Sonte jemi tubuar këtu në qytetin tonë të lashtë të Prizrenit, i njohur përveç tjerash edhe si qytet i kulturës, për të promovuar librin e memoarëve të intelektualit, politikanit, burrështetasit, presidentit, strategut të kombit boshnjak, besimtarit të devotshëm musliman, themeluesit të shtetit të BeH, “Kujtime” të Alija Izetbegoviçit.
“ Prezantimi i një libri të ri është një ngjarje e shenuar në jetën kulturore, është një kënaqësi e veçantë për pjesëmarrësit, është një përgjegjësi morale e shkencore për diskutantët, është një nderim qytetar e intelektual për autorin dhe përkthyesin”janë fjalët e cituara të pedagogut të mirënjohur nga Shkodra Faik Luli. Shfrytëzoj rastin të përgëzoj Organizatën “AKEA” dhe Agjencionin”TIKA” për organizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm kulturor për qytetin tonë e që është në kuadër të shenimit të pesëvjetorit të ndërrimit jetë të ish presidentit boshnjak, dhe Konferencës shkencore”Alija Izetbegoviçi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” të mbajtur dje në Prishtinë. Për meritat dhe vlerat e tija si në rrafshin intelektual, politik, diplomatik, njerëzor, human, civilizues do të citojë disa nga thëniet e shumta për personalitetin dhe figurën e Alija Izetbegoviçit:
“Po të mos ishte Alija, BeH nuk do të ekzistojë, ai është shkaku i ekzistimit të BeH”- Richard Holbruk, kreator i Marrëveshjes së Dejtonit.
“Ka qenë zëri i Bosnjës i cili ka luftuar për mbijetesën e saj. Ka udhëhequr rezistencën nga kryeqyteti i rrethuar i Sarajevës dhe me përkushtim maksimal ka punuar që të shpëtohet pavarësia dhe sovraniteti i BeH” – George Robertson ish sekretar gjeneral i NATO-së.
“ Për vlerat të cilët ka besuar, për shtetin dhe popullin e vet, ai është burim i pashtershëm i trimërisë dhe i vlerave të veçanta të humanizmit njerëzor”- Receb Tayyib Erdogan kryeministri aktual i Turqisë.
“ Alija Izetbegoviçi ka qenë lideri i madh i BeH i cili tërë jetën ka shërbyer për prosperitetin e popullit të vet” Muhamed Mahathir ish kryeministri i Malejzisë.
“ Alija me personalitetin dhe veprimin politik të tij të fuqishëm ka shenuar ngjarjet në BeH. Tërë jetën e tij i ka kushtuar veprimit politik dhe nuk e kanë thyer as vitet të tëra të kaluara në burgje”- Stjepan Mesiç kryetar aktual i Kroacisë.
“Ai ka preferuar Islamin tolerant, Islamin qytetar, por ne nuk e kemi ndëgjuar.Ai nëvitin 1992 e ka lutur Europën që të intervenojë, ja ka tërhjequr vërejtjen Fransoa Miteranit, Fransoa Miterani nuk ka dashur të ndëgjojë. Ne nuk e kemi ndëgjuar Alinë, atëherë janë vrarë 200.000 njerëz në Bosnjë dhe erdhi lufta në Kosovë, të cilën kemi mundur ta evitojmë po ta kishim ndëgjuar atë. Ai ishte De Goli i Bosnjës.Maksima e tij ka qenë Islami, por edhe demokracia dhe multietniciteti”- Bernard Henry Levi, filozof dhe shkrimtar i mirënjohur françez.
Ja që sonte e kemi të përkthyer edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe “Kujtimet” e Alija Izetbegoviçit falë punës së palodhur të përkthyesit, këtë libër do ta preferoja për lexim çdo lexuesi shqiptar kudo çoftë, e veçanërisht atyre që merren me politikë në mënyrë direkte apo indirekte, analistëve poltik, studjuesve politik, futurologëve politik e kështu me rrallë, dhe se posa ta merrë në dorë lexuesi për lexim, nuk do të mund të le anash pa përfunduar leximin në tërësi, dhe prej të cilit do të përfitojnë shumë si në aspektin kulturor e shkencor, ashtu edhe atij historik e politik.
Do ta përmbylli këtë diskutim me fjalët e paharruara të Alija Izetbegoviçit, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit,të cilët përherë do të mbesin të shënuara në analet e diplomacisë botërore:
“ Kjo nuk është paçe e drejtë, por është më e drejtë se vazhdimi i luftës.Në situatën çfarë është, në botën çfarë është, në tëcilin është e mundur të fillohet një luftë e padrejtë dhe të imponohet një paçe e padrejtë, paçja më e mirrë nuk do të arrihej. Zotin e kemi dëshmitar se kemi bërë çdogjë çfarë ka qenë në duart tona, që padrejtësia për popullin tim dhe shtetin tim të jetë më e vogla”.
Ju faleminderit për vëmendje!
21.12.2008 Faik MIFTARI
|
Para ca ditësh u mbushën plot 40 vjet prej kohës kur populli shqiptar në përgjithësi në trojet e veta etnike në ish Jugosllavi, e në veçanti shqiptarët në Kosovë ngritën për herë të parë në demonstrata publike me kërkesat për drejtat e tyre kombëtare. Pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966 në të cilën ra klika e Rankoviqit, populli shqiptar në ish Jugosllavi, e në veçanti në Kosovë filloi pakëz të frymojë më lirë pas një periudhe20vjeçare të nëpërkëmbjes së dinjitetit shqiptar.
Në nëntor të vitit 1968 gjithandej Kosovës, e në veçanti në Prishtinë me 27 nëntor 1968 u organizuan demonstratat publike me kërkesat për përdorimin e flamurit kombëtar, për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe, për pozitën e barabartë të popullit shqiptar me popujt tjerë, gjer në kërkesën sublime për Kosovën Republikë, si pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave. Këto demonstrata e para publike në Prishtinë u shuan me përdorimin e dhunës së paparaparë nga forcat e rendit publik serb, si pasojë e së cilit ra edhe dëshmori i parë i demonstratave nxënësi Murat Mehmeti, si dhe dhjetëra të lënduar . Por kjo demonstratë publike inicioi rezultatet e para të përmirësimit të pozitës së popullit shqiptar, nga përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, hapjen e Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, diskutimet publike për amendamentet kushtetuese që sollën avancimin e pozitës juridike të Kosovës që u kurorëzua me miratimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974, që e avancoi Kosovën si pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave, por me një dualizëm juridik që në të njëjtën kohë Kosova ishte edhe në përbërje të Serbisë por edhe të Jugosllavisë. Ky ishte maksimumi i avancimit të pozitës juridike kushtetuese të Kosovës në ish Jugosllavinë socialiste. Me të vërtetë dekada 1971-1981 ishte periudha e lulëzimit të Kosovës gjatë së cilës përjetoi një zhvillim të hovshëm si në aspektin politik, ekonomik, arsimit, kulturës etj. Por ku dualizëm juridik i Kosovës nuk ishte një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjate. Me 11 mars 1981 shpërthyen demonstratat studentore në Prishtinë, të cilët me të shpejtë u përhapën gjithandej Kosovës gjatë muajve mars dhe prill, me ç’rast iu bashkëngjit edhe klasa punëtore, me kërkesën sublime për Republikën e Kosovës. Me të vërtetë këto ishin demonstratat madhështore dhe masive të papara gjer atëherë në ish Jugosllavinë socialiste. Edhe këto demonstrata u shuan me një dhunë të paparë me ç’rast pati dhjetë të vrarë e qindra të lënduar e të plagosur. Sa ishte me rëndësi strategjike dhe me planifikim largpamës kërkesa e popullit shqiptar për Kosovën Republikë, u pa, vetëm pas shpartallimit të ish Jugosllavisë, në vitin 1991, kur Badinteri ia njohu vetëm 6 republikave përbërëse të ish Jugosllavisë, të drejtën e vetëvendosjes,ndërsa në rastin e Kosovës ia mohoi, dhe ky fakt i hidhur edhe sot e kësaj dite po reflektohet, në të cilin thirret Serbia, duke qenë Kosova në përbërje “de jure” të saj sipas Rezolutës aktuale në fuqi të KS të OKB-së 1244, dhe në të cilin shpreson Serbia se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta merr parasysh, vitin e ardhshëm, gjatë përcaktimit të vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga aspekti i drejtës ndërkombëtare. Pas këtyre demonstratave nisi tatëpjeta për popullin shqiptar dhe për pozitën juridike kushtetuese të Kosovës, me ç’rast Serbia inicioi amendamentet kushtetuese sipas së cilës suprimohet autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Pas presionit të paparë mbi ish udhëheqjen aktuale politike, me 17 nëntor shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar,por kësaj here, me kërkesën për ruajtjen e pozitës kushtetuese juridike të Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Në mars të vitit 1989 Serbia arriti ta suprimoi autonominë e Kosovës dhe ta rimarr sovranitetin edhe de jure mbi Kosovën. Demonstratat dhe protestat e popullit shqiptar vazhduan përgjatë tërë vitit 1989 me ç’rast pati me dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Viti1989 ishte edhe viti i shembjes së sistemit komunist në tërë Evropën Juglindore, pas së cilës fill pasoi edhe shpërbërja e ish federatës jugosllave me luftëra të përgjakshme duke u nisur nga Sllovenia,Kroacia, Bosnja e Herecegovina . Pas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, në të cilin Kosova as që u përmend, në vitin 1996 pasojnë aksionet e para guerile të njësiteve të UÇK-së, i cili solli një ndryshim radikal në skenën kosovare të gjerë atëhershme, kalimi atë nga rezistenca pasive në atë aktive. Prapë ishin studentët që bënë një kthesë radikale, ashtu që me 1 tetor 1997 organizuan një demonstratë madhështore që ia ktheu dinjitetin e rimëkëmbur popullit shqiptar pas një amullie 7 vjeçare. Në prag të fillimit të vitit të ri akademik studentor demonstratat i prinë studentët Albin Kurti, Bujar Dugolli, Muhamed Mavraj etj. me rektorin e ndjerë dr.Ejup Statovci. Kjo ishte një kthesë e madhe, pas së cilës pasoi lufta heroike e Jasharajve në Prekaz të Drenicës më mars të vitit 1998, pas së cilës shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar në përkrahje të luftës heroike të UÇK-së. Lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999 pas” intervenimit humanitar” të NATO-së për ndërprerjen e zhdukjes së popullit shqiptar dhe eksodit të paparë në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Pas një periudhe 7 vjeçare, e ashtuquajtur periudha e UNMIK-ut, gjatë secilës u krye rindërtimi dhe ri konsolidimi i Kosovës nga lufta e vitit 1998-1999, prapë me 2 shkurt Lëvizja Vetënendosje në krye me AlbinKurtin organizoi demonstratën madhështore në mbrojtje të Kosovës nga decentralizimi i paraparë sipas pakos së Ahtisarit, që ishte një kompromis tepër i rëndë drejt pavarësisë së Kosovës. Edhe këto demonstrata u shuan me dhunë nga policia e UNMIK-ut , me ç’rast pati dy të vrarë e 80 të plagosur e të lënduar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 populli shqiptar i Kosovës më në fund pas përpjekjes një shekullore arriti të realizojë mëvetësinë që të jetë i lirë dhe sovran si të gjithë popujt tjerë të Ballkanit.
Por, si “bubullimë nga qielli i kthjellëtr” erdhi propozimi 6pikësh i Ban Ki-munnit i cili bie ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës si edhe me pakon e Ahtisarit, dhe e bën ndarjen administrative apo funksionale në mes komunitetit shumicë shqiptar dhe komunitetit pakicë serb. Prapë ishte Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin që me 19 nëntor dhe 2 dhjetor 2008 organizuan demonstrata madhështore kundër planit 6 pikësh të Ban Ki-munnit e në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës ku morën pjesë me dhjetëra mijëra qytetarë.
U mbushën plot 40 vjet që neve shqiptarët në Kosovë jemi prore në demonstrata, a thua vallë edhe sa vite do të kalojmë në demonstrata, vetëm i madhi Zot e di.
8.12.2008
Faik MIFTARI
|
Tri parimet themelore që i kishte vu Grupi i Kontaktit, para se të nisen bisedimet për përcaktimin apo zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës,e që ishin:”s’ka kthim mbrapa, s’ka bashkim, s’ka ndarje, të Kosovës”, pas aprovimit të planit të Ban Ki Munit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, këto tri parime të përcaktuara dalëngadalë do të bien në ujë.
Parimi i parë”s’ka kthim mbrapa të Kosovës” që është realizuar qysh nëvitin1999 me rastin e “intervenimit humanitar” të NATO-së për shpëtimin e popullit shqiptar nga zhdukja dhe spastrimi etnik të Kosovës, dhe “de fakto” Kosova është nxjerrë nga administrimi dhe sovraniteti i Serbisë dhe i është transferuar UNMIK-ut për një periudhë kalimtare gjer në përcaktimin e statusit definitiv politik të Kosovës, por “de jure” ka mbetur nën sovranitetin e Serbisë sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.Por me aprovimin e planit të Ban Ki Munit, sipas të cilit Kushtetuta e Kosovës bie ndesh me Rezolutën 1244, dhe se në këtë rast Rezoluta 1244 ka përparësi mbi Kushtetutën, do të thotë “de jure” prapë kthim mbrapa të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.
Parimi i dytë”s’ka bashkim të Kosovës” nënkuptonte pikësëpari mos lejimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, apo eventualisht edhe me troje tjera shqiptare, në Maqedoni apo Mal të Zi. Edhe në Kushtetutën e Kosovës është futur në neni 1.alinea 3 paragrafi ku thuhet”...dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” që u përcaktua në propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisarit. Por me aprovimin e planit 6 pikësh që është në kundërshtim direkt me pakon e Ahtisarit, vetvetiu e abrogon edhe këtë kushtëzim apo parim të Grupit të Kontaktit.
Parimi i tretë “s’ka ndarje të Kosovës” , ky parim bie definitivisht në mënyrë të drejtpërdrejtë me propozimin 6 pikësh të Ban Ki Munit i harmonizuar me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, dhe se tani sipas këtij planit e kemi edhe de jure, ndarjen e brendshme funksionale dhe administrative të Kosovës për një periudhe të caktuar kohore.
Pas bisedimeve dyvjeçare në Vjenë, në bashkë koordinim të plotë me Grupin e Kontaktit dhe me ndërmjetësimin e Ahtisarit , pala kosovare pranoi kompromisin më të dhimbshëm të mundur, propozimin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, edhe pse Serbia refuzoi tërësisht këtë propozim, Kosova në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar shpalli pavarësinë e saj të mbikëqyrur me 17 shkurt 2008, e cila pavarësi u njoh dhe u pranua gjer tani nga 52 shtete anëtare të OKB-së. Kosova u pavarësua dheu njoh nga 52 shtete, por nuk arriti akoma të anëtarësohet në asnjë organizatë relevante ndërkombëtare falë pozicionimit antikosovar pikësëpari të Rusisë, e cila u rimëkëmb dhe po e merr veten dhe dita më ditë po bëhet faktor kyç pa të cilin nuk mund të zgjidhen çështjet ndryshme politike në arenën ndërkombëtare.Rusia, falë Rezolutës 1244 që akoma është në fuqi, edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit decidivisht kundërshtoi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës pa pajtimin e Serbisë, dhe se përsëriti për satën herë prapë se për të legjitime dhe akoma në fuqi është sovraniteti “de jure” i Serbisë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.Populli i Kosovës gjendet para sprovës historike në momentin aktual politik, si të ec më tej dhe se çfarë të bëjë më tutje , ai gjatë periudhës së ardhshme do të ballafaqohet me dy faza të mundshme që tani e tutje mund të jenë në lojë, e që i ngjajnë asaj thënieje të urtë popullore që thotë”hypë se të vrava, zhdryp se të vrava”.
Faza e parë është që me marrëveshjen 6 pikësh të arritur në mes OKB-së dhe Serbisë, e përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe Kuinti, gjatë periudhës së caktuar kohore,do të mundësohet gradualisht krijimi i entitetit serb i ashtuquajtur, parafrazojë”Republika veriore serbe”, me polici të ndarë, shërbim doganor të ndarë, gjyqësi të ndarë, sistemin arsimor e shëndetësor të ndarë, si dhe kthimin e një brigade me rreth 1000 ushtarësh serb sipas Rezolutës 1244 dhe marrëveshjes ushtarake të Kumanovës, , nën pushtetin direkt të Eulexit(UNMIK 2) e indirekt edhe të Serbisë, dhe me këtë legjitimohet ndarja e brendshme administrative apo” funksionale” e ashtuquajtur e Kosovës, ndërsa ndarje e jashtme në kufijtë e Kosovës, nuk do të ketë, do të thotë” de jure” do të jetë brenda Kosovës, por “de fakto” do të funksionojë si entitet i ndarë. Me këtë plan, Serbia pasi nuk arriti të realizojë planin e saj shekullor, të Serbisë së Madhe gjatë luftërave të kryera me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, tani edhe me përkrahjen edhe të faktorit relevant ndërkombëtar, arriti të krijojë Serbinë e zgjeruar në kufijtë e brendshëm të BeH (Republika Serbe) dhe të Kosovës (Republika veriore serbe).Por në krahasim me Bosnjën të cilin Serbia e ka pranuar pavarësinë e saj në Dejton, në rastin e Kosovës, ajo edhe pas kësaj Kosove me entitete të ndara shqiptare dhe serbe, nuk do të pranojë assesi pavarësinë e Kosovës, por pas një periudhe të caktuar kohore do të kalojë në fazën e dytë të realizimit të skenarit të saj politik .
Faza e dytë është, është apriori rishikimi apo ndarja e popullit serb dhe shqiptar në vija ndarëse në mes Serbisë dhe Shqipërisë, opsion që moti i njohur nga qarqet serbe të Beogradit që nga kreatori dhe ideologu serb Qosiqi, të iniciuar që nga Gjingjiqi, e të vazhduar nga Tadiçi, por jo vetëm të përvetësimit të pjesës veriore përtej lumit të Ibrit, por edhe të përvetësimit të Anamoravës duke u nisur që nga Ranillugu, Parteshi, Kllokoti, Novobërda e zgjeruar e gjer në Graçanicë, mu në prag të Prishtinës, që do të thotë 40% të territorit të Kosovës, tani me ndihmën e disa faktorëve vendimmarrës botëror që ky skenar edhe në praktikë të realizohet si alternativ e rregullimeve strategjike gjeopolitike botërore në mes Kuntit në njërën anë dhe të Rusisë në tjetrën anë, por sigurisht kjo do të kërkojë edhe pajtimin dhe miratimin e dyanshëm, të popullit shqiptar dhe popullit serb.Mjerisht, kjo është pasojë e mungesës së kapaciteteve tona mendore,intelektuale, politike, ekonomike, strategjike, ushtarake të popullit tonë, e si rrjedhojë e thënies së mirënjohur të bacës Adem Demaqi:
“Fatkeqësisht ne edhe sot, si popull jemi të përfshirë nga stuhia se sa nga një përparim i programuar si duhet e sa duhet. Prandaj, sa i takon dijes, vetëdijes e organizimit si popull, ende jemi në bisht të Evropës. Kjo është një e vërtetë fort e hidhur, mirëpo poçese nuk e tejkalojmë, edhe më tutje do të mbetemi të vonuar”.
29.11.2008
Faik MIFTARI
|
Gjatë vizitës bërë kohë më parë në Ankara të Turqisë, përveç tjerash pata rast të takohem edhe me zotëri Hüsamettın Postoğlu, poet turk, icili në ndarje më dhuroi librin e tij me pëmbledhje poezish me titull”Çiçekler açarken”që në përkthim në gjuhën shqipe do të thotë”Lulet duke lulëzuar”. Pasi që lexova këtë përmbledhje poezish të këtij autorit turk, një poezi poeti ia kishte kushtuar Kosovës, dhe ky qe një shtytje që të bëjë prezantimin e këtij poeti turk edhe opinionit kulturor mbarë shqiptar.Hüsamettın Postoğlu u lind në vitin 1945 në qytetin Arapgir të Turqisë. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, pas kryerjes së gjimnazit u regjistrua në institutin e policisë dhe me sukses diplomoi në vitin 1975. Pas një kohe të kaluar në shërbimin policor, kaloi në sektorin privat me punë në fabrikën e prodhimit të ekskavatorëve”Hidromek” si drejtor sektorit të financave, në të cilën gjendej edhe sot. Është i martuar dhe ka dy fëmijë Gökhanin dhe Bilgehanen. Vazhdimisht edhe më tej merret me shkrimin e poezive.
Përmbledhja e poezive”Lulet duke lulëzuar” përmban gjithsejtë 209 poezi të ndara në 4 kapituj : “poezi kombëtare dhe sociale”,” poezi fetare”, “poezi të kohës rinore ” si dhe “poezi të lira”.Para se të kalojë në analizën dhe prezantimin e poezive sipas kapitujve të ndara, do të cek se në parathënien e librit autori jep një këndvështrim të vet mbi poezitë dhe poetët në përgjithësi, ku përveç tjerash thotë:” pa marrë parasysh cili do shkrimtar, për të prezantuar një ngjarje apo ndodhi, i mbush me qindra faqe për të përpiluar një roman apo novelë, poetit për të përshkruar një ngjarje i nevojiten vetëm disa strofa. Një poezi me tematikë dashurie poeti edhe me katër strofa është në gjendje me e shtjellua. Mjeshtëria e poetit është se me sa më pak strofa të jep porosinë lexuesit të vet. Theksi i një poezie të një poeti është më i fortë se romani i një shkrimtari. Sa për ilustrim të ceki se luftën çlirimtare të Turqisë të viteve1920-1923 poeti i madh turk me prejardhje shqiptare Mehmet Akif Ersoy e ka përmbledhur në një poezi të vetme, një pjesë e së cilës sot këndohet edhe si himn shtetëror të Republikës së Turqisë”.
Njashtu poeti Hüsamettin Postoğlu jep edhe disa të dhëna historike për qytetin e tij të lindjes Arapgir. Në periudhën e Perandorisë Osmane Portës së Lartë më së shumti pashallarë dhe vezirë i ka dhënë qyteti i tij i lindjes Arapgir. Në dyqind vitet e fundit të ekzistimit kryesisht pashallarë dhe vezirët kanë qenë nga Arapgiri. Cek edhe një të dhënë, që do të jetë interesante edhe për historiografinë shqiptare se Mehmet Ali Pasha i Kavallës ka prejardhje nga Arapgiri, dhe se të parët e tij janë shpërngulur nga Arapgiri dhe janë vendosur në Kavallë, e prej aty ka marr postin e valiut të Egjiptit, i cili më vonë themeloi shtetin modern të Egjiptit dhe se trashëgimtarët e tij e kanë udhëhequr shtetin e Egjiptit afro 150 vjet gjer në përmbysjen e mbretit Faruk në vitin 1952 me grushtet ushtarak nga oficeri i atëhershëm Naser.
Në kapitullin e parë të poezive titulluar”poezitë kombëtare dhe sociale” autori i ka përmbledhur 18 poezi me motive patriotike dhe sociale, prej të cilëve do të kisha veçuar disa sosh:”Vatani, Fëmijët e Irakut, Bota, Arapgiri, Nili dhe mbi të gjitha poezia kushtuar Kosovës”, të cilin më poshtë e keni të përkthyer në gjuhën shqipe, edhe pse poezia gjatë përkthimit e humbet bukurinë e rimimit dhe origjinalitetit, por prapë edhe si e tillë e ka vlerën e vet:
K O S O V A
Thuhet gjaku po rrjedh Kosovë e bukur
Qindra mijë pleq e të rinj u derdhën në rrugë
Hordhitë serbe vrasin dhe hedhin në rrugë
Mos u rrëno, friko, popull ec krah për krah.
Çdo pëllëmbë e tokës time u përgjak
Përball meje qëndron xhelati më tiran i botës
Serbi po vret, po shkatërron, po merr shpirtra
Nuk dëgjon klithjet e fëmijëve, pleqve, të rinjve
Këmbëzbathur, lakuriq mbi borë
Me mijëra njerëz ecin mbi mal
Pleq e të rinj dremitin në këmbë
Tirani serb vret mbi tank.
Hej botë, shihe të shtririn në tokë
Mos harroni atë që në vend të ujit gëlltit gjak
Dikush klith dikush jep shpirt
Mos harro atë që me bisht të syrit ç’nderon.
Nuk harroj vatrën time të shkatërruar me tank
Mos harro atë që ngre pushkë në duarthatin
Qindra mijë njerëz të derdhur në rrugë
Mos braktis vatanin, mos harro babanë.
Mos u friko popull shpëtimi është afër
Rretë janë hapur dielli po lind shihe
NATO-ja bombardon Beogradin ngrihu
Ty të përcaktohet e drejta për liri.
Kosovë Kosovë unë ty nuk të harrojë
Betohem që Serbit më kurrë nuk do të braktis
Edhe nëse të varrosin, prapë do të marr
Njëqind vite kalofshin dije prapë do të kthehem.
Në kapitullin e dytë titulluar”poezi fetare” i ka përmbledhur poezitë me motive fetare të besimit dhe përkatësisë së tij myslimane, ku i ka prezantuar gjithsejtë 43 poezi prej të cilëve do të kisha veçuar disa sosh: “Muhamedi, Qerbelaja, Bota, Krijuesi, Dashuria e Hakkut, Junus 1-4”.
Në kapitullin e tretë t titulluar” poezi të kohës rinore”i ka përfshirë poezitë nga koha e tij rinore me motive dashurie, koha për të cilin thotë autori”një kohë edhe unë isha i ri”, periudha e viteve 1960-1980. I ka përmbledhur gjithsejtë 90 poezi, prej të cilëve do të kisha veçuar:“Pa ty, Ishte dashuri, Eja shpirt, Mos harro, Dashuro, E hollë e hollë “. Në kapitullin e katërt titulluar”poezi të lira” i ka përmbledhur gjithsejtë 58 poezi prej të cilëve do të kisha veçuar: “Mos thuaj, Nusja, Trëndafili, Nuk jetohet, Beso, Frikohem, Kudo, Kaloi koha, Betohem, Shtatori”.
Do të përmbylli këtë prezantim të përmbledhjes së poezive”Lulet duke lulëzuar” të poetit turk Hüsamettin Postoğlu me dëshirë që edhe poezi tjera të bukura që i ka, lexuesin ta orientojë ” drejt një rruge të ëmbël” për lexim.
6.11.2008 Faik MIFTARI
|
Gjatë vizitës bërë komunave të Kosovës në kuadër të të ashtuquajturës”Java e Kuvendit nëpër komuna”, kryeparlamentari Jakup Krasniqi me anëtarët e kryesisë së Kuvendit të Kosovës si dhe deputetët e rajoneve, mbajtën takime me kuvendarët komunal dhe qytetarët e komunave. Në njërën prej debateve të mbajtura, mora pjesë edhe unë, me ç’rast edhe parashtrova pyetjen me këtë përmbajtje: Duke marrë parasysh thënien e njohur”politika është art i të mundshmes” , dhe se meqenëse akoma na mungojnë futurologët politik në nivel shtetëror të cilët vëzhgojnë, përcjellin, analizojnë dhe parashikojnë zhvillimet aktuale politike ndërkombëtare në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë, dhe të cilët i japin kahje të veprimeve politike diplomacisë shtetërore dhe marrjen e vendimeve konform situatës dhe rrethanave aktuale që veprojnë në arenën politike ndërkombëtare.
Plasimi i idesë serbe, gjegjësisht të kryetarit serb Tadiç, për ndarjen e Kosovës, si solucion i fundit i mundshëm, në rrethanat e tanishme doli haptas në shesh nga sirtarët në të cilin është mbajtur një kohë të gjatë. Kjo ide e plasuar, pas së cilës pason lobimi dhe marrja përkrah në njërën anë të përkrahësve të saj, Rusisë apo edhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit, dhe në anën tjetër të Spanjës apo edhe të Greqisë në Bashkimin Evropian, si shtytje drejt faktorëve ndërkombëtar vendimmarrës , që në hapin e fundit të jetë një kompromis i mundshëm drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian si dhe institucionet tjera relevante ndërkombëtare.
Nëse eventualisht, nënvizojë,edhe faktori politik vendimmarrës ndërkombëtar, pikësëpari mendoj në SHBA, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, pajtohet dhe bie dakord me këtë qasje, si mundësi reale drejt arritjes së stabilitetit politik ndërkombëtar në nivel global, është e pritshme se do të bëjnë trusni tek krerët shtetëror kosovar për të pranuar këtë qasje eventuale, parashtroj pyetjen se institucionet tona shtetërore, pikësëpari mendoj në presidencën, qeverinë, parlamentin, a kanë ndonjë plan veprimi alternativ, po çe se ballafaqohen me këtë skenar të mundshëm eventual në nivel ndërkombëtar, e që sipas mendimit tim i vetmi kompromis i mundshëm dhe pranueshëm eventual, do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Edhe pse e ditsha se nuk do të marrë përgjigje adekuate, pyetja ime u kualifikua vetëm si tepër e vështirë dhe hipotetike, por qëllimi im ishte më tepër i karakterit të sensibilizimit të opinionit publik si dhe përcjellja e mesazhit nëpërmjet mediave elektronike dhe të shkruara, për një qasje reale të pritshme që Kosova do të mundet të përballet gjatë periudhës së ardhshme.
Nuk kaluan as 48 orë pas debatit në fjalë, kur ndërmjetësi i OKB-së solli propozimin për ndarje administrative të Kosovës, gjatë takimeve që i pati në Beograd dhe Prishtinë, shkruanin mediat elektronike dhe të shkruara, duke elaboruar, se në veri të Kosovës do të vendoset shërbimi i veçantë doganor dhe shërbimi i ndarë policor. Por, më e keqja qëndron, se mjetet e grumbulluara nga dogana e ndarë eVeriut, do të mbeteshin serbëve lokal që gjenden aty, kjo do të ishte “gjuajtja e një plumbi me dy caqe të shënuara”, pasi që i tërë eksporti i mallrave nga Serbia dedikuar Kosovës, do të orientohet drejt dy portave hyrëse në veri të Kosovës, me ç’rast përveç përfitimit të Serbisë nga shitja e mallrave tregut kosovar, do të përfitonit edhe serbët lokal nga mjetet e grumbulluara në dogana. Kjo ndarje administrative e propozuar është hapi i parë drejt ndarjes faktike në fazën e mëtejmë. Pas kësaj, në një intervistë të dhënë, ambasadori britanez në Beograd në pyetjen se a mund të jetë ndarja e Kosovës zgjedhje përfundimtare e çështjes së Kosovës, përgjigjja e tij ishte,po,në rast se pajtohen të dyja palët. Duke marrë parasysh deklaratat e shpeshta të kryetarit serb Tadiçit, se nuk mund të jetë zgjidhja përfundimtare pavarësia e Kosovës, pasi që njëra palë humbet tërësisht(aludon në Serbinë),ndërsa pala tjetër përfiton absolutisht(aludon në Kosovën), haptasi nënkuptohet si ndarje e Kosovës, ashtu që Serbia të mos dalë humbëse, por sikurse në rastin e Bosnjës, nëpërmjet Republikës Serbe, arriti de fakto të ndajë Bosnjën, duke kontrolluat gjysmën e territorit të saj, tani përpiqet atë të arrijë edhe në Kosovë, duke ndarë ¼ e territorit të Kosovës, të cilin faktikisht nëpërmjet institucioneve paralele edhe i kontrollon. Ideja e Serbisë së madhe në linjën Karllovac- Karllobag njëherë e përgjithmonë ka marr fund, të cilin në mënyrë publike e pranoi edhe ish politikani radikal serb Aleksandar Vuçiçi, dhe se tani e tutje interesi serb do të përqendrohet për serbët matanë Drinës në Bosnjë dhe për serbët në Kosovë, e kjo do të thotë tani e tutje jo Serbi e Madhe, por Serbi e Zgjeruar në kufijtë brendshëm të Bosnjës dhe Kosovës. Insistimi i përhershëm i Serbisë për zgjerime dhe ndarje territoriale të Bosnjës në njërën anë dhe të Kosovës në anën tjetër, qëndron në atë, se në çarqe të caktuara evropiane ka simpati dhe mbështetje për zgjidhjen e çështjes serbe drejt zgjerimeve territoriale në Bosnjë dhe Kosovë, si hap i parë në ndarje administrative.
Për këtë arsye edhe institucionet tona shtetërore duhet të jenë të gatshëm,në rast ballafaqimi dhe mbështetje për mur nga faktori politik vendimmarrës botëror, me planin alternativ, që do të ishte përkufizimi në linja të re kufitare të serbëve dhe shqiptarëve, ashtu që nëse eventualisht, veriu i Kosovës do të duhej ndarë nga Kosova, pse nuk do të mund të ndahej Lugina e Preshevës nga Serbia, normal me pajtimin eventual të dyanshëm, edhe të serbëve edhe të shqiptarëve, nën trusninë e faktorit politik vendimmarrës botëror. Si përfundim i kësaj logjikisht do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, si zgjidhje reale e çështjes shqiptare.
Serbia e di se më nuk mund të kontrollojë më Kosovën, e lere më të zhbëjë pavarësinë e saj, të pranuar gjer më tani nga 52 shtetet të OKB-së, por ajo me një diplomaci aktive dhe të pandërprerë, është duke promovuar idenë e saj për ndarjen e Kosovës, për të përshpejtuar procesin drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, e është e vetëdijshme se për të arritur aty, patjetër duhet zgjedh problemet kontestuese apo territoriale dhe se është duke përdorur të gjitha mjetet diplomatike e politike duke bërë trusni tek faktorët relevant ndërkombëtar për zgjidhje sa më parë, për arritjen e saj drejt fitimit të kandidatit potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Do e ceki në fund të këtij vështrimi se dita më ditë ndarja e Kosovës është më shumë gjendje faktike sesa hipotetike.
2.11.2008 Faik MIFTARI
|