Author: faik
•7:39 e paradites

                                 

            Me datë 12 shkurt 2013 Kuvendi i Serbisë miratoi rezolutën për Kosovën, dhe nën trusnin e opozitës e bëri publike edhe Platformën e saj për bisedimet me Kosovën e cila ishte gjer në atë moment sekret për opinion.
Platforma serbe për Kosovën e iniciuar nga presidenti serb Tomislav Nikoliç dhe e miratuar nga qeveria serbe  konsiston në atë që çdo zgjidhje politike që do të arrihet në bisedime me përfaqësuesit të Prishtinës, duhet medoemos të jetë në harmoni me Kushtetutën e Serbisë si dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
            Para se të vazhdojnë bisedimet me 17 shkurt 2013 në Bruksel në mes të dy kryeministrave, të Daçiçit dhe Thaçit, Serbia e ka harmonizuar platformën e saj për bisedime dhe i ka përcaktuar vijat e kuqe të saja, me të cilin është arritë pajtimi i plotë në mes presidentit dhe qeverisë si edhe ka marrë pajtimin e parlamentit serb me miratimin e Rezolutës për Kosovën me shumicën absolute të votave të deputetëve të saj. Këtë që e ceka më lartë, e mora si shembull se si kundërshtari politik në bisedimet që do të pasojnë,  me seriozitetin më të madh politik dhe me aktivizimin e të gjitha institucioneve shtetërore  relevante për një çështje madhore,  kanë përgatitur platformën politike me të cilin do të hyjnë në bisedime me Kosovën.
            Në anën tjetër, shtrohet pyetja, a thua sa janë përgatitur institucionet tona shtetërore, presidenca, qeveria, parlamenti, për vazhdimin e bisedimeve me 17 shkurt, athua e  kemi të gatshëm platformën tonë për bisedime, vijat tona të  kuqe, të përcaktuara, me të cilin duhet njoftuar opinionin e gjerë publik kombëtar e ndërkombëtar.  Nuk njoftohet opinioni i gjerë kosovar me platformën për bisedime, të harmonizuar në mes presidencës, qeverisë dhe parlamentit, pasi që nuk e kemi, po në rast se e kemi, pse nuk bëhet publike për opinion. Sqarimet e zyrtarëve të lartë shtetëror se këto  bisedat politike që do të zhvillohen do të jenë  konform Kushtetutës së Kosovë dhe pakos së Ahtisarit, janë shterpe dhe  të tejkaluara, pasi që nuk jemi në vitin 2006 në prag të bisedimeve që kanë qenë në Vjenë, dhe prej qiellit po shihet se bisedat dhe negociatat që do të zhvillohen do të jenë përtej pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Krerët politikë udhëheqës dhe institucionet shtetërore të Kosovës  gjenden në çorrsokak politik, pasi që po shihet se shteti i Kosovës gjendet para një sprove të madhe politike të cilin duhet kapërcyer në aspektin  juridik ndërkombëtar të saj, pasi për ecjen e mëtutjeshme të Kosovës drejt përparimit, pranimit, anëtarësimit, të Kosovës, çelësi është në duart e Serbisë, dhe se pa pranimin e saj dhe miratimin e saj, e për momentin ky pozicion është betonuar edhe më tepër me Platformën politike për Kosovën dhe Rezolutën serbe për Kosovën të miratuar ditë më parë, nuk ka gjasa as teorike e lere me praktike që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi që pa pajtimin e Serbisë, Rusia dhe Kina nuk do të luajnë nga pozicionet e saja, dhe se për miratimin e ndonjë rezolute tjetër eventuale është e nevojshme medoemos  pajtimi i tyre, dhe nëse në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara  mund të arrihen 2/3 e votave për anëtarësim, edhe pse jam shumë skeptik se një gjë e tillë mund të arrihet në një të ardhme të afërt, për shkak të kundërshtimit dhe ndikimit të tyre të madh së skenën politike ndërkombëtare të Rusisë, Kinës, Indisë, Vatikanit, Izraelit, të cilit për momentin janë kundër pranimit të pavarësisë së shpallur të Kosovës, pa miratimin dhe pranimin  e saj  edhe nga Serbia, po edhe po të arrihet kjo, prapë se prapë Kosova do të mund të fitojë vetëm statusin e anëtarit jo të plotë të OKB-së, anëtar vëzhgues, pa të drejtë vote, sikurse që është për momentin Palestina dhe Vatikani. Po të pranohej edhe nga 190 shtete nga 193 sa janë gjithsejtë, Kosova nuk do të mund të jetë anëtare fuqiplotë të OKB-së, pa pranimin dhe njohjen e saj edhe nga Serbia, Kina dhe Rusia, pasi që për anëtarësim të plotë në OKB, nevojitet rekomandimi unanim i Këshillit të Sigurimit  Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për pranim të Kosovës, me votën pro të Rusisë e Kinës, të cilat kanë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit.
I njëjti pozicion është edhe në Bashkësinë Evropiane, pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të saj, Kosova nuk mund të fillojë as negociatat për pranim, e lere më pranim të saj, duke ditur se për momentin  pesë shtetet e BE-së  nuk e njohin (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja), edhe nëse ndonjë prej këtyre shteteve në një të ardhme mund të njoh pavarësinë e Kosovës,  është e sigurt se Greqia dhe Qiproja nuk do të njohin shtetin e Kosovës pa njohjen dhe pranimin paraprak të Serbisë.
Krerët shtetëror e institucional të Kosovës duhet ta kenë të qartë se për momentin nuk gjendemi në vitin 1999, por jemi në vitin 2013, dhe se klima politike rajonale, evropiane e botërore ka ndryshuar, dhe se tani bisedimet që janë duke u kryer janë në një pozitë  jo të favorshme për Kosovën.
Këtë kur e them, do ta ilustrojë me një shembull konkret, në mars do të bëhen plotë dy vite nga përpjekja për ndërrimin e regjimit politik në Siri dhe rrëzimit të diktatorit Asad, e cila politikë ka hasë si sharra në gozhdë, pasi që kjo përpjekje nuk po mund të realizohet, sikurse që u realizua kohë më parë, në Tunizi, Libi e Egjipt, pasi që këtu është  Rusia e cila  nuk po lejon, dhe se pa miratimin dhe përkrahjen e saj kjo luftë që është duke u zhvilluar mund të vazhdojë pa masë. Pra, në Siri për zgjidhjen e konfliktit çelësi është në duart e Rusisë, e cila për momentin as nuk ka ndërmend të zmbrapset, pasi që tani ka paralajmëruar se në fund të janarit do të mbajë manovrat më të mëdha detare në historinë e saj në Detin Mesdhe, të tilla  manovra detare Rusia nuk i ka mbajtur as gjatë kohës së Luftës së Ftohtë,  tani do të mbajë në bregdetin sirian të Mesdheut, në të cilin gjendet baza e vetme detare në Mesdhe e Rusisë, në të cilin do të marrin pjesë flota detare ruse e Detit të Zi, të Baltikut, të Pacifikut dhe të Veriut, si parandalim eventual ndaj mundësisë së ndërmarrjes së ndonjë aksionit ushtarak  nga SHBA-të dhe aleatët e saj kundër regjimit politik sirian .
Për momentin, koncetrimi i diplomacisë botërore dhe evropiane është përqëndruar në krizat dhe vatrat e ndryshme anekënd botës, dhe se  Kosova nuk është në fokusin dhe interesin e  faktorëve politik vendim-marrës botëror.
Platforma serbe e Kosovës, si e tillë që është, është një rrezik i madh për Kosovën dhe të ardhmen e saj, pasi që, si  është e formuluar dhe prezantuar, duke mos hyrë shumë në detaje,  platforma është publike dhe gjendet në ueb portalet, parasheh krijimin “e shtetit serb brenda shtetit të Kosovës”, dhe se propozimi për autonominë e serbëve të Kosovës, parasheh inkuadrimin jo vetëm të 4 komunave veriore matanë Ibrit, por edhe të gjithë komunave tjera me shumicë serbe në jug të Ibrit, si dhe për enklavat serbe, fshatrat serbe anekënd Kosovës  parasheh statusin special. Do të cek vetëm edhe një detaj  në propozimin serb lidhur me Kuvendin e Kosovës, në të cilin propozojnë ”formimin e Kuvendit të Kosovës me dy dhoma”, dhe atë që është nons sens i llojit të vet  në aspektin formal juridik botëror, që ”dhoma e lartë të jetë  dhoma e regjioneve dhe e bashkësive fetare, ndërsa dhoma e ultë dhoma e përfaqësuesëve “që është në kundërshtim të plotë me praktikën e shteteve federale nëpër botë, ku dhoma e përfaqësuesëve është dhoma e lartë, ndërsa dhoma e njësive federale dhoma e ultë.
Sido që të jetë, nëse bashkësia ndërkombëtare vendim-marrëse (Washingtoni dhe Brukseli) në njërën apo tjetrën mënyrë, në fund të bisedimeve do të bëjë trusni Kosovës dhe Prishtinës zyrtare që të pranojë  një model të tipit federal,  të shtetit të Kosovës në dy pjesë të ndara dhe me lidhje federale  mes vete, me të vërtet do të jetë atëherë ” non sens politik i llojit të vet” të paparë gjer tani diku në botë. Në rast se në rastin e Bosnjës, me Marrëveshjen e Dejtonit, u krijua  Bosnja dhe Hercegovina federale me dy entitetete të ndara, edhe pse si i tillë po shihet se është jo e qëndrueshme dhe jo praktike funksionimi i saj , edhe pse në Bosnjë janë 1 milion serb rezident, dhe mund të ketë të themi një logjikë politike, në rastin e Kosovës do të ishte presedan politik, që për serbët që janë gjithsejtë 100 mijë serb në Kosovë t’ju mundësohet një gjë e tillë, që do të shndërronte  Kosovën në një shtet unikat në botë dhe  aspak funksional, pasi që shteti i Kosovës nuk do të ketë aspak ose fare pak ndikim në entitetin serb, e entiteti serb në çdo rast, sa herë që do,  mund të bllokojë punën e institucioneve federale të shtetit të Kosovës.
Me këtë platformë Serbia, përveç që arriti të zgjerohet në kufijtë e brendshëm të Bosnjës me Republikën serbe në gjysmën e territorit boshnjak, tani edhe në Kosovë do një gjë të tillë, që nëpërmjet entitetit autonom serb të zgjerohet në 25% të territorit të Kosovës, dhe se Serbia nga plani i saj parësor i realizimit të Serbisë së Madhe, është duke realizuar planin alternativ të saj,  të Serbisë së zgjeruar në brendi të Bosnjës dhe Kosovës.
Tani, topi gjendet në duart e shtetit të Kosovës dhe institucioneve shtetërore të saj, se si di do të ballafaqohen dhe a do të mund të rezistojnë propozimeve serbe dhe trusnisë së faktorit ndërkombëtar, që të mbrojnë interesat politike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës në bisedimet që do të vijojnë gjatë vitit 2013, konform Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së Ahtiasarit, pritet të shihet gjatë ditëve, javëve dhe muajve vijues gjatë vitit 2013.


14.01.2013                                                  
Faik MIFTARI