendror do të vendosen 8372 palë këpucë të cilët simbolizojnë numrin e viktimave të vrarë në Srebrenicë prej 11 gjer më 16 korrik 1995 nga fëmiu 12 vjeçar e gjer te plaku 92 vjeçar. Atë ditë nga sheshi qendror i Stambollit Taksim do të lëshohen 192 balona në ajër në të cilin do të shkruan:”Kurrë më”, “Nuk kemi harruar dhe nuk do të lejojmë që të harrohet”.
Pasi që edhe Shqipëria dhe Kosova janë pjesë përbërëse e kontinentit evropian, sepse Rezoluta e Parlamentit Evropian e përcakton 11 korrikun si ditë evropiane të përkujtimit me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, që edhe institucionet shtetërore apo organizatat qeveritare apo jo qeveritare si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë të përkujtojnë këtë ditë me ndonjë aktivitet apo manifestim për të shënuar këtë ditë dhe për të bërë pjesë e Evropës edhe simbolikisht duke bashkëndier me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, apo edhe me pjesëmarrjen simbolike të ndonjë qeveritari në akademinë përkujtimore që do të mbahet me 11 korrik 2011 në Srebrenicë, pas së cilës akoma do të mbesin edhe 3040 viktima të vrarë të pagjetur nga numri i gjithëmbarshëm prej 8372 fëmijë, burra e pleq boshnjak të vrarë dhe të likuiduar në mënyrë kriminele dhe johumane që ka ndodhur në mes të Evropës, në vitin 1995, plot 50 vjet, pas përfundimit të luftës së dytë botërore në vitin 1945.
Do të përmbylli këtë përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës , me klithjen”Never again-Kurrë më”të mos përsëritet edhe ky rrëfim i tmerrshëm, që ka ndodhur në Srebrenicë me 11 korrik 1995, të boshnjakes Xhemile Zekiqit dëshmitare e gjallë e gjenocidit të kryer në Srebrenicë: ” Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar e të grumbulluar në Potoqare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën,...Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne..., u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në dimijat e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë tani,...çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,...zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët...”


10.07.2011
Faik MIFTARI
Author: faik
•8:28 e pasdites
Javët e fundit në Kosovë përveç tjerash ishte aktuale edhe falja e namazit të xhumasë nga besimtarët musliman në rrugë përball xhamisë së Çarshisë, në trekëndëshin në Prishtinë, si formë proteste për ndarjen e një parcele dhe lejimin e ndërtimit të një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës si nevojë imediate të besimtarëve musliman të Prishtinës.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton në mënyrë të qartë në nenin 8 karakterin laik, se:” Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. Po ashtu,me nenin 22, Kushtetuta e Kosovës e garanton Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, me nenin 43 garanton lirinë e tubimit: ”Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to”. Kurse me nenin 44 garanton lirinë e asocijimit:”Liria e asocijimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate si dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e një organizate”.
Kjo nënkupton se Kosova është një shtet laik dhe neutral ndaj feve në Kosovë, por që është e përkushtuar për zhvillimin e një shoqërie demokratike të qytetarëve të barabartë me të cilën garantohen të drejtat e secilit qytetar, liritë dhe të drejtat njerëzore si dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit. Laikët e tanishëm (ish komunistët e dikurshëm) duhet të kuptojnë njëherë e përgjithmonë se ka kaluar koha e shtetit monist dhe shoqërisë ateiste, komuniste apo socialiste, kur feja ka qenë e ndaluar në jetën publike dhe është trajtuar si çështje personale e qytetarit, dhe se diktati i tyre ndaj Bashkësisë Islame ka qenë i pranishëm përherë. Laikët e tanishëm duhet të mësohen apriori se Kosova laike me një shoqëri demokratike, ku liria e fesë, besimit dhe praktikimit si privatisht ashtu edhe publikisht është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, dhe se Kosova laike nuk nënkupton apriori edhe shoqërinë laike, të cilin me siguri do të kishin dëshirë të trashëgojnë nga e kaluara moniste.
Muslimanët e Kosovës janë të interesuar të zhvillojnë dhe të përparojnë si gjithë të tjerët në shoqërinë kosovare në një Kosovë laike me një shoqëri demokratike, por assesi nuk do të pranojnë një Kosovë laike me një shoqëri laike siç kanë endje laikët. Qytetarët e Kosovës në përgjithësi, nuk duan as në teori, e lere më në praktikë, dhe as që është e mundur një gjë e tillë të realizohet, sikurse trumbetojnë individë të caktuar, një Kosovë të një modeli të regjimit shtetëror të Arabisë apo Iranit, por nuk do të thotë kjo, që të mos kenë si model zhvillimin e një sistemi të shtetit të Turqisë muslimane me një sistem të avancuar demokratik dhe zhvillim të hovshëm ekonomik nëpër të cilën aktualisht kalon Turqia.
Edhe pse roli i shoqërisë civile është i një rëndësie të veçantë në një sistem demokratik të veprimit, si dhe një ndër kriteret për plotësimin e shumë kritereve tjera të Bashkimit Evropian, në rastin e Kosovës kur shoqëria civile muslimane ndërmerr një hap pa marr parasysh çfarëdo qoftë, qoftë kjo edhe një peticion i thjeshtë, deklaratë, tubim, protestë, demonstratë e kështu me rradhë, për të sensibilizuat një çështje me rëndësi dhe që ka të bëjë me plotësimin e të drejtave themelore elementare njerëzore e fetare, sikurse që është ndërtimi i xhamisë së madhe në Prishtinë si nevojë imediate e myslimanëve të Prishtinës, atëherë automatikisht këto hapa trajtohen si të rrezikshme, radikale, jodemokratike, joligjore, fundamentaliste, terroriste etj.
Edhe pse qe 12 vjet është aktuale kërkesa e Bashkësisë Islame të Kosovës për ndërtimin e një xhamie qendrore në Prishtinë, si nevojë imediate e xhematit musliman të Prishtinës për faljen e namazit të xhumasë dhe të bajramit, pasi që nuk ka hapësirë të mjaftueshme dhe se besimtarët musliman falen jashtë nën rrezet e diellit gjatë verës, apo nëpër shi e borë gjatë dimrit, ajo nga organet komunale të Prishtinës, por edhe nga organet qendrore të Kosovës, vite me rradhë është neglizhuar dhe nuk ju është vënë veshi dhe se vetëm e kanë zvarritur dhe nuk kanë treguar interesim të duhur për të realizuar një kërkesë të tillë plot 12 vjet, e duke ditur se mbi 90% të popullatës së Kosovës i takojnë fesë Islame. Pasi që edhe në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura në fund të vitit 2010, premtimet e dhëna nga subjektet politike qoftë në pozitë qoftë në opozitë për të marr votat e besimtarëve mysliman, për plotësimin e kërkesave të tyre, sikurse që është ndërtimi i xhamisë në Prishtinë, lejimi i vajzave muslimane me shami për ndjekjen e mësimeve të rregullta në shkollat publike si dhe aplikimi i lëndës së Edukatës Fetare në shkollat publike, kanë mbet premtime boshe apo fjalët e dhëna janë avulluar në ajër. Por tani, kur kupa u mbush, dhe sabrit (durimit) 12 vjeçar i erdhi fundi, dhe kush tjetër, por normal për një shoqëri demokratike, shoqëria civile muslimane e bashkuar rreth iniciativës qytetare Lëvizja Bashkohu, ndërmori hapin për të sensibilizuar opinionin e gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar për plotësimin dhe realizimin e kërkesave të nëpërkëmbura plot 12 vite me rradhë, e që kanë të bëjnë me garantimin dhe plotësimin e drejtave elementare njerëzore apo fetare të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. E kur shoqëria civile muslimane organizoi faljen e namazit të xhumasë si formë proteste në rrugë, në qendër të Prishtinës përball xhamisë së Çarshisë, të cilën e përkrahu e dhe Bashkësia Islame e Kosovës, me turrë u sulën media të caktuara elektronike dhe të shkruara si dhe ueb sajtet e caktuar në internet, ndaj liderit apo udhëheqësit të Lëvizjes Bashkohu, Fuad Ramiqit, duke e sulmuar e etiketuar me lloj lloj emërtime të mundshme, si fundamentalist, radikal, antishqiptar, boshnjak, taliban, terrorist, bile bile duke cituar edhe një shkrim të Shvarcit para një viti të shkruar, se ai paska qenë ekspert i cili i njeh Islamin dhe jep leksione për të gjithë musliman, duke e akuzuar Fuad Ramiqin që paska lidhje me Hamasin, me Tarik Ramdanin e Jusuf Kardavin, e kështu me rradhë, e dihet publikisht se Fuad Ramiqi është një person i njohur publik si për opinionin kombëtar ashtu edhe atij ndërkombëtar, është njeri me virtyte të larta njerëzore, një shqiptar i vërtet, atdhetar, ushtarak, një humanist, një sportist, porse i vetmi “gjynah” i tij është sepse është edhe një musliman i devotshëm dhe praktikues i fesë Islame të cilit i përket, dhe si i tillë për qarqet e caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare automatikisht vlerësohet si i rrezikshëm dhe persona ”non grata”. Media kanë të drejtë çfarëdo të shkruajnë dhe të flasin, por nuk është morale dhe as me kodin gazetaresk nuk është e lejuar të shpifin, të trillojnë, të etiketojnë, të ngjisin lloj lloj akuza të paqena, të pabaza, të paqëndruara, apo të paargumentuara .
Në të njëjtën mënyrë sulmohet edhe udhëheqësi i muslimanëve të Kosovës, myftiu Mr. Naim ef. Tërnava, “gjynahu” i të cilit është se i ka përkrahur kërkesat e protestuesve, e dihet se qe plot 12 vjet kërkesa është e Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe e tij si kryetar i së cilës është, duke i cytur oponentët brenda Bashkësisë Islame të Kosovës që janë kundër myftiut për shkaqe të ndryshme apo për interesat e ngushta personale apo karrieriste, dhe si të tillë i kundërvihen atij, porse edhe pse nuk domethënë që mospajtime apo këndvështrime tjera lidhur me strukturën organizative të Bashkësisë Islame të Kosovës apo të funksionimit të saj apriori janë kundërta, dhe se është normale të ketë edhe divergjenca, por nuk është morale, e as njerëzore, e të mos flasim në aspektin fetar islam , që lidhur me problemin në fjalë, që të shfrytëzohet rasti për të sulmuar myftiun e Kosovës si prijës legal dhe legjitim që është aktualisht në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Kosova mund të ruaj karakterin e vet laik shtetëror dhe neutral, ashtu siç e përkufizon Kushtetuta e saj, por njëkohësisht duhet të afirmojë dhe zhvillojë shoqërinë demokratike në të cilin qytetarët e saj do të mund të ruajnë identitetin e vet kombëtar shqiptar si dhe përkatësin fetare myslimane si shumicë absolute që janë.


05.07.2011
Faik MIFTARI