
Me datë 31Korrik 2011, në ora 12.00 u zhvillua ceremoniali i rihapjes së xhamisë së Sinan Pashës pas restaurimit detaj të saj, që nisi në vitin 2007 dhe përfundoi me sukses këto ditë të bukura verore. Restaurimi u krye me mbështetjen financiare nga organizata qeveritare turke TIKA, ndërsa punët restauruese janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e organit mbikëqyrës të përbërë nga ekspertët e kësaj fushe restauruese nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, si dhe Drejtoratit të Përgjithshëm të Vakëfeve të Turqisë.Moderatori i programit të hapjes së xhamisë së Sinan Pashës para qindra pjesëmarrës përshëndeti prezencën e zëvendëskryeministrit të Turqisë z. Bekir Bozdag me bashkëpunëtorët të shumtë nga Turqia, zëvendës kryeministra të Kosovës z. Behgjet Pacolli dhe znj. Mimoza Kusar-Lila me ministra të shumtë të kabinetit të qeverisë së Kosovës, myftiun e Kosovës Naim ef.Tërnava, ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë znj. Songul Ozen, kryetarin e Prizrenit z. Ramadan Muja si dhe shumë pjesëmarrës, mysafir e zyrtarët tjerë. Hapja nisi me leximin e citateve të Kur’anit nga hafiz Junus Koshan nga Turqia, pas së cilës pasoi emetimi në projektor të punimeve të restaurimit të xhamisë që nga fillimi i saj e gjer në përfundim të saj. Në fjalët përshëndetëse morën pjesë shumë zyrtar, por do të ceki vetëm disa sosh prej tyre. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Prizrenit z. Ramadan Muja ceku rëndësinë e madhe që ka kjo xhami si një objekt me rëndësi të veçantë kulturore, historike dhe fetare për qytetin e Prizrenit në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi, tani me këtë restaurim e ka marrë formën e plot dhe të duhur siç ka qen gjatë periudhës historike të ekzistimit të saj”. Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava në fjalën e tij përshëndetëse ceku përveç tjerash” rëndësinë e xhamisë në të cilin adhurohet krijuesi fuqiplotë, Allahu i madhëruar, dhe se uroi të gjithë besimtarët musliman ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit”. Në emër të qeverisë së Kosovës përshëndeti zëvendëskryministri i Kosovës z.Behgjet Pacolli i cili “ i uroi besimtarët musliman për ardhjen e muajit të Ramazanit duke ju dëshiruar agjërim të lehtësuar”. Në fund fjalën e mori zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë z.Bekir Bozdag i cili i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët e Prizrenit dhe se përveç tjerash ceku:” Ne e kemi të përbashkët historinë dhe gjeografinë disa shekullore, dhe se ju përcjell përshëndetjet e veçanta nga kryetari i Turqisë z. Abdullah Gul dhe kryeministri i Turqisë z. Rexheb Tajjib Erdogan si dhe të 74 milionë shtetas të Republikës së Turqisë. Porosinë e kryeministrit të Turqisë z. Rexheb Tajjib Erdogan se xhamia e Sinan Pashës duhet të hapej për muajin e Ramazanit të vitit 2011 arritëm që ta realizojmë, ashtu që sonte teravia e parë do të mund të falej lirisht në prag të muajit të Ramazanit i cili fillon me 1 gusht 2011, dhe të cilin ua uroj nga zemra këtë mysafir të rëndësishëm që vjen një herë në vjet. Kemi qenë gjatë gjithë historisë së bashku dhe krahas juve, jemi dhe do të jemi edhe në të ardhmen në krah dhe bashkë me juve vëllezër të dashur dhe të respektuar të Kosovës. Krahas kësaj xhamie ne edhe në të ardhmen do të punojmë dhe investojnë edhe në objekte tjera kulturore, historike dhe fetare që janë prezent në Kosovë. Krahas që është një objekt fetar në të cilin kryhet adhurimi dhe përmendja e Allahut fuqiplotë, ky është edhe një objekt apo qendër e rëndësishme kulturore, historike, i cili i rikthehet përsëri në përdorim qytetit të Prizrenit. Dhe se në fund mund të konkludojë lirisht se çfarë është Stambolli për Turqinë, ashtu është edhe Prizreni për Kosovën”. Pas kësaj u thirr ezani për namazin e drekës, pas së cilës u bë prerja e shiritit dhe rihapja e xhamisë pas së cilës pasoi falja e përbashkët e namazit të drekës nga mysafirët dhe pjesëmarrësit e shumtë në këtë solemnitet rasti.Xhamia e Sinan Pashës është perla e qytetit të Prizrenit dhe lirisht mund të them se është xhamia më me vlerë dhe më e bukur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë. Është ndërtuar në vitin 1615 nga Sinan Pasha një ushtarak i famshëm osman me prejardhje shqiptare nga fshati Vejle të Lumës i cili ka qenë në pozita të larta në Perandorinë Osmane, si guvernator i Bosnjës, Shamit etj. Xhamia ndodhet në qendër të Prizrenit, në Shatërvan, e vendosur 2.5 m nga niveli i saj, përbëhet nga një kupolë qendrore dhe tre kupola tjera të vogla, dhe me një minare në lartësi prej 43 metra. Me 29 nëntor 1915 gjatë okupimit bullgar të Prizrenit, shpërtheu një eksplodim i fuqishëm, pasi që xhamia ishte shndërruar në depo të municionit të artilerisë, si pasojë e së cilës tri kupola më të vogla të hajatit të xhamisë rrënohen, dhe se bëhet plasaritja e enterierit dhe muraleve të brendshëm të xhamisë. Pas luftës së parë botërore dhe riokupimit serb të Kosovës, pushteti serb do të provojë që të rrënojë këtë xhami në vitet 1920-1922, por myftiu i atëhershëm i Prizrenit Hafiz Rustem ef. Shporta do të organizon demonstrata masive disaditore të xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit në mbrojtje të saj, dhe se do të kryhet atentati dhe vrasja e inxhinierit të sapoardhur nga Beogradi Vangelov për realizimin e planit të rrënimit të xhamisë së Sinan Pashës, dhe se në saje të veprimit të myftisë së Prizrenit dhe xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit, arriti kjo xhami madhështore të shpëtojë, ndër më të bukurat në rajon. Myftiu i Prizrenit Hafiz Rrustem ef. Shporta si organizator i kësaj ngjarje, dhe që e kishte përgatit dhe porosit vrasjen e inxhinierit Vangellov nga Beogradi, do të dënohet me 20 vjet burg në Zenicë dhe me konfiskimin e tërë pasurisë duke përfshirë edhe shtëpinë e tij.
Të njëjtën gjë e kishte premtuar adhuruesve dhe simpatizantëve të vet serb viteve 90- ta, lideri radikal serb Vojisllav Sheshelj, i cili tani gjykohet nga Tribunali i Hagës dhe mbahet në burgun e Shveningenit, në një tubim promovues të partisë së tij të mbajtur në shtëpinë e kulturës në Prizren, ku përveç tjerash ceku” se kur të vie në pushtet, së pari do ta rrënojë xhaminë e Sinan Pashës në Prizren”. Në shenjë proteste ndaj këtij kërcënimi të hapur të radikalit serb Sheshelj, atdhetari, nacionalisti, hafizi i mirënjohur prizrenas Hafiz Jakub ef. Muqeziu pat deklaruar” se këmba e tij nuk do të shkel më në sallën e shtëpisë së kulturës së Prizrenit”.
I gjithë ky mllef dhe neveri ndaj xhamisë së Sinan Pashës është ushqyer nga miti i rrejshëm shekuj me rrallë, të cilin e përmend edhe në letrën e tij Vuk Drashkoviqi dërguar shkrimtarit shqiptar Ismail Kadaresë me 18 qershor 1987 në Tiranë të Shqipërisë, ku përveç tjerash thotë:” Një grua serbe e ka lindur shqiptarin e njohur(arnautin), Sinan Pashën, i cili i ka djegur eshtrat e Shën Savës, dhe e ka rrënuar tempullin e Shën Arkangjelit në Prizren, dhe nga gurët e mermerit, nga eshtrat e këtij trashëgimi madhështor të të parëve, ka ndërtuar xhaminë”. Babai i alfabetit serb Vuk Karaxhiq pat deklaruar se” nuk është serb ai që nuk di të rrejë”. Ndërsa realiteti është diç tjetër, pasi që manastiri i Shën Arkangjelit ishte braktisur shekuj me rrallë, kisha ortodokse serbe për para të majme, i ka shitur gurët e manastirit Sinan Pashës, i cili për të ka derdhur me qese dukat ari për të blerë ata gurë.
Xhamia e Sinan Pashës me pozicionin e saj që gjendet nën Kalanë e Prizrenit dhe në qendër të Shatërvanit, është një perlë e mrekullueshme, me kuben e sajë qendrore, e tani edhe me tri kube më të vogla të rindërtuara tani rishtas dhe me minaren e hollë dhe të bukur, përbën tani objektin më dominues në qytetin e Prizrenit. Xhamia si e tillë, përmban specifika të artit klasik osman me qendër në Stamboll dhe është një nga veprat estetike në Ballkan. Me pikturat dhe dekorimet e brendshme që përmban, xhamia është një prej shembujve më të bukur të artit dekorues në Ballkan. Përveç dekorimeve klasike në xhami dominojnë edhe dekorimet e stilit barok të shekullit XIX.
Në mbrëmje të ditës së diel, mbretëroi një atmosferë e jashtëzakonshme pasi që në xhaminë e rihapur u falë edhe teravia e parë e muajit të Ramazanit në të cilën morën pjesë mbi 500 besimtarë me ç’rast kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef.Ballëku mbajti një fjalë rasti me ç’rast ceku se” në këtë natë të bukur jemi të nderuar që të kemi dy përgëzime të rëndësishme neve besimtarët musliman, e para, që na erdhi muaji i bekuar i Ramazanit, muaji i ibadetit, i devotshmërisë, i humanitet, i solidariteti, i paqes, dhe e dyta, pas plot 4 vitesh, kemi nderin që prapë së bashku të falemi dhe të lutemi Allahut fuqiplotë në këtë xhami më të bukur të qytetit tonë, në saje të ndërtuesit të kësaj xhamie Sinan Pashës, xhematit dhe besimtarëve musliman që kanë arritur që edhe me gjokset e tyre ta ruajnë xhaminë gjatë historisë nga rrënimi i saj, dhe në saje të ndihmës së madhe të popullit turk, shtetit të Turqisë, e posaçërisht kryeministrit të Turqisë z. Rexheb Tajjib Erdogan, që mundësuan që të restaurohet në tërësi kjo xhami e bukur e cila do të shërbej edhe në të ardhmen për ibadet dhe falënderimin e Allahut”. Pas përfundimit të teravisë, në Shatërvanin përplot besimtarë e qytetarë u lëshuan me qindra fishekzjarrë të cilët shndëritnin në qiellin e bukur të Kalasë së Prizrenit. Edhe pse 10 netët e fundit të Prizrenit ishin me të vërtet të bukura në saje të DokuFestit dhe Panairit të librit, e njëjta bukuri dhe gjallëri tani do të vazhdojë edhe gjatë 30 netëve të Ramazanit me aktivitete të ndryshme kulturore, humanitare, solidaruese në këto mbrëmje të bukura të stinës verore të qytetit tonë të Prizrenit. Me të vërtet nuk ka gabuar zëvendëskryeministri i Turqisë z. Bekir Bozdag kur ka bërë krahasimin se”çfarë paraqet Stambolli për Turqinë, paraqet Prizreni për Kosovën”, mbrëmja e sotshme me të vërtet e ka vërtetuar këtë krahasim.
Pasi që po afrohet edhe viti jubilar i xhamisë së Sinan Pashës, 400 vjet nga ndërtimi i saj, që i bie në vitin 2015, do të kisha apeluar që tani, që Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit në koordinim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës të bëjë përgatitje për shënimin e këtij përvjetori të çmuar të kësaj xhamie më të bukur jo vetëm në Prizren e Kosovë, por edhe në Ballkan.
Në fund do të përmbyll këtë shkrim duke e falënderuar organizatën qeveritare turke”TIKA” dhe Republikën e Turqisë me një thënie karakteristike në gjuhën e tyre turke”Tesekür Türkiye- Allah razi olsun sizden’’ që në gjuhën tonë të bukur shqipe do të thotë” Ju faleminderit Turqi- Zoti qoftë i kënaqur me ju”.
01.08.2011
Faik MIFTARI