•9:26 e paradites

Pas vendimit të Bashkësisë Evropiane dhe SHBA-ve që të vazhdojnë bisedimet edhe për 120 ditë ne relacion Prishtinë- Beograd me shpresë të gjetjes së pajtueshmërisë së dyanshme, edhe pse kjo pajtueshmëri nuk u gjind as pas plot 18 muajsh bisedime në Vjenë. Edhe projektrezoluta e tretë e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga SHBA-ja dhe vendet evropiane prapë hasi në kundërshtim dhe refuzim të plotë nga ana e Rusisë. Tani, në këtë kohë, i tërë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar është përqendruar në takimin e paraparë Bush-Putin që do të mbahet me 1 dhe 2 korrik në SHBA-ës me shpresë se aty do të gjendet një kompromis i mundshëm për zgjidhjen e çështjes së statusit politik të Kosovës. Bashkësia Evropiane nga njëra anë e mbështet propozimin e Ahtisarit, ndërsa në anën tjetër bënë thirrje që të dy palëve për negociata të reja. Ashiqare shihet se iu nënshtrua kërkesës ruso-serbe për vazhdimin e negociatave të reja në relacionin Beograd-Prishtinë dhe të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të 2 palët, me të vetmin ndryshim që u përcaktua afati kohor prej 4 muajsh, për dallim nga afati i papërcaktuar kohor që ishte kërkuar nga pala ruso-serbe. Pas kësaj fshehët plani ruso-serb për bisedat e mëtutjeshme i cili do të sjell përfundimisht ndarjen e Kosovës në vija ndarëse apo në krijimin e dy entiteteve të barabarta në Kosovë, atij shqiptar dhe serb, sikurse në rastin e Bosnjës e Hercegovinës, e në fazën e mëvonshme të bashkimit të saj me Serbinë.
Pasi që bashkësia ndërkombëtare insiston dhe imponon që të rinisin negociata të reja, atëherë jo Ekipi i Unitetit sepse as që mundet dhe as që ka forcë për te, por forca tjera progresive atdhetare duhet të rinisin idenë dhe të bëjnë trysni në faktorin vendimmarrës botëror, në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, që të thirret një konferencë e re të tipit të Berlinit, Londrës, Parisit, në Vjenë si shembull apo diku tjetër, në të cilin do të marrin pjesë shtetet e Grupit të Kontaktit(SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Gjermania dhe Italia), si dhe shtetet ballkanike duke u nisur që nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Turqia dhe Greqia. Në këtë konferencë do të duhej bëhej ri kompozimi dhe ri përcaktimi i kufijve të shteteve të Ballkanit, me ç’rast përherë do të zgjidhej çështja e pazgjidhur shqiptare, boshnjake, serbe dhe kroate, në pajtueshmëri të plotë, pasi që nga përvoja është treguar se shtetet etnike(nacionale) janë treguar shumë më të qëndrueshme si p.sh,Greqia, Sllovenia, Kroacia, kundruall shteteve tjera ballkanike të porsakrijuara multietnike(multinacionale) siç insistohej në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë e Maqedoni.
Pasi që ka shumë ide dhe kërkesa si nga Serbia, Kroacia, Maqedonia, dhe nga faktorët relevant ndërkombëtar që me marrëveshje dhe pa dhunë të bëhet ridefinimi i kufijve të Ballkanit, atëherë pse vetëm ne shqiptarët të strukemi e të mos insistojmë dhe të ngulim këmbë në drejtën tonë të bashkimit të trojeve tona si në Male të Zi, Luginë të Preshevës, Maqedoni, Kosovë me shtetin amë Shqipëri që është edhe dëshira e vetme përfundimtare e tërë kombit shqiptar në përgjithësi për një shtet, një komb, një flamur.
25.06.2007
Faik MIFTARI