Author: faik
•12:18 p.d.
Datë, 27 mars 2009, ditë e premte. Ditë, kur komandanti i Brigadës shumëkombëshe Jug(MNBS) gjenerali gjerman Fuger, në përcjellje të dy eprorëve të lartë të tij dhe të përkthyesit të tij, i shoqëruar nga nikoqiri i tij Ali ef.Vezaj, kryeimam i Bashkësisë Islame në Prizren, mori pjesë në namazin e xhumasë, që nga fillimi e gjer në fund , në xhaminë qendrore të Prizrenit, Gazi Mehmed Pashës apo Bajraklisë siç njihet në popull, xhami në të cilën u mbajt edhe Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor 1878. Pikërisht në10 vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO- së mbi caqet ushtarake serbe, prezenca e tij në namazin e xhumasë ishte e një rëndësie të veçantë. Gjatë 10 vjetëve të kaluara shumë gjeneral e kanë vizituar Bashkësinë Islame të Prizrenit, apo Vakëfin e Prizrenit që njihet në popull si dhe xhaminë e Bajraklisë, por është hera e parë që një gjeneral, dhe pikërisht ai gjerman gjeneral Fuger, të jetë prezent në mesin e besimtarëve mysliman gjatë faljes së përbashkët javore të namazit të xhumasë. Në ligjëratën javore të xhumasë(hytbe), përveç tjerash imami i xhamisë së Bajraklisë Reshat ef.Mexhidi” falënderoi prezencën e gjeneralit gjerman Fuger në mesin e besimtarëve mysliman në namazin e xhumasë, si dhe ndihmën dhe kontributin e Aleancës Veriatlantike para 10 vjetëve në Kosovë, për shpëtimin dhe parandalimin e zhbërjes së popullit shqiptar, veprim i ndërmarrë që buron nga humanizmi moral, njerëzor, shoqëror dhe civilizues, pasi e tërë shoqëria njerëzore rrjedh nga një babë e nga një nënë, pra, prej Ademit dhe Havasë, dhe se të gjithë besojmë në një Krijues të vetëm, në Allahun e madhëruar, por çdo kush lutet dhe falet në mënyrën e vet, çoftë në xhami, kishë apo sinagogë”. Pas faljes së namazit të xhumasë, në bashkëbisedim me gjeneralin gjerman Fuger, theksoi se qëllimi i vizitës dhe prezencës së tij në namazin e xhumasë ishte që të njoftohej prej së afërmi me mënyrën e faljes dhe lutjes së besimtarëve mysliman të namazit të xhumasë.. Me të vërtet ishte tejet i kënaqur dhe me emocione të veçanta, dhe se përshtypje i kishte lënë procedura e faljes dhe atmosfera qe ishte në brendi të xhamisë gjatë namazit të xhumasë. E falënderova gjeneralin gjerman Fuger se për neve besimtar mysliman ishte nder dhe kënaqësi e veçantë prezenca e juaj gjatë namazit të xhumasë, me ç’rast i keni nderuar besimtarët dhe se keni bërë nderë edhe xhamisë kryesore të Prizrenit, atë të Bajraklisë.
Ishte ky një shembull i mirë, nga i cili do të duhej të marrin mësim liderët tanë politik, institucional, shtetëror shqiptar mysliman kudo çofshin ata, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, të cilët jo që nuk marrin pjesë dhe asistojnë në namazin obligativ javor të xhumasë, por as në namazet vjetore( atë të dy Bajrameve), përveç ca përjashtimeve të vogla të cilat mund të numërohen në gishta.
Përfaqësuesit e popullit tonë shqiptar mysliman të cilët nuk e respektojnë dhe zbatojnë besimin, fenë dhe kulturën , të cilës edhe vet i përkasin, është e pakuptimtë se si tregojnë respekt ndaj besimeve dhe kulturave tjera që është nonsens i llojit të vet dhe atë prezent vetëm tek neve shqiptarët.




28.3.2009
Faik MIFTARI



Author: faik
•9:59 m.d.
Në rruzullin tokësor jetojnë me qindra e mijëra popuj, kombe, grupe etnike e fise të ndryshme të cilët flasin me qindra e mijëra gjuhë,por për shkrim e lexim përdorin alfabete të njëjta apo të përafërta. Sot në botë, janë në përdorim 40 alfabete, prej të cilëve
më të përhapur dhe më të njohur janë alfabeti latin, alfabeti kinez, alfabeti arab, alfabeti cirilik dhe alfabeti hebraik.
Alfabeti latin është më i njohuri dhe më i përhapuri në botë, të cilët e përdorin popujt e ndryshëm anekënd botës. Popujt e shumtë të botës që e përdorin alfabetin latin e kanë trashëguar nga romakët e vjetër. Alfabeti latin është zhvilluar nga alfabeti i vjetër grek, i cili i ka rrënjët tek alfabeti fenikas. Ka shtrirje në të gjitha kontinentet, me të madhe përdoret në Europë, Amerikë Veriore e Latine, Australi, e më pak në Azi dhe Afrikë. Është në përdorim zyrtar në vendet e zhvilluara ekonomike si p.sh. në SH.B.A., Kanada, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali e kështu me rrallë. Alfabeti latin në përdorim dallon prej popullit në popull në nuanca të caktuara, në ndonjë zanore apo bashkëtingëllore.
Alfabeti kinez është i përhapur dhe në përdorim zyrtar vetëm në kontinentin e Azisë, por me numër më të madh të përqindjes së përdorimit të njerëzve në rruzullin tokësor. Kryesisht përdoret në Kinë, Japoni, Kore Veriore, Kore Jugore, Vietnam.
Alfabeti kinez është në përdorim në Kinë 3200 vjet, që nga koha e dinastisë së Shangut, alfabeti kinez karakterizohet me numrin e madh të shenjave, ka mbi 10.000 shenja, por më së shumti përdoren afro 3000 sosh dhe se në vend shkronjave janë shenjat dhe se çdo shenjë paraqet një term të caktuar.
Alfabeti arab është i përhapur kryesisht në botën arabe dhe myslimane, është zhvilluar nga alfabet nabatej në ndikim të pjesërishëm të alfabetit të vjetër sirian . Shkruhet nga e djathta në të majtë, dhe ka forma të ndryshme kur shkronjat gjenden në fillim, në mes apo në fund të fjalës. Ka përdorim kryesisht në kontinentin e Azisë dhe Afrikës, ka qenë i përhapur edhe në një pjesë të Europës, në Ballkan, në fillim të shekullit XX, dhe kryesisht përdorej nga turqit, shqiptarët dhe boshnjakët, gjer te zëvendësimi i alfabetit arab me alfabetin latin, që nisi në vitin 1908 me vendimin në Kongresin e Manastirit për zëvendësimin e alfabetit arab me alfabetin latin tek shqiptarët, me ç’rast aplikim zyrtar gjeti në Shqipëri nga vitet njëzeta të shekullit të kaluar, ndërsa në trojet tjera etnike shqiptare të okupuara nga serbët, si në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, nuk u lejua përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe alfabetit latin, por u imponua si gjuhë zyrtare gjuha serbe dhe alfabeti cirilik.
Tek në vitin1941 me ardhjen e mësuesve nga Shqipëria dhe hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare filloi mësimi dhe përdorimi i alfabetit latin.
Në Bosnjë e Hercegovinë, u zyrtarizua alfabeti latin, krahas alfabetit cirilikë në vitin 1918, me rastin e themelimit të mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve apo e ashtuquajtura Mbretëria SKS-së.
Në Turqi zëvendësimi i alfabetit arab me alfabetin latin u bë vitin 1928 me reformat e gjithanshme të ndërmarra nga themeluesi i shtetit të sapokrijuar të Turqisë Mustafa Ataturku. Ky gjenocid kulturor i ndërmor kundër këtyre tre popujve autokton të Ballkanit, turqve, shqiptarëve dhe boshnjakëve, la pasoja fatale afatgjate, ashtu që brenda natës mbetën analfabet, pa shkrim e lexim, këta tre popuj, të cilët me qindra vitesh kanë përdorur alfabetin arab. Kjo i bie njëjtë, tani , në kohën e sotshme dikujt ti bie ndërmend prapë, të bëjë zëvendësimin e alfabetit latin të tanishëm p.sh. me alfabetin kinez.
Librat, bibliotekat, arkivat të tëra me alfabet arab të grumbulluara me qindra vite u zhdukën apo u eliminuan nga përdorimi i tyre, edhe ato shkrime dhe libra të mbetura në arkiva, tani, kanë mbetur të papërdorura, pasi vetëm një numër vogël i ekspertëve të tanishëm mund të hulumtojnë dhe deshifrojnë këto shkrime, dokumente, libra të ndryshëm të cilët kanë pasqyruar historinë qindravjeçare të këtyre 3 popujve autokton të Ballkanit, turqve, shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Sa për krahasim, të ceki, se në vitin 1911 Perandoria e atëhershme Osmane dhe Perandoria Japoneze kanë qenë përafërsisht në të njëjtën stad të zhvillimit ekonomik, politik, ushtarak, kulturor, e tani, pas një shekulli , është dallim i madh në mes tyre, e sidomos në zhvillimin ekonomik e industrial. Japonia renditet në krye të shteteve më të zhvilluara ekonomike të botës, por e cila ka ruajt me plot fanatizëm alfabetin e saj tradicional, i cili nuk i ka penguar fare në zhvillimin e saj, e i cili është në përdorim zyrtar që nga koha e lashtë e gjer në ditët e sotshme, kundruall Turqisë, e cila tek tani është duke përjetuar një zhvillim të hovshëm ekonomik, e si pasojë e ngecjes përveç tjerash, ka qenë edhe zëvendësimi i alfabetit arab me alfabetin latin në vitin 1928, një nga reformat e shumta të ndërmarra në shtetin e ri turk. Poashtu e njëjta gjë ka ndodhur me popujt mysliman të okupuar nga rusët me kohë gjatë historisë, që për dallim nga alfabeti latin, atyre i është imponuar alfabeti cirilik në përdorim zyrtar, ashtu që edhe në ditët e sotshme në Federatën Ruse, popujt ndryshëm mysliman e përdorin alfabetin cirilik, e njashtu edhe në shtetet e sapokrijuara pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, si në Azerbajxhan, Kazakistan, Uzbekistan, Tyrkmenistan, Taxhikistan, Kirgistan, është në përdorim zyrtar alfabeti cirilik. Alfabeti arab edhe pse në shikim të parë, duket i vështirë, është i lehtë për shkrim e lexim, e sidomos është i njohur bukurshkrimi arab apo kaligrafia arabe e cila është e vetmja dhe e veçantë në rruzullin tokësor.
Alfabeti cirilik është i përhapur kryesisht në Azi dhe një pjesë të Europës, kryesisht te popujt sllav të ritit ortodoks. Në përdorim zyrtar është në Federatën Ruse, Bjellorusi, Ukrainë, Bullgari, Serbi, Maqedoni . Vëllezërit Kirili dhe Metodi janë themeluesit të alfabetit cirilik,i cili bazohet në alfabetin e vjetër grek. Për dallim nga alfabeti latin shkronjat e alfabetit cirilik janë më të theksuara. Poashtu përdoret edhe në shtetet myslimane të sapokrijuara pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Alfabeti hebraik është i përafërt me alfabetin arab, daton nga shekulli III para epokës së re dhe se rrënjët i ka nga alfabeti arameik, të cilën hebrenjtë e përdornin që nga shekulli VI para epokës së re. Alfabeti hebraik shkruhet nga e djathta në të majtë, njëjtë sikurse alfabeti arab. Është në përdorim zyrtar vetëm në Izrael, ndërsa e mësojnë edhe hebrenj anekënd nëpër botë, e ruajnë me një fanatizëm të rrallë, dhe se përdorimi i tij asgjë nuk i ka penguar hebrenj në zhvillimin e tyre si në fushën ekonomike, politike, ushtarake të shtetit izraelit të sotshëm.



18.3.2009
Faik MIFTARI

Author: faik
•10:16 m.d.
Brezi ynë që kemi lindur në gjysmën e dytë të shekullit XX, e kemi për obligim që të shkruajmë për personalitetet e çmuar që kanë jetuar dhe vepruar gjatë shekullit XX, ashtu që figurat dhe veprat e tyre të mbesin të shënuara në letër për të mbetur të paharruar shekuj me rrallë. Duke marrë parasysh kohën e tashme në të cilin jetojmë, e që është epoka e komjuterizmit dhe të internetit, në të cilin është lehtësuar bukur shumë shpërndarja dhe leximi i shkrimeve qoftë nëpër mediat e shkruara( gazetat dhe revistat), qoftë ato elektronike( ueb faqet dhe forumet).Kur e them këtë e kam parasysh për boshllëqet e mëdha që janë akoma prezent në mesin tonë, në trojet tona shqiptare, sikur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë e Ulqin. Pikënisja e këtij boshllëku kulturor daton qysh nga viti 1908 kur u përcaktua alfabetit latin neve shqiptarëve, që në Shqipëri para vitit 1920 gjeti zbatim zyrtar, ndërsa gjuha shqipe dhe alfabeti latin fare nuk u lejua në trojet shqiptare të okupuara nga Serbia në vitin 1912. Ashtu që i tërë populli shqiptar brenda natës mbeti analfabet pas disa shekuj leximi e shkrimi. Gjurmët e këtij krimi kulturor kanë lënë pasoja të papara për kulturën tonë në përgjithësi, si fetare ashtu edhe kombëtare, e kur të shtohet edhe aplikimi i sistemit komunist për gjysmë shekulli me rrallë, me të vërtet pasojat janë edhe më të mëdha. Gjatë këtij gjysmë shekulli të kaluar në sistemin komunist, janë anashkaluar dhe lënë anash figurat dhe personalitete të çmuara që kanë lënë gjurmë në shoqërinë tonë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar në si në aspektin islam ashtu edhe atij kombëtar të popullit tonë. Qëllimi i shkrimit tim është që për këto personalitete të shkruhet dhe të shënohet veprimtaria e tyre fetare e atdhetare që të mos harrohen, siç thotë thënia e njohur e mulla Mustafa Basheskisë ” çdo send që shënohet mbetet, çdo send që mbahet mend, harrohet”.
Në këtë shkrim do të ndalem tek tre burrat shqiptar, që janë shembull se si duhet vepruar për çështjet fetare-kombëtare, ata burra ishin Riza Gashi nga Mitrovica, Hasan Vuqitërna nga Rahoveci dhe Rashid Gorani nga Peja.
Riza Gashi ka qenë një personalitet i rallë nga Mitrovica i cili ka jetuar dhe vepruar në Mitrovicë, unë nuk do të ndalem në biografitë e tyre, por në një këndvështrim tjetër, kontributet e tyre fetare e kombëtare, që kanë lënë gjurmët dhe kanë ndikuar në mesin e një rrethi më të gjerë shoqëror e fetar në Kosovë. Riza Gashi ishte një besimtar dhe atdhetar i vërtet me një largëpamsi të veçantë politike, fetare, kombëtare, kulturore, gjatë periudhës komuniste në të cilin ka jetuar. Njeri që gjatë gjithë jetës ka lexuar dhe ka poseduar një bibliotekë të rallë në atë kohë, ka pas një njohuri të jashtëzakonshme të proceseve aktuale politike, fetare, kombëtare si në aspektin kombëtar e sidomos atij ndërkombëtar. Ka mbajtur korrespodentë të rregullte me personalitet e njohur të asaj kohe sikur që ishin Hysein ef. Xhoza nga Sarajeva, Ali ef. Bullaqi nga Stambolli, Tevfik ef. Nahi nga Kajroja ( vëllau i myderrizit të njohur nga Gjakova Hasan ef.Nahut, njëri nga përkthyesit e Kur’anit në gjuhën shqipe) e të tjerë. Ku burrë i madh, mua më ka frymëzua..Ishte njeri me ndikim, ashtu që lirisht mund të them që pas babait tim që më ka edukuar në frymën islame e shqiptare që nga mosha 7 vjeçare, mësuesit tim zotëri Ryzhdi Dapkos që më mësoi shkronjat e para shqipe, hoxhës tim Hafiz Maksut ef.Spahiu që më mësoi shkronjat e Kur’anit, Riza abeji, siç e quanim, ka qenë në rangun e mentorit tim të aftësimit dhe kalitjes së mëtejmë në aspektin e përsosjes dhe këndvështrimit islam të jetës dhe veprimtarisë sime. Ka qenë njohës i mirë i gjuhës shqipe, turke, boshnjake, serbe e ngapak edhe arabe, dhe lexues i rregullt i literaturës islame në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Ka qenë lexues dhe përcjellës i rregullt i shtypit ditor, javor, mujor e vjetor. Karakterizohej përveç tjerash edhe me një kujtesë të fortë,mbajte në mend shumë ngjarje nga e kaluara e ndritshme historike e popullit tonë. Pata rast të njoftohem me Riza abejin, pasi që në atë kohë isha në studime në Mitrovicë, dhe gjatë kohës së kaluar pesëvjeçare në Mitrovicë, krahas diplomimit tim në fakultet, lirisht mund të them se mora edhe një diplomë të pashkruar,nga mentori im i jetës,vizionit dhe këndvështrimit islam vendor e botëror, të profesorit tim të nderuar Riza abej. Shpesh shkonim bashkë në namazin e xhumasë në xhaminë e Haxhi Veselit, dhe pas dëgjimit të hytbes dhe faljes së farzit, dilnim nga xhamia, dhe nuk ka qëlluar kurrë që të mos jap edhe sadaka fukarave në xhami. Netët e Ramazanit ishin të veçanta,me ç’rast kam përfituar më së shumti nga mësimet, ligjëratat, këshillat e rralla për atë kohë, të cilët ato si të tilla ka qenë e pamundur të mësosh në xhami apo diku në ndonjë ambient tjetër, pasi që ishte sistemi komunist në fuqi. Herëpasëherë vetëm ndërhyjsha me pyetje, për të vazhduar dhe qartësuar më tutje aty ku ka mbetur, e sidomos tema të aspektit aktual politik islam botëror dhe gjendjes së myslimanëve nëpër botë, pasi ishte një kënaqësi e veçantë për të dëgjuar, ishte një njohës i radhë i situatës aktuale politike islame botërore në atë kohë në Kosovë. Qysh në atë kohë me endje dhe pasion lexonte tefsirin e Sejjid Kutbit në shumë vëllime në gjuhën turke të përkthyer . Kur dëshironte të citonte në origjinal ndonjë citat nga ndonjë libër, vetëm më urdhëronte që të ngritem e të marr librin e caktuar, në ormanin e librave, i cili gjendej për shembull në rreshtin e dytë, me radhë i pesëmbëdhjetë, faqja e njëzeteshtatë, pasusi i trembëdhjetë... Me të vërtetë e kishte memorien e fortë dhe të rallë. Netëve të Ramazanit e dëgjonte rregullisht Radio Kajron, e sidomos me ëndje kishte qejf të dëgjonte këndimin e Kur’anit nga hafizët e shkëlqyer egjyptas. Në Kosovë me ëndje kishte qejf të dëgjonte këndimin e Kur’anit nga mulla Mustafa ef. Dervisholli për të cilin thoshte se është bilbili i Kosovës dhe se shpirti i tij rehatohej nga zëri i bukur që posedon mulla Mustafa ef.Dervisholli. Për respektin e veçantë që kam pas ndaj mentorit tim Riza abej, natën që ndërroi jetë për në Ahiret, unë e pash në ëndërr, që Riza abej ka vdekur, pasi që në atë kohë gjendesha në Greqi, në ishullin e Kretës, ku shkova si student gjatë dimrit për të punuar përkohësisht në vjeljen e portokajve dhe ullinjve gjatë sezonit dimëror. Ishte shkurti i vitit 1989 kur Riza Gashi ndërroi jetë, inshallah Allahu xh.sh. e shpërblen me xhenetin firdevs. Përherë do të mbetet në kujtim thënia e tij e njohur se“ unë nuk do përjetojë daljen e Islamit nga katër muret e xhamisë, i cili në atë kohë ishte prezent gjatë sistemit komunist, por ti me siguri do e përjeton, sepse Islami është edhe jashtë katër mureve të xhamisë”.
Personaliteti i dytë i çmuar ishte Hasan Vuqitërna( Haxhi Cana) nga Rahoveci, një burrë, besimtar, atdhetar, vizionar, mik, dost i veçantë, i pandalshëm në ecejakun e rrugës për shpërndarjen e ideve fetare islame dhe kombëtare shqiptare. Ka qenë i dashur dhe i afërt dhe brengat e tij përherë kanë qenë halli i besimit islam dhe çështja e pazgjidhur shqiptare. Ka qenë prore në lëvizje, duke vizituar miqtë dhe dashamirët e tij mysliman anekënd Kosovës, Maqedonisë, Sanxhakut, Bosnjës, Kroacisë. Ishte i palodhshëm edhe në shpërndarjen e literaturës islame( gazetave, revistave, broshurave, librave) si në gjuhën shqipe ashtu edhe asaj boshnjake në ish Jugosllavi. Përveç idesë mbarë shqiptare, tek ai dominonte ideja universale islame, ashtu që përherë mbetet në kujtim thënia e tij e mirënjohur që e citonte shpesh” Tungjatjeta gjer në Kaçanik, selamalejkum gjer në Indonezi”.
Me paraqitjen e UÇK-së në skenë u gëzua pa masë dhe se vetëm me luftë të armatosur Kosova mund të fitojë lirinë. Ashtu siç ka qenë në lëvizje gjithherë, ashtu edhe në lëvizje u vra nga forcat policore ushtarake serbe me 21 korrik 1998 me rastin e ofensivës në Rahovec, pasi që nuk deshi të largohej nga Rahoveci. As sot e kësaj dite, që nga vrasja e tij nga forcat serbe, nuk është gjetur trupi i tij, as varri i tij se ku është varrosur nuk dihet. Poeti, shkrimtari, studiuesi nga Gjakova MexhidYvejsi,i cili e kishte mik shpirti, në një poezi të shkruar në nëntor 1998, që i ka kushtuar Haxhi Hasan Vuqitërnës, me titull”Kosova do t’ jetë varri i tyre”ndër të tjera shkruan:

“...Juve mos t’ju ligështojë
Hidhërimi e dëshprimi
Për varrin tim pa nishan,
Nishani im është imani,
Këtë le t’a di dushmani.
Kosova do t’jetë varri i tyre...!”

Haxhi Hasan Vuqitërna(1919-1998), ky burrë i shquar, e dha jetën për Kosovën, sikur e kishte dhënë jetën edhe babai i tij, Hoxha, Hasan Vuqitërna, të cilin e ka vra ushtria serbe në vitin 1918, tre-katër muaj pa lind haxhi Cana, pra babë e bir rënë dëshmor për Kosovë.
Personaliteti i tretë i çmuar ishte Rashid Gorani nga Peja. Rrjedhte prej familjes së njohur pejane Gorani e cila çmohej me virtyte të larta fetare dhe kombëtare. Qysh si i ri u dallua në shoqëri sepse kishte një interesim të madh për fe e atdhe. Familja e tij në Pejë ishte e njohur edhe për traditën e mirëmbajtjes se topit për sinjalizimin e kohës së iftarit gjatë muajit të Ramazanit, një traditë e bukur që mirëmbahej dhe praktikohej në qytetet më të mëdha të Kosovës si në Prizren, Prishtinë, Pejë,Gjakovë. Por kjo traditë e bukur nuk shikohej me sy të mirë nga komunistët dhe nga viti 1949 u ndalua në tërë Kosovën . Me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999,si gjithë të tjerët u gëzua edhe Rashid Gorani,por gëzimi i tij e kishte edhe diçka, topi i muajit të Ramazanit. Ripërtrirjen e traditës, me njoftua me krismën e topit gjithë Pejën se iftari është hazër. Me një dëshirë të tillë të zjarrtë, ai menjëherë pas luftës, e priti me padurim muajin e bekuar të Ramazanit dhe filloi me e pastrua topin, të cilin e kishte fshehur nën tokë, para pesëdhjetë viteve...! Tashmë topi ishte gati, për iftarin e parë, në Ramazanin e parë në liri, por ndodh një tragjedi, një fatkeqësi...Kur e shkrepi topin, topi krisi... por një sasi baruti eksplodoi jashtë grykës, ra në trupin e Haxhi Rashidit, i cili duke dhënë shpirt arriti të thoshte fjalët e fundit:” a e ndiu krejt Peja krismën e topit...!”
Në përfundim të këtij shkrimi, me pak fjalë, vërtet këta tre burra të shquar më kanë frymëzuar. Lutem, që në jetën e vërtetë, All-llahu i Madhëruar, i ka vendosur në Xhennet!


24.2.2009
Faik MIFTARI


Author: faik
•11:25 m.d.
Ishte dita e njëzet a agresionit izraelit në Gaza, ora 3 e mëngjesit ishte kur u zgjova nga gjumi, mora abdes, fala dy reqate namaz dhe bëra dua për Gazën. Me të vërtet njeriu nuk mund të mos rrëqethej, e posaçërisht nëse është edhe i ndjeshëm pak më tepër se që duhej, nga pamjet rrëqethëse të pasojave të bombardimeve nga ajri, toka e deti, të një hapësire gjeografike prej 360km2, me gjatësi 36 km dhe gjerësi 10 km,në të cilën është vendosur popullata më e dendur në sipërfaqen e tokës, 1miljon gjysmë banorë palestinez. Viktimat e shumta civile, me një numër të madh fëmijësh dhe gra të pafajshëm, e ka tejkalua jashtë çdo mase të gjitha konventat e mundshme botërore për mbrojtjen e civilëve gjatë luftës.
Gaza medoemos na sfidoi edhe neve shqiptarëve mysliman nëpërgjithësi kudo çofshim , në të gjitha trojet tona shqiptare. Ithtarët e librit, ehli kitabët dhe të tjerët, përpilojnë plane të ndryshme strategjike, për të na dobësuar dhe pa fuqizuar sa më tepër që është e mundur, si pasojë e të cilëve është edhe gjendja aktuale në botë e myslimanëve në përgjithësi. Ndërsa, edhe pse në numër nuk jemi pak, por 1 miliard e gjysmë mysliman në botë, jemi të pafuqishëm, të prapambetur, të pazhvilluar, të ngecur në të gjitha aspektet shoqërore, politike, ekonomike, ushtarake, arsimore, kulturore, sportive e kështu me rrallë.
Më kujtohet si sot viti 1990, kur për herë të parë(dhe për fat të keq dhe të fundit), pas rrënjës së sistemit komunist në ish Jugosllavi, në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës, u organizua kuvendi apo takimi i rinisë myslimane nga të gjitha trojet e ish Jugosllavisë, gjatë së cilës kemi referuar për problemet e ndryshme islame gjatë të cilëve jemi ballafaquar dhe se në të ardhmen se si dhe në çfarë mënyre të përparojmë, të jetojmë, të ambientojmë dhe të ecim përpara me fenë islame si është më së miri . Ishin prezent të rinj mysliman që nga Sllovenia, Kroacia, BeH, Mali i Zi, Sanxhaku, Kosova dhe Maqedonia. Ka qenë një unitet i jashtëzakonshëm, të gjithë së bashku në namaz të përbashkët, të gjithë në një forme të njëjtë të faljes, atë të shkollës juridike hanefite që shekuj me rrallë është prezentë në këto hapësirat e Ballkanit.
Tërë energjinë tonë rinore e kemi shpenzuar se si dhe në ç’mënyrë do të mundem të kontribuojmë dhe të zhvillojmë dijen tonë në përpjekjet kreative dhe intelektuale drejt përparimit dhe zhvillimit të ideve islame në përgjithësi. Nuk ka pasur fare bisedime apo fërkime, apo humbje energjie kot në mes neve, se çfarë drejtimeve i takojmë, suni apo shii, selefi apo hanefi,sufi apo nurxhi e ku ta di unë tjetër çfarë, por të gjithë së bashku kemi qenë aplikues dhe zbatues të shkollës juridike hanefite të trashëguar brez pas brezi, shekull pas shekulli, qysh me përhapjen e islamit në trojet tona të Ballkanit nga Perandoria Osmane. Strategët largpamës, qysh atëherë e kanë vënë re këtë unitet të jashtëzakonshëm të rinjve mysliman të asaj kohe në hapësirat e ish Jugosllavisë. Pasuan luftërat e përgjakshme në ish Jugosllavi me ç’rast edhe u shpërbë ish Jugosllavia. I vetmi dallim në atë kuvend në mes neve pjesëmarrësve, ka qenë se të rinj mysliman nga Sllovenia, Kroacia, BeH kanë qenë në çdo aspekt dhe shumë përpara neve, ishin më të ngritur, më të zhvilluar, më të arsimuar, më kreativ me idetë e tyre dhe propozime konkrete islame në krahasim me neve që ishim nga Sanxhaku, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.
Me valët e reja të demokracisë, edhe në Ballkan depërtuan, të lejuar në heshtje dhe me një strategji të caktuar, rrymimet dhe lëvizjet e ndryshme islame që janë aktualisht prezent në botën islame, e që pas kësaj e tërë energjia dhe vrulli rinor tani e tutje të harxhohet në fërkimet dhe përplasjet e brendshme ndërmjet vetë neve,dhe largimi dhe evitimi nga problemet madhore me të cilët ballafaqohet ummeti islam në vigjile të shekullit XXI apo mileniumit të dytë.
Këto depërtime i kam parë dhe i shoh nga një kënd tjetër si mysliman , si numër të një spektri të gjerë të mozaikut të pasur islam botëror, i cili vetëm mund të plotësoj apo begatoj, e assesi të kundërshtoj apo armiqësoj një mysliman me tjetrin mysliman. Por sikurse kjo të shihej dhe pranohej ky këndvështrim, do të ishte në rregull dhe pa pasoja. Por kundërshtarët tonë, e kanë parë këtë segment, pas secilës do të pasojnë përplasje të forta të brendshme, duke marrë parasysh nivelin të ultë të zhvillimit mendor, politik, kulturor, fetar, ideor, kreativ, të myslimanëve në përgjithësi e shqiptarëve në veçanti në Ballkan. Sa për ilustrim të ceki se në Gjermani këto fërkime dhe përplasje të brendshme fetare i kanë tejkaluar para gati plot 4 shekujve, pas një lufte të brendshme të përgjakshme sektare fetare që ka zgjatur plot 30 vjet, prej vitit 1618 e gjer më 1648, në mes katolikëve dhe protestantëve gjerman. Sot gjermanët jetojnë në një harmoni të plotë fetare, edhe pse 60% janë protestant dhe 40% katolikë, pa marrë parasysh dallimet dhe botëkuptimet të brendshme në mes tyre.
Ndërsa në përgjithësi në botën islame këto zhvillime dhe konflikte aktuale brenda fetare të brendshme janë në vlugun më të madh të mundshëm me ç’rast kemi pasoja fatale në ummetin islam. Por kjo mund të evitohet vetëm me zhvillimin dhe zgjerimin e dijes tonë në përgjithësi, dhe me një tolerancë dhe mirëkuptim maksimal të treguar ndaj ideve apo mendimeve të ndryshme të botës islame.
Kohë më parë lexova një shkrim të shkëlqyer të Justit ”Probleme të ligjërimit islam të myslimanëve shqiptar” në të cilën e ka elaboruar me mjaft sukses temën në fjalë, që sipas mendimit tim, sikur që dikur ka qenë Manifesti i partisë komuniste për komunistët, lirisht mund të them se do të mund të ishte Manifest i ditëve të sodit për myslimanët shqiptar. Me të vërtet ka qenë një qasje shumë e qëlluar dhe me vend dhe në kohë të duhur për shqiptarët mysliman në përgjithësi. Por nuk do të thotë kjo, që me Justin në ndonjë segment edhe të mos pajtohem, por assesi apriori ta shpallë atë renegat apo armik( të më fal Justi që e apostrofova si shembull), por tek Justi me siguri do të gjeje mirëkuptim për mendim të shfaqur e që bie ndesh me mendimin eventual të tij. Çfarëdo çoftë myslimani me bindje të ndryshme, normal që nuk bie ndesh me parimet islame , çoftë ai, sunni apo shii, selefi apo hanefi, sufi apo nurgji, duhet pasur mirëkuptim dhe respekt të ndërsjell.
Neve që jetojmë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, e në pjesë tjera të Ballkanit të kontinentit evropian, duhet të kemi të qartë, duhet të bëjmë një hap përpara, drejt mënyrës së qasjes dhe organizimit tonë kundruall organizimeve legjitime të aplikuara dhe të zbatuara në kohën e sotshme.Pikësëpari, mendoj në zgjerimin absolut të dijes, në radhë të parë të të shprehurit të lexuarit e të shkruarit, të editimit dhe botimit të gazetave dhe revistave, të përkthimeve, publicistikës , të hapjes së radio difuzeve dhe mediave televizive, shtëpive botuese, web faqeve , organizimin dhe masivizimin e OJQ(NGO), e kështu me radhë.
Vallë, shtrohet pyetja, a thua nuk kemi kapacitet të mjaftueshëm njerëzor, intelektual, kreativ në mesin tonë për një gjë këtillë?. Po, unë kisha thënë, por ne ende si shoqëri muslimane në përgjithësi vuajmë nga sindromi i ”bajraktarizmit shqiptar”. Njashtu edhe si shoqëri myslimane në përgjithësi vuajmë edhe nga mungesa e kapacitetit të organizimeve të ndryshme në pikëpamje të mediave, elektronike, apo edhe të shkruara.
Një gjë duhet të jetë e çartë, për të pasur sukses të plotë dhe për të ecur përpara, për çfarëdo çoftë organizimi, dy tipare apo elemente bazike që duhet të posedojë individi apo njeriu janë: dija dhe guximi, njëra pa tjetrën nuk bën, poçese njëra mungon, rezultati do të jetë gjysmak, e sidomos po të mungojë guximi, sepse mungesa e dijes mund të kompensohet me ndihmën e të tjerëve, asistentëve apo këshilltarëve, mungesën e guximit, nuk mund të kompensojnë të tjerët, asistentët apo këshilltarët.Sidomos udhëheqësit apo ata që janë në krye të çfarëdo organizimi qeveritar, joqeveritar, partiak, fetar, sportiv, kulturor, medial, në rast atyre i mungon njëri apo tjetri tipar, me siguri rezultati nuk do të jetë i plotë. A thua nuk kemi individë apo personalitete të tillë në mesin tonë, si në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, që i posedojnë këto dy tipare. Mund të konkludojë lirisht se për momentin ka shumë pak, edhe të tillë që janë, nuk mund të vijnë në shprehje për shkak të sindromit të “bajraktarizmit shqiptar” apo edhe të xhelozisë dhe inatit, që vetë nuk i posedojnë dhe se për atë nuk i lejojnë edhe të tjerët si të tillë të vijnë në shprehje në çfarëdo forme çoftë të veprimit apo organizimit në fjalë.
Po rikthehem te Gaza, si shembull ekvualent, në të cilën kemi rënë të gjithë në detyrë, edhe si shoqëri njerëzore, humane, civilizuese,e aq më tepër si shoqëri myslimane, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, që për 22 ditë me radhë nuk ishim në gjendje të bëjmë një organizim të denjë në përkrahje të popullit palestinez si dhe në sensibilizim e agresionit izraelit në Gazë në trojet tona shqiptare në përgjithësi.
Edhe pse duke ditur se një gjë e tillë nuk do të pritej të ndodh nga institucionet qeveritare, shtetërore, subjekte politike, e aq më pak nga bashkësitë apo komunitetet islame, por as nga organizatat ndryshme joqeveritare një gjë e tillë nuk është bërë, as në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, përveç dy deklaratave për shtyp të Forumit Musliman Shqiptar dhe Forumit Musliman të Kosovës, përkundër organizimit dhe veprimit madhështor në Sanxhak, Bosnjë e Turqi, me mbajtjen e hytbeve të xhumasë për Gazën, tubimin e ndihmave në të holla nëpër xhamia, organizimin e demonstratave dhe protestave në përkrahje të popullit palestinez, dhe aksioneve të shumta humanitare, në ballë të të cilëve kanë qenë bashkësitë e tyre islame si në Sanxhak, Bosnjë e Turqi.Neve shqiptarëve mysliman si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, na ka munguar edhe guximi, por edhe mos dija e organizimit të çfarëdo çoftë aksioni humanitar, tubimi i mjeteve financiare për ndihmë popullit të përvuajtur të Gazës, të protestave dhe demonstratave në përkrahje të popullit palestinez. Ne si shembull për të mirë në Kosovë e kemi Lëvizjen Vetëvendosja si mostër e shkëlqyer i një organizimi të tillë . E për një organizim të tillë, duhet një para përgatitje e mirë, me ç’rast bëhet më parë sensibilizimi i shoqërisë me mbajtjen të një konferencës për shtyp, të shpërndarjes së lajmërimeve për njoftimin e datës, vendit dhe orës së mbajtjes së protestës, fjalimet e përgatitura më parë, sloganet që do të brohoriten, pankartat e shkruara, marshuta, fillimi dhe mbarimi i saj, kujdestaria e kujdestarëve të caktuar më parë, për të mos devijuar apo për të parandaluar depërtimin apo infiltrimin të personave të tjerë që do të mundohen të ja ndërrojnë karakterin paqësore, njoftimin me kohë të policisë, të mediave elektronike dhe të shkruara.
Por neve në përgjithësi për momentin si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, na mungon një qasje e tillë në shoqërinë myslimane çfarëdo çoftë ajo, të ngritjes së zërit në formë të organizuar të shkeljes së të drejtave njerëzore, fetare, kombëtare,civilizuese, në rastin konkret të palestinezëve, por edhe të rasteve të tjera në botë.
Po të mos ishte demonstrata spontane në Prizren,e mbajtur pas namazit të xhumasë në Shadërvan dhe marshuta e saj gjer në Namazgjah, me të vërtet ishim koritë, kundruall botës islame por edhe asaj perëndimore, duke marrë parasysh me qindra,mijëra,miliona demonstrues anekënd botës që kanë dalë në protesta kundër agresionit izraelit në Gazë që nga Xhakarta, Karaqi, Sana, Stamboll, Bejrut, Damask, Teheran, Ankara, Yenipazar, e Sarajevë, e gjer në Athinë, Osllo, Paris, Londër, Romë, Madrid,Vjenë, e Vashington.
Ruana Zot, mos të na ndodh prapë ”Devr Dynjaja”.


22.01.2009
Faik MIFTARI

Author: faik
•3:51 m.d.
Ditë më parë, saktësisht me 20.12.2008 në Prishtinë në hotelin Grand, u mbajt konferenca shkencore”Alija Izetbegoviq ndërmjet lindjes dhe perëndimit” në organizim të organizatës”AKEA” dhe agjencionit”TIKA” me rastin e përvjetorit të pestë të ndërrimit jetë të intelektualit, politikanit, burrështetasit, presidentit të Bosnjës e Hercegovinës Alija Izetbegoviqit.
Në emër të organizatës”AKEA” të pranishmit në sallë i përshëndeti Hysamedin Abazi i cili në fjalën e tij përshëndetëse përveç tjerash ceku” më lejoni të falënderoj referuesit nga Bosnja, Turqia, Maqedonia e Kosova, të gjithë të pranishmit, mediat elektronike dhe të shkruara, e posaçërisht zotëri Adnan Ismaili si urë lidhëse me botën boshnjake dhe turke”. Në emër të agjensionit “TIKA” pjesëmarrësit i përshëndeti koordinatori i saj për Kosovën zotëri Kürşad Mahmat i cili përveç tjerash ceku se “ pesë shekuj me rrallë kanë jetuar dhe bashkëpunuar në harmoni dhe koekzistencë të plotë shqiptarët, turqit e boshnjakët. Alija ishte lider jo vetëm me përmasa kombëtare por edhe me përmasa botërore”.
Në emër të Fakultetit të Studimeve Islame përshëndeti prodekan i saj zotëri Qemajl Morina i cili ceku se” është me rëndësi si për popullin boshnjak ashtu edhe për popullin shqiptar, pasi që na lidh besimi i përbashkët”.
Muamer Zukorliq, myfti i Sanxhakut, përshëndeti të pranishmit, ndër tjerat ceku se
” falënderoj organizatorët e kësaj konference shkencore organizatën” AKEA” dhe agjencionin “TIKA”, për organizimin e këtij evenimenti kulturor me rëndësi të posaqshme për gjithë Ballkanin. Sot jemi takuar këtu, për të shënuar njeriun e madh për çështjen boshnjake, por përveç tjerash edhe njeriun e madh human e internacional”.
Emrush Azizoviç nga organizata”Edukatori” përshëndeti konferencën shkencore edhe në emër të boshnjakëve të Kosovës.
Pas fjalëve përshëndetëse pasoi filmi dokumentar i gazetarit turk Akif Emre”Intervista e fundit me Alijën”i cili tek pjesëmarrësit la përshtypje dhe mbresa të veçanta.
Kumtesa e parë në konferencën shkencore”Alija Izetbegoviq në mes lindjes dhe perëndimit” ishte e Adamir Jerkoviqit, ish këshilltar i Alija Izetbegoviqit,drejtor i arkivit të BeH, me titull”Kush ishte Alija Izetbegoviqi” i cili përveç tjerash ceku:” Për Alijën nuk është lehtë të flitet, Alija është trim mitik i shekullit XX, për diplomatët e huaj Alija ka qenë i urtë dhe tepër i shkathët, ka luftuar për lirinë dhe afirmimin e Islamit dhe popullit boshnjak. Lufta e tij për mbrojtjen e boshnjakëve dhe shtetit të BeH ishte edhe për te rezistuar makiavelizmit politik, shkatërrimit të BeH, konceptit qytetar të Alisë për shtetin qytetar, e që binte ndesh me konceptet e Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe. Bota e ka njohur Alinë si lider i urtë, njerëzor, human dhe civilizues edhe pse ishte një besimtar i devotshëm mysliman. Ka qenë i matur, në luftë e në paçe,në fitore e në humbje, në kritika e në lëvdata. Alija ishte antipod i Makijavelit, te ai qëllimi nuk e arsyeton mjetin, Alija ka gjetur në Islamin të gjitha rrjedhat kulturore, Alija ka qenë i veçantë”.

Kumtesa e dytë ishte e dr.Hysen Matoshit, nga Instituti Albanologjik, me titull”Alija dhe shqiptarët” ku përveç tjerash ceku:” Alija ishte në mes dy opsioneve, të pranonte robërinë, apo të luftonte për lirinë e popullit të vet, më së miri e kuptonte problemin e boshnjakëve dhe të tjerëve në BeH. Ai e zgjodhi luftën e imponuar për lirinë e popullit boshnjak dhe për mbrojtjen e pavarësisë së BeH, e jo të luftonte për interesat e Serbisë në frontet e Kroacisë kundër kroatëve, apo në frontet e Kosovës kundër shqiptarëve. Maksima e tij e njohur ishte, të bisedosh sa herë që ke mundësi, të luftosh vetëm kur je i detyruar, kurrë nuk i ka ngatërruar çetnikët me serbët, apo ustashët me kroatët. Ai është angazhuar përherë për Bosnjën multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore. Ka bërë një luftë titanike kundër ushtrive të shumta agresore në BeH, sikurse ishin ushtria jugosllave, ushtria serbe lokale, ushtria kroate, ushtria lokale HVO, ushtria tradhtare e Abdiqit, njësit e shumta paramilitare e kështu me rrallë. Gatishmëria e tij heroike për të rënë për atdheun, ishte edhe nga besimi i tij i plotë në Zotin e madhëruar.
Kur Millosheviqi e kishte nisur luftën në Kosovë, ai pat thënë se regjimi i Beogradit ka vendosur me luftë të zgjidh statusin politik të Kosovës, ashtu që duke i shpërngulur një milion shqiptar nga Kosova, me 7 prill 1999 dërgon një telegram Organizatës së Konferencës Islamike që mbante në atë kohë takimin në Gjenevë, me kërkesë për ndihmën urgjente për popullin shqiptar të Kosovës, e sidomos për refugjatët e shumtë shqiptar në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu nëpër botë të shkapërderdhur. Alija mbetet si shembull unik se pushteti pikësëpari është vetëm përgjegjësi e në asnjë mënyrë privilegj . Dha dorëheqje para kohe nga pozita e tij, nuk donte të vdiste në pushtet, por si njeri i rëndomtë, arriti të fitoj simpatinë e të gjithë popujve të Ballkanit, e sidomos të shqiptarëve”.
Kumtesa e radhës me titull”Alija, Ikball i perëndimit” ishte e dr.Xhemaludin Latiqit, bashkëpunëtorit të tij më të afërt dhe më të ngushtë të Alija Izetbegoviqit. Latiqi përveç tjerash theksoi:” gjendjen e vështirë aktuale të popujve mysliman në botë mund të ndërron vetëm një gjeneratë e re. Ai evokoi edhe takimin në burg në mes delegacionit boshnjak dhe të atij shqiptar. Ishim nga tre përfaqësues në të dyja palët. Delegacioni i të burgosurve shqiptar shtroi pyetjen se çfarë mendoni ju për çlirimin e popujve të shtypur. Alia si shef i delegacionit tonë iu përgjigj: ju shqiptarët jeni popull me shumicë myslimane, ne ju kishim përkrahur edhe si popull i shtypur, por ne jemi të obliguar edhe sipas besimit islam të përbashkët që kemi të ju përkrahim, ju nuk mund të flitni se juve nuk ju nevojitet islami, juve personalisht mund të thoni, por pjesa dërmuese e popullit të juaj janë besimtarë mysliman, por ideologjia marksiste e juaj fare nuk na intereson, prej të gjithë të burgosurve shqiptar prezent në burgun e Foçës, vetëm dy besonin në Zot. Pas një kohe të gjatë, me rastin e luftës në Kosovë, njëri prej tyre që në atë kohë ishte në rradhët e UÇK-së, na dërgoi një letër, të cilën ia lexova Alisë, në të cilën i bie pishman për ato fjalët e theksuara gjatë kohës së kaluar të përbashkët në burg dhe se për të ishte një inspirim i veçantë lufta e Alisë për BeH. Tri themelet bazë mbi të cilët ishte kryer gjenocidi mbi popullin boshnjak kanë qenë:” zhdukja e turqve sipas Njegoshit, Kroacia si pararojë e katolicizmit si dhe republika islame e BeH”. Diktati ushtarak në Dejton ka qenë për të pranuar të ashtuquajturën Republikën Serbe të krijuar në gjenocidin boshnjak, që s’do të thotë që në të ardhmen që do të duhej të ekzistojë edhe më tej kjo krijesë artificiale. E gjenocidi i kryer mbi popullin tim nga serbët, e në mënyrë të heshtur të lejuar edhe nga bota perëndimore, ka qenë pikësëpari pse jemi mysliman.
Alija ka qenë Ikballi i Perëndimit.
Civilizimi perëndimor nuk mund të jetë universal për botën, me të cilën përpiqet nëpërmjet globalizimit të imponohet, pasi ka shumë të meta të mëdha. I vetmi civilizim që mund të jetë universal për tërë botën është civilizimi islam i cili qëndron apo bazohet në tre vëllazëri parimore: e para, vëllazëria sipas prejardhjes njerëzore, pasi që tërë shoqëria njerëzore e ka prejardhjen prej Ademit(Adamit) e Havës(Avës), vëllazëria sipas ehlikitabit, që do të thotë, besimi në një Zot, si të hebrenjve, krishterëve dhe myslimanëve, dhe vëllazëria sipas islamit, që nënkupton besimtarët mysliman. Do ta përmbyll këtë ligjëratë timen me thënien e paharruar të Alija Izetbegoviqit, nga Deklarata Islame”Me besue dhe me luftue”.
Kumtesën e dr.Ismajl Bardhit me titull”Alija, shehid, shahid i kohës” e lexoi Mehmet Kalisi pasi që nuk ka mund të marrë pjesë për shkaqe objektive, në të cilin përveç tjerash ceku: “më tepër dihet për Alinë si politikan, por jo edhe si autor i shkrimeve të shumta apo publicistika e tij në përgjithësi. “Ikja ime në liri “është vetëm njëra prej veprave të shumta të tij, e cila aludon kohën e tij të kaluar në burg”.
Kumtesa e rrallës me titull”Bukuria dhe urtësia në botën e Alija Izetbegoviqit” ishte e autorit Sadik Yilmaz nga Turqia, i cili përveç tjerash ceku se: “Istanbulli është një urë lidhëse ne mes Lindjes dhe Perëndimit, ashtu edhe Alija Izetbegoviq si një personalitet i rrallë i cili u angazhua si lidhës në mes Lindjes dhe Perëndimit, në mes të dy kulturave apo civilizimeve. Ai çdo herë është angazhuar që të mos ketë aspak hakmarrje ndaj katolikëve e ortodoksëve, aspak ndaj civilëve, prijësve fetar apo faltoreve të tyre, kishave ortodokse apo katolike”.
Referuesi i rrallës ishte dr.Zejnullah Gruda me kumtesën e vet me titull”Lufta e rëndë e Izetbegoviqit për shtetësinë e BeH”i cili përveç tjerash ceku se:” Alija ka qenë një ndër figurat më të njohur të shekullit XX, personalitet më i çmuar i kombit boshnjak. Ka përjetuar dy përpjekje të gjenocidit ndaj popullit të tij, prej krimeve më të rënda në historinë njerëzore. Ka qenë sinonim për bashkëjetesë të kulturave të ndryshme. Alija ka bërë luftë në disa fusha, afirmimin e popullit boshnjak si një popull i veçantë nga serbët dhe kroatët, ruajtjen e BeH, pavarësisë dhe sovranitetit të saj, kundër planit serbokroat për ndarjen e BeH, në proporcion 66% për Serbinë dhe 34% për Kroacinë. Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare në rastin e BeH ka treguar një indiferencë të skajshme marramendëse. Sa për ilustrim do të ceki thënien e ish presidentit amerikan Richard Nikson,: po të kishin jetuar të krishterët apo hebrejët me shumicë në Sarajevë, kurrë nuk do të kishte ndodhur rrethimi i Sarajevës për 1200 ditë. Srebrenica një zonë e ndaluar dhe e mbrojtur nga OKB-ja, u dorëzua serbëve të cilët për 4 ditë vranë dhe masakruan rreth 8000 burra, të rinj dhe pleq, një gjenocid i paparë në mes të Evropës që nga lufta e dytë botërore. Beteja e fundit e Alisë ishte Dejtoni, të cilën u dashtë me e pranua për të shpëtuar popullin e vet. BeH ka dalë si shtet, por ka përjetuar një lindje tepër të rëndë”.
Referuesi i radhës ishte Bylent Yildirim me kumtesën me titull” Lider shembull, Alija” ku përveç tjerash ceku:” Alija ka qenë guximtar,një veprimtar i denjë për pavarësi. Ka qenë i urtë, i shkathët dhe me mjeshtëri e mençuri e ka përdorur mendjen. Edhe pse më shumë se 1000xhamia janë shkatërruar dhe rrënuar gjatë luftës në BeH, në asnjë moment nuk ka lejuar të rrënohen kishat katolike dhe ortodokse. Alija ka qenë gjithherë pjesë e Islamit universal dhe ummetit mysliman. Ka qenë prore me popullin e vet, ka jetuar si një njeri i rëndomtë çdo herë i gatshëm të pranojë vizitat e ndryshme, ka vizituar shumë shtete, dhe se ka shpresuar se pas një kohe dhe mundimi do të dal fitimtar.
Vepra e Aliut nuk ka qenë vetëm për Bosnjë por për tërë civilizimin botëror. Udhëheqësit turk edhe sot e kësaj dite janë të impresionuar me idetë dhe këshillat e Alisë”.
Referuesi i fundit ka qenë Akif Emre me kumtesën me titull”Prijës, urtar Alija” me ç’rast theksoi : “Alija ka qenë shembull më i mirë i njohjes dhe bashkëjetesës apo koekzistencës të dy civilizimeve, asaj perëndimore dhe lindore, islame dhe kristijane. Gjenocidi i kryer ndaj boshnjakëve nga ana e serbëve, u bë edhe me miratim të heshtur të qarqeve të caktuara ndërkombëtare. Ishte njëri prej liderëve më të mëdhenj të botës islame në 100 vitet e fundit, apo të shekullit XX”.
Mr.Adnan Ismaili nga Maqedonia e ka dorëzuar kumtesën e vet për botim, pasi për shkak të shkaqeve personale nuk ka mund të qëndrojë më gjatë në Prishtinë.
Në përmbyllje organizatorët ndanë nga një mirënjohje për referuesit të pranishëm. Konferenca shkencore përfundoi punimet në ora 17.00.

28.12.2008
Faik MIFTARI